
Shqiprim Pula/
Sa herë që Kosova përballet me sfida në arsim, drejtësi, shëndetësi, ekonomi apo emigrim, akterë të politikës rikthehen te e njëjta parullë: anëtarësimi në NATO është synimi ynë strategjik.
Por, a është vërtet ky prioriteti më urgjent i Kosovës sot, apo është një narrativë që shpërqendron vëmendjen nga dështimet e brendshme?
Akterët politikë duhet t’a kuptojnë se një shtet nuk bëhet i fortë vetëm sepse është pjesë e një aleance ushtarake. Shteti bëhet i fortë kur ndërton institucione funksionale, shkolla cilësore, universitete serioze, një shtet të së drejtës që garanton barazi para ligjit, një sistem shëndetësor që u shërben qytetarëve, dhe një ekonomi konkurruese që krijon vende pune. Pa këto themele, çdo sllogan për anëtarësime—integrime strategjike mbetet politikisht i dobishëm, por praktikisht i zbrazët.
Sigurisht, askush nuk mund ta mohojë rëndësinë e sigurisë. Për një shtet si Republika e Kosovës, me sfida të hapura në raportet me Serbinë, siguria është një interes jetik. Megjithatë, nuk duhet të krijohet përshtypja se anëtarësimi në NATO është zgjidhja për çdo problem të vendit. Asnjë aleancë ushtarake nuk mund të zëvendësojë një sistem arsimor të dobët, një ekonomi të pazhvilluar apo institucione që nuk funksionojnë.
Po aq e rëndësishme është të pranohet se zhvillimi i shtetit dhe anëtarësimi në NATO apo organizata ndërkombëtare, nuk janë objektiva që përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato janë procese plotësuese dhe të domosdoshme për të ardhmen e Republikës.
Por, kur politikanët e paraqesin anëtarësimin si një objektiv të afërt, pa shpjeguar pengesat reale politike dhe diplomatike që ekzistojnë, lind pyetja nëse kemi të bëjmë me një strategji të mirëfilltë shtetërore apo me një premtim të përsëritur për konsum të brendshëm politik.
Po ashtu, është e gabuar të mendohet se zhvillimi ekonomik dhe siguria janë në kundërshtim me njëri—tjetrin. Përkundrazi, ato janë të ndërvarura. Një shtet me ekonomi të dobët, me arsim në krizë dhe me emigrim të vazhdueshëm të qytetarëve është një shtet i brishtë, pavarësisht aleancave ku bën pjesë.
Prandaj, narativi dhe debati publik duhet të ndryshojë. Pyetja nuk është nëse Republika e Kosovës duhet apo nuk duhet të synojë anëtarësimin në NATO-n. Sepse kjo është aspiratë legjitime. Pyetja është pse, pas më shumë se dy dekadash shtetndërtim, vazhdojmë të flasim më shumë për objektiva të jashtme sesa për dështimet që kemi brenda? Pse arsimi, sundimi i ligjit, shëndetësia dhe ekonomia nuk trajtohen me të njëjtin seriozitet si temat e sigurisë? Pse profesionistët vazhdojnë të largohen nga vendi, ndërsa politika u ofron vizione që nuk zgjidhin sfidat e përditshme?
Një shtet nuk matet vetëm me numrin e aleancave apo organizatave ndërkombëtare ku bën pjesë. Ai matet me cilësinë e jetës që u ofron qytetarëve të vet. Nëse Kosova nuk arrin të ndërtojë institucione të forta, një ekonomi konkurruese dhe një shoqëri që u jep njerëzve arsye për të qëndruar, atëherë edhe objektivat më ambicioze të politikës së jashtme do të mbeten të paplota.
Prandaj, synimi strategjik nuk duhet të reduktohet vetëm anëtarësimi në NATO apo organizata të tjera ndërkombëtare si parullë. Synimi strategjik duhet të jetë ndërtimi i një shteti që funksionon. Vetëm një shtet i tillë mund të jetë një partner i besueshëm dhe i respektuar në çdo aleancë ndërkombëtare.