
Pëllumb Kulla/
Sot, në moshën 85 vjeçare, mbylli sytë një grua e jashtëzakonshme, siç vlen ta cilësojmë zonjën Madeleine Albright, ish Sekretare e Shtetit në kabinetin e Presidentit Bill Clinton.Ishte një grua me karakter të çeliktë që për fat u ndodh në postet kyçe në vitet e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe të realizimit të pavarësisë së Kosovës. Kësisoj bota shqiptare i detyrohet shumë kësaj gruaje, që u bë krahu i djathtë i Presidentit gjatë vendimeve të rëndësishme për ndalimin e gjenocidit në Kosovë dhe në sjelljen në tavolinën e Rambujesë palët e zgjidhjes së madhe, që i dha jetë Republikës së Kosovës. Më parë se të zinte postin e rëndësishëm së Sekretares së Shtetit zonja Albright mbulonte detyrën e lartë të Përfaqësueses së Përhershme të ShBA pranë OKB në New York që nga viti 1993 deri në vitin 1997, vite që rastësisht përkuan me shërbimit tim atje. Pata vërtet kënaqësinë ta njoh nga afër atë zonjë të takohesha disa herë me të dhe të shtoj në favor të çështjes shqiptare rolin që ajo pati në krizën e madhe të shtetit të ri demokratik shqiptar, me administrimin e revoltave që ishin pasojë e piramidave që sollën aqë rrënim ekonomik dhe humbje jetësh njerëzore. Zonja Albright si figurë peshërëndë në Këshillin e Sigurimit bëri përpjekje të palodhura për vendimin e vështirë të dërgimit e forcës shumëkombshe ushtarake që hyri në territorin tonë dhe u bë garanci e restaurimit të qetësisë dhe rifillimit të rendit pas një kaosi të turbullt për t’u vënë nën fre. Ikja e kësaj zonje na trishton së tepërmi dhe i dëshërojmë të paharrueshmes Madeleine Albright të prehet në amëshim. U shtoj shënimeve të mia edhe hollësira interesante të qëmtuara më së miri nga gazetari Enver Robelli dhe që hedhin dritë mbi formimin e karakterit të saj të veçantë. “Madeleine Albright u lind në një familje hebraike në Pragë më 15 maj 1937 me emrin Maria Jana Korbelová. 25 anëtarë të familjes së saj janë vrarë në Holokaust, gjenocidin nazist kundër hebrenjve. Në autobiografinë e saj kjo profesore e shkencave politike ka përshkruar rrugën e saj jetësore dhe të familjes së saj. Që në moshën dyvjeçare Albright u gjend në Londër, ku familja e saj iku nga terrori nazist në Çekosllovaki. Në vjeshtë të vitit 1945 i ati i saj u emërua ambasador çekosllovak në Beograd, ku u vendos me familjen e tij, përfshirë edhe «Madlenkën» e vogël. Pas puçit komunist në Pragë në vitin 1948 familja emigroi në SHBA. Më 1957 ajo mori shtetësinë amerikane. Prindërit i kishin folur asaj shumë për jetën si refugjatë, por jo edhe për origjinën hebraike. Madeleine u rrit me besimin katolik, të cilin e kishin përqafuar prindërit e saj. 60 vjet pasi babai i saj kishte shërbyer në Beograd si ambassador. Më vonë e bija e tij ishte njëra prej përkrahësve më vendimtare të bombardimit të këtij qyteti, prej nga kishte filluar fushata për vrasjen dhe pushtimin e popujve të tjerë të Ballkanit. Gjatë kohës që ushtroi detyrën e Sekretares së Shtetit ajo e quajti Amerikën një «komb të pashmangshëm», pa të cilin nuk mund të zgjidhen shumë probleme. Gjatë fushatës së fundit elektorale ajo ishte kundërshtare e rreptë e Donald Trumpit dhe përkrahur Hillary Clintonin. Albright u bëri apel grave të votojnë kandidaten demokrate duke thënë se në ferr ekziston një sektor për gra, të cilat mëkatojnë duke mos përkrahur gratë. E zemëruar me deklaratat urrejtëse të Trumpit kundër të huajve, e sidomos myslimanëve, Albright paralajmëroi se në shenjë solidariteti me myslimanët do të regjistrohej si myslimane.” Janë episode mjaft domethënëse për të kujtuar një figurë madhore që pati jetë në truallin amerikan dhe rol të rëndësishëm në fushën e politikës së Shteteve të Bashkuara.