• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DHIMBJA E IMZOT GEORG GÄNSWEIN DHE RIKTHIMI I DITËS SË TAKIMIT ME PAPËN E NDERIT…

January 7, 2023 by s p

Nga Visar Zhiti/

Më është dhimbur dhimbja e Imzot Gänswein, Prefekt i Vatikanit, por më shumë Sekretari i Papës së Nderit, Bendedikti XVI.

Më është dhimbur dhimbja e tij, njerëzisht vuaj, – tha ai, – por si prift jam i lumtur, Papa Ratzinger shkoi te Zoti ashtu siç dëshiroi…

Jeta e Imzot Gänswein deri më sot ishte midis dy papëve, atij të Nderit, më të cilin jetonte në Manastirin “Mater Ecclesiae”, por që sapo u përcoll me një funeral të paparë në katakombet poshtë Vatikanit dhe atij sipër, në krye të kupolës, që drejton Vatikanin, karizmatik shenjtërisht…

Dhe po pritet me bujë dhe kërshēri e shqetësim libri i Imzot Gänswein, diku ai rrëfen, që Papa Françesku, aty nga viti 2020, i paskësh thënë që prefekt do të ishte, por në punë të mos vinte më, t’i shërbente papa Benediktit… Po tani që ai nuk është? Imzot Gänswein është vënë në qendër të vëmëndjes së mediave të botës, të cilat ndjekin zhvillimet e Vatikanit. Ja, ai sot para arkëmortit të Papës së Nderit kishte rënë në gjunjë dhe e kishte puthur…

Më bëhet se kryqi mbi supe sikur ka rënë udhëkryq ndër këmbë…

Më dhimbet dhimbja e tij. Aq më tepër që dhe e kam takuar Imzot Gänswein, ashtu të qeshur, të hijshëm dhe magjepsës, sipas disa gazetareve, bashkë kemi shkëmbyer dhe dhurata ai është dhe mik i një meshtari shqiptar… mik imi, më shpirtërori dhe ndër më të dashurit që kam.

Në fakt do të doja të flisja për miqësinë si ajo e tyrja, atë të rrallën , të besës, të sprovuarën, të heshturën, të fortën, burrërore, idealen që vazhdon dhe përtej vdekjes. E pafjalë, që veç përjetohet.

Se shpesh të lënë pa fjalë miq që dinë të kthejnë kurrizet, kur s’i duhen më njëri-tjetrit, pa le të kesh qenë i përndjekur dhe i vuajtur, vetëm me praninë bën që të ndjehen keq ata që kanë qenë në anën e atyre që dhunonin njerëz, bashkëpunëtorë të së keqen, të mbushur me vetvetet, me narcizizmin e tyre ateistik dhe të pa dashur, edhe pse të konvertuar dhe lexojnë libra, madje shkruajnë dhe poezi…

Po le ta lëmë mënjanë këtë vanitet bashkëkohor, tani tek mua rrezëllin tjetër gjë, imazhi i një miqësie emblematike si e gdhendur në muzgjet vatikanase, biblike, e Imzot Gänswein, plot dinjitet dhe përungjje, me Papën e Nderit, Ratzinger. Të dy gjermanikë, arianë, njëri i moshuar, i bardhë, i pakët si qiriri, me një veshtrim të butë dhe të përtejmë, gjithë mençuri qiellore, teolog ndër më të shquarit e botës moderne, kurse tjetri i ri, buzagaz, filmik dhe joshës, – thonë gra gazetare, i gjatë dhe hapmadh, por që shetiste aq ngadalë me Atin e Shenjte, është si babai im, thoshte.

Por dhe ai vetë është si biri plot shpresë e besim, që nxë dhe jep, një e ardhme që sintetizon përvojat, konservatorizmin e duhur dhe libralizmin e matur, vlerat madhore të dy papëve, të kishës moderne, për t’i çuar ato më tej… mes dashurisë njerëzore të pambarim.

Dhe shoh letrat e tij, adresën e manastirit brenda Vatikanit, librat e Papa Ratzinger-it, që m’i kishte dërguar ai, autografin e imët të tij, fotografitë dhe lutjet e tyre, njeriu që jetoi me dy papë, të cilët bënë histori të Kishës, të adhuruar nga popujt.

Unë magjepsem nga perkushtimi i tij prej biri ndaj atit, edhe kur ai s’mundej dot, nga ajo miqësi siperane që tashmë ngjan si një ungjill tjetër në Bibël…

Ishte Imzot Gänswein që u kujdes që unë me Edën time të takonim një ditë Papën e Nderit, ai na i bëri këtë dhuratë. Emocion i madh. I shkruajta mbresat e atij takimi, shkrimi u botua në disa gazeta. Po e risjell:

ATË DITË

NË KOPSHTET E VATIKANIT

Ç’kopshte të mrekullueshëm brenda mureve në Vatikan, aq sa na duket se jemi futur në një ëndërr! Nga lart rrjedhin ujëvara qiellore, nga ato me misterin e dritës tjetër. Po edhe një qetësi mërmëritëse, që sikur ia zbulojmë kumtin tek udhët mes blerimeve, aq ndjellëse, për të ecur sa më paqësisht, tani e gjithmonë, në dashuri. Gjethnajë dhe bar gjallërues, cicërima të kristalta dhe frushullima flatrash.

Jo, nuk janë vetëm zogjtë, por edhe engjëjt, kështu na duket. Pasditja sikur merrte frymë me mushkëritë e “Shpellës së Lourdes-it”, që na shfaqet befas fare pranë. Dhe na kap një ndjesi përlehtësimi dhe përhapjeje, sikur nuk kemi kufizime, jo vetëm ndaj njëri-tjetrit dhe ndihemi frymë gjithandej. I shtrëngova dorën sime shoqeje. Sikur merrnim nga drithmat e njëri-tjetrit kështu. Para nesh, e ndienim, rendte djali ynë, i padukshëm, ja, ja, i pashë një pjesës flatre, kjo pendë prej tyre ra… Andej duhej të shkonim. Tej pjerrinave të edenta pemët presin si meshtarë të lumtur. Dhe ja, lule të tjera që sendërtojnë me ngjyrat e tyre çaste të tjera mrekullie. Emblema papnore. Prej lulesh dhe ajo në sheshin qendror aty. Nga shatërvanët hovnin ujëra si bekime të kthjellëta. Kupola e mermertë e Bazilikës së Shën Pjetrit vezullon e madhërishme dhe nuk kuptohet ku mbaron ajo dhe ku fillon qielli. Një përzierje mistike me retë anash si të ishin një grup me Mikelanxhelo. Poshtë nëpër nikie statuja biblike… ja, ja, ati yt. Pranë është stacioni i trenit të Vatikanit, që sikur sjell dëshira dhe pak më tej gjykata, jo, jo e gjyqit të fundit dhe burgu, shpesh e më shpesh bosh, por ndodh të bujtë ndokush, ngjarje e rrallë, do ta kenë lajmin patjetër gazetat. Ime shoqe ma shtrëngon dorën prapë. Buzëqesha trishtueshëm.

Madona që na mirëpresin. Ja, Zoja e Këshillit të Mirë, që është dhe Pajtorja e shqiptarëve, shkodrania. Dhe drurë biblikë, të mbjellë nga personalitete të larta të botës, presidentë, kryeministra… edhe ty ta pranuan kërkesën që si titullar i ambasadës, por edhe si bashkatdhetar i Shenjtes Nënë Tereza, – po nëpërmendja, – që me rastin e kanonizimit të saj, në jubileun e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, të sillje një ulli nga vendi yt, të mbillej këtu. Ia thashë kryeministrit. Prita… Mure të tjera kështjellore, heliodromi i vogël, livadhe me gëmushat si qingja, pylli natyral, një shenjtërore e mermertë, kthesat si ngazëllime mahnitjesh, kështu më erdhi t’i krahasoj, stola të drunjtë, të rrallë, rojat që të përshëndesnin të parët, Radio-Televizionit i Vatikanit, dielli që vazhdonte dhe derdhte ar. Me siguri po afroheshim. Pashë kolonat e Akademisë. Përballë, pas degëve të pemëve, sërish dritare, mbase ato të Arkivit Sekret a të Bibliotekës së vjetër Apostolike. Se ishte bërë dhe një e re, por ajo ishte pesë kate nën tokë, e bunkertë. Ku ishin letrat e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, po librat shqip? Mes qiparisave, tej në thellësi, vegim që afrohej, nuk po u besonim syve, në këmbë, me të bardha si i statujtë, ai, Papa i Nderit, Bendedikti XVI. Në kohën pas lutjeve të pasdites po na priste aty. Nuk mund të iknim pa e parë, pa i puthur dorën. S’po duronim sa të mbërrinim dhe një si lulnajë emocionesh po binte mbi supet tona. Ndjemë se shtangëm, nuk po ecnim ne, por pllaja mitike, sikur afrohej ajo, me Papën e Nderit në krye, ende larg, rrezëllitës. Po na aviteshin qiparisat. Një vezullim. Mbase i kryqit të argjendtë që i varej në gjoks Atit të Shenjtë, Ratzinger. Wow! – do ia bënte djali ynë. Po aty, në krah, si i veshur me natë, sekretari i tij i veçantë, arqipeshkvi Georg Gänswein, njëherësh edhe Prefekt i Pallatit Pontefik të Vatikanit. Në këmbë dhe ai. Ruba e zezë i derdhej hijshëm deri në fund. Vetëm koletoja si një tufë rrezesh zbardhëllente.

Dy gjermanë, besëtarë të një miqësie apostolike, magjepsës. Të dy pa kësula mbi krye. Flokë e bardhë të Ratzinger-it si fllad. Si muzg të Gänswaein-it. Ndalëm para tyre. U përkulëm. Arqipeshkvi, gjithë përzemërsi buzëqeshëse, na paraqiti te Papa i Nderit, që na përgëzoi për ardhjen. Sa zë të ngrohtë kishte, me pak si ngjirje si të marrë katakombeve, andej nga varret biblike. I thamë se është lumturi të takosh Shenjtërinë e Tij. Vuri buzën në gaz si me druajtje. Dhembshurisht. Ime shoqe i dhuroi një stola të kuqe, si gjaku i martirëve të kishës tonë, 38 prej të cilëve sapo ishin lumturuar dhe stola ishte punuar nga gra shqiptare të Veriut, këto po shpjegonte ime shoqe, kur Imzot Gänzwein ndërhyri entuziast: – Paskeni ardhur me dhurata, faleminderit!

Atij i kisha dhënë ditë më parë një bibël të vjetër dy shekullore në gjermanisht, ma solli studiuesi nga Kosova Bejtullah Destani, s’e di ku e kishte gjetur. Dhe Gënswein ma ktheu duke më dhuruar “gemelli” embelematike manshetash. Heshtje. Heshtje folëse.

– …dhe të kanë dënuar për poezi, s’mund të besohet… – tha Ati i Shenjtë duke më parë me sytë tejpërshkues si të një ikone.

U trondita, ai e dinte, pra, se me kë ishte takuar. Kishte shkruar poezi dhe vetë në rininë e hershme. Kishte parë dhe Luftën e Dytë botërore si nxënës dhe i kishte ikur asaj, “dezertoi”. Gjithsesi, dënohesh dhe për poezi dhe Papa thotë “e pabesueshme”, me qëllim që e tillë duhet të jetë, të mos ndodhë më. Kurrë. Ndërsa fliste, po e vështroja me adhurim. Te sytë kishte rrathë të lehtë, pakëz të fryrë, mbase pagjumësia, lutjet e leximet natën. Ashtu i mpakur nën pallton e bardhë e të gjatë, ku renditeshin kopsat, edhe ato të bardha si varg i argjendtë yjesh, shtati sikur nuk ia pengonte shpirtin që të shtjellej edhe më, i përforcuar si me një si ethe përvëluese të ftohtë duke na dhënë dhe neve përreth forcë enigmatike. Filozof i Zotit, yll në teologji, shkruanin për të dhe “bashkë me Lessing, Kant dhe Beethhoven janë përfaqësuesit e fundit të gjenisë gjermane”, fat të jesh pranë tij, thoshin.

Ula kryet, nuk e vështroja dot. Pashë nga këmbët që Papa i Nderit tani mbante sandale murgu. Ne të tjerët ishim me këpucë të zeza. Eda kërkoi leje për të bërë ndonjë foto. Imzot Gänswein u tregua i gatshëm, e mori ai aparatin. Pas nesh ishte muri i mbushur me bimë kacavjerrëse. Më shkrepi t’i kërkoj Papës një autograf mbi librin e tij “Deus Caritas Est”… Më dridhen duart, tha shenjtërisht, kur të shkoj në shtëpi do ta shkruaj… Dhe do na e dërgonin bashkë me librin e tij më të fundit “Ultime conversazioni” dhe me dy kartolina brenda. Ja ç’kishte shkruar: “Con la mia benedizione. Benedetto XVI”. Po dhe atje në kopshtet parajsore të Vatikanit u lut për mbrojtjen tonë. Amen! Në ballinën e pasme të librit më tërhoqi citati i tij: “Kurrë nuk e kam përftuar pushtetin si një pozicion force, por gjithnjë si përgjegjësi, si një detyrë të rëndës e të vështirë. Një detyrë që të shtrëngon çdo ditë dhe të kërkon: a ishe në atë lartësi”?

Dhe tërheqja e Tij ishte po në atë lartësi, gjest historik për një papë, që ndryshoi rrënjësisht “ministrimin pjetrin” duke rifutur, krahas dimesionit njerëzor, edhe atë spiritual të origjinave. Iki se jam lodhur, të vijë ai që mund të bëjë më shumë. Dhe Papa i Nderit na mëson se nuk mund të japësh dorëheqjen në ditë të vështira e krizash, që t’u shmangesh detyrave, jo, por mund të ikësh, kur gjendjen e lë mirë që të bëhet më e mirë. Shikoja nga Papa dhe mbushesha me një lloj përdëllimi të tjetërsojtë, të ngjashëm me ato kur je para një kryqi të bukur. Vetmia e tij, pa vetmi. Kam Zotin, thotë. I mbyllur pa mbyllje. Është bota që s’e lë. Herë pas here i shkon pasardhësi, Papa Françesku, përqafohen, shkëlqejnë dhe kokë më kokë një Zot e di se ç’bisedojë, për një jetë pa luftëra e uri, por të begatë të mbarë njerëzimit, me paqe, dashuri e hirin e Hyut. Dhe përkushtimi i tyre, siperan e i përulur, është dritë shpresëdhënëse, udhërrëfyese.

Kishim parë në Pallatin Papal në Castel Gandolfo, në muzeun vatikanas divanin ku rrinin dy papët. Janë të shenjta miqësia, bashkëpunimi e vazhdimi. Fjala ka nevojë për frymëzim, thotë Ratzinger. Dhe Vepra e tij vlerësohet si themel në doktrinën e besimit për mijëvjeçarin e tretë. Shkronjat në autografin e Tij e jepnin dridhjen, që jo, nuk ishte vetëm e dorës. Gishtërinjtë e bardhë, të hollë e të gjatë të tij më ishin dukur sikur pikonin muzikë. Na kishin thënë të njohur se ai është dhe pianist i shkëlqyer, i apasionuar pas Mozartit. Dhe po ata na kishin treguar gjatë një darke në Selinë e Shenjtë një thënie të Papës së Nderit, lakonike, përmbledhëse, se kur kishte rënë njëherë fjala që dhe vëllai i tij, klerik dhe ai, i binte pianos a ndokush tjetër, s’kishte rëndësi dhe Ratzinger ishte përgjigjur: “Po, ashtu i duket”, – dhe kishin buzëqeshur përreth. Më bëri përshtypje, merrte më forcë qortuese se kishte dalë nga goja e atij që njihet si “bashkëpunëtor i të vërtetës”, guximtar i fjalës. Dukja sot është bërë një dukuri e padurueshme, po mendoja. Ashtu na duket, kjo është çështja. Sa shumë pësohet nga ata njerëz, qofshin dhe vëllezër apo dhe vetja, që u duket sikur dinë të bëjnë atë që pikërisht nuk munden, veç e tjetërsojnë dhe bëhen shkak prapësish të rënda, jo veç në arte e letërsi, por edhe në veprimtari të ndryshme shoqërore e politikë duke i kthyer ato shpesh në të kundër të vetvetes, fare brutalisht.

Poezia në kryq, m’u fanit, si Krishti, me dy hajdutë anash dhe turma që bërtiste: kryqëzojeni!… dhe këtë bëritmë ta quash poezi? Kjo po bëhet…

Po më vinte rëndë që e kapa veten duke përsiatur kësisojshëm, kur isha kaq pranë së shenjtës, me një Papë që dhe tërheqjen e kishte bërë shenjtërisht dhe që po më dukej se më shumë se sa toka, tani po e ndillte qielli i pafund.

Ai qiell ku ne kishim sytë, sepse të rënë në tragjedinë tonë si në një hum(b)nerë, vetëm lart mund të shikonim… Dhe ne nuk duruam pa e përqafuar Lartësinë e Tij të Shenjtë. Si për ta mbajtur sa më shumë pranë vetes. Kështu dhe Ai, na u duk. Pastaj, po kaq njëlloj, dhe me Imzot Gänswein. Mirënjohës, i mërmëritëm, që na i dha këtë mundësi, të një takimi që ndoshta vetëm një herë në jetë na ndodh. Pastaj erdhi një makinë e bardhë, e xhamtë. Papa Mobile.

Qerre moderne e apostujve, e vikarit të madh. Ndali pranë nesh. Papën Ratzinger e ndihmoi për të hipur në të Imzot Gänswein. Dhe askush tjetër. Ne s’guxuam të lëviznin, por zgjatëm krahë të padukshëm dëshirash. Papa vështroi nga ne qiellërisht. Kryqi i argjendtë mbi gjoksin e pakët vezulloi sërish si në fillim. Na e bëri me dorë, ndërsa Monsinjori buzëqeshte. Aq tërësore ishte ajo buzëqeshje, sa dukej sikur shkonte dhe te gjërat përreth. Makina e bardhë zbriti pa u ndjerë në rrugën me drurët e lartë cedër anash dhe mori për nga Manastiri “Mater Eçlesiae”, mes blerimeve, ku banonte Papa. Zhurma e lehtë e një porte do të ishte e fundit. Dhe dielli gjithë urtësi të perëndishme treti nga ana tjetër e qiellit, ku nuk shihej, nga rifillonte një botë e dimensioneve të tjera, mbase ajo e amshueshmërisë. Po kërkonim nëpër qiell se mos pikasnim ndonjë flatër, atë të djalit tonë, që na paraprinte. Kishim mbetur ashtu në këmbë, të mahnitur. S’di se sa kohë, deri më tani…

Filed Under: Interviste Tagged With: Visar Zhiti

KKAD MBAJTI TAKIMIN E FUNDVITIT 2022

December 31, 2022 by s p

Sektori për informim i KKAD

Mustafë Krasniqi

Ein Bild, das Text, verschieden, Regal, darstellend enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës (KKAD), mbajti takim në shenjë të fundit të  vitit, më 29 dhjetor 2022, në  ZOOM.  Takimi filloi me përshëndetje dhe me ngritje gotash për hir të festave të fundvitit! Ky ishte vit i sfidave dhe në të njëjtën kohë i sukseseve, u tha në takim!

Me rastin e hapjes së takimit, kryetari i KKAD-së, Dr. Vaxhid Sejdiu, i përshëndeti të pranishmit, që shfrytëzoi rastin të na informojë në lidhje me përpjekjet, pengesat dhe të arriturat e KKAD-së. Ai na njoftoi për takimin mbarëkombëtar, i cili ndodhi në Tiranë e Shkodër “Shqipja në Diasporë”, që u mbajt nga data 26-27 nëntor 2022 dhe përkrahjen reale nga të dyja shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova, por pa e harruar edhe Maqedoninë e Veriut, pasi që edhe aty ka shumë shqiptarë dhe nxënës në mësimin plotësues, në Diasporë. U përmendën të arriturat, por edhe synimi për vitin tjetër, se si ta realizojmë plan-programin e këtij viti, duke filluar me manifestimin e festave kombëtare, mbajtjen e seminareve, Ditën e Mësuesit me logon “Lule për mësuesin 22”, ku morën pjesë mësimdhënësit nga mbarë diaspora shqiptare, përfaqësuesit institucional të tri shteteve, të Shqipërisë, Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Vendimi për shpalljen e 50-vjetorit të Kongresit Drejtshkrimor, vit jubilar, me moton “Viti i Gjuhës Shqipe”. Nisur nga mërgata, shqiptarët kudo që janë, shkrues, poetë e njerëz të shkencës, që së bashku me institucionet tona të punojmë për një diasporë të unifikuar, me qëllim të ruajtjes së gjuhës shqipe te fëmijët tanë mërgimtarë dhe kulturës kombëtare në Diasporë. Po ashtu, edhe takimi i fundit i këtij viti, Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), së bashku me Qendrën e Botimeve për Diasporën (QBD), që u zhvillua një trajnim një-ditor në Zvicër, me mësues nga Bavaria e Gjermanisë, Austria dhe Zvicra. Ky takim u mbajt në vazhdën e aktiviteteve, në kuadër të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, të cilin përvjetor KKAD-ja e ka shpallur “Viti i gjuhës shqipe”.

Pas kryetarit të KKAD-së, dr. Vaxhid Sejdiu, fjalën e morën; Mustafë Krasniqi, Mira Shehu, Teuta Tabaku, Miradije Berisha, Dritan Mashi, Aurela Konduri, Anila Kadija, Musa Pali dhe Isuf Bytyçi, të cilët rikujtuan në mënyrë kronologjike ditët më të mira të punës së këtij këshilli dhe sfidat që kishin kaluar përgjatë këtyre viteve. Fillimisht si Këshill i Mësuesve Shqiptarë të Diasporës (KMSHD) u quajt dhe më vonë si  Këshill Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë, por pa e harruar misionin që kishim, me këtë emër fituan edhe VKM-në nga ana e qeverisë shqiptare, në të cilën thuhet: 

“Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës do të bëhet pjesë e konsultimeve dypalëshe, me dakordësim paraprak, midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, në funksion të marrëveshjeve për mësimdhënien në diasporë. Po ashtu që Mësuesit shqiptarë në Diasporë, me Këshillin Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë, do ta kenë një mekanizëm në dhënien e opinioneve profesionale për arsimin shqip në Diasporë”.

Zotimi i Anëtarëve të KKAD-së, ishte që në vitin që vije 2023 do të na gjejë më të përgatitur dhe me angazhime të reja, ku u përcaktuan si prioritete tri propozime, që mbetën në mesin e janarit të diskutohet dhe në lidhje me to të merren vendime, për realizimin e tyre.

Po ashtu, mbetemi me shpresë se edhe Kosova do të na njohë sikur VKM-ja e Shqipërisë, me qëllim që bashkëkombësit dhe shoqatat, që ta ndihmojnë shkollën shqipe dhe mësimdhënësit ta kenë një adresë të vetme, sepse vetëm të bashkuar vijmë deri te unifikimi i Diasporës shqiptare. Ndërsa, z. Sejdiu shtoi duke thënë: Ky vit vërtet ishte sfidues, por që ka qenë vit i sukseseve për ne dhe KKAD-në! Ishte, sepse kemi pasur shumë takime institucionale, të cilat ishin në përkrahje, po ashtu arritëm të fitojmë përkrahje edhe nga shumë shoqata, mësimdhënës e prindër në botë, aty ku ka shqiptarë, që nga Amerika, Kanadaja, Anglia, Gjermania, Zvicra, Italia, Austria, Kroacia, Sllovenia e deri te Stambolli  etj.

Takimi u përmbyll me urime për Vitin e Ri 2023 dhe u ngritën gotat, për shëndetin mësuesve, të nxënësve dhe mbarë shqiptarëve, kudo që janë!

Filed Under: Interviste

Legjenda e gazetarisë botërore Barbara Walter vdiq në moshën 93 vjeçare

December 31, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Bota e gazetarisë Broadcast amerikane dhe në botë ka humbur sot një nga ikonat e gazetarisë, modelin e gruas së guximshme, legjendën e Televizioneve, pioneren e letrave.
Barbara Walters ishte një legjendë e vërtetë, ajo ishte një reportere e jashtëzakonshme që ka marrë intervistat më të rëndësishme të kohës që nga drejtues të shtetit, diktatorë, liderët e regjimeve deri tek personazhet më të famshëm te artit dhe ikonat e sportit.
Walters intervistoi një sërë liderësh botërorë, duke përfshirë Fidel Castro, Margaret Thatcher, Muammar Gaddafi, Saddam Hussein dhe çdo president dhe zonjë të parë të SHBA-së që nga Richard dhe Pat Nixon. Ajo fitoi 12 çmime Emmy, 11 prej tyre kur ishte në ABC News.
Edhe për mua në këto 26 vjet në Amerikë ka qenë modeli më i hyjshëm dhe më frymëzues.
Gjithmonë e shikoja me kërshëri modelin tim sidomos në programin: 20/20.
Barbara Walters ishte nga ato gazetare që shumë do të ecin në gjurmët e saj të ndritura, sepse është egzaktësisht si në thënien e saj të famshme:
“Suksesi mund t’ju bëjë të shkoni në një nga dy rrugët. Mund t’ju bëjë një Prima Donna – ose mund të zbutë skajet, të largojë pasiguritë dhe të lërë gjërat e këndshme të dalin në dritë.”
Ironi e fatit që ajo kaloi në amëshim para natës së Vitit të Ri.
Prehu në Paqe Barbara Walters!

Mirënjohja është kulturë , është fisnikëri

Ndërkohë me vdekjen e saj ne mësojmë se si mijëra gazetarë shprehin mirënjohjen për çfarë Barbara Walters iu dhuroi njerëzve në Amerikë dhe në botë.
Mirënjohja ëhtë kulturë, mirënjohja është fisnikëri.
Oprah Winfrey, një ikonë tjetër, një ndër gratë më të famshme në botë dhe më e pasur u shpreh për vdekjen e saj:
“Pa Barbara Walters nuk do të kisha qenë unë, as ndonjë grua tjetër që shihni në mbrëmje, mëngjes dhe ne lajmet e përditshme në TV. Ajo ishte me të vërtetë një Trailblazer. Unë e bëra audicionin tim të parë televiziv me atë në mendje gjatë gjithë kohës.
Mirënjohëse që ajo ishte një model kaq i fuqishëm dhe i hirshëm.
Mirënjohëse që e njoha. Mirënjohëse që kam ndjekur dritën e saj.
David Muir gazetar i shquar në World News në ABC u shpreh:
“Aq shpesh ne i përdorim fjalët – ikonë, legjendë, pionier – por Barbara Walters i kishte të gjitha këto – dhe ndoshta mbi të gjitha, Barbara Walters ishte e guximshme. Ajo hapi rrugën për kaq shumë nga ne. Ne mësuam prej saj dhe mbesim mendje hapur prej saj edhe sot e kësaj dite.
RIP, Barbara.

30 Dhjetor, 2022
Staten Island, New York

Filed Under: Interviste Tagged With: Keze Zylo

KUJT I DHEMB SOT PËR ATDHEUN

December 17, 2022 by s p

A KA NEVOJ TË MBROHET ATDHEU SOT ?

Rreth librave të Gëzim Ziles “Shkrime të zgjedhura” dhe  “Këpucari i lumtur”, Tiranë 2022

Nga Enver Memishaj

Gëzim Zilja: Beteja për Vlorën, Bujar Leskaj kundër Edi Ramës | Gazeta  Telegraf

Sapo kanë dalë në qarkullim dy libra të Gëzim Ziles: “Shkrime të zgjedhura” dhe “Këpucari i lumtur”

Gëzim Zilja është i njohur sot në botën shqiptare. Atë e kujtojnë si mësues, pra me profesionin më fisnik nën diell. Isuf Luzaj e ngre figurën e mësuesit drejt profetit , ndërsa sipas librave të fesë njerëzit e ditur janë profetët që Zoti i dërgon mbi tokë për të ndrequr e udhëhequr botën. 

Gëzim Zilen e njohin edhe si drejtor të gjimnazit të Vlorës, profesor në Akademinë e Marinës, kryetar i Bashkisë së Vlorës, deputet e së fundi drejtor në Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Ai njihet edhe si publicist e gazetar, që trajton problemet e shoqërisë sonë, por edhe si krijues me tregime dhe skica dhe botues i 11 librave. Botimet tërësore të tij përshkohen fund e krye nga dhimbja për problemet e shoqërisë sonë, që synon të forcojë e të ngrejë më lart ndjenjat e dashurisë ndaj popullit e vendit të tij, për të zgjuar shoqërinë në zhurmat e globalizmit dhe udhës europiane. Kështu dhimbjen për atdheun  e gjejmë jo vetëm në publicistikë por edhe në analiza kritike të veprave historike dhe letrare si dhe në krijimtarinë artistike

Gëzim Zilja ka qenë i pari që përshkroi në mënyrë realiste pranverën e përgjakut të ’97-tës, në artikuj në shtypin e përditshëm dhe me tre libra të botuar. Ai është i pari që përmblodhi e botoi në një libër voluminos dokumente të vitit 1997, duke i bërë historisë sonë një shërbim të vlefshëm. 

Gëzim Zilja me artikujt e tij ka qenë i pari që vuri alarmin për shitjen e portit të Durrësit me argumente të pa kundërshtueshme, i pari që denoncoi shkatërrimin e portit të Vlorës, i pari që denoncoi tecet lundruese si lubi që do të shkatërrojnë gjirin e Vlorës, i pari që denoncoi shkatërrimin e kujtimeve e monumenteve historike si Sheshin e Flamurit në Vlorë,  lagjen Skelë të Vlorës ku është shtëpia e Pavarësisë etj.  

Në një nga librat e tij ai shpreh devizën që e udhëheq në punën e tij: “Nuk kam menduar dhe nuk mendoj se ky libër me dokumente do të ndryshojë ndërgjegjen e shqiptarëve. Po unë nuk mund të rri i qetë, kur është çështja për ndërgjegjen e një populli: kur ata që e vrasin atdheun vihen në krye të tij dhe bëjnë pastaj rolin e shpëtimtarit”. (Skaner 1997)    

Është e vërtetë se shoqëria jonë sot ecën shumë shpejt përpara në një udhë ku mendimet, idetë, globalizmi dhe Europa e bashkuar kanë ndikimin e pa shmangshëm në mendimet dhe gjykimet tona, por një gjë mbetet e pa ndryshuar: vlerësimi, respekti dhe nderimi ndaj prindërve tanë, ndaj babait dhe nënës, po kështu mbeten të pa ndryshuara edhe qëndrimi ndaj dheut të babës, atdheut dhe dheut të mëmës, mëmmdheut. Vetëm kthjelltësia ndaj këtij problemi i sjellin shërbime të çmuara atdheut, si shembulli i Gëzim Ziles në veprat e tij. 

Por disa shpirtëra të prishur arrinë deri atje sa të kërkojnë e gjejnë skuta e vrima apo njolla të zeza që ka çdo popull dhe e entuzjazmojnë e gëzojnë dhe i publikojnë me komente të një mëndje të deformuar, pra duket se atë qëndrim çnjerzor kanë mbajtur edhe ndaj prindërve të tyre. Me këtë shfaqje merret Gëzim Zilja në librat që marrin në analizë.

Kufijtë e një artikulli të vetëm nuk na lejojmë të bëjmë një biografi të plotë të këtij qytetari vizionar,  por do të shfaq mendimet e mia për dy librat e fundit që kanë dalë në qarkullim këto ditë.

Libri “Shkrime të zgjedhura”, përmbledh analiza kritike për 21 vepra të autorëve të ndryshëm nga të cilat 6 janë vepra historike dhe 15 krijimtari letrare në poezi dhe prozë.

Analizat përshkohen nga ndjenja e qëndrimit ndaj historisë, atdheut dhe shoqërisë shqiptare, kështu p.sh. autori kritikon me rreptësi Mustafa Nanon për devijime historike, po kështu për autorin turk Mehmet Maksudoglu, për Blendi Fevziun, për Fatos Lubonjën, vlerëson Bujar Leskaj për analizën e shkrimeve për të burgosurit e të persekutuarit politik, vlerësime jep për veprën e Astrit Xhaferit, Bedri Çokut, Bedri Myftarit, Theodhori Prokos, Reshta Agajt e Pëllumb Velos.  

*

Libri “Shkrime të zgjedhura”, hapet me analizën kritike që Gëzim Zilja i bën librit të Mustafa Nanos “Sanduiç”, por më tepër, kritikë për vetë Mustafa Nanon.  Mustafa Nano me librin e tij “Sanduiç”, na parqet një platformë me prirje antishqiptare, sipas tij shqiptarët nuk qenkan ashtu si i paraqet historia mijëra vjeçare, por ashtu si i paraqet radakja e Mustafa Nanos.

Libëri për historinë e shqiptarve titullohet me një fjalë të huaj Sanduiç, i vetmi shembull në historinë tonë. A nuk gjeti ky njeri një fjalë të bukur shqipe? A e di ky njeri se poeti kombëtar Naim Frashëri ka thënë se fjala e huaj është si derri ndër dhën, apo për të, këto janë vjetërsira?

Kështu historinë e shqiptarve Mustafa Nano na perifrazon me emrin e një kumarxhiu të pa ndreqshëm anglez, Sanduiç, i cili nuk ngrihej nga tavolina e kumarit dhe kuzhinieri tij shpiku këtë mënyrë të ushqyeri feta buke me mish e sallam që t’i krijonte të zotit mundësinë të hante diçka pa u larguar nga tryeza ku luante bixhoz, pra historinë e shqiptarve Nano na e paraqet me nje titull fyes. 

Sipas llogjikës perverse të Nanos shqiptarët janë ashtu si i përcaktojnë armiqëtë e tyre apo veprat armiqësore kundër tyre. Gëzim Zilja lë të kuptohet qartësisht se ky është një libër me frymë dyshuese për vendin dhe njerëzit e tij të origjinës, që quhen shqiptarë. 

Merita e Gëzimit në këtë analizë është fakti se ai i vë emrat e vërtetë veprimtarisë antishqiptare të fqinjve tanë apo të Fuqive të Mëdha si Gjermania, kur shkruan: “Kongresi i Berlinit ishte një Pazar i madhë ku shiteshin e bliheshin njerëzit e territoret, e duhet thënë se Bismarku e të tjerë luajtën rolin e kasapit”, pra jo ashtu siç pretendon Nano se shqiptarët nuk pasakam të drejtë qe e cilësojnë Bismarkun si antishqiptar!!!

Dyshimi për Nanon duket në avokatinë që ai bën për “Megali-Idea”, që shqiptarët të gjithë në të gjitha kohët e kanë denoncuar si një ide antishqiptare e konkretizuar me veprimtari armiqësore greke ndaj shqiptarve, ndërsa Mustafa Nano, synon t’i hedhë poshtë të gjithë studjuesit e historianët!!!

Kur vjen fjala për Lidhjen e Prizërenit Nano paska “zbuluar” se shqiptarët qenkan mbledhur atje për të mbrojtur kufijtë e Perandorisë Turke. Gëzim Zilja e analizon librin e Nanos, për çdo fjali, e për çdo fjalë. Kështu p.sh. Nano habitet se shqiptarët qenkan mbledhur në një xhami! Po ku të mblidheshin? Ndofta në Këndin e Kuq ku mblidheshim ne njerëzit e rinj të Partisë së Punës? 

Gëzim Zilja mendon e shkruan krejtësisht ndryshe, nga ato që bluan  rradakja e Nanos, e që shkruan libra, që nuk vlejnë as për karton e për këtë Gëzim Zilja thërret në ndihmë historianë me emër si Misha Glenny, George Gavrych e shumë të tjerë, shqiptarë apo të huaj që e cilësojnë Lidhjen e Prizërenit, Lidhjen e shqiptarëve për mbrojtjen e trojeve të tyre. 

Ajo që hedh poshtë tezat antishqiptare të Nanos janë luftërat që bënë shqiptarët të frymëzuar e organizuar nga Lidhja e Prizërenit, gjaku i derdhur për mbrojtjen e trojeve të tyre dhe tradhëtia që pësuan nga ata të Kongresit të Berlinit e Bismarku Nanos. 

Gëzim Zilja thekson gjithashtu se “Të gjithë figurat kryesore të Lidhjes, u dënuan pa gjyq, u internuan ose u burgosën nga Perandoria Turke”, megjithëse “kishin mbrojtur kufijtë e Perandorisë Turek!!!”, sipas Nanos.

Është tepër absurde, për të  besuar Nanon, me veprën e tij ai bëhet shumë primitiv e qesharak që me një mëndjelehtësi prej adoleshenti, mbuluar me megallomani e madhështi, deklaron se shqiptarë nuk qenkan ashtu si i paraqet historia mijëra vjeçare, por ashtu si i paraqet radakja  e Mustafa Nanos

Më tutje Gëzim Zilja merr në analizë mendimin e Nanos se shqiptarët pas 400 vjetëve nën Turqinë do të jenë shqiptarë apo turq? Po mirë a e di kjo koka e madhe e Nanos se Perandoria Turke ishte e shtrirë në tre kontinente Europë, Azi dhe Afrikë? Atëhere sipas mëndjes e logjikës perverse të Nanos, banorët e këtyre tre kontinenteve janë ashtu si janë sot apo janë turq?

Nga ana tjetër Nano a e di devizën e shqiptarve se “Feja e shqiptarëve është shqiptaria?

Për këtë kapitull Gëzim Zilja thërret në ndimë Ismail Kadarenë: “Së pari, thotë Kadareja, nuk është e vërtetë, së dyti sepse të lakmosh një cilësim të tillë është njëlloj si të vetshpallesh “gjysmak” që në shqip midis të tjerash do të thotë “torollok”. 

Pra Kadareja na thotë se mendimet e Nanos qenkan mendimet e një torollaku, që Gëzimi nuk e thotë me gojën e tij por e lë ta kuptojë vetë lexuesi. 

Projekti sllav “Naçertanie”,  sipas të cilit dhe sipas Mustafa Nanos, tokat ku banonin boshnjakët, malazestë e shqiptarët historikisht janë toka serbe dhe sipas Nanos ato duhet t’u kthehen të zotërve!!!

Një politikë armiqësore e vitit 1844 që është hedhur poshtë që në atë kohë e në vazhdim, shkruan Gëzim Zilja, mirëpo sot del një argat i Beogradit dhe e mbron këtë ide, sa turp!!!

Në fund Zilja hedh poshtë edhe mendimin e Nanos se epika historike qenka mollë sherri midis shqiptarve dhe serbëve. Në këtë kapitull Zilja qëndron më pak pasi dihet historikisht se epika historike vjen e fundit ne kontraditat ndërmjet serbëve dhe shqiptarve. Në se e nxierr në plan të parë kët fakt historik Nano nuk flet më për histori, por për folklor. 

Si përfundim do të thoshim se Gëzim Zilja në kritikën e tij shumë vlerëse na e ka bërë të qartë se librat e Mustafa Nanos do të keni fatin e veprave të babës, sepse:

Ky njeri mendon se do të zgjidhë problemet e sotme rreth e rrotull nesh, me  një libër denigrues që përshkohet nga sharlatanizmi provincial.

Ai pa dokumente historike del kundër prindërve të tij: Atdheut dhe Mëmëdheut. Fëmija nuk e ka në dorë të zgjedhë prindin, por ka në dorë ta nderojë atë. 

Në këtë mënyrë Nano bëhet bishti i sqeparit serb, ata serbë që i kanë bërë shqiptarët me bisht!

Këto mëndje perverse si e Fitim Caushit që është e vetmja qënie e gjallë që deklaron se mirë ua bëri poetëve që i pushkatoi Enver Hoxha, hedhin poshtë traktet e botës së qytetëruar për atdheun: Atdheu quhet toka, ku më ka rënur koka. 

Sokrati i Greqisë së Vjetër i lënduar, lëngon: Sa gjë e çuditshme, o qytetarë të Athinës! Ne shohim perënditë, idetë, ëndrrat, ngjarje të së kaluarës e të së ardhmes e vetëm hundën tonë s’mund ta shohim mirë. Unë tani po e kuptoj, si një e një që bëjnë dy, se me të vërtetë i ditur është ai njeri, që do të mundë të shohë hundën e tij…

Gëzim Zilja foli me kritikën e tij dhe për këtë duhet vlerësuar sepse më në fund do të mbajmë mend jo fjalët e armiqve tanë, por heshtjen e miqve tanë. 

*

Në kritikën që Zilja i bën librit “Historia osmane  dhe Institucionet” të prof. dr. Mehmet Maksudoglu, botim i vitit 2013, merr jo pa sukses detyrat dhe kompetencat e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Për këtë Gëzim Zilja duhet vlerësuar e nderuar nga të gjithë ne, pasi është vigjilent ndaj atyre që shtrëmbërojnë historinë dhe poshtërojën popullin tonë, kështu ai bëhet avokat i pathyeshëm i popullit të tij. 

Themi kështu pasi libri i profesorit turk ka shtrëmbëruar faktet, pra e ka kthyer historinë në folklor e në dobi të popullit të tij turk, pra ka një qëndrim armiqësor ndaj popullit shqiptar , prandaj ishte detyre e Institutit të Historisë t’i përgjigjej. Gëzim Ziles i dhemb shpirti dhe në shkrimin e tij hedh poshtë me fakte historike dhe vepra historike të cilave ai iu referohet me saktësi. Për këto arsye nga njerëzit e ditur të vendit tonë me pozita zyrtare duhet te kishte pasur të paktën një zë që të thoshte: bravo Gëzim na nderove te gjithëve.

Heshtja është miratim, pra, ai pranojnë studjuesit dhe historianët tanë tezat e Mehmet Maksudoglu? Po shqiptarët? Po përkthyesi dhe botuesi i këtij libri antishqiptar ç’qëllime kanë pasur që kanë përkthyer dhe hedhur në qarkullin një vepër të tillë antishqiptare?

Kështu Gëzim Zilja që i dhemb shpirti për atdheun dhe popullin e tij, ngre zerin e tij të fuqishëm. Nderime dhe vlerësimë për drejtorin e gazetës “Telegraf” Ëngjëll Musai që ka hapur faqet e gazetës për publicist të tillë dhe shkrime të tilla. 

Në kundërshtimet dhe mendimet e tij Gëzim Zilja vë përballë Mehmet Maksudoglu, autorë me emër shqiptarë dhe të huaj si Gjon Muzakën vepra “Memorie”, që do të thotë se Zilja e njeh me themel historinë tonë dhe prandaj merr guximin që të hedhë poshtë mendimet e një historian të njohur turk. 

Profesori turk bëhet qesharak kur shkruan: “Ushtria osmane ishte tepër e kujdesëshne për të mos i shkakëtuar dëmtime të panevojëshme popullit dhe pronës së tyre” dhe Gëzim Zilja i vë përpara profesorit fakte e prova të pa kundërshtueshme të kronikanit turk Tursun Beut: “Çdo çadër ishte mbushur me plaçkë të rrëmbyer. Atëhere u dha urdhër të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe … Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tremijë, katërmijë, shtatmijë, nga të pafetë…”

Më tutje Gëzim Zilja ndalet të xhihadi turk ose lufta e shenjtë e cila mbyti në gjak dhe lot shumë vende e popuj që ishin nën pushtimin osman, vepra mizore që Mehmet Maksudoglu i quan të shenjta dhe të dobishme! “Gjithçka e shkruar nga profesori turk, shkruan Zilja më ngjason mjaft me tezat  e ekspasionit të fesë islame nga grupimet radikale në ditët e sotme… Nëse pushtimet islame …, do të merreshin si vullnet i Zotit, kjo jo vetëm nuk është e vërtetë, por është një teori mjaft e rrezikshme. Asnjë kombi nuk mund t’i imponosh me shpatë dhe ta konsiderosh “të pafe” thjesht se nuk është i fesë myslimane”.

*

Analiza kritike që Gëzim Zilja i bën romanit të Blendi Fevziut është një model se si duhet analizuar e vlerësuar një vepër letrare, pasi duket qartësisht kompetenca e nje studjuesi që nuk lë  kapitull e detej pa analizuar, vlerësuar apo kritikuar. 

Fillimisht autori me pak fjalë paraqet përmbajtjen e romanit: dashuria e pa shprehur e dy të rinjëve që marrin udhët e mërgimit, dhe pastaj hidhet në analizën romanit, ku zbulon lidhjen e brendisë së romanit me folklorin, ballada e Ago Ymerit, dhe fushën e folklorit Gëzimi e njeh dhe interpreton si akush tjetër. Gëzimi bën edhe vrejtje e sugjerime autorit të romanit lidhur me përshkrimin e brezit të të rinjve të viteve ’80-të. 

“Romani në tërësinë e tij …, thotë Zilja, lexohet me dëshirë për informacionin e bollshëm dhe fatin e shqiptarve të ikur në ato vite të paharruara”. 

*

Në analizën që Gëzim Zilja i bën librit “Nëntëdhjetë e shtata –apokalipsi i rremë” të Fatos Lubonjës, e shqetëson me të drejtë fakti se tek ata që udhëhoqën djegien e Shqipërisë në vitin 1997  “nuk ka pendesë ose ndonjë lloj brejtje të ndërgjegjes, përkundrazi me aq sa unë kuptoj nga faqet e librit të Lubonjës kërkon ta mbulojë me lavdi dhe me merita që nuk u takojnë”

Për pranverën e përgjakur të vitit 1997 Gëzim Zilja është i pari që si askush tjetër u bëri atyre ngjarjeve një përshkrim dhe analizë realiste në tre libra: “Unë e pash kush e dogji Vlorën” , 2000, “Vrasës dhe shpëtimtarë”, 2002 dhe “Skaner 1997”, 2009.

Të tre këto vepra që shkruara prej një autori që i jetoi dhe i vuajti ato ngjarje me rëndësi të veçantë për historinë e Shqipërisë na japim pamjen e qartë se si bandat komuniste për të marrë pushtetin me grykën e pushkës si baballarët e tyre, dogjën Shqipërinë, duke gjetur si shkak humbjen e parave në firmat piramidale dhe duke përfituar nga një qeveri e pafatë. 

Veçanërisht “Skaner 1997”, një vepër voluminoze mbi 600 faqe me dokumente të asaj kohe që do ti shërbejë historisë sonë sot dhe më shumë në të ardhmen, kur historianët gjakftohtë do shkruajnë historinë e atij viti dhe atyre viteve që dogjën e shkatërruan Shqipërinë. 

Pra Gëzim Zilja është personaliteti kopetent që si askush tjetër mund të gjykojë ato vepra si kjo e Fatos Lubonjës që flet për vititn e mbrapshtë ’97. 

Gëzim Zila me të drejtë vë re kotsinë e “Forumit për Demokraci” të udhëhequr nga Fatos Lubonja, Daut Gumeni dhe Kurt Kola “ që edhe pse ishin djegur e shkrumbuar institucionet shtetërore në disa qytete të Jugut, ishin vrarë policë dhe kishte një tedencë në rritje të dhunës kundër institucioneve dhe forcave të rendit, “Forumi” as që i përmëndëte këto fakte”.

Më tutje autori ndalet në datën 10 shkurt 1997, dhe te Komiteti i Shpëtimit Publik, ku hedh poshtë me faktet e ndodhura, përfundimet e arritura nga Fatos Lubonja edhe pse intelektual me emër. 

*

Në kritikën që gëzim Zila i bën librit “Shqipëria nga anarkia në një identitet ballkanik “ të 

Miranda Vikers dhe James Pettifer, ndalet gjatë të ngjarjet e vitit 1997 e më tej  duke e përcaktuar këtë libër me të drejtë me pak të vërteta dhe me pasaktësi historike. 

Gëzim Zilja me zëmrim dhe indinjatë të vërtetë si atdhetar që i dhemb shpirti për atdheun e tij thekon për këtë libër: “Të arrish në përfundimin se nuk qenë as Mafia e as kriza e piramidave shkaqet që rrëzuan shtetin sipas Miranda Vikers dhe James Pettifer, por “qejfi” apo tradita, që populli i Jugut kishte për të mbajtur armë dhe urrjtja, që ata kishin për veriorët është jo vetëm e pasaktë por edhe e turpshme dhe shumë e rrezikshme… Teprimet në këtë libër nuk mendoj se janë bërë nga padituria apo mungesa e fakteve”.  

Më tutje Zilja ndalet gjatë për ngjarjet e atij viti të mbrapshtë që ai si askush tjetër i njeh ato ngjarje dhe shkakun e tyre, i ka përshkruar, analizuar e botuar. Zila ndalet tek pasaktësitë, më saktë  te gënjeshtërat që sikundër thotë Zilja janë bërë me qëllim të keq, antishqiptar.

Ai e ilustron artikullin kritik me fakte, prova dhe dokumente si krimet e ndodhura gjatë vitit 1997, lista e policëve të vrarë, raporte të policisë, etj. Një artikull me vlera të shumta që duhet të lexohet nga çdo shqiptar. 

*

Jashtë vëmëndjes së qytetarit dhe mësuesit Gëzim Zilja nuk ka mbetur edhe letërsia e burgut që “Në jo pak raste ato përbëjnë edhe vepra të mirëfillta letraro – artistike nga gjuha e pasur, figurave letrare, mënyra e paraqitjes së veprës etj siç është “Klithma e shpirtit” e Luan Burimit.

Poezitë e këtij vëllimi janë krijuar gjatë dhe pas periudhës së burgut. “Ende i parritur Luani është dëshmitari vrasjes së babait dhe xhaxhait të vet”

“Në poezitë e Luan Burimit, nuk ka urrejtje , nuk kërkohet shpagim. Ai denoncon, ai dëshmon, ai thërret “këlthet” e tregon që kështu ka ngjarë dhe do që njerëzit ta marrin vesh, ta kuptojnë se mungesa e lirisë e ligjit dhe gjuha e urrejtjes i kthen ata në ujq, në egërsira, në mekanizma e qënie pa shpirt”. 

*

Shkrimin e Gëzim Ziles për “Pashai i Elbasanit”, libri i shokut dhe mikut tonë të paharruar Bari Myftari që u nda shpejt nga jeta unë e lexova me emocione të veçanta, pasi më kujtoi atë mik e shkrimtar të vlerësuar që kur punonte për librin “Pashai i Elbasanit” diskutonim me të, aty te kafe “Opera”, në shoqëri të pandarë nga miku tjetër Serxhio Mazreku, bashkautor i librit. 

Gëzimi di të ndalet në atë që është kryesore dhe që autorët kanë ditur ta paraqesin artistikisht atë burrin e madh e personalitetine shquar të historisë sonë Aqf Pashë Elbasanin, që shkëlqu me veprimtarinë atdhetare sikundër e përcakton Ismail Qemali. 

“Tregimet letrare për figurën e Aqif Pashës në të vërtetë janë një gjetje e bukur e autorëve… që të bashkuara në një të tërë na japin për herë të parë në letërsi shqipe figurën e Pashait të Madh të Elbasanit si njeri të mirë të ditur, patriot e luftëtar”, shkruan Gëzim Zilja. 

*

Në librin “Shkrime të zgjedhura”,  nga 21 shkrime gjithësej, 11 prej tyre janë analiza kritike për veprat e autorve vlonjatë: Bujar Leskaj për librin “Muzat”, Kujtim Murati, libri  “Pa emër”, Astrit Xhaferi “Rrëfime për njerëzit dhe lulet”,  Reshat Agaj “Vëllai i pengut”, Enver Memishaj “Ahmet Lepenica”, “Hysni Lepenica dhe “Uan Filipi”, Theodhori Proko, Proletar Zilja, Pëllumb Velaj dhe Zhaneta Barxhaj. Përse autorët vlonjatë zënë gjysmën e krijimtarisë së Gëzim Ziles në këtë libër? Kjo vjen se autorit i dhemb për vendlindjen e tij, se i vlerëson krijuesit vlonjat, se kërkon të krenohet me Vlorën e tij dhe se do të lartësojë ata që me krijimtarinë e tyre kanë lartësuar Vlorën dhe atdheun e tyre, kështu që Zilja do t’i publikojë veprat e tyre, krijimtarinë e tyre dhe publikimi i veprës, njohja nga publiku i gjerë, është po kaq i rëndësishëm sa edhe krijimi.  

Libri “Muzat e qëndresës” i doktor Bujar Leskaj është një libër i veçantë dhe me vlera. Them i veçantë se në një libër voluminoz autori ka përmbledhur e analizuar veprat e 26 autorëve, veprim i paparë ky në letërsinë shqipe, përsa i përket strukturës dhe sasisë së librave të analizuar brenda një libri”, shkruan Gëzim Zilja në librin e tij “Shkrime të zgjedhura”.

“Autori i librit, shkruan ai për Bujar Leskajn, me durimin e një gurëgdhendësi interesin e një intelektuali të vëmëndshëm, me këmbënguljen e një patrioti dhe sidomos me dashurinë e madhe për njerëzit dhe tokën ku jeton e krijon na shpalos…jetën dhe vuajtjet e njerëzve në diktaturë duke i ilustruar me shumbuj të shumtë…”.

Me aftësinë dhe korektesën e nje studjuesi Gëzim Zilja ka paraqitur të plotë vlerat e veprës së Bujar Leskajt “Muzat e Qëndresës”.

Mendimet për poezinë e Kujtim Muratit, Zilja i përfundon me kushtimin që bija e Kujtimit i bën babait: “Të falnderoj baba që forca jote e hekurt i rezistoi kohës! Sepse ti kurrë nuk ke dashur të përcjellësh tek ne rininë tëndë të pa frymë, pa liri dhe pa dritë! Të falnderoj baba për modelin dhe aspiratat që më ke dhënë në jetë… Unë e kam pasur një hero në jetën time…”

Ndërsa librin me tregime të Astrit Xhaferit autori e përfundon me fjalët: “Lexojeni këtë libër. Të jeni të sigurt që paskëtaj do të bëheni pakëz më të mirë”

Pas veprave të autorve vlonjatë autori ka shkruar e botuar edhe për veprat e autorve të njohur në botën shqiptare, Bedri Çokut e Sherif Balit.

                                                   *      *      *

Libri i dytë i Gëzim Zilës “Këpucari i Lumtur”  përmledh 35 skica e tregime artistike. Libri hapet me analizën “Musine Kokalari dhe dasma gjirokastrite”. Në ditët e sotme Gëzim Zilja është ndofta i vetmi që i është drejtuar folklorit, veçanërisht duhet përmëndur vepra e tij “Stërgjushërit tanë në epikën historike”, 2018, që është vlerësuar dhe ka tërhequr vëmëndjen e studjuesve dhe lexuesve. Kështu që e përshkruan dasmën gjiroastrite me kompetencë dhe pasion atdhetar, duke ngritur lartë figurën e Musine Kokalarit. 

Në libër përshkruhen personazhe historikë si Mirash Ivanaj, Petro Marko, Ali Asllani, Fatos Mero Rrapaj dhe personazhe të ditëve tona me emër real si Teki Gjonzeneli, Avni Delvina, Koço Devole, Skënder Kamberi, Bradhyl Londo, Ylli Xhelili etj. 

Tregimet e skicat na paraqesin talentin e Gëzim Ziles, syrin e tij vrojtues e vigjilent që kapin e trajtojnë temat e ditëve tona, hallet e brengat e shqiptarve, emigracionin , varfërinë, ëndërrat e pa realizuara etj. 

Kur lexojmë tregimin “Këpucari Sadik Mehmeti”, që është ndofta tregimi më i mirë i librit, të duket sikur po lexon një tregim të Balzakut apo Hygoit, ky është modeli i krijimit. Ai përshkruan këpucarin e lagjes së tij me nota që të lënë mbresa të thella, për rolin që lozin këta personazhe të thjeshtë, për shembullin qytetar që rrezatojnë, në shoqërinë tonë. 

“Maria” është një tregim tjetër që të mbush me emocione por edhe me urrejtje për kohën e shkuar kur dashuri e dy të rinjëve goditet ashpërsisht.  

Gëzim Zilja i përshkruan ambjentet, fshatin dhe qytetin dhe personazhet e tregimeve, apo personazhet historikë aq bukur sa të duket sikur i njeh dhe sikur bisedon me ata, e kjo vjen se shkrimtari Gëzim Zilja e ndien thellë vuajtjen dhe jeton me hallet e njerëzve që përshkruan. Kjo flet për shpirtin e ndieshëm dhe ndjenjat e holla njerëzore që karakterizojnë Gëzim Zilen.   

Përse vepra e Gëzim Ziles do t’i rezistoi kohës.

Vepra e Gëzim Ziles, historike, letrare dhe publicistike do t’i rezistoi kohës, pasi prej fillimit deri në fund duket një zemër që rreh për atdheun një shpirt që vuan për hallet e popullit të tij.  

Analizat kritike për libra autorve të ndryshëm, po ashtu edhe në  analizën e ngjarjeve të ditëve që jetojmë, në artikujt publicistikë, ai nuk synon të bëjë  përshkrime por kërkon t’i lerë trashëgimi shoqërisë sonë në fushën e dijes, kjo është vlera themelore e veprave të tij.  

Vepra e tij është vlerësuar prej personaliteteve të shquara të dijes që në kohën e botimit, kështu p.sh. mund të përmendim shkrimtarin Lazër Stani, prof. Agron Tufën i cili e quan “enciklopedi makabre” librin  “Unë e pash kush e dogji Vlorës”, dhe më tutje prof. Tufa shkruan: “Libri “Skaner 1997”, … është pikërisht akti i qytetarit me ndërgjegje prore e pangushëllueshme, pasi askush nuk i dha përgjigje, askush nuk guxoi t’i rikthehej më 97-tës askush nuk deshi ta kundrojë… nuk deshi t’ia dijë për këtë episod të turpshëm të historisë sonë… Ky është një libër fondamental për çdokënd …, me interesa historike, sociologjike, politike e shumë më gjerë – për çdo interes antropologjik”. 

I shangem çdo komenti të gjykimeve të profesor Tufës, por theksoj e se e gjithë vepra e Gëzim Ziles përshkohet nga këto ide e prandaj ajo do t’i rezistoi kohës. Le të përmendim p.sh. “Stërgjyshërit tanë në epikën historike”, një model i tregimit të historisë nëpërmjet folklorit.       

Vepra “Shkrime të zgjedhura” nuk do të harrohen sepse tema e dhimbjes dhe mbrojtjes së atdheut mbetet e përjetëshme. 

Shkrimet e Gëzim Ziles dallohen nga korektesa shkencore. Ai i parashtron mendimet e tij mbi faktet historike dhe therret në ndihmë të ideve të tij autoritete të historisë dhe kulturës duke shënuar saktësisht burimin që i referohet, si dhe sjell citate prej veprës që i drejtohet, kështu ai bëhet i pakritikueshëm.

Ajo që bie në sy në veprën e Gëzim Ziles, prej fillimit deri në fund edhe atje ku ai duhet të ngrinte zërin e tu drejtohej autorve që kritikonte me cilësorve pexhorativ, autori flte me gjuhën e nje intelektuali me vizion europian. 

Ne të gjithë duhet të bëjmë pjesën e detyrës tonë ndaj atdheut, sepse vetëm atëhere kemi bërë detyrën tonë, na thotë Gëzim Zilja.

Sikur të kishte më shumë njerës si Gëzim Zilja, fytyra e shoqërisë sonë do të ishte krejt ndryshe.

  • Fund   –
C:\Users\User\AppData\Local\Microsoft\Windows\Temporary Internet Files\Content.Word\100_2329.jpg
C:\Users\User\AppData\Local\Microsoft\Windows\Temporary Internet Files\Content.Word\100_2330.jpg
Gëzim Zilja: Beteja për Vlorën, Bujar Leskaj kundër Edi Ramës | Gazeta  Telegraf

Filed Under: Interviste

Kosovë – Mbahet Ceremonia e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian

December 14, 2022 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 14 Dhjetor 2022/  Republika e Kosovës këtë javë aplikion për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sot në Prishtinë, në Presidencën e Kosovës, u mbajt ceremonia e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministri, Albin Kurti.

Pas ceremonisë së nënshkrimit, Presidentja Osmani, Kryetari i Kuvendit Konjufca dhe Kryeministri Kurti janë deklaruar për media.

Gazeta DIELLI sjell të plota deklaratat:

PRESIDENTJA VJOSA OSMANI: DITË HISTORIKE PËR KOSOVËN

Të nderuar të pranishëm, 

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

I nderuar kryetar i Kuvendit, 

I nderuar kryeministër, 

Të nderuar përfaqësues të mediave, 

Sot është një ditë historike. Ky është një moment historik.

14 dhjetori nga sot ka një rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës sonë – në historinë e Republikës sonë. Në njërën anë po aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian e në anën tjetër po shënojmë përvjetorin e themelimit të ushtrisë sonë. Të dyja këto, akte që shkojnë në drejtim të realizimit të vizionit tonë euro-atlantik. 

Së bashku me Kryetarin Konjufca dhe Kryeministrin Kurti, në emër të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive e ambicies sonë të patjetërsueshme. Ne jemi sot së bashku për të sjell vendin tonë një hap më afër Bashkimit Evropian, duke kontribuar po kështu që edhe Bashkimi Evropian të afrohet një hap më afër jetësimit të projektit të Evropës së tërë, të lirë e në paqe.

Për Kosovën dhe qytetarët e saj, nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër. 

Por ëndrrat bëhen realitet vetëm kur veprohet e ambiciet bëhen të prekshme vetëm kur punohet.

Në vigjilje të 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve të vendit tonë – Evropianëve të devotshëm e mbrojtësve dhe promovouesve të vlerave evropiane. Por mbi të gjitha, ky moment i dedikohet çdo fëmije, gruaje e burri të Kosovës të cilët sakrifikuan jetën duke mbrojtur idealet për liri, pavarësi e demokraci gjersa u përballën padrejtësisht me okupim e gjenocid.

Kosova sot është mishërim i vlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian dhe frymon me shpirtin evropian. Shteti më i ri në kontinentin më të vjetër; promovues dhe garantues i të drejtave demokratike; vend i pluralizmit politik dhe i mediave të lira; garantues i të drejtave të njeriut, lirive fetare e të drejtave të komuniteteve joshumicë; Kosova e ekonomisë së tregut të lirë dhe kontribuuesja e paepur për paqe e siguri, e meriton të jetë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.

Rruga jonë përpara është e qartë. Procesi i anëtarësimit në BE nuk është proces i njëtrajtshëm dhe procesi në tërësi mund të jetë afatgjatë. Por, ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses.

Ne do ta bëjmë pjesën e punës sonë, në mënyrë që Bashkimi Evropian ta ketë sa më të lehtë ta bëjë pjesën e punës së vet. Në këtë rrugëtim, ne do të jemi përherë një partner i besueshëm. Andaj, ne sot po bëjmë një hap historik, në mënyrë që Bashkimi Evropian të lëvizë sa më shpejt drejt vendimit historik. Na priftë e mbara!

KRYETARI I KUVENDIT GLAUK KONJUFCA: HAPI I PARË ZYRTAR NË RRUGËN E ANËTARËSIMIT NË BASHKIMIN EVROPIAN

– E nderuara Presidente Osmani-Sadriu,

– I nderuari Kryeministër Kurti,

– Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

-Të nderuara medie,

Sot, në këtë ditë të rëndësishme për Republikën e Kosovës, jemi mbledhur me shumë krenari e përkushtim të nënshkruajmë letër kërkesën në emër të Republikës së Kosovës për aplikim për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Më lejoni të filloj këtu duke cituar z. Jean Monnet, një vizionar i njohur politik dhe diplomat francez i përkushtuar ndaj kauzës së integrimit evropian, i cili tha “Nuk ka të ardhme për njerëzit e Evropës, përveçse nëpërmjet bashkimit.” 

Bashkimi Evropian është me të vërtetë i plotë vetëm kur të gjitha kombet evropiane janë pjesë e këtij bashkimi. Për këtë arsye, sot po nënshkruajmë kërkesën zyrtare që do të nisë një proces anëtarësimi dhe integrimi të Kosovës në Bashkimin Evropian. 

Për Kosovën dhe gjithë rajonin, anëtarësimi në këtë Union është i rëndësisë së veçantë. Union i cili ofron stabilitet, demokraci, siguri dhe prosperitet zhvillimor, ku respektimi i të drejtave të njeriut, barazia, konkurrenca e ndershme dhe lëvizja e lirë e punëtorëve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit janë në thelbin e saj.

Një Union i cili stimulon rritjen ekonomike, ndihmon në krijimin e më shumë vendeve të punës dhe mirëqenies dhe na mbështet në rritjen e tregut dhe kërkesës sonë të brendshme, duke përfshirë qasjen për 450 milionë konsumatorë.

Zonja dhe zotërinj, ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit në BE, një rrugë e gjatë dhe aspak e lehtë. 

Ky rrugëtim kalon përmes Komisionit Evropian, nga i cili presim të rekomandojë që BE-ja t’i japë këtë status Kosovës, por ku vendimi i takon qeverive të vendeve anëtare të BE-së, të cilat gjithashtu i ftojmë të veprojnë unanimisht për të dhënë miratimin e tyre.

Republika e Kosovës ka kushtetutën dhe legjislacionin e saj, të hartuara në përputhje me legjislacion (acquis) të BE-së dhe kjo është pjesë vitale e kontributit afatgjatë të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të përafruar procesin e integrimit të Kosovës në BE.

Prandaj ne meritojmë të bëhemi vend kandidat dhe të fillojmë rrugëtimin tonë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë në BE, një fazë që synojmë ta arrijmë në një kohë rekord.

Marrja e statusit kandidat ka peshë të konsiderueshme dhe me të drejtë konsiderohet vula e parë e miratimit të perspektivës evropiane.

Për këtë arsye, ftojmë Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian, Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së që të demonstrojnë përkushtimin dhe përkrahjen e tyre ndaj Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor duke miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe në këtë mënyrë të na inkurajojnë të gjithëve që të ndërmarrim reformat e nevojshme për përparimin e Kosovës, reforma të cilat e kanë kuptimin e interesit për qytetarët e Kosovës dhe jo thjesht për politikanët dhe zyrtarët publik, ashtu që ta forcojnë sigurinë në Evropë dhe ta mundësojmë së bashku zhvillimin ekonomik dhe bashkimin e kontinentit tonë.

Ju faleminderit!

KRYEMINISTRI ALBIN KURTI: APLIKIMIN DO T’IA DORËZOJMË PRESIDENCËS ÇEKE TË KËSHILLIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, NË PRAGË

E nderuara presidente e Republikës,

I nderuari kryetar i Kuvendit,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Të nderuar punonjës të mediave,

Bazuar në aspiratat, vullnetin dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri, barazi dhe drejtësi;

Orientimin tonë të qartë evropian e euro-atlantik;

Besimin në vlerat fondamentale të Bashkimit Evropian;

Konsensusin shoqëror e politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda Bashkimit Evropian;

Sot, po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madh të paqes dhe prosperitetit në Evropë, Bashkimin Evropian.

Aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian të nënshkruar sot nga krerët e institucioneve të Republikës sonë, do t’ia dorëzojmë Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Pragë.

Është ky një moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe për shoqërinë tonë.

Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë.

Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Prandaj, angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm e përkushtimi i secilit, i domosdoshëm.

Ne do të ecim përpara në meritën tonë. Pra, në aftësinë tonë për të përmbushur kriteret në secilin kapitull të ri.

Pengesat dhe sfidat drejt anëtarësimit i kalojmë me zhvillim demokratik dhe me progres shoqëror.

Së bashku, në këto dy vite kemi dëshmuar që kur shpresojmë dhe besojmë, çdo gjë është e mundur dhe nuk ka pengesë që nuk e kalojmë.

Ju faleminderit e urime të gjithëve.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 216
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT