• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROF. DR. ZEF MIRDITA, HISTORIAN I MADH I POPULLIT SHQIPTAR

April 5, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 NE FOTO:PROF. DR. ZEF MIRDITA (1936 – 2016)/

 Me daten 4 Prill 2016, Zoti thirri pranë vetes edhe Prof. Dr. Zef MIRDITEN…/

Historian i madh të Popullit Shqiptar në gjysen e dytë të Shek. XX…

Historia e vertetë shkencore mbylli një nder fletët ma të lavdishme të saj, me vdekjen e Këtij vigani të së vertetes së shkrueme per njëzet shekujt e Epokës së mbas Krishtit.

Pena e artë e Prof. Dr. Zef MIRDITES, nuk do të ndryshket as thehet kurrma, se Ajo penë ka lanë thesarin ma të çmueshem të identitetit tonë kombtar, të daltuem nder gurtë e Antikitetit të Ilrisë, në germadhat e Kështjellave të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit, në ato fletë të lavdishme të historisë së Dardanisë, dhe të gjitha Trojeve tona ku valoi nder shekuj Flamuri ynë me Shqipen Dykrenare, nga Hoti e Gruda e deri në Çamëri!

Ty Profesor Zef Mirdita, me daten 13 Mars 1936 të ka le Nana në Prizren… E sot Prizreni nuk vajton per Ju i nderuem Profesor, se bash Ai Prizren që Ju rriti Ju, ishte dhe asht edhe sot djepi që perkundi Burrat e motit, bash Ata Shqiptarë per të cilët keni shkrue Ju!

Aty Ju thithët nektarin e ngjarjeve të mëdha të Historisë së vertetë të Shqiptarëve, dhe po Aty, ato të verteta historike u kthyen në gjakun e venave të Tua, e Ju, me dashuninë Tuej i perjetsuet nder veprat monumentale historike per me ushqye zemrat e Shqiptarëve.

Ju Profesor, i keni lanë vllazenve Tuej disa vepra me vlerë, dhe sigurisht, koha sa vjen e do ti çmojë per vertetësinë e tyne, per saktësinë e tyne, per madhështinë e paraqitjes së tyne, po mbi të gjitha per origjinalitetin e tyne të papersëritshem nder rrethanat që Ju i nderuem Profesor, i keni shkrue tue vue edhe jeten Tuej në rrezik… E pikrisht, kjo asht vlera e paster Shpirtnore që ato vepra i perjetson bashkë me Kombin Shqiptar!

Kam lexue, studjue dhe analizue mendimet Tua tek libri “Krishtenizmi nder Shqiptarë”,

dhe kushedi sa herë kam mendue sesi mbrenda një libri me 441 faqe, Ju keni paraqitë para lexuesit Shqiptar historinë e ma shumë se 2000 vjetëve të Epokës mbas Krishtit të Shqipnisë dhe Paraardhësëve të saj. Nuk do të hyj në shpjegimet historike dhe as në rrugen e reçensioneve të librit, mbasi një liber si Ky, kam besimin se duhet të jetë tashma në të gjitha shtëpijat e atyne që thonë se jemi Shqiptarë. Libri asht botue tash 18 vjetë, pra në pragun e Mijëvjeçarit të tretë, dhe asht udhrrëfyesi i çdo historiani…

Qellimi i madh i Juej Profesor i nderuem, asht me ua mësue Vëllazenëve Shqiptarë “Historinë e vet” tue u bazue në parimin shpirtnor dhe edukativ Atdhetar, të mbështetun në porosinë e Papës Leoni XIII, dhanë me daten 18 Korrik 1882, plot 134 vjetë para: “Ligji i Parë i historisë është, që mos të guxohet të thuhet diçka e rrejshme, pastaj mos të guxohet të heshtet e vërteta” (fq. 46).

E Ky ligj i nderuem Prof. Zef MIRDITA, ishte çdo shkronjë e Jueja e vume me kujdesin dhe dashuninë e pakrahasueshme nder veprat Tua Atdhetare.

Thanjet e Prof. Zefit asht mirë të lexohen dhe të mbahen mend nga shumë “prof.dr. e akademikë” që sot, nuk e kanë as guximin, as burrninë dhe as kulturen per me thanë edhe këte që asht e shkrueme në rreshtat e fundit të librit:

“Në rast se ekziston sot një territor i pavarur, i njohur nga Bota me emrin Shqipëri, një meritë e madhe për këte i takon Kishës Katolike në Shqipni dhe Klerit të Saj.”

“Shqiptarët me Skenderbeun në krye, luftuan kunder pushtuesëve osmanë. Kjo luftë kishte karakter mbrojtës, çlirimtar dhe asnjëherë fetar, siç duan t’a interpretojnë disa. Kjo luftë padyshim ka qenë dhe mbetet thelbi i nacionalizmit Shqiptar…

Besimi musliman ishte një faktor kryesorë që bëri të mundur të ruhej ndërgjegja kombëtare nder Shqiptarët e mbetur jashta kufijve…” (fq. 401).

E kur vazhdoj me kujtue fjalët mësimdhanëse të Tuat…

I Nderuem Mik besnik, Prof. Zef MIRDITA, Ju, pushoni në Paqë, se…

Edhe Rinia Shqiptare, ashtusi unë, do të ruej në zemer pergjithmonë Vepren Tande!

Melbourne, 5 Prill 2016.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Sot, më 4 prill 2016, në Zagreb, profesori dhe akademiku Zef Mirdita, ka kaluar në amshim. Ky lajm i hidhur e ka pikëllu botën akademike dhe kulturore shqiptare, e jo vetëm, pasi Prof. Mirdita njihet si ndër historianët më të mëdhenj që i ka pasur shkenca shqiptare. Ai do të mbetet i paharruar për shkrimet dhe librat e tij historik me kompetencë për Antikitetin, Dardaninë, historinë e vllehëve dhe krishterimin ndër shqiptarë.

Kush ishte Prof. Zef Mirdita?

Prof. Dr. Zef Mirdita u lind në Prizren, më 13 mars të vitit 1936. Shkollën fillore e kreu në Prizren, ndërsa gjimnazin klasik, respektivisht interdioqezian, në Pazin dhe në Zagreb.

Në Fakultetin Katolik Teologjik në Zagreb, më 1958, absolvoi Filozofinë. Në vitin shkollor 1959/60 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit – Dega e Historisë. Nga viti shkollor 1961/62 ishte demonstrator në Katedrën për Histori Kroate te prof. dr. Jaroslav Šidak. Qysh si student i vitit të tretë dhe të katërt ligjëroi lëndën e Historisë në gjimnazin e mbrëmjes “Ise Kršnjavoga” në Zagreb. Diplomoi më 8 korrik të vitit 1965.

Pas kthimit në Prizren, më 8 shkurt të vitit 1966, punoi profesor në gjimnaz, në shkollën e mesme të muzikës dhe në shkollën e mesme të mjekësisë, ku ligjëroi histori, sociologji, gjuhë latine dhe gjuhë frënge, në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, serbe dhe turke. Nga 1 janari i vitit 1967 kaloi në Prishtinë si asistent në Katedrën e Historisë, Dega e Historisë Antike dhe më 3 nëntor 1972 doktoroi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit me temën “Dardanci i Dardanija u antici” (Dardanët dhe Dardania në Antikë). Më 1973 u zgjodh docent me ç’rast e mori përsipër Katedrën e Historisë së Kohës së Vjetër në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, të cilën lëndë e ligjëroi në dy gjuhë, për studentët shqiptarë dhe serbë. Në gusht të të njëjtit vit qëndroi në Shqipëri ku bëri gërmime e hulumtime arkeologjike. Më 1974 si bursist i Qeverisë Italiane qëndroi në specializim në Katedrën e Historisë së Vjetër në Universitetin “La Sapienza” e Romës. Në vitet 1976-1977, si bursist i Fondit “Alexander von Humboldt – Stiftung” qëndroi në specializim (për Historinë e Vjetër dhe Paleobalkanistikën) në Universitetin e Heidelberg-ut në Gjermani. Më 1978 u zgjodh profesor, ndërkaq më 1983 profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës. Më 3 prill 1991 u zgjodh anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Njëkohësisht, si profesor mysafir ligjëroi në disa universitete europiane, si në Vjenë, Jena, München, Romë, Sofje dhe Tiranë. Më 1991-1992 qëndroi në Gjermani (München) për të dytën herë si bursist i Fondit “Alexander von Humboldt – Stiftung”. Nga 1 marsi i vitit 1993 është këshilltar shkencor në Institutin Kroat të Historisë ku e udhëheq projektin Vlasi – starobalkansko stanovništvo od povijesne pojave do danas (Vllehët – popullatë e vjetër ballkanike që nga fillet historike deri më sot). Që nga viti akademik 1997/98 deri në atë 2006/07 ishte ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit “J. J. Strossmayer” në Osijek, ku e ligjëroi lëndën: Historia e Vjetër – Lindja e Vjetër. Përveç dhjetë librave në shqip, shqip-gjermanisht dhe në kroatisht, botoi në gjuhën shqipe, kroate, frënge, angleze, gjermane dhe italiane, në revistat shkencore të vendit dhe të huaja, mbi 100 studime, shqyrtime dhe punime – artikuj, recensione, kritika, shënime, polemika etj, po ashtu përktheu disa libra nga kroatishtja në shqip dhe nga shqipja në kroatisht. Që nga viti 1999 është nënkryetar i Shoqatës së Miqësisë Kroato-Shqiptare (Društvo hrvatsko-albanskog prijateljstva), ndërsa në periudhën kohore 2003-2007 ishte anëtar i Këshillit për Pakica Kombëtare në Qeverinë e Republikës së Kroacisë (Savjet za nacionalne manjine pri Vladi Republike Hrvatske). Më 16 qershor 2004, Alfred Moisiu, kryetar i Republikës së Shqipërisë e dekoroi me shpërblim për kontributin e dhënë albanologjisë dhe për përfaqësim të denjë të komunitetit shqiptar në Republikën e Kroacisë. Më 29 prill 2005, u laureua me shpërblimin e Akademisë Kroate të Shkencave dhe Arteve (Hrvatska akademija znanosti i umjetnosti) për librin Vlasi u historiografiji (Vllehët në historiografi), i cili u shpall libër i vitit 2004. Më 21 dhjetor 2011, me rastin e 75 vjetorit të lindjes, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës e shpalli shkencëtar të vitit 2011.

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, HISTORIAN I MADH, Ndahet nga jeta, PROF. DR. ZEF MIRDITA

Shqipëria në “Panama Papers”

April 5, 2016 by dgreca

Shqipëria është përfshirë në megaskandalin “Panama Papers”, i cili është raport i gazetarëve investigativë, që shfaq korrupsionin në dhjetëra vende të botës duke përfshirë edhe liderë botërorë.

Sipas medias shqiptare që u referohet dokumenteve të “Panama Papers”, në skandal janë përfshirë 25 persona dhe 2 kompani nga Shqipëria.

Nga të dhënat rezulton se 3 persona kane qenë përfitues të ardhurash nga kompanitë fiktive në Shqipëri. Po ashtu, 22 persona të tjerë janë pjesë e këtyre kompanive.

Njëra prej kompanive mbi të cilën është hedhur dritë deri tani është “GFI Technologies”, e cila ka si partnerë Assaf Halkinin – avokat izraelit, Isamil Mulletin, sipërmarrës shqiptar, dhe kompaninë kanadeze “Global Fluids International S.A”.

Kjo kompani përmendet nga gazeta izraelite Haaretz, e cila ishte pjesë e rrjetit të investigimit mediatik për raportin “Panama Papers”.

Kompania është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit në Shqipëri si “GFI Albania” dhe fitoi koncensionin për markimin e karburanteve që në vitin 2013.

Sipas burimeve mediatike, në muajin shtator te vitit 2015, disa transaksione brenda kompanisë ngritën pikëpyetje të mëdha. Aksioneri më i madh i kompanisë, i shiti aksionet tek kompania ortake shqiptare.

Në fillim të shtatorit, “Global Fluids International S.A. (GFI)”, transferoi pothuajse të gjitha kuotat që kishte te GFI Albania, te aksioneri i dytë “Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP)”, i cili kishte fillimisht 25% të kuotave.

Transaksioni ngriti dyshime pasi koncesioni iu dha kompanisë në vitin 2013 , me argumentin se “Global Fluids” ishte kompani e specializuar në këtë fushë, ndaj largimi i saj 2 vjet më vonë dhe shitja e aksioneve tek partneri shqiptar, nuk kaloi pa u vënë re.

Me procesin e markimit, çmimi i karburantit në vend vlerësohet të jetë të paktën 2 lekë më shtrenjtë.

GFI Albania, nëpërmjet një kontrate 10-vjeçare që kushton 150 milionë euro, duhej të ngjyroste naftën (procesi i markimit të karburantit), në përputhje me qëllimin e përdorimit, eliminimin e abuzimit me cilësinë e destinacionit dhe në fund shmangien e taksave të larta për konsumatorin.

Shoqata e Hidrokarbureve në Shqipëri, ka qenë kritike ndaj veprimtarisë së kompanisë “GFI Albania” dhe i është drejtuar Ministrisë së Financave me ankesa shkresore për aktivitetin e kësaj kompanie.

Deri tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga përfaqësuesit e kompanisë “GFI Albania” për përmendjen e saj në dokumentet e publikuara në raportin “Panama Papers”.

Filed Under: Komente Tagged With: në “Panama Papers”, shqiperia

Kryeministri i Islandës kërkon shpërndarjen e parlamentit

April 5, 2016 by dgreca

Protesta në Reikjavik të Islandës kundër kryeministrit, Sigmundur Gunnlaugsson, 4 prill 2016./

Kryeministri i Islandës, Sigmundur Gunnlaugsson, i ka kërkuar presidentit që të shpërndajë parlamentin, pas akuzave se ai ka fshehur miliona dollarë pasuri jashtë vendit.

Gunnlaugsson është duke u përballur me presion për shkak të dokumenteve që tregojnë se ai dhe gruaja e tij kanë në pronësi firmën Wintris, jashtë Islandës.

Kjo është bërë e ditur nga të ashtuquajturat Letra të Panamasë, që kanë rrjedhur nga një firmë ligjore në Panama.

Këto letra kanë zbuluar se dhjetëra figura globale kanë të fsheshura shuma të mëdha parash jashtë vendeve të tyre.

Të hënën ka pasur protesta përpara parlamentin në Islandë.

Gunnlaugsson i ka dërguar kërkesën për shpërndarje të parlamentit presidentit Olafur Ragnar Grimsson, pasi opozita ka kërkuar votë të besimit.

Shumë njerëz nuk do të mund të flenë nga Letrat e Panamasë/

Rrjedhja e mbi 11 milionë dokumenteve nga një firmë ligjore në Panama ka zbuluar se si elitat globale, përfshirë bashkëpunëtorë të presidentit rus, Vladimir Putin, kanë të fshehura shuma të mëdha parash.

Në lidhje me këtë çështje, korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Pamir Sahill, ka biseduar me zotin John Christensen, drejtor ekzekutiv i Rrjetit të Drejtësisë Tatimore, që është një mekanizëm i pavarur ndërkombëtar.

Radio Evropa e Lirë: Si e interpretoni rrjedhjen e Letrave të Panamasë (Panama Papers)? A është ky një zbulim i habitshëm?

John Christensen: Mendoj se Letrat e Panamasë janë një nga rrjedhjet më të mëdha të kohës moderne. Janë rrjedhja e parë e madhe nga një firmë ligjore, që ka çuditur shumë njerëz. Miliona letra janë zbuluar dhe vazhdojnë të zbulohen.

Ato përfshijnë njerëz të nivelit shumë të lartë, jo vetëm politikanë, por edhe njerëz të biznesit dhe elita në gjithë botën. Mendoj se kjo rrjedhje është në të njëjtën shkallë me zbulimet e Edward Snowdenit (ish-kontraktor i inteligjencës amerikane, i cili ka publikuar dokumente sekrete të SHBA-së), sepse ajo zbulon nivelin e korrupsionit në mes të elitave globale, politike dhe të pasura.

Ky korrupsion ka vazhduar me dekada. Kjo është hera e parë që kemi një zbulim në këtë shkallë.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, kur politikanët dhe elitat bëjnë përpjekje të krijojnë kompani jashtë vendeve të tyre ose t’iu shmangen taksave, a është kjo ligjore?

John Christensen: Le të jemi krejtësisht të qartë. Evazioni fiskal është i paligjshëm në të gjitha rrethanat. Edhe kur shmangia e taksave ndodh përmes strukturave jashtë vendit, pothuajse në të gjitha rastet, edhe kur apelohet në gjykatë, del të jetë e paligjshme.

Mendoj se publiku e di këtë shumë mirë. Publiku e di se kur njerëzit krijojnë struktura jashtë vendit, kompani jashtë vendit ose besim në juridiksionet si ato të Panamasë, kjo është diçka e paligjshme ose korrupsion.

Radio Evropa e Lirë: Pra, kompanitë jashtë vendit janë të paligjshme?

John Christensen: Jo, e keqja është se kompanitë jashtë vendit janë ligjore. Problemi real me kompanitë jashtë është fakti se vendet si Panamaja nuk kërkojnë që pronarët, pronarët e vërtetë të kompanive jashtë vendit të bëjnë të ditur identitetet e tyre.

Kompanitë si Mossack Fonseca, nga e cila kanë rrjedhur Letrat e Panamasë, sigurojnë emrat e aksionarëve dhe emërojnë drejtorët. Këta janë njerëz që japin emrat e tyre për të vepruar si drejtorë ose aksionarë, për të fshehur identitetin e njerëzve të vërtetë. Kjo është ajo pjesa tronditëse në lidhje me kompanitë jashtë vendit, që nuk bëjnë të ditur identitetin e njerëzve të vërtetë që fshihen prapa kompanive jashtë vendit.

Radio Evropa e Lirë: Rrjedhja e letrave është duke vazhduar. A mendoni se do të ketë reagim të madh nga njerëzit në gjithë botën?

John Christensen: Shpresoj shumë që publiku në të gjitha vendet e botës do të nisë të bëjë presion serioz mbi politikanët, që të ndërmarrin hapa. Çfarë hapash kërkojmë ne? Para së gjithash, duam një traktat global ose kërkesë që çdo juridiksion në botë të krijojë një regjistër publik të pronësive të kompanive jashtë vendit dhe të fondacioneve jashtë vendit. Kjo nuk do të ndodhë derisa politikanët të mos detyrohen nga publiku për të ndërmarrë hapa, sepse shumë politikanë janë vetë ose i kanë familjet e tyre të përfshira në struktura jshtë vendit.

Ata do ta bëjnë një gjë të tillë vetëm kur të kenë presion nga publiku, presion real global. Për dekada të tëra, politikanët kanë premtuar se do të ndërmarrin veprime kundër parajsave të taksave dhe nuk kanë bërë asgjë. Tani është koha. Rrjedhjet nga Panamaja janë zile alarmi për pjesën tjetër të botës, që të ndërmarra hapa.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni të ardhmen e këtyre firmave ligjore? A mendoni se elitat financiare dhe politike të botës do të jenë tani më të kujdesshme kur të transferojnë para jashtë vendit?

John Christensen: Le të shohim. Politinakët, tregtarët e drogës dhe të gjithë njerëzit e tjerë që kanë përdorur kompani jashtë vendit, kanë qenë të kujdesshëm. Ata kanë operuar në atë mënyrë që firmat ligjore të mbrojnë identitetin e tyre.

Kjo do të bëjë që shumë njerëz të mos flenë në javët e ardhshme, sepse ata e dinë se nuk do të mund të mbështeten më në firmat ligjore. Mendoj se kriminelët dhe eliatat e biznesesve, ashtu si edhe elitat e pasura në gjithë botën, që u janë shmangur tatimeve dhe nuk i kanë zbuluar konfliktet politike të interesit, nuk do të mund të flenë, sepse niveli i sekretit që kanë pasur për dekada të tëra, nuk mund të garantohet më.

Filed Under: Komente Tagged With: Islanda, Letrate Panamase, Skandali Panama

Shqipëri-Greqi, Ligji i luftës në mes

April 5, 2016 by dgreca

Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, Bushati: Ligji i luftës pengesë kryesore/

Heqja e ligjit të luftës do të çlironte energji pozitive në marrëdhëniet mes Greqinë. Ky është qëndrimi i Ministrit të Punëve të Jashtme të vendit tonë, Ditmir Bushati.

Kryediplomati shqiptar, i pranishëm në komisionin për punët e Jashtme raportoi sot mbi vizitën e tij në vendin helen.

Bushati tha se marrëdhënia me Greqinë kushtëzohet nga tre elementë kryesorë. “Kryefjalë është ligji i luftës, i cili është vendosur pas luftës së dytë botërore. Kjo do të çlironte pozitivitetin e munguar mes vendeve”, nënvizoi Bushati.

Ai shtoi se pjesë e qenësishme e ligjit të luftës lidhet dhe me çështjen çame, një çështje të diskutuar tej mase nga pala shqiptare.

Gjate punimeve ne Komisionin per Punet e Jashtme (Arbi Fortuzi)

“Çështja çame për herë të parë ka dal në skenë në vitin 1991, u diskutua deri në 1993, pastaj fjeti deri në 2000. U rihap në atë kohë nga kryeministri Meta, pastaj u rikthye në vëmendjen në vitin 2013 si një çështje kryesore e programit qeverisës. Bisedimet tona me Greqinë janë të ndara me tre pjesë. Së pari, Lufta e Dytë Botërore. Heqja e ligjit të luftës që ka jo vetëm efekte politike por edhe ligjore, pasi mban të bllokuar pronat e shqiptarëve të çamërisë. Tek kjo ndarje kemi listuar çështjen çame”, tha ministri Bushati.

Elementi i dytë nga ku kushtëzohet marrëdhënia me vendin helen, sipas Ministrit Bushati lidhet me minoritetin grek në vendin tonë, por dhe atë shqiptarë matan kufijve. “Në këtë drejtim, pala shqiptare ka garantuar të gjitha kushtet, që minoriteti grek në vendin tonë të jetë plotësisht i integruar. Ne kërkojmë të njëjtën gjë nga pala greke”, u shpreh Bushati.

Deputeti Socialist, Ben Blushi, duke lexuar gazeten ne pritje te nisjes se punes ne Komisionin per punet e Jashtme

Elementi i tretë lidhet me marrëveshjen detare, atë të sigurimeve shoqërore, por dhe njohjes së lejes së drejtimit shqiptarë nga pala greke. Sipas Bushatit, në këtë drejtim janë bërë hapa përpara, por ky ngërç nuk lidhet me faktin se përballë tryezës është Greqia.

“Ky mbetet një problem i hapur edhe me Italinë, që kemi dhe marrëdhënie më pak të tensionuara. Dua t’ju kujtoi se mesdheu vijon të mbetet problematik sa i takon ndarjes kufitare. Ne kemi kërkuar që çështja të ndiqet sipas modeleve të mira ndërkombëtare dhe po presim, që Italia të gjejë gjuhën e përbashkët me Greqinë për të vijuar tentativat. Sa i takon sigurimeve shoqërore mbetet i njëjti problem dhe me Italinë”, shtoi Bushati.

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë proçesit të pyetjeve dhe përgjigjeve u shpreh se qeveria e shkuar duhet të hetohet për marrëveshjen e vjetër të detit.(Kortezi Arbi Fortuzi, ATSH)

Filed Under: Komente Tagged With: Ligji i luftës në mes, Shqiperi-Greqi

Basha reagon për projektin e sheshit “Skënderbej”

April 5, 2016 by dgreca

TIRANE, 5 Prill/ATSH/- Pas prezantimit të projektit të sheshit “Skënderbej”, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Në një postim në ‘Facebook’, Basha tha se se qeveria vazhdon me fasada betoni ndërsa papunësia rritet.

“Rrisin taksat dhe falimentojnë biznesin e mbyllin vende pune. Rrisin faturat e energjisë dhe të ujit, vjedhin të ardhurat, ndërkaq hiqen si çlirimtarët e Kastriotit. Por çfarë është realisht “investimi” në shesh? Shkatërrim i gjelbërimit, tender për xhepat e tyre dhe dy kulla betoni për oligarkinë dhe veten e tyre. Ky është meraku i madh i pashait të korrupsionit dhe jo vetmia e Gjergj Kastriotit”, shkruan Basha.

Ndërkaq, kreu i opozitës ka vijuar bashkëbisedimin me fermerë, mjekë, mësues inxhinierë e profesionistë të tjerë në Fier

Banorët e fshatit Fermë, Radostinë, Dermenas, etj shprehën shqetësimin për infrastrukturën rrugore, kanalet e vaditjes dhe kullimit në të cilat nuk është vënë asnjëherë dorë, mungesën e subvencioneve dhe shërbimin e munguar shëndetësor.

Basha ndërsa ka shpalosur programin për bujqësinë ka theksuar se ashtu siç infrastruktura u kthye në prioritet të investimeve në vitet 2005-2013, në qeverisjen e tij prioritet do të jetë bujqësia.

“Synimi ynë është që në vitin e parë në qeverisje ne të jemi me 150 milionë euro me buxhet për bujqësinë, për të subvencionuar bujqësinë, për të subvencionuar punën, bujkun, jo grumbulluesin, jo 4-5 veta që kanë lidhje me qeverinë. Po drejtpërdrejtë bujkun dhe blegtorin”, tha ai.

Arsimi, shëndetësia, taksat e larta dhe tarifat ishin në qendër të bashkëbisedimit që  Basha zhvilloi me mjekë dhe mësues, inxhinierë, avokatë, noterë etj.

Filed Under: Komente Tagged With: Basha reagon për projektin, e sheshit “Skënderbej”

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 332
  • 333
  • 334
  • 335
  • 336
  • …
  • 484
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Polikrizat e shoqërisë në optikën e sociologut Gëzim Tushi
  • HEROIZMI I NJË FAMILJE NË FUND TË SHEKULLIT XX PËR ÇLIRIMIN E VENDIT NGA OKUPATORI SERB
  • SOT 19 VITE NGA SHUARJA E PISHTARIT TË KARVANIT TË KORIFENJVE TË FILMIT, KADRI ROSHIT
  • Përvjetori i harruar i Fishtës
  • We are forever grateful to the USA and our Euro-Atlantic allies for their continuous support
  • Një vizitë e veçantë te Vatra…
  • Vatra Chairman Dr. Elmi Berisha and Prishtina Mayor Përparim Rama met with officials at the U.S. Department of State
  • Shtylla kushtetuese e unitetit kombëtar dhe prova vendimtare e pjekurisë politike
  • KUR POLITIKANËT E SHQIPËRISË DHE TË KOSOVËS “PUSHTOJNË” WASHINGTONIN 
  • 𝐙𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐣𝐚 𝐞 𝐆𝐞𝐨𝐫𝐠𝐞 𝐖𝐚𝐬𝐡𝐢𝐧𝐠𝐭𝐨𝐧 𝐬𝐢 𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢 𝐢 𝐩𝐚𝐫𝐞̈ 𝐢 𝐒𝐇𝐁𝐀
  • “VOA” DHE SHQIPËRIA
  • Grenlanda, rëndësia kritike e ishullit për mbrojtjen raketore dhe interesat gjeostrategjike të ShBA
  • AMBASADA PRANË DALLGËVE TË OQEANIT
  • “Eksodi i zogjve të Çamërisë”, poema e re e Luan Ramës
  • Shqiptarët dhe dy anët e medaljes së sistemit osman të mileteve

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT