
Artan Nati/
Në diskursin publik shqiptar, si kafene, parlament, studio televizive apo familje, mendoj se kemi arritur një shkallë të admirueshme të konfuzionit gjuhësor. Thjesht kur dikush thotë diçka që nuk na pëlqen dhe menjëherë deklarojmë se “na ofendoi”. Pastaj kaq mjafton për të filluar telenovelen shqiptare, që zhvillohet me pasion prapa krahëve duke krijuar armiq imagjinarë. Më tej vazhdojmë me minigjyqe publike per kërkim falje, tërheqje deklarate, ndëshkim, censurë dhe në raste më të avancuara të demokracisë sonë emocionale, edhe kokën e autorit. Këtu ekziston një ngatërresë e vogël, që në një shoqëri demokratike nuk është aspak e vogël, biles ky eshte problemi yne themelor.
Fyerja dhe ofendimi nuk janë e njëjta gjë. Fyerja është akti i atij që flet. Ofendimi është reagimi i atij që dëgjon. Fyerja është veprim, ndërsa ofendimi është përjetim. Fyerja mund të jetë e qëllimshme, ndërsa ofendimi mund të lindë edhe pa qenë fare qëllimi i folësit. Dikush mund të të fyejë dhe ti të mos ofendohesh. Dikush tjetër mund të mos ketë ndërmend të të fyejë, por ti të ndihesh i ofenduar. Pikerisht këtu fillon problemi i madh i shoqërisë tonë. Lind pyetja: “kush ka të drejtë të përcaktojë kufirin e ofendimit?” Nëse standardi është ndjenja ime personale, atëherë demokracia shpejt kthehet në një shesh lufte. “U ofendova!” “Pse?” “Sepse nuk më pëlqeu.” “Po çfarë të tha?” “Nuk ka rëndësi. Unë u ofendova.” Me këtë logjikë, argumenti më i fuqishëm nuk është më arsyeja, por ndjeshmëria. Pra nuk fiton ai që ka argumentin më të mirë, por ai që arrin të deklarojë i pari se është lënduar.
Nëse një ish-komunist thotë se Lufta Nacionalçlirimtare ishte lavdia më e madhe e kombit dhe se komunizmi i solli Shqipërisë përparim, mirëqenie e dinjitet, ai ka të drejtë ta mendojë dhe ta thotë. Por edhe unë kam të drejtë t’i them se e ke gabim. Mund t’i them se ka harruar burgjet, internimet, persekutimet dhe mijëra njerëzve të cilëve komunizmi u mohoi lirinë, dinjitetin dhe jetën normale. Madje mund ta quaj edhe injorant të historisë ose egoist. Dhe këtu fillon demokracia: unë nuk i sulmoj biologjinë, apo personin dhe familjen, por sulmoj idenë. Nëse ai ofendohet, kjo është ndjenja e tij. Nuk mund të kërkojë që unë të hesht vetëm sepse ai u ndje keq. Sepse po ta pranojmë këtë rregull, herën tjetër nuk do të debatojmë më për komunizmin, por do të debatojmë se kush u ofendua më shumë. Dhe kështu demokracia do të shndërrohet nga sistem i lirisë së fjalës në gjykatë ofendimesh dhe thashethemesh.
Nëse një intelektual i persekutuar gjatë komunizmit pyetet: “Pse nuk e kundërshtuat ju dhe disa të tjerë të persekutuar qeverinë e Berishës, kur ishit pjesë e saj?”, kjo është thjesht një pyetje mbi marrëdhënien e intelektualit me pushtetin. Nëse përgjigjja është: “Kishim familje dhe kishim frikë nga persekucioni”, atëherë pyetja tjetër është e pashmangshme: Nëse një ish-i burgosur politik kishte frikë nga një pushtet demokratik, çfarë tregon kjo për raportin e tij me pushtetin? Këtu duhet të fillojë debati, jo të mbyllet. Por në kulturën tonë politike ekziston një mënyrë më e lehtë: në vend që t’i përgjigjesh pyetjes, diskredito pyetësin. Pyetja bëhet “dashakeqe”, pyetësi “inkuzitor”, ndërsa kritiku “armiqësor”. Nqs nje shkrimtar paraqitet ne publik si disident dhe i thuhet se ne komunizëm ne Shqiperi nuk lejohej disidenca, Kjo nuk është fyerje.
Mendoj se eshte ndryshim opinionesh. Une mendoj se është mashtrim ne rastin me te keq dhe injorancë në rastin më të mirë. Mund të jem i gabuar, por kjo është bukuria e demokracise. Diskutimi I hapur eshte vlere, sepse çfarë vlere ka një artikull apo studim që nuk i lëndon ndjenjat e askujt? Paradoksi përsëritet edhe me historinë. Një studiues idealizon disa figura të së djathtës shqiptare të Luftës së Dytë Botërore dhe, kur pyetet pse, ai përgjigjet: “Komunizmi i shau aq shumë, sa ne duhet t’i mbrojmë.” Pra, nëse komunizmi tha “i keq”, ne duhet të themi “i mirë”. Nëse ai tha “tradhtar”, ne duhet të themi “hero”. Kështu, pa e kuptuar, vazhdojmë të jetojmë nën hijen e komunizmit. Vetëm kemi ndërruar shenjën: nga minus në plus.Dhe kjo nuk është mendim kritik. Është thjesht komunizmi i kthyer përmbys.
Demokracia nuk premton të mos të fyejnë
Shoqëria demokratike është një shoqëri ku njerëzit kanë të drejtë të thonë edhe gjëra që të tjerëve nuk u pëlqejnë. Në një demokraci, një politikan mund të kritikohet, një intelektual mund të tallet, porj edhe feja mund të diskutohet. Ndoshta edhe dikush do të ofendohet, por kjjo nuk është domosdoshmërisht një defekt i demokracisë. Në një farë mase, është çmimi i saj, sepse alternativa është shumë më e rrezikshme. Por a do të thotë kjo se çdo fyerje është e pranueshme? Aspak. Fakti që demokracia mbron lirinë e shprehjes nuk do të thotë se çdo sjellje e trashë bëhet automatikisht fisnike vetëm sepse quhet “liri”. Ka një ndryshim të madh midis të drejtës për të fyer dhe virtytit për të fyer. Një njeri mund të ketë të drejtë të thotë diçka idiote. Por kjo nuk e bën atë më pak idiot. Disa njerëz mendojnë se sapo thonë diçka fyese, janë bërë “të guximshëm”. Ndonjëherë thjesht kanë thënë diçka fyese. Po ofendimi?
Ofendimi është më interesant sepse nuk kontrollohet plotësisht nga autori i fjalës. Unë mund të them: “Ky politikan është i paaftë.” Ti mund të ofendohesh, por unë nuk mund të marr përgjegjësi të plotë për emocionin tënd. Mund të kem thënë diçka të padrejtë, ose dashakeqe, por fakti që ti u ndjeve keq nuk e zgjidh automatikisht çështjen. Përndryshe, çdo debat do të mbyllej me një fjali magjike: Më ofendove, prandaj je fajtor. Kjo është një mënyrë shumë efikase për të shmangur argumentin. Mjafton të thuash: “U ndjeva keq.” Mendoj se pyetja më interesante është: Nëse nuk po ofendojmë njerëzit që duhet të ofendohen, mos vallë po bëjmë diçka gabim?
Nëse me “duhet të ofendohen” kuptojmë ata që kanë pushtet, që abuzojnë me pushtetin, që korruptohen, që gënjejnë publikun, që poshtërojnë të tjerët ose që përdorin institucionet për interesin e tyre, atëherë një shoqëri demokratike ka nevojë për njerëz që dinë të shqetësojnë. Historia e mendimit nuk është shkruar nga njerëzit që i bënë të gjithë të ndiheshin rehat. Filozofi duhet të shqetësojë opinionin, satiristi pushtetin dhe shkrimtari të shqetësojë moralin konvencional. Nëse çdo ide që shqetëson dikë duhet të heshtë, atëherë do të mbetemi me një shoqëri ku të gjithë janë të qetë dhe askush nuk mendon. Dhe kjo është një qetësi shumë më e frikshme se konflikti. Atëherë pyetja korrekte është: “Si ta godasim një ide, një sjellje ose një pushtet pa e humbur dinjitetin tonë?” Fyerja më e dobët është ajo që thotë: “Je idiot.”, apo “Te ka hyre e keqja” Fyerja më e zgjuar është ajo që e detyron idiotin të kuptojë pse po e quan idiot. Një kontradiktë e ekspozuar vështirë se harrohet.
Rregulli i artë
Nëse duhet të kemi një “etikë të fyerjes”, ajo mund të jetë fare e thjeshtë: Sulmo atë që njeriu zgjedh, jo atë që ai nuk mund ta zgjedhë. Pra sulmo idenë dhe jo personin, sulmo hipokrizinë dhe jo identitetin dhe mbi të gjitha nuk duhet përdorur fyerja si zëvendësim i argumentit.
Shoqëria që nuk duron dot fyerjen nuk është domosdoshmërisht shoqëri më morale. Ndoshta problemi ynë nuk është se fyejmë shumë. Ndoshta problemi është se ofendohemi shumë shpejt dhe mendojmë shumë pak. Jemi bërë një shoqëri ku egoja është aq e brishtë, saqë një kritikë në Facebook kërkon ndërhyrjen e Kushtetutës. Një gazetar shkruan një opinion dhe dikush kërkon pushimin e tij. Një humorist bën një shaka dhe kërkohet ndjesë kombëtare. Një qytetar kritikon një politikan dhe përgjigjja nuk është argumenti, por: “Kush je ti që flet?” Ky është momenti kur demokracia fillon të bëhet dekor. Një shoqëri e lirë duhet të ketë lirinë edhe për të qenë e bezdisshme.
Madje, shoqëria shqiptare duhet të jetë jashtëzakonisht e bezdisshme. Duhet të ketë njerëz që pyesin pyetjet e gabuara në kohën e gabuar. Njerëz që qeshin kur të gjithë të tjerët duartrokasin. Njerëz që thonë “mbreti është lakuriq”, edhe kur oborri mbretëror ka organizuar një komision për të provuar se rrobat ekzistojnë. Dhe midis një shoqërie që flet paksa tepër ashpër dhe një shoqërie që hesht me shumë edukatë, demokracia duhet të zgjedhë gjithmonë të parën. Sepse demokracia nuk na premton që do të ndihemi mirë. Na premton diçka shumë më të vështirë: të kemi të drejtë të flasim edhe kur të tjerët nuk duan të na dëgjojnë. Dhe ndoshta ky është paradoksi i fundit: qytetari demokratik nuk duhet të pyesë gjithmonë, “A do të ofendohet dikush nga ajo që po them?” Ndonjëherë pyetja më e rëndësishme është: “A është e vërtetë ajo që po them dhe a kam guximin ta them?” Sepse nëse askush nuk ofendohet kurrë nga e vërteta, ka shumë mundësi që nuk po themi asgjë të rëndësishme.