• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Deklarata e gjeneral Teodoros Pangallos mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe të drejtat e minoriteteve (1925–1926)

May 13, 2025 by s p

Dr.Nikollë Loka/

Pas Luftës së Parë Botërore, marrëdhëniet greko-shqiptare u përfshinë në një klimë mosbesimi dhe tensioni, të shkaktuara nga pretendime territoriale, trajtimi i pakicave dhe çështje identiteti etnik. Në këtë kontekst delikat diplomatik, një intervistë e realizuar në vitin 1926 nga gazetari Vangjel Nasho Qirko me Presidentin e Greqisë arvanitasin Teodoros Pangallos ofron një pasqyrë të politikës së jashtme greke dhe qasjes së saj ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Gjenerali Pangallos, i njohur për retorikën e tij direkte dhe rolin e tij në stabilizimin e Greqisë pas katastrofës së Anadollit, në intervistën e dhënë deklaron një orientim të qartë drejt paqes dhe stabilitetit rajonal. Ai shprehet se “Greqia ka arritur kufijtë e saj natyrorë dhe se politika ekspansioniste ka përfunduar. Në këtë kuadër, ai shpreh dëshirën për ndërtimin e marrëdhënieve miqësore me Shqipërinë, të cilën e cilëson si “motër të vogël” me të cilën Greqia ka ndarë “lidhje origjine, gjaku e luftërash të përbashkëta”.

Përpara se të shqyrtojmë dhe analizojmë deklaratën e kryeministrit të Greqisë, është e nevojshme të përmendim një informacion të rëndësishëm të dërguar nga Mid’hat Frashëri nga Athina më 17 tetor 1925, drejtuar Hysen Vrionit, ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Ky informacion ka të bëjë me një takim të zhvilluar me zotin Pangallos dhe përmban detaje që pasqyrojnë orientimin diplomatik të zotit Pangallos. Në këtë letër, Midhat Frashëri shprehet: “Sot poqa zotin Pangallos… u përgjegj se dëshironte edhe ay fort shumë që të jemi miq, ndaj ka dhënë urdhër në Ministri të Punëvet të Jashtme të kërkohet nga Shqipëria, agrementi për gjeneral Kondulin, si ministër. Shtoi se Kondulin e ka mik personal dhe se është dashamir i shqiptarëve”. Ky informacion, i botuar në vëllimin e tetë të veprës së zgjedhur të Mid’hat Frashërit, ofron një pasqyrë të rëndësishme të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë gjatë vitit 1925, duke u theksuar jo vetëm përpjekjet për të zhvilluar marrëdhënie miqësore, por edhe figura kyçe që mund të ndihmonin në forcimin e këtyre lidhjeve, siç është rasti i Gjeneral Kondulin, i konsideruar prej tij si mik i shqiptarëve.

Deklarata e gjeneral Teodoros Pangallos, si president i Greqisë (1925–1926), përbën një nga momentet më të veçanta në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Qasja e tij, e shprehur në termat më të qartë dhe të drejtpërdrejtë, dëshmon një përpjekje për të çliruar politikën greke nga trashëgimia e nacionalizmit ortodoks dhe për të ndërtuar një raport fqinjësor mbi baza respekti reciprok dhe realizmi etnopolitik. Një nga elementet më domethënës të kësaj deklarate është mohimi i doktrinës tradicionale greke që e identifikonte ortodoksinë me grekësinë. Pangallos artikulon qartësisht se kombësia nuk mund të ndërtohet mbi përkatësi fetare, por mbi racë, gjuhë dhe ndërgjegje kombëtare: “Ortodoksët shqiptarë, nga raca, gjuha, kombësia, janë shqiptarë…”. Ky qëndrim paraqet një ndryshim rrënjësor nga pozicionet e mëparshme të Athinës zyrtare, të cilat kishin përdorur ortodoksinë si mjet politik për të justifikuar pretendimet mbi Jugun e Shqipërisë, të quajtur nga qarqet greke “Vorio Epir”.

Deklarata përmban një tjetër komponent të rëndësishëm: njohjen zyrtare të minoritetit shqiptar në Greqi. “Çamëve u njihen gjithë të drejtat si minoritet shqiptar në Greqi…”. Pangallos nënvizon se problemet e pakicave etnike nuk duhet të shërbejnë si burim tensioni, por përkundrazi si ura bashkëpunimi. Ai thekson njohjen e minoritetit shqiptar në Epir dhe premton zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare në favor të tyre, duke premtuar ndëshkim të elementëve lokalë përgjegjës për shkelje të të drejtave të tyre në të kaluarën. Në një kohë kur çamët përballeshin me diskriminim sistematik dhe më vonë u dëbuan me forcë nga trojet e tyre në vitet 1944–1945, ky qëndrim i Pangallos ishte revolucionar dhe largpamës, duke parashikuar standardet ndërkombëtare për të drejtat e pakicave.

Pangallos merr një pozicion të prerë kundër organizatave nacionaliste si klubet “vorio-epirote”: “Do të shpërndajmë të gjitha klubet vorio-epirote dhe organizata të tjera të tilla…”Kjo ishte një politikë e paimagjinueshme për shumë qarqe greke të kohës. Për herë të parë, një udhëheqës grek i nivelit të lartë e konsideronte të nevojshme çmontimin e një mekanizmi institucional që ushqente tensione dhe destabilitet në Shqipëri, me qëllim ndërtimin e një marrëdhënieje të sinqertë e të barabartë. Përveç çështjeve etnike e identitare, deklarata merr një kthesë të qartë në sferën praktike: Kjo përfaqëson një model bashkëpunimi të bazuar në interesin e ndërsjellë, një qasje që mungonte në marrëdhëniet shqiptaro-greke, zakonisht të ngarkuara nga tensione politike dhe pretendime territoriale.

Që nga fundi i marsit 1926, nisën përpjekjet për nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh ndërmjet qeverive të Shqipërisë dhe Greqisë, që kishin si synim zhvillimin e tregtisë dypalëshe dhe rregullimin e çështjeve konsullore, të nënshtetësisë dhe të ekstradimit. Pangallos e kuptonte se stabiliteti rajonal ndërtohet mbi ndërlidhje ekonomike dhe komunikim të hapur, jo mbi politika përjashtuese. Më tej, ai përdor një gjuhë të butë, dashamirëse dhe afirmative, që ishte jashtë normës për një figurë ushtarake në krye të shtetit:“Duhet të japim prova të gjalla kundrejt motrës së vogël, Shqipërisë, që ushqejmë ndjenjat më të sinqerta…”Ky ton afektiv dhe paternalist, megjithëse mund të ngjajë romantik, përfaqëson një përpjekje të sinqertë për çlirimin e marrëdhënieve nga trauma historike, përfshirë Luftën e Parë Botërore dhe përplasjet e hershme për kufijtë.

Deklarata e Pangallosit është një dëshmi unike e një alternative politike që fatkeqësisht nuk u përqafua nga pasardhësit e tij. Me rrëzimin e tij nga pushteti dhe rikthimin e nacionalistëve konservatorë, Greqia rifilloi politikat hegjemoniste ndaj Shqipërisë dhe mohoi ekzistencën e pakicave shqiptare në territorin e saj. Megjithatë, ky moment historik mbetet një shembull i një mundësie të humbur për fqinjësi të mirë, bazuar në respekt, realizëm dhe të drejta të barabarta. Ai tregon se edhe në një rajon të ngarkuar me konflikte etnike dhe pretendime territoriale, është e mundur të artikulohen politika të guximshme dhe paqësore, nëse ekziston vullnet politik dhe vizion shtetformues.

Në përfundim, deklarata e gjeneral Teodoros Pangallos përbën një moment të rrallë qartësie politike dhe largpamësie në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Ajo sfidoi doktrinën tradicionale greke që identifikonte ortodoksinë me grekësinë, njohu të drejtat e minoritetit shqiptar në Greqi dhe propozoi një model fqinjësie të bazuar në barazi dhe bashkëpunim ekonomik. Megjithëse kjo qasje nuk gjeti vazhdimësi, ajo mbetet dëshmi se është e mundur të ndërtohen marrëdhënie ndërfqinjësore të qëndrueshme nëse respektohen identitetet kombëtare dhe të drejtat themelore të pakicave. Sot, në një kontekst evropian integrues, ky model përbën një referencë të vlefshme për politikën e jashtme dhe për zgjidhjen paqësore të çështjeve të trashëguara.

Filed Under: Komente

NEOSHQIPTARIZMI SI VIZION E MISION KOMBËTAR

May 10, 2025 by s p

Si ide e koncept neoshqiptarizmi  të shqiptarët është i njohur në mes dy luftërave botërore, ku personalitete të njohura  shqiptare të kohës kanë prezantuar pikëpamjet e tyre filozofike e sociologjike, që ishte në favor të mendimit politik dhe të identitetit kombëtar shqiptar. Në sajë të rrethanave shoqërore e politike pas shëmbjes së ideologjisë moniste në vendet e ish kampit socialist, shqiptarët kanë nevojë për neoshqiptarizmin sepse është  një thirrje për zgjim kombëtar, për rinisje dhe për ripërtëritje, duke qenë  vizion dhe mision për të tashmën dhe të ardhmën

Nail  Draga

Duke marrë parasysh se në kohën e monizmit në Shqipëri, autorët të cilët kanë trajtuar neoshqiptarizmin janë ekskomunikuar, por pas miratimit të pluralizmit nga viti 1990 e  më pas kjo çështje filloj të trajtohej nga një numër i kufizuar autorësh.  Pikërisht në lidhje me këtë çështje, kohë më parë Arian Galdini, opinionit i është paraqitur me botimin Neoshqiptarizmi, botuar nga Jozef në Durrës, 2025. 

Autori i librit çështjen e neoshqiptarizmit e trajton duke  analizuar një numër të konsideruar personalitetesh shqiptare, duke filluar me Sami Frashërin e përfunduar me Ismail Kadarenë.

Nuk ka dilemë se përfaqësuesit e Rilindjës  Kombëtare Shqiptare ishin ata të cilët kontribuan në ngritjen e vetëdijës e ndërgjegjës kombëtare shqiptare. Dhe në fillim autori  cekën Sami Frashërin, duke theksuar veprën e tij “Shqipëria çka qenë, ç është e  ç do të bëhët”, e cila ishte platforma politike kombëtare. Edhe personalitetet tjera të cilët  janë të prezantuar në këtë botim në forma të ndryshme kanë dhënë kontributin  e tyre  në lidhje me idenë dhe konceptin e neoshqiptarizmit. 

Në mes dy luftërave botërore, te ne shqiptarët koncepti i neoshqiptarizmit lidhet me emrat e nderuar si Branko Merxhani, Ismet Toto e Vangjel Koça. Por, duhet cekur se në atë kohë i veçantë ishte B.Merxhani me revistën “Përpjekja Shqiptare”, që ishte tribunë e mendimit shoqëror e intelektual, duke qenë model për kohën. Madje ky përmes konceptit të tij të neoshqiptarizmit kërkonte të ndërtonte një Shqipëri të bazuar mbi një elitë intelektuale dhe morale, duke përqafuar modernitetin pa humbur autencitetin kombëtar.

Komunvelti shqiptar

Por, nga kjo plejadë e personalitetesh, të prezantuara në këtë botim duke marrë parasysh se ka jetuar në kohën tonë, veçoj Arbën Xhaferin, i cili është prezantuar me konceptin    Komunveltit shqiptar. Në këtë aspekt ai ishte ideolog si rrallë kush  duke theksuar se në rrethanat aktuale shoqërore e politike, pas shëmbjes së ideologjisë moniste ne vendet e ish kampit socialist, shqiptarët duhet të formojnë   hapësirën e  përbashkët  politike, ekonomike e kulturore. Një platformë e tillë, meriton qasje të veçantë, e cila duhet të analizohet dhe të plotësohet sipas kërkesave të kohës, duke mbetur si koncepti ma i avancuar në aktualitetin gjeopolitik regjional e më gjerë. Nuk ka dilemë se për realizimin e një ideje të tillë, duhen kuadra të dëshmuara profesionale, guxim intelektual dhe vullnet politik, duke eliminuar paragjykimet dhe animozitetet personale e partiake. 

Doktrinë kombëtare

Trajtimi dhe mbeshtetja e neoshqiptarizmit  është obligim shoqëror dhe kombëtar duke dhënë shpjegimet e duhura, duke iu venë globalizmit dhe kosmopolitizmit. Një veprim i tillë nuk do të thot se ne nuk përfillin vlerat demokratike perëndimore, por në emër të modernitetit shoqëror nuk mund të humbin  vlerat identitetare, që është kundër identitetit kombëtar shqiptar. Neoshqiptarizmi, në këtë kontekst, bëhet jo vetëm  një doktrinë kombëtare, por edhe një model për të gjitha vendet që kërkojnë të ruajnë identitetin e tyre në një epokë të globalizmit dhe sfidave të mëdha globale. 

Neoshqiptarizmi shfaqet si një doktrinë që synon të ripërtërijë frymën kombëtare, duke u bazuar në vlerat më të mira të traditës shqiptare, familjen, meritokracinë dhe duke i harmonizuar ato me mendimin modern  konservator.

E kaluara si mësim 

Siç shkruante Burke, “një komb që nuk kujton të kaluarën e tij është i destinuar të mos këtë të ardhme”. Pikërisht, në këtë frymë, neoshqiptarzmi është një përpjekje për të kujtuar,  për të mësuar,  dhe për të ndërtuar. Neoshqiptarizmi  është një udhë që fton shqiptarët të lënë pas ndasitë dhe krizën e identitetit, për të ndërtuar një të ardhme të bazuar mbi vlerat më të mira të së shkuarës dhe potencialet më të mëdha të së ardhmes.

Neoshqiptarizmi kërkon të ringjallë shpirtin e shqiptarizmit, të ndërtojë një elitë të re mendimi dhe veprimi, duke u mbeshtetur në vlera, vizion e guxim. Më një fjalë neoshqiptarizmin duhet kuptuar si rinisje kombëtare, përkatësisht një përpjekje për të ringritur ndërgjegjën kombëtare shqiptare, që nderon të kaluarën, ndërton të tashmën  dhe përgatitë të ardhmën me guxim.

Leksion i obligueshëm shkollor

Duke marrë parasysh se nxënëseve  në shkollat fillore e të mesme,  iu mungon informacioni në lidhje me konceptin dhe semantikën e neoshqiptarizmit, mendoj se është e nevojshme që në programet mësimore shkollore(fillore e të mesme) neoshqiptarizmi  duhet të jetë njësi e veçantë mësimore e programeve mësimore shkollore. 

Eshtë obligim i institucionit  shtetëror që harton programet mësimore si në Tiranë e Prishtinë  që neoshqiptarizmi mos të anashkalohet por të jetë pjesë e programit mësimor, duke nxitur meditimin në favor të vlerës së identitteit kombëtar, si kudo në botën demokratike, sa më parë sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.. 

Vizion dhe mision kombëtar

Neoshqiptarizmi aspiron të jetë doktrina që udhëheq këtë mision, duke lidhur të shkuarën me të ardhmen, duke ndërtuar ura midis brezave dhe duke krijuar një frymë bashkëpunimi midis shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, luginë të Preshevës e diasporë. Përfundimisht neoshqiptarizmi është një thirrje për zgjim kombëtar, për rinisje dhe për ripërtëritje, është vizion, guxim  dhe mision për të tashmën dhe të ardhmën.

Arian  Galdini, NEOSHQIPTARIZMI,Botimet Jozef, Durrës, 2025

(Maj  2025)

C:\Users\123456\Desktop\download.jpg

Filed Under: Komente

“8 apo 9 Maj, betejë mes vlerave perëndimore dhe krimeve Putiniste”!

May 8, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

8 Maji 1945, mbetet përjetësisht i skalitur si një ngjarje madhore e fitores së njerëzimit ndaj nazifashizmit si dhe për mesazhet e “mos-harresës” që përcjell në çdo përvjetor. Fatëkeqësisht, ky 80 vjetor e gjen shoqërinë njerëzore edhe me të kërcënuar, për shkak të luftës barbare që ndërmori Rusia – Putiniste, në 22 shkurt 2022 kundër jo vetëm sovranitetit të Ukrainës, por edhe ndaj rendit global, vlerave të demokracisë, interesave gjeopolitike dhe fuqisë ushtarake të Aleancës Euroatlantike.

Ky 80 vjetor e gjen Rusinë – Putiniste, edhe më të rraskapitur për të pushtuar Ukrainën jo vetëm brenda 3 muajsh (9 maj 2022), por as 3 vjet e 3 muaj. Por duke përfituar edhe nga një konfuzion ndërkombëtar rreth Planit Trump të Paqes, që “legjitimon pushtuesin ose blerë sovranitetin”, Moska ka bërë përpjekje të sforcuara për të dalë nga izolimi perëndimor si dhe ti rikthyer lavdinë datës 9 maj. Prandaj ka adresuar flesa/testuar jo vetëm për homologët diktatorë, (Kinez, Korenë e Veriut, Iranian, Malit, etj.) por dhe disa vendeve të NATO/BE. Po ashtu, ndërsa: “ka shpallur armëpushim 3 ditor” (8; 9 dhe 10 Maj) Nr.2 i Rusisë, Medvedev, ka bërë një paralajmërim neo-fashist ndaj Ukrainës: “nëse sulmon Moskën gjatë festimeve të 9 majit askush nuk mund të garantojë që Kievi do të mbijetojë deri më 10 Maj” !?!

Nga ana tjetër, edhe Perëndimi është përgjigjur me mesazhe të forta për të refuzuar ftesën cinike, pra pjesëmarrjen në paradën e Ditës Staliniste të Fitores më 9 Maj. Kështu Komisionerja për Zgjerimin, ka paralajmëruar jo vetëm z. Vuçic: “8 maji 1945 dhe 9 maji 2025 janë dy data me vlera krejtësisht të ndryshme. Të shkosh në Moskë për të festuar me ushtrinë e Putinit, që vret njerëz në Ukrainë, është në kundërshtim të plotë me vlerat evropiane dhe Euroatlantike (BE & ShBA/NATO)”.

Së dyti, por, cilat janë vlerat dhe mësimet e nxjerra të kësaj ngjarjeje të lavdishme, si dhe kush janë disa nga mesazhet e forta për besimin te paqja, rendi global, demokracia funksionale ?

80 vjet më parë, pra në 8 Maj 1945, në Berlin u nënshkrua akti i kapitullimit të Gjermanisë – Hitleriane. Pavarësisht festimeve dhe emërtimeve, si Dita (Staliniste) e Fitores pra 9 Maj, apo Data Euroatlantike e Fitores (8 Maj): “ajo që mbetet e përbashkët është data e triumfit mbi nazifashizmin, një nga makineritë më kriminale që ka prodhuar historia e njerëzimit”.

Pikërisht më 8 Maj 1945, Presidenti i SHBA-ve, Truman, i konformoi popullit amerikan dhe mbarë botës fitoren e koalicionit të antifashist. Në të njëjtën datë, 8 Maj 1945, Gjenerali Suprem i frontit perëndimor, babai i NATO-s dhe President i SHBA-ve, Eisenhower, u përcolli luftëtarëve të çdo vendi të koalicionit antifashist: “mirënjohjen për sakrificat, kurajën si dhe kontributin në gjunjëzimin e bishës nazifashiste”.

Prandaj 8 Maji, meriton të përkujtohet si fundi i një lufte çnjerëzore/ferri që zgjati 5 vjet, që preku 80 % të popullsisë së globit dhe që mori jetën e rreth 60 milionë fëmijëve, burrave dhe grave nga mbarë vendet e botës. Kjo mbetet gjithashtu një datë nderimi për komandantet e lavdishëm dhe shtetarët e mëdhenj, si Churchill, Eisenhower, Zhukov, De Gaulle.

Së treti, pse më 8 Maj, edhe Shqipëria si pjesë e koalicionit të fitimtarëve, do duhet t’i bashkohet 32 vendeve të NATO-s dhe disa partnere (p.sh Ukraina etj), në celebrimin e kësaj ngjarjeje.

Pikë së pari, kjo datë do të shërbente për të kapërcyer kacafytjet qesharke (34-vjeçare) për datat 28-29 nëntor, dhe për më tepër, që 8 Maji do i jepte vlera shtesë përuljes për të rënët, nderimit për sakrificat sublime të popullit si dhe rreshtimit të RSh me koalicionin e fitimtarëve.

8 Maji, kjo ngjarje e madhe do duhet të na shërbejë jo për të na ndarë sipas interesave partiake, por si “ilaç për të mjekuar plagët e kohezionit dhe solidaritetit kombëtar”, pra si urë bashkimi rreth flamurit dhe si fanar për të na ndriçuar në udhëtimin drejt perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Ne/shqiptarët kemi të drejtë të ndihemi krenarë më 8 Maj, pasi siç e ka përshkruar Kissinger në librin “Diplomacy”: “Shqipëria ishte një ndër të vetmet vende që u vetëçlirua pa prezencën e Ushtrisë së Kuqe, ose aleatëve perëndimorë”.

Prandaj, datën 8 maj e çmoj një “gjetje mjaft të mençur”, pra datë që Shqipëria e vogël t’i bashkohet koalicionit të madh të fitimtarëve për t’u përulur para kujtimit të dhjetra miliona burrave dhe grave që dhanë jetën dhe bënë sakrifica të mbinatyrshme, për ta shpëtuar njerëzimin nga gjenocidi nazifashist.

Thënë këto, mbetet detyrim shtetëror, që çdo 8 Maj, të përulemi me mirënjohje ndaj atyre që dhanë jetën dhe të nderojmë emër për emër luftëtarët që u bashkuan pa dallim feje, krahine dhe bindjeje politike, kundër barbarisë nazifashiste duke mposhtur një ushtri 100-ra herë më të madhe, armatime dhe fuqi luftarake.

Përkundër propagandës bolshevike do duhet të përulemi me mirënjohje edhe para mijëra luftëtarëve që dhanë gjithçka, por u vranë, u burgosën dhe u persekutuan barbarisht nga regjimi E. Hoxhës, që u instalua pas çlirimit nga nazifashistët 8 maj 1945 deri në mars 1991.

Në shtesë, për ta ndërlidhur me aktualitetin, po kujtoj, mesazhin historik te Presidentit Truman në 8 Maj 1945: “Ajo që na pret, pra ndërtimi i paqes, nuk është më pak e rëndësishme, as më pak e vështirë, por Ne do ta ndërtojmë paqen duke besuar dhe punuar së bashku, ashtu siç e arritëm këtë fitore historike”!

“Nëse harrojmë, e keqja përsëritet edhe më mizorisht”. Neo-Stalinistet e Kremlinit (që shkelin edhe mbi sakrificat e popullit rus dhe lavdinë në fitoren e Luftës së II-te Botërore); Kim-Jong, Shtetet apo Organizatat Terroriste; ushtarët/pasuesit e Millosheviçit në Beograd apo Dodikët e droguar nga interesat e Kremlinit, jo vetëm po kërcënojnë sovranitetin e Ukrainës martire, paqen në Lindjen e Mesme, sigurinë dhe axhendën e integrimit të 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor, por po sfidojnë seriozisht vlerat themelore, interesat dhe fuqinë e Aleancës Euroatlantike (ShBA/NATO/BE).

8 Maji përmban mesazhe të forta për 32 vendet NATO-s (përfshi RSh), që jo vetëm të mbështesin me deklarata diplomatike Ukrainën, ShBA/NATO, në këtë betejë “për jetë a vdekje me të keqen e përbashkët”, por të marrin përgjegjësitë/barrën, për të përmirësuar kohezionin, Institucionin e mos-harresës si dhe modernizuar sistemin e sigurisë në përballjen me neo-nazistët e rinj që po kërcënojnë më shumë se kurrë që nga Lufta e II-të Botërore, interesat euroatlantike, vlerat demokratike dhe interesat jetike të qytetareve. Prandaj jo 9 por 8 Maji, meriton të celebrohet si një ngjarje e lavdishme, me mesazhe të gjalla, të përbotshme dhe të përjetshme për mbarë njerëzimin: “Për lirinë, paqen, stabilitetin demokratik dhe vlerat themelore, duhet çdo ditë vigjilencë, përkushtim dhe sakrifica”!

Nga: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për SK, Rajonin & NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut, ish:

Koordinator për Sigurinë Kombëtare në PDSh,

Këshilltar i Presidentit; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues i RSh në SHAPE/NATO.

Filed Under: Komente

Shënime rreth romanit “Gjurmë jete” të shkrimtarit Ndue Gjika

May 7, 2025 by s p

Ndue Dedaj/

Historia e Lleshit të Zi vjen përmes rrëfimit në vetën e parë të farkëtarit të zot Qorr Gjoci, që është gjithashtu personazh kryesor i këtij romani, ku nuk mungon dhe figura e Ali Pashë Tepelenës, pasi romani është një histori mirditase e fillimeve të shekullit XIX nga Oroshi në Janinë etj. Edhe pse ka dy shekuj, Lleshi i Zi vazhdon të bëhet i “gjallë”, kryesisht për vrasjen prej tij të Marko Boçarit, mbase pa u shkoqitur sa duhet rrethanat e asaj vrasjeje të pazakontë mes dy strategëve të një gjaku, po që nuk është objekt i romanit të Ndue Gjikës, që vjen pas një rrugëtimi të gjatë në letërsi të këtij autori. Ai sikur ka dashur të na thotë se një figurë historike, komplekse, si Lleshi i Zi nuk mund të mbahet “peng” i një ngjarjeje, aq më pak i një episodi, sado dramatik e historik të ketë qenë ai. Romani “Gjurmë jete” (shtëpia botuese “Muzgu”, Tiranë 2025) na rrëfen se Lleshi i Zi nuk ka qenë vetëm një kryeluftëtar i “çartur” në rajonin ballkanik kundër pushtuesit të huaj, por në radhë të parë një prijës, kapidan i krahinës së tij, që përpiqej për zhvillimin e saj, siç ishte rasti i ndërtimit të kanalit vaditës të Ndërfanës, që ruhet dhe sot si monument kulture, etj.

Ndue Gjika është një prozator i njohur, edhe pse i pabujë, që ka botuar tregime herët në gazetën “Drita” e “Zëri i Rinisë”, që në vitet ‘80 të shekullit të kaluar, kurse librin e parë me prozë të shkurtër, me titullin “Dilema të pabraktisura”, e ka botuar “Eurorilindja” Tiranë më 1995, me ç’rast i është bërë dhe një promovim dinjitoz në Rrëshen, me shkrimtarë të ardhur nga kryeqyteti etj.

Dritëro Agolli shkruante se “vlerat dhe cilësitë e këtij libri zbulohen shkallë – shkallë”, se “filli që i përshkon tregimet e Ndue Gjikës është humanizmi”, pasi “në çdo tregim do ta takosh këtë ndjenjë, aq të domosdoshme për një shkrimtar të vërtetë”. Kurse Vath Koreshi do të shënonte: “Me një vrojtim të vëmendshëm dhe me një ritëm plot lëvizje të brendshme të botës së personazheve, tregimet e Ndue Gjikës dallohen për vizatime të shkathëta të karaktereve”. Këto tipare krijuese shprehën dhe në librat e tjerë artistikë të botuar më pas, në prozë të shkurtër e të gjatë, si romani “Zambakë në erë”, që kohë më parë është promovuar në Saint Louis të Amerikës, ku autori rron prej vitesh.

Nuk është çudi që Ndue Gjika i qaset në dy subjekte Oroshit, porse ky vend (kryeqendra historike e Mirditës) ka prodhuar histori dhe shkrimtari duket se është i prirur nga ndriçimi përmes letërsisë të ngjarjeve historike. Kështu romani i tij “Prapësi” (2008) trajton ngjarje jete në të quajturën “Republikë të Mirditës” të vitit 1921, që ishte një rebelim trazues i krerëve të kësaj krahine ndaj qeverisë qendrore, me gjithë disa paudhësi të kësaj të fundit ndaj krahinës. Kurse romani “Gjurmë jete” trajton figurën e Lleshit të Zi dhe të mirditorëve ndërmjet dy pashalleqeve shqiptare, të Veriut e të Jugut, të Shkodrës dhe të Janinës.

Mirditorët ishin në shërbim të Ali Pashë Tepelenës dhe romani mbase nuk do të shkruhej, nëse ata nuk do të kishin dëshmuar para botës shqiptare dhe asaj të huaj një virtyt të lartë, atë të mos luftimit të tjetrit, kur ai nuk ishte i armatosur si ata. Pra është ngjarja e famshme Kardhiqit të Gjirokastrës e vitit 1812, e përcjellë në disa kronika e botime. Aliu kishte vendosur t’i shfaroste kardhqiotët, por mirditasit nuk pranuan të qëllonin mbi ta. U kthyen në proverbiale fjalët e tyre: “Ne nuk shtiem mbi njerëz të lidhur. Jepuni atyre armët dhe ne jemi gati të luftojmë me ta”. Kjo ishte deviza historike e mirditasve atë fillim shekulli XIX, që ishte vazhdë e qendresës së tyre shekuj më parë. Merita e autorit nuk qendron se i është qasur një ngjarje të tillë unikale, porse e ka trajtuar atë me mjeshtri artistike. Ky mospranim sigurisht që kishte një çmim dhe ky ishte “tërbimi” i heshtur i pasha Aliut, që nuk ia kthente kush fjalën. Ka përjetim, tension, pasiguri, por asnjë dilemë nga mirditasit dhe vetë prijësi i tyre Lleshi i Zi, që lë peng djalin fëmijë tek Aliu, kur reparti i tij do të largohej.

Nëse lexuesi përqendrohet në frazat e para të romanit për të kapur çelësin e zbërthimit të veprës, do të gjëjë aty sintezën e asaj që shtjellohet më pas, ku Qorr Gjoci, me urtësinë e një burri malesh, thotë: “Në Janinë shkova si Pal Gjoci e u ktheva në Orosh si Qorr Gjoci. Edhe Llesh Lleshi i Derës së Gjomarkut, që tash së fundi i drejtoi trupat mirditore tek Ali Pashë Tepelena, u kthye me emrin Lleshi i Zi. Unë nuk e doja ketë emër, besoj se as Kapidani nuk e donte, por ja që i kemi, dhe kështu na thërrasin ngado”. Lufta të tjetërson, por nuk të zhbën.

Lleshi i Zi nuk glorifikohet nga autori, edhe pse një figurë legjendare, por jepet me natyrshmëri, duke shmangur një stil të tejkaluar “rapsodik” e patetik në dhënien e figurave të tilla, veti kjo e letërsisë moderne. Përkundrazi, romacieri hyn bindshëm në dramën që përshkon asokohe tragjikisht Gjomarkajt si derë, si familje princërore. Lexuesi nuk mund të mos pyesë me trishtim, si është e mundur që krerë të tillë që nuk përzihen në një gjakderdhje si ajo e Kardhiqit, që luftojnë për lirinë kombëtare, që shmangin konfliktet e ndryshme ndërkrahinore për kufij etj., nuk ndalojnë dot vëllavrasjen në shtëpinë e tyre? Por dinastitë me gjasë asnjëherë nuk u kanë shpëtuar tragjedive të veta të brendshme për prije e parí. Dhe çudia është se hakmarrjen e realizojnë gratë e Derës. Gruaja e Kapidan Nikoll Lleshit hakmerret për vrasjen e të shoqit dhe të tre djemve, duke vrarë me hjekësi Lleshin e Zi, kurse gruaja e këtij të fundit kryen në saraje një gjëmë të paparë, vrasjen e shumë prej meshkujve të familjes së madhe kapidanore, një hata, siç e quan autori. Mara, një nga gratë e Oroshit, i thotë Qorr Gjocit: “Lleshin e hoqi gruaja e Nikollës, këtë gjëmën e madhe e bëri gruaja e Lleshit”.

Pal Gjoci ishte farkëtar dhe armëtar, por dhe prerës parash false. Lufta i mori një sy, duke e lënë qorr, kurse prodhimi i parave në fshehtësi i mori jetën. Është një perzonazh që e pasuron prozën shqiptare me një tip dhe karakter interesant. Qëllimisht autori e ka dhënë si një figurë dinamike, në lëvizje, jo vetëm në Orosh e Ndërfanë, Shkodër e Janinë, Kosovë etj., por dhe bujtës në një han malesh, ku përflitën punët e pashalleqeve dhe në njëfarë mënyre të botës. Ai, ashtu si dhe sivëllau i tij i zejes armëbërëse Kol Skana, nuk është as mik e as armik me Lleshin e Zi, por në marrëdhënie reciprociteti, nëse mund të thuhet kështu, ashtu siç ishte vetë krahina e tij me dy pashalleqet e mëdha të kohës. Autori na ka treguar se pricnia kapidanore nuk ishte diçka e izoluar në “ishullin” e vet malor, por në marrëdhnënie politike, ushtarake dhe diplomatike me të tjerët.

Ndue Gjika është një përshkrues origjinal i mjediseve, rrethanave, karaktereve dhe psikologjisë së personazheve, të cilët mishërojnë tipologjinë autentike të malësorit mirditas. Falë gjuhës autoriale dhe mjeteve artistike të përdorura mjeshtërisht është krijuar një narrativë shprehëse, ku lexuesi bëhet “bashkështegtar” i personazheve, në fatin e tyre të pamëshirshëm.

Por këto pak radhë, më shumë se analizën e romanit, kanë për qëllim ta ftojnë lexuesin ta marrë në dorë këtë vepër.

Filed Under: Komente

KRYQTARI I FUNDIT – GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU

May 4, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli/

Është gjithmonë kënaqësi të takohemi këtu në sallën “Nenë Tereza” dhe të përshëndes Dom Pjetrin – i cili si gjithmonë ashtu edhe sot i mban dyert e Kishës Zoja e Shkodrës hapur për të gjithë ne – pa dallim feje e krahine – në traditën më të mirë të klerikëve të mëdhej të Kombit Shqiptar, në shërbim të të gjithë shqiptarëve, duke shtyr përpara veprimtaritë kombëtare e fetare me moton “Për Fe, Atdhe e Përparim”. Falë Dom Pjetrit, në këtë kishë e në këtë qendër të Nenë Terezës, ashtu si sot, të gjithë shqiptarët pa dallim, këtu, gjithmonë kemi gjetur identitetin tonë të përbashkët fetar e kombëtar – ashtu siç na do Gjergj Kastrioti -Skenderbe dhe Nenë Tereza.

Falënderoj gjithashtu Federatën Pan-Shqiptare Vatra për bashkpunimin me Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në promovimin e librit “Kryqtari i Fundit…”. Ju falnderoj për ftesën.

Zonja të nderueshme e Zotëri të ndershëm –

Përshëndetjet e mia të gjithë të pranishëmve – urime autorit të librit: “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu – KRYQTARI I FUNDIT”, Z. Virgjil Kule për këtë vepër të rëndësishme historiko-diplomatike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Unë nuk jam historian, por kam nderin të jem këtu midis jush, të ndaj me ju disa fjalë — në lidhje me rëndësinë e këtij botimi voluminoz të Z. Kule – më shumë nga këndveshtrimi i një gazetari. Si i tillë, e konsideroj këtë promovim një ngjarje me rëndësi bashkohore, mediatike, jo vetëm këtu në Nju Jork, në Amerikën e largët, në Qëndrën e Nënë Terezës të Kisha Katolike Shqiptare – por edhe një ngjarje interesi historik për botën shqiptare në përgjithësi — përtej kësaj hapësire — m’atë anë të Atlantikut.

Në këtë promovim të veprës së tij, Z. Virgjil Kule — na bashkon këtu në frymën më kastriotiane për të kujtuar Heroin tonë, Kryetrimin e Kombit dhe veprimtarinë e tij epike djplomatiko-ushtarake, të përgjithmonshmin e Kombit shqiptar – Gjergj Kastriotin-Skënderbe. Këtu para bustit të tij në këtë sallë që, njëherazi, mban edhe emrin e Shën Nënë Terezës, ndërsa disa metra prej këtu qëndron monumenti madhështor i Heroit Kombëtar, në oborrin e Kishës Zoja e Shkodrës.

Por siç ka thënë edhe Aleksandër, Kryepeshkopi orthodoks shqiptar për Argjentinën dhe Amerikën Latine, i cili për fat të keq ndërrroi jetë, papritmas, kohët e fundit, “Skënderbeu nuk është vetëm në bronz. Skënderbeu është pjesë e identitetit tonë dhe qenie Shqiptare, është pjesë e gjeneve tona”.

Po e përmend ketë se sikur këto dy figura të Kombit, për ne dhe për të huajt, janë të pandashme në historinë e shqiptarëve, megjithse kanë jetuar e vepruar pesë shekuj nga njëri tjetri. Janë, njëkohësisht, edhe shembuj të shkëlqyer si përfaqësues të diasporës. M’u kujtua një deklaratë e ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright kur ishte pyetur se çka dinte ajo për shqiptarët: Albright është përgjigjur se ajo e njihte Shqipërinë dhe shqiptarët nepërmjet Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe Nenë Terezës. Prandaj, nuk besoj të ketë një vend më të përshtatshëm se — para bustit të Heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, në Qëndrën Nenë Tereza – për të zhvilluar promovimin e librit: “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu – Kryqtari i fundit”, të autorit Virgjil Kule. Në Kishën e parë Katolike Shqiptare në Amerikë, këtu ku 55-vjetë më parë, si shumë të tjerë, prej këtu edhe unë kam pas fatin të hedh hapat e parë drejtë një jete e karriere të lumtur në këtë vend të bekuar.

Natyrisht, se simbolikat e kanë rëndësinë e vet, por më të rëndësishme janë faktet historike – kur dokumentet flasin të vërtetën, shekuj më vonë, për Kryeheroin Kombëtar të shqiptarëve: “Për ta berë interpretimin mbi faktet në rrjedhshmërinë e tyre origjinale e ndërtova rrëfimin me kapituj vitesh dhe, brenda çdo viti, me referime ndaj dokumenteve sipas kalendarit të ditëve, javëve ose muajve kur ato janë prodhuar”, shkruan Z. Kule në librin e tij, duke shtuar se “u përftuar kështu për herë të parë një ditar analitik i veprimtarisë politike, diplomatike dhe ushtarake të Gjergj Kastriotit. Rrëfimi mbi bazën e ditarit” shton ai, “më siguroi pastaj narracionin e një historie koherente jo vetëm të veprimit, por kryesisht, të asaj që deri tani ka munguar – të mendimit të Skënderbeut”, pra, që autorit Virgjil Kule, e ka paraqitur me objektivitet të dokumentuar historik, shqiptarin e Madh Gjergj Kastriotin-Skenderbe.

Kjo vepër jo vetëm që e dokumenton me fakte rolin e Gjergj Kastriotit Skenderbe, “në përballjen evropiane të ofensivës osmane”, por, “ky studim e zgjëron hapësirën përtej kufijve të zotërimeve të tij”, duke arritur në përfundimin se Gjergj Kastrioti – Skenderbe, “Nga i pari në mes të barabartëve në Lidhjen lokale të Lezhës” — një akt kulmor i urtisë dhe strategjisë vizionare të tij — dokumentet e interpretuara në këtë vepër, sipas radhës kronologjike — e “vetparaqitën Skenderbeun, natyrshëm, pa ndërhyrje të sforcuar të autorit, si të barabartë, mes më të parëve edhe në plejadën e liderëve kryqtarë më në zë të kohës”. Jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Autori e siguron lexuesin gjithashtu se vepra e tij mbi “projektin madhështor” të Skenderbeut, është një libër i arsyetimeve të tija, ndonëse duke mbetur “rob” i dokumentit, një rrëfim me pasion dhe objektivitet për shqiptarin e mençur Skënderbe”.

Historiografia shqiptare moderne kishte nevojë për një libër të tillë të mirë-dokumentuar – duke marrë parasyshë burimet e reja të vleshme, por të pazbuluara deri tani, e që kërkuesit shkencorë e historianët si Virgjil Kule kanë në dispozicion, për një vepër si kjo, kushtuar Gjergj Kastriotit – Skenderbe. Për një vepër të shkruar nga një autor shqiptar, me objektivitet, qoftë edhe “rob” i dokumenteve të fakteve historike, siç shprehet autori — aq edhe më mirë, si një çeshtje me referencë faktologjinë historike.

Sepse historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, sidomos në periudhën e lavdishme të Gjergj Kastriotit-Skenderbe por edhe e periudhës së errët të pushtimit turko-osman 500-e sa vjeçar, ajo që është shkruar nga të huajt, mbetet deri në ditët e sotëme mjaft e kapërthyer dhe e koklavitur, në një pjesë të madhe të saj.

S’do mend, pra, që paraqitja e fakteve dhe e dokumentacionit historik nga autorë shqiptarë si Z. Kule, hedhin dritë mbi të vërtetat e luftërave shekullore të shqiptarëve, në përgjithësi, për liri ndër shekuj. Por, në këtë rast, ky libër, hedh dritë, veçanërisht, mbi veprimtarinë dhe përpjekjet e figurës më të madhe kombëtare, Gjergj Kastrioti-Skenderbe, sidomos nga pikëpamja e veprimtarisë politike e diplomatike të Heroit Kombëtar të shqiptarëve, një kontribut që nuk ishte trajtuar më parë, siç trajtohet nga pikëpamja e një autori shqiptar, siç është Virgjil Kule.

Për këtë, unë si lexues i thjesht, i interesuar në histori, por më shumë edhe si admirues i Heroit të Përgjithmonshëm të Kombit shqiptar, e uroj dhe e falënderoj Z. Virgjil për këtë vepër — si një kontribut të rëndësishëm historik. Me këtë libër ju e kini paraqitur, bazuar në dokumentacion dhe fakte historike, figurën madhështore të Gjergj Kastriotit-Skenderbe, në “frymën më njerëzore, gjeniale, befasuese, tronditëse, kërshëruese, frymëzuese…por aspak tragjike e pasive sikundër është thënë jo rrallë”, në thonjëza.

At Zef Valentini, albanologu i njohur me origjinë italiane dhe autor i veprës së madhe Acta Albaniae Veneta ka shkruar në vitin 1968 se deri atëherë, mund të ishin shkruar rreth 600-libra dhe vepra të tjera, muzikore e drama, mbi Gjergj Kastriotin – Skenderbe. Sot, natyrisht, ky numër duhet të jetë shumë më i madh, ndërkohë që fqinjtë e shqiptarëve në Ballkan – dhe të huajt, në përgjithsi, shpesh kanë vazhduar të shkruajnë një histori aspak të vërtetë, qoftë për Gjergj Kastriotin – Skenderbe, qoftë për historinë e vërtetë të shqiptarëve. Pa fakte dhe dokumentacion historik të dorës së parë, historianë e studiues të huaj, janë pëpjekur shpesh të mohojnë – për interesat e veta gjeopolitike — jo vetëm veprimtarinë diplomatiko-politiko-historike të Heroit tonë Kombëtar, por deri në ditët e sotëme, jo vetëm që vazhdojnë të mohojnë origjinën arbëroro-shqiptare të Gjergj Kastriotit-Skenderbe, por edhe vet ekzistencën e Kombit shqiptar si njërit prej kombeve më të vjetra në botë. Atje ku, “në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za, në histori të fiseve dhe të kombeve… por që sot ashtë bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i qjykuem në Europë…I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rranjëve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta”. (At Gjergj Fishta në fjalimin mbi të drejtat e shqiptarëve në Konferencën e Paqës, 1919).

Këtu, pra qëndron, ndër të tjera, rëndësia e kësaj monografie kronologjike e autorit Virgjil Kule,“Gjergj Kastrioti-Skendërbeu – Kryqtari i fundit”. Si një vepër me vlerë, e një studiuesi shqiptar, përpiluar, në bazë të një metode shkencore faktesh historike dhe dokmentacioni parësor– një vepër që ndikon pozitivisht në historinë e shqiptarëve, por edhe në rritjen dhe afirmimin e ndërgjegjes kombëtare – aq shumë e nevojshme në këtë periudhë tranzitore të brishtë politike dhe historike, nepër të cilën po kalon sot Kombi shqiptar.

Është interesant fakti se si historia, përsëritet. Virgjil Kule, me librin “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu – Kryqtari i fundit”, na sjell mbrapa në periudhën e Gjergj Kastriotit-Skenderbe, tek marrëdhëniet e tija me Selinë Shejte – si qendra më e rëndësishme e botës perëndimore, atëherë dhe sot. Ai shkruan për përpjekjet e Gjergj Kastriotit për bashkimin e krerëve të principatave shqiptare në luftën kundër osmanlijve – por thekson gjithashtu diçka, për të cilënm ndoshta, shumë prej nesh nuk ishim të vetdijshëm. Për diplomacinë e Skenderbeut për të “ndërkombtarizuar” luftën kundër turqve dhe për të kërkuar ndihmë nga Perëndimi për mbrojtjen e Krujës dhe të trojeve arbërore. Gjergj Kastrioti-Skenderbe, pra, edhe si babai i ndërkombtarizimit të çeshtjes shqiptare në kohën e tij.

Më shumë se 5-shekuj më vonë — në vizitën e parë që Presidenti historik i Kosovës, Dr Ibrahim Rugova ka bërë në Washington në tetor, 1989 – më kujtohen fjalët e tija se gjëja më e rëndësishme në atë kohë — përballë shtypjeve dhe krimeve serbe në Kosovë — ishte siç e cilësonte ai: “Ndërkombtarizimi i çeshtjes së Kosovës”, që më vonë u bë edhe misioni i tij parësor që më në fund çoi në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Historianët mund të gjykojnë ndryshe, por përpjekjet e Rugovës për “ndërkombtarizmin e çeshtjes së Kosovës” në shekullin XX – që përfunduan në çlirimin dhe pavarsinë e Kosovës — mund të duken si një kopje e suksesshme e veprimtarisë diplomatike të Gjergj Kastriotit për ndërkombtarizimin e mbrojtjes së Krujës dhe krahinave të tjera arbërore nga otomanët. Nuk ka dyshim se Ibrahim Rugova e dinte historinë dhe jam i bindur që ai të ketë mësuar nga “gjenialiteti i Gjergj Kastriotit-Skenderbe, si diplomat e politikan”, siç e cilëson atë autori Virgjil Kule, duke vlerësuar aftësitë diplomatike dhe lidhjet e Skenderbeut me Vatikanin dhe me botën e atëhershme “perëndimore”. A nuk është ky një paralelizëm historik midis dy periudhave dhe dy udhëheqësve të mëdhej të Kombit”?!

“Si formula e partneritetit për bashkeveprimin me zotërit e principatave shqiptare ashtu edhe ndërkombëtarizimi i problemit të mbrojtjes së Krujës janë dy risi politike për të cilat Gjergj Kastrioti ka autorësi të padiskutueshme. Nga ana tjetër, shpjegimi i hollësishem i këtyre risive është pasuri ekskluzive e studimit tim. Ato flasin për gjenialitetin e Kastriotit si politikan e diplomat, tipare këto shumë pak të theksuara në shkrimet e deritashme”, është shprehur autori i librit, “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu – Kryqtari i fundit!

Gjergj Kastrioti Skenderbe, themelues i shtetit arbëror, bashkues i princave të Arbërit, ndërkombtarizues i çeshtjes shqiptare si bashkpunues me aleatët perëndimorë të kohës së tij dhe mbrojtës i vlerave iliro-arbërore, shpëtimtari i Evropës e pse jo edhe i qytetërimit evropian dhe krishtërimit, si Kryqtari i fundit!

“Çfarë shembulli për mbretër! Çfarë detyre për pasardhësin dhe histori-shkruesin e tij.” (Den Store Castriotto af Albanian kallad Skanderbeg, Stockholm), 1788.

Shtyllat e kalbura të çardakut nuk do t’i mbajnë mohuesit modernë – të mbrendshëm dhe të jashtëm — të figurës dhe veprës së madhe të Gjergj Kastriotit-Skenderbe! Të nderuar të pranishëm, ju falënderoj nga zemra për durimin ndërsa autorit suksese të mëtejshme!

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 489
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT