• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI ? A DONI ME JUA FALË…

April 21, 2022 by s p

Frano Kulli/

C:\Users\Vitore\AppData\Local\Temp\Rar$DRa0.322\Frano_color_2.jpg

Një dalldi e madhe e ka pushtuar njerëzinë shqiptare të rrjeteve sociale, sidomos, qyshsekur është përmendur zgjedhja e presidentit të ri të Republikës. Njerëzinë aspirante, sigurisht; ata që e dinë veten të zot si askush tjetër për t’u ulë në atë karrige të rëndë, se njerëzia shqiptare në shumicë, e neveritur deri në fyt me presidentët e krejt shpurën e udhëheqësisë së këtushme, ose “ka therë pelën” e ka ikë nga sytë këmbët, ose rri e vegjeton këtu ushqyer me remitancat që sjellin këta të parët.Zhytur në pezm e mosbesim të thellë, fort.Të ikurit janë ata më të duhurit për këtë vend, janë përgjithsisht ajo fasho moshe nga 20-40, që për cilindo vend janë vitaliteti, janë ata që që mund ta prosperojnë një vend. Aq më tepër Shqipërinë tonë të vogël. Të ikurit i kanë shtyrë me përdhunë të ikin. Ngapak e përditë ka ngjarë kjo. Sigurisht edhe kërkesa e vetë atyre për një jetë më të mirë i josh drejt ikjes. Por për më tepër, shumë më tepër se kaq, duke u venitur atyre shpresën se jeta mund të jetohet normale edhe këtu. E kjo ka ngjarë sistematikisht, sa duket si një vetëdashje e kobshme. Këtë e kanë bërë sistematikisht këta prijësat pra, e sidomos këta të dekadës së fundit. E, megjithatë, ato që janë këtu, të gatshëm si gjithherë, prej këtu në katundin tonë “kjanë hallet e inglizit”, siç do të thoshte Fishta. E ngasin e vrapojnë kush me  dalë i pari i katundit. I pari për çfarë ? Për me sundue pra. Se për me qeverisë, për me udhëheqë administrimin e mirë të jetës sonë publike, e cila iu besohet e iu është lënë në dorë atyre, ashtu siç ndodh në vendet e zhvilluara…Këtë se kemi parë deri tash.

Kështu pra , këto ditë, vijnë e shkojnë propozime nëpërmjet komunikimit publik të gjithkujt. Dhe, në turma fjala zë vend menjëherë, zë vend edhe atëherë kur ajo është aspak e njëmendtë ose krejt e rrejshme. Por që e kanë marrë përnjëmend e po shfaqen shumë seriozë ca njerëz të elitës, kjo sjell habi. Gjeneralë e specialistë gjithnduerësh, historiane pasionante e dijetarë gjithësojësh janë dhënë me mish e me shpirt për këtë punën e presidentit…

Kush ka jetuar kohën e largët të fletë rrufeve do ti sillet nëpër mend gara e ethëshme e njerëzisë për t’u paraqitë me shkrim nëpër ato copa letrash varur nëpër mure të vrungnueme kudo, në ndërmarrjet punuese shtetnore, në shkolla, në kooperativa e gjithkund, me mendimin  a qortimin e vet. “Cilido mund të shkruajë për punët dhe për njerëzit”- kishte thënë udhëheqësi. Dhe ky quhej zëri i masës, që vetë partia, nën shembullin e revolucionit kulturor kinez të fundviteve ’60 të shekullit të shkuar, e kishte shpërndarë si direktivën e saj. Dhe ky quhej revolucionarizimi i jetës së vendit, që presupozonte demokratizimin e saj ???Ani pse bash këtu e mbas, jeta u militarizua edhe më. E, njerëzia fatkeqe, bile në shumicë, me “trutë e gomarit” që i kishte vënë diktatura e merrte si të njimendtë kërkesën e partisë, për ta lëshuar zërin nëpër ato copa letrash proklamata. Dhe, njeriu i mjerë (e jo një e dy)  besonte. Po, po edhe besonte se me të vërtetë zëri i tij, i përzjerë me zërin e masës, do të dëgjohej! Zëri i masës (turmës pra) sigurisht, se individi, njëshi ishte “zero e fyl” siç e kish shkruar Majakovkski, poeti i shquar komunist sovjetik. 

Sindromi i besimit të gënjeshtrës së madhe, kishte nisur më herët, kishte nisë atëherë kur turmat entuzjaste , i ndillnin si bagëtitë në tufë për të ndjekur mizanskenat e gjyqeve popullore kundër aristokracisë së vendit, dijetarëve të studiuar në Europë, doktorë e inxhinierë a priftërinjëve mendjendritur, predikatorë të besimit  e atdhedashës. Dhe turmat thërrisnin si të marrë: “kriminelët në litar”. Gënjeshtra e madhe ua kishte pushtuar trurin dhe shpirtin turmave. Për njëmijë e një arsye. Për forcën e dhunës, pikësëpari. Por do që disave prej tyre u hyri në qejf kjo punë, e medjé (madje) u dhanë e hynë në një garë që kush të dukej më i devotshëm në sytë e prijësisë. Sikundërse u mpreh e doli në pah edhe deliri i të dukurit, deliri i prijësve, që lidhej me devocionin e përkushtimin ndaj udhëheqësisë. Sindrom që zgjati përgjatë gjithë kohës së rregjimit e që e shformoi dinjitetin e njeriut. E dhimbshme kjo sa s’bëhet, por e pranuar në kushtet e atëherëshme…Sindromi i besimit të gënjeshtrës së madhe ishte kthyer sa në presion (shtypje) aq edhe në pasion…

Por, që reminishencat e pranimit si të vërtetë të gënjeshtrës së madhe të vijojnë edhe sot kur ka më se tridhjetë vjet që rregjimi ka rënë ? E sindromi të shfaqet njësoj si atëherë?! Mirë, udhëheqësia është kjo që është, papërgjegjëshmëria e saj në administrimin e punëve të mbarshtrimit të jetesës së njerëzve ka shkuar larg, shumë larg. Nevoja për koperturën propagandistike të punëve të pabëra e ka bërë atë të na servirë edhe të ashtuquajturin “Këshillimi Kombëtar”, që është motamo zëri i masave të gjysmë shekulli më parë. Por që kjo të besohet edhe ndër njerëz që në shoqëri janë radhitur në gjindjen elitë të këtij vendi ? E papranueshme. Kjo tregon se mekanizmin e rendit të demokracisë, të cilin kemi nisur ta bëjmë tash tridhjetë vjet e kemi mbërthyer me burma kauçuku (plastike)…

Besimi me naivitet në “vijën e masave”, megjith shëmtinë e vet po shfaqet këto ditë kur flitet për zgjedhjen e presidentit të republikës. E kur u pyetën ndonjëherë masat për presidentët ? A s’jemi këtu prej gati tri dekadash, gjasme demokraci, që presidentin, gjithherë e ka nxjerrë nga mënga… kryeministri ? Vetëm njëherë ka dalë nga mënga e një tjetër Njëshi. Njëherë, kur të mëdhenjtë e përtej katundit tonë e lanë nën mëngën e liderit të opozitës. Dhe lideri i atëhershëm i opozitës antikomuniste…skualifikoi Pjeter Arbnorin. 

Filed Under: Komente Tagged With: Frano Kulli

Kryeministri Kurti në Ditën e Dëshmorëve: Asnjëherë nuk do të harrojmë se prej nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë

April 19, 2022 by s p


Në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, asamblistë të Komunës së Prishtinës dhe përfaqësues tjerë të këtij subjekti bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë dhe te shtatorja e heroit Zahir Pajazi.

Pas homazheve te varrezat e dëshmorëve në Prishtinë ai tha se kujtimi dhe përkujtimi ynë për ta është dëshmi që ne besojmë se për të tashmen tonë, për të ardhmen tonë e kaluara e lavdishme është vendimtare për drejtimin dhe shpejtësinë në ecjen përpara të Kosovës si shtet edhe të shqiptarëve si komb. “Si Qeveri e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk do të harrojmë se prej nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë pikërisht duke iu falënderuar gjakut të derdhur për liri i cili nuk shlyhet kurrë ashtu sikurse edhe që emri i këtyre dëshmorëve nuk do të harrohet kurrë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ndërkaq, pasi vendosi lule të freskëta te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti në sheshin që mban emrin e tij, ai u shpreh se si komandat i zonës operative të Llapit, me aksionet e tij çlirimtare, Zahir Pajaziti e dha kushtrimin e lirisë shumë herët, para se të fillonte lufta çlirimtare dhe në këtë mënyrë mobilizoi mbarë popullin dhe zgjeroi radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës drejt qershorit të vitit 1999 kur edhe u realizua çlirimi i vendit.

“Këtyre që kontribuuan e u sakrifikuan ju kemi borxh që të ardhmen ta bëjmë shumë më të mirë e më të ndritshme se sa që e kemi të tashmen e se sa që e kishim të shkuarën” tha në fund, kryeministri Kurti.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! Lavdi heroit të popullit Zahir Pajaziti!



Deklarimi i plotë për media i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti pas homazheve te varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë:

Te flamuri kombëtar shqiptar i cili qëndron para varrezave të dëshmorëve të kombit këtu në Prishtinë, sot vendosëm lule të freskëta, meqenëse veçanërisht në Ditën e Dëshmorëve ne i kujtomë e i përkujtojmë këta njerëz të vendit tonë, të kryeqytetit, të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë e popullit dhe për çlirimin e vendit. Kujtimi dhe përkujtimi ynë për ta është dëshmi që ne besojmë se për të tashmen tonë, për të ardhmen tonë, e kaluara e lavdishme është vendimtare për drejtimin dhe shpejtësinë në ecjen përpara të Kosovës si shtet edhe të shqiptarëve si komb. Si Qeveri e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk do të harrojmë se prej nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë pikërisht duke iu falënderuar gjakut të derdhur për liri, i cili nuk shlyhet kurrë, ashtu sikurse edhe që emri i këtyre dëshmorëve nuk do të harrohet kurrë.

Lavdi të gjithë atyre!


Deklarimi i plotë për media i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti pas homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti:

Së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe me deputetë të Kuvendit të Republikës, me asamblistë të Komunës së Prishtinës, me koordinatorin e Grupit tonë Punues në Qendrën e Prishtinës së Lëvizjes sonë, Arben Vitia dhe me kolegë e bashkëpunëtorë vendosëm lule të freskëta këtu te përmendorja e komandantit Zahir Pajaziti, hero i popullit sot por për jetë e mot udhërrëfyes për çdo qeveri dhe për të gjitha institucionet e shtetit tonë dhe për çdo qytetarë të republikës e për mbarë kombin shqiptarë.

Prishtina si kryeqytet është gjatë luftës çlirimtare vendi në kuadër të zonës operative të Llapit e ku kishim për komandant Zahir Pajazitin, i cili me aksionet e tij çlirimtare e dha kushtrimin e lirisë shumë herët, para se të fillonte lufta çlirimtare dhe në këtë mënyrë mobilizoi mbarë popullin dhe zgjeroi radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës drejt qershorit të viti 1999 kur edhe u realizua çlirimi i vendit. Bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, këta ishin luftëtarë të paepur të cilët nuk kursyen asgjë por goditnin forcat armike pushtuese serbe gjithandej Kosovës, e në veçanti kontribuuan shumë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të marr hovin dhe të shndërrohet në ushtri të vërtetë e cila u bë bartëse e çlirimit të vendit tonë, bashkë edhe me ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave policore, ushtarake dhe paramilitare të Jugosllavisë e të Serbisë së Millosheviqit.

Ne që e mbajmë mend dhe e kemi jetuar atë kohë, por edhe ata që rriten sot, që të gjithë duhet ta dinë mirë se prej nga vijnë në mënyrë që të jemi të sigurt për rrugën tonë përpara si në aspektin e shtetndërtimit demokratik, të mobilizimit e aktivizimit qytetarë gjithashtu edhe të zhvillimit socio-ekonomik. Këtyre që kontribuuan e u sakrifikuan ju kemi borxh që të ardhmen ta bëjmë shumë më të mirë e më të ndritshme se sa që e kemi të tashmen e se sa që e kishim të shkuarën.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! Lavdi heroit të popullit Zahir Pajaziti!

Filed Under: Komente

Me rastin e Pashkëve: Urime për motrat e vëllaznit e krishtenë

April 17, 2022 by s p

Jetë të gjatë, shëndet të plotë e lumtuni familjare

Sami Repishti

Me daten 15 pril 2022, gazeta The Neë York Times, seksioni OPINION na dhuron nji pjesë letrare me frymë fetare mbi subjektin e frikës së vdekjes dhe mundsinë me e  tejkalue. E lexova dhe vendosa ta dergoj te nji mik që due dhe më kupton,

familjen e Miljana dhe Tonin Mirakaj. Për hir të dashunisë për gjuhën shqipe e përktheva në gjuhën tonë amtare.

———————————————————————————————————–

                  “Nji pastor në shtratin e vdekjes dhe kthimi I Jezusit- 

                                                                            shkruen: Tish HARRISON ËARREN

 Kam folë disa herë me Timothy Keller mbas diagnozës së tij dy vjet ma parë qe tregonte se vuen nga kanceri i pankreasit, Faza 4. Çdo herë ka qenë e lehtë për mue me harrue se vuen nga nji smundje fatale.

    Ai ashtë i qete, i urtë,  i gëzueshëm dhe akoma thellësisht  i shqetësuem nga vuejtjet e të tjerëve, dhe të botës për rreth. Me kuriozitet me pyet vazhdimisht, me zemër të pastër si jam, dhe ndigjon me kujdes përgjigjen time. Në fund më këshillon, me urtësi dhe bile simpati, megjithëse ankimet e mia janë aq të vogla në krahasim me problemin e kancerit. Ashtë vështirë me pasë nji bashkëbisedim me ate pa u ndie me shpresë të rritun dhe optimist.

    Dr. Keller  u vendos në Neë York City në vitin 1989 me zonjen e tij, Kathy, dhe tre djelm të ri me fillue ndertimin e nji kishe të re. Diçka e  rrezikëshme me zanë vend, dhe me ngritë nji Kishë Presbiteriane Evangjelike në nji qytet progresiv dhe shekullar. Por “Ringjallja” u rrit, dhe ashtë tashti nji nga kishët ma të njoftuna në vendin tonë, krijoi kisha të reja, dhe planifikon nji rrjet kishash të reja në botë.

    Dr.Keller më tha se kur mori lajmin e kancerit nga doktori, ai e shikoi e tha:” Due të theksoj se ti duhet të kuptosh që kanceri i pankreasit nuk ka sherim dhe ju do  të vdisni nga ai”. Shumica e pacientëve jetojnë ma pak se nji vjet mbas diagnozës. Ai përshkroi atë ditë si të ishte dita e vdekjes sime.

     Grueja e ime, Kathy, dhe unë kaluem mjaft kohë me lotë në sy dhe të pa aftë me kuptue. Dr.Keller shkroi ne Atlantic vjetin e kaluem. “Na presim që disa smundje të vijnë dhe na marrin kur realisht jemi në moshë të kalueme. Por jo tashti, akoma. Nuk mund  të jetë kështu; pse na solli këte Zoti për ne?”

     Për Javën e Shenjtë, unë dëshirojshe me ndigjue ma shumë si diagnozi I mjekut ndryshoi gjithëçka që unë mendoj për jetën, vdekjen dhe këto ditë që  na bijnë  Pashket. Këtu poshtë keni nji pjesë të bashkëbisedimit, të shkurtuem…..

‘Në librin tuej të fundit ‘Shpresë në dit të Frikës: Ringjallja dhe Kuptimi I Pashkëve”, ju shkrueni se kultura e jonë po kalon nepër nji fazë “krize të shpresës”. Ku e gjeni shpresën? Çfare shpresë i ofroni ju të tjerëve?’

   Në qoftë se Ringjallja e Jezu Krishtit me të vertetë ngjau atëherë Zoti do të vej gjithçka në rregull. Vuejtja do të zhduket. E keqja do të zhduket. Pleqnia do të  zhduket. Vdekja do të zhduket. Kanceri I pankreasit do të zhduket. Tashti, në se Ringjallja e Jezu Krishtit nuk ka ngja, atëherë unë mendoj se asgja nuk ka ngja. Por në se në të vertetë ka ngja, atëherë do të ketë shpresë në të gjithë botën”.

Në essay-n e J.R.R.Tolkien “Mbi Tregimet për Zanat” ai thotë se ata janë dëshira të pashlyeshme njerëzore të cilave vetëm fantazia u flet, ose sci-fi u flet. Ai thotë se të gjitha qeniet njerëzore kanë nji tërheqje ng idea e ikjes nga koha, ikjes nga vdekja me u bashkue me të tjerë qenie njerëzore dhe gjana  të afta me qene gjalle mjaft sa me plotësue andrrat e tyne artistike e krijimtare, me qenë të aftë me gjetë dashuni që sheron plotësisht. Tolkien thotë përse kemi në këto prirje dhe si I krishtenë, ai mendon se arsyeja për këte ashte se na, ne filim nuk u krijuem me vdek.

    Na jemi të gjithë të prirun me besue se kështu ashtë jeta që duhet me qenë, dhe në se Ringjallja e Jezu Krishtit ngjau, atëherë t gjitha të tjerat literalisht do të jen të verteta për ne.

     Kjo ashtë arsyeja që kemi këte paradoks . Nga njena anë, Ringjallja ashtë diçka shumë konkrete që mund të flasim për te, si për shembull “Cila ashtë evidenca për këte evenimet historik?”. Ndoshta libri ma i mirë mbi këte subjekt ne keto 100 vjetët e fundit ashtë libri “Ringjallja e të Birit të Zotit” nga N.T.Ëright.

    Përsëri, në se na arrijmë në pikën që pranojmë këte, atëherë pa pritmas nuk ka kufi për çdo gja që mendojme se mund të vij. 

    Unë di  çka mendojnë disa nga lexuesët. “Nuk mund të besoj se ka nji person me ma shumë se klasa e  tretë arsim që praktikisht e beson këte’. Por unë e besoj. Dhe në këto muejtë e fundit, ndersa jemi në kontakt me këto aspekte të mëdha të bësimit tonë, Kathy dhe unë ,të dy themi asnji herë ma parë nuk kemi qenë kaq të lumtun, megjithëse unë jetoj nen hijen e kancerit.

   “ A mundeni ju me mendue sa shumë ju ka transformue vuejtja, sa ka ndryshue              mendimi I juej mbi vuejtjet e Jezusit si dhe për Pashkët?”

    Java e Shenjtë u jep të dyve vdekjen dhe Ringjalljen. Të ndame ata nuk kanë kuptim. Ju nuk mund të ndjeni gëzimin e ringjalljes në se nuk keni kalue nepër rrugën e vdekjes, dhe vdekja pa ringjallje ashtë pa shpresa. Në esencë, vdekje/ringjallje si motif ose patern ashtë absolutisht në zemër të vetë asaj që jep kuptim jetës së nji të krishteni.

     Dhe, në fakt çdo gja në jetë ashtë po ashtu. Me çdo lloj vuejtje, në se unë përgjigjem tue shikue Zotin me besim, vuejtja ngulë nji gozhdë të re për thellimin e dashunisë sime në Zotin, diçka që kanceri ka ba në mue.

    Un nuk mendoj se ajo që ashtë e randësishme në kancerin ashtë se Pashkët kanë nji randësi shumë ma të fortë sepse unë shikoj Pashkët dhe them:” Për këte arsye unë përballoj me guxim çdo gja”. Në të kaluemen mendojshe për Pashkët me nji farë optimizmi kur mendojshe për jetën. Dhe tashti unë shoh se Pashkët janë nji ilaç universal. Mund të hahet edhe kur kalojmë frikën e madhe, zemrimin tonë ma të madh dhe deshprimin. Une e shikoj ate si diçka ma të fuqishme se kurdoherë ma parë.’

Shenim: Tish Harrison Ëarrcen ashtë prift I Anglican Church in North America, ; ai ashtë autor I Times Opinion neësletter dhe I volumit “Prayer in the Night: For those Ëho Ëork or Ëatch or Ëeep.” Perkthimi I masipërm ashtë nga Sami Repishti, Ph.D. dhuratë me rastin e Pashkëve.

———————————————————————————————————– 

Filed Under: Komente

SAMUEL HUNTINGTON DHE “PËRPLASJA E QYTETËRIMEVE” 

April 12, 2022 by s p

Xhelal Zejneli/

Semjuel Filip Hantington (Samuel Phillips Huntington) është studiues i shkencave politike, këshilltar dhe akademik amerikan. Lindi në Nju-Jork më 18 prill 1927. Vdiq në Martha’s Vineyard, Massachusetts, më 24 dhjetor 2008. I afërt me Partinë Demokratike. Në vitin 1946 studioi në Universitetin Jejll (Yale University), në vitin 1948 në Universitetin e Çikagos, ndërsa në vitin 1951 në Universitetin e Harvardit. 58 vjet profesor në Harvrad University ku ishte edhe drejtor i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Profesor edhe në Universitetin Albert J. Weatherhead III. I martuar me Nancy Arkelyan (1927-). Kishin dy fëmijë: Timothy Mayo Huntington dhe Nicholas Phillips Huntington. Hantingtonin e kanë quajtur Osvald Shpengleri (Oswald Spengler) i Amerikës.     

*   *   *

Përplasja e qytetërimeve është teori sipas së cilës identiteti qytetërues do të jetë shkaku kryesor i ndarjeve në botë, pas luftës së ftoftë. Këtë teori e popullarizoi politologu amerikan Semjuel Filip Hantington (Samuel Phillips Huntington) në artikullin e tij “Përplasja e qytetërimeve?” Ky artikull ishte një kritikë tipike e tezës së popullarizuar të politologut, ekonomistit politik dhe shkrimtarit amerikan me prejardhje japoneze Frensis Fukujama (Yoshihiro Francis Fukuyama, Chikago, Illinois, 1952-) mbi fundin e historisë. 

Në vitin 1996, këtë artikull Hantingtoni e zgjeroi në libër me titullin “Përplasja e qytetërimeve dhe rirregullimi i rendit botëror” (The Clash of Civilizations and the Remaking of World Order). Libri u shndërrua në vepër kundërthënëse.  

*   *   *

Fukujama është dijetar i shkencave politike. Autor i librit “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit” (The End of History and the Last Man) të publikuar në vitin 1992. Është libër i filozofisë politike. Fukujama argumenton se me ngritjen e demokracisë liberale perëndimore – që ndodhi pas Luftës së Ftohtë (1945-1991) dhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik (1991) – njerëzimi arriti “jo vetëm … kalimin e një periudhe të caktuar të historisë së pasluftës, por edhe fundin e fistorisë si të tillë, përkatësisht pikën e fundit të evolucionit ideologjik të njerëzimit dhe universalizmin e demokracisë liberale perëndimore si formë përfundimtare e qeverisjes njerëzore”. Ky libër është zgjerim i esesë së tij “Fundi i historisë?” të botuar në verë të viti 1989, një muaj para rënies së Murit të Berlinit. Për këtë libër, Fukujama është bazuar në filozofinë dhe në ideologjinë e Hegelit dhe të Marksit, të cilët, historinë njrëzore e përkufizojnë si një progresion linear, prej një epoke socio-ekonomike, në tjetrën.

*   *   *

Sipas Hatingtonit, bota është e ndarë në disa qytetërime kryesore: bota perëndimore; Amerika Latine; bota ortodokse; bota lindore e cila si tërësi të veçanta i përmban: vendet budiste të Azisë Lindore dhe Juglindore; sfera kineze (konosfera), përkatësisht shtetet nën ndikimin kulturor kinez; sfera indiane (indosfera), përkatësisht shtetet nën ndikimin kulturor të Indisë; Japonia si qytetërim specifik; bota islamike; qytetërimet e Afrikës nënsahariane. 

Në ndarjen e vet, Hatingtoni i ka përfshirë edhe të ashtuquajturat vende “të vetmuara” të cilat me specifika të ndryshme kulturore dhe specifika të tjera shquhen në rrethinën e vet. Të tilla janë Izraeli në Lindje të Afërt dhe Etiopia krishtere në Afrikë. Këtu bëjnë pjesë edhe “vendet e ndara”, pjesë të të cilave u përkasin qytetërimeve të ndryshme. E tillë është Ukraina një pjesë e së cilës i takon botës perëndimore, ndërsa një pjesë tjetër – botës ortodokse. 

Si vatër kryesore e përplasjes, Hantingtoni i ka konsideruar të ashtuquajturat “vende ndarëse”, përkatësisht rajonet në të cilat qytetërime të veçanta janë në kontakt me njëri-tjetrin. Me këtë rast, Hantingtoni thekson në veçanti se konfliktet e tilla me qytetërimet e tjera janë më të ashpra në skajet e botës islamike. Konsideronte se me kalimin e kohës, konfliktet e tilla do të shkallëzohen në konflikte ndërmjet “vendeve kyçe” të atyre botëve apo qytetërimeve. 

Në vitet ‘90 e këndej të shekullit XX, teza mbi përplasjen e qytetërimeve kishte një numër të caktuar ithtarësh. Në publikun e gjerë, të paktën në botën perëndimore, u bë aktuale vetëm pas sulmit të 11 shatorit dhe luftërave të mëdha që pasuan pas kësaj. 

Tezën e Hantingtonit e kritikojnë ashpër kryesisht nga radhët e entuziastëve multikulturorë, të cilët e konsiderojnë të papërputhshëm me idealet e multikulturalizmit. 

“Përplasja e qytetërimeve” – ishte teza me të cilën Semjuel Hantington (Huntington) para 15 vjetëve gjoja ka pasur çelësin e sqarimit të gjendjes në botë. Në fillim, pas titullit në origjinalin në gjuhën angleze ndodhej pikëpyetja “The Clash of Civilizations?”. Bëhej fjalë për artikullin që e botoi ky politolog amerikan në verë të vitit 1993 në revistën Foreign Affairs. Me këtë, sa çel e mbyll sytë, u bë i njohur për mbarë publikun botëror. Dukej sikur ky profesor i Universitetit të Harvardit vërtet e kishte gjetur çelësin e sqarimit të rendit botëror. 

Hantingtoni pohon se në shekullin XXI, “përplasja e qytetërimeve” do t’i evitojë konfliktet e vjetra ndërmjet shteteve. Derisa kolegu i tij Frensis Fukujama (Francis Fukuyama) mbron tezën “e fundit të historisë” dhe fitoren e ekonomisë së tregut dhe të liberalizmit pa gjakderdhje, në anën tjetër Hantingtoni (Huntington) ngjarjet në botë i sheh në konflikte, në beteja dhe në luftëra. 

Sipas Hantingtonit, në të ardhmen, në arenën globale do të përplasen shtatë apo tetë qytetërime – qytetërimi perëndimor, konfuçianist, japonez, islamik, hinduist, sllavo-ortodoks, latino-amerikan dhe mbase një qytetërim afrikan. 

Me tezën e vet, Hantingtoni e ndan botën në “qytetërime kryesore”. Vendet me shumicë joortodokse, zakonisht përjashtohen. Për shembull Azerbajxhani mysliman dhe Shqipëria myslimane dhe pjesa më e madhe e Azisë Qendrore, si dhe rajonet me shumicë myslimane në Ballkan, në Kaukaz dhe rajonet qendrore të Rusisë si Tataristani dhe Bashkortostani.     

Rreziku për konflikte është më i madh atje ku ndërthuren dallimet në forcë dhe në kulturë – pohonte Hantingtoni. Argument i tij është: Qytetërimet e sipërthëna në mënyrë radikale janë të ndarë nja njëri-tjetri për nga gjuha, historia dhe religjioni. Ata assesi s’e durojnë dot njëri-tjetrin dhe përveç kësaj janë armiq të Amerikës, sipas motos “të tjerët, kundër Perëndimit” (the rest against the West).   

Jehona e tezës së Hantingtonit ishte e madhe, por e ndarë. Kishte shumë që e ngrënin lartë si një vizionarë, si një Osvald Shpengler* (Oswald Spengler, 1880-1936) i Amerikës. Të tjerët ndërkaq, shohin te Hantingtoni nxitësin ideologjik i cili me teorinë e vet kulturore të pabazuar, gdhend në gur kërkesën amerikane për të sunduar botën. Nga kritikat, Hantingtoni nuk u shqetësua fare. Prej disa tezave krijoi një libër prej 600 faqesh, të përkthyer në mbi 40 gjuhë të huaja apo në dhjetëra gjuhë të botës. “Përplasja e qytetërimeve” në gjermanisht është përkthyer me titullin “Kampf der Kulturen”‘ (Lufta e kulturave).

Vepra nuk mbeti pa efekt. Pas çdo sulmi islamik, posaçërisht pas sulmeve në Nju-Jork, publiku gjithmonë nga e para shtronte pyetjen: A nuk kishte të drejtë Hantingtoni dhe a nuk fillon vërtet tani “përplasja e qytetërimeve”. Ishte e pazakonshme sesi vetë autori, pas sulmeve në Nju-Jork, nuk dëshironte të flasë më për dilemat fillestare të veta. Te sulmet terroriste mbi Qendrën Tregtare Botërore (World Trade Center), Hantington nuk sheh përplasje qytetërimesh, por “sulm barbarësh  primitivë ndaj shoqërisë së qytetëruar të tërë botës”. 

Hantingtoni paralajmëronte për rrezikun e luftës në Irak, për arsye se – siç thoshte – ai i thërriste shpirtrat prej të cilëve Perëndimi nuk do të lirohet aq shpejt. “Një sulm i tillë shpie në një luftë, të një lloji krejt tjetër. Ai do të zgjojë pjesë të mëdha popujsh dhe qeverish të botës islame, të cilat tani e mbështesin koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit”, kishte deklaruar Hantingtoni.  

Në ditët e pleqërisë, Hantingtoni u tregua i kujdesshëm. Përse kjo përmbajtje e përnjëhershme dhe frikë e autorit nga formula “mrekullibërëse”? Është e mundur që Hantingtoni, në ditët e pleqërisë të jetë bërë më i mençur se ata që i referoheshin atij. Si duket e kishte kuptuar se shpeshherë religjioni nuk është veçse maskë me të cilën mbulohen konfliktet brutale për njohjen dhe për ndarjen e të mirave. Ndoshta Hantingtoni e kishte vërejtur se fundamentalizmi është një fenomen krejt modern që kishte lindur me kolonizimin. Prandaj vrasësit në emër të islamit nuk vijnë nga mesjeta apo nga një kulturë plotësisht e pakuptueshme, por vijnë nga një mjedis i shoqërisë globale moderne – fakt ky që na rrëqeth të gjithëve.

Sot analistët konsiderojnë se të flasësh për “përplasjen e qytetërimeve”, paraqet njëfarë kurthi. Sipas tyre, po qe se veprimi politik orientohet sipas “përplasjes së qytetërimeve” të Hantingtonit, në të vërtetë nxit pikërisht gjendjen kundër të cilës lufton. Me këtë, formula e “përplasjes së qytetërimeve” bëhet profeci apo orakull që e plotëson vetveten. Në dy vitet e fundit të jetës, vetë Hantingtoni paralajmëronte se nuk duhet bërë luftë kundër terrorizmit në fushën e minuar të kulturës, për shembull në luftën e së mirës kundër të keqes, të dritës kundër errësirës. Teoricienët konsiderojnë se Hantingtoni ka të drejtë, ngase nuk duhet luftuar kundër islamit por vetëm kundër krimit që kryhet në emër të tij. Çdo veprim tjetër, akoma më shumë do ta përhap urrejtjen, do t’i konfirmojë imazhet e armikut dhe do ta shtojë arrogancën, do të vazhdojë me spiralen e dhunës në të gjitha anët. 

Nëpërmjet kulturizimit, konflikti e merr kthesën më të keqe të mundshme, madje edhe për vetë Hantingtonit i cili thotë: “Qëllimi i Osama bin Ladenit është që nga lufta e një organizate terroriste kundër shoqërisë së qytetëruar të shkaktojë përplasjen e kulturave ndërmjet islamit dhe Perëndimit. Po qe se do t’ia delte, kjo do të kishte qenë një katastrofë e vërtetë”.  

Karrierën akademike, Hantingtoni e filloi pas Luftës së Dytë Botërore. Deri në një periudhë të caktuar kishte të shkruar 19 libra dhe 90 punime shkencore. Në Harvard punoi 58 vjet. U largua në vitin 2007. Gjatë punës në Harvard pikësynim e kishte sistemin e qeverisjes dhe të strategjisë politike-ushtarake të ShBA-së.   

  Libri i fundit kundërthënës i Hantingtonit – “Kush jemi ne?” (Who Are We?) – Sipas pohimeve të gruas së tij, Hantingtoni gjithmonë ka qenë demokrat, ndërsa kolegu shumëvjeçar i tij, profesori i ekonomisë Henri Rosovski* (Henry Rosovsky, Gdanjsk, Poloni 1927-) thotë se “Në 50 vitete e fundit, Hantingtoni ka qenë një nga politologët më me ndikim në botë, për tezat e të cilit kanë debatuar njerëz të mbarë botës”. (Henri Rosovski ishte historian i ekonomisë, i specializuar për Azinë Lindore; u shkollua në Harvard; ishte dekan nderi (Dean Emeritus) i Fakultetit të Arteve dhe të Shkencave të Universitetit të Harvardit).

Qarqet konservatore dhe nacionaliste të vendeve të caktuara, librin e Hantingtonit e mirëpritën dhe e quajtën bazë ideologjike të politikave të tyre, ndërsa intelektualët liberalë të atyre vendeve, librin e tij e kanë kritikuar ashpër.

Me librin “Kush jemi ne?” (Who Are We?) në vitin 2004 Hantingtoni përsëri shkaktoi polemika. Në këtë libër, Hantingtoni pohon se ardhja e pakufizuar në ShBA, e emigrantëve latino-amerikanë, do të mundë të paraqiste rrezik për unitetin kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

*   *   *

Me fatin e qytetërimeve u mor edhe filozofi gjerman dhe historian i kulturës Osvald Shpengler (Oswald Spengler, Blankenburg, Gjermani,  29 maj 1880 – Munih, 8 maj 1936). Ishe edhe filozof i historisë. Tregoi interesim për matematikë, shkenca dhe art si dhe për lidhjen e tyre me teorinë organike të tij të historisë. Është autor i veprës së njohur “Rënia e Perëndimit” (Untergang des Abendlandes; 540 faqe). Vepra përbëhet prej dy vëllimeve. Vëllimi i parë u botua në verë të vitit 1918 me nëntitullin “Forma dhe aktualiteti”, ndërsa vëllimi i dytë u botua në vitin 1922, me nëntitullin “Perspektiva e historisë botërore”. Kur u botua për herë të parë, vepra e Shpenglerit “Rënia e Perëndimit” shkaktoi tronditje dhe tërmet të vërtetë intelektual që nuk do të qetësohet për një kohë të gjatë.        

*   *   *

Shënim: Vilhelm Fridrih Hegel (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-1831) – filozof gjerman, i mbiquajtur Aristoteli i kohës së re; 

 Karl Marks (Karl Marx, 1818-1883) filozof, ekonomist dhe sociolog gjerman, me prejardhje hebraike; studioi drejtësinë, por u mor edhe me filozofi, ekonomi, histori dhe art.

Fukujama është i martuar me Laura Holmgren; kanë tre fëmijë.

Xhelal Zejneli

Filed Under: Komente Tagged With: Xhelal Zejneli

Emri i Fan Nolit jetësohet në Bronx

April 10, 2022 by s p

Elmi Berisha/

Sot është një ditë e shënuar për kombin shqiptar. At Fan Noli, një prej Shqiptarëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar përjetësohet me emrin e një rruge në New York. Sot për çdo shqiptar është një ditë e pa harruar, një ditë lavdie e krenarie kombëtare e shtetërore. Një ditë e madhe që do mbesë historike në memorien tonë si komb e si mërgatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shërbimi i At Fan Nolit ndaj popullit, e shtetit e kombit të tij është gjeniale. At Fan Noli përktheu në shqip shërbesat e Kishës Ortodokse, përktheu kryevepra të letërsisë botërore, shkroi poezi politike, ishte klerik, themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA, deputet dhe Kryeministër i Shqipërisë në të njëjtën kohë, drejtues i Diellit e themelues i Vatrës, një figurë e padiskutueshme poliedrike e kombit shqiptar. Kjo ditë e shenjtë përkon me 110 vjetorin e Vatrës.At Fan Noli ishte një përkthyes i pashoq, erudit i rrallë, një filozof i mprehtë, poet i zjarrtë, historian i konfirmuar, politikan i shquar dhe një fetar i bekuar. Fan Noli ia kushtoi jetën Zotit dhe kombit të tij. Askush si ai nuk u investua për të mirën e popullit, shtetit e kombit shqiptar. Lavdi përjetë veprës dhe kujtimit të At Fan Nolit.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • …
  • 489
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT