• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri belg: Shumë viktima nga sulmet në Bruksel

March 22, 2016 by dgreca

Nga Belgjika raportohet se të paktën 26 njerëz janë vrarë si pasojë e dy sulmeve të tmerrshme në aeroportin e Brukselit, si dhe në një stacion të metrosë.

Zyrtarët thonë se të paktën 11 njerëz kanë vdekur në stacionin e metrosë, ndërsa mediet njoftojnë për 13 të tjerë të vrarë nga shpërthimet në aeroport.

Dy shpërthime kanë goditur zonat e nisjes në aeroportin Zaventem në Bruksel.Një prokuror belg e ka konfirmuar se njëri nga shpërthimet në aeroportin e Bruksel ishte sulm vetëvrasës.

Shpërthimet vijnë katër ditë pasi autoritetet belge kanë kapur në Bruksel Salah Abdeslamin, të dyshuarin kryesor për sulmet terroriste në Paris, më 13 nëntor të vitit të kaluar.

Aeroporti është evakuuar dhe është mbyllur për fluturime.Agjencia e lajmeve Belga raporton se përpara shpërthimeve janë dëgjuar brohoritje në gjuhën arabe.

Ka po ashtu raporte për një shpërthim në një stacion të metrosë në lagjen Maelbek, pranë institucioneve të Bashkimit Evropian.

Transmetuesi publik në Belgjikë, VRT thotë se asnjë person nuk është vrarë nga shpërthimi në stacionin e metrosë, përderisa raporte të tjera raportojnë për të paktën 10 të vdekur.

Operatori i sistemit të metrosë ka thënë se të gjitha stacionet në qytet janë mbyllur.

Rrjeti hekurudhor drejt aeroportit është ndërprerë dhe njerëzit janë udhëzuar të mos shkojnë në aeroport.

Sipas disa raporteve, së paku njëri nga shpërthimet ka qenë pranë hapësirës së kompanisë ajrore American Airlines, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar.

Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel tha se “asaj që i jemi frikësuar ka ndodhur”, duke shtuar se autoritetet janë të shqetësuara për sulme të tjera të mundshme.

Duke folur gjatë një konference për media në Bruksel, Michel tha se “ka shumë të vrarë, shumë të lënduar” nga sulmet e sotme në aeroport dhe në stacion të metrosë.

Ai shtoi se kontrollet kufitare janë riforcuar.

Michel tha se “e kuptojmë se po përballemi me një moment tragjik. Duhet të jemi të qetë e të tregojmë solidaritet”.

Prokurori Federal i Belgjikës, Frederic Van Leeuw i ka quajtur të tri shpërthimet në Bruksel si “sulme terroriste”.

Ai tha se “njëri prej sulmeve më siguri që është bërë nga një sulmues vetëvrasës”.

Ndërkohë, shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke folur gjatë një konference për media në Jordani, ka thënë se “sot është një ditë e rëndë”, duke iu referuar sulmeve të sotme të Brukselit.

Mogherini e ka ndërprerë konferencën e planifikuar me ministrin e Jashtëm të Jordanit, Nasser Judeh, pasi ishte shumë e emocionuar për t’u prononcuar.

Liderët evropianë i kanë dënuar shpërthimet që goditën aeroportin e Brukselit dhe sistemin e metrosë në këtë qytet.

Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven e ka përshkruar shpërthimin si “sulm kundër Evropës Demokratike”.

“Është një sulm kundër Evropës demokratike”, ka thënë kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven, përmes një deklarate. “Ne kurrë nuk do të pranojmë që terroristët t’i sulmojnë shoqëritë tona të hapura”.

Edhe kryeministri i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen i ka dënuar shpërthimet në rrjetin social “Twitter”, si “akte të neveritshme”.

Ndërsa, kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se Belgjika është “goditur nga sulme qyqare dhe vrasëse”.

Reagime ka pasur edhe nga Kremlini, prej nga zëdhënësi Dmitry Peskov e ka cituar presidentin rus, Vladimir Putin, të ketë thënë se “i dënon fort këto krime barbare”.

Belgjika tani ka rritur kërcënimin terrorist në nivelin më të lartë.

Ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon, kishte paralajmëruar të hënën sulme të mundshme hakmarrëse pas kapjes së Abdeslamit.

“E dimë se bllokimi i një qelize mund të nxisë një tjetër veprim. Jemi të vetëdijshëm për këtë”, i ka thënë ai radios belge.

Aeroporti Zaventem ndodhet 11 kilometra në verilindje të Brukselit. Vitin e kaluar, mbi 23 milionë njerëz kanë kaluar në këtë aeroport.

Filed Under: Komente Tagged With: Kryeministri belg: Shumë viktima, ne Bruksel, nga sulmet

Presidenti Obama, Vizitë historike në Kubë, pas 90 vjet shkëputje

March 21, 2016 by dgreca

Regjimi kuban i rezervoi një pritje protokollare Presidentit amerikan, Barack Obama. Shefi i Shtëpisë së Bardhë u nis nga baza ajrore “Andreës” jashtë Uashingtonit drejt Havanës, ku vetëm pamja e avionit presidencial ikonë Air Force One që prek tokën e shtetit komunist, deri para pak kohësh do të ishte krejtësisht e paimagjinueshme. Ekzaktësisht në orën 16:34 me orën e Havanës, Presidenti Obama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Michel dhe dy vajzat, prekën tokën kubane. Me vizitën në shtetin ishull dhe bisedimet me liderin e tij komunist, Barack Obama, shkruan një faqe të re në histori. Udhëtimi i tij treditor, i pari i një kreu amerikan të shtetit në Kubë në gati 90 vjet, përbën pikën kulmore të hapjes diplomatike që Obama dhe homologu i tij kuban, Raul Castro, njoftuan dhjetorin e 2014-s. Presidenti amerikan, njeriu që braktisi politikën dhjetëra vjeçare amerikane të izolimit të Kubës, tani kërkon ta bëjë këtë afrim të pakthyeshëm. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve vazhdon të hasë megjithatë në pengesa të mëdha. Ndërkohë, vetëm pak orë përpara mbërritjes së Obamës, një grup protestuesish u arrestuan në Havanë. Policia largoi me dhjetëra demonstruese të grupit “Grate në të bardha”, i formuar nga bashkëshortet e të burgosurve politikë, të cilat ishin mbledhur përpara një kishe ku përpiqen të zhvillojnë protesta çdo javë.

Filed Under: Komente Tagged With: pas 90 vjet, Presidenti Obama, shkëputje, Vizitë historike në Kubë

Kosova i takon Evropës

March 21, 2016 by dgreca

-Klaus Schlie, kryetar i Kuvendit të shtetit federal Schleswig-Holstein të Gjermanisë: Kosova i takon Evropës dhe Bashkimi Evropian duhet ta mbajë më afër Kosovën/

 PRISHTINË 21 Mars 2016/ Kryetari Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot Klaus Schlie, kryetar i Kuvendit të shtetit federal Schleswig-Holstein të Gjermanisë dhe me këtë rast u shtrua çështja e thellimit të bashkëpunimit në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të këtij shteti të Gjermanisë Federale.

Veseli në takim theksoi se bashkëpunimi i deritashëm me Gjermaninë ishte tejet i rëndësishëm për Kosovën, duke potencuar rëndësinë e përkrahjes së Gjermanisë, jo vetëm me rastin rindërtimit të vendit, por edhe shtetndërtimit, mbështetjen e institucioneve, por edhe përkrahjen pa rezervë për Kosovën në skenën ndërkombëtare. “Gjermania është mostër e zhvillimit ekonomik për neve si vend në tranzicion”, theksoi ai. 

Klaus Schlie theksoi se është shumë i inkurajuar me punën që është bërë në Kosovë, jo vetëm në lëmin e sigurisë, por edhe në ngritjen e institucioneve demokratike, duke vënë në dukje domosdonë e zgjidhjes së çështjeve kontestuese me fqinjët nëpërmjet dialogut. Ai me këtë rast deklaroi se pos bashkëpunimit në rrafshin politik në mes të dyja vendeve, duke e vlerësuar si të shkëlqyer, tashmë duhet të zërë vend të rëndësishëm bashkëpunimi ekonomik. “Kosova i takon Evropës dhe Bashkimi Evropian duhet ta mbajë më afër Kosovën”, theksoi Klaus Schlie. 

Kryetari Veseli vuri në pah se Kuvendi i Kosovës është i interesuar për bashkëpunim ndërparlamentar me parlamentin e kësaj njësie federale të Gjermanisë, për investime në fushën e energjisë së ripërtëritshme si dhe në fushat tjera me interes të përbashkët, Kosovë-Schleswig-Holstein. 

“Kosova është vend me potenciale të mëdha në prodhimin e energjisë së ripërtërishme dhe përvoja nga ky shtet verior i Gjermanisë është shumë e mirëseardhur”, theksoi kryetari i Kuvendit, Veseli./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Kosova i takon Evropës, takim me Klaus Schlie, Veseli

LIBËR ME VLERA TË MIRËFILLTA DOKUMENTARE, SHKENCORE DHE HISTORIKE

March 21, 2016 by dgreca

Rexhep Dedushaj: Krahina e Plavë-Gucisë nëpër shekujt, Pejë 2016 (Botimi i tretë)./

Nga Mikel GOJANI/

Këto ditë studiuesi dhe publicisti Rexhep Dedushaj ka botuar librin e tij vijues të titulluar, “Krahina e Plavë – Gucisë nëpër shekuj”, që është botimi i tretë me plotësime.
Autori i kësaj vepre, studiuesi dhe publicisti i njohur në mjediset intelektuale  mbarëkombëtare,  Rexhep Dedushaj nëpërmjet faqeve të këtij libri merr përsipër  të lerë të shkruar një histori të gjerë për krahinën e Plavë-Gucisë, nga ka edhe origjinën, për interesin e brezave të rinj rrugëtimin historik tepër interesant të kësaj krahine bashkë me dallgët e saja, për të vënë në piedestalin e merituar  të kujtesës së atyre ngjarjeve që janë zhvilluar gjatë historisë dhe të shumë personaliteteve historike të kësaj krahine që kanë lënë gjurmë të thella në historiografinë tonë kombëtare.  Vepra është një rrëfim i gjatë, meqenëse kur dihet që për historinë e kësaj krahine asnjëherë nuk mund të thuhen të gjitha, mirëpo studiuesi Dedushaj, duke mos vënë pikë,  hap shtigje studiuesve të tjera që të merren me gjerësisht me këtë temë shumë interesante dhe të një rëndësie dimensionale. Vepra është e shërbyer në sërë burimesh arkivore, pastaj po ashtu mbështetur edhe në një literaturë të pasur, por edhe  përmes të dëshmive të argumentuara  nëpërmjet rrëfimeve të njerëzve të shtyrë në moshë që kanë përjetuar nga një pjesë të asaj historie, por edhe duke interpretuar ngjarje dhe të bëmat e personaliteteve të shumta të atyre historive që kanë ndodhur në këtë krahinë, që ishin arkivat me autentike të  historive.  Libri “Krahina e Plavë- Guxisë nëpër shekuj”, i autorit Dedushaj, është i konceptuar nëpër kapituj të veçantë që ruajnë një strukturë konceptuale.  Ne kapitullin e këtij libri, “Koha e lashtë”, autori Dedushaj flet për historinë e thellë që prek edhe shekujt. Dëshmitë dhe faktet historike autori mbështetet në bazë të kronikave të shkruara  të shkruara dhe të zbuluara nga shumë njohës të fushës arkeologjike, si të prof. Duje Rendiqi, Mioçeviç, Gerga Novak, Josip Kroshec, Skënder Anamali, Aleksandër Stipçeviq, Artur Evans, Alojz Benac etj., si dhe të shumë shkencëtarëve, si Tumani, J.G. Haln, V. Jokli, M. Shuflaj, N. Jokli, A. Majer, e sidomos E. Çabej, të cilët  dëshmojnë qartë se  shqiptarët jetojnë në trojet e tyre  të sotme mijëra vjet para ardhjes së sllavëve në këto vise. Autori përmes shumë fakteve dhe dëshmive të tjera, përkatësisht të varrezave, të toponimeve, makrotoponive argumenton edhe se cilët kanë qenë sundimtarët e këtij populli.

Kapitulli vijues, “Koha e Bizantit, ardhja e sllavëve dhe e turqve”, autori jep të dhëna dhe fakte historike mbi kohën e Bizantit dhe depërtimin e sllavëve dhe turqve në Ballkan. Autori po ashtu në këtë pjesë shpalos edhe shumë ngjarje historike të zhvilluara në këtë kohë në krahinën e Plavë-Gucisë, duke prezantuar të dhëna tepër interesante dhe të pastudiuara thellësisht deri me sot.  Përhapja e fesë islame në këtë krahinë, paraqet kapitull mjaft interesant në brendinë e këtij libri. Kjo temë bosht shqyrtohet në kapitullin, “Përhapja e fesë islame”, ku autori sqaron se kah fundi i shekullit XVI dhe fillimi i shekullit xVII, gjendja në Shqipëri ishte e mjerueshme. “Ishte kjo koha kur Perandoria Osmane e kishte arritur kulmin e zgjerimit të vet dhe ishte bërë fuqi e madhe ushtarake dhe politike  në tri kontinente, në Azi, në Evropë dhe në Afrikë… Shumë nga kryengritjet  që kishin shpërthyer  gjatë shek. XVI dhe gjysmës së parë të shek. XVII në Shqipëri, e sidomos në viset veriore të saj ishin shuar egërsisht nga jeniçerët e pamëshirshëm otomanë. Nga frika se mos shpërthejnë  kryengritje të reja në këto anë, Porta e Lartë, e mbante të shtrënguar grushtin shtypjes”, ndaj shqiptarëve, e sidomos të atyre të besimit katolik me qëllim që t’i detyronte të islamizohen dhe kështu t’i shkëpuste  edhe ata nga hallka që e lidhnin Shqipërinë me Evropën Perëndimore. (fq..54). Kështu, sipas autorit, pas shumë ngjarjeve dhe kryengritjeve , procesi i islamizimit u përfshi edhe në krahinën e Plavës dhe të Gucisë. Autori po ashtu argumenton se datë të caktuar të fillimit të islamizmit nga kjo popullatë është vështirë të  caktohet, mirëpo sipas disa të dhënave do të ketë filluar diku rreth viteve të ’80-ta të shek. XVI.   Këtë fakt të përafërt e dëshmon edhe  kur sipas  disa fakteve historike në vitin 1471 në Plavë ishte ndërtuar  një xhami, se ajo u ka shërbyer  pushtetmbajtësve  të ardhur nga Turqia. Sipas shënimeve të  Pjetër Mazrekut rreth vitit 1638 shumica e popullatës së Plavë-Gucisë me rrethinë  kishin kaluar në fenë islame. Në këtë kohë , përveçse në Plavë  edhe në Guci ekzistonte një xhami. Ndërsa, sipas autorit, duke nxjerrë të dhënat e studiuesit Memiq, në dhjetëvjetëshin e dytë të shek. XVII, 70 familje, gjegjësisht 8 për qind të kësaj popullsie  ishin myslimanë.
Në vijim autori Dedushaj na i prezanton  edhe shkaqet pse popullata e kësaj krahine u detyrua të pranojë fenë islame: për shkak të dobësimit të fesë katolike, ku mungonin dukshëm priftërinjtë e shkolluar shqiptaro-katolikë; për shkak të agresivitetit të kishës ortodokse – serbe, të cilët  filloi ta përkrah edhe vetë  Selia e Shenjtë (Vatikani) në FRomë, si dhe ta ndihmonin shtetet evropiane me qëndrimet e veta diverzioniste ndaj kryengritjeve  shqiptare; nga presioni i Perandorisë Osmane dhe gjendja e mjeruar e masave të gjera popullore, e shkaktuar nga zgjedha e sistemit  feudalo-ushtarak osman, apo ndonjëherë  edhe dëshira për të fituar sa privilegje ekonomiko-klasore  dhe administrative në këtë sistem.  Në vazhdim autori Dedushaj jep edhe shumë argumente të tjera, po ashtu pasqyron edhe shumë ngjarje dhe zhvillime historike  me temën bosht, ngjarje këto që paraqesin fakte dhe dëshmi historike tepër interesante dhe që kanë një rëndësi të veçantë në pasqyrimin e kësaj çështjeje dhe fakti historik, që për shqiptarët akoma është temë shqyrtimi dhe vazhdon të mbetët.   Autori Dedushaj  në dy kapitujt vijues, “Ngjarjet në gjysmën e II të shek. XVII dhe shek. XVIII, po ashtu edhe kapitulli tjetër në vijim, “Shekulli IX”, na pasqyron ngjarje dhe dëshmi historike që janë zhvilluar në këto troje gjatë këtyre viteve, po ashtu edhe rezistencën e këtij populli karshi sulmeve dhe agresivitetit që pushtuesit u kanë bërë. Autori me këtë rast hedh dritë edhe mbi shumë figura pjesëmarrës dhe rezistues të denjë deri në flijim gjatë këtyre kryengritjeve, si emrin e Pjetër Bogdanit, Mehmet Pashë Bushati, pastaj Kara Mahmut – pashë Bushati, i cili arriti t’i bëjë tregtarët dhe zejtarët e Shkodrës si dhe fiset kryengritëse  të Malësisë së Mbishkodrës, Dukagjinit dhe Mirditës, Në vitin 1786 organizoi një mbledhje me krerët shqiptarë, malazezë, hercegovas dhe boshnjakë, ku u formua “Lidhja e Konferencës Ilire”, e cila kishte për qëllim dëbimin e Turqisë  nga këto troje. Pas përgatitjeve të nevojshme  në nëntor 1787 filloi lufta e cila ishte shumë r furishme që zgjoi edhe vëmendjen e Evropës. Malazezët nuk morën pjesë në këtë luftë, sepse kishin krijuar një marrëveshje, dhe me ndërhyrjen e Rusisë e sulmuan Bushatliun  pas shpine duke ia fundosur  disa anije në Liqenin e Shkodrës, derisa ai ishte i zënë në luftë me Sulltanin. Pas vdekjes  së Kara Mahmut pashë Bushatit  në krye të Shkodrës vjen Ibrahim pashë Bushati – i ligu, quhej nga shqiptarët “i ligu”, sepse çfarë thoshte Sulltani ai vepronte. Sipas autorit Dedushaj, edhe shekulli i XIX përshkohet me shumë ngjarje të rëndësishme historike dhe një vetëdije shumë e lartë kombëtare. Autori me këtë rast përpos shumë ngjarjeve tepër të rëndësishme që i shpalos, ai potencon edhe shumë emra dhe personalitete historike bartës dhe rezistues të këtyre ngjarjeve. Përpos shumë figurave që autori nuk mund t’i anashkalojë janë edhe, si Binak Alia, Sokol Rama, Shaqir Curri, Osman Omeraga, Bali Dema, Zeqo e Jakup Ferri, Man agë Shehu, Adem Shahmani, Zenel Gjoleka, Haxhi Zeka, Nikë Leka-Pepaj, Sulejman Vokshi, Ali  Ibra, Mulla Jaha, Kadri Bajra, Filip Çeka, Isul Sokoli, Ali Pashë Gucia, Husi i Shaban Begut, Mullla Jahë Musiqi, Selman agë Kurti, Nuro Sejdirexha, Abdyl-be Tesheviqi, Halil Agë Mullafejziu, Halil Sejdiu, Agan Nuri, Nuc Shahmani, Omer Shabaj, Mehmet dhe Bilall Shehu, Rushid Jakupaga, Nuredin Bejta, Mehmet agë Jakupi, Ajdin agë Kurti, Ali Koja, Brahim Jakupi dhe shumë e shumë të tjerë, që më siguri do t’u hymë në hak pasi që po i anashkalojmë pa i potencuar.   Një çështje që begaton këtë kapitull, autori këto ngjarje, këto kryengritje dhe këtë rezistencë të kryengritësve të kësaj krahine e përshkruan edhe përmes vargjeve popullore, që rapsodët autoktonë i kanë vënë në vargje popullor dhe sot këndohen në këto anë.  Kapitulli, Kryengritjet e viteve 1909-1012, shpalos shumë ngjarje dhe fakte historike që kanë të bëjnë me kryengritjet e viteve 1909-1912, ngjarje që kanë lënë vulën e tyre në rrugëtimin historik të këtij populli. Shqiptarët rezistencën e tyre e bënë të prirë nga luftëtarët dhe patriotët e denjë të asaj kohe. “Hasan Prishtina, Bajram Curri, Idriz Seferi, Isa Boletini, Ahmet Delia,  Hasan Ferri etj., secili në krahinën e vet e organizonte popullin dhe lidheshin besën për vdekje dhe liri. Më 21-25 maj 2012 u mblodhën në Junik 250 përfaqësues  të popullit shqiptar, kryesisht të Kosovës, por edhe nga viset e tjera shqiptare dhe formuan Komitetin e Kryengritjes së Kosovës me në krye me Hasan Prishtinën, i cili më 25 maj e lëshoi një thirrje për të gjithë shqiptarët: “Sot Shqipëria e Veriut dhe e Jugut  i kanë kapur armët që me anë të kryengritjes  t’i fitojnë të drejtat e natyrshme dhe të siguruara më ligj, që u janë marrë. Ajo dëshiron dhe pret ndihmën njerëzore të të gjithë  bashkatdhetarëve dhe botës së qytetëruar. Atdheu pret prej nesh bashkimin. Janë afruar minutat, kur do të vendoset  fati i Shqipërisë”. Si përfaqësues i Plavës dhe Gucisë në këtë kuvend merrte pjesë Hasan Ferri. Në këtë mbledhje u hartuan edhe kërkesat që ishin të ngjashme  me ato të lidhjes së Prizrenit: Të njihen kufijtë e Shqipërisë, flamuri kombëtar, nëpunësit shqiptarë, gjuha zyrtare shqipja, shkolla shqipe etj., të cilat kërkesa iu paraqiten menjëherë  Qeverisë turke dhe Fuqive të Mëdha. Po ashtu në vazhdim autori jep edhe shumë të dhëna të tjera që në ato kohë janë zhvilluar në këto troje arbërore. Ai jep faktin  se duke e vërejtur rrezikun që po i kanosej trojeve shqiptare, Hasan Prishtina  me patriotët tjerë të kohës u detyrua që të përfundojë marrëveshjen me  Sulltanin, i cili  më 14 gusht 1912 pranoi pikat e Hasan Prishtinës, të cilat pika  shqiptarëve iu garantoheshin shumë të drejta ekonomike, politike, administrative dhe kulturore.  Është e vërtetë se nuk ishte fituar një autonomi e cila ishte kërkuar në fillim, sepse “patriotët nuk mundën të ngulin këmbë për fitimin e saj, pasi tani forcat ushtarake të monarkive të Ballkanit ishin tubuar në kufijtë e Shqipërisë dhe çdo moment pritej sulmi i tyre. Kështu pra mori fund kryengritja e vitit 1012, gjegjësisht kryengritjet shqiptare 190-1012 kundër  pushtuesit pesëshekullor osman.” (fq. 146-147).  Shpalosje historike me tepër interes paraqiten në kapitullin, “Caktimi i kufijve të Shqipërisë”, me ç’rast autori Dedushaj flet për caktimin e kufijve të Shqipërisë që u përcaktuan në Konferencën e Ambasadorëve më 1913, ku u përcaktuan kufijtë e shtetit të Shqipërisë,  në të cilën konferencë pothuaj gjysma e tokave të gjeografisë etnike shqiptare mbeti i copëtuar, përkatësisht e ndarë nga trungu amë. Pra, me plot të drejtë mund të konstatojmë se Konferenca e Ambasadorëve më 1913 në Londër, bëri një padrejtësi të madhe në dëm të popullit shqiptar, duke e copëtuar atë në disa shtete. Në këtë mënyrë veproi edhe Konferenca e Parisit më 1919.  Edhe kapituj vijuesi, si “Lufta e Parë Botërore”, “Mbretëria SKS (Jugosllave)”, “Lufta e Prillit dhe pushtimi fashist” dhe “Koha e sundimit të PKJ (LKJ)”, paraqesin kapituj interesant për jetën dhe zhvillimet e popullatës shqiptare, në këto kohë dhe periudha tepër specifike për këtë popull dhe këto troje etnike.

Në përfundim vlen të konstatojmë se libri “Krahina e Plavë – Gucisë nëpër shekuj”,  të autorit Rexhep Dedushaj, është një libër me vlerë të veçantë dhe që begaton fondin e librave tanë  të karakterit historik.

Filed Under: Komente Tagged With: Krahina e Plave-Gucise neper shekuj, Mikel Gojani, rexhep dedushaj

Djali i Shaban Polluzhes, Ramadani, u varros me nderime ushtarake

March 20, 2016 by dgreca

Është varrosur në Polluzhë, Ramadan Polluzha, djali i fundit i heroit Shaban Polluzha. Ramadani ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare.  Varrimi i të ndjerit u bë  në  varrezat e fshatit Polluzhë  me nderime ushtarake nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe  në praninë e një numri të madh të qytetarëve të Drenicës. Pjesëmarrësit që erdhën nga Sanxhaku i Novi Pazarit për ta nderuar familjen dhe të ndjerin e kanë bërë varrimin edhe më madhështor.

Në mbledhjen komemorative të mbajtur në oborrin e shkollës, e cila mban emrin e heroit  Shaban Polluzha, para të pranishmëve folën udhëheqësit komunal dhe personalitete shkencore e akademike nga Kosova dhe Shqipëria.

Fjala lamtumirëse e Sulejman Uglaninit liderit të Sanxhakut i cili i  priu delegacionit prej 30 anëtarëve, ngjalli emocione të papërshkrueshme. Në mes të tjerash Uglanin tha: “Kemi ardhur  sot  te vllaznit tanë, këtu në Drenicë, në emën të popullit të Sanxhakut,  te familja e Shaban Polluzhës, te familja e atij  burri i cili me ushtrinë e vet erdhi që ta mbronte popullin tonë nga shfarosja  çetnike. Ne  ia kemi borxh kësaj familje falënderimin për kontributin të cilin e ka dhënë  mixha Shaban, i cili flijoi edhe  familjen e tij për ta shpëtuar popullin tonë nga shfarosja.  Një delegacion i yni dhe të rinjtë tanë patën fatin që axhen Ramdan ta vizitojnë para dhjetë ditëve sa ishte ende gjallë dhe ky fakt na benë të lumtur dhe krenar. Sot jemi këtu ta nderojmë për herë të fundit dhe Zoti ju lasht shnosh’. Në fund të fjalimit Uglanin shtoi:”Me këtë rast dua  të shpresoj se ardhja e jonë sot këtu do ti shërbej ngritjes së përafrimit dhe vazhdimit të bashkëpunimit tone vëllazërore, si dikur kur ishim në kohërat më të vështira”.

Në moshën 17 vjeçare Ramadan Polluzha i ishte bashkangjitur babait të tij, Shabanit, në Brigadën e Drenicës, në të cilën ai ishte komandat deri në rënien e tij më 22 shkurt të vitit 1945. Ramadani e mbajti amanetin që ia kishte dhënë e babës  dhe nuk lejoi që kufoma të binte në duart e armikut. Ramadani ka qenë njëri nga  4 djemtë dhe 7 vajzat e Shaban Polluzhës.

Filed Under: Komente Tagged With: Djali, i Shaban Polluzhes, me nderime ushtarake, Ramadani, u varros

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 342
  • 343
  • 344
  • 345
  • 346
  • …
  • 484
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Polikrizat e shoqërisë në optikën e sociologut Gëzim Tushi
  • HEROIZMI I NJË FAMILJE NË FUND TË SHEKULLIT XX PËR ÇLIRIMIN E VENDIT NGA OKUPATORI SERB
  • SOT 19 VITE NGA SHUARJA E PISHTARIT TË KARVANIT TË KORIFENJVE TË FILMIT, KADRI ROSHIT
  • Përvjetori i harruar i Fishtës
  • We are forever grateful to the USA and our Euro-Atlantic allies for their continuous support
  • Një vizitë e veçantë te Vatra…
  • Vatra Chairman Dr. Elmi Berisha and Prishtina Mayor Përparim Rama met with officials at the U.S. Department of State
  • Shtylla kushtetuese e unitetit kombëtar dhe prova vendimtare e pjekurisë politike
  • KUR POLITIKANËT E SHQIPËRISË DHE TË KOSOVËS “PUSHTOJNË” WASHINGTONIN 
  • 𝐙𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐣𝐚 𝐞 𝐆𝐞𝐨𝐫𝐠𝐞 𝐖𝐚𝐬𝐡𝐢𝐧𝐠𝐭𝐨𝐧 𝐬𝐢 𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢 𝐢 𝐩𝐚𝐫𝐞̈ 𝐢 𝐒𝐇𝐁𝐀
  • “VOA” DHE SHQIPËRIA
  • Grenlanda, rëndësia kritike e ishullit për mbrojtjen raketore dhe interesat gjeostrategjike të ShBA
  • AMBASADA PRANË DALLGËVE TË OQEANIT
  • “Eksodi i zogjve të Çamërisë”, poema e re e Luan Ramës
  • Shqiptarët dhe dy anët e medaljes së sistemit osman të mileteve

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT