-Ambasada Amerikane në Prishtinë: Qeveria e SHBA-ve mburret për faktin që do të vazhdojë të kontribuojë me personel për të zbatuar këtë mision të rëndësishëm/
-Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së dhe përfaqësitë diplomatike të Shteteve Anëtare të BE-së në Kosovë e mirëpresin vendimin e sotëm të Kuvendit të Kosovës për të zgjatur mandatin e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX)/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 17 Qershor 2016/Vazhdimi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, edhe për dy vjet u mbështet nga Kuvendi i Republikës me miratimin në procedurë të përshejtuar edhe në leximin e dytë, sot pasdite në një seancë të veçantë, ndërkohë që gjatë ditës i miratoi në parim dy projektligje në vazhdimin e seancës së djeshme, e cila mbrëmë kishte mungesë kuorumi.
Më parë, Kuvendi i Kosovës miratoi sot në parim projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, me 84 vota pro, 6 kundër e asnjë abstenim.
Rreth këtij projektligji, që përfshin zgjatjen e mandatit të EULEX-it për dy vite deri në 15 qershor 2018, të prezantuar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, u zhvillua një debat i gjerë, ku subjekti i vetëm opozitar që merrte pjesë në seancë, Lëvizja Vetëvendosje, u deklarua kundër.
Seanca vazhdoi me shyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës dhe u përmbyll me miratimin tij me 83 vota pro, 5 kundër e asnjë abstenim.
Këto projektligje u shqyrtuan po sot në lexim të dytë në një seancë plenare tjetër të veçantë, pasi fillimisht në seancën paraprake u votua me dy të tretat e votave, kërkesa e partive të koalicionit qeverisës PDK-LDK për shmangie nga rregullorja e Kuvendit për shqyrtim të përshpejtuar.
Mandati i misionit të EULEX-it në Kosovë ka përfunduar në 15 qershor, sikurse është parashikuarnë letrat e shkëmbimit të Presidentes kosovare dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian në vitin 2014.
SHBA: NJË HAP I RËNDËSISHËM NË QËLLIMIN TONË TË PËRBASHKËT/
-Deklaratë nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë/
Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë mirëpret lajmin se Kuvendi ka ratifikuar sot zgjatjen e mandatit të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX).“Ky është një hap i rëndësishëm në qëllimin tonë të përbashkët të përmirësimit të sundimit të ligjit në Kosovë”, thekson deklarata e dërguar.Më tej vijohet se, kjo marrëveshje do t’i mundësojë EULEX-it që të vazhdojë t’i ofrojë sektorit të drejtësisë kapacitet aty ku nevojitet, dhe që të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e aftësive vetanake.“Qeveria e SHBA-ve mburret për faktin që do të vazhdojë të kontribuojë me personel për të zbatuar këtë mision të rëndësishëm”, përfundon deklarata nga Ambasada amerikane në Kosovë.
BE MIRËPRET VENDIMIN E KUVENDIT TË KOSOVËS PËR TË ZGJATUR MANDATIN E EULEX
Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së dhe përfaqësitë diplomatike të Shteteve Anëtare të BE-së në Kosovë e mirëpresin vendimin e sotëm të Kuvendit të Kosovës për të zgjatur mandatin e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) për dy vjet.Këtë e thekson Deklarata e përbashkët e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së dhe ambasadave/Zyrave të Shteteve Anëtare të BE-së në Kosovë lidhur me përtëritjen e mandatit të EULEX-it.
“Me mandatin e ri, Kosova do të jetë përgjegjëse për sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Autoritetet duhet ta shfrytëzojnë mandatin e ri për të vazhduar një tranzicion të qartë të zotërimit dhe përgjegjësisë nga EULEX-i në Kosovë. Meqë kjo do të merr kohë, është e rëndësishme që ky ndryshim të jetë gradual, ashtu që të mos rrezikojë atë që është arritur në fushën e sundimit të ligjit deri më tani”, thekson deklarata.
Kosova, vijon deklarata, ka arritur rezultate të rëndësishme në rrugën e saj evropiane, më e dukshmja me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, propozimin e Komisionit Evropian për udhëtim pa viza dhe normalizimin përmes Dialogut.
“EULEX-i ka qenë dhe vazhdon të jetë i lidhur me këto procese dhe me axhendën evropiane të Kosovës.BE-ja do të vazhdojë të bëjë përpjekjet e saj maksimale që të ndihmojë Kosovën në adresimin e sfidave në fushën e rëndësishme të sundimit të ligjit”, përfundon deklarata.
***
Statement by the EU Office in Kosovo/EU Special Representative in Kosovo on the EULEX renewed mandate/
“The EU Office in Kosovo/EU Special Representative in Kosovo welcomes the decision today of the Assembly of Kosovo to extend the mandate of the EU Rule of Law Mission (EULEX) for two years.
With the new mandate, Kosovo will be in charge of the rule of law and the fight against organised crime and corruption. The Authorities should use the new mandate to continue a clear transition of ownership and responsibility from EULEX to Kosovo. Since this will still take some time, it is important that the change is gradual, so as not to endanger what has been achieved so far for the rule of law.
Kosovo has achieved important results on its European road, most visibly with the Stabilisation and Association Agreement, the European Commission’s proposal for visa free travel and the normalisation through the Dialogue. EULEX has been and continues to be linked to these processes and the European agenda of Kosovo.
The EU will continue to do its best to assist Kosovo in addressing the challenges in the important field of the rule of law”.