-Me rastin e Fitër Bajramit, sot ditën e parë të festës, Myftiu Tërnava, si tradicionalisht, organizoi pritje përurimi në selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, ku urojnë edhe përfaqësues të komuniteteve tjera fetare, mes tyre ishte Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji/
– Presidenti Thaçi viziton Bashkësinë Islame të Kosovës/
PRISHTINË, 5 Korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë festohet Bajrami i Madh, drejtuesit institucionalë e politikë në mesazhet e tyre urojnër paqe, solidaritet dhe mirëkuptim, duke theksuar vlerat e tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore.
“Në këtë festë, e cila vjen pas agjërimit të muajit të bekuar të Ramazanit, ne ndajmë me njëri-tjetrin vlerat e sakrificës, solidaritetit, devotshmërisë dhe unitetit. Paqe, mirëqenie dhe shumë gëzime në familjet tuaja”, shrehet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Të gjithë besimtarëve muslimanë në Kosovë ju uroj Festën e Bajramit. Uroj që harmonia, solidariteti dhe mirëkuptimi të zotërojnë tek ne dhe në familjet tona”, është mesazhi i kryeministrit Isa Mustafa.
“Në emrin tim dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të gjithë besimtarëve myslimanë të vendit tonë, ua përcjelli urimet e përzemërta për festën e Bajramit”, thekson kryeparlamentari Kadri Veseli.
Manifestimi qendror në Republikën e Kosovës u mbajt në mëngjes në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku u bë edhe falja namazit të Fitër Bajramit.
“Festa e Fitër Bajramit njeriun e rikthen edhe njëherë në përkushtimin edhe më të madh ndaj Krijuesit, të cilin e shprehim përmes adhurimeve të shumta të cilat e pastrojnë dhe e motivojnë shpirtin edhe më shumë për vepra të mira, duke pastruar atë nga egoja, urrejtja, pangopësia, zilia e xhelozia, duke e udhëzuar në vepra të mira dhe respekt me njëri tjetrin”, është shprehur në mesazhin e urimit myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.
Me rastin e Fitër Bajramit, sot ditën e parë të festës, Myftiu Tërnava, si tradicionalisht, organizoi pritje përurimi në selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, ku urojnë edhe përfaqësues të komuniteteve tjera fetare, mes tyre ishte Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji me bashkëpunëtorët.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e festës së Fitër Bajramit ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, ku është pritur nga myftiu Naim Tërnava.
Presidenti Thaçi përcolli urimet më të mira për të gjithë qytetarët e besimit islam, duke uruar për forcimin e harmonisë ndërfetare në Kosovë.
“Është një kënaqësi e veçantë për mua që sot si president i vendit të uroj myftiun Tërnava, Bashkësinë Islame dhe të gjitha besimtarët e fesë islame për festën e Bajramit të Madh. Një festë kjo e lutjeve, e solidaritetit, e respektit, e mirëkuptimit, e tolerancës mes njerëzve. Edhe prej mysafirëve të shumtë tek myftiu Tërnava në Bashkësinë Islame, shihet se kjo festë është një festë e bashkimit, pa dallime feje, etnie apo përkatësie partiake. Të gjithë sot janë në këtë shtëpi të Zotit për të uruar, për të përgëzuar”, është shprehur presidenti Thaçi./b.j/
Kryetari Veseli vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës
Veseli: Në këtë ditë të shenjtë për besimtarët islamë, përçoj mesazhin për paqe e dashuri midis njëri-tjetrit dhe respektin e madh për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit
Sot, me rastin e festës së Fitër Bajramit, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).
Kreu i Kuvendit u prit nga kryetari i BIK-ut, myftiu Naim Tërnava dhe drejtues të tjerë të kësaj bashkësie fetare, të cilët i uroi për festën e Bajramit dhe nëpërmjet tyre, të gjithë besimtarët islamë në Kosovë.
“Në këtë ditë të shenjtë për besimtarët islamë, përçoj mesazhin për paqe e dashuri midis njëri-tjetrit dhe respektin e madh për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit: për heronjtë, dëshmorët, martirët dhe të pagjeturit. Po ashtu, respekt të thellë për ata që agjëruan me bindjen e mesazhit të agjërimit”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Kryetari i Kuvendit theksoi nevojën e solidaritetit më të madh me të gjithë qytetarët në nevojë, duke u ofruar atyre përkujdesje, respekt dhe dashuri. Ai uroi që të kemi sa më pak familje të tilla.