• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

25 vjet nga tragjedia e Otrantos

March 25, 2022 by s p

Gezim Zilja

Natën e 28 marsit të vitit 1997, anija e quajtur Kateri i Radës i mbushur kryesisht me gra e fëmijë u nis nga Porti i Vlorës për në bregun italian. Nga 105 fatkeqë në barkun e saj, të gjallë mbërritën një e pesta. Ishte një kohë kur shqiptarët nga padija dhe babëzia për të fituar para, pa punuar, ua besuan kursimet e tyre firmave të drejtuara nga sharlatanë e mafiozë. Kur ato ranë, njerëzit dolën në protesta, duke bërë fajtore qeverinë, pa e drejtuar asnjëherë gishtin nga vetja. Por ajo që do t’i çmendte njerëzit, që do të merrnin në dorë urat e zjarrit dhe do t’i hidhte në luftë kundër njëri-tjetrit ishte politika. Pas kësaj revolte revolucionare, që s’ishte gjë tjetër veçse ‘’marrëzia e një populli të paditur’’, asgjë nuk ndryshoi në politikën shqiptare, asnjë mësim nuk u nxor shoqëria civile. 

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, i quajturi ‘’Kateri i Radës’’, i braktisur në një nga anekset  e portit të Brindizit në tokë, u ekspozua, në bregun, ku nuk u sos dot “i gjallë”, në Otranto, një qytezë në brigjet e Adriatikut. Relikja e nxjerrë nga tetëqind metra thellësi u shndërrua në  monument, në një vepër arti nga artisti grek Costas Varotsos, i cili ditën e inaugurimit u shpreh midis të tjerash:  “ …Mundësinë për të transformuar tragjedinë në një vepër arti e pashë si një mundësi të madhe. Ka një shprehje shumë të përhapur në vendin tim që vjen nga antikiteti: “ Nuk mund të ekzistojë e mira nëse nuk është dhe e keqja. Nga e keqja vjen e mira…”. Po atë ditë më 29.01.2012, kryebashkiaku i Otrantos, Luciano Carridi, do të shprehej: “ …Historia ndonjëherë shkruan faqe shumë të trishtuara edhe Kanali ynë ka asistuar tragjedi të dhimbshme të cilat vështirë t’i harrosh. Por ne nuk duam të harrojmë, përkundrazi. Duam t’i kujtojmë ato momente. Mendoj se është e drejtë të ruajmë kujtesën.”

 Artisti grek edhe kryebashkiaku italian u shprehën se çfarë i frymëzoi për të ngritur atë anije të vogël patrulluese në vepër arti: për të mos harruar, për të pranuar fajin, për të ecur para, duke mësuar nga e kaluara. Kam shkruar disa artikuj atëherë, kur u nxorr anija, pse ky “monument,” duhet të vendosej në portin e Vlorës e jo në atë të Otrantos, por kotekot. Për mua është e qartë sjellja e pushtetarëve dje dhe sot: Ekspozimi në një nga sheshet (edhe sot mund të bëhet) i asaj anijeje të vogël do tu sillte ndërmend shqiptarëve jo vetëm tragjedinë por edhe shkaktarët e saj. Sot një pjesë e sheshit të Portit të Vlorës është shndërruar në një karikaturë betoni, ku edhe me busull Shtëpiza e Pavarësisë vështirë të gjendet. Ai shesh-port ka histori që nga Ismail Qemali, Fan Noli, internimi i vlonjatëve në Sazan më 1920, jetën e vështirë të peshkatarëve veçanërisht çamë, notarët e papërsëritshëm të viteve ‘60-’70, arratisjet e vrasjet e bujshme në vitet 1990-1991 deri te tragjedia e Otrantos më 1997. Qëllimisht gjithçka që është ndërtuar aty të kujton vitin zero, sikur më parë ka qenë shkretëtirë. Vetëm devetë mungojnë se edhe piramida kanë ndërtuar mendjet e sëmura. Sheshi para Portit duhej të ishte vënë në funksion të Shëpisë Muze të Pavarësisë dhe të historisë së Skelës. Ajo që është ndërtuar aty është një njollë e zezë, një turp për ata që e projektuan dhe e ndërtuan, duke menduar të përjetësojnë veten dhe jo historinë. Nuk jemi rastësisht më të vonuarit e Europës. Ne harrojmë, falsikojmë, madje nëpërkëmbim historinë tonë, nuk shikojmë rrugën nga kemi ardhur, largohemi nga e keqja dhe nuk e dënojmë atë; nuk kthehemi asnjëherë nga vetja, nuk lodhemi së urryeri ‘’atë tjetrin’’ si shkaktar të të këqijave që na pllakosin, prandaj do vazhdojmë të vuajmë, të mbetemi të varfër e të përçarë. Djetëra e dhjetëra emisione e biseda televizive janë zhvilluar nga analistët e politikanët pas vitit ’97. Është folur edhe për tragjedinë e mësipërme nga këndvështrime të ndryshme por as edhe një emision i vetëm nuk u bë për sjelljen e “Katerit” në Shqipëri. 

 “Kateri i Radës” është një shpirt, (jo vetëm një grumbull metalesh), një simbol i qindra mjeteve lundruese, që u përdorën nga shqiptarët, kur zbuluan Tokën e Premtuar, është një pjesëz e dhimbshme e historisë së trishtë shqiptare të fundshekullit të kaluar. Ky shpirt endet e endet varrezave të Vlorës, detit Adriatik, e gjithë Shqipërisë pa gjetur prehje e ngushëllim. Nëse katein nuk e biem dot në Vlorë, le të shkojmë, kur të mundemi në Otranto e ta shikojmë monumentin. Ata që e shkaktuan ose kishin gisht në tragjedinë për tu lutur e qetësuar ndërgjegjen, të tjerët për të njohur historinë e gjyshërve dhe baballarëve. Krahas festave të shumta, që edhe kur nuk janë të tilla i shpik parlamenti, le ta caktojmë 28 marsin, si Ditën e Madhe të Kujtesës e Pendesës, që ngjarje të tila të mos përsëriten më.

Filed Under: Komente

“Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare”, një punë monumentale në shërbim të historisë së artit dramatik dhe letërsisë shqipe  

March 25, 2022 by s p

Ambasador Mal Berisha/

Pas një jave, vi pësëri në Selinë e Vatrës i mbushur plot me gëzim dhe frymëzim. Kjo për disa arësye: E para, ndjeva një kënaqësi shumë të madhe gjatë promovimit të librit tim të radhës AMBASADOR I PUSHTETIT TË BUTË. 

Libër i cili iu nënshtrura një analize nga më seriozet dhe nga pena shkrimtarësh, gazetarësh, historianësh dhe veprimtarësh patriotë nga më të shquarit e kohës tonë, jo vetëm këtu në Bashkësinë Shqiptaro – Amerikane por edhe në të gjithë botën shqiptare. Nuk mund të mos përmend me mirënjojhe moderatoren që i jep ndër kësaj Selie, zonjën Marjana Bulku, historianët, gazetarët dhe studiuesit Idriz Lamaj, Dalip Greca, Frank Shkreli, Beqir Sina, Paulin Marku, Sokol Paja etj.

Natyrisht që të jesh PRESIDENT NDERI I VATRËS, për mua është më shumë se të jesh qoftë ministër qoftë deputet i parlamenteve tona në Ballkan. Janë me qindra e në mos më shumë emrat e deputetëve të cilët kanë kaluar nëpër karrige burokratësh pa lënë një gjurmë që të mbahet mend por ka vetëm disa emra që e kanë drejtuar VATRËN tonë por që nuk harrohen kurrë, dhe e dini përse e them këtë? Sepse këta njerëz vetëm i kanë dhënë atdheut, pa marrrë asgjë në këmbim. Më thoni çfarë i ka marrë Agim Karagjozi Vatrës?, për shembull? E meqë jemi këtu, dua të jap atribute, të tregoj një respekt të vecantë për Presidentin e Nderit z Agim Rexhaj. Por prania ime këtu është edhe më emocionale sonte edhe për disa arësye të tjera:  

* Më 17 dhjetor 2021, librin që e promovova këtu, e pata promovuar në Universitetin e Korçës. Sonte ajo ngjarje më vjen shumë më e kandshme për disa arësye:

1.- Universiteti i Korçës mban emrin e Fan Nolit, themeluesit të VATRËS

2.- Organizmi i atij promovimi u bë nën kujdesin e Dekanes së Universitetit Profesoreshe Jonila Spaho dhe ishte nga momentet më të bukura të jetës time si njeri që kam guxuar të marrë penen dhe të shkruaj.

3.- Atë ditë ndërkohë që unë i dërgova një numër librash Bibliotekës se Universitetit mora një dhuratë shumë të cmuar: 

Librin që Profesoresha kishte botuar dhe që e kemi sot në bibliotekën e Vatrës

4.- Ky libër të cilën i shfletova dhe u mrekullova bën një lidhje mëse shekullore midis subjektit të tij shkrimtarit, dramaturgut, komediografit, patriotit, intelektualit, politikanit Kristo Flloqi me këtë mbrëmje tonë këtu sonte  – me Vatrën.

Lidhja është e tillë: Një çupë Korcare, shkruan një libër për Flloqin po Korçar, e boton në Universitetin Fan Nolin të Korcë, në vendlindjen e tij dhe e sjell në VATER – ën e Heroit të saj të Librit.

 Unë e lexova librin dhe t’ju them të drejtën mësova shumë sepse dija shumë pak ose fare pak për Kristo Floqin.   

Unë  kam studjuar në bankat e shkollës më të mirë shqiptare të Artit dhe Kulturës, pra në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, HISTROINË E ARTIT TEATARAL TË SHQIPËRISË.

Atë histori e kam mësuar nga autorë disa prej të cilëve  cilët profesoresha jonë e nderuar Spaho i ka cituar por edhe të tjerë, që janë Kudret Velca, Josif Papagjoni, Adriatk Kallulli, Razi Brahimi madje edhe Kujtim Saphivogli, Kadri Roshi, etj Ata pedagogë të mrekullueshëm, edhe pse jam i sigurtë që kanë ditur shumë për Kristo Floqin, kurrë nuk e përmenden atë në shkollën tonë. Arsyeja është e thjeshtë: 

Censura komuniste në shkollë ishte intolerante deri në atë masë sa duhej injoruar figura të tilla.

Në shkollë mësuam shumë për Tetarin Partizan – disa llogje tallëse për kundërsharët e komunistëve, që bëheshin rreth zjarrit por që nuk kishin asgjë të bënin me teatrin e vërtetë dhe veprat dramatike që kishte shkruar Kristo Floqi.

Është për tu habitur që në anën tjetër të kufirit që ishte e okupuar nga falangat serbo sllave emrat e shkrimtarëve të ndaluar në Shqipëri lejoheshin në Kosovë. Me këtë rast dua të sjell një shëmbull shumë interesant për krahasim.

Kur po studioja Masakrën e Manastrit e ndodhur në vitin 1830 kur Sulltani turk i lëshoi në pritë mbi 600 veta të elitës shqiptare të kohës, hulumtova edhe tregimin e Ismail Kadarese, 

“Komisioni i Festës”. Ai libër ishte shkruar në periudhën kur diktatori shqiptar po  “ftonte në festë” tërë shokët e tij dhe i vriste njëri pas tjetrit. Kjo paralele historike midis sulltanit dhe diktatorit ishte shumë e vrazhde të për këtë të fundit dhe libri u censurua.

 Por jo edhe në Prishitnë: Shtëpia Botuese RILINDJA e botori atë me 20.000 kopje në atë kohë.

Por le të vimë tek Floqi. Jemi pra këtu sonte ne vatranët për një VATRAN TË HERSHËM.

Unë jam i sigurtë që folesit tjerë sonte do të flasin për subjektim e librit. Por unë dua të ndalem jo tek vepra Profesoresh Jonelës. 

Profesorshë, ju keni bërë një punë Monumentale.  

Keni sjellë në dritë një figurë të jashtëzakonshme i cili ka debutuar në një nga gjinitë e artit e cila jo vetëm në kohën e tij por edhe na kohën tonë, nuk është aq e zhvilluar dhe pikerisht atë të drarmës dhe komedisë.  

Ajo që vlen te vlerësohet është edhe fakti që ju nuk jeni mjaftuar as me katedrën e Uniseristetit të Tiranës, dhe as atë të Korcës, por sonte keni gjetur audiencën më të mirë në “botë” për të bërë të njohur veprën tuaj:

Këtu në Vatër.

Ajo që këni thënë në libër: 

Fisnik në pamje, erudit ne kulturën e tij, një personalitet poliedrik me botëkuptim të formuar  nën  ndikimin  e  disa  kulturave,  burrë  i  vëtetë  shteti,  orator  dhe  organizator  i pëkryer,  ai  i  bënte  vend  vetes  në  të  gjitha  ambientet,  shoqëritë  dhe  vendet  ku  ai  jetoi pjesën  më  dinamike  të  jetës  së  tij. 

Libri i Profesoreshës Spaho përveç se sjell pëprara lexuesit tonë një biografi shume të detajuar të një jete a-tipike, epike të një patrioti të madh me një fund të dhimbshëm – si i shume patriotëve të tjerë shqiptar, që e preken fundin gjatë kohës së  komunizmit – është një kontribut shumë i vyer në historinë e teatrit dhe fjalës artistike në kulturën tone shqiptare skenike.

Është ky një kontribut i cili vjen natyrshëm në libër përkrah pasqyrimit të jetës së Floqit, dramave, vështirësive, angazhimeve të tij gjatë tërë jetës dhe në pika të ndryshme aty ku çështja shqiptare ishte më e pranishme, më e nxehtë dhe më e nevojshme për neve. Aty gjëndej ai përherë dhe përherë i gatshëm për sfidat. Në libër ai vjen në referencat që sjell autorja nga gazeta  “Dielli” në Boston, Atdheu në Kostancë, Shtypi në Tiranë, Demokracia në Gjirokastër, Kalendari Kombëtar në Sofje, Posta e Shqypnisë në Shkodër, Populli në Vlorë, Besa Shqyptare në Shkodër, Gazeta e Korçës e sa e sa të tjera.

Do të ishte e lodhshme të citoj veprat dhe ngjarjet teatrale që janë të listuara me aq mediolozitet dhe me perkushtim.

Por ajo që dua të nënvizoj që me këtë libër Profesoresha Jonela i ka bërë një shërbim shumë të vyer historisë së artit dramatik të shkruar të letërsisë shqipe.  

Jane me dhjetëra dramat dhe komeditë e shkruara dhe shumë herë më shumë ato të vëna në skenë që nga skenat amatore fshatare të Korçës e deri në skenat kombëtare të kohës.

Ajo është ndalur tek : Ideomatika e dramave, Tipologjia e karaktereve dramatike, karakteret femërore në dramat e tij, veçori të strukturës kompozicionale të dramave, gjuha artistike e dramave dhe veçori te stilit etj. Në veçanti duhet parë me vemendje Tragjedia “Pirro Neoptolemi”. Autorja është ndalur më shumë kujdes edhe në veprën e tij lirike: Variacionet e persiatjeve ndjesore të heroit bukurisë…Aspekte të stilit në lirikat dashurore,  Vlerat artistike të poezisë për fëmijë e plot tema të tjera. Emri i Kristo Floqit tani radhitet përkrah dramaturgëve tanë më të mirë të letërsisë shqipe ndërsa emri Prof Jonela Spaho në radhën e historianëve por edhe të Estetëve tanë më të mire e një biografieje shumë të mirë por edhe e një estetje që i mungonte kritikës sonë të teatrit.

Filed Under: Komente

PUSHOFSH NË PAQË ZONJA ALBRIGHT

March 24, 2022 by s p

Pëllumb Kulla/

Sot, në moshën 85 vjeçare, mbylli sytë një grua e jashtëzakonshme, siç vlen ta cilësojmë zonjën Madeleine Albright, ish Sekretare e Shtetit në kabinetin e Presidentit Bill Clinton.Ishte një grua me karakter të çeliktë që për fat u ndodh në postet kyçe në vitet e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe të realizimit të pavarësisë së Kosovës. Kësisoj bota shqiptare i detyrohet shumë kësaj gruaje, që u bë krahu i djathtë i Presidentit gjatë vendimeve të rëndësishme për ndalimin e gjenocidit në Kosovë dhe në sjelljen në tavolinën e Rambujesë palët e zgjidhjes së madhe, që i dha jetë Republikës së Kosovës. Më parë se të zinte postin e rëndësishëm së Sekretares së Shtetit zonja Albright mbulonte detyrën e lartë të Përfaqësueses së Përhershme të ShBA pranë OKB në New York që nga viti 1993 deri në vitin 1997, vite që rastësisht përkuan me shërbimit tim atje. Pata vërtet kënaqësinë ta njoh nga afër atë zonjë të takohesha disa herë me të dhe të shtoj në favor të çështjes shqiptare rolin që ajo pati në krizën e madhe të shtetit të ri demokratik shqiptar, me administrimin e revoltave që ishin pasojë e piramidave që sollën aqë rrënim ekonomik dhe humbje jetësh njerëzore. Zonja Albright si figurë peshërëndë në Këshillin e Sigurimit bëri përpjekje të palodhura për vendimin e vështirë të dërgimit e forcës shumëkombshe ushtarake që hyri në territorin tonë dhe u bë garanci e restaurimit të qetësisë dhe rifillimit të rendit pas një kaosi të turbullt për t’u vënë nën fre. Ikja e kësaj zonje na trishton së tepërmi dhe i dëshërojmë të paharrueshmes Madeleine Albright të prehet në amëshim. U shtoj shënimeve të mia edhe hollësira interesante të qëmtuara më së miri nga gazetari Enver Robelli dhe që hedhin dritë mbi formimin e karakterit të saj të veçantë. “Madeleine Albright u lind në një familje hebraike në Pragë më 15 maj 1937 me emrin Maria Jana Korbelová. 25 anëtarë të familjes së saj janë vrarë në Holokaust, gjenocidin nazist kundër hebrenjve. Në autobiografinë e saj kjo profesore e shkencave politike ka përshkruar rrugën e saj jetësore dhe të familjes së saj. Që në moshën dyvjeçare Albright u gjend në Londër, ku familja e saj iku nga terrori nazist në Çekosllovaki. Në vjeshtë të vitit 1945 i ati i saj u emërua ambasador çekosllovak në Beograd, ku u vendos me familjen e tij, përfshirë edhe «Madlenkën» e vogël. Pas puçit komunist në Pragë në vitin 1948 familja emigroi në SHBA. Më 1957 ajo mori shtetësinë amerikane. Prindërit i kishin folur asaj shumë për jetën si refugjatë, por jo edhe për origjinën hebraike. Madeleine u rrit me besimin katolik, të cilin e kishin përqafuar prindërit e saj. 60 vjet pasi babai i saj kishte shërbyer në Beograd si ambassador. Më vonë e bija e tij ishte njëra prej përkrahësve më vendimtare të bombardimit të këtij qyteti, prej nga kishte filluar fushata për vrasjen dhe pushtimin e popujve të tjerë të Ballkanit. Gjatë kohës që ushtroi detyrën e Sekretares së Shtetit ajo e quajti Amerikën një «komb të pashmangshëm», pa të cilin nuk mund të zgjidhen shumë probleme. Gjatë fushatës së fundit elektorale ajo ishte kundërshtare e rreptë e Donald Trumpit dhe përkrahur Hillary Clintonin. Albright u bëri apel grave të votojnë kandidaten demokrate duke thënë se në ferr ekziston një sektor për gra, të cilat mëkatojnë duke mos përkrahur gratë. E zemëruar me deklaratat urrejtëse të Trumpit kundër të huajve, e sidomos myslimanëve, Albright paralajmëroi se në shenjë solidariteti me myslimanët do të regjistrohej si myslimane.” Janë episode mjaft domethënëse për të kujtuar një figurë madhore që pati jetë në truallin amerikan dhe rol të rëndësishëm në fushën e politikës së Shteteve të Bashkuara.

Filed Under: Komente

PUTINI I NËNVLERËSUAR NGA DEMOKRACITË LIBERALE

March 21, 2022 by s p

(PA VETËVLERËSIME)

Nga FEDERICO RAMPINI

Përse Vladimir Putini ka vendosur që ky është çasti i përshtatëshëm për të shpërthyer një luftë në zemër të Evropës? Çfarë bashkon vizionin e tij me analizën e botës që bën Xi Jinping-u? Përse Perëndimi ka arritur i papregatitur në një bejleg kaq të llahtarshëm? Një fill i kuq bashkon përgjigjet e këtyre pyetjeve: është rënia e vetëvlerësimit të demokracive liberale, të rrethuara në brëndësi të tyre, më parë se nga kundërshtarë të fuqishëm të jashtëm. Mbas nënvleftësimit të kërcënimeve të Putinit në vitet e shkuara e tani mbas hipokrites “As me Rusinë as me NATO-n” del në pah ky problem më i përgjithshëm, që ka dhënë ndihmesën e vet në shpejtimin e agresionit kundër Ukrainës. Dhe çmobilizimi ideologjik i Perëndimit: prej kohësh i përqëndruar në proçedimin e vetvetes, në kriminalizimin e historisë së tij, në fajësimin për tmerret e imperializmit. Vetëm t’atij të tijit, kuptohet: imperializmat ruse ose kineze nuk kanë rëndësi. Nëse e gjithë e keqja e botës vjen prej nesh, përse do të duhej të mbikqyrnim atë që don të na gjunjëzojë? Për çfarë arsye do të duhej të fuqizonim mbrojtjen në kufijtë lindorë të NATO-s, nëse i vetmi militarizëm që ka mbjellë planetin me dhimbje është i yni? 

Sindroma

Kjo sindromë vetëshkatërruese është e mprehtë n’Amerikë. Atentati demokracisë amerikane ka qënë mjaft i dukshëm në presidencën filo-putiniane të Trump-it. Ende disa ditë më parë, para se të arrinin n’ekranet tona pamjet e llahtarëshme të bombave e të vdekjes në Ukrainë, ish presidenti amerikan mendonte t’a përcaktonte “Putini një gjeni, Biden-i një i pa-aftë”. Tashmë partia republikane po e ndryshon shënjestrën e saj  dhe rryma e saj filoruse është në vështirësi, por për shumë kohë kjo e djathtë e ka përshkruar Amerikën si një demokraci të rreme, ku të tjerët fitojnë vetëm në sajë të dallavereve zgjedhore. Në ballin e kundërt, përçmimi për liberal-democracinë  amerikane është pasqyror dhe i ngjajshëm. Lëvizja radikale e kundër-racizmit, Black Lives Matter, prej vitesh padit Shtetet e Bashkuara  si Perandorinë e së Keqes. Përimtimet dhe parullat e saj shfrytëzohen rregullisht nga propaganda ruse e kineze. Emisionet në gjuhën angleze  të RT (Russian Tv) e Radio Sputnik, dy organet më të mëdha të propagandës putiniane, ishin të mbushur me të ftuar të së majtës radikale amerikane: veprimtarë të Black Lives Matter dhe docentë vetero-marksistë me katedra  në universitete ku zotëron politically correct.

Faji i përbashkët

I vetmi gjenocid për të cilin flitet në shkollat amerikane nuk është ai që Putini do të donte të kryente kundër popullit ukrainas, simbas Zhelenskit: është ai që vetëm raca e bardhë ka kryer në dëm të indigjenëve. Racizmi , simbas Critical Race Theory të mësuar në shkollat publike, është një faj i përbashkët që vetëm të bardhët duhet t’a pranojnë e t’a shlyejnë. Ndërmjet së djathtës shkatërruese që kreu dhe ligjësoi sulmin mbi Campidolio më 6 janar 2021 dhe së majtës shkatërruese që ka predikuar urrejtjen kundrejt forcave të rendit, Amerika ishte shumë e shqyer nga luftërat e saj të brëndëshme fetare, për të përshquar nga larg një sulm të jashtëm tashmë t’afërt.

Strategjitë e ndryshme

Putin e Xi Jinping kanë strategji të ndryshme por bien n’ujdi mbi një diagnozë: Perëndimi është në një rënie të pakthyeshme, të vërtetuar nga shëmbja e jonë e vetëvlerësimit. Kur patriarku ortodoks merr në mbrojtje Putinin, nuk është trashëgimtari i një aleance historike ndërmjet fesë dhe Carit, është edhe kreu shpirtëror i një bote që na quan një shoqëri të squllur sepse tashmë është pa siguri. Përimtimet e Pekinit janë të njëjtë. Kur admnistrata Biden kritikon dhunimet e të drejtave njerëzore në Hsinkiang apo Hong Kong, përgjigja kineze citon Black Lives Matter ose akt-akuzat e së majtës ”no border” të Aleksandra Ocasio-Cortez që padit Amerikën për të gjitha padrejtësitë planetare.

Heterogjeneza e qëllimeve

Tashmë Putini duket se ka arritur përfundimin e kundërt me dëshirat e tij: duket se ka zgjuar vërtetë bashkimin e Perëndimit, sedrën tonë dhe vullnetin për të mbrojtur demokracinë. Lidhja ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara i ka befasuar të gjithë. Mali i sanksioneve ekonomike të vëna në fushë është i pashembullt. Gjermanët fillojnë të marrin me seriozitet mbrojtjen dhe projekti i ushtrisë së përbashkët evropiane mund të dalë nga një letargji tridhjetëvjeçar. Ndihen të lajmërohen kthesa energjitike të vendosura për të pakësuar vartësinë e pambrojtëshme nga Rusia. Ndoshta agresioni kundër Ukrainës ka qënë një goditje e shëndetëshme, fillimi i një ndërgjegjësimi, madje i një ringjalljeje.

Boshti

Putini e Xi venë bast kundër këtij skenari. Befason gjuha e Kinës, që ka shumë për të humbur në shpejtimin e një lufte që çekuilibron ekonominë globale. “Nuk ka rëndësi sa është e pasigurtë dhe e rrezikëshme gjëndja ndërkombëtare – thotë ministri i Jashtëm Wang Yi – Kina e Rusia do të ruajnë përqëndrimin strategjik dhe bashkëpunimin për epokën e re”. Moska e Pekini duken të bindur se mbas këtij bashkimi të dukshëm, oportunizmi i biznesit nga një anë dhe tarafet tona kundër-perëndimore nga tjetra, do të kthehen të na ndajnë.    

“Corriere della Sera”, 9 mars 2022   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Komente

PËRSE RUSIA NUK DON TË HEQË DORË NGA UKRAINA?

March 19, 2022 by s p

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/

Në një farë kuptimi Ukraina është viktima e fundit komunizmit sovjetik, e një të kaluare që nuk kalon. A do të kishte qënë e mundur që, mbas tridhjetë vitesh të mbarimit të luftës së Dytë botërore, një Gjermani të ishte e udhëhequr nga një ish kolonel I Gestapos, i njohur si I tillë? Vetëm ajo mundësi sjell ndër mënd një film të Mel Brooks. Ndërsa, mbas tridhjetë vitesh të fundit të komunizmit, në krye të Rusisë është Vladimir Putin, një ish kolonel i KGB-së. 

Do të thotë e një gjëje, që ndoshta nuk është e njëjta gjë e Gestapos, por pa dyshim i shëmbëllen mjaft: siç e din mirë sot Ukraina e, para saj, një palë Vëndesh ku n’atë kohë Putini u zotua të bëjë tokën e djegur. 

E shkuara sovjetike nuk kalon, është gjithmonë aty, për një arsye vendimtare. Ndërsa nazizmi e fashizmi çuan Vëndet e tyre në rrënimin më të plotë, regjimi komunist u njëjtësua me më të madhin sukses të përfytyrueshëm të Shtetit rus. I cili më 1945 qe në gjëndje të shtrinte zotërimin e tij në gjithë Evropën Lindore e në gjithë Ballkanin deri në Adriatik.

Një e shkuar që nuk ka mbaruar kurrë

Është kujtesa tepër e gjallë e këtij triumfi të vërtetë kombëtar – të rigjelbëruar çdo vit nga festime të fuqishme për të përkujtuar fitoren në atë që quhet “lufta e madhe atdhetare” – që i ndalon shumicës së opinionit publik rus të metabolizojë në mënyrë kritike të shkuarën komuniste, të shkëputet një herë e mirë prej saj, e të përqafojë me bindje demokracinë. Rusia e thellë është e hipnotizuar nga e shkuara, e deri sa të mos lirohet prej saj, fatalisht do të vazhdojë të besojë në ekuacionin, që në njërën anë ve madhështinë kombëtare e në tjetrën komunizmin me njerëzit e tij dhe metodat e tyre.

Mbani parasysh: është kaq i fuqishëm ky mekanizëm i tërheqjes e njëjtësimit ndërmjet Vëndit e regjimit sa që ai është i vlefshëm sot edhe për shumë perëndimorë. Të cilët, nëse në zemrën e tyre edhe tashti ushqejnë simpati për komunizmin (ose për atë që ata e besojnë të tillë), atëherë janë të prirur të shohin pak a shumë me një simpati të heshtur lëvizjet e Rusisë së sotme e të kryetarit të saj.

Treni i bashkëkohësisë

Që janë përfundimi i një historie të gjatë. E pa-aftë të hipë në trenin e bashkëkohësisë e të industrializimit, Rusia e Tetëqindit mendoi se mund të ruante, pavarësisht nga ajo, rolin e saj të një fuqie të madhe evropiane duke u mbështetur mbi faktorin, që ishte zbuluar vendimtar për të patur atë rol me fitoren mbi Napoleonin më 1812: pafundësinë e hapësirës së saj e të masave njerëzore të përmbledhura në të. Një hapësirë gjeografike, por njëkohësisht edhe ideologjiko – fetare: të gjithë hapësirën e krishterimit ortodoks për të cilin Moska mbahej si rojtare.

Atë që ajo u kujdesua t’a zgjeronte e t’a fuqizonte duke mbështetur kryengritjet që shpërthyen në gjysmën e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë nga popullsitë sllavo-ortodokse të Ballkanit kundër perandorisë otomane. Qe kështu që Rusia (në kufijtë e së cilës, duhet kujtuar, ishte edhe Polonia) u bë fuqia e madhe zotëruese e gjithë zonës lindore evropiane nga Egjeu deri në Balltik.

Qe një fuqi e madhe botërore, duke mbajtur parasysh edhe zotërimet e saj në zemrën e Azisë. Të nesërmen e luftës së Parë botërore, ajo pa se ishte zvogëluar fuqimisht ai rol, veçanërisht n’Evropë, por ambiciet e saj botërore megjithatë u ruajtën në jetë në sajë të hapësirës së re ideologjiko-politike, të përfaqësuar nga komunizmi. Në pritje të 1945: Rusia e atij viti, që kishte arritur në Berlin, në Vjenë e në Vlorë, ishte në fakt një Rusi me Evropën në këmbët e saj. Nga Paqësori e nga Karakorumi, një det i pafund tokash e popujsh nën urdhërat e Moskës, trysnonte një Evropë të vogël perëndimore. Një fuqi e pa-anëshme marramendëse nën flamurin e kuq të komunizmit.

Por hapësira e pafund e fuqisë ruse mbetej një hapësirë e vjetëruar dhe koha punonte pa mëshirë kundër saj. Kundër asaj hapësire arkaike të tokës e të numërave, nga ana tjetër po rritej në mënyrë të papërmbajtëshme, hapësira në një farë mase jo materiale e tekno-shkencës, e mallrave e konsumeve, e shpejtësive dhe komunikacioneve, hapësira e të drejtave, e bashkëpunimit dhe e lirisë së Perëndimit.

Vështrime të ngushta

Hapësira e bashkëkohësisë. Ndërkaq Rusia nuk arrinte n’asnjë mënyrë të kapërcente dobësitë e saj historike: besnikërinë ndaj një përftimi despotik të pushtetit, mospërputhjen me vlerat e individualizmit dhe shtrirjen pasuese të privatit, me pazotësinë e prodhimit të mallrave, pra me mungesën e madhe kronike në të gjitha fushat. Një shëmbje që qe një katastrofë e vërtetë gjeopolitike, ndikimin psikologjik të së cilës ndoshta ende nuk e kemi kuptuar mirë. Mbas viteve 1989-1991 copa shumë të mëdha të perandorisë u shkëputën nga Moska, duke u shpallur të pavarura. Rusia u gjënd n’Evropë me kufij të tërhequra mbrapa me qindra kilometra, n’Azi me mijra: pra, në një pjesë të madhe, pa armën e saj tradicionale të hapësirës, të këtij parimi të madh politik njëjtësues.

Megjithatë në dhjetëvjeçarët pasues klasa drejtuese ruse, e pastaj Putini, në vënd që të kuptonte arsyet e prapambetjes ruse e të kërkonte t’i shëronte duke u vënë në rrugën e reformave të brëndëshme, të një modernizimi rrënjësor e të gjërë të Vëndit, kanë qëndruar të palëvizshëm kundrejt ndryshimit përparues të botës për rreth, që i linte gjithmonë e më larg, gjithmonë e më mbrapa: të fuqishëm vetëm në zotërimin e armëve primitive të gazit e të raketave.

Në Lindje, në shpatullat e tyre rritej pa masë (e rrezikshmërisht) fuqia tepër moderne dhe tregtare, por edhe ushtarake e Kinës, e drejtuar në sektorët më të përparuar të teknikës e të industrisë. Të njëjta ndryshime të mëdha ndodhnin në Ballkan, në hapësirën sllavo-ortodokse evropiane që Moska ishte mësuar t’a quante zonën e saj të zgjedhur të ndikimit. Laiçizimi masiv në veprim, përveç prestigjit dhe joshjes vërshuese të modelit politik, shoqëror, kulturor, harxhues të perëndimit evropian e të Shteteve të Bashkuara, kanë shfarosur shpejt  çdo kujtesë të vjetër.

Prej kohësh Praga e Sofia, Moldavia e Rumania, opinionet e tyre publike, nuk frymëzohen më prej asgjëje që vjen nga Moska; dëshira e tyre mbizotërues është vetëm një: pjesëmarrja në Bashkimin evropian. Faji i pashlyeshëm i Ukrainës, sigurisht ka qënë ai i të qënit simboli më i dushëm i kësaj ikjeje të përgjithëshme nga Rusia, vërtetimi i shkërmoqjes së fuqisë e aftësisë tërheqëse të saj.

E këtë Putini nuk ka arritur t’a pranojë: që Rusia të jetë katandisur në praktikë në Moskovien plus Siberinë. Por faji është i tij e i asnjë tjetri, mangësisë së aftësisë e largpamësisë të drejtimit të tij. Sepse më së fundi ai ishte dhe mbeti një ish kolonel i mjerë e i dështuar i KGB-së.

“Corriere della Sera”, 9 mars 2022    Përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 112
  • 113
  • 114
  • 115
  • 116
  • …
  • 489
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT