• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hasan Kaleshi, themelues i albanologjisë orientale?

April 14, 2025 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Shpesh më kanë pyetur nëse Hasan Kaleshi ishte nga fshati im—nga Kaleshet. Është një pyetje që vjen natyrshëm, për shkak të mbiemrit të tij. Dhe sa herë më është bërë kjo pyetje, kam pasur një ndjesi të çuditshme—jo për t’u mburrur, por për të kuptuar. E kam menduar gjatë. Jo, nuk kam gjetur asnjë dëshmi që ai të ishte nga Kaleshet. Por ndonjë lidhje më shumë se gjeografike ndiej—atë të përkatësisë, të gjakut a të dhembjes. Dhe pikërisht për këtë vendosa të mos i besoj as lavdërimeve, as kritikave për të. Vendosa të lexoj vetë.

Nuk është e lehtë të flasësh për një njeri që disa e quajnë themelues të albanologjisë orientale, ndërsa të tjerë e shikojnë si interpretues të kujdesshëm të historisë shqiptare në gjuhën e pushtuesit. Hasan Kaleshi ndodhet pikërisht në atë zonë gri ku fjala nuk është as heroike, as tradhtare—por e përkryer. Dhe për këtë arsye, kërkon lexim të gjatë, të ngadaltë, e të thellë.

Para meje janë dhjetë vëllime. Jo pak. Jo një libër, jo një artikull, por një jetë e tërë e mbledhur në dokumente, në analiza, në përkthime të kujdesshme dhe vlerësime që flasin për një njeri që i dha shumë mendimit historik shqiptar—por nga një kënd që kërkon vëmendje. Ai është studiuar, botuar, përkthyer. Por pak është ndjerë.

Në faqet e tij gjeta dije. Dije të thellë, të pasur, të rrallë. Por nuk munda të gjej atë që kërkoja më shumë: dhimbjen. Ai shkroi për ne, për shqiptarët në Perandorinë Osmane, për rrënjët tona, për emrat tanë në regjistra dhe firmat në fermane. Por e bëri këtë me një gjuhë aq të kujdesshme, aq të përmbajtur, sa herë pas here pyesja veten: ku është zëri ynë? Jo zëri që shënohet, por ai që kërkon drejtësi?

Nuk po them që Hasan Kaleshi ishte kundër nesh. As që mungoi dashuria. Por ndonjëherë, kur mungon fjala e ndjerë, njeriu mbetet duke kërkuar brenda një qetësie që s’ta ngroh shpirtin. Ai shkroi për ne si studiues, por jo gjithmonë si vëlla që i dhemb fati ynë. Dhe mua kjo më mbetet peng. Sepse unë vij nga një vend ku historia nuk lexohet, por jetohet. Ku çdo fjalë lidhet me një plagë të gjallë. E kur kjo plagë nuk gjen jehonë në librin përballë, lind një boshllëk që as studimi më i thellë nuk e mbush dot.

A ishte Kaleshi i rëndësishëm për historinë tonë? Po. A e meritojnë veprat e tij të lexohen? Pa dyshim. Por a ishte ai një zë i brendshëm i kujtesës sonë kolektive, një zë që flet me gjakun dhe shpirtin tonë? Këtë nuk mund ta them me siguri. E prandaj lexoj. E prandaj dyshoj. Jo për ta ulur, por për ta kuptuar më drejt.

Sepse ndonjëherë, dyshimi është forma më e ndershme e respektit.

Filed Under: Komente

Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra! Jo Kaq e Thjeshtë! Një këndvështrim nga neuro-shkenca

April 12, 2025 by s p

Nga Fatjona R. Lubonja Ed.D Education/Neuroscience/Behavior/

Të thuash të vërtetën është një normë shoqërore pothuajse universale. Po kështu, gënjeshtra dënohet në shumicën e shoqërive. Shkeljet e vërtetuara ose të dyshuara të normës për të thënë të vërtetën, veçanërisht në formën e gënjeshtrave, konsiderohen gjerësisht si antisociale që sjellin dëmtime të rënda në reputacionin e autorit të tyre. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, megjithatë, dihet pak për themelet biologjike ne sjelljen e “gënjeshtrës”. Rezultatet nga imazhet e rezonancës magnetike që krahasojnë strukturat e trurit tregojnë aktivitet me më shumë lëndë e bardhë që nënkupton më shumë lidhje nervore dhe mund të lehtësojë sjelljen “gënjeshtër” (Holden, C. 2005). Ky rrugëtim përzgjatur e bën sjelljen “gënjeshtër” më të vështirë sesa të thuash të vërtetën. Më thjesht mund të shpjegohet që aktiviteti i pjesëve të trurit për të formuar një “gënjeshtër” është më e gjërë duke aktivuar edhe pjesë të panevojshme për atë sjellje. Sjellja “gënjeshtër” është më komplekse dhe e ndryshme në të gjithat rastet dhe individët, duke ju referuar faktit biologjik, psikologjik, social dhe kulturor. Aftësia për të gënjyer është një aftësi komplekse mendore që kërkon jo vetem aftësinë për të aktivuar një rrugëtim jo të vërtetë “genjeshter”, por në të njëjtën kohë duhet të ndaloj informacionin e “vërtetë”. Në referim the studimeve (Wibral, D, et. al., 2012; Sindermann, C et., al 2020), testosteroni dhe hypothalamic oxytocin, diskutohet se luan një rol në sjelljen e “gënjeshtrës”. Disa studime neuroimaging kanë zbuluar rolet vendimtare të korteksit frontal paraballor dhe inferior si dhe të korteksit cingulues anterior në monitorimin e konfliktit midis të “vërtetës” dhe “gënjeshtrës”, frenimin i aktivitetit konkurrues, kujtesën e punës, dhe rregullimin e zgjimit. Sjellja “genjeshter” mund te kete nje ndryshim midis moshave nga femijeria tek te rriturit. Për shkak se proceset si kontrolli kognitiv dhe kujtesa ndikohen gjatë gjithë jetëgjatësisë, është e rëndësishme të merret parasysh se mosha mund të jetë një moderator në efektet që “gënjeshtra” ka në kujtesë (Paige, L. E., Fields, E. C., & Gutchess, A. 2019).

Fatjona R. Lubonja Ed.D. është studiuese / autore e shumë shkrimeve dhe ka studiuar Neuroshkencë, Education & Behavior në Columbia University, në New York. #fatjonalubonjawww.fatjonalubonja.com

Filed Under: Komente

Ata ishin histori në lëvizje…Beteja e Koshares (9 Prill 1999 – 9 Prill 2025)

April 10, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Kanë kaluar 26 pranvera nga ajo ditë kur gjithçka mori tjetër kuptim për Kosovën dhe për kombin shqiptar.

Më 9 Prill 1999, në malet e grykat e Koshares, u shpalos një kapitull i ri i historisë sonë – një epikë e gjakut dhe lavdisë, ku kufiri mes jetës dhe vdekjes nuk u mat me frikë, por me vendosmëri, burrëri dhe betimin e shenjtë për liri.

Kosharja nuk ishte vetëm një betejë ushtarake – ajo ishte shembje mitesh, ndarje epokash dhe ringjallje e shpirtit kombëtar.

Kosharja – Porta e Lirisë së Kosovës që u çel me gjakun e heronjëve

Ishte aty ku me forcën e armës u hoq, për herë të parë, kufiri famëkeq që ndante shqiptarët, i vendosur nga padrejtësitë e historisë, por i ruajtur me armë nga okupatori shekullor serb.

Ishte aty ku luftëtarët e UÇK-së – nga të gjitha anët e trojeve shqiptare, nga mërgata atdhedashëse dhe luftëtarë të popujve liridashës– ia hapën rrugën lirisë me gjak, me armë, me sakrificë, me përkrahjen e SHBA dhe aleatëve të NATO-s dhe me bekimin e gjithë kombit që i ndiqte me zemër në dorë.

Luftëtarët e Koshares nuk ishin thjesht ushtarë. Ata ishin histori në lëvizje. Ishin bij të Shqipërisë Etnike, të rritur me madhështinë e krenarinë e Skënderbeut dhe me plagët e kombit.

Ata komanduan nga fronti e jo nga zyra, udhëhoqën me shembull e jo me fjalë, dhe ranë me emrin e atdheut në gojë, duke u bërë të pavdekshëm.

Sot, 26 vjet më vonë, Kosharja nuk është vetëm kujtim. Është udhërrëfyes. Është flamur që nuk lejon harresë. Është amanet për bashkim kombëtar dhe për një Kosovë që duhet të qëndrojë gjithmonë në krah të miqve të saj të përjetshëm – Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s – por gjithmonë me kokën lart dhe rrënjët thellë në gjakun e dheun e dëshmorëve.

Lavdi përjetë të rënëve të Betejës së Koshares dhe të gjithë Deshmorëve të UÇK!

Nderim dhe respekt për të mbijetuarit dhe familjet e tyre!

Rroftë Kosharja – porta e lirisë Kosovës!

Filed Under: Komente

Neoshqiptarizmi, rruga nga ekzistenca drejt përmbushjes kombëtare!

April 8, 2025 by s p

Nga Arian Galdini/

Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët ekzistojnë, por pyetja themelore mbetet: A jemi duke u përmbushur si komb? Kjo është një pyetje që nuk ka të bëjë me numra, as me statistika demografike, as me kilometrat katrorë të territoreve ku flitet shqip. Ka të bëjë me atë që jemi në thelb, me ndërgjegjen, me përkatësinë, me projektin jetësor që ndërton një bashkësi të vërtetë me rrënjë, me vlera dhe me vizion.

Në thelb të këtij reflektimi qëndron bindja se popujt nuk zhduken vetëm kur pushtohen nga jashtë, por edhe, dhe shpesh më shpejt e më fort e më keqazi, kur zhbëhen nga brenda. Kur e humbin narrativën që i mban bashkë. Kur përkatësia bëhet rastësi e pasivitet, jo zgjedhje dhe përkushtim. Këtu hyn Neoshqiptarizmi.

Neoshqiptarizmi vjen si rikthim në vetëdije, jo në folklor. Për shumë dekada, shqiptaria është keqpërdorur ose si mit i shenjtëruar, që nuk lejon pyetje, ose si etnitet folklorik, që nuk përfshihet në projektim të së ardhmes. Në njërin rast, ajo mbyll gojën e arsyes. Në tjetrin, humb forcën e orientimit. Shqiptaria është bërë shpesh ose ikonë pa jetë, ose anekdotë pa peshe. Por një komb nuk mund të qëndrojë gjatë pa një strukturë mendimi dhe ndjeshmërie që i jep përkatësisë kuptim të thellë.

Kjo është ajo që bën Neoshqiptarizmi, e nxjerr shqiptarinë nga rafte muzeale dhe nga skena ceremonialesh boshe, dhe e kthen në një mënyrë të qenies dhe të jetesës. Ai propozon një shqiptarizëm që është akt ndërgjegjeje e jo vetëm rastësi gjuhësore apo gjeografike. Një shqiptarizëm që buron nga zgjedhja për të jetuar me përgjegjësi, jo vetëm për të kujtuar me nostalgji. Ai na fton të jemi shqiptarë jo si ndjesi, por si virtyt. Jo si identitet i dhënë, por si detyrë e zgjedhur. Neoshqiptarizmi vjen si moral kolektiv në kohë të krizës së kuptimeve.

Në epokën moderne, ku gjithçka është relativizuar, kombi si ide nuk ka vdekur, por ka humbur moralin e vet. Janë zbehur përmasat etike të bashkësisë kombëtare. Sot, shumë shpesh, jemi shqiptarë në emër, në pasaportë, në emocione të shpërthyera në stadiume apo në tragjedi.

Por nuk jemi shqiptarë në përditshmëri, në përkushtim, në kulturë, në projekt. Neoshqiptarizmi vjen si një doktrinë që i rikthen përkatësisë kombëtare përmasën morale. Ai nuk është retorikë nacionaliste që thërret për krenari të shkuar. Është etikë e përgjegjësisë për të ndërtuar një bashkësi që nuk e vret vetveten përditë përmes mllefit, përçarjes, korrupsionit, zilisë, harresës.

Neoshqiptarizmi është një moral i rrallë në një kohë imoraliteti të zakonshëm. Ai nuk kërkon të përjashtojë, por të ndërtojë një bashkësi që e njeh veten përmes virtytit dhe vlerës, jo përmes viktimizimit apo izolimit. Neoshqiptarizmi vjen që të kalojmë nga kombi i dhimbjes te kombi i vetëdijes dhe krijimit. Shqiptarët kanë mbijetuar në shekuj si komb i dhimbjes. Por historia ka treguar se mbijetesa e gjatë, pa një vizion të përbashkët dhe etikë krijuese, të çon në shterim. Në harresë të arsyes përse jemi bashkë.

Neoshqiptarizmi kërkon ta kthejë shqiptarinë në frymëmarrje krijuese, jo vetëm në kujtesë plagësh. Ai është rrëfimi i një kombi që nuk e mohon të kaluarën, por nuk lejon që e kaluara ta mbajë peng. Ai nuk është apologji e vuajtjes, por manifest i mundësisë për të ndërtuar të ardhmen me frymë dhe me kuptim. Ai na thotë se nuk mjafton të jesh shqiptar që ke duruar.

Duhet të jesh shqiptar që ndërton. Nuk mjafton të jesh shqiptar që kujton. Duhet të jesh shqiptar që krijon. Sociologjia e shpërbërjes dhe domosdoshmëria e një doktrine si Neoshqiptarizmi. Shqiptarët, sociologjikisht, janë sot komb i fragmentuar në rrafshe të shumëfishta: ekonomike, politike, krahinore, kulturore, psikologjike.

Kemi një komb të copëtuar emocionalisht dhe imagjinativisht. Në një realitet të tillë, ne nuk kemi luksin e indiferencës filozofike. Kemi nevojë për një ide të qartë për bashkimin, jo vetëm territorial, por shpirtëror e moral. Kemi nevojë për një kujtesë të gjallë, një narrativë të re, një etikë të përbashkët, që na thërret jo të imitojmë, por të krijojmë. Jo të garojmë për mbijetesë, por të bashkëkrijojmë për të qenë më shumë se kurrë bashkë si shqiptarë. Neoshqiptarizmi është modeli më i qartë që kemi sot për ta bërë këtë.

Jo si doktrinë që kërkon pushtet, por si strukturë që kërkon vetëdije dhe rilindje e ripërtëritje të përbashkët. Për një shqiptari që nuk thërret më vetëm në krizë, por që frymëzon përherë. Për shumë kohë, shqiptaria është aktivizuar vetëm kur është kërcënuar. Kur jemi plagosur, kemi thirrur njëri-tjetrin. Kur jemi rrezikuar, kemi kujtuar kush jemi. Neoshqiptarizmi kërkon ta çlirojë shqiptarinë nga varësia e krizës. Të mos na duhet më një armik që të kujtojmë se jemi një.

Të mos na duhet një tragjedi që të shfaqim vlera. Të mos na duhet një fatkeqësi për të shfaqur ndjenjën e përkatësisë. Ai kërkon ta bëjmë shqiptarinë një projekt të përhershëm të jetës sonë individuale dhe kolektive, një mënyrë për të qenë më të ndershëm, më të thellë, më të vërtetë. Një shqiptarizëm që është po aq përditshmëri, sa është dashuri. Neoshqiptarizmi vjen si rruga e vetme drejt një shqiptarie të denjë për shekullin XXI.

Në fund të këtij reflektimi, vetëm një gjë mbetet e qartë:
Ose do të kemi një shqiptarizëm të ri, të ndërtuar mbi vlera, vizion dhe vetëdije, ose do të zhbëhemi përmes boshllëkut të vetvetes. Neoshqiptarizmi nuk është një luks filozofik a doktrinor. Është një domosdoshmëri etike, politike dhe shoqërore për të mbijetuar jo thjesht si emër, por si vlerë. Jo thjesht si komb që ka qenë, por si komb që duhet të bëhet.

Ai nuk ofron premtime, por shtigje për përgjegjësi. Nuk jep receta, por ngre pasqyra. Dhe në to, ne shqiptarët shohim për herë të parë veten jo siç kemi qenë, por siç mund të jemi. Dhe kjo është ajo që e bën Neoshqiptarizmin rrugën, dritën dhe sfidën tonë më të madhe, për të mos qenë më një emër që thuhet, por një komb që ngrihet.

Arian Galdini – Autor i librit Neoshqiptarizmi.

Filed Under: Komente

Thimi Mitko, veprimtaria patriotike, jeta dhe kontributi atdhetar

April 4, 2025 by s p

Xhelal Zejneli/

Një nga ‘zbuluesit’ e parë shqiptarë të trashëgimisë folklorike në Shqipëri ishte Zef Jubani (1818-1880), i njohur edhe me emrin Zef Ndokillija. Është autor i veprës “Racconti di canti popolari e rapsodie di poemi albanesi”, Trieste 1871 (Përmbledhje këngësh popullore e rapsodish shqiptare). Ky libër përbën përmbledhjen e parë me këngë popullore gegërishte. Është e para vepër folklorike e botuar nga një shqiptar për vetë Shqipërinë. 

Përmbledhja e dytë e rëndësishme me letërsi gojore shqiptare u botua nga folkloristi dhe personaliteti kombëtar Thimi Kostë Mitko (1820-1890) nga Korça, përfaqësues i shquar i kolonisë shqiptare të Egjiptit. Xhaxhai i Thimit ka qenë udhëheqës i revoltës në Korçë dhe në Tepelenë kundër reformave turke të Tanzimatit. Shkollën fillore greke, Thimi e bëri në Korçë. Më 1850, bashkë me xhaxhain u largua në Athinë. Prej aty vajti në Pllovdiv, më pas në Vjenë ku edhe punoi disa vite si rrobaqepës. Më 1865 Thimi Mitko emigroi në Egjipt. Në Beni Suef  hapi një punë tregtie dhe iu përkushtua lëvizjes kombëtare. Vdiq nga një sëmundje e rëndë, në Beni Suef më 22 mars 1890. 

*   *   *

Thimi Mitko ishte veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, folklorist. Për një kohë punoi në vendlindje, Korçë. Më pas u hodh në mërgim, në Manastir, Athinë, Filipopoli, Vjenë dhe që nga viti 1859 jetoi në Egjipt. Zhvilloi veprimtari patriotike të gjithanshme, në bashkëpunim me ideologë të Rilindjes, si Abdyl Frashërin (1839-1892), Kostandin Kristoforidhin (1830-1895), De Radën (1814-1903) etj. Ishte figura kryesore e kolonisë shqiptare në Egjipt. Ndërmori udhëtime nëpër shoqëritë e kolonive shqiptare. Shkroi artikuj në shtypin e kohës: në “Zëri i Shqipërisë” të veprimtarit iluminist të arbëreshëve të Greqisë, i cili punoi për çështjen kombëtare dhe përparimin e kombit shqiptar Anastas Kullurioti (1820-1887); në “Fiamurin e Arbrit” të De Radës; në revistën ndërkombëtare të Kluzhit (Rumani) “Acta comparationis litterarum universarum”, ku bënte pjesë në grupin e redaksisë. Në vitin 1859 e më pas botoi në disa numra të gazetës “Pandora” të Athinës shkrimin “Disa shënime rreth Korçës”, ku mbojti të drejtat e popullit shqiptar. Të njëjtin qëllim patën edhe shkrimet e tij “Gazeta e Livornos mbi çështjen shqiptare” (1879), artikujt publicistikë dhe poezitë. Në shkrimet e tij mishërohen idetë patriotike të Rilindjes: thirrja për bashkim, lartësimi i traditave të kombit, arsimimi në gjuhën amtare, kushtrimi luftarak kundër pushtuesve të huaj. U shqua sidomos si folklorist. Mblodhi pasuri të folklorit shqiptar nga krahinat e jugut dhe të veriut, por edhe nga arbëreshët e Italisë, nga arbëreshët e Greqisë. Ato i botoi në vëllimin “Bleta shqiptare” (1878). Iu rrek kësaj pune për qëllime patriotike dhe për të shpëtuar nga harresa krijimet folklorike. U përpoq për ta paraqitur trashëgiminë folklorike në një plan gjithëkombëtar, me një renditje deri diku shkencore. U përpoq të nxjerrë në dritë pasuritë e gjuhës shqipe dhe ta ngrejë shqipen e folur në shkallën e një gjuhe të punuar të përbashkët. Shkroi 15 apo 20 vjersha me motive atdhetare. Poezia e tij “E ndë Shqiptarët gjithë sa janë” (1867), me thirrjet për bashkim dhe për kryengritje të armatosur, është një nga dëshmitë e para të letërsisë luftarake të Rilindjes. Përshtati “Marsejezën”. Në vitin 1981, krijimet e tij u botuan me titull “Thimi Mitko, Vepra”. 

*   *   *

Thimi Mitko filloi të shfaqë interesim për folklorin rreth vitit 1859 kur ishte në Vjenë. Nga Spiro Dine (1846? – 1922) mësojmë se Mitkoja kishte nisur të regjistronte material folklorik para vitit 1866. Ai i dha Dhimitër Kamardës (1821-1882) këngë popullore, gjëegjëza dhe përralla për përmbledhjen e tij. 

Përmbledhja e Mitkos me folklor shqiptar përmbante 505 këngë popullore dhe 39 përralla e fjalë të urta kryesisht nga Shqipëria e jugut. Vepra u përfundua në vitin 1874 dhe u botua me alfabet grek katër vjet më vonë, në vitin e Lidhjes së Prizrenit, me titullin greqisht “Albanike melissa” dhe shqip “Bëlietta shqipëtare” (Bleta shqiptare), Aleksandri 1878. 

Kjo vepër nuk qe vetëm e para përmbledhje e letërsisë gjore e destinuar për publikun shqiptar, por edhe e para përmbledhje e tillë me interes të vërtetë shkencor. Flitet se një kopje e këtij libri është djegur publikisht në Athinë. 

Botimet e mëparshme me këngë dhe përralla popullore shqiptare kanë qenë tepër të rralla dhe nuk i kishin përfshirë aspektet më të bukura të letërsisë gojore shqiptare, as i kishin mbuluar të gjitha trevat dhe gjithë tematikën. Mitkoja u përpoq që këtë trashëgimi kombëtare të letërsisë gojore ta paraqiste dhe ta ruante në mënyrë sa më të plotë. Në parathënie ai e shpreh qëllimin e tij: “… shpëtimi edhe dhënia brezave që vinë, i fjalëve dhe teksteve shqip të cilat para disa vjetësh i mblodha me shumë mundim e shpenzime dhe besoj se do të kenë një vleftë, sepse në këto duket origjina, karakteri, zakonet e racës shqiptare, veçanërisht dua që t’u ipet një shkak e një nxitje bashkatdhetarëve shqiptarë për të kaluarën dhe për të studiuar gjuhën e tyre amtare, në këtë mënyrë t’u sjell dobi që të mundin edhe këta të përparojnë…”. 

Materiali i “Bletës shqiptare” është klasifikuar dhe renditur sipas gjinive. Libri përfshin pjesë me këngë për të vegjël, këngë për festat popullore të motmotit, këngë dashurie, këngë dasme, nizami, kurbeti, vaje e këngë vajë, balada, epika historike, si dhe përralla, fabula e anekdota. Si shtojcë ka një fjalor shqip-greqisht. 

Me këtë përmbajtje për atë kohë, kjo përbënte një vepër themelore për letërsinë gojore shqiptare. Por në Evropën Perëndimore lëvizja e romantizmit kishte rënë prej kohësh dhe bashkë me të edhe interesimi për letërsinë gojore dhe për traditat folklorike. Kjo rrethanë bëri që përmbledhja e Mitkos të mos pritej në botë me aq vëmendje që meritonte. Vepra u ribotua  nga Gjergj Pekmezi (1872-1938) në Vjenë më 1924, duke e përdorur alfabetin shqiptar të kohës, me titullin “Bleta shqypëtare e Thimi Mitkos”. Në këtë variant, vepra u prit më mirë. 

Mitkoja hartoi edhe një përmbledhje tjetër shtojcë me letërsi gojore shqiptare e njohur me emrin ‘Bleta e vogël’, por nuk mundi kurrë ta botojë. I pabotuar mbeti edhe fjalori i tij shqip-greqisht me rreth 3000 faqe dorëshkrim, që u zbulua më vonë në Aleksandri. Dorëshkrime të tjera të tij që presin të studiohen, janë ato që ndodhen në Koleksionin Shqiptar të Bibliotekës Mbretërore në Kopenhagë. 

Përveç interesimit për letërsinë gojore, Mitkoja ishte aktiv edhe në lëvizjen kombëtare, sidomos si autor i të paktën pesë artikujve në periodikë evropianë në mbështetje të çështjes shqiptare. Kur shpërtheu lufta me Malin e Zi në fund të vitit 1880, ai shpërndau një përkthim shqip të Marsejezës. Në vitin 1881 Thimi Mitkoja qe një nga anëtarët themelues të seksionit egjiptian të Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip. Më pas ndërmori shpërndarjen në Egjipt  të së përmuajshmes ‘Fiamuri Arbrit’ të Jeronim De Radës (1814-1903). Kjo revistë e De Radës u botua në Kalabri nga korriku i vitit 1883 deri në nëntor të vitit 1887. 

Mitkoja shkroi edhe pak poezi. Janë ruajtur pesëmbëdhjetë vjersha të tij. Njëra prej tyre është botuar në antologjinë “A Dora d’Istria gli Albanesi” (Dora d’Istrias shqiptarët, Livorno 1870) të gjuhëtarit dhe filologut arbëresh Dhimitër Kamardës (1821-1882). Poezitë e Mitkos nuk kanë ndonjë vlerë letrare të veçantë. 

Me interes letrar dhe historik më të madh është letërkëmbimi i tij i vëllimshëm me albanologë të tjerë të shquar të kohës, si Jeronim De Rada (1814-1903), Dhimitër Kamarda (1821-1882), studiuesi arbëresh nga ishulli Hidra i Greqisë Panajot Kupitori (1821-1881), gjuhëtari çek i cili është marrë edhe me studimin e gjuhës shqipe Jan Urban Jarnik (1848-1923), Dora d’Istria (1828-1888), Kostandin Kristoforidhi (1830-1895), Visar Dodani (rreth 1857-1939), personaliteti politik dhe shtetëror italian me prejardhje arbëreshe Françesko Krispi (1818-1901) dhe albanologun austriak, një nga themeluesit e albanologjisë, grecist dhe turkolog Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900).

Përpjekjet e Thimi Mitkos në fushën e folklorit u vazhduan nga bashkatdhetari i tij Spiro Risto Dine (1846? – 1922) nga Vithkuqi në krahinën e Korçës. I pari folklorist shqiptar që mblodhi letërsinë gojore në një mënyrë më sistematike dhe më shkencore ishte Shtjefën Konstantin Gjeçovi–Kryeziu (1874-1929).                                                

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 487
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale
  • We invite you to join us for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury
  • “VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ
  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT