• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETËR DREJTUAR Z. DONALD TRUMP

October 18, 2016 by dgreca

Donald Trump duhet të refuzojë kriminelët e luftës që e mbështesin dhe të qartësojë pikëpamjet e tij për Luftrat në ish-Jugosllavi dhe ndërhyrjet e NATOs/

1-vojislav-seselj-donald-trump

Javën e kaluar, Donald Trump u akuzua, mbase pa të drejtë, se “kishte kërkuar ndjesë” për ndërhyrjet që ndaluan dy herë vrasjet masive, që përfshijnë krime të genocidit, të më shumë se 100,000 civilëve të pafajshëm në ish-Jugosllavi. Incidenti tërhoqi vëmendjen nga kritika e hershme e zotit Trump për fushatën e bombardimit nga NATO që ndali luftën e Kosovës, duke shpëtuar mbase dhjetëra mijë jetë njerëzish. Për më tepër, është e pamundur të injorosh ngurrimin ofendues të zotit Trump për të refuzuar mbështetjen nga një prej kriminelëve më të njohur të atyre luftrave, Vojislav Seselj.

Si qytetarë amerikanë që u shpëtuan atyre luftrave, dhe si ish përfaqësues të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, autorë, aktivistë të drejtash të njeriut dhe akademikë që studiojmë shpërbërjen e Jugosllavisë dhe pasojat e saj, deklaratat e zotit Trump për këto çështje na duken thellësisht shqetësuese.

Në 1999, zoti Trump ishte në favor të ndërhyrjes nga toka dhe pushtimit të mundshëm të Serbisë, në vend të bombardimeve objektive, ndonëse jo të përkryera të NATO-s.  Këtë verë, ai sinjalizoi se si President nuk do të ndërhynte kur regjime dhunuese masakrojnë qytetarët e tyre.  Është e rëndësishme të shënohet se Boshnjakët (myslimanë) nga Bosnia dhe Hercegovina si dhe shqiptarët nga Kosova dhe kroatët u vunë në shënjestër dhe u vranë në mënyrë sistematike gjatë luftërave të Ballkanit.  Për ata mes nesh që kanë shpëtuar e që janë myslimanë, deklaratat e zotit Trump për një ndalim të hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, nëse do të zbatohej kur ishim ne që u detyruam të braktisim shtëpitë, do të kishte sjellë padyshim vdekjen tonë.

Më së fundi, ai nuk është distancuar nga Vojislav Seselj, që është paditur për krime lufte nga Gjykata Kriminale e për Ish-Jugosllavinë.  Gjatë Luftës së Bosnjes, Seselj nxiti tmerrin në zemrat dhe mendjet e burrave, grave dhe fëmijët gjatë invazioneve të fshatrave nga milicia e tij e dhunshme, duke kryer vrasje, përdhunime dhe tortura, në Bosnjen Lindore.

Sot, Seselj është anëtar i parlamentit të Serbisë dhe besohet se do të kandidojë për president të vendit në 2017.   Në shtator, Seselj ‘mirëpriti’ zëvendës-presidentin Joseph Biden në Beograd me një tubim politik shumë të reklamuar në mbështetje të zotit Trump.   Ai u kishte bërë thirrje më herët serbo-amerikanëve që të votonin për zotin Trump.   Platforma e tij vazhdon të përqendrohet në retorikën e dhunshme, krijimin e “Serbisë së Madhe”, ngadalësimin e përparimit të Serbisë drejt Bashkimit Europian dhe kërkon lidhje me të ngushta me Rusinë.   Në mënyrë të rregullt, ai djeg flamujt e NATO-s në publik.   Ai ka shfrytëzuar gjithashtu politikisht çështjen e pazgjidhur të vrasjes me mbështetje të shtetit të Ylli, Agron, dhe Mehmet Bytyqi, tre shqiptaro-amerikanëve nga Kosova, të cilët u ekzekutuan dhe u hodhën mbi një varr masiv, në 1999.

Me sa duket, Vojislav Seselj sheh Donald Trump si një aleat për kauzën e tij. Zoti Trump nuk ka bërë asgjë që të refuzojë mbështetjen nga Seselj.

Për shkak se zoti Trump po kandidon për një nga pozitat më të fuqishme të botës, përfitojmë nga kjo mundësi për ta kujtuar atë se politikat e tij do të kishin qenë katastrofike për të gjithë Europën Juglindore.   Shtetet e Bashkuara dhe NATO vepruan si një forcë për të mirë në këto ndërhyrje, ndonëse mbase tragjikisht vonë në Bosnje.   Vërtetë, akoma më alarmuese për ne është se qendrimi i zotit Trump ndaj NATO-s përputhet me atë të Federatës Ruse, e cila kundërshton NATO-n dhe zgjërimin e saj në rajon, duke përfshirë Maqedoninë dhe Malin e Zi.   Për ata mes nesh që u kanë mbijetuar luftrave të tmerrshme të drejtuara nga udhëheqës autokratë, admirimi që zoti Trump ka shprehur për Vladimir Putinin është alarmues, sidomos kur mendon angazhimin në rritje të Putinit me ata udhëheqës të Serbisë dhe njësisë serbe të Bosnjës, të cilët refuzojnë të pranojnë përgjegjësitë për krimet e të kaluarës, përfshi edhe genocidin.   Rusia ka bllokuar në mënyrë aktive anëtarësimin e Kosovës në OKB. Shpërfillja që tregon Putini për të drejtat e njeriut flet vetë kur shikon sulmin mbi shoqërinë civile ruse.  Prandaj një presidencë me Donald Trump që mban anën e Rusisë dhe të ekstremistëve të Ballkanit nuk do t’u shërbente interesave të SHBA-së dhe mund të shtynte një rajon edhe kështu të brishtë, drejt një krize të plotë.

Prandaj, bëjmë thirrje që Donald Trump të refuzojë mbështetjen nga Vojislav Seselj, dhe deklaratat e tij të kaluara për ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugollavi. Ai duhet të përqafojë politikat që shpëtuan shumë prej jetëve tona dhe që mund të ndalojnë në të ardhmen katastrofat njerëzore.

Sinqerisht,

Ajla Delkic, Bosnian American Human Rights Advocate

Richard Lukaj, Philanthropist and Public Policy Advocate

Tanya Domi, Adjunct Professor, Columbia University; former Spokesperson, OSCE Mission to Bosnia and Herzegovina

Praveen Madhiraju, Human Rights Attorney

Amb. (ret.) Robert L. Barry, former Head of the OSCE Mission to Bosnia and Herzegovina

Amb. (ret.) Richard D. Kauzlarich, former U.S. Amb. to Bosnia and Herzegovina;

Adjunct Professor, Schar School of Policy and Government, George Mason University

Amb. (ret.) John K. Menzies, former U.S. Amb. to Bosnia and Herzegovina; former U.S. Chief of Mission in Kosovo

Shawn M. Byrnes, Senior Foreign Service Officer and chief of the U.S. Diplomatic Observer Mission in Kosovo (1998–99) and of the U.S. Diplomatic Mission to the Republic of Montenegro (1999–2002).

James Zogby, President, Arab American Institute

Kurt Bassuener, Founder and Senior Associate, Democratization Policy Council

Ken Biberaj, Public Policy Advocate

Mirsad Hadzikadic, Professor, University of North Carolina at Charlotte

Valbona Karanxha, Ed.D. New Haven Public Schools, Yale University Research Fellow

David L. Phillips, Institute for the Study of Human Rights, Columbia University

Shinasi Rama, Ph.D. Clinical Professor of International Relations NYU

Grid Rroji, Lecturer of International Relations NYU, Editor for Bletashqiptare.com

Gerard Toal, Virginia Tech, National Capital Region

Samuel Totten, Professor Emeritus, University of Arkansas, Fayetteville

Sarah Wagner, Associate Professor of Anthropology, George Washington University

Martin Shkreli, former Chairman of the Board for the National Albanian American Council

Frank Shkreli, former Eurasian Division Director of the Voice of America

Adisada Dudic, Attorney, Human Rights Advocate, Srebrenica Genocide Survivor

Meto Koloski, Macedonian American Human Rights Advocate

Elmina Kulasic, Human Rights Advocate

Steve Rukavina, Croatian American Activist

Klara Buda, former Head of the Albanian Department of Radio France Internationale, Paris, March 1999–2010.

 

Filed Under: Komente Tagged With: David Philips, Frank shkreli, LETËR DREJTUAR Z. DONALD TRUMP

KERCENIMET E MINISTRIT TE JASHTEM GREK KOTZIAS

October 18, 2016 by dgreca

Kotzias kërcënon Shqipërinë nën ndikimin e këshilltarit të Putinit/

1-kotziasNe Foto:FOTO:1.Nikos Kotzias me Aleksander Dugin, 2013/

Nga Arben LLALLA/

Gjuha kërcënuese që ka përdorur në deklaratën e fundit ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, sipas të cilit Greqia ka dhjetëfish ushtrinë më të fortë, ekonominë, armët e kështu me radhë, nuk i shkon përshtat një ministri të BE-së. Një ministër e Europës nuk mund të kërcënojë aleatin e tij, anëtar të NATO-s.

Retorika e Kotzias (Koxhas) nuk është e rastësishme, ai prej disa vitesh, para se të bëhej ministër i jashtëm i Greqisë, merrte leksione diplomatike nga këshilltari i presidentit rus Vladimir Putin, Aleksandër Dugini. Disa herë kam shkruar në media për lidhjet e ngushta të Nikos Kotzias me partinë Fronti Nacionalist Bolshevik në Rusi. Gjatë periudhës që Nikos Koxhas drejton Ministrinë e Jashtme të Greqisë ai ka bërë takime të shpeshta me vendet, të cilat njihen si pro ruse dhe antiamerikane apo antieuropiane.

Nikos Koxhas është njeriu që krijoi lidhet e ngushta të kryeministrit Aleksi Cipras me kryetarin e Rusisë, Vladimir Putin. Në Prill të 2013, Nikos Koxhas ftoi në Greqi për të mbajtur një ligjëratë në Universitetin në Pireut, Aleksandër Dugin, ideator i partisë Fronti Nacionalist Bolshevik. Kotzias e shoqëroi për disa ditë në Greqi Duginin dhe i siguroi atij një takim me drejtuesit e lartë të nazistëve të Agimit të Artë. Aleksandër Dugin është këshilltar i Putinit dhe i ka sugjeruar që Rusia sa më shpejtë të pushtojë Gjeorgjinë e Ukrainën duke i rithemeluar Perandorinë Ruse. Një tjetër këshillë ekstremiste që Dugin i tha Putinit ishte heqja e shtetësinë ruse për të gjithë liderët opozitarë dhe disidentët.

Sulmet e disahershme ndaj PDIU-së prej Nikos Koxhas nuk janë të rastësishme. Këto sulme të shprehura nëpër mediat greke vijnë si pasojë e presioneve të BE dhe SHBA për zgjidhjen sa më parë të Çështjes Çame. Vitet e fundit PDIU është bërë zëri i vetëm i fuqishëm për politikat kombëtare në Ballkan dhe kuptohet që sllavët e grekët nuk u pëlqen që në Shqipëri të ekzistojë një parti mbarëkombëtare, e cila vlerëson se shqiptarët duhet të shohin nga perëndimi, SHBA dhe BE.

Dalja në skenë e paketës së problemeve që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Greqisë, të paraqitur nga ministri Ditmir Bushati tek Komisioneri Hahn i ka hapur shumë telashe Nikos Kotzias. Kjo gjë ka bërë që kryediplomati grek, Nikos Kotzias të shprehet me gjuhën e urrejtjes dhe kërcënuese ndaj Shqipërisë, gjuhë që është jashtë protokollit diplomatik.

Kryeministri Aleksis Tsipras është nën presion të vazhdueshëm për shkarkimin e Kotzias, si nga partia e tij, ashtu edhe nga aleati qeveritar Panos Kamenos i ANEL.

Për deklaratat kërcënuese për ushtrinë e fortë që ka Greqia përballë Shqipërisë, Nikos Kotzias duhet të ketë parasysh faktin se ne jemi dy vende fqinje, anëtare të NATO-s, ku kemi rreth 30 mijë martesa të përziera vetëm këto 20 viteve të fundit pa folur për ato me pakicën greke në Shqipëri. Ne jetojmë në shekullin XXI, ku demografia në Ballkan tregon se shqiptarët janë një komb në rritje dhe jo në rënie siç është Greqia.

Historia na thotë se kur shqiptarët nisën kryengritje e 1821, ata ishin një grusht i vogël përpara gjithë asaj perandoria osmane. Koha tregoi atë që sot Nikos Kotzias ka kombësi ortodokse greke, se përndryshe mos të ishin shqiptarët nga Morea, Nafplio e Çamëria, Kotzias dhe shumë Koxhas të tjerë do ishin sot qytetarë të denjë myslimanë të Turqisë.

Në përfundim të fjalës së tij kërcënuese Nikos Kotzias lëshon një thirrje: “T’i zgjidhim problemet me vendet që aspirojnë të aderojnë në Europë, përpara se të fillojnë negociatat me Bashkimin Europian. Shpresoj ta kuptojnë se kjo është në interes të tyre”.

Ky është një tjetër kërcënim që rrëfen se Greqia po planifikon bllokimin e procesit integrues për anëtarësim të Shqipërisë në BE.

Natyrisht që duhet të çelen bisedimet shqiptaro-greke për çështjet e pazgjidhura, por si të barabartë, pa eufori dhe folklorin kërcënues. Shqipëria i ka letrat e hapura duke patur primare zgjidhjen paqësore të Çështjes Çame, çështjen e pronave të shqiptarëve nga Thraka e deri në Çamëri. Për këtë duhet zbatuar Marrëveshja e Lozanës për minoritetin shqiptar që ekziston ende në Greqi. Kështu mund të krijohet besimi tek njeri-tjetri dhe grekët të çlirohen nga ankthet. Vetëm në këtë mënyrë grekët dhe shqiptarët mund ta shohin njëri-tjetrin në sy, pa drojë, inate, mllefe duke mos ngritur barriera e kurthe.

Për rikthimin e çamëve në Çamëri nuk është se duhet të ndodhi ndonjë çudi, nuk është as e pamundur, por grekët dhe shqiptarët duhet të jenë të përgatitur që rikthimi të bëhet paqësisht.

Një zgjidhje paqësore e Çështjes Çame, ku shteti grek do të hiqte si fillim Ligjin e Luftës me Shqipërinë, do të lejonte çamët të vizitojnë varret e të parëve, shtëpitë gjysmë të rrënuara. Këto po do të ishin hapat kryesorë që do të ndikonin pozitivisht në psikologjinë e mirëbesimit tek dy popujt.

Këto veprime nuk janë të pamundura nëse vërtetë tek klasa politike e dy vendeve ekziston dëshira për paqe dhe miqësi duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën. Pa zgjidhje të Çështjes Çame, asnjëherë nuk do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë mes dy popujve.

Nuk e dimë se çfarë të papriturash na përgatit e ardhmja, por fillimi i shekullit XXI, po tregon se në Ballkan ka më shumë shqiptarë se sa grekë.

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: E MINISTRIT TE JASHTEM GREK, KERCENIMET, Kotzias

SHQIPTARËT NË MAL TË ZI- DËSHTIMET POLITIKE NË EMËR TË PSEUDOPATRIOTIZMIT

October 18, 2016 by dgreca

MENTALITETI I PËRÇARJEVE, MËRGATA SHQIPTARE DHE DËSHTIMET POLITIKE NË EMËR TË PSEUDOPATRIOTIZMIT/

ESAD GJONBALAJ/ NJU JORK/

Trevat shqiptare nën Mal të Zi po vuajnë nga shumë plagë. Njëra nga këto është plaga e rëndë e mërgimit, plagë kjo që rëndon dhe që rrezikon rëndë qenien shqiptare në trojet tona stërgjyshore. Por kjo plagë bëhet edhe më shumë e acaruar kur mërgimtarët përzihen në politikën shqiptare në Mal të Zi.

Gjendja politike e faktorit shqiptar në Mal të Zi është e rëndë. Por ditëve të fundit jemi dëshmitarë edhe të dobësimit të mëtejshëm të faktorit shqiptar në Mal të Zi.

Dhe kjo vjen për shkak të presioneve nga joshqiptarët. Vjen edhe nga mungesa e nje ideologjie të qartë. Vjen, edhe më dukshëm si rrjedhojë e mentaliteteve bajraktareske të disa të ashtuquajturve pseudoliderë politikë. Janë këta liderë të shqiptarëve në nivele zonash, që nën ombrellën e kultivimit të “patriotizmit te zjarrtë” në fakt po ia vejnë zjarrin interesave të përgjithshme kombëtare të shqiptareve që sot jetojnë nën Mal të Zi.

Politikat e tyre kanë dështuar dhe këto zgjedhje kuvendare provuan pikërisht këtë. Rezultatet dhe shifrat e dala nga zgjedhjet e përgjithshme në Mal të Zi janë tronditëse. Këto janë edhe argumenti më i fortë dhe më bindes i një dështimi klasik dhe dobësimi të mëtejshëm të pozicionit të shqiptarëve nën Mal të Zi.

Mospërgjegjësia ndaj interesave të përgjithshme dhe veprimet egoiste, klanore dërgojnë ujin ne mullirin e atyre që gjithnjë luftuan dhe sajuan plane famëkeqe kundër qenies shqiptare në këto treva të përvuajtura.

Në vend që të marrim tre-katër deputetë, sikur të ishim te gjithë në një listë ne arritëm të sigurojmë vetëm një deputet e tërë kjo fal “pseudopatriotizmit të zjarrtë” që çoi në përplasje dhe dobësim të dukshëm të faktorit shqiptar.Në këto zgjedhje, shqiptarët dolën me tri subjekte, me dy koalicione dhe me Listën e Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve.

Mandatin e vetëm në Parlamentin e Malit të Zi e ka fituar Koalicioni “Shqiptarët të vendosur” Forca-UDSH-ASH ka fituar 1 mandat. Ky koalicion i ka fituar 4.500 vota ose 1.20 për qind. Koalicioni shqiptar “Me një qellim” PD-IQ-LDMZ-Perspektiva i ka fituar 3.500 vota ose 0.90 për qind, kurse Lista e Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve i ka fituar 1.500 vota ose 0.40 për qind.

Sikur të ishim bashkë, do të merrnim të paktën tre deputetë dhe do të ishim një faktor real dhe për tu vlerësuar.Kjo vjen nga mungesa e përgjegjësisë politike. Kultura e mos përgjegjësisë politike është shprehje mungese e qëllimeve të sinqerta dhe mungesë e vetëdijes se pastër kombëtare duke shpërfillur dështimin e tyre. Shkaku? Kjo vjen si rrjedhojë e paaftësisë politike dhe e lidershipit te dobët. Kjo është, edhe shprehje e kulturës gangrenë të politikes aktuale shqiptare.Një pjesë e madhe e fajit vjen edhe nga mërgimi. Shqiptarët në mërgim mbështesin klanet e tyre dhe kushërinjtë por nuk ndjekin çështjen kombëtare.

Ne që jemi në mërgim me dhembje dhe ankth shohim se si avazi i vjetër i përçarjeve të shqiptareve luhet edhe sot, edhe sot kur vetvetes i themi se udhëhiqemi nga intelektualet tanë.

Një kontribut indirekt në këto përçarje, fatkeqësisht po e luan edhe diaspora me disa individë të prirë nga lidhjet familjare e jo nga lidhjet që kanë të bëjnë me aspektet parimore kombëtare. Ironi e llojit te vet për kohen qe jetojmë!

Duke parë dhe duke analizuar tërë këtë lamsh problemesh, çdo qytetar shqiptar shumë thjesht vjen në disa përfundime. Njëri përfundim i dukshëm është se na duhet bashkimi I faktorit politik shqiptar. Tjetri përfundim që vijon është se me këta njerëz, me këto klane dhe me këto struktura të këtij mentalitetit, lokalist, bjaraktaresk nuk shoh ne horizont ndonjë perspektiv dhe vizion të qartë për përmirësimin e e pozitës se shqiptarëve nen Mal te Zi. Kështu do të vazhdojmë të mbesim të përcarë dhe do të humbim peshën reale politike që na duhet me zgjidhë problemet jetike të shqiptarëve në Mal të Zi.

 

Filed Under: Komente Tagged With: DËSHTIMET POLITIKE NË EMËR, Mali i Zi, TË PSEUDOPATRIOTIZMIT

Ardiani dhe Arditi

October 18, 2016 by dgreca

…-Ka pas t’vdek te fusha poshtë. E ka pas zon traktori. Ka pas qenë traktori me goma rrumbullake prej hekri, edhe kanë qenë si thumba, që u ngulnin n’dhe, që mos rrshqiste. Edhe ai e ka pas shty…/

Nga Lindita KOMANI/*1-lidnita-komani

Kur binte shi, deri te gjuri u mushte plot me ujë. Edhe ishte ftoftë shumë, nuk kishte asi lloj kushte. As maskë s’kishe, vetëm nji palë doreza na kanë dhon, mu për vete, vetëm një palë doreza m’kanë dhon.

Më 15 qershor (ishte dita e parë). Vajta në punë, turni i dytë, në orën 3. I thashë unë: A ka vend për punë? M’thanë po. M’dhanë dorezat.
I thashë përgjegjësit të madh (për punë)… Ai edhe tha… M’dhanë dorezat, vajta, bona turnin e dytë atë ditë, pastaj ai tha, do të kthena turnin e tretë. U ktheva turni i tretë, çdo natë pastaj, ndejta unë n’punë. Edhe m’u kishte bezdis.

Ne punoshim tetë orë. Nga ora 11 e merrshim deri n’orën 7. Kishim si proçes t’punës, si t’i jipshin ato. Ishe 8 orë, kishe me 8 mijë lekë. Ishe edhe me 10 që ishe lopata.

N’lopatë. Me gjithë vëllain.

Kishte sa t’dush kishte (bashkëmoshatarë). Edhe 15 vjet, aty.

Jo (nuk isha i siguruar).

Ne i merrshim n’dorë, atje lart tek zyrat (pagesat).

Po (ka pat aksidente), njori biles ka thy komën atje, po mbrapa që e kam lon unë punën. Edhe at ditë kur morrëm rrogat, ishte me kom të thyme, me paterica ishte tu ec. Nuk e di (si ndodhi), se e kasha lon unë punën, e s’e kam pa.

Ka pas t’vdek te fusha poshtë. E ka pas zon traktori. Ka pas qenë traktori me goma rrumbullake prej hekri, edhe kanë qenë si thumba, që u ngulnin n’dhe, që mos rrshqiste. Edhe ai e ka pas shty.

Këtu është emri i vëllajt, me gjithë mbiemrin këtu. Kurse ktu o vëllaj.
Po (më merr malli për Arditin).

Ardiani tregon tatuazhin me fytyrën e vëllait. Mban shtrënguar lart mëngën e këmishës me kuadrate dhe përkul kokën që ta shohë edhe ai vetë tatuazhin e freskët. Arditi shfaqet me buzëqeshjen e fëmijës së rritur para kohe, nga hallet dhe nevoja për të gjetur vetë zgjidhje për to. Ardiani përlotet e zëri i humb.

Po (për shkollën u futa në punë). Ndihmonim familjen, blenim rrobat e shkollës, librat, t’gjitha.

Ardiani fshin lotët.

Po si s’du unë drejtësi (për Arditin). Drejtësia duhet, edhe mos me e pas vëlla duhet bo se drejtësia të jetë gjithmonë. Ata e zejmë sikur ka qenë në… ke ura e Beshirit ka qenë një stallë lopë. Edhe aty kanë pas qenë myt lopë, aty ka vajt me pa se sa kren janë myt, këtu të paktën t’kishte ardh me ngushllu. Këtu s’ka ardh asnjë.

Arditi ul kokën mënjanë.

*(Duke parë e dëgjuar “Kodrina e vdekjes” nga Publicus…)

 

Filed Under: Komente Tagged With: Ardiani dhe Arditi, Lindita Komani

Gjergj Fishta si kurban

October 16, 2016 by dgreca

1 Ilir Hashorva

NGA  ILIR HASHORVA/ Nju Jork/

Pra pak ditësh, në disa gazeta, u botua një letër e Gjergj Fishtës, e zbuluar prej Nasho Jorgaqit, të cilën Fishta ia dërgonte një miku të tij, një oficeri fashist, këtu e më se 75 vjet më parë. Mjaftoi kjo letër që Fishta menjëherë të quhej fashist dhe të anatemohej nga komunistët ashtu siç dinë ata, kur i vënë tjetrit epitetin fashist, ndonëse Fishta nuk ka qenë asnjëherë as fashist me bindje dhe as fashist i organizuar se, po të kishte qenë, do të kishte bërë, së paku, një poemë a një vjershë për Beniton a fashizmin, ashtu siç bënë poetët tanë komunistë për Enverin dhe partinë. Por jo. Fishta nuk i këndoi kurrë fashizmit. Do të kishte qenë me shumë vlerë, po të ishte bërë ndonjë studim i paanshëm për të krahasuar fashizmin italian me komunizmin shqiptar, prej nga të dilte se cila prej këtyre dy diktaturave kishte qenë më totalitare, më shtypëse dhe më e dëmshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe, rrjedhimisht, cilët do të duhej të kritikoheshin më shumë: komunistët apo fashistët.

Disa shkrime të tjera po në gazeta si dhe komente të lexuesve, krijuan atmosferën e viteve të para të pasluftës, kur Enver Hoxha u ngrit i pari për të denigruar dhe masakruar poetin e madh kombëtar Gjergj Fishtën, këtë poet që i këndoi vetëm Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe, pas Enverit, të gjithë larot, me demek shkrimtarë e poetë, pasuan me një sulm të përgjithshëm e të larmishëm kundër tij, ca nga smira, e ca nga dallkaukllëku. Enver Hoxha e denigroi dhe e masakroi Gjergj Fishtën, për hir të jugosllavëve, sepse pa denigruar dhe pa masakruar atë, pa e bërë kurban atë, nuk mund të krijonte ato marrëdhënie me Jugosllavinë e Titos të cilat mund të arrinin deri aty sa Shqipërinë t’ia bashkonte Jugosllavisë.

Pa dyshim, lind pyetja: ç’u kujtua shtypi shqiptar, që të rilindte një fushatë antifishtë pikërisht sot, kur kishte filluar një rehabilitim i ndrojtur i tij, kur kishin filluar t’i botoheshin veprat, kur kishte filluar vlerësimi i tyre, kur edhe Ismail Kadareja, dikur një nga kritikët më të mëdhenj të tij, tha se kritikën nuk ia kishte bërë për ta luftuar, por për ta mbrojtur!? Rastësisht doli letra e Nasho Jorgaqit sot kundër poetit më antisllav e më pro shqiptar, letër  për të cilën nuk thuhej as se kur dhe ku ishte zbuluar dhe as nuk jepej faksimilja e saj?

Në këtë botë ka shumë gjëra që duken si koincidenca apo rastësira. Në të vërtetë prej tyre koincidenca dhe rastësira janë fare pak dhe ato që konsiderohen rastësi, shpesh janë ligjësi. Në qoftë se do të shohim periudhën kur rilindi fushata antifishtë sot, do të vëmë re se ajo u zhvillua njëkohësisht me vizitën e kryeministrit tonë Edi Rama në Serbi si dhe me botimin aty në serbisht të librit të tij “Kurban”. Edi Ramës i duhej një atmosferë e brendshme proserbe që të bëhej më i besueshëm prej serbëve në bisedimet që do të zhvillonte me ta dhe për t’i larë borxhin atyre për botimin e kurbanit të tij. Kështu, në Shqipëri Fishta u bë kurban për herë të dytë.

A mund të ishte Edi Rama orkestruesi i asaj fushate, apo për të kanë punuar edhe qarqe të tjera okulte, apo, e thënë shqip, proserbe? Nuk mund të thuhet me siguri se cilët e orkestruan, por me siguri mund të thuhet se ajo fushatë i shërbeu Edi Ramës dhe, po qe se ishte e orkestruar prej tij, ishte si një dhuratë personale që një mbret i çon një mbreti tjetër, kur kërkon favore prej tij.
           Nju Jork, 15. 10. 2016                                                    

Filed Under: Komente Tagged With: Edi Rama, Gjergj Fishta, Ilir Harshova, si Kurban

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 241
  • 242
  • 243
  • 244
  • 245
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë
  • Prof.Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri
  • Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri
  • Liria e fjalës dhe besimit
  • MARTIN LUTHER KING DAY: DITA KUR KUJTESA BËHET PËRGJEGJËSI
  • “Eleganca e lotëve”
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT