A DUHET TË FLASË POLITIKA?
Shkruan: Mustafë Krasniqi
Me këtë shkrim do të mundohet të sjellë një mendim ndryshe të pandikuar politikisht objektiv ndaj zhvillimeve politike jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Të preokupuar me situatën e tanishme që po ngulfatet nga politika apo politikanët e papërgjegjshëm, të cilët me apo pavetëdije po sjellin një rrezik të paparashikueshëm të vendit. Duke u shitur si “filozofë, patriotë, trima, e sherifa” në Kuvendin e shpresës, të besimit që duhet të ishte. Me gjithë këtë pamje të shëmtuar të përdorimit të forcës, me grushta e sharje dhe përdorimin e gjuhës së poshtërimeve, dëshmonin se janë kategoria më e ultë e vlerës kombëtare e njerëzore. Pavarësisht se edhe mund të kenë titullin e doktorit, profesorit, deputetit, ministrit, apo çka tjetër.
Kjo pamje tmerruese, që po i ndodhë politikës së Kosovës në ditët e sotme është papjekuri, inatçore, karrieristë, lideriste dhe mbi të gjitha bajraktariste. Në kohën kur duhet të flisnim me një gjuhë në mbrojtjen e vlerave kombëtare, duke pasur si në obligim moral porosinë e programit të rilindjes kombëtare “Një komb, një gjuhë dhe një flamur” dhe gjakun e dëshmorëve, që ranë për lirinë dhe bashkimin e atdheut. Megjithatë, politika jonë – e sotmja dhe e djeshmja, bëhet si hiena kundër njëri-tjetrit, duke harruar dhjetëra mira të vrarë e të masakruar, të dhunuar e të ndjekur nga politika fashiste serbe, që kishte si qëllim aktin e pastrimit të Kosovës nga shqiptarët. Si dëshmi, kjo që ndodhi vetëm në luftën e fundit, pa i përmendur tragjeditë tjera; Si ajo e Traktatit të Shën Stefanit, kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër e tjera të shumta që u bënë në dëme të Shqiptarëve.
Në ato konferenca, që pamëshirshëm e copëtuan Shqipërinë nga fuqitë e mëdha, duke ua dhënë peshqesh shteteve të krijuara në tokat shqiptare. Shteteve, të cilat kurrë nuk kanë fituar me luftë, por në tavolinë; Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia, që kishin mbështetje nga Rusia, Franca dhe Anglia.
Pra, politikanët e sotëm, të djeshmit dhe ata që do të vijnë është dashur ta ndërtojnë një strategji, e cila do të fliste dhe vepronte në interes të kombit dhe popullit, pavarësisht se cilit krahë politik i takon. Kjo është dashur dhe duhet të jetë bazamenti i shtetit. Jo të zgjedhurit e popullit të bijën nën ndikimin e politikanëve të pandërgjegjshëm e të papërgjegjshëm, sidomos të atyre servileve, që për një copë pushtet japin edhe shtetin.
Kërkojmë nga deputetët e politikanët, qofshin majtistë apo djathtistë, që mjerisht pjesa më e madhe e tyre nuk e kanë idenë e përcaktimeve ideologjike, e mos të flasim për një pjesë të deputetëve të cilët jo që nuk kanë përcaktime ideologjike, por që as nuk kanë idenë se ç`janë këto si definicione. Qëllimi i këtij lloj “deputeti”, “politikani” ishte rruga se si të vij deri te karrierizmi, apo edhe te përfitimi i pasurisë pa meritë, qoftë edhe përmes forcës me grushta. Fatkeqësisht, kjo mendësi e tyre për pushtet nuk i bën nder popullit, por shkel mbi çdo vlerë kombëtare në dëm të shtetit.
Pra, çfarë duhet të ishte qëndrimi i politikës shqiptare në përgjithësi përballë politikave të së kaluarës, konkretisht politika e sotme duhet të flasë përtej asaj të Veriut të Kosovës?
Po i përmendi disa arsye:
Do të duhej të fillojë nga Traktati i Shën Stefanit, Kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Nga programi i Rilindjes Kombëtare me synim të riparimit të historisë, që kishin si kërkesë të vetme çlirimin e vendit, bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm dhe zhvillimin ekonomik, shoqëror e kulturor të shtetit të ri shqiptar. Gjë që këtë qëllim e kishte dhe lufta çlirimtare e Kosovës, UÇK-ja. Por, fatëkeqësisht politika e pasluftës, e cila ka rrëshqitur në filozofinë e politikës së premtimeve, duke u fshehur pas premive, me premtime se “ne jemi ata të shpresës”, ata që do t’i realizojmë kërkesat e vullnetin të popullit. Realisht, për fat të keq kjo po rezulton shumë më ndryshe se ato premtime që ua kishin dhënë popullit, të zgjedhurit me votën e popullit.
Të merrej me organizimin e grupeve profesionale, që vë në pah gjenocidin serb të ushtruar mbi popullatën e pafajshme e të pambrojtur shqiptare dhe të krijohen komisione përkatëse:
Kundër gjenocidit, të të pagjeturve, të dëmtimit të pasurisë shtetërore dhe asaj private, të pensioneve, të cilat kanë mbetur nën juridiksionin e administratës serbe. Kundër kriminelëve që sot janë në maje të shtetit serb, të atyre që kanë dhunuar mbi 20.000 shqiptare dhe kanë vrarë fëmijë, gra e pleq, mbi 15.000 veta.
Të merren me mbrojtjen e ushtarëve të lirisë, të cilët padrejtësisht po mbahen në paraburgime apo në burgime. Dhe po gjykohen në emër të krimit të luftës, duke e kriminalizuar UÇK. Të merren me shpifjet e atyre që kanë gënjyer dhe kanë dhënë fakte të rrejshme, të paguar nga mafia e shtetit serb. Gjithsesi të jetë kundër atyre që kanë dëshmuar dhe po dëshmojnë të pavërteta në gjykatën speciale të Hagës. Të bëhej ligji për ilustracionin, i atyre njerëzve që i kanë dënuar liridashësit e sot janë në mesin e pushtetarëve me ndikim.
Të krijohet një komision ligjor kundër atyre që fyejnë dinjitetin e ushtarit, të veteranit të UÇK-së, të krijohet një komision kundër atyre që fyejnë të gjitha komunitetet, konkretisht kombin shqiptar në Kosovë. Ngaqë komunitet, apo etni dhe komb “Kosovar” s’ka. Ata që i mohojnë të drejtën e më se dy milion shqiptarëve, për të qenë shqiptarë, ndaj tyre duhet me përgjegjësi të merret ligji. Se nuk mund të jetë e njëjtë në një Kosovë me mbi 95 % shqiptarë, 5% të komuniteteve tjera, prej 5% mund të jenë 3% serbë.
Pra, politika dhe politikanët e Kosovës duhet të jenë në interes të kombit dhe jo të karrierizmit, hajnisë dhe jashtë interesave të përgjithshme të kombit shqiptar, gjithsesi duke i respektuar të drejtat e komuniteteve, të cilat janë më pak se 5%.
Duke mos u marrë me emra të përveçëm dhe partitë politike, po ndalemi te fenomeni, i cili është bërë dukuri për politikën shqiptare. Që sa më shumë të gënjesh, apo të thurësh elozhe që i bënë vetës apo partisë, me popullizëm, shitje trimëri e atdhetarizëm, apo me sloganin e famshëm për bashkim e luftë kundër korrupsionit, se do të krijosh besimin e popullit për pushtet, apo mbajtjen e pushtetit. Këto premtime kanë gjymtuar vullnetin e popullit, kanë thyer shpirtin e atdhetarit, të ushtarit, veteranit, mbi të gjitha të rinisë. Që në saje të këtij fenomeni shpërfillës populli ka mbetur në rrugë qorre dhe shpresë tjetër nuk gjen vetëm ikjen, zbrazja e Kosovës nga rinia, mjekët, të diplomuarit dhe të tjerët që presin të diplomojnë dhe me diploma të ikin. Të ikin larg atdheut, për të gjetur një vende pune jashtë shtetit.
Të bashkuar ta thërrasim ndërgjegjen e kombit të mblidhen në një pikë të arsyes, t’i lëmë inatet, unin për pushtet pa meritë dhe t’i qasemi me zemër e mendje zgjedhjes së çështjes kombëtare shqiptare! Mbi të gjitha, ta ndërtojmë atdheun me moral dhe dinjitet, ta forcojmë bindjen e shqiptarëve dhe të etnive tjera se çdo qeveritar, apo deputet të mos jetë karrierist e hajdut. Ta krijojmë besimin dhe të mos krijojmë huti dhe përçarje mes popullatës, siç dhe keni filluar ta shkallmoni mërgatën. Vetëm në këto muajt e fundit sa e sa njerëz të politikës e nder ta edhe deputetë, në vend se të flasin për ikjen e mërgatës dhe për shkollën shqipe, që për fat të keq as 3% e fëmijëve në mërgatë nuk e ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe, ata për këtë dukuri tepër të dhimbshme e shqetësuese as që e vrasin mendjen. Thjesht as që e diskutojnë, por vrapojnë për të hapur pika partiake. Ky angazhim i politikës jo vetëm që është i gabuar, por është edhe i tmerrshëm, që përmes kësaj forme po mundohet ta ndajë mërgimtarin në ngjyra, edhe pse pas fundit të luftës së Kosovës u shuan partitë në mërgatë e tash u ringjall kjo lëngatë partiake.
Pra, përpos këtyre që i cekëm më lart me çka e justifikojnë qëndrimin në pushtet ish-pushtetarët dhe të pushtetshmit e sotëm?
Duke thënë se po e luftojmë nepotizmin, hajninë, korrupsionin.
Po luftoni kundër varfërisë, rritjes së çmimeve.
Po angazhoheni kundër ikjes së rinisë, mjekëve dhe për ta bërë më të mirë mirëqenien.
Po luftojmë për ta mbrojtur Veriun e Kosovës.
Po luftojmë për drejtësi, që dikush harxhon e nuk paguan, ata që paguajnë edhe për këta që harxhojnë, siç është rasti me rrymën në pjesën veriore të Kosovës.
Për ta ruajtur gjuhën dhe vlerën e saj.
Për të dërguar përfaqësues diplomatikë të merituar e jo me shkolla të mesme, e të paditur.
Pra, për t’ju besuar se vërtet jeni për shtetin e jo pushtetin, të jeni afër popullit, duke u shërbyer interesave të tyre e jo duke i tmerruar, me rritjen e çmimeve, injorimin, përbuzjen dhe me afera të shumta e çka jo tjetër, që nuk duhet t’i bënte kjo qeveri, as ato të shkuarat, sepse politika dhe qeverisja janë çështje publike. Për të cilët paguheni nga taksat e popullit, jo për ta zhvatur dhe në fund për ta lënë rrugëve si lypsarë, apo duke ikur nga pushteti, që ia ka rënduar apo po ia rëndon jetën njeriut.
Nuk mjafton vetëm të thuhet se po e luftojmë të keqen, por duhet dëshmuar së pari se nuk jeni në këto ujëra të turbullta, o njerëz të përkohshëm.