Kapiteni Lorik Cana: Ndihem i nderuar që përfaqësova vendin dhe popullin tim/Lorik Cana zyrtaroi tërheqjen nga kombëtarja shqiptare. Nëpërmjet një komunikate në profilin e tij në rrjetin social Facebook, tashmë ish-kapiteni i skuadrës kuqezi deklaroi se për të kishte ardhur koha që t’i jepte lamtumirën përfaqësueses shqiptare. “Përshëndetje të gjithëve! Ashtu siç e bëra të ditur pas “Euro 2016”, vendosa të tërhiqem nga Kombëtarja. Mendova se kishte ardhur koha për këtë, pas arritjes më të madhe të sportit shqiptar. Ndihem i nderuar që gjatë karrierës sime kam mundur të përfaqësoj vendin dhe popullin tim. Sapo kam mbushur 33 vjeç dhe pas 14 vitesh aktivizimi në nivele të larta, më duhet kohë për t’u riaftësuar nga disa dëmtime. Këtë verë vendosa që të refuzoj të gjitha propozimet e mara në mënyrë që të kthehem sa më shpejt në formën time më të mirë dhe shpresoj të jem gati për arritje dhe projekte të reja. Ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen”, shkruan Cana.
Futbollisti Lorik Cana gjatë karrierës së tij ka zhvilluar me fanelën e kombëtares shqiptare 93 ndeshje, duke kurorëzuar edhe ëndrrën më të madhe, atë të aktivizimit në fazën finale të një evenimenti si Evropiani i Francës, ku kontributi i tij ka qenë i rëndësishëm. Vlerat e Kapitenit janë të shumëanshme, jo vetëm si futbollist, por dhe si qytetar, familjar, patriot dhe tashmë si njohës i historisë së popullit shqiptar. Pasi Loriku po përfundon dhe studimet për histori në Universitetin e Tiranës, në gjurmë të axhës së tij, të ndjerit Prof.Zekeria Cana, i cili i ka venë dhe emrin. {Bashkepunetori i Diellit nga Shqiperia, Shefqet Kercelli me ish Kapitenin Cana, i cili mbane nder duar librin e dhuruar nga autori Shefqet Kercelli “Antologji e Detarise Shqiptare”)…
Historianët e Deçanit kundër demarkacionit
-Letër deputetëve të Kuvendit të Kosovës: Ju ftojmë që t’i thoni jo demarkacionit me Malin e Zi dhe i gjithë procesi të kthehet në pikën zero/
-Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në orën 11:30 në seancë plenare, ku “Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, është pika e 6-të e axhendës 8-pikëshe/
PRISHTINË, 31 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/ Me ftesën që t’i thonë jo demarkacionit me Malin e Zi dhe i gjithë procesi të kthehet në pikën zero, në vazhdimësi të kundërshtimit të Marrëveshjes së Demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ju ka dërguar sot letër të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i cili mblidhet nesër në orën 11:30 në seancë plenare.
“Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, është pika e 6-të e axhendës 8-pikëshe.
Letra e plotë, të cilën e botojnë edhe mediat, e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan:
Të dashur deputetë dhe deputete të Kuvendit të Republikës se Kosovës,
Kanë mbetur edhe disa orë, deri kur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në vendin më të lartë legjislativ të vendit tonë, të fillojë diskutimi dhe më pas miratimi i Marrëveshjes për Demarkacionin në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.
Ky është një moment i kthesës së madhe në historinë e Kosovës të pas luftës çlirimtare e cila përfundoi me lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
Fati i popullit tonë është në gishtat tuaj. Ju e keni në dorë që të vendosni copëtimin e Kosovës apo të i thoni jo copëtimit të Kosovës. Emrat e juaj, tashmë janë pjesë e historisë së vendit tonë. Një pjesë e juaj jeni nënshkrues të aktit të pavarësisë së 17 shkurtit të vitit 2008, një pjesë tjetër e juaj jeni aktivistë të devotshëm të viteve ’90 të shekullit XX, dhe një pjesë e juaja jeni pjesë e pandashme e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të dashur deputetë dhe deputete të Kuvendit të Republikës se Kosovës,
Më 1 shtator 2016, emrat e juaj përsëri do të hyjnë në histori, por kësaj herë hyrja aty ka një kusht, kusht i cili është në duart tuaja. Të gjithë ju duke i thënë jo demarkacionit më Malin e Zi, do të mbeteni përherë burra e burrnesha të pavdekshëm, ndërsa ju që do të i thoni po demarkacionit me Malin e Zi, do të mbeteni përherë në faqen e zezë të historisë se vendit tonë.
Ju që do të i thoni po demarkacionit me Malin e Zi, do të i leni gjurmë të zezë vetës tuaj, familjes dhe fëmijëve tuaj.
Ne vlerësojmë dhe kemi vlerësuar si dhe e përsërisim prapë, që Komisioni Shtetëror i kryesuar nga Murat Meha, ka bërë punë skandaloze, duke lenë pjesë të tëra të Kosovës jashtë kufijve të saj.
Ju të nderuar deputetë dhe deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të dini se kufijtë e Kosovës i kanë vendosur gjaku i shumë e shumë dëshmorëve të kombit, e jo lapsi i Murat Mehës dhe pjesës tjetër të komisionit. Ju duhet të dini se në brendësi të Komisionit Qeveritar ka njerëz që janë skandalozë, që kanë një të kaluar jo të mirë kombëtare e profesionale.
Të nderuar deputetë e deputete të Kuvendit të Republikës se Kosovës,
Me votë kundër demarkacionit me Malin e Zi, do të mbroni interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës, do të ndalen shumë procese të tjera të liga për popullin tonë.
Në fund të kësaj letre, ju lutemi kujtoni delegatët e Kuvendit të Prizrenit të korrikut të vitit 1945, delegatë të cilët i thanë po aneksimit të Kosovës nga Serbia, po ashtu kujtojeni edhe delegatët e Kuvendit të Kosovës të marsit të vitit 1989 të cilët me dëshirë ia hoqën Kosovës elementin konstituiv, shikojeni se si sot ata i gjykon historia, andaj edhe ju nesër me 1 shtator 2016, jeni para dy rrugëve, ose të i thoni po copëtimit të Kosovës ose të i thoni jo copëtimit të Kosovës.
Vendosni vet, por nesër historia do të gjykoj veprimin e juaj.
Kaloni diktatet dhe vendimet e forumeve të partive, sepse tash jemi në demokraci dhe nuk jemi në sistemin parti-shtet.
Duke ju uruar punë të mbarë, në emër të Kryesisë dhe të gjitha strukturave dhe anëtarësisë së Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ju ftojmë që të i thoni jo demarkacionit me Malin e Zi dhe i gjithë procesi të kthehet në pikën zero.
Sinqerisht,
Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan
Kosova krenohet me Nënën Terezë
-Imzot Dodë Gjergji i ka dorëzuar kryeministrit Mustafa ftesën zyrtare për koncertin që do të organizohet në Vatikan, me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë/
-Të ftuar në këtë koncert do të jenë personalitete nga Vatikani, nga Italia, nga Shqipëria, nga Kosova dhe shumë vende tjera të botës/
PRISHTINË, 30 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim Ipeshkvin e Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
Gjatë takimit, Imzot Dodë Gjergji, ka shprehur mirënjohjen e Kishës Katolike për përkrahjen dhe kontributin e Qeverisë së Kosovës në organizimin e aktiviteteve me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë. Imzot Dodë Gjergji, po ashtu, i ka dorëzuar kryeministrit Mustafa ftesën zyrtare për koncertin që do të organizohet në Vatikan, me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë.
Kryeministri Mustafa shprehu respektin dhe krenarinë e jashtëzakonshme që ndjen çdo shqiptar dhe çdo qytetar i Kosovës për shenjtërimin e Nënës Terezë.Ai, po ashtu, theksoi rëndësinë e madhe që ka për Kosovën organizmi i aktiviteteve dhe shprehja e nderimeve institucionale dhe qytetare për simbolin global të mirësisë, dashurisë e humanizmit, Nënën Terezë. Qeveria e Kosovës, me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës, ka organizuar dhe ka mbështetur shumë aktivitete, duke filluar që nga shpallja e vitit 2016 “Vit të Nënë Terezës”, nga ana e Qeverisë.
Ndërsa, në shtator, në Vatikan, mbështetur nga Qeveria e Kosovës, do të organizohet një koncert madhështor ku do të përformojnë yje të shumta të muzikës duke përfshirë Rita Orën, dhe shumë artistë të mëdhenj të muzikës shqiptare dhe më gjerë.
Të ftuar në këtë koncert do të jenë personalitete nga Vatikani, nga Italia, Amerika, nga Shqipëria, nga Kosova dhe shumë vende tjera të botës.
VEZHGIM-Salla shkollore për lojë apo loja me salla shkollore?!
Çka është në dorën e punëtorëve dhe mësimdhënësve, gjithçka do të jetë gati për fillimin e vitit të ri shkollor. Por, brengosëse është qasja e organeve komunale dhe qendrore ndaj nevojave dhe kërkesave të nxënësve, mësimdhënësve dhe të komunitetit në tërësi./
Nga Ismet Azizi/
Në fillim të korrikut të viti të kaluar, në oborrin e shkollës “Abaz Ajeti” të qytetit të Gjilanit, të cilin rrallë ndonjë shkollë ta ketë, dhe në atë “Liria” të fshatit Pogragjë, u vu gur-themeli për ndërtimin e sallave të kulturës fizike për këto dy shkolla, me objektet përcjellëse dhe me aneksin e dhomave për parashkollorë, të cilat nuk janë gati edhe pse ka kaluar më tepër se një vit, që kur kishin filluar së ndërtuari.Që kur isha nxënës në shkollën fillore “Liria” në Pogragjë në vitet e 70-ta flitej me të madhe se ka me u ndërtua salla e kulturës fizike e që për ne nxënësit, asokohe, ishte një atraksion. Ne fëmijët e asaj treve as që kishim pa si duket një sallë, përveç që mund të shihnim në ndonjë emision në TV. Që nga atëherë thuhej se ishte nisur kjo punë, sepse shiheshin tullat e lëna në murin ku do të ndërtohej muri i sallës të cilët e kishte filluar drejtori i atëhershëm në zë, Ibrahim Ahmetaj nga Vuthajt.
Edhe pse nuk ishte arrite të ndërtohej salla e kulturës fizike, shumë mjete gjimnastikore të markës së njohur sllovene Elan, shkolla i kishte pas në dispozicion. Pra, qysh atëherë shkolla kishte edhe dy kabinete, atë të Gjeografisë dhe Historisë të pajisura me grafoskop dhe grafopoprojektor, dhe për lëndët Kimi dhe Biologji, të pajisura me mjete konkretizues.
Është e pabesueshme për gjeneratat e sotme, se çfarë kushte të mira kishim në atë periudhë në atë shkollë. Ishte ndër shkollat më të mira të Kosovës. Pikërisht në atë kohë nxënësit e kësaj shkolle radhitnin sukseset më të mira në garat e atëhershme kosovare. Kanë kaluar më se 40 vite nga ajo kohë, dhe edhe pse janë ndarë mjetet, më tepër se para një viti, përfundimi i sallës nuk duket kund. Ishte premtuar të kryheshin punët për 120 ditë, por tashmë kanë kaluat 420 ditë dhe as që është kryer gjysma e punëve e lere më të kryhet e gjitha, siç patën premtuar dy ministrat, ai i Arsimit dhe të Administratës Publike.
Premtimet ishin që pas 120 ditësh pune, salla të ishte gati dhe të hapej për nderë të 28 nëntorit, të vitit të kaluar, por nëse vazhdojnë punët me këtë ritëm, për përfundimin e sallës në Pogragjë do të duhet të kalojnë 1200 ditë.
Pak ma mirë, edhe pse ka pasur pengesa ligjore, kanë shkuar punët në ndërtimin e sallës dhe aneksit të objektit për parashkollorë në shkollën Abaz Ajeti”, por megjithatë vështirë se do të hapet objekti i ri për parashkollorë,e sa i përket sallës së edukatës fizike, shpresohet se do të jetë gati për 28 nëntorin e këtij viti.
Po them pak më mirë, por megjithatë, jemi dy-tre ditë para një shtatori, dhe sipas asaj që shihet nuk ka gjasa që nxënësit ta kremtojnë fillimin e viti të ri shkollor me sallë dhe objekt të gadimorës.
Çka edhe nëse salla e kulturës fizike kryhet dhe inaugurohet për 28 nëntor?!
Kur është përpiluar projekti ideor, flitej se më në fund shkollat e komunës do ta ketë një objekt të përkryer shkollor të shekullit 21, i cili objekt do të mundësojë organizimin e garave shkollore të komunës. Dhe jo vetëm kaq. Është folur me pompozitet se komuniteti, pra lagjet ku është objekti i shkollës, do të kenë mundësinë ta shfrytëzojnë sallën e cila do t’i lehtësonte nevojat e tyre. Me këtë komuniteti do të ishte më i lidhur për shkolle dhe në një mënyrë do të ishte pjesë e saj.
Por çka po ndodhë? A do të jetë ashtu në të ardhmen? Ndodhi ajo që më së paku pritej. Ndryshoi projekti, në të vërtetë as që pat projekt me rastin e fillimit të punëve, dhe përmasat e sallës u zvogëluan gati për gjysmë, nga 46 metra gjatësi sa parashihej, kur filloi ndërtimi ajo u “zvogëlua” në vetëm 24 metra gjatësi, pjesa tjetër u “tretë”. Me këto përmasa parashihej salla në njërën anë (në pjesën e aneksit të gadimorës) të ketë ulëse-tribuna. Edhe kjo tani është e pamundur.Me këtë madhësi në sallën në fjalë, mund të zhvillohet vetëm loja e volejbollit ndërsa për lojërat tjera me top nuk eksitojnë kushte. Bile, duke marrë parasysh se në sallë do të mbajnë mësim, nga dy paralele, atëherë mundë të thuhet se nuk i plotëson standardet, as për së afërmi.
Për tu zhvilluar një lojë e basketbollit për këdo qoftë ajo, dimensionet e fushës së basketbollit janë:
28 m (gjatësia) 15 m (gjerësia), fusha medoemos i shtruar në parket. Ndërsa sa i përket parketit nuk mendoj se do të jetë i shtruar.
Në përmasat sa do të jetë salla, pa probleme të theksuara mundë të zhvillohet një lojë volejboll, për dallim nga ajo fushë çfarë mendohej para se me fillua ndërtimi, ku mund të zhvilloheshin dy lojëra në të njëjtën kohë, ashtu siç parashihet të jetë një sallë standarde. Fusha e volejbollit duhet të jetë 18 metra gjatësi, 9 metra gjerësi, po ashtu, patjetër duhet të jetë e shtruar në parket.
Ndërsa për zhvillimin e lojës së Hendbollit dhe futsallit, nuk ka kushte elementare. Për t’iu zhvilluar loja e hendbollit duhet fusha të jetë 40 m gjatësi dhe 20 m gjerësi, Ndërsa Futsalli, loja më e popullarizuar në kohët e fundit, për tu zhvilluar një ndeshje ndërkombëtare, gjatësia më e vogël e lejuar është 38 m ndërsa më e gjata 42 m dhe gjerësia më e vogël 18 m, me e madhe 25 m. Por, vlen të themi se, dimensionet e lojës së futsallit lejohen edhe më të vogla.
Çka është shumë brengosëse dhe se që atëherë dyshohej se do të shkonte puna mbarë, u pa me rastin e vënies së gur-themelit. Për çudi, të ngazëllyer, përgjegjësit komunal për manifestime të tilla me rastin e fillimit të punëve, kishin marrë edhe gërshërët dhe shiritin me vete, me rastin e këtij akti të fillim të punimeve. Mandej, gjatë fjalime të ministrave dhe të tjerëve, të cilët morën pjesë në këtë manifestim, të gjithë shpreheshin me fjalët, “shpresojmë se punëkryesi do t’i kryej punët me kohë”, e askush nga ta, nuk kishte guxim të kërkonin nga punëkryesi që punët vërtetë të kryhen me kohë, e lëre më t’u tërhiqet vëmendja në pasojat që mund t’i ketë nëse punët nuk kryhen sipas afatit të paraparë.
Jam i bindur se shumë kush, edhe nga kolegët e mi, por edhe nga qytetarët të “ngjyrosur” politikisht, kam me u keqkuptua. Përgjigjja e tyre, apo kundërshtimi do të jetë,,“eiiii s’kemi pas fare, bile tash e kemi”. Një gjë duhet ta kemi parasysh. Sallat e kulturës fizike mund të rinovohen, të kompletohen me mjet përcjellëse, por në asnjë mënyrë nuk do të mund t’i ndërrohet struktura bazë, pra dimensionet.
Na mbetët të shpresojmë, që pas përfundimit të punimeve, sallat të kompletohen me mjete sportive,si koshat, rrjetën e volejbollit, dhe ato të gjimnastikës. Nxënësit, por edhe mësimdhënësit, me padurim presin t’i zhvillojnë orët e kulturës fizike, edhe në kushte çfarë ofrojnë këto salla, që fatkeqësisht nuk po bëhen me standarde, përkundër premtimeve.
Kosovë-Mushtishti proteston kundër kthimit të kriminelëve
-Thaçi: Janë të papranueshme skenat që janë parë të dielën në fshatin Mushtisht/
-Qeveria e Kosovës, keqardhje për incidentet e dhunshme në Mushtisht/
-Veseli: Duhet të bëhet dallimi i domosdoshëm në mes atyre që kanë bërë krime dhe komunitetit serb/
-VV: Serbët duhet të kthehen si qytetarë të barabartë e lojalë ndaj Republikës e jo si subjekte të strukturave paralele të ‘Zajednicës’/
-AAK: Mos u shkaktoni plagë të reja njerëzve të Mushtishtit dhe të mbarë Kosovës/
PRISHTINË, 28 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Mushtisht, ku gjatë luftës në Kosovë kanë ndodhur krime ndaj shqipatrëve, sot banorët kanë protestuar dhe bllokuar rrugën kundër ardhjes së serbëve në vizitë në manastirin e këtij fshati të komunës së Suharekës. Gjatë zhvillimeve të protestës ka pasur edhe përplasje mes protestuesëve dhe policisë, të lënduar e të arresuar.
Ditë më parë, të rinjtë e Mushtishtit në hyrje të fshatit të tyre kanë vendosur disa fotografi-pllakate me qëllim tregimin e dëshmimin për krimet e bëra nga serbë lokalë e ushtria e Serbisë në luftën e vitit 1999. Ata paralajmëronin protesta paqësore kundër kthimit të atyre që kanë bërë krime në fshat e që për banorët e tij janë të ditur.
Sot, që nga ora 07:00 e mëngjesit, banorë të fshatit Mushtisht kanë protestuar për mëse 6 orë kundër vizitës së disa qytetarëve serbë, të zhvendosur nga fshati pas luftës në Kosovë.
Protesta përfundoi pasi që tre autobusë me serbë që ishin nisur për të vizituar Mushtishtin, në një festë fetare ortodokse, u kthyen mbrapsht.
Sipas raportimeve, gjatë protestës janë arrestuar 24 protestues, ndërsa të lënduar përveç protestuesve, të cilët policia konstaton se janë lënduar nga vet gjuajtjet e tyre, janë edhe katër policë.
PRESIDENTI THAÇI FTON QË TË RESPEKTOHET E DREJTA E SECILIT PËR KTHIM
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se janë të papranueshme skenat që janë parë të dielën në fshatin Mushtisht dhe ka bërë thirrje që të respektohet e drejta e secilit që të kthehet në pronat e veta.
“Janë krejtësisht të panevojshme dhe të papranueshme skenat nga fshati Mushtisht”, është shprehur presidenti Thaçi, i cili ka shtuar se “këto veprime nuk janë as në interes të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”. Ai ka përsëritur se është e drejtë e secilit që të kthehet në pronën e tij dhe në vendin e tij të origjinës.
I pari i vendit ka thënë se të gjithë kanë të drejtë të kthehen në vendin e tyre të origjinës, në pronën e tyre. “Kjo vlen për çdo qytetar të Kosovës, pa dallim etnie”, tha presidenti Thaçi, duke bërë thirrje që të gjithë të respektojnë këtë të drejtë, bën të ditur deklarata e dërguar nga Presidenca kosovare.
“Çështja e të zhdukurve, e të zhvendosurve, e pronave të uzurpuara janë plagë të hapura nga lufta. Duhet t’i mbyllim sa më parë këto plagë dhe të kthehemi nga e ardhmja”, ka thënë presidenti Thaçi, i cili theksoi se e ardhmja është në paqe, dialog dhe bashkëpunim.
Duke shtuar se dhuna nuk ka vend në Kosovën e re, presidenti Thaçi përfundoi se drejtësia do të merret me të gjithë ata që kanë kryer krime në të kaluarën, meqë “drejtësia është kusht për pajtim të sinqertë dhe për ndërtimin e Kosovës multietnike”.
QEVERIA E KOSOVËS, KEQARDHJE PËR INCIDENTET E DHUNSHME NË MUSHTISHT
Qeveria e Kosovës deklaroi se shpreh keqardhje për incidentet e dhunshme që kanë ndodhura sot në Mushtisht.
“Qeveria e Kosovës respekton plotësisht të drejtën e çdo qytetari për protestë paqësore, për çfarëdolloj arsye, e ritheksojmë paqësore, si e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e shprehjes së mendimit dhe kërkesave publike”, thekson deklarata e dërguar.Po ashtu, vijon deklarata, qeveria e Kosovës konsideron se kërkesat e qytetarëve për zbardhjen e plotë të të gjitha krimeve të luftës dhe dënimin e të gjithë kryesve të tyre është plotësisht legjitime.
“Mirëpo, po ashtu, qeveria e Kosovës konsideron se çdo qytetar i Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, ka plotësisht të drejtë të kthehet në pronat e tij, në mënyrë të papenguar.
Kjo është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me të gjitha aktet ligjore, me konventat ndërkombëtare por është në përputhje me traditën, vullnetin dhe vizionin e popullit të Kosovës për bashkëjetesë paqësore”, thekson deklarata.Ndërsa, përfundon deklarata e qeverisë së Kosovës, personat që kanë kryer krime gjatë luftës duhet të përballen individualisht me drejtësinë.
VESELI: DUHET TË BËHET DALLIMI I DOMOSDOSHËM NË MES ATYRE QË KANË BËRË KRIME DHE KOMUNITETIT SERB
Kryetari i Kuvendit kosovar, Kadri Veseli, deklaroi se, zhvillimet e sotme në fshatin Mushtisht nuk i duhen Kosovës.
“Ato vetëm sa krijojnë mundësinë që të keqpërdoren prej atyre që duan ta pengojnë konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe të krijojnë imazh negativ në botë për vendin tonë”, tha ai.Plagët e luftës të Mushtishtit, ashtu si të gjithë Kosovës, vijoi Veseli, janë plagë të rënda që kërkojnë drejtësi, por në çdo rast duhet të bëhet dallimi i domosdoshëm në mes atyre që kanë bërë krime dhe komunitetit serb në Republikën e Kosovës. “Përgjegjësia gjithmonë është individuale e institucionale, por jo kolektive”, citohet ai në deklaratën e dërguar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Kosovës.
Kryeparlamentari kosovar theksoi se, e drejta e praktimit të besimit fetar, liria e lëvizjes, e drejta e kthimit në pronën legjitime, për secilin qytetar, pa dallim përkatësie, janë të drejta themelore në Republikën e Kosovës dhe është obligim ligjor garantimi i tyre.
VV: BANORËT E MUSHTISHTIT JANË TË SHQETËSUAR…
Reagimi i Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në lidhje me ngjarjet e sotme në Mushtisht dhe Gjakovë është ky:
E dënoj fuqishëm intervenimin brutal të Policisë së Kosovës ndaj banorëve të Mushtishtit dhe të Gjakovës të organizuar në protestë. Banorët e Mushtishtit dhe të Gjakovës kanë plotësisht të drejtë në shqetësimet që po i ngrenë përmes protestës. Kriminelët e luftës të policisë e ushtrisë së Serbisë që vranë, masakruarn, dhunuan e shkatërruan jetën e pasurinë e tyre nuk duhet të ecin të lirë nëpër rrugë. Ndërkohë që kthimi i serbëve të Kosovës për të jetuar në vendin e tyre nuk bën të instrumentalizohet nga Serbia për qëllimet e veta koloniale.
Serbët e Kosovës duhet të kthehen të jetojnë në vendlindjen e tyre, në pronën e tyre, në fshatin e qytetin e Kosovës ku kanë jetuar më parë. Kjo është e drejtë universale e mirënjohur ndërkombëtarisht që secili e gëzon pa dallim kombësie a feje. Këtu nuk ka dyshim. Por duhet të shihet se kur e kanë fituar këtë pronë dhe si. A është kjo pronësi rezultat i kolonizimit, apo është përfituar pa ndërhyrje koloniale.
Ne as nuk kemi pasur e as nuk kemi problem me serbët, por kemi pasur e kemi problem me Serbinë. Ky kthim i serbëve nuk bën të udhëhiqet nga Serbia, dhe nën kushtet e saj. Banorët e Mushtishtit janë të shqetësuar se kthimi i serbëve në pjesë të caktuara të fshatit ka për qëllim ndarjen e një pjese të Mushtishtit për ta zgjeruar kështu kufirin e ‘Zajednicës’. Ngjashëm me kërkesën për komunë të Prilluzhës. Serbia do t’i kthejë serbët aty ku i leverdis planeve koloniale të saj, për t’i shndërruar kështu të kthyerit në instrument politik që ia gërmon bazën Republikës së Kosovës. Serbët duhet të kthehen si qytetarë të barabartë e lojalë ndaj Republikës e jo si subjekte të strukturave paralele të ‘Zajednicës’.
AAK: KËRKIM FALJE DHE DREJTËSI PËR MIJËRA VIKTIMAT E LUFTËS!
Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka reaguar për ngjarjen e sotme në Mushtisht të Suharekës. Ai ka deklaruar:Pamjet e dhunës policore ndaj njerëzve të Mushtishtit, janë të papranueshme. Fshataret e kanë treguar me kohë që nuk i duan serbët në atë fshat pa u bërë drejtësia për masakrat që kanë ndodh aty. Nuk mundesh edhe të jesh “xhelati” edhe të kthehesh në vendin e krimit sikur nuk ka ndodhur asgjë. Qeveria e Kosovës, është dashtë që më kohë të marrë masat e kjartesimit të situatës atje. Presidenti, në vend që të përkulet para memorialëve ku akuzohen shqiptarët si “terroristë” është mirë që të kërkojë nga Serbia të tregojnë ose t’i kthejnë trupat edhe të mbi 1000 të zhdukurve. Nuk mund të ketë paqe të njëanshme dhe të bësh kërkim falje pse ke qenë viktimë. Ata që i kanë shkaktuar vuajtjet duhet ta bëjnë një gjë të tillë.
Mos u shkaktoni plagë të reja njerëzve të Mushtishtit dhe të mbarë Kosovës. Kërkim falje dhe drejtësi për mijëra viktimat e luftës!
LS: PROTESTA NË MUSHTISHT ISHTE PLANIFIKUAR
Lista Serbe ka lëshuar një komunikatë ku thuhet se kjo protestë ishte e organizuar dhe e planifikuar. “Gjëra të tilla duhet të parandalohen në të ardhmen, sepse incidenti në Mushtisht u planifikua dhe u organizua disa ditë më parë, duke mbushur qytetarët me urrejtje për serbët me ndihmën e panove me pamje të luftës”, thuhet mes tjerash në komunikatë të Listës Serbe.
- « Previous Page
- 1
- …
- 260
- 261
- 262
- 263
- 264
- …
- 489
- Next Page »