• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HAJDUTËT APO SPIUNËT ?

January 8, 2022 by s p

Dr. Erion Dasho/

Hetimet e fundit me sa duket po e lidhin skandalin e nxjerrjes së pagave me një histori spiunazhi. Në favor të Rusisë, shtetit që ka një nga agjencitë më profesioniste të inteligjencës klasike dhe digjitale! Media (sidomos ajo pro-qeveritare) po nxiton ta propagandojë këtë fakt me një qëllim të qartë: fashitjen e zemërimit dhe zhytjen në harresë të skandalit të dyfishtë – thyerjes së konfidencialitetit të një prej informacioneve më private të individëve dhe ynereve që zbuluan pagat tashmë të dala në shesh. Le t’i marrim me radhë: Një shtet ku një punonjës korruptohet me 200 dollarë për të shitur pagat e gjithë të punësuarve publikë dhe privatë, nuk është shtet, por një bandë haxhiqamiliste. Madje edje banditi i famshëm i fillimshekullit të kaluar besoj e trajtonte me më shumë respekt informacionin. Për të zgjidhur këtë problem, nuk mjafton të hetohet dhe të dënohet personi që shtypi tastierën, por ata që mbajnë përgjegjësinë për kuadrin ligjor dhe rregullator, konceptin e sigurisë kibernetike në AKSHI dhe kontrollin e përditshëm (me mekanizma digjitalë dhe analogë) të mënyrës se si zbatohen këto masa sigurie. Për mendimin tim përgjegjësia fillon nga kryeministri që ka shtyrë përpara një agjendë digjitale pa u merakosur për faktin se nuk ka as fonde dhe as njerëz të aftë për ta konceptuar dhe zbatuar një masë të tillë transformuese. Në një status të para disa ditëve e kam krahasuar nismën për Shqipërinë digjitale me koncertin në vitin 36 dhe ky krahasim besoj se mjafton që çdokush të kuptojë se përse bëhet fjalë… *** Së dyti, informacioni i dalë në shesh tregoi anën më të errët të mënyrës se si qeveris forca politike aktuale. Që prej ardhjes së saj në pushtet, ka patur akuza se promovimi i PPP-ve si masë “magjike” për të zgjidhur problemet e ekonomisë dhe industrisë së shërbimeve, është në fakt një mënyrë moderne hajdutërie dhe korrupsioni. Njohja me sistemin e pagave të koncesionarëve e provoi këtë dyshim. Të fryra përtej çdo mase, disa prej këtyre pagave ishin edhe indikacione të qartë të abuzimit. P.sh. një i afërm i personit që merrte vendimin për të dhënë kontratën koncesionare paguhej dhjetëra mijëra euro nga i njëjti koncesionar. Ose një shofer në koncesionar (që mund të imagjonohet lehtë se kush e ka rekomanduar) paguhet më mirë se Presidenti i Republikës.Kjo metodë vjedhje dhe korruptimi është denoncuar shpesh, por tashmë publiku ka edhe provat që katërcipërisht provojnë akuzat që deri më parë ishin hipotetike ose të njohura vetëm për një rreth të ngushtë njerëzish.*** Skandalet e shumta që hapi skandali i nxjerrjes së pagave nuk mund të mbulohen me krijimin e një skandali artificial me shërbimin e sigurisë ruse. Shërbimi rus që mendohet se ka aftësinë të komprometojë zgjedhjet amerikane, apo që para disa vjetësh bllokoi e-Estoninë, programin më profesional të digjitalizimit në Europë, nuk ka nevojë për një punonjës që korruptohet me 20 mijë lekë! Me këtë paçavure sistem që ka ngritur Edi Rama me shokë, edhe një haker amator mund të hyjë dhe të bëjë lëmsh gjithë shtetin shqiptar. Prandaj, në vend që të merret me filma me 007-të, prokuroria shqiptare bën mirë të hetojë hajdutët që kanë tetë vjet që zhvatin xhepat e shqiptarëve! Ndërkohë t’u futë edhe ndonjë “pëllëmbë” kalamajve që kujtojnë se mund të ndërtojnë Shqipërinë digjitale sipas tekave të një të marri…

Filed Under: Komente

DANJA dhe MANDARINA e pabindur

January 6, 2022 by s p

Prof. Dr. Ylli Pango/


(Mos vallë patët nevojë për një përralle janari me mandarina? Per te shplodhur pak stomakun nga të ngrënat? Apo për të qetësuar disi koken nga politika, kronika e zezë dhe pandemia? Po e provoj një herë)…Mandarina bie nga pema mbi bar. Danja e merr me doçken e vogel, e ngre lart dhe do ta ngjise prape te dega nga ra. Mandarina nuk do. Nuk ngjitet.Danja sa nuk qan nga inati. Nga pafuqia…Behet gati të kepuse vete nje mandarine tjeter qe i varet deri prane syçkave.“Danja jo! Nuk ngjitet prape mandarina në pemē”i thotë mama. “Mos ja keput motren tjeter. Nuk do ngjitet as ajo. Nuk ka faj mandarina. As motra e saj që ra. Nuk ngjiten prape mandarinat që bien.As kur këputen”…Danja mendohet“Më mire bjere ketu kokerrzen qe ra. Bjere ta ćojme ne shtepi, ta ngrohim. T’ja qerojme lekuren.” …Nuk i ben zemra t’i thote “ ta hame”. Vete Danja kur ta shohe te qeruar do ja kerkoje. Do i thote “mende,mende”. Siç thote gjithmone kur mami qeron mandarinen e ja ben gati t’ja fuse te goja e vogel. …(ai nuk thote dot ende as “manda…manda”… per tu pergatitur per te thene ndofta pakëz më vonë “mandarina”)…Po kjo kokkërrza qe ra nuk eshte ajo mandarina e shtepise. Kjo eshte mandarina e pemes. Danja e ka pare te kopshti, jo te shporta e frutave te shtepia. Kjo eshte tjeter. Kjo eshte loder. Madje loder e pabindur……Danja mendohet edhe pak. Pastaj e degjon mamin. Bindet. E merr mandarinen qe ra. E shpie te mami solemnisht. Mandarinka bashkohet me boçat e vogla të pishes që rrinë urtë ne preherin e mamit. Pastaj Danja shkon prape poshte pemes se mandarines. Hap duart dhe pret te bjere nje mandarine tjeter. Ajo që eshte me afer. Mu mbi koken e tij te vogel. Ndofta kete do te arrije ta ngjise prape ne peme. Po mandarina nuk bie. Danja merzitet. “ Ç’loder eshte kjo keshtu? As nuk bie prape.,,As nuk ngjitet prape më në vendin e saj. Loder e pabindur.”. …Danja fillon të lëkundet në besimin se eshte ai mbreti i gjithesise. I Mbreterise se lodrave dhe asaj të mamit..Paska dhe shtetas te pabindur. Mandarina që s’i binden “qeverise”. Rebelë. Lodra në koke te vet…Jo si ato lodrat e bindura e të urta te shtepise. Apo si mandarinat e shportes që presin të bindura t’i qërosh e t’i hash..… Danja fillon e ndjen të levizë pak nga qendra e botes.A eshte vertet aq i gjithfuqishem.? …Ai fillon të mesojë edhe te humbe. Që jo çdo gje t’i bindet atij si lodrat e heshtura te shtepia. Si mama. Bota rreth Danjes po fillon te behet pak me ndryshe. Pakez me e madhe. Pak si e pabindur…Dhe Danja po rritet ca nga ca bashkë me botën e madhe.

Filed Under: Komente

HARRIS MË NË RËNIE SE SA BIDEN: MIKLIME, NDRYSHIME DHE HAKMARRJE

January 4, 2022 by s p

Nga FEDERICO RAMPINI – “Corriere della Sera”, 27 dhjetor 2021 –  Përktheu: Eugjen Merlika

Shpëtoni ushtarin Harris. Ku ka humbur e shkëlqyera Kamala, luftëtarja që duhej të ishte udhëheqësja e vërtetë e Administratës Biden, ose së paku shpresa e s’ardhmes? Pritmëritë rreth nënpresidentes qenë të pamatëshme në kohën e emërimit të saj. I moshuari Joe quhej i dërmuar që në nisje, ajo duhet të përfaqësonte gjithë risinë dhe një ngarkesë të fuqishme energjie.

Ndërsa qe e para që u fundos në hulumtimet e nuk ka reshtur kurrë: bën më keq se vetë Biden-i. Është më pak popullorja e të katër nënpresidentëve të fundit.  Mediat kanë përmbysur tregimin mbi të, sot flasin për të si për një inkompetente (nuk studjon dosjet), arrogante, herë herë histerike. Seksizmi është I bollshëm në komentet dhe ajo ankohet me bashkëpuntorët, duke rrëfyer se do t’ishte trajtuar ndryshe nëse do t’ishte një mashkull I bardhë. Por janë një fakt ikjet nga stafi i saj. Harris krahasohet me Dan Quayle, zëvendësin e Georg Bush i Vjetri, legjendar për gafat e tij; ose “tuafen” Sara Pahlin që si shpatull e John McCain-it qe gazi i satirës.

Alarmi për shëmbjen e Harris lind një rrahje mendimesh të parakohëshme mbi rikandidaturën e Biden-it. Dukej i sigurtë se ai do t’ishte president i vetëm një mandati: do të jetë 82 vjeç në rizgjedhje. Është e vërtetë se ai do të kishte qënë i pari president që nuk do të rikandidohej nga koha e Lyndon Johnson-it, i shkatërruar nga lufta në Vietnam më 1968; por faktori moshë peshon  së bashku me atë kthjelltësi që nuk është gjithmonë në 100 %. I zhdukur “plani B”, pra mundësia Kamala, sot krerët e partisë bëjnë sikur i besojnë pohimit të Shtëpisë së Bardhë (plaku Joe do të përsërisë). Dhe lista e emërimeve ka kaluar në “planin C”, duke lëshuar kandidatë si Pete Buttigieg ose Mitch Landrieu. Jo rastësisht ata mbarështojnë planin e madh që Biden-i arriti t’a bëjë të miratohet nga Kongresi, njëmijë miliardë investime në infrastrukturë.

Ajo që mbetet nga rendi i ditës i reformave ka marrë një goditje të përsosur. Një senator demokrat i moderuar, Joe Manchin i a mohoi votën e tij – vendimtare – Build Back Better, planit të stërmadh të dymijë miliardëve për kalimin në xero ndotje mjedisi e për të ndërtuar një Welfare “evropian”. Harris u pyet nga një gazetar i njohur televiziv afroamerikan, Charlamagne Tha God, me një pyetje tallëse: “Kush qeveris Amerikën? Biden-i apo Manchin-i?” Zëvendësja u tërbua, disa muaj më parë quhej ajo udhëheqësja në pritje mbas hijes së Biden-it. Vetoja e Manchinit shënon një dukuri më të gjërë, me pasoja të mundëshme mbi gjithë botën: në partinë demokratike ka filluar kryengritja e qëndërsorëve dhe ka mbaruar epoka e harxhit publik të lehtë. Amerika i ka dhënë mësim të gjithë Vëndeve perëndimore, për rezervat e pamasa publike të vëna në shërbim gjatë pandemisë. Rigjallërimi i ekonomisë dhe ringjallja e inflaksionit, mbajnë shenjën e atyre politikave keineziane të vëna në jetë me një vazhdimësi të përsosur nga Donald Trump-i dhe Biden-i. Tani ai kapitull mbyllet. Lufta kundër inflaksionit kthehet në një përparësi të bankës qëndrore. Demokratët duhet të shndërrojnë mesazhin e tyre. Një hemoragji votash i kërcënon ndërmjet të rinjvet: dyshja Biden-Harris kishte premtuar një falje të borxheve universitare (dhjetëmijë dollarë për kokë) që nuk mund t’a mbajnë. Shëmbja e Kamalës ka një mbrapaskenë të fshehtë, të rrënjosur thellë në partinë demokratike. Mediat përparimtare i kthyen krahët nënpresidentes në qershor. Galeot qe udhëtimi i saj në Amerikën qëndrore. Biden-i i kishte besuar një nga dosierët më shpërthyes: krizën e mërgimtarëve, trysninë e të ikurve në kufirin e Jugut. Mesazhi i Harris qe ”t’i ndihmojmë në shtëpinë e tyre”. Përdori fjalë t’ashpëra, “qëndroni sepse nuk ju mirëpresim”. Qe një misjon i vështirë por i domosdoshëm. Shtëpia e Bardhë kishte nevojë të kundërshtonte mesazhin skajor të së majtës “no border”, mbasi udhëheqësja radikale Alexandria Ocasio Cortez kishte shpallur shfuqizimin e policisë së kufirit. Aq më shumë me milionë të papunë dhe kovidin në pritë, lejimi pa cak i hyrjeve do të kishte qënë një vetëvrasje politike për demokratët. Biden-i është kujtesa historike e së majtës klasike, socialdemokrate dhe puntore: klasat puntore amerikane kanë qënë të mbrojtura më mirë kur kufijtë ishin gjysëm të mbyllur dhe emigracioni qeverisej.

Kur Harris u flijua për këtë çështje, e majta e partisë së saj e pa si një tradhëtare. U shkri mëdyshja që kishte shënuar emërimin e saj. Biden-i kishte zgjedhur Harris-in për arsye thjesht estetike: grua, pesëdhjetëvjeçare, që rridhte nga dy pakica etnike, hindiane dhe afroamerikane. Ishte krejt e kundërta e presidentit, mashkull, i bardhë, i vjetër, katolik. Prandaj ajo ishte “revolucionare” për përcaktim. Harris e vërtetë nuk i përgjigjej këtij stereotipi. Nëna e saj vinte nga Hindia, por nga kasta e privilegjuar e braminëve tamil dhe ishte një punonjëse shkencore e shkëlqyer në universitetin e Berkeley-t. I ati ishte xhamaikan , por një ekonomist i njohur, një akademik  në zë. Si ministre e Drejtësisë në Kaliforni, Harris kishte dhënë dënime të ashpra kriminelëve, në kundërshtim me prokuroritë përparimtare. Harris i ishte huajtur një shtirjeje duke lëvduar Black Lives Matter, #Me Too e të gjitha rrymat radikale të së majtës. Biografia e saj i përgjigjej një tregimi krejt tjetër: historia e prindërve të saj është apoteoza e një American Dream të ndërtuar nga elita të mërguarish të mbikualifikuarësh, që bëhen klasë drejtuese dhe vënë në jetë rregullat e lojës anglosaksone; e kundërta e ideologjisë së sotme të korrektësisë politike. Kundër Kamalës është derdhur hakmarrja e atyre që janë ndjerë të tradhëtuar, sepse ajo nuk është pasionaria mbi të cilën kishin vënë bast. Ndoshta është vonë për t’a bërë t’i përshtatet atyre të moderuarve të qëndrës që po rreken të ripushtojnë partinë.

Mungojnë dhjetë muaj nga legjislativet e mesit të mandatit. Do të duhej një kthim i padëgjuar i klimës politike për të shpëtuar shumicën demokratike në Kongres. Në rast të kundërt do të vërtetohet çmëndurimi i rrethit politik amerikan: votuesit zgjedhin një president për katër vite, por mbas vetëm një dyvjeçari i heqin atij shumicën parlamentare e së bashku me të çfarëdo veprimtarie të qeverisë. Lapidar ky gjykim i Matt Lewis në Daily Beast: “Nëse është Kamala Harris pengesa e fundit ndërmjet nesh e një Trump-i të dytë, atëherë Zoti na ndihmoftë”.

“Corriere della Sera”, 27 dhjetor 2021   Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Komente

NJË BASHKIM I VËRTETË PËR TË PESHUAR MË SHUMË NË BOTË

January 3, 2022 by s p

Nga ANTONIO ARMELLINI – “Corriere della Sera”, 26 dhjetor 2021   Përktheu: Eugjen Merlika

Evropa din t’I kthejë krizat në raste rritjeje, thonte Jean Monnet. E drejtë; por shumë kriza mund t’I bëjnë shumë keq BE. Ngatërresa rreth Irlandës së Veriut do të mbarojë shpejt a vonë, për të gjetur ndonjë rrugëdalje e për të shmangur kthimin e luftës civile në rajon. Polonia e Hungaria i japin shumë rëndësi mbështetjes ekonomike të Brukselit, për të tërhequr përtej cakut litarin në lëmin e Shtetit të së drejtës dhe lirive themelore. Hipokrizia e përgjithëshme mbi tragjedinë e të mërguarve do të sjellë në një lehtësim, që do të japë pak frymëmarrje edhe pa ndryshuar bazën e gjëndjes. “Lufta e peshkut” ndërmjet Londrës dhe Parisit nuk do të vazhdojë deri në pafundësi. Të gjitha këto paraqesin shënja dobësie të Bashkësisë që, në mungesë të një synimi politik të bashkëndarë, rrezikon të coptohet rrezikshmërisht.

Për të Gjashtët e Evropës së Monnet synimi ishte: ai i një tregu të përbashkët që do t’i jepte jetë një bashkimi mbikombëtar, me Komisionin si një embrion i parë i një qeverie federale. Ai formalisht ka mbetur në këmbë, por nga zgjerimi në zgjerim është ngarkuar me dykuptimësi e rezerva që kanë dobësuar natyrën dhe themelet. Zotimi drejt një “bashkimi gjithënjë e më të shtrënguar”, i ritheksuar në Lisbonë, ka pasur për Vëndet antare kuptime të ndryshme e pjesërisht të papajtueshme, ndërmjet atyre që vazhdojnë të shohin në bashkimin politik e të tjerëve që shohin një mjet racionalizimi të tregut, me një minimum spitullimesh institucionale. Funksionimi i BE për pasojë është zhvilluar dhe ndërmjetësimi ndërqeveritar në këshillin evropian ka fituar hapësirë kundrejt rolit shtyrës të Komisionit, të lidhur shpesh në një rol vartësie.

Ka një BE që vazhdon të dojë të jetë federal, i Vëndeve themeluese pak a shumë. Dhe ka një BE të kombeve, dje e Margaret Thatcher e sot e danezëve, skandinavëve e së fundi i Vëndeve të Vishegradit, të cilët për lëshime të sovranitetit nuk duan të dëgjojnë të flitet, e mbasi kanë hequr nga shpina ish perandorinë sovjetike, kërkojnë të rifitojnë kryesisht njimendësinë e tyre kombëtare e të sigurohen nga përhapja ruse. E gjithë kjo ndërsa rritet thirrja e “shpirtit të Ventotenes” nga ana e shumëve që, me gjasë, Shpalljen e Altiero Spinellit dhe Eugjen Colornit nuk e kanë rilexuar, (po t’a bënin ndoshta do të ndërronin mendim).

Evropa federale dhe Evropa e kombeve janë mënyra të të qënit të të njëjtit BE, të themeluar mbi parimet e Shtetit të së drejtës, të lirisë së individit, të demokracisë përfaqësuese, të ekonomisë së tregut e të solidaritetit shoqëror, që përcaktojnë thelbin e idesë s’Evropës. Respektimi i rregullave është kusht i nevojshëm i pjesëmarrjes për të gjithë, por në brëndësi të këtij rrethimi të përbashkët qytetërimi ka jo vetëm shpejtësi dhe rrugë të ndryshme, por edhe synime të ndryshëm e të pavarur mes tyre. Të kërkohet mbledhja e tyre në një formular të vetëm do të thotë mos të bëhet llogari me realitetin.

Duhet të merremi vesh. Duke paraqitur programin e gjashtëmujorit francez të kryesisë evropiane, Makroni ka skicuar një tabllo të një BE fuqimisht të integruar, politikisht të lidhur dhe t’aftë për të luajtur një rol botëror. Për t’arritur është i nevojshëm një hop cilësor në kah mbikombëtar  në plotësimin e bashkimit monetar me “çastin hamiltonian” të këmbës së saj ekonomike (por dikush kujton se krijimi i një bilanci federal me Hamilton qe pasoja e jo parakushti i bashkimit politik të Shteteve amerikane), me shtysën e një politike të emigracionit e të sigurisë, të një mbrojtjeje evropiane e të një politike të jashtëme të përbashkët.

Por fakti është se për një  zotim të tillë, të përbashkët për të gjithë Njëzeteshtatët, nuk shihen gjurmët e duhet kuptuar si duhet bërë për të lejuar atë që është i gatshëm të shkojë përpara më vete, në një kuadër të hapur për të gjithë, por pa pësuar kushtëzime nga ata që vendosin të qëndrojnë jashtë. Përmasa ndërqeveritare e BE është një vlerë e rëndësishme  e duhet të vazhdojë të fuqizohet tek të Njëzeteshtatët në të gjithë sektorët ku hapen hapësira. Duke filluar nga mbrojtja e rrethimit të qytetërimit për të cilin u fol më sipër, duke kundërshtuar e aty ku është e mundur për të qepur grisjet: edhe në Poloninë e Dudas e në Hungarinë e Orbanit votohet lirisht dhe, për të ndryshuar, është e domosdoshme të vazhdohet të bëhet. Nuk bëhet fjalë për të përfytyruar hierarki, sektorë të shtangët apo ndarje të padepërtueshme; BE duhet të rrisë efektshmërinë e tij duke u ndarë në brëndësinë e tij në shumë Evropa, t’arsyeshme, autonome dhe bashkëpunuese mes njëra tjetrës, duke mos patur frikë të përballohet me pandryshueshmërinë e Traktateve, gjë që BE e ka bërë sa herë ka qënë e nevojshme.

Sfida është vendimtare. Nëse do t’arrijë të eci drejt një bashkimi të vërtetë politik – duke u nisur nga ata që hap mbas hapi dëshërojnë të bëjnë pjesë – BE ka të drejtë të kërkojë një vënd të rradhës së parë në skenën ndërkombëtare. Nëse nuk do t’arrijë, nuk do të zhduket e do të mbetet një bllok politikisht dhe ekonomikisht ndikues. Por në vënd që të jetë një protagonist i barazpeshave gjeopolitike që po përvijohen, duhet t’i nënështrohet rolit të një spektatori.

“Corriere della Sera”, 26 dhjetor 2021   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Komente

Sfida jonë me të rinjtë: a dimë t’i inkurajojmë?

January 2, 2022 by s p

Agim Baçi/

Drejtori i North College, John Tapene, në Zelandën e Re, kohë më parë gjeti një mënyrë të drejtpërdrejtë të komunikonte me të rinjtë e vendit të tij, teksa iu drejtua atyre që të hiqnin dorë nga argëtimet pa kuptim, nga kërkesa pa fund ndaj prindërve dhe të tjerëve, dhe t’i kthejnë sytë nga guximi i hapave të tyre për të ecur vetë në jetë, nëse duan një jetë apo një shoqëri më të mirë.Një thirrje e tij na sjell të gjithëve në vëmendje një çështje madhore për të gjitha shoqëritë, teksa gjendemi përballë rrezikut të një shkërmoqjeje marrëdhëniesh mes brezash. Por, në fakt, a dimë ne t’i inkurajojmë sot të rinjtë që ata të guxojnë në jetë të gjejnë vetë rrugën e tyre drejt një të ardhmeje të moralshme dhe me virtyte? A jemi të shqetësuar se me çfarë merren ata? A jemi sot në gjendje të flasim hapur për atë çka i shqetëson dhe për mënyrën se si duhet ta shohin jetën? A jemi sot në gjendje të mbajmë marrëdhëniet e lidhura mes brezave?Po të shohim lajmet, po të ndjekim shqetësimet e mësuesve të fëmijëve tanë, mund të kuptojmë shpejt se pothuajse të gjithë jemi dorëzuar nga pak nga përpara kërkesave të pafundme nga ana e fëmijëve për veshje, për pajisje elektronike, për udhëtime, për teka pa fund – pra për gjithçka materiale. Në nxitim të përditshmërisë sonë, shumë pak u flasim atyre për jetën tonë të mëparshme. U kërkojmë shumë pak të komunikojnë me gjyshërit, e aq më pak edhe me fqinjët. “Shko në shtëpi, laj dritaret, mëso të gatuash, ndërto diçka, gjej një punë, vizito një të sëmurë, bëj detyrat e shkollës dhe pasi t’i kesh mbaruar, lexo një libër. Vendi yt nuk detyrohet të të sigurojë ambiente çlodhëse dhe as prindërit nuk e kanë për detyrë vetëm të të argëtojnë. Bota nuk të detyrohet asgjë, duhet ta fitosh vetë jetën. Ti i detyrohesh botës diçka”, shprehej Tapene, duke ngritur disa nga çështjet që tashmë janë të përbotshme. Por kjo çështje e ngritur nga neozelandezi Tapene, si njeriu që kontakton çdo ditë me nxënësit, prej kohësh është ngritur edhe nga psikologë dhe filozofë. Kështu, neuropsikologu i famshëm grek, Nikos Sideris, në librin e tij lidhur me komunikimin me fëmijët, vë në plan të parë komunikimin që duhet të bëjnë prindërit dhe jo psikologët.Sipas Sideris, janë prindërit ata që duhet t’u tregojnë fëmijëve atë që mundet dhe atë që nuk mundet apo që nuk duhet ta kenë, si dhe të jenë gjykues ndaj asaj që shfaqin fëmijët në përditshmërinë e tyre. “Është e dëmshme për vetë fëmijën, nëse imagjinata e tyre do të diktojë qëndrimin e prindërve”, shprehet Sideris, duke kërkuar nga prindërit që bashkëbisedimin me fëmijët e tyre ta shikojnë edhe si një bashkëbisedim me veten, si një rritje tjetër. Sideris vë re në librin e tij, duke iu referuar përvojës si psikolog, se shumë prindër nuk janë të qartë kur u thonë fëmijëve “Mos!”, ose “Jo!”, duke inkurajuar dyzimin.Ndërkaq, filozofi spanjoll Fernando Savater sugjeron që t’u mësojmë fëmijëve se pasojat që vijnë nga liria për të vepruar nuk mund të mohohen apo zhduken sipas qejfit. Sipas Savater, Liria nuk është për të pasur çdo gjë, por për të pranuar pasojat në të mirë apo në të keq, në varësi të asaj që na ka ndodhur apo që nuk arritëm të bënim. Ky moskomunikim ka bërë që prindërit dhe fëmijët e sotëm të mos diskutojnë asgjë, madje as ato gjëra, të cilat i prekin çdo ditë apo do t’i prekin në të ardhmen, sidomos kur të jenë në pleqërinë e tyre.Duhet ta pranojmë që kjo sfidë nuk është aspak e lehtë por, të paktën, ne kemi detyrë t’i inkurajojmë fëmijët që të guxojnë të gjejnë rrugën e tyre, duke marrë përsipër detyrimet e tyre për një jetë dinjitoze. T’u mësojmë se të gabosh është njerëzore, por që të kërkosh falje është edhe më njerëzore. T’u mësojmë se udhëkryqet në jetë merren kur ke një dorë pranë, kur mundesh që të shohësh tjetrin në sy, dhe kur e kupton që je pjesë e një shoqërie ku ke detyrimet e tua për ta bërë më të mirë. E sidomos t’u themi se, jeta pa dorën drejt tjetrit rrezikon të ketë pasojë vetëm vetminë dhe zhgënjimin.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 119
  • 120
  • 121
  • 122
  • 123
  • …
  • 489
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT