• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Trump nën kritika nga republikanë e demokratë

April 2, 2016 by dgreca

Kandidati republikan për president Donald Trump po e gjen veten nën presion për disa komente në lidhje me abortin dhe për faktin se mori në mbrojtje ndihmësin e tij kryesor të fushatës, i akuzuar për përdorim force ndaj një personi. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone, vështirësitë me të cilat po ndeshet zoti Trump vijnë në një kohë vendimtare në garën paraprake republikane.

Donald Trump është në pozita mbrojtëse lidhur me komentet që bëri në televizionin MSNBC, kur tha se gratë që bëjnë abort duhet të ndëshkohen, nëse aborti është i paligjshëm.

Më pas zoti Trump nxori një deklaratë ku thoshte se, në qoftë se aborti bëhet në mënyrë të paligjshme, ata që e kanë ofruar këtë abort duhet të ndëshkohen e jo gratë.

Zoti Trump është gjithashtu nën presion se ka mbrojtur menaxherin e fushatës, Corey Lewandowski, i akuzuar se i ka kapur me forcë krahun një gazetareje, e cila po përpiqej t’i bënte pyetje.

“Unë e di se do të ishte shumë e lehtë për mua t’i hiqja qafe njerëzit. Por unë nuk e bëj këtë, përkundrazi, u dal zot atyre,” tha zoti Trump.

Rivali republikan Ted Cruz nuk vonoi ta sulmonte rivalin për çështjen e abortit.

“Ju e dini, se ai koment ishte e gabuar, është një provë e re se sa pak ka menduar Donaldi për çështjet serioze me të cilat përballet vendi”, tha senatori Kruz.

Guvernatori i Ohajos, John Kasich tha se zoti Trump nuk është i kualifikuar për të qenë president.

“Më duhet të them se kur je komandant i përgjithshëm dhe udhëheqës i botës së lirë, nuk ke kohë për mëdyshje. Duhet ta bësh siç duhet që herën e parë.”

Zoti Trump u kritikua ashpër edhe nga demokratja Hillary Clinton që po bën fushatë në Nju Jork.

“Nëse e trajton abortin si krim, atëhere edhe gratë apo mjekët do t’i shohësh si kriminelë. Më bën përshtypje fakti se republikanët duan një qeveri të kufizuar, përveçse kur bëhet fjalë për të drejtat e grave.”

Kritika bëri edhe rivali i saj Bernie Sanders:

“Ne nuk e dimë se në cilën botë jeton Donald Trumpi.”

Problemet për zotin Trump vijnë në prag të zgjedhjeve paraprake të së martës në Wisconsin, ku sondazhet tregojnë se zoti Cruz kryeson. Analisti John Fortier thotë se veç kësaj, zoti Trump figuron dobët në anketa nëse zgjedhjet e përgjithshme bëhen tani.

“Ai ka një elektorat të ndryshëm, ku bëjnë pjesë njerëz nga më të ndryshmit. Fushata e tij është tepër e ashpër dhe e paqytetëruar.”

Zoti Trump ende ka epërsi përsa i përket numrit të delegatëve, por nëse ai paraqitet dobët në Wisconsin, kjo mund të rrisë shanset që kuvendi kombëtar republikan në muajin korrik ta kontestojë një emërim të tij të mundshëm.(Kortezi:VOA)

Filed Under: Komente Tagged With: republikanë e demokratë, Trump nën kritika nga

AAK përgënjështron Ministrin e Jashtëm të Rusisë, Lavrov

April 2, 2016 by dgreca

Ramush Haradinaj i është përgjigjur drejtësisë/Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dërgoi në Redaksinë e Diellit këtë deklaratë:Deklaratat e Ministrit të Jashtëm të Rusisë, Lavrov, se Tribunali i Hagës i ka fshehur dëshmitë për fajsinë e z. Haradinaj, janë të pavërteta.Ramush Haradinaj, apo kushdo qoftë nga Haradinajt, i është përgjigjur drejtësisë. Ramush Haradinaj nga posti i Kryeministrit të Kosovës, e ka përmbushur obligimin e tij ndaj drejtësisë ndërkombëtare, dhe është shpallur i pafajshëm, nga të gjitha akuzat e ngritura nga Tribunali i Hagës, në dy procese. Për më tepër ai nuk i është shmangur drejtësisë ndërkombëtare, siç ka ndodhur me shumë të akuzuar serbë, të cilët sot i merr në mbrojtje Ministri Lavrov!Vetëm njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Rusisë, ndihmon pajtimin e popujve dhe stabilitetin rajonal, e jo deklaratat armiqësore!

 AAK

Filed Under: Komente Tagged With: AAK, Lavrov, Ramush Haradinaj i është përgjigjur drejtësisë

Presidentja Atifete Jahjaga në javën e përfundimit të mandatit

April 2, 2016 by dgreca

-Në Kosovën lirë, tashmë afër 17 vite, Atifete Jahjaga pasoi tre presidentë para saj: Presidentin historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiun, pastaj Behgjet Pacollin që qëndroi vetëm rreth një muaj në këtë post. Hashim Thaçi – Presidenti i pestë i Kosovës/

 Nga Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 2 Prill 2016/ Këtë të shtunë të fundjavës së fundit si Presidente e Republikës, Atifete Jahjaga vazhdon me axhendën aktive, pret në takim drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe disa përfaqësues të bizneseve.Jahjaga, e zgjedhur në krye të shtetit të Kosovës në 7 prill 2011, e para Presidente Republike në Kosovë e në vendet fqinje, përfundon mandatin pesëvjeçar javën e ardhëshme, ndërsa Presidenti i ri i zgjedhur, Hashim Thaçi, do të marrë detyrën gjatë një ceremonie që do të organizohet në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, në 8 prill, pas betimit në në Kuvend, ku u votua nga deputetët në 26 shkurt 2016.

“Marsi hiperaktiv i Jahjagës”, është një kryetitull sot në shtypin e Prishtinës, ku theksohet se, Presidentja ka shumëfishuar aktivitetet në fund të mandatit dhe se gjatë muajit që shkoi shefja e shtetit ka takuar personalitete të larta ndërkombëtare. Ka marrë vendime të rëndësishme dhe ka bërë një sërë vizitash. Një numër i madh i veprimeve të saj ndërlidhen me çështje gjinore.Ceremonia e lansimit të doracakut për gjyqtarë dhe prokurorë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, ishte dje një nga aktivitetet e Presidentes Jahjaga, sipas njoftimeve zyrtare të dërguara nga Presidenca e Kosovës.

“E drejta për jetë me dinjitet dhe pa dhunë garantohet me Kushtetutën Kosovës dhe me ligjet përkatëse dhe duke u bazuar në këto garanci, institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë një varg aktivitetesh me te cilat është shprehur përkushtimi ynë që, me zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare, të bëhemi model për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje”, ka theksuar Presidentja Jahjaga.

Në Kosovën lirë, tashmë afër 17 vite, Atifete Jahjaga pasoi tre presidentë para saj: Presidentin historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiun, pastaj Behgjet Pacollin që qëndroi vetëm rreth një muaj në këtë post.

Atifete Jahjaga u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës më 7 prill 2011, pasi Behgjet Pacolli në fundin e marsit la postin e presidentit kur Gjykta Kushtetuese e vlerësoi jokushtetuese zgjedhjen e tij më 22 shkurt pa kundërkandidat dhe pa praninë e së paku dy të tretave të deputetëve në seancën e Kuvendit të Kosovës, nga e cila ishte larguar opozita.

Me atë rast Kuvendi miratoi një Rezolutë në mbështetje të Memorandumit të Marrëveshjes në mes të Behgjet Pacollit,  Isa Mustafës (LDK)  dhe Hashim Thaçit (PDK), të nënshkruar më  6 prill 2011.  Marrëveshja ishte lehtësuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë në atë kohë, Christopher Dell.

Marrëveshja përfshinte edhe pajtimin për ndryshimin e Kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka Presidenti në të ardhmen do të zgjidhej me vota të drejtpërdrejta, dhe sipas saj zgjedhjet presidenciale, por edhe ato parlamentare do mbaheshin më herët se që ishte e përcaktuar me Kushtetutë. Por, ndryshime kushtetuse për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nuk u bënë dhe zgjedhja vazhdoi të bëhet nga Kuvendi i Kosovës.

Komisioni për ndryshime kushtetuese kishte dërguar që në pranverën e hershme 2012 njëmbëdhjetë amendamente për ndryshimin e Kushtetutës në Parlament dhe prej andej ato ishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Kushtetuesja kishte kërkuar një opinion të Presidentes lidhur me këto ndryshime. Presidentja Jahjaga në përgjigjen e saj ka theksuar se propozimi për shkurtimin e mandatit të saj nuk ishte në pajtim me Kushtetutën.

Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga ka mandatin e plotë meqë ndërprerja e mandatit do ishte  jokushtetues, sipas vendimit që Gjykata Kushtetuese mori në 6 korrik 2012 në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamenteve të propozuara të Kushtetutës së Kosovës.
Para përfundimit të mandatit të Presidentes, gjatë një vizite në SHBA, në një intervistë të fundit në 24 mars 2016 në Zëri i Amerikës, e pyetur se çfarë planesh ka për të ardhmen, Jahjaga është përgjigjur: “Patjetër që kam plane të cilat besoj që do t’i shpalos gjatë javëve apo muajve të ardhëshëm. Por planet e menjëhershme janë, pak pushim në mesin e familjes time”.

“A ju ka mbetur diçka peng, e parealizuar gjatë këtyre pesë viteve?”, ishte pyetja përmbyllëse e intervistës, në të cilën Presidentja Jahjaga është përgjigjur:   “Gjithmonë është bilanci se çfarë mund të kishe bërë më shumë dhe çfarë ke dashur të bësh më shumë për një fushë që me të vërtetë ka nevojë që t’i kushtohet një përqëndrim i veçantë dhe është zhvillimi ekonomik, tërheqja e investimeve të huaja dhe krijimi i vendeve të punës dhe hapja e perspektivës për 60% të popullatës së Kosovës që është rinia e vendit. Kjo mbetet e vetmja brengë e imja. Duhet të punohet më intensivisht, por këto kanë qënë kompetencat e Presidentit”.

Një nga intervistat e para ekskluzive të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ishte ajo që kam zhvilluar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në prag të festës së 28 Nëntorit 2011, kur e pyetur edhe për pushimet e para si Presidente të kaluara në Shqipëri ajo u përgjigj: “Ishte dëshirë dhe njëkohësisht edhe simbolikë. Nxitje që ta duam, ta respektojmë dhe ta shfrytëzojmë gjithë këtë begati, pasuri dhe mirëqenie tonën, gjithë këto resurse që i ka natyra jonë”.

Ndërsa, e pyetur se, si e vlerësonte dhe si e shihte të tashmen dhe të ardhmen e bashkëpunimeve të dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës, Presidentja Jahjaga përgjigjej: “Është kënaqësi të konstatojmë se sot nuk ka asnjë pengesë në bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Mbetet çështje e ideve dhe projekteve konkrete përjetësimi i marrëdhënieve çfarë i ka dëshiruar gjithmonë populli. Axhenda e integrimeve evropiane na ndihmon shumë në konkretizimin e shfrytëzimit të të gjitha resurseve dhe potencialeve tona…”.

Presidentja Atifete Jahjaga lindi në 20 prill 1975 në Rashkoc – Gjakovë.

Jahjaga ishte Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Policisë së Kosovës prej shkurtit të vitit 2009 deri në zgjedhjen e saj Presidente e Republikës së Kosovës, më 7 prill 2011. Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, në fillim të vitit 2000, fillimisht shërbeu si police, duke përparuar në nivel rajonal dhe në atë të Shtabit të Përgjithshëm. Gjatë karrierës së saj të mëhershme, Presidentja Jahjaga ka shërbyer në pozita të rëndësishme në zbatim të rendit dhe ligjit në Njësinë e Standardeve Profesionale, pastaj Ndihmëse e Zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Ndihmëse e Shefit të Burimeve Njerëzore, Ndihmëse Ekzekutive Speciale e Zëvendëskomisarit për Administratën e Policisë së Kosovës, Zëvendëskomandante për Polici Kufitare të Policisë së Kosovës, Kryesuese e Departamentit të Trajnimeve, Ndihmëse e Zëvendëskomisarit të Policisë së Kosovës për Polici Kufitare, Ndihmëse e Zëvendëskomisarit të Policisë së Kosovës për Personel dhe Trajnim.

Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Prishtinë, ku gjithashtu i përfundoi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, në vitin 2000. Ka përfunduar Certifikimin Postdiplomik në Menaxhimin Policor dhe të Drejtën Penale në Universitetin e Leicester-it në Mbretërinë e Bashkuar në vitet 2006-2007, Certifikimin Postdiplomik në Shkenca Kriminalistike në Universitetin e Virginia-s në SHBA, në vitin 2007. Aktualisht vazhdon studimet e Magjistraturës në drejtimin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Si shtesë e këtyre studimeve, vlen të theksohen programet profesionale dhe studimore që ka ndjekur në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall” Gjermani, në Akademinë Nacionale të FBI-së në SHBA dhe në Departamentin e Drejtësisë në SHBA.
Përveç gjuhës shqipe (amtare), Presidentja Atifete Jahjaga zotëron edhe gjuhët angleze dhe serbe. Është e martuar me Astrit Kuçin dhe jeton në Prishtinë.

Ne Foto: Korrespondenti i Diellit Behlul Jashari me Presidenten Jahjaga

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, përfundimit të mandatit, Presidentja Atifete Jahjaga në javën e

Prioritetet e UN-it për autismin

April 2, 2016 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/Ftesën për të asistuar në promovim e një libri pranë godinës së OKB-së, e prita me kënaqësi. Autori amerikan Steve Silberman prezantoi para një auditori të zgjedhur librin me titull: “NeuroTribes”. Autori është fitues i Çmimit në shkenca mjekësore për krijimtari letrare, dhe fitues i Çmimit Samuel Johnson. Libri “NeuroTribes” dhe Steve Silberman janë përcaktuar nga “New York Times” si autori dhe libri më mirë e i më i shitur në SHBA dhe në Angli. Po ashtu edhe “The Economist”, “The Financial Times” e shumë media të tjera e kanë renditur autorin tek shkrimtarët më të mirë.

Po çfarë është autizmi e si arrihet në parandalimin e kësaj diagnose. Sipas mjekëve specialistë shenjat e autismit tek fëmijët shfaqen pas moshës 1 deri 2 vjeç, por ata pohojnë se autismi mund të identifikohet që në muajt e parë të jetës. Lidhur me raportimet për përhapjen e këtyre çrregullimeve vlerësohet se në botë nga 3-4 fëmijë në 1000 vuajnë nga autismi infatil. SHBA vazhdojnë të bënjë përpjekje të mëdha për të gjetur shkaqet e autismit.
Po cilat janë 11 shenjat e autismit, le të njihemi me ato: paaftësia për tu shoqëruar me fëmijët e të rriturit, mungesa apo dobësia në të folur, shumë ose pak ndjeshmëri ndaj zërave, loja e pazakonshme me lodrat, vështirësi në ndryshim të rutinës, të qeshurat ose të qarat vend e pa vend, të pavetëdijshëm ndaj rrezikut, shumë peraktiv ose shumë pasiv, shumë të ndjeshëm ose pak kur i/e prekim, ndërlidhje e çuditshme me sendet, mungesë e kontaktit vizual.
Sipas folësve në atë takim autismi po shndërrohet në një sfidë thelbësore për shëndetin publik, kjo për shkak të përhapjes së tij në rritje, por edhe për kostot shoqërore dhe ekonomike. Sipas specialistëve trajtimi i tij duhet të kthehet në një prioritet të politikave shëndetësore e sociale duke treguar më tepër vëmendje ndaj fëmijëve që preken nga kjo sëmundje.
Vendet e Europës Juglindore kanë shprehur angazhim për të bashkëpunuar në një rrjet të përbashkët që ti japin në mënyrë të organizuar përgjigje kësaj sfide. Autismi mendohet si sëmundje e trashëgueshme ose e pashërueshme, megjithëse ky mendim është akoma i diskutueshëm. Ka shumë terapi autiste me synime të ndryshme që aplikohen duke u nisur prej metodave edukative e duke përfunduar me medikamente.
Qëllimi kryesor i këtij eventi nga OKB-ja flet për propagandën që duhet të bëjë media, institucionet shtetërore, organizatat jo qeveritare për sensibilizimin e parandalimit të kësaj sëmundje me pasoja për njerëzimin. Pjesëmarja e organizatës tonë The Women’s Organization “Hope & Peace” në këtë aktivitet ku flitej për shëndetin publik, plotëson më së miri objektivat tona për sa i takon mbrojtjes së të drejtave të gruas e fëmijëve.
Pas fjalës së autorit Steve Silberman pati pyetje e përgjigje referuar problematikave të kohës mbi autismin dhe mënyrës së parandalimit. Moderator i promovimit të librit “NeuroTribes” ishte Themeluesi dhe Presidenti i Self Autistic Advocacy Network – Ari Ne’eman, i cili në vitin 2009 është përzgjedhur nga vetë Presidenti i SHBA – Barak Obama si këshilltar kombëtar për njerëzit me aftësi të kufizuar.
OKB, New York 2016

Filed Under: Komente Tagged With: Mimoza Dajç, për autismin, Prioritetet e UN-it

“Apple” mbushi sot 40 vjet

April 1, 2016 by dgreca

Me këtë rast redaksia e gazetës “Dielli” i uron suksese personelit shqiptaro-amerikan që punon tek “Apple”, bashkë me miqtë dhe kolegët e tyre/

Dyzet vjet më parë, më 1 prill 1976, kompjuteri Apple, nuk ishte gjë tjetër veçse dy të rinj në një garazh të Kalifornisë. Sot, Apple është njëra prej kompanive më të mëdha në botë. Ndikimi që do të kishin themeluesit e kompanisë Steve Jobs dhe Steve Wozniak në atë kohë ishte i paimagjinueshëm. Inxhinieri Bob Lash e ndërtoi këtë kompjuter primitiv në mesin e viteve 70-të.  Në atë kohë, vetëm universitetet apo korporatat e mëdha kishin kompjuter. “Që të kishte një kompjuter për përdorim privat, duhet ta ndërtoje vetë,” – thotë ai. Ai bëri pikërisht këtë me Klubin “Homebreë,” një grup hobistësh ku merrte pjesë edhe bashkëthemeluesi i firmës Apple, Steve Wozniak. Një mbrëmje Wozniak solli në klub kompjuterin e parë Apple. Një pajisje e vogël dhe më e pavarur se sa të tjerat: “M’u duk tërheqës. Ideja për ta patur kompjuterin në një panel të cilit i shton vetëm tastierën, mu duk shumë e mirë.”  Etika e tërheqjes, thjeshtësisë dhe funksionit do të bëhej një prej  tipareve të firmës Apple. Kompania nuk shpiku kompjuterat personalë, apo telefonat inteligjentë, thotë Dag Spicer, kurator në Muzeumin e Historisë së Kompjuterave. “Çfarë është shpikja? A duhet që gjithmonë të shpikim diçka të re, apo mund të marrësh diçka që egziston dhe ta përpunosh e ta bësh të bukur?” Pamja e jashtme dhe lehtësia e përdorimit ishin synimet e Steve Jobs. Një avancim i madh do të vinte në vitin 1984 me kompjuterin Macintosh: “Nuk është si një kompjuter i madh dhe i frikshëm. Madje nuk duket fare si kompjuter. Ishte një hap i madh psikologjik, i bërë qëllimisht, me ndërgjegje.” Macintoshi solli në treg modelin e klikimit. Ja ç’thotë Bruce Damer pronar i firmës Digibarn: “Ishte mrekulli. Kishim përpara një kuti të vogël për mendjen.” Bruce Damer  mbledh historinë e kompjuterëve në DigiBarn pranë Luginës Silikon. Ai thotë se para Macintosh-it, duhet të dije një gjuhë speciale për të punuar me një kompjuter. “Në atë kohë kishte vetëm tekst. Ky ishte një revolucion sepse mundësoi futjen e fotove në ekran, të ikonave dhe lëvizjen e tyre.” Zoti Damer thotë se Macintoshi ndryshoi marrëdhënien me kompjuterin: “Kompjuteri u bë një mik me të cilin mund të komunikoje.” Ai thotë se lehtësia e përdorimit kanë mundësuar pranimin e kompjuterave në jetën e njeriut. Ky është garazhi ku Steve Jobs dhe Steve Wozniak ndërtuan 50 kompjuerat e parë Apple 1. Vizitorët janë të shumtë.  Steve Jobs vdiq në vitin 2011, ndërsa Wozniak u largua nga kompania në vitin 1985. Por shtëpia private e tij është sot një objekt turistik.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Apple, mbushi sot 40 vjet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 333
  • 334
  • 335
  • 336
  • 337
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”
  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT