Kosovë-Mbështetje nga Laboratori Sandia në SHBA
PRISHTINË, 23 Qershor 2016-Gazeta DIELLI/ Përfaqësuesit e Departamentit të Energjisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Matthew Thompson dhe Robert Martinez nga Laboratori Kombëtar Sandia në SHBA, kanë mbërritur në Prishtinë. Ata u pritën nga kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore, Beqir Mezelxhiu.Ai, duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që Laboratori Sandia i ka ofruar Kosovës, njoftoi për situatën aktuale radiologjike në Kosovë me theks të veçantë në objektet të cilat shërbejnë si deponi të përkohshme për mbetjet radioaktive.
Sot, Thompson dhe Martinez të shoqëruar nga stafi i Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore, takojnë Drejtorin për Shërbime të Korporatës Energjetike të Kosovës, Edmond Nulleshi, dhe do të vazhdojnë me aktivitete të tjera gjatë ditës./b.j/
Kosova në takimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës
PRISHTINË, 21 Qershor 2016/ Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës i udhëhequr nga, Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, është duke marrë pjesë në Strasbourg të Francës (prej 20-24 qershor) në punimet e Sesionit të tretë të rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe në mbledhjet e komisioneve, me theks të veçantë në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci.
Po ashtu delegacioni i Kuvendit të Kosovës është takuar me anëtarët e delegacionit austriak në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ,të udhëhequr nga Gisela Wurm – shefe e delegacionit të Austrisë.Gjatë këtij takimi u shkëmbyen pikëpamje lidhur me bashkëpunimin ndërmjet dy delegacioneve si dhe u kërkua mbështetja e delegacionit austriak në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Gjatë punimeve të këtij Sesioni delegacioni i Kuvendit të Kosovës pritet të mbajë takime të tjera bilaterale./b.j/
Kosovë: Emrat e fëmijëve nëpër vite
Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: NEWBORN, Kosovë-Prishtinë/
– Alea e Erina dhe Diar e Ajan emra rekordi të lindurish në 2015-ën/
PRISHTINË, 21 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Kosovë, emrat më të shpeshtë, të rekordit, për fëmijtë e lindur në vitin 2015, për vajza ishte Alea me 223 pagëzime dhe Erina me 146, ndërsa për djemtë Diar me 214 dhe Ajan me 205 pagëzime.
Dy emrat më të shpeshtë për vajzat ishin të njëjtit edhe në vitin 2014, por nën një ishte Erina me 199 pagëzime e nën dy Alea me 182. Në 2015-ën emri për vajzat Alea rikthehet në vendin e parë ku ishte edhe në 2013-ën me 154 pagëzime, e që pasohej nga Tuana me 118.
Për djemtë edhe në 2014-tën emri më i shpeshtë ishte Diar me 215 pagëzime, e pas tij Amar me 180. Edhe në 2013-tën për djemtë emërat e njejtë Diar me 122 dhe Amar me 117 pagëzime ishin më të shpeshtit.
Sipas Statistikave të Lindjeve në Kosovë për vitin 2015, të publikuara sot, vitin e kaluar lindje të gjalla në vend ishin 24 594, kurse jashtë vendit 6 715. Binjakë u lindën 712 foshnje, ndërsa trenjakë e më shumë u lindën 18 foshnje.
Mogherini-Thaçi: Kosova duhet të jetë optimiste
-Për vendimin për liberalizimin e vizave/
PRISHTINË, 21 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, u shpreh sot në Bruksel se Kosova duhet të jetë optimiste për vendimin për liberalizimin e vizave dhe kërkoi që sa më parë të përmbushet edhe kriteri i fundit, ai i miratimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ajo gjithashtu ka thënë se dialogu duhet të vazhdojë dhe se të gjitha vendet e rajonit duhet të mbeten të përkushtuara për ndërtimin e bashkëpunimit të sinqertë me njëri-tjetrin, thekson njoftimi nga Brukseli i sapodërguar nga Presidenca e Kosovës.Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, u prit edhe nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.
Presidenti Thaçi e informoi Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Mogherini, për të arriturat e Kosovës dhe për përkushtimin për paqe dhe stabilitet në rajon.Duke folur për procesin e vizave, Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova tani pret një vendim meritor.Ai foli edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe theksoi se ky proces ka ndikuar pozitivisht në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në tërë Ballkanin Perëndimor.Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot edhe nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz.Gjithashtu, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të Bashkimit Evropian.
- « Previous Page
- 1
- …
- 283
- 284
- 285
- 286
- 287
- …
- 484
- Next Page »