• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova me President të ri – Jahjaga përfundon mandatin, Thaçi betohet nesër

April 6, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: 6 Prill 2016-Sheshi Skënderbeu në Prishtinë bëhet gati për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi/

 -Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në fund të mandatit, mesazhe për zhvillim ekonomik/

-Axhenda e seancës së nesërme solemne të Kuvendit ka vetëm një pikë: Betimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, Hashim Thaçi/

-Në qeverinë e Kosovës, e cila zhvilloi sot mbledhjen e 83-të, të 16-tën në vitin 2016, së shpejti pritet të emërohen zëvendëskryeministri dhe ministri Punëve të Jashtme/

Nga Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 6 Prill 2016/ Në Kosovë, zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm është i arritshëm vetëm nëpërmes një politikëbërjeje dhe planifikimi afatgjatë, tha sot presidentja e Republikës drejt përfundimit të mandatit, Atifete Jahjaga.“Strategjitë zhvillimore qeveritare duhet të konceptohen në bashkëpunim të ngushtë e të vazhdueshëm edhe me komunat, duke i inkurajuar ato që të jenë akterë të përhershëm edhe në zbatimin e këtyre strategjive. Një koordinim dhe bashkëpunim më i fuqishëm në mes të qeverisë dhe komunave është i domosdoshëm”, u shpreh Jahjaga duke theksuar mesazhet për zhvillimin ekonomik.

Në konferencën “Zhvillimi ekonomik lokal”, të organizuar në bashkëpunim me presidenten Atifete Jahjaga, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, tha se, qeveria e Kosovës do të mbështes fuqishëm komunat në sferën ekonomike dhe reformat lokale. Në takim ishin të pranishëm kryetarë të komunave dhe përfaqësues të odave ekonomike në Kosovë.

“Ky takim i organizuar me iniciativën e presidentes Jahjaga ka për synim pasqyrimin e vlerësimeve nga komunat dhe bizneset për realizimin e synimeve zhvillimore dhe për përmbushjen e pritjeve të qytetarëve”, theksoi kryeministri Mustafa.

Kreu i qeverisë kosovare ka falënderuar presidenten për angazhimin, punën pesëvjeçare, kontributin në stabilitetin e brendshëm dhe në afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe po ashtu për kontributin të cilin do ta jap në të ardhmen.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga axhendën zyrtare të ditës së sotme, të fundit të plotë të mandatit pesëvjeçar, e përmbyllë pasdite edhe me një fjalim para studentëve në vizitën Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku ka përfunduar studimet në vitin 2000. Ndërsa dje drejt përfundimit të mandatit nderoi me mirënjohje një numër institucionesh dhe individësh.

Presidentja Jahjaga, e zgjedhur në krye të shtetit në 7 prill 2011, e para Presidente Republike në Kosovë e në vendet fqinje,  detyrën ia dorëzon Presidentit të ri të zgjedhur, Hashim Thaçi, i cili do të inaugurohet me një ceremoni në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, në 8 prill, pas betimit nesër në Kuvend, ku u votua nga deputetët në 26 shkurt 2016.

Ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës në “Neni 5 Mandati dhe Betimi” përcakton edhe cili do jetë teksti i betimit:

“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia”.

Sipas ligjit, “Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës”.

 Poashtu përcaktohet: “Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet. Ky mandat nuk ndërlidhet dhe nuk është i përputhshëm me mandatin e institucioneve të tjera” dhe “pas përfundimit të mandatit të parë, Presidenti mund të rizgjidhet vetëm edhe për një mandat”.

Hashim Thaçi merr detyrën si Presidenti i pestë i Kosovës së lirë nga qershori 1999 – afër 17 vite. Nga katër paraardhësit,  i pari ishte Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm një muaj në këtë post, si dhe Presidentja në përfundim të mandatit Atifete Jahjaga.

Betimi i Presidentit të Republikës, është pika e vetme në axhendën e seancës së Kuvendit të Kosovës, e cila do jetë solemne dhe do zhvillohet nesër në orën 11:00.

“Betimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, Hashim Thaçi“, është axhenda se seancës së nesërme solemne, bën të ditur njoftimi i dërguar sot nga Kuvendi.

Kuvendi i Kosovës, i përbërjes aktuale, është konstituuar plot gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014 – në 8 dhjetor, ndërsa të nesërmen ka zgjedhur qeverinë e Kosovës, të koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe komunitetet pakicë.

Në dokumentin e marrëveshjes së koalicionit, të 8 dhjetorit 2014,  sipas së cilës postin e kryeministrit e mori kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, theksohej se, “për pozitën e Presidentit të Republikës së Kosovës do të votohet kandidati i propozuar nga PDK-ja, pas përfundimit të mandatit aktual në përputhje me Kushtetutën – Hashim Thaçi”.

Marrëveshja përcaktonte edhe se, deri në zgjedhjen President Thaçi do ta udhëheqë politikën e jashtme për më shumë se një vit, duke qenë zv/kryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës.

Thaçi ka dhënë dorëheqje nga këto dy funksione në qeveri, si dhe nga kryetari i PDK-së, partisë që e themeloi në tetor të vitit të parë të lirisë 1999 dhe e udhëheqte deri në shkurt 2016,  pasi Kushtetuta prcakton edhe se, “pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”.

Në qeverinë e Kosovës, e cila zhvilloi sot mbledhjen e 83-të, të 16-tën në vitin 2016, së shpejti pritet të emërohen zëvendëskryeministri dhe ministri Punëve të Jashtme.

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve për kompensimin e dëmeve nga vërshimet, propozimin për anëtarë të Komisionit Kosovarë të Konkurrencës dhe vendime për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes publik.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Kosova me President të ri - Jahjaga përfundon mandatin, Thaçi betohet nesër

SHBA do shtojnë praninë ushtarake në Europën lindore

April 6, 2016 by dgreca

Shtetet e Bashkuara do të intensifikojnë praninë e trupave të tyre në rajonin e Europës lindore, për t’iu përgjigjur “agresivitetit të Rusisë”, kanë deklaruar burime ushtarake.
Duke filluar nga viti i ardhshëm, tre brigada luftarake amerikane të armatosura do të vendosen në vendet e rajonit. Korrespondenti diplomatik i BBC thotë se, kjo nismë do të jetë përforcimi më domethënës amerikan i NATO-s që nga rritja e tensioneve për shkak të veprimeve të Rusisë në Ukrainë.  Muajin e kaluar, Pentagoni njoftoi planet e tij për të katërfishuar buxhetin për mbrojtjen europiane në vitin 2017. Prania e shtuar e trupave do të rrisë kapacitetet e Shteteve të Bashkuara për të kryer stërvitje ushtarake në rajon.
“Plani tregon qasjen tonë të fortë dhe të balancuar për të siguruar aleatët e NATO-s dhe partnerët përballë rritjes së agresionit rus në lindje të Europës dhe kudo tjetër”, deklaroi gjenerali Philip Breedlove, komandant i trupave amerikane në Europë.
Ai nënvizoi se, “aleatët dhe partnerët tanë do të kenë më shumë kapacitete”. “Ata do të shohin në vendet e tyre një prani në rritje të brigadave të armatosura me pajisjet më moderne”, tha Breedlove.  Sipas oficerit të lartë të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, çdo brigadë do të patrullojë rajonin për 9 muaj, para se të zëvendësohet. Një brigadë përmban rreth 4.500 ushtarë, të cilët do të jenë të pajisur me automjete ushtarake dhe pajisje të tjera.
“Do të ketë divizione në gjendje për të luftuar nëse diçka ndodh”, ka deklaruar ndërkohë nënsekretari i Mbrojtjes, Robert Work për “Wall Street Journal”.

Filed Under: Komente Tagged With: në Europën lindore, SHBA do shtojnë praninë ushtarake

Stafi i FMN-së përmbylli vizitën në Kosovë

April 6, 2016 by dgreca

Kumtesat për shtyp pas përfundimit të misionit përfshijnë deklarata të ekipeve të stafit të FMN-së të cilat paraqesin gjetjet preliminare pas një vizite në një shtet. Mendimet e shprehura në këtë deklaratë janë të stafit të FMN-së dhe nuk paraqesin medoemos mendimet e Bordit Ekzekutiv të FMN-së. Ky mision nuk rezulton me diskutime të Bordit.

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) vizitoi Prishtinën gjatë periudhës 23 mars deri 5 prill, për të kryer rishikimin e dytë të programit ekonomik të Kosovës të mbështetur me Marrëveshje Stand-By (SBA). Pas përmbylljes së vizitës, shefi i misionit te FMN-së për Kosovë Jacques Miniane dha deklaratën në vijim:“Misioni pati diskutime konstruktive me autoritetet lidhur me politikat për përfundimin e rishikimit të dytë në kuadër të SBA-së. Është arritur mirëkuptim për shumicën e çështjeve. Megjithatë, meqë autoriteteve u duhet kohë shtesë për t’i përvijuar synimet e tyre të politikave në disa fusha, diskutimet do të vazhdojnë gjatë javëve në vijim.

 “Performanca në kuadër të programit vazhdon të jetë e fuqishme në shumë fusha. Autoritetet kanë arritur rregullim të konsiderueshëm fiskal në vitin 2015, ku caqet e deficitit fiskal dhe balancit bankar të qeverisë kanë pasur performancë shumë më të mirë se që ishte paraparë me program, si dhe janë frenuar shpenzimet rrjedhëse. Bankat vazhdojnë të jenë në gjendje të mirë dhe rritja e vitit të kaluar në kreditë e lëshuara ka vazhduar. Është duke u shënuar progres në masat për eliminimin e barrierave strukturore në kredidhënie, avancimin e mbikëqyrjes bankare dhe përcaktimin e kornizës së politikave makroprudenciale. Sistemi i prokurimit publik është fuqizuar. Në të ardhmen, përdorimi i gjithmbarshëm i sistemit të ri është i rëndësishëm për ta bërë prokurimin më transparent dhe shpenzimin publik më efikas.

“Megjithatë, përkundër këtyre arritjeve, zgjerimi i shpejtë i shpenzimeve që kanë të bëjnë me skema të ndryshme, veçanërisht i beneficioneve të lidhura me luftën, është duke bërë presion gjithnjë më të madh në buxhet dhe është duke minuar përpjekjet e autoriteteve për ta ruajtur qëndrueshmërinë fiskale duke krijuar hapësirë për projekte kapitale që nxisin rritje dhe shpenzime të tjera prioritare. Duke qenë të vëmendshëm për këtë rrezik, autoritetet në konsultim me stafin e FMN-së janë duke përgatitur një pako të masave që kanë për qëllim strukturimin dhe kalibrimin më të mirë të këtyre skemave, duke mbajtur shpenzimet përkatëse të ndërlidhura në 1 deri 1.25 për qind të BPV-së për vit. Kjo do të siguronte që caqet e programit fiskal të vitit 2016 të mbahen brenda kornizës së pranueshme dhe se buxheti i vitit 2017, i cili do të hartohet më vonë gjatë këtij viti, do të jetë në përputhje me rregullën fiskale.“Diskutimet me autoritetet do të vazhdojnë, duke përfshirë gjatë takimeve pranverore në Uashington në vijim të këtij muaji.”

Filed Under: Komente Tagged With: Stafi i FMN-së përmbylli, vizitën në Kosovë

KUDO KU SHKOJ ATDHEUN E MBART SI PLAGË….

April 6, 2016 by dgreca

E KENI PROVUAR T’T TELEFONONI  AMBASADES SHQIPTARE NE WASHINGTON… PERGJIGJE QE TE VRASIN SHPIRTIN…A FLASIN KESHTU DIPLOMATET? /

Shkruan: Pirro Dollani/Las Vegas/

Shkak për këtë shkrim u bë telefonata e një mikut tim Amerikan, që do të niset në një udhëtim nëpër Evropë. Ai dëshironte qëgjatë vizitës në Evropë të ndalej edhe në Shqipëri.Më pyeti nëse dija se çfarë dokumentacioni kërkohej nga qeveria shqiptare për ato raste kur të huajt udhëtojnë së bashku me kafshët e tyre, si qeni, macja në Shqipëri. U krijua një pauzë, pasi s’dija çfarë përgjigje t’i jepja, kur ai vazhdoi. “U dërgova një email Departamentit të Bujqësisë në Uashington, dhe ata më kanë dërguar dokumentacionin që duhet plotësuar për vendet e Evropës së Bashkuar.Në atë dokument thuhet se Shqipëria ka miratuar rregulloren e Evropës së Bashkuar, por, njëkohësisht, udhëtarët udhëzohen që të marrin kontakt me Ambasadën Shqiptare për kërkesat që ka vendi. Menjëherë, vazhdoi miku im, hyra në Internet dhe shkova te faqja e Ambasadës Shqiptare në Washington. Kliktova tek “Embassy Services” (“Shërbime të Ambasadës”) dhe poshtë nëntitullit s’kishte asgjë, madje as edhe një gërmë.”

U krijua një heshtje, sa që miku im, pyeti: “Hello, are you there?”

Aty jam që mos qofsha, thashë me vete, dhe si një elektroshok trurin ma përshkoi vargu i famshëm i poetit Nobelist e Diplomat,Jorgos Seferis:

“KUDO KU SHKOJ ATDHEUN E MBART SI PLAGË!”

“Miku im, iu drejtova bashkëfolësit, nëse të pret puna, më lejo të komunikoj vetë me ambasadën.”

Sapo ula telefonin, hyra në Internet dhe shkova te faqja e Ambasadës së Shqipërisë. Në faqen e parë ishte një ekspozitë fotografish nga veprimtaritë e ambasadës. M’u duk bukur! S’ka më bukur! Kalova tek faqja  “Shërbimet e Ambasadës” . . . e bardhë si bora e maleve tona!!!U ktheva përsëri tek faqja e parë. Paçka se aty ishin fotografi me Obamën, John Kerrin, takime me ambasadorë të ndryshëm, mua më la shijen sikur isha para atyre Stendave të Bashkimeve Profesionale të dikurshme! Mbasi humba nja gjysmë ore duke qëmtuar në “faqen e bardhë” të Ambasadës sonë, thashë t’i nis një email nga faqja e tyre. Kësisoj, rreth datës 19 ose 20 Mars, u shkrova një email të shkurtër ku në krye vija emrin dhe mbiemrin tim, dhe pa hyrë në hollësi u lutesha që t’më dërgonin ndonjë kërkesë specifike, përveç atyre që kërkoheshin nga rregullorja e Evropës së Bashkuar për udhëtarët që vinin në Shqipëri me kafshët e tyre shtëpiake.

Kur kaluan 3-4 ditë dhe askush nuk u bë i gjallë nga Ambasada, i mora në telefon. Pikërisht, ditën e Enjte, datë 24 Mars, rreth orës 10 të mëngjesit, me orën e Las Vegasit. Sapo dëgjova zërin e një vajze nga ana tjetër e telefonit, e përshëndeta, tregova emrin tim, i thashë që jam banues prej mëse 20 vjeteve në Las Vegas dhe,më pas, e pyetase me kë kam nderin të flas.

Përgjigja: “Me Ambasadën Shqiptare në Washington.”

Unë: “Ju lutem, si quheni?”

Përgjigja: “Ç’e do emrin tim!”

(Jo, jo s’ka mundësi, thashë me vete, do të kem telefonuar ndonjë nga ata fshatarët që shesin pa leje në shkallët  e pallatit, se nuk ka mundësi që një përfaqësuese e Ambasadës Shqiptare në Amerikë të përgjigjet në një formë të tillë. )

“Më fal, i thashë, unë u prezantova, dhe dua të di se me kë kam nderin të flas.”

Punonjësja e Ambasadës: “S’ke ç’e do emrin. Ne jemi vetëm tre veta këtu.”

(Ajo vajzë, nuk e di që në atë punë që e kanë caktuar, pavarësisht pozitëssë ulët që mund të ketë, kur ngre telefonin e përgjigjet, përfaqëson Shqipërinë. Presim ne të bëjnë diplomaci diplomatët tanë, kur nuk dinë as të flasin në telefon! Ndoshta, të kanë prurë në ambasadë ty si shumë e shumë të tjerë nga shkalla e fanatizmit për partinë tënde, por të paktën, këto vite që ke këtu, të kishe mësuar nga ajo shitësja e thjeshtë që shet lule, nga ai punonjësi i thjeshtë i kompanisë, që posa bie telefoni, të përgjigjet, me një zë të ëmbël duke të thënë: “Dyqanit i luleve. Quhem John, si mund t’ju ndihmoj?”)

Kur e pashë kështu, e pyeta se ç’dokumente duhet për udhëtarët që marrin me vete qenin a macen kur vijnë në Shqipëri. Përgjigja e saj ishte e prerë:

“S’merremi ne me këtë çështje!”

(“Vrit veten” më tingëlloi shprehja e saj.  I bën një pyetje punonjëses së Ambasadës shqiptare për rregullat e hyrjes në Shqipëri, dhe në vend të thotë, më fal se nuk jam shumë e informuar, por më lini nr. e telefonit ose adresën e emailit, dhe do t’ju kthej përgjigje më vonë, të thotë “S’merremi ne me këtë çështje!”  Një nga detyrat kryesore të personelit të ambasadave është të japin ndihmën e menjëhershme qytetarëve të tyre kudo ku ndodhen në botë, madje duke u afruar edhe ndihmë më të specializuar, po të jetë e nevojshme. E këta diplomatët tanë të periudhës postkomuniste, vazhdojnë të njëjtën politikë të diplomacisë komuniste ndaj atdhetarëve të tyre. Eh mor Pirro, thashë me vete, shqetësohesh nga etika e punës së saj.)

Duke ruajtur qetësinë, e personalizova problemin dhe i thashë: “Kam prerë bileta për vete, gruan, dhe dy macet, rreth 3000 dollarë, dhe kam përgatitur dokumentacionin sipas kërkesave të Evropës së Bashkuar. Por në informacionin që kam marrë nga Departamenti i Bujqësisë në Washington nënvizohet që duhet patjetër të kontaktojmë Ambasadën e Shqipërisë. Dhe ju më thonë që “s’merremi ne me këtë çështje” A mund të flas me konsullin?

Ajo: “Unë jam Konsullja.”

Heshta, s’dija ç’të thosha. Kur ajo vazhdoi: “Është një punonjëse këtu që i din këto punë, na nis një email, e të kthejmë përgjigje.”

“Më fal, i thashë, por ju kam nisur një email para 3-4 ditësh. Dëshironi t’ju nis edhe një tjetër tani?”

Ajo: “S’ka nevojë.  Por, ta dini që ne kemi aq shumë emaila, saqë nuk mund t’u përgjigjemi të gjithëve!”

(“. . . nuk mund t’u përgjigjemi të gjithëve. Bir Selman i nanës Bir! E tha këtë fjali, apo më bënë veshët?!?)

S’dija ç’të thoja më tej!  Të dy qëndronim në të dy anët e linjës telefonike të heshtur. Dhe në atë heshtje, ndjeva keqardhje për të. Thashë se mos bëhem unë shkak ta heqin nga puna. Nuk e kam me të personalisht, por me shërbimin e dobët që shqiptarët ndeshin nga këta diplomatët tanë. Gati-gati doja ta justifikoja. Pyeta veten se mos po me zinte Sindroma e Stokolmit. E çuditshme, të lindin ndjenja pozitive për njerëz të tillë.

PS.Asgjë e re nga Ambasada jonë e shtrenjtë deri tani në orën 5 mbasdite të dates 5 Prill. “Por ta dini që ne kemi aq shumë email, saqë nuk mund t’u përgjigjemi të gjithëve.”

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: E MBART SI PLAGË...., KUDO KU SHKOJ ATDHEUN, Pirro Dollani

Shqipëria, sërish e para në Europë

April 5, 2016 by dgreca

Raporti i BE, Shqipëria e para në Evropë për kultivimin e kanabisit/

Raportin i BE-së për vitin 2016 për drogën, tregon se në gjithë kontinentin qarkullon 24 miliardë euro në vit. Në raportin e Komisionerit për Çështjet e Brendshme në BE, të publikuar nga komisioneri Dimitris Avramopulos, thuhet se ky nuk është i vetmi aktivitet i paligjshëm që sjell përfitime për krimin e organizuar, duke shtuar edhe terrorizmin dhe trafikimin e qenieve njerëzore në to.

Raporti i BE është publikuar si një udhërrëfyes për Europolin dhe policitë e tjera të unionit, ku vlerësohet se aktivitetet e paligjshme sjellin mbi 30 miliardë euro në vit për organizatat kriminale, ku pjesën më të madhe e zë droga.

Sipas këtij raporti, 38 % të tregut të drogës e zënë bimët narkotike, pra kanabisi që gjeneron 9.3 miliardë euro çdo vit fitime për trafikantët dhe prodhuesit.

Për Shqipërinë, në këtë raport thuhet se me gjithë operacionin policor në Lazarat, vendi unë renditet sërish i pari në Europë për prodhim kanabisi dhe shitjen e tij në tregjet e paligjshme europiane. Pas saj vjen Holanda, ku ky mall shpërndahet, duke shkelur shumë herë edhe ligjet për konsumin e tij. Edhe Çekia zë një pjesë të rëndësishme të këtij tregu së bashku me Marokun, Spanjën dhe Afganistanin.

Në vend të dytë, droga që sjell më shumë të ardhura del të jetë heroina, pasi zë 28 % të këtij tregu duke arritur 5.8 miliardë euro në vit.

Heroina, që rrjedh prej opiumit, vjen nga vendet e Kaukazit përmes Turqisë, Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me gjithë operacionet e mëdha që janë bërë përgjatë vitit 2015, ku u sekuestruan më shumë se 3300 tonë heroinë anembanë Evropës, trafikantët e saj kanë gjetur shtigje të reja.

Sa i përket vendit të tretë, atë e zë kokaina, e cila ka 24 % të tregut me 5.7 miliardë euro çdo vit. Më pas vijnë afetamina dhe metamfetamina me 8 % dhe 1.8 miliardë euro në vit. Pas tyre renditet ekstazi me 2 % dhe disa substanca të tjera psikoaktive.

Filed Under: Komente Tagged With: e kanabisit, për kultivimin, Raporti i BE, Shqipëria e para në Evropë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 328
  • 329
  • 330
  • 331
  • 332
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”
  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT