Burime zyrtare amerikane njoftuan se, Pentagoni do të dërgojë në Irak edhe 200 trupa të tjera, si edhe helikopterë të tipit “Apache” për të luftuar kundër ISIS. “Trupat dhe helikopterët do të përdoren kryesisht në formën e asistencës për ushtrinë irakiane, që ndodhet në vijën e parë të luftës kundër ISIS”, deklaroi shefi i Pentagonit, Ash Carter. Njoftimi vjen në një kohë kur trupat irakiane po luftojnë ashpër për marrjen e Mosulit, qyteti i dytë i vendit për nga rëndësia, që është ende nën kontrollin e xhihadistëve. Po kështu, ky njoftim vjen pasi vizitës së papritur të Carterit në Irak disa javë pas negociatash të vazhdueshme mes komandantëve amerikanë dhe liderëve irakianë. Vendimi i Pentagonit është edhe një përgjigje ndaj këshillave të presidentit Barack Obama për rritjen e numrit të ushtarakëve amerikanë në Irak nga 3 870 në 4 087. {Sh.K}
Shullazi u arrestua se kërcënoi shtetasin amerikan
Që prej të shtunës emri i Emiljano Shullazit, është rikthyer në qendër të vëmendjes. Ai u shoqërua për kërcënimin e kandidatit për Rektor Mynyr Koni, por pak më vonë ju njoftua arrestimi me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda për gjobëvënie. Cila është e vërteta dhe a ka sfond politik e gjithë kjo ngjarje? Sipas kryeredaktorit të Top Channel, Mentor Kikia, në Top Story me Sokol Ballën, ai tha se, Shullazi gaboi në një moment të vetëm; atëherë kur kërcënoi një shtetas amerikan. “Gabimi i Shullazit ishte që i vuri pistoletën një biznesmeni që mbante pasaportën amerikane. Po të mos e kish bërë këtë do të ishte duke shijuar frutet e biznesit të tij”, thotë ai. Kikia thotë se kryeprokurori Adriatik Llalla, duke folur për ngjarjet e rënda kriminale të fillimvitit në Durrës, i lidhte ato me përplasje bandash për trafiqe droge, duke nënkuptuar Shullazin, ndërsa sa i takon mbështetjes politike… “Ka patur apo jo mbështetje politike? Unë them që ka patur dhe ka qenë ky faktori kryesor që prodhoi Shullazin. Gjobëvënia ekziston kudo, por në Shqipëri u shndërrua në formë biznesi nga Shullazi, sepse ka qenë mik me të gjitha palët. Shullazi ka qenë njeriu që organizonte gjërat me porosi. Është kapur nga të gjitha palët e policisë dhe herë ka dalë i palagur dhe herë për të shuar zhurmën e momentit”, theksoi z.Mentor Kikia
Marrëveshja e parë paqësore mes Kosovës dhe Serbisë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar sot në ‘facebook’/
Tre vite më parë nisëm një kapitull të ri të komunikimit dhe bashkëpunimit në rajon. Pas një shekulli konflikt, arritëm marrëveshjen e parë paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, e cila synon normalizimin e marrëdhënieve dhe në fund pajtimin mes dy popujve dhe dy shteteve, me udhëheqjen e BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së.
Nuk ishte vendim i lehtë, por ishte vendimi më i mirë për shtetin tonë dhe popujt e rajonit.
Por, ndonëse i kemi kthyer sytë nga e ardhmja më e mirë për popullin dhe shtetin, ne asnjëherë s’do të harrojmë sakrificën nëpër të cilën kemi kaluar. Për t’u siguruar që e ardhmja jonë nuk do të kërcënohet nga e kaluara, duhet që normalizimi dhe pajtimi të ndërtohen mbi drejtësi për të gjitha viktimat dhe të zbardhet fati i të pagjeturve.
Më e rëndësishmja është se jemi në rrugën e drejtë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, për gjeneratat e ardhshme, çfarë të gjithë ne kemi ëndërruar.
Është koha që dialogu të bëhet më dinamik, të rritet efikasiteti në implementim dhe të kalojmë nga procesi i normalizimit të raporteve në pajtim mes shteteve dhe popujve.
Dialogu, normalizimi dhe pajtimi mes shteteve dhe popujve nuk ka alternativë. HTH
Tiranë: Parlamenti feston përvjetorin e pluralizmit
Tiranë, 18 prill 2016/ Parlamenti i Shqipërisë përkujtoi sot 25 vjetorin e rinisjes së pluralist demokratik, në prill 1991, pas pas 45 vjet diktaturë komuniste njëpartiake, të ushtruar me dhunë të pashembullt nga Partia e Punës së Shqipërisë. Parlamenti dhe Akademia e Shkencave zhvilluan një veprimtari përkujtimore në këtë çerek shekulli, kur rinia shqiptare zgjodhi vlerat e demokracisë perëndimore për të ndryshuar të ardhmen e vendit.
Kryetari i parlamentit, Ilir Meta, tha se në fillim të viteve 90 etja e rinisë për këtë ndryshim me rëndësi kulmoi me lëvizjen studentore, që kërkoi me këmbëngulje një rrugë të re, atë të vlerave demokratike, lirive dhe qyterërimit perëndimor.
Zoti Meta tha se parlamenti i parë pluralist pati një jetë të shkurër dhe u përballë me sfidën për të shndërruar ligjet e trashëguara në ligje demokratike dhe këtë u përpoq ta arrinte me mjete të ndryshme; me debate, me mirëkuptime dhe me bojkote, në mënyrë që shoqëria shqiptare të hidhte hapat e parë në rrugën e demokracisë.
Ai shprehu besimin se reforma në sistemin e drejtësisë do të përmbyllet me sukses sa më parë, edhe pse parlamenti është institucioni kritikohet, megjithë rritjen e transparencës dhe vëllimit të punës.
Shqipëria në këto 25 vjet ka ndryshuar shumë, duke u bërë anëtarë e NATO-s dhe kandidate për në Bashkimin Europian.Të gjithë shpresojnë që reforma në drejtësi do të përmirësojë cilësinë e gjykimit, do të ulë korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin, dhe do të shtojë besimin e qytetarëve tek gjykatat.Megjithatë sot parlamenti është edhe para sfidës së dekriminalizimit të vet, për të zbatuar një ligj për pastrimin e institucioneve nga zyrtarë me të dhëna kriminale.Kjo çështje ka kushtëzuar prej disa muajsh qëndrimin e opozitës ndaj institucionit më të lartë ligjvënës të Shqipërisë.(Ilirian Agolli/VOA/)
Uashington: shqiptaro-amerkanët protestuan për ligjin e pronave
Nga Ilir IKONOMI/ Zeri i Amerikes/
Një grup shqiptarësh që banojnë në SHBA i bënë thirrje qeverisë dhe parlamentit të Shqipërisë të heqin dorë nga miratimi i ligjeve që, sipas tyre bien ndesh me të drejtën e qytetarëve për pronën. Ata u mblodhën dje në shenjë proteste përpara ambasadës së Shqipërisë në Uashington.
Janë vetëm 8 vetë pjesëmarrës në këtë protestë që zhvillohet me lejen e policisë përballë ambasadës shqiptare në Uashington. Protestuesit kanë ardhur nga Nju Jorku, Bostoni dhe rrethinat e kryeqytetit.
Agim Toro ka ardhur nga Bostoni.
“Vërtet ne jemi një numër i vogël këtu sot. Por janë mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë që jetojnë në SHBA dhe që kanë këtë problem.”
Një ligj i ri i miratuar në parlament vitin e kaluar pret shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese. Ligji i ri, përmban një formulë që ul ndjeshëm barrën e shtetit për të kryer kompensime.
Ndonëse problemi i pronave shihet si tejet i ndërlikuar, pasi e vë shtetin përballë një fature të madhe financiare, veprimtarë si Agim Toro nga Bostoni, që presin prej vitesh të marrin pronat, thonë se zgjidhja nuk është aq e vështirë:
“Njerëzit e korruptuar të goditen, t’u merren pronat që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme dhe t’u kthehen pronarëve. Vetëm kjo do ta ulte nivelin e kompensimit, sepse kështu do të pranoheshin për kompensim vetëm ato prona që i shërbejnë interesit publik.”
Lindita Çoku, kirurge nga Nju Jorku mban një pankartë ku shkruhet: Të respektohen të drejtat civile në Shqipëri; kundër standardeve të dyfishta:
“Problemi i standardeve të dyfishta është problem korrupsioni në Shqipëri, sepse dihet shumë mirë që ndërtesat e ndërtuara pa leje janë shembur në disa raste për arsye politike, sepse ndërtuesi ka qenë oponent politik i qeverisë. Nga ana tjetër, ndërtesat e ndërtuara pa leje në tokat e pronarëve, nuk mund të shëmben.”
Zonja Çoku përmend rastin e pronave të saj, që ajo thotë se i janë zaptuar:
“Ne kemi një rast të tillë, ku një sipërfaqe toke në qendër të Tiranës është zënë nga një grup familjar, të cilët kanë ndërtuar shtëpi. Është e pamundur që ne t’i nxjerrim këta pushtues, si mund ta them, megjithëse kemi dokumentin e saktë të pronës. Na kanë thënë: ne jemi të armatosur dhe nuk keni ç’të na bëni.”
Luljeta Karapici ka ardhur nga Nju Jorku.
“Ne si familje nuk biem dakord me çmimet të cilat janë vënë si kompensim të pronave tona. Tani të dëmshpërblehemi me një formë të tillë është qesharake dhe e papranueshme. Qeveria të mendohet edhe një herë, ta shikojë këtë ligj.”
“Nuk ka rëndësi se kush vjen në pushtet dhe gjithsecili mendon për veten e vet dhe jo për pronarët, të cilët janë pjesa e lënë pas dore nga të gjitha qeveritë që kanë qenë deri tani në pushtet. Unë jam një qytetar amerikan dhe mendoj që në Amerikë është krejt e kundërta: pronari është ai që ka të gjitha të drejtat legjitime.”“E kuptoj që është problem i vështirë, por le të veprojë edhe Shqipëria siç vepron gjithë Europa, ku çdo pushtet bazohet tek prona”, thotë Artan Guzja nga Virxhinia.
“Është e pamundur që të mos respektohet prona. Dështimi me pronën do të thotë dështim për të gjithë sistemin. Praktika e këtyre 25 vjetëve e ka treguar këtë, në Shqipëri nuk ka investime, ka korrupsion të pamasë dhe një tranzicion të tejzgjatur dhe të dhimbshëm qytetarët shqiptarë vazhdojnë të ikin dhe nuk ka punësim”, thotë Agim Toro i Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Boston.
Ervini ka ardhur nga Nju Jorku.
“Baza e çdo vendi të përparuar kapitalist është prona. Ajo është alfa e gjithçkaje. Po nuk u zbatua ligji i pronës dhe po nuk u ruajt prona, asnjë vend nuk mund të ketë dot zhvillim ekonomik.”
Dy nga protestuesit shkojnë në hyrjen e ambasadës për të dorëzuar peticionin. Është e dielë, siç duket një ditë pushimi për ambasadën, megjithëse protestuesit thonë se e kanë lajmëruar për protestën.
Por ata janë të vendosur ta vazhdojnë betejën dhe nuk pranojnë të quhen ish-pronarë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 316
- 317
- 318
- 319
- 320
- …
- 482
- Next Page »