Rikthimi i Ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj
PRISHTINË, 2 Qershor 2016-B.Jashari/ Në qeverinë e Kosovës, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi do ketë prej sot edhe pozitën e zëvendëskryeministrit të parë, ndërsa ministër i Punëve të Jashtme është emëruar Enver Hoxhaj.Kështu bëhet plotësimi i posteve që kishte Hashim Thaçi deri në zgjedhjen President i Republikës së Kosovës.Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa, në një konferencë të përbashkët për shtyp folën për këto emërime dhe çështje tjera të koalicionit qeverisës të ftuar me “urgjent”, ku paralajmëruan reforma veçmas drejt zhvillimit ekonomik.Vesli dhe Mustafa janë liderë të partive më të mëdha të koalicionit qeverisës, PDK e LDK dhe në konferencë shtypi dolën bashkë me nënkryetarë të partive.
DASH: Euro 2016 në objektivin e sulmeve terroriste
Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë për rrezikun terrorist që i kanoset përreth Europës këtë verë, duke përfshirë edhe Euro 2016-ën. “Numri i lartë i turistëve që do të vizitojnë Europën në muajt e verës, paraqesin një objektiv për sulmet terroriste në vende publike, veçanërisht në evenimente të rëndësishme”, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit dërguar shtetasve të saj që ndodhen në Europë, ose që kanë në plan të shkojnë atje. Dy janë evenimentet që ajo veçon: Dita Botërore e Rinisë së Kishës Katolike që do të mbahet në Poloni në fund të muajit korrik dhe Kampionati Europian i Futbollit, që zhvillohet në Francë mes 10 qershorit dhe 10 korrikut. Por DASH nuk është i vetmi që ka dhënë alarmin për sulmet terroriste gjatë Kampionatit Europian. Të dhënat më të fundit të gjetura në laptopin e njërit prej sulmuesve të Parisit, Salah Abdeslam, i cili tashmë ndodhet në burg, flasin për të tjera shpërthime kamikaze të ISIS, ku këtë here objektivi është Europiani i Francës. Në mesin e këtyre informacioneve të publikuara nga autoritetet përfshihen edhe fotografi të qytetit të Marsejës, ku më 15 qershor luhet ndeshja e Euro 2016 mes Francës dhe Shqipërisë. Gjithashtu mediat britanike raportojnë se terroristët po përgatitin sulme për ndeshjen e parë të Europianit që do të luhet në këtë qytet, atë mes Anglisë dhe Rusisë.
Selimi: Ekstremizmi nuk luftohet vetëm me arrestime
Arkiv: Ne Foto: Pamje nga konferenca e vitit të kaluar, 28 maj 2015/
Deklaratat e Selimit vijnë në ditën kur në Prishtinë, për të pestin vit me radhë, organizohet një konferencë ndërkombëtare për promovimin e dialogut ndërfetar dhe qasjen ndaj ekstremizmit të dhunshëm.
“Veprimi kundër ekstremizmit të dhunshëm nuk mund të reduktohet vetëm në sundimin e rendit dhe ligjit, jo vetëm në arrestime dhe jo vetëm në burgosje, por edhe promovimin e një narracioni të kundërt, narracionit të tolerancës paqes dhe dialogut”, tha Selimi për Radion Evropa e Lirë.
Konferenca, që organizohet nga institucionet e Kosovës, do të trajtojë në veçanti çështjen e “rolit të gruas në ndërtimin e tolerancës ndërfetare”, dhe përveç përfaqësuesve të bashkësive fetare në Kosovë dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, të pranishme do të jenë, në mënyrë aktive, edhe dy nobelistet e paqes, Shirin Ebadi nga Irani dhe Tawakkol Karman nga Jemeni.
Ministri i jashtëm në detyrë, Petrit Selimi, tha se konferenca është një platformë për promovim të Kosovës si shtet dhe të prezantimit të saj si model i bashkëjetesës.
“Tema e cila është ‘roli i gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftimit të ekstremizmit’ është një temë shumë adekuate. Nënat, bashkëshortet, gratë, siç ka thënë edhe presidenti Thaçi, janë aleatet më të mira të shtetit në luftimin e ekstremizmit”, tha Selimi.
Çështja e ekstremizmit të dhunshëm ka ngritur shqetësime në Kosovë, marrë parasysh faktin se një numër i qytetarëve të vendit janë përfshirë në luftimet në Siri dhe Irak dhe një tjetër numër është arrestuar dhe dënuar për nxitje të pjesëmarrjes në luftëra jashtë vendit dhe për predikim të mosdurimit fetar. (REL)
Sociologu Gëzim Alpion mbi shenjtërimin e Nënë Terezës
Në Tiranë, sociologu i njohur, Gëzim Alpion, biografi i Nobelistes së Paqes Nënë Tereza, mbajti një leksion publik mbi shenjtërimin e saj. Ai trajtoi një seri detajesh nga jeta e Nënë Terezës, ndërsa po shkruan edhe një libër të ri për të.Qendra e Studimit të Politikave Europiane për Zhvillim Rajonal e Lokal organizoi në Tiranë një konferencë mbi vlerat dhe rëndësinë e figurës së Nënë Terezës, Gonxhe Bojaxhiu në prag të shenjtërimit nga Vatikani.
Dr. Gëzim Alpion, nga Universiteti i Birmingamit i Britanisë së Madhe mbajti leksionin publik “Nënë Tereza: Sfidat e studimit para dhe mbas shenjtërimit”.
Në një mori detajesh të kësaj figure të njohur, ai tërhoqi vëmendjen e një auditori të larmishëm me studentë, klerikë dhe diplomatë, qytetarë, studiues dhe besimtarë.
Dr. Alpion ka stidiuar në Universitetin e Kajros dhe mbrojti doktoraturën në Angli, ku ishte lektor në disa universitete, para se të emërohej në Universitetin e Birminghamit.
Libri i tij më i njohur është Nënë Teresa: E Shenjtë apo e Famshme, i botuar në Londër dhe Nju Jork, në Nju Delhi dhe në Romë.
Por dr.Alpion pohoi në Tiranë se ka në dorë një libër të ri për Nënë Terezën.
Leksionit publik të dr.Alpion iu bashkuan me kumtesa edhe studiues të tjerë si prof. Përparim Kabo dhe dr.Nevila Nika, të cilët theksuan aspekte të veçanta të veprimtarisë humanitare të Nënë Terezës, i pari besimin e saj të lartë fetar dhe e dyta lidhjen e saj me kombin shqiptar.
Kalvari i vuajtjeve të besimtarëve shqiptarë nën diktaturën komuniste zgjati afro gjysëm shekulli, kur u vranë dhe u burgosën mijëra klerikë dhe qytetarë të çdo besimi, sepse feja u ndalua me ligj.
Dr.Alpion beson se është me rëndësi që për Nënë Terezën dhe figura me përmasa të tilla të diskutohet sa më shumë me të rinjtë universitarë.
Pas monografisë “Nënë Tereza e Shenjtë apo e Famshme”, dr.Alpion ka botuar përmbledhje esesh, mes të cilave mbi qytetërimin nga Aleksandri i Madh te Nënë Tereza.
Ai është autor i studimeve mbi sociologjinë e fesë, kombit, mediave, racës dhe etnicitetit të botuara në revista shkencore të Anglisë, Amerikës, Australisë, Hollandës dhe Indisë.
I vlerësuar si studiuesi më i rëndësishëm në gjuhën angleze për Nënë Terezën, dr.Alpion është ftuar të zhvillojë mëse 50 leksione dhe biseda në konferenca ndërkombëtare dhe universitete të mirënjohura në 14 vende dhe pikëpamjet e tij citohen vazhdimisht nga mediat botërore në mbi 25 vende.
Mund ta ndiqni intervisten direkt ne Zerin e Amerikes 28 Maj 2016
Ne linkun http://www.zeriamerikes.com/a/nene-tereza-gezim-alpion/3350153.html
- « Previous Page
- 1
- …
- 289
- 290
- 291
- 292
- 293
- …
- 482
- Next Page »