• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fjalimi i Presidentes Osmani në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas

March 14, 2023 by s p

E nderuar Ambasadore Soderberg,

E nderuar  Zeinah Salahi, udhëheqëse e USAID-it,

E nderuara znj. Stocker, udhëheqëse e Swiss Development Corporation,

E nderuar zëvendëskryeministre,

Të nderuara deputete,

Të nderuar kryetarë komunash,

Shumë të dashura vajza e gra dhe të gjithë ju të pranishëm sot,

Ju faleminderit për ftesën, për një prej ngjarjeve më të rëndësishme të vitit në këto 10 vitet e fundit, sepse gjithnjë është një kënaqësi e jashtëzakonshme të jemi pjesë e Javës së Gruas, dhe natyrisht këtu është momenti që t’i falënderojmë ato që e filluan këtë ngjarje, Grupin e Grave Deputete, të cilat të inspiruara nga ikona e lirisë dhe pavarësisë sonë, zonja Madeleine Albright, ecën përpara drejt fuqizimit të grave dhe vajzave dhe përgjatë këtij rrugëtimi vazhdimisht kishim mbështetjen e NDI, kështu që faleminderit edhe një herë!

Instituti Demokratik Kombëtar të cilin të gjithë e njohim si NDI sot shënon një kapitull të rëndësishëm në historinë e veprimit dhe punës në Republikën e Kosovës. Ky është një vit jubilar për një prej ngjarjeve më të rëndësishme vjetore në vendin tonë. U bënë 10 vite me Javën e Gruas; ngjarje kjo e cila ka vlera të çmuara për kontributin e pashembullt në avancimin e pozitës së gruas dhe promovimin e barazisë gjinore në jetën publike në vend. Për punën e palodhshme, për ambicien dhe përkushtimin e pashoq, Ambasadores Soderberg, stafit të NDI, Grupit të Grave Deputete por të gjithë atyre të tjerëve që kontribuuan ndër vite, u jemi vërtet shumë mirënjohës.

Të nderuar të pranishëm,

Diversiteti, barazia dhe gjithëpërfshirja qëndrojnë në themelet e një demokracie që frymon me shpirtin e barazisë. Duke u nisur nga këto premisa dhe duke punuar për t’i jetësuar ato ne i rrisim gjasat për t’u afruar gjithnjë e më afër ndërtimit të një demokracie të qëndrueshme.

Por në qendër të çdo veprimi është aktivizmi qytetar – janë vet qytetarët. Pra, demokracia është një rezultat i angazhimit të gjithmbarshëm shoqëror. Nëse tentojmë ta zbërthejmë në copëza, demokracia është një tërësi e veprave individuale të cilat kontribuojnë në ndërtimin e së mirës kolektive dhe e cila me mbështetjen e duhur institucionale arrin të përkthehet në promovim të vazhdueshëm të vlerave demokratike, e që përfundimisht rezulton pastaj me fuqizimin e demokracisë së gjithmbarshme.

Gratë dhe burrat e Kosovës, vajzat dhe djemtë tanë, qytetarët tanë, duke ndjekur idealet e tyre i kanë dhënë kah historisë së vendit tonë dhe kanë krijuar bazamentin që ka mundësuar ndryshimet. Ata i kanë dhënë krah demokracisë.

Prandaj, çdo përpjekje për avancim të demokracisë mund të jetë e suksesshme vetëm kur të fuqizohet zëri i qytetarëve – i të gjithëve, pa dallim. I grave dhe burrave, pa dallim.

Më pastaj institucionet e kanë për detyrë të ofrojnë mbështetjen, resurset, por edhe orientimin strategjik, të cilat krijojnë infrastrukturën e nevojshme siç është institucionalizimi pra i veprave individuale. Dhe ky vullnet, ky përkushtim, ekziston sot më shumë se kurrë.

Nëse duam demokraci të fortë, atëherë kemi nevojë për qytetarë të fuqizuar. Kur qytetarëve u krijohen mundësitë për pjesëmarrje e angazhim, niveli i përgjegjshmërisë së institucioneve fillon e rritet gjithnjë me shumë, shtohet transparenca dhe rritet llogaridhënia.

Angazhimi i gjithsecilit prej jush në këtë sallë sjell avantazh shtesë në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të mëtejmë të demokracisë. Sepse, realisht, demokracia nuk është kurrë një projekt i përfunduar. Ajo kërkon të mirëmbahet, të kultivohet e të fuqizohet vazhdimisht.

Një demokraci e mirëfilltë është një demokraci që kontribuon në mënyrë aktive për përmirësimin dhe avancimin e pozitës së gruas në një shoqëri. Një demokraci e shëndosh është një demokraci që frymon mbi parimin e jetësimit të barazisë gjinore.

Edhe pse Republika jonë është vetëm 15 vjeçare, qytetarët tanë e kanë dëshmuar ndër vite se e kuptojnë rëndësinë esenciale të përfshirjes së gruas në jetën institucionale e publike. Në 15 vite rrugëtim, Kosova mbetet vendi lider në rajon dhe më gjerë me dy gra presidente në historinë e saj të re; me një përbërje parlamentare që shkon përtej kuotës gjinore; me një qeveri ku gratë janë më të përfaqësuara dhe kanë zë më të fuqishëm se kurrë më parë; por mbi të gjitha, Kosova është sot vendi që e ka përkushtimin e palëkundur për të avancuar gjithnjë e më shumë barazinë gjinore në vend.

Realiteti është se angazhimi, fatkeqësisht, nuk është i njëtrajtshëm. Institucionet të caktuara punojnë me intensitet më të lartë e disa e kanë marrë dukshëm më shtruar këtë çështje. Por, çdo ditë e më shumë po bëhet gjithnjë e më qartë se kur gratë udhëheqin; kur grave u dëgjohet zëri; kur gratë përfshihen në politikbërje dhe vendimmarrje; rezultatet janë konkrete e progresi është i pashmangshëm.

Por, sukseset në kryeqendër nuk duhet të vënë nën hije nevojën për angazhim të shtuar për shtrirje të barazisë e gjithpërfshirjes në çdo cep të Kosovës. Ne duhet të mobilizohemi që mos të lejojmë të ngërthehemi nga kurthi i vetëkënaqësisë. Sidomos jo, kur në vendin tonë ende vriten gratë. Sepse, ka ende shumë punë për të bërë përtej përfaqësimit të grave në vendimmarrje në nivel qendror, duke filluar nga fuqizimi i tyre në nivel lokal, e duke vazhduar tek eliminimi i çdo padrejtësie e pabarazie që ato ballafaqohen qoftë në shtëpi, në punë, në rrugë apo edhe në hapësirën digjitale.

Në këto 10 vite të Javës së Gruas, NDI ka arritur të prekë jetët e shumë grave e vajzave të cilat nuk kanë pasur mundësinë për të qenë pjesë e diskutimeve, grupeve punuese, e lërë më të jenë pjesë e vendimmarrjes. Shumë nga ato janë sot në mesin tonë. Ato po e udhëheqin ndryshimin, ato janë vet ndryshimi. Edhe unë kam filluar nga radha e fundit atje ku jeni sot ulur, pastaj në vitin e dytë jam ulur pak më afër, në vitin e tretë më afër dhe sot flas  si Presidente e Republikës. Pas disa vitesh, ju që jeni ulur atje në fund do të jeni këtu, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Javës së Gruas në vend timin.

Mirëpo, nuk mund të mos përmend edhe punën e shkëlqyer edhe të shumë partnerëve të tjerë vendor e ndërkombëtar, të organizatave të shoqërisë civile në vend, por edhe të politikbërësve të shumtë në institucionet publike. Puna e të gjithëve ka rezultuar me fuqizim dhe gjithpërfshirje.

Por, duhet të kemi kujdes të shtuar e të sigurohemi që rrethet tona të zgjerohen gjithnjë e më shumë, përtej kësaj salle. Është obligim i yni që mundësitë që na u krijuan neve me përkrahjen e njëra-tjetrës, me përkrahjen e organizatave vendore e ndërkombëtare të zgjerohen në mënyrë që t’ua garantojmë edhe shumë vajzave e grave të tjera të cilat ndihen të izoluara dhe ende përballen me pabarazi.

Mjafton vetëm një zgjatje e dorës në raste të caktuara dhe ai moment shndërrohet në një avalansh që ka fuqinë të transformoj jetë e komunitete të tëra. Prandaj, në misionin tonë për garantim të barazisë gjinore, nuk ka ditë pushimi, sepse barazia gjinore duhet të jetë mision i çdoditshëm.

Të nderuar të pranishëm,

Në këto kohë të pasigurive të mëdha, shohim tendenca gjithnjë e në rritje për të sulmuar vlerat demokratike – ato vlera mbi të cilat janë ndërtuar dhe frymojnë shoqëritë tona.

Por, përderisa në qendër të angazhimit tonë i vendosim qytetarët, angazhimin për përmirësimin e jetës së tyre, garantimin e lirive të tyre, dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, busulla jonë morale dhe politike do të na orientoj përherë në drejtimin e duhur.

E kur këto përpjekje i shoqërojmë me përkushtimin për të avancuar barazinë, gjithpërfshirjen dhe diverzitetin, rezultati final është përherë më shumë demokraci. Demokraci e drejtë. Demokraci për të gjithë. Demokraci e qëndrueshme.

Ju faleminderit!

Filed Under: Interviste

Arti i kombit kërkon pasion e sakrificë

March 10, 2023 by s p

Intervistë me Artistin e Popullit Reshat Arbana

Intervistoi Neki Lulaj

Neki Lulaj : Si e ka frymëzuar bota shqiptare artin tuaj gjatë gjithë jetës?

Reshat Arbana: Shqiperia ka shërbyer, si mbeshtetje dhe frymëzimpër  vëllezërit kosovarë. Interesimi zgjoi shpresat pas 1912-tës kur Shqipëria  shpalli Pavarësinë. 28 nëntor i vitit 1912 ish një festë  e gëzim i madh,një festë e re shpresëdhënëse që përcaktoi kufinjtë shpirtërorë për shqiptarë.

Duhët thenë se shqiptarët qenë të pavemendshëm kishin menduar e ishin gënjyer se të tjerët do na njihnin këtë ditë.

E kur po tretej gjuha dhe gjaku, disa burra të nderuar shqiptarë rendën pa humbur kohë, të shënonin, me kuq e zi këtë ditë të madhe. Perëndia na i kish dhënë të gjitha: Tokë pjellore, nëntokë të pasur, qiell e pyje plot shpezë, ujë e lumenj, dete plot peshq

Për fat të keq, pas 1912-tës gjysma e trojeve mbetën jashtë kufinjve, për sinqeritetin tanë të tepruar për fajin dhe orekset e Fuqive të Mëdha.

Mëma Shqipëri  ishte e pafuqishme për ta ndihmuar sa duhet. Ajo u përpoq për të mbajtur gjallë ndjenjën kombëtare. Shqiptaria kontribuoi për ushqimin shpirtëror të popullit të Kosovës mësues e profesorë shërbyen në shkollat dhe universitetet e Kosovës. Këmbimet e grupeve reciproke artistike nisën të funksionojnë me shumë sukses deri në fillimin e vitit 81.

Të paharrueshme për mua janë shfaqjet e Teatrit Kombëtar si dhe koncertet e artisike.

Të vjen keq që sot këto nisma nuk janë në nivelet e duhura. Institucionet kulturore-artistike shpresojnë të bëjnë më shumë në këtë drejtim.

Neki Lulaj: Si ka ndikuar ndarja në urën kulturore e shpirtërore të kombit tonë?

Reshat Arbana: Në radhë të parë lidhja shpirtërore-dhe arsimore duhet të forcohen e më mirë te arti dhe kultura Këtë punë nuk e bën asnjë mjet tjetër, por për fatin e keq intelektualet „agjerojnë“ heshtin… I tmerrshëm është fenomeni i largimit nga dheu amë në të dy krahët. Askush nuk thotë sa duhet: „Hajde ta bëjmë Shqipërinë!

 Por thonë se „nuk bëhemi“. Duan të ikin të gjithë nga sytë këmbët.“

Dita e 28 Nëntorit është nga ditët më të ndritura, më e madhja ditë . Ajo vërtet festohet  në Presidencë, por në radhë të parë ajo është festa e atij që digjet-në heshtje, pa bujë e nuk sheh djathtas e majtas ,me ligësi në bisht të syrit se kë ka në krah-të majtë apo të djathtë Ku nuk punuan, ku nuk kontribuan  e luftuan shqiptarët, por me kontributin e tyre fituan të tjeret dhe jo kombi. Shpesh pyes veten!

Pse ndodhë me ne kështu xhanëm? Kjo që ndodh me ne çfarë është -fati ynë, fatkeqësia apo mallkimi? Dhamë shumë figura të nderuara për Greqinë e Turqinë, po me ta mburren kombet respektive dhe nuk i njohin për shqiptarë. Nuk dua të hidhem ne raste e hollësira-se ato dihen e njihen si raste.

Në foto Artisti i kombit Reshat Arbana dhe poeti  i mërgimit Neki Lulaj 

Sa ndikim ka arti për bashkimin kombëtar? Kur do të ngjaj kjo?

Reshat Arbana: Bashkimi kombëtar një ëndërr e kahershme-

Hajde ta fillojmë të lehtësojmë fillimisht marrëdhëniet tregtare duke fshirë burokracitë e pengesat e pakuptueshme qe shpesh hasen, sepse :

Se janë kombe përmbi dhe 

Me bashkim këta si dritë kanë dalë

Po ka qitë dreqi ,pushkë ndër ne 

 Mos me u ba ,dy shqiptar me i ba

At.. Gj.  Fishta .

 Këto vargje të Fishtës së madh janë  shumë aktuale edhe sot. Janë bërë disa takime mes qeverive por jo gjithëshka është realizuar.Kontrata e marrëveshjet nuk kanë marrë rrugën e zgjidhjes. Ftohje dhe distancimi nga ideali i madh qe ka dashur të bëhet realitet. Shihet kur lëviz e ecën diçka. Një ditë jam i sigurtë qe ky bashkim do të ndodhë. Po sa do të zgjasë?Nuk e di shembujt janë, edhe i gjen ndër popuj te tjer. Por ne jemi mbështetësit e tij me një za!…

Një sheti  mbresëlenëse në Krajë të Ulqinit  poeti  Neki Lulaj dhe Artisti Reshat Arbana

Neki Lulaj:Ju njësoheni shpesh me heroin e Popullit Isa Boletini. 

Çfarë kujtimesh keni nga ky rol ?

Reshat Arbana: Kur kujtoj figurën e Isa Boletinit në filmin „Nëntori i dytë“ mendja me shkon menjëherë tek libri i të nderuarit ,përsonalitetit të madh  Skënder Luarasi “Jeta e Isa Boletinit“.

Libri më frymëzoi e më ngriti respektin për këtë trim e burrë të madh të kombit. Isha në studime në shkollën e artit dramatik në Tiranë. Mund t‘u them se përnjëherë, m‘u ngjall një ëndërr një dëshirë e patreguar mendoja gjithmonë: “Ah, sikur të më jepej rasti ta interpretojakëtë figurë të madhe të kombit shqiptar! E çuditërisht dita erdhi. Ishte viti 1982, shtatëdhjetëvjetori i ngritjes së flamurit. Erdhi porosia nga lart : Për këtë ditë të shënuar duhet realizuar një film i mirëfilltë artistik.

Për shkrimin e skenarit ju besua njeriut të madh të letrave Dhimitër Shuturiqit dhe dhëndërrit të tij Kiço Blushi.

U zhvillua auditimi për të vendosur për aktoret dhe mua m‘u besua roli i ISAIT. Sa nuk fluturova nga gëzimi e lumturia. Filmi ishte shumë i vështirë për t‘u realizuar. Sot është tepër vështirë, shumë e vështirë dhe nuk e di nëse do mund ta bëjmë  realitet realizimin  e tij. Por organizimi i mirë dhe dëshira e madhe tek të gjithë bëri të mundur realizimin e kësaj ndermarrjeje të madhe

për kinematografinë shqiptare.

Filmi u shfaq me shumë sukses. Nuk rri dot pa qendrua ne një moment që vërtet më tronditi pas pak ditësh. Figura e Isait ishte prekur, ish shkurtuar Po përpiqem ta sjell të shkurtuar këtë moment: Kur Isait me luftëtarët e tij vazhdonte rrugën për në Vlorë, has në batalionin ndëshkimor që kishin bërë reprazalje një fshat zhvillohet një betejë mes shqiptarëve  dhe serbomalazezëve.(ku këta ja u futshin kokën ne uij pa mëshirë  dhe donin ti mbytnin nga hasmerija duke harruar se ishin në gjirim te filmit) Luftëtarët e Isës ishin kosovarët e Rrashbullit (Durrës) . 

Vlonjatet ishin ishin  veshuur si serbo malazezë. Pasi e asgjësojnë batalionin naçallnikun e zënë rob. E sjellin para Isës, i cili po dredhte një cigare mbështetur në një shkëmb, bashkë me SALI Drenicën.

Naçallniku i drejtohët Isës:

ISA Boletini ti mund të vish në Beograd. Të marresh e të gëzosh,troje e shtëpi, etj

Isa pa ngritur fare kokën, u thotë luftëtarëve:

 -Të pushkatohet

 Naçallniku kthehet me forcë dhe i thotë plot urrrejtje:

 „Shqiptarët s`kanë për të fituar kurrë.

  Ju s`keni ditur dhe nuk dini të drejtoni shtet!

  Qetë-qetë, Isa ia ndryshon ekzekutimin:

–  Të varet!

 Ishte vërtet një episod i rrallë që, nëse duam ta përsërisnim, gjë që është e pamundur, duhen miliona e një mund i madh.

Sebep për ta hequr këtë episod ish vetëm një mendim,i hedhur nga dikushi. Askushi  tha:

“Mos tingëllon pak keq?

Kaq u desh dhe të tjerët ranë dakord.U kërkua ky episod pas rrëzimit të sistemit, por më kot. Ai nuk u gjet kurrë. Eh, dhimbje!

   Megjithate jam i lumtur, që ky film u realizua dhe i mbeti popullit.

 Te falenderoj nga zemra,për mendimin dhe konsideratën tuaj lidhur me pjesën me të rëndësishme për një aktor. Edhe ky mendim i juaji një vlerësim artistik, profesionalisht i goditur që e shprehin dhe shumë te tjerë. Sot edhe unë kam kuptuar se statura (trupi) zëri, forca e brendshme e një aktori janë armët më të rëndësishme për artistin. 

  Vetëm duhet thënë që ka edhe aktorë që nga fiziku nuk janë të mëdhenj. Zërin nuk e kanë të fortë dhe portretin pa ndonjë veçori dhe të mbërthejnë në skenë apo film me interpretimin e tyre. 

Çfarë i bën këta të mëdhenj e të vlerësuar? Çfarë i veçon?  

 Është forca e tyre e brendshme emocionale, besimi që kanë në atë që thonë, në atë që bëhet dhe nga mënyra si e bëjnë  e ndërtojnë rolin ndihmuar nga aktorët e mëdhenj.

Nje diskutim miqësor për librin e Fahri Musliut Bekim Fehmiu Odisu i Kosovës

Neki Lulaj:

Si e përjetoni si artist mirënjohjen e kombit për atë që bëni?

Çfarë ka mbetur në kujtesën tuaj nga teatri?

Reshat Arbana:Të falemindërit, profesor poeti Neki Lulaj, për vlerësimin që më beni.

Unë përpiqem të jem gjeografia e terë shqiptarisë . Me mberthen nostalgjija, kur më bejne këtë 

Çfarë ka mbetur në kujtesën  time nga aq teater.Fare thejesht mund të përgjigjem:Ajo plajadë e mrekullueshëm aktorësh që mbante brënda mureve të tij ai institucion me vlera kombëtare.    

 Figura që për mua janë një gjerdan i artë.  S`dua të përmend emra, se nuk dua të harroj ndonjë. Ka mes tyre që edhe pse mund të keët luajtur në role episodike është ngulur thellë ne mendjen time dhe spektatorit. Shkolla vërtet ka meritat e veta, por teatri me kolosët e tij ka qenë për mua shkolla më e lartë e më e madhe ,nga vlerat.  Mësova në  teatër se si realizoheshin ato elemente që kishim studiuar në shkollë,në skenë aty mes partnerëve. Mësova si te eci normalisht , në skenë, si të dëgjoj partnerin si ti flas, si t‘i përgjigjem, si të mbaj qëndrimetj….etj elemente të një rëndësije të veçantë për një aktor.

Vizitë varrit të  Ymer Prizrenit Kryetar i parë i Shqipërisë se katër vilajeteve  Reshat Arbana dhe Neki Lulaj 

Neki Lulaj: Cili ka qenë vlerësimi më i madh që keni marrë?

Reshat Arbana : Jam i lumtur pa diskutim.I gëzoj të gjitha nderet dhe vlerësimet nga organet e fushës së artit dhe të shtetit. Mbi të gjitha, vlerësimet më të larta e me  të ndjera i kam nga populli im, të cilit i përulem përjetësisht. 

 Nësë do ulesha ndonjë ditë e të shkruaja ndonjë libër për përshtypjet, urimet e falënderimet që marr nga populli, do duhej kohë, kohë, e libër voliminoz, sepse vërtetë ato janë pa fund.Çdo herë shumë çdo ditë që dal në pazar kur ndodhem në ambiente të ndryshme, takimet me popullin janë emocionuese.

 U duket e pabesueshme një rast i veçantë që më takojnë e që më kanë aq pranë. Këto raste  janë vërtet të përditëshme. Njerëzit janë të kategorive të ndryshme. 

Ato bëhen burim frymëzimi e të shtyjnë që akoma të bësh më shumë për ta. Kjo temë kërkon shumë kohë, sepse shumë e pa fund janë fjalët e zemrës që u dalin nga shpirti me dashuri e mall të patreguar. 

Një kafe dhe bisedë miqesh në Tiranë poeti Neki Lulaj dhe Artisti Reshat Arbana

Neki Lulaj: Çfarë keni marrë nga jeta në një kohë që i keni dhënë shumë asaj?

Reshat Arbana : Nuk kisha deshirë ta mbyll këtë intervistë pa renditur edhe ndonjë pakënaqësi apo vlerësim i munguar. Dëgjo miku im; Punuam e nuk përtuam në jetë, sakrifikuam e u lodhëm u përpoqëm e luftuam të keqen-sjelljet komportimet, marrëdhëniet njerëzore dhe komunikimi mes njerëzve.   

Përfundimisht,vlersimet e nderimet respekti ,me i madh sigurisht,është nga populli -pa diskutim ndaj i perulem me plot respekt atij i jam borxhli për jetë.

Vetë filmi artistik  i ketyre ditëve të cilin jemi në përfundim të gjirimit  me titull“Vdekja le të pres“ ka  dmth. e vet.

Një kafe pas Intervistës në shtëpinë e të shumë çmuarit Reshat Arbana fror 2023

Biografia e Artistit të Popullit Reshat Arbana

 Lindi më 15 shtator  1940 në Tiranë, Shqipëri. 

Ai është një aktor teatri dhe filmi. Një nga aktorët më popullorë të kinemasë shqiptare, me mbi 35 role, duke filluar që nga viti 1963.

Pasi i kreu studimet në shkollën e lartë për aktorë “Aleksander Moisiu” pranë Teatrit Kombëtar në Tiranë, më 1968, filloi punë në Radio Tirana. Nga viti 1977 e deri sa doli në pension ishte aktor i Teatrit Kombëtar të Tiranës.

Ndër rolet më të spikatura në film janë: Samiu tek Fije që priten 1976, Prefekti tek Gjeneral gramafoni 1978, Bimbashi tek Liri a vdekje 1979, Isa Boletini tek Nëntori i dytë 1982, Ahmeti tek Dora e ngrohtë 1983, Adnani tek Hije që mbeten pas 1985, Aliu tek Binarët 1987, Emili tek Rikonstruksioni 1988, Kuke Memini tek Balada e Kurbinit 1990. Për rolet e Dajlan Beut tek Kush vdes në këmbë 1984 dhe Kryetarit të Këshillit tek Kur hapen dyert e jetës 1986 ka fituar Medalionin e Festivalit të Filmit më 1985 e 1987.

Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar me rolin e protagonistit në dramën Streha e të harruarve.

Më 7 tetor 2011 Presidenti i Republikës, Bamir Topi i akordoi zotit Reshat Arbana Urdhërin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë, i cili me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të reja kulturën kombëtare.”

Më 26 nëntor 2011 në koncertin “Nëntori i Dytë” organizuar në kuadrin e Javës së Kulturës Shqiptare me rastin e 99-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Shoqata shqiptare në Parma të Italisë “Scanderbeg” i dorëzoi çmimin “Skënderbeu – Diaspora shqiptare në Itali” zotit Reshat Arbana të akorduar në emër të 24 shoqatave dhe subjekteve në Itali me motivacionin: “Për personalitetin e jashtëzakonshëm, cilësinë artistike dhe frymëzimin me të cilin ka interpretuar role, histori, ngjarje, duke i pasuruar me humanizmin dhe kulturën që e karakterizon përherë.”

 Çmimi ju dorëzua nga përgjegjesi i organizimit të shoqatës “Scanderbeg Parma” zoti Durim Lika. 

Filmat  e luajtura në Kosovën e pas luftë  herë si Bajram Curr,e herë si Isa Boletin nga cilësija dhe numri veç sa ja shtojnë  namin e krenarinë kombëtare ketij artisti të madh.Kurse filmi  artistiki ketij viti  2023 qe pritet  se shpejtë të përfundojë se gjiruari me titull“VDEKJA LE TE PRES“ka një dmth të madhe dhe një mesazh shumë të çmuar.

I uoj jetë të gjatë dhe e falenderoj Artistin e Kombit Reshat Arbana për recitimin, interpretimin e poezive te mia dhe për këtë intervistë 

Tiranë, shkurt 2023

Filed Under: Interviste

GAZETA AMERIKANE (1929) / MBRETI ZOG DO TË KËRCEJË ME BASHKËSHORTEN E AMBASADORIT CHARLES C. HART NË INAUGURIMIN E LEGATËS SË RE TË SHBA-VE NË TIRANË

March 3, 2023 by s p


Burimi : Pas betimit, Mbreti shikon nga dritarja e pallatit të tij demonstrimin e besnikërisë së popullit shqiptar. — Foto : © Armando Bruni. — L’Illustrazione Italiana, Milano, 16 shtator 1928
Burimi : Pas betimit, Mbreti shikon nga dritarja e pallatit të tij demonstrimin e besnikërisë së popullit shqiptar. — Foto : © Armando Bruni. — L’Illustrazione Italiana, Milano, 16 shtator 1928

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Mars 2023

“St. Louis Post-Dispatch” ka botuar, të enjten e 6 qershorit 1929, në ballinë, një shkrim mbi ngjarjen e bujshme të pjesmarrjes së Mbretit Zog asokohe në inaugurimin e Legatës së të SHBA-ve në Tiranë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Zogu premton se do të kërcejë me gruan e të dërguarit të SHBA-ve

Mbreti i Shqipërisë do të bëjë daljen e tij të parë publike në inaugurimin e Legatës Amerikane

Nga Associated Prees.

Burimi : St. Louis Post-Dispatch, e enjte, 6 qershor 1929, ballinë
Burimi : St. Louis Post-Dispatch, e enjte, 6 qershor 1929, ballinë

Tiranë, Shqipëri. 6 qershor. — Mbreti Zog ka pranuar të përurojë ndërtesën e re të legatës amerikane, e cila është me shpejtësi drejt përfundimit dhe që është struktura e parë e ngritur kudo në botë nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për përdorim specifik të një legate ose ambasade.

Mbreti gjithashtu ka premtuar se do të bëjë paraqitjen e tij të parë publike që nga ngjitja në fron duke marrë pjesë në një ballo dhe pritjen që do të hapë ndërtesën e re të legatës. Ai do të kërcejë me znj. Charles C. Hart, Minneapolis, Minn., gruan e ministrit (ambasadorit) amerikan. Kjo do të jetë hera e parë që sovrani i ri europian do të shkelë në një legatë të huaj dhe hera e parë që do të marrë pjesë në një kërcim (vallëzim) publik.

Hart, dikur korrespodent i gazetës së Uashingtonit, ka ftuar 1000 të ftuar në hapjen e ndërtesës së re të legatës, të cilën e ka projektuar vetë. Mbreti Zog do të mbajë një fjalim.

Filed Under: Interviste

SHOQATA “MALËSIA E MADHE” DHE FONDI HUMANITAR “TRIESHI” DEKLARATË PËR ZGJEDHJET E 5 MARSIT NË TUZ

January 23, 2023 by s p

Komuniteti malësor i New Yorkut, nën udhëheqjen e Shoqatës “Malësia e Madhe” dhe Fondit Humanitar “Trieshi” mbajti në datën 18 Janar një takim kushtuar zgjedhjeve lokale, që do të mbahen në Malësi në datën 5 Mars.
Pjesëmarrësit iu përgjigjen masivisht ftesës, duke shfaqur entuziazëm dhe gatishmëri të plotë për të mbështetur përgjatë procesit zgjedhor koalicionin “Forumi Shqiptar”, si faktor shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendlindjes sonë.
Në kuadër të kësaj dëshirojmë të bëjmë të ditur se Diaspora përpos interesave të pastra kombëtare, nuk ka ndonjë pretendim tjetër. Gjithashtu dëshirojmë të deklarojmë se ne nuk përkrahim ndonjë parti, grup apo person në veçanti. Ne synojmë dhe përkrahim një koalicion të zgjeruar ose subjektin politik shqiptar të bashkuar që Komunën do ta administrojë shqip.
Po ashtu ju drejtohemi autoriteteve kompetente që udhëheqin këtë koalicion, duke iu kërkuar që të zhvillojnë një fushatë të denjë, pa ofendime dhe sjellje, që nuk i shërbejnë çështjes kombëtare.
Andaj, duke u bazuar në parimet tona, si dhe duke patur parasysh punën katër-vjeçare të administratës aktuale dhe mbështetjes së gjerë të të pranishmëve, koalicioni “Forumi Shqiptar”, fitoi përkrahjen e Diasporës së New York-ut për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Diaspora bën gjithashtu me dije se do të marrë pjesë gjerësisht në këto zgjedhje.
NA U PRIFT E MBARA!
Shoqata “Malësia e Madhe”
Fondi Humanitar “Trieshi”
New York
Shoqata Malesia e Madhe Association New York
FONDI Humanitar-TRIESHI

Filed Under: Interviste

Intervista e Kryeministrit Kurti me gazetën zvicerane Tages-Anzeiger

January 17, 2023 by s p

Më poshtë gjeni intervistën e përkthyer në shqip të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me gazetarin Stephan Israel, të realizuar më 9 janar dhe publikuar në gazetën Tages-Anzeiger, më 16 janar 2023.

Përkthim jo zyrtar

Intervistë me Albin Kurtin, kryeministër i Kosovës

“Serbia asnjëherë nuk është distancuar nga Millosheviqi”

Shefi i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, para vizitës së tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, paralajmëron rrezikun e “hegjemonisë pansllave” të Serbisë dhe Rusisë në Ballkan.

Zoti Kurti, ju do të shkoni në Forumin Ekonomik Botëror në Davos këtë javë, cili është mesazhi juaj atje?

Vizitoni dhe investoni në Kosovë! Sepse Kosova është një vend progresiv, pro-evropian dhe demokratik. Kosova është një histori e dyfishtë suksesi. Në vitin 1999, shtetet demokratike të NATO-s ndaluan gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Që atëherë, ne kemi dëshmuar se zhvillimi ekonomik dhe demokracia shkojnë me njëra tjetrën.

A do të takoheni me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe do të kërkoni një zgjidhje në marrëdhëniet e bllokuara mes Beogradit dhe Prishtinës?

Kjo varet nga i dërguari i posaçëm i BE, Miroslav Lajçak. Ne jemi të interesuar për të arritur një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, bazuar në njohjen reciproke. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për një dialog konstruktiv.

Kohët e fundit, megjithatë, qëndrimi i juaj i ashpër në mosmarrëveshjen për njohjen reciproke të targave ka kontribuar në një përshkallëzim të situatës.

A do ta pranonte Zvicra nëse një pakicë në vend do të udhëtonte me targa italiane apo franceze për vite me radhë? Shumica dërrmuese e serbëve në veri të vendit tonë nuk kanë asnjë problem me targat e Kosovës. Një grup i vogël instrumentalizohet nga Beogradi. Njerëzit e armatosur pas barrikadave nuk janë të interesuar për të drejtat e njeriut, por për territor. Ata duan të mbrojnë veriun e Kosovës si zonë pa ligj. Ne kemi shkatërruar gjashtë laboratorë droge në komunat veriore dhe laboratorë për prodhimin e kriptovalutave që kanë përfituar nga rryma falas. Atje askush nuk i paguan faturat e energjisë elektrike.

Serbët janë dorëhequr nga puna në polici dhe gjyqësor. Ky është një kthim prapa në integrimin e pakicës serbe.

Unë nuk mendoj kështu. Gjatë dhjetë viteve të fundit ne kemi pasur një integrim të rremë. Zyrtarët serbë kryesisht i kanë bojkotuar seancat. Me ministrin tim të ri serb dhe këshilltaren e tij, tani kemi një integrim të vërtetë. Ata janë dy personat e urryer në Beograd edhe më shumë se unë.

Dikur i fituat zgjedhjet duke premtuar se do ta luftoni korrupsionin e kohës së pasluftës. Nga ana tjetër, marrëdhëniet me Serbinë nuk i kishit prioritet. A ishte ky një gabim?

Beogradi është nervoz sepse ne po ecim mjaft mirë edhe pse nuk na njohin. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, ne kemi bërë përparim të madh në luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave.

Por prapëseprapë, Kosova pa rregulluar marrëdhënien me Serbinë mbetet pezull.

Sigurisht, fqinji ynë në veri do të jetë aty. Por kam mjaft për të bërë në shtëpi. Buxheti ynë është 17 për qind më i lartë se një vit më parë dhe kemi pasur mbi 10 për qind rritje gjatë vitit të kaluar. Me fjalë të tjera, ne jemi në një rrugë të mirë, pavarësisht mosnjohjes nga Beogradi. Kur zgjohem në mëngjes dhe mendoj për prioritetet e ditës, Serbia nuk është e para.

Ju dëshironit të kërkoni dialog me serbët vendas në vend të Beogradit. Kjo nuk u vu re shumë.

Asnjë shef i qeverisë para meje nuk ka pasur kaq shumë takime me përfaqësues të shoqërisë civile serbe. Por ne nuk e bëjmë atë publikisht. Unë punësova një këshilltar serb në fillim të mandatit tim të parë. Sapo emërimi i tij u bë publik, ai dhe gruaja e tij u kërcënuan aq shumë sa i riu dha dorëheqjen nga posti. Të tjerë para tij që donin integrim janë vrarë.

Të rinjtë po votojnë me këmbë, jo vetëm pjesëtarët e minoritetit serb, por edhe shumë shqiptarë të Kosovës po largohen nga Kosova.

Sigurisht, për fat të keq është kështu. Ne po punojmë për të ndryshuar trendin. Unë jam edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por, siç ka thënë së fundmi presidenti amerikan Joe Biden, njohja reciproke duhet të jetë në qendër. Deri më tani, në dialogun e Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, gjithmonë na është kërkuar të bëjmë kompromise dhe lëshime, me idenë se Serbia në fund do të na njohë. Por kështu kjo nuk do të ndodhë kurrë.

A nuk është BE-ja më e rëndësishme për Kosovën sesa ShBA-ja?

Të njëjtën gjë ka thënë edhe Olaf Scholz, edhe pse Biden e tha i pari. Por BE-ja duhet të mendojë nëse dëshiron të vazhdojë të japë fonde pa kushte. Beogradi nuk ka miratuar sanksionet kundër Moskës dhe merr gazin më të lirë nga Rusia. Për Beogradin, marrëdhëniet me Rusinë dhe gjithashtu me Kinën kanë prioritet. Kjo duhet të ketë një çmim.

Presidenti Vuçiq ishte ministër i propagandës i diktatorit Slobodan Millosheviç, ndërsa ju u dërguat në Beograd si i burgosur politik. A ndikon kjo në bashkëpunimin tuaj?

E di me kë kam të bëj. Gjermania pati denazifikimin pas Luftës së Dytë Botërore. Serbia nuk është marrë me të kaluarën e saj. Aleksandar Vuçiq më ka përshkruar në mediat e tij propagandistike si llum terrorist. Në të njëjtën kohë, gjeneralëve serbë të dënuar për krime lufte u jepet një post në akademinë ushtarake pas përfundimit të burgimit të tyre në Beograd. Çfarë duhet të ligjërojnë ata aty?

Nga këndvështrimi juaj, normalizimi me fqinjin më të rëndësishëm, pra, nuk është i mundur?

Serbia nuk është një vend normal, sepse nuk është distancuar nga trashëgimia e kohës së diktatorit Slobodan Millosheviq. Tani shtojini kësaj mos distancimin ndaj Vladimir Putini dhe luftës së tij në Ukrainë. Demokracia ishte një interludë e shkurtër në Serbi pas përfundimit të diktaturës. Së shpejti do të bëhen 20 vjet që kur kryeministri properëndimor serb Zoran Gjingjiq u vra në Beograd. Që atëherë, forcat e errëta në Serbi festojnë rikthimin. Beogradi kërkon një marrëdhënie me fqinjët e tij të ngjashme me atë që ka Moska me Ukrainën dhe Bjellorusinë. Prandaj kjo fqinjësi është një rrezik sigurie për ne.

A mund të imagjinohet një konflikt më i madh si në vitet 1990?

Do të ishte e papërgjegjshme të thuhet se nuk ka rrezik përshkallëzimi. Që nga sulmi i Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt, ne kemi parë indikatorë të një hegjemonie pansllave, siç janë stërvitjet e përbashkëta ushtarake midis Serbisë dhe Rusisë. Edhe disa qindra njerëz mund të shkaktojnë dëme të mëdha.

Çfarë kuptoni me hegjemoninë pansllaviste?

Serbia dëshiron Republikën Serbe në Bosnjë, Malin e Zi dhe veriun e Kosovës dëshiron ta kthejë në një sferë të ndikimit. Njëjtë siç sillet Rusia me Bjellorusinë dhe Ukrainën. Problemi ynë është se partnerët tanë perëndimorë besojnë se Serbia po udhëhiqet vetëm nga oportunizmi, se është në pritje të përfundimit të epokës së Putinit dhe pastaj do të orientohet qartë drejt Evropës. Kjo është naive. Aleksandar Vuçiq më shumë pret kthimin e Donald Trump në Uashington sesa fundin e luftës në Ukrainë. 80 për qind e popullsisë ka një opinion pozitiv për Vladimir Putin. Serbia e sheh veten si pjesë e një sfere pan-sllave, ortodokse jashtë Evropës.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, kohët e fundit ju akuzoi se jeni pengesa kryesore për bllokimin e bisedimeve të normalizimit me Serbinë. Pse nuk i zbatoni marrëveshjet si ato për autonominë e një asociacioni serb të komunave?

Në dhjetë vitet e fundit kemi nënshkruar 33 marrëveshje me Serbinë. Pothuajse asgjë nuk është zbatuar. Disa nga këto marrëveshje do të ishin edhe në interesin tonë, por Beogradi gjithmonë insiston në autonominë të komunave me shumicës serbe. Pse mendoni që është ashtu? Serbia dëshiron që Kosova, sikurse Bosnja, të ketë shtet në shtet me Republikën Srpska, pra të bëhet jofunksionale. I thashë Vuçiqit se nëse vërtet dëshiron të bëjë diçka për minoritetin serb, duhet ta njohë Kosovën. Ai nuk mund të thotë se Kosova është “shtet i rremë” dhe në të njëjtën kohë të kërkoj autonomi komunale brenda këtij shteti. Është si të porosisni çaj pa filxhan. Ne nuk jemi budallenj.

Ukraina, një vend në luftë, i është dhënë statusi i kandidatit për në BE. Më shumë se 20 vjet pas përfundimit të luftës, Kosova është larg kësaj. A jeni të zhgënjyer në BE?

Nuk kemi alternativë ndaj BE-së. Nuk ka kuptim të jesh i hidhur apo i zhgënjyer. Isha shumë krenar kur më 15 dhjetor dorëzova aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. A e dini se çfarë bëri presidenti i Serbisë? Ai u ka shkruar të gjitha pesë shteteve mos-njohëse në BE që të mos e pranojnë aplikimin e Kosovës. Jam shumë i lumtur që Ukraina mori statusin kandidat. Ukraina e meriton. Ukrainasit meritojnë solidaritet të plotë në luftën e tyre kundër fashizmit rus.

Më 1 janar të vitit të ardhshëm, Kosova do të jetë vendi i fundit ballkanik që do t’i jepet viza pa viza për zonën Shengen. A do të përshpejtohet atëherë eksodi i të rinjve?

Njerëzit me arsim tashmë marrin viza pune. Gjermania është tërheqëse dhe e uritur për punëtorë. Kushdo që donte të shkonte e ka shfrytëzuar shansin e tij prej kohësh. Disa kthehen dhe më pas investojnë këtu. Por është e rëndësishme që vizitat familjare të bëhen më të lehta dhe njerëzit të mund të vizitojnë Evropën Perëndimore, pa pasur nevojë të shpenzojnë shumë para për një vizë.

A nuk është problem edhe për Kosovën eksodi? Kompanitë tani po marrin punëtorë nga India ose Tajlanda.

Është një problem i madh. Ne kemi shumë juristë dhe politologë që duan të bëhen diplomatë. Por ne kemi vetëm 30 ambasada. Si mund t’i akomodojmë të gjithë këta diplomatë? Ajo që i mungon tregut tonë janë, për shembull, kuzhinierë të trajnuar, muratorë apo floktarë. Kjo është arsyeja pse ne po punojmë për të zbatuar një sistem dual të arsimit si në Zvicër apo Gjermani.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 214
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nexhat Peshkëpia dhe “Noli si Poet Shqiptar…”
  • RINGJALLJA E BALADËS SI KUJTESË KULTURORE DHE NARRATIVË TRAGJIKE
  • Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror
  • SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE
  • Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha
  • Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare
  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT