Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi pak më parë se Protesta e sotme e mbajtur në Prishtinë, ishte protesta më e madhe e mbajtur që nga paslufta. Dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha përcaktimet politike, sot i thanë jo qeverisë Mustafa.
Mesazhet e kësaj proteste ishin më të qartat dhe më të vendosurat se kjo qeveri nuk mund ta vazhdojë mandatin e saj.
Ne si parti politike u shprehim falëndërimet më të thella qytetarëve të Kosovës, për angazhimin e tyre dhe për vendosmërinë që të jënë aktiv në vendimet e rëndësishme për vendin.
Aleanca jonë do të vazhdojë të jetë e lidhur ngusht me qytetarin e vendit edhe në këto momente të ndjeshme!
AAK, njëkohësisht shpreh keqardhjen për incidentet që pasuan protestën e sotme.
Prandaj AAK dhe Kryetari Haradinaj, ftojnë të gjithë ata që eventualisht kanë mbetur të përfshirë në incidente të dhunshme, që të tërhiqen sa më parë dhe të mos e rrezikojnë as sigurinë e vetë e as të policisë së Kosovës dhe njëkohësisht ta zbehin zërin e fuqishëm qytetarë kundër kësa qeverie.
Incidentët e dhunshme janë të papranueshme, po aq sa është e papranueshme edhe sjellja e papërgjegjshme e qeverisë ndaj reagimit qytetar, deklaroi AAK derisa konfrontimet mes policisë dhe grupeve të protesueve në Prishtinë po vazhdojnë.
Kosovë-Opozita proteston kundër qeverisë
-“Të protestojmë për anulimin e marrëveshjeve të dëmshme dhe të kërkojmë llogaridhënie nga ata që e shkelën Kushtetutën”, ka bërë thirrje opozita/
-Qeveria e Kosovës u ka bërë thirrje partive politike të opozitës që, “protestën e paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë, ta organizojnë në mënyrë të qetë dhe paqësore”/
FOTO: Sot ne protesten e Opozites, e cila ne fund degradoi ne dhune dhe flake nga bombat molotov qe u hodhen kunder godines qeveritare/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Janar 2016/ Opozita e bashkuar ka organizuar sot ardhje nga gjithë Kosova për t’u mbledhur në Prishtinë në ora 14:00 te Biblioteka Kombëtare “për të nisur kështu protestën për shtet me sovranitet dhe kundër qeverisë antikushtetuese”.
Ndërsa, qeveria e Kosovës nga mbledhja e pasditës së djeshme, e dyta brenda ditës, u ka bërë thirrje partive politike të opozitës që, “protestën e paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë, ta organizojnë në mënyrë të qetë dhe paqësore”.
Herën e kaluar, në 28 nëntor, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës.
Në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tre subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë dhe Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë organizuar protesta, aksione simbolike e manifestime, si dhe kanë bllokur Kuvendin e Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, ndërsa në këto zhvillime kishte edhe të arrestuar, përfshirë deputetë opozitarë.
“Numri total i deputetëve opozitarë të arrestuar në datën 14 dhjetor është nëntë, ndërsa numri total i deputetëve të arrestuar është 13”, theksonte në një njoftim Lëvizja Vetëvendosje në mesnatën e mesit të dhjetorit 2015, ndërkohë që Kuvendi i Kosovës, në orët e vona të natës kishte mbajtur seancë në sallë alternative, derisa deputetët e opozitës kishin qëndruar në sallën plenare, të cilën, sipas diskutimeve të pozitës, e kishin uzurpuar dhunshëm.
Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.
Në 21 dhjetor 2015, qeveria kosovare deklaronte se, “shpreh mirënjohje për punën verifikuese dhe përshëndet deklaratën e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me Raportin për Demarkacionin e Kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”.
“Duke pasur parasysh përkrahjen e jashtëzakonshme e të gjithanshme të SHBA-ve për Kosovën, si dhe rishikimin e detajuar të vijës kufitare nga ana e Departamentit të Shtetit, qeveria e Kosovës konsideron se qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit dëshmon se procesi i shënimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është kryer në përputhje me të gjitha aktet juridike dhe realitetin faktik në terren”, theksonte deklarata.
Para protestës së sotme në Prishtinë, liderët e opozitës kanë deklaruar se, “në 9 janar është dita e protestës gjithëpopullore, kundër marrëveshjeve të dëmshme dhe të rrezikshme që i ka nënshkruar qeveria e Kosovës dhe kundër shkelësve të Kushtetutës” dhe se, “qytetarët do të bëhen bashkë për ta kërkuar sovranitetin e vendit”.
“Të protestojmë për anulimin e marrëveshjeve të dëmshme dhe të kërkojmë llogaridhënie nga ata që e shkelën Kushtetutën”, ka bërë thirrje opozita.
Në një deklaratë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, “lidhur me protestën e paparalajmëruar në bazë të ligjit mbi tubimet publike, të organizuar nga tre partitë opozitare, me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar planin operativ”.
Policia e Kosovës “apelon tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët do të kujdesen për rend dhe siguri publike”.
AAK: POLICIA PO I PENGON PROTESTUESIT
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës njofton: Policia e Kosovës, ka filluar t’i ndalojë qytetarët që janë nisur për protestë pa asnjë arsye. Ata kanë ndaluar kolonën me makina e autobusë në udhëkryqin e Klinës, gjoja për të legjitimuar qytetarët.
I bëjmë thirrje policisë së Kosovës që të mos ndërhyjë me arsyetime banale, dhe të lejojë qytetarët që të qarkullojnë të lirë dhe të mbërrijnë në protestë, sepse kjo është e drejtë e garantuar me ligj, dhe policia nuk mund ta shkelë atë.
Është moment i ndjeshëm dhe policia duhet t’i kontribuojë mbarëvajtjes së protestës, shprehet AAK.
VELLEZERIT DUKA, TE AKUZUAR PER TERRORIZEM, KERKOJNE GJYKIM TE RI
Rasti i vëllezërve Duka “Fort Dix Pesë” për të kërkuar gjykim të ri, në një dëgjim të rrallë në SHBA/
Mbështetësit Duka jashtë gjykatës federale në Camden – kërkuan lirimin e tre vëllezërve shqiptarë Dritan, Shain dhe Eljvir Duka , nga Dibra e Madhe, të cilët u dënuan në vitin 2008, për pjesën e tyre në një komplot të dyshuar për të kryer ( por në fakt, që nuk u krye asnjëher ) mbi një bazë ushtarake New Jersey.
Nga Beqir SINA – New York/
CAMDEN, N.J:- Tre vëllezër shqiptarë të besimit muasliman nga Dibra e Madhe në SHBA, të përfshirë në çështjen e famshme “Fort Dix 5“ do të merrnin këtē fillim viti (6 janar 2016), një seancë të rrallë në gjykatën federale të mërkurën, shkruan shtypi amerikan.
Vëllezërit Dritan, Shain dhe Eljvir Duka, u dënuan në vitin 2008, për pjesën e tyre në një komplot të dyshuar për të kryer ( pro në fakt që nuk u krye asnjëher ) mbi një bazë ushtarake New Jersey.
Si gazetar i specializuar për këto çështje , gazetari amerikan Cherri Gregg, tregon se ata janë duke shpresuar për të marrë një gjykim të ri.
Ai thotë, se; “Dritan, Shain dhe Eljvir Duka janë tre vëllezër shqiptar të dënuar me jetë për një komplot të dyshuar për të vrarë personelin ushtarak amerikane në Fort Dix.
Tre muslimanët shqiptarë, shtonë ai u bënë objekt i një hetimi 16-mujor pasi një “informator” i cili infiltroi brenda grupit të tyre, dorzoi një video një agjenti të FBI … ku pretendohej për të futur në kurthin e tyre, tre vëllezërit Duka.
Mbas një gjykimi federal “Atyre u dhanë burgim të përjetshëm për një komplot që në thelb ata thanë se nuk e dinë gjë në lidhje me, atë komplotë” tha Lynne Jackson, i cili drejton Project Salam KYW Newsradio.
Grupi i të pestëve mes tyre tre vëllezërit Duka, jan mbajtur për një javë jashtë gjykatës federale në Camden që nga nëntori, thanë të njëjtat burime .
Ata u paraqiten para gjykatës federale në Camden të mërkurën në mëngjes( 6 janar 2016) para se vëllezërit Duka, të paraqesin rastin e tyre para një gjyqtari, duke pretenduar se avokatët e tyre janë detyruar që ata të heqin dorë të dëshmojnë në mbrojtje të tyre, thotë gazetari amerikan Cherri Gregg, i cili ka ndjekur nga afër çështjen e vëllezërve Duka.
“Ne besojmë se ata janë të pafajshëm dhe ne me të vërtetë shpresojmë se ata mund të vijnë në shtëpi,” tha Lynne Jackson, i cili drejton Project Salam KYW në Newsradio.
Jackson, gjithashtu thotë se përkrahësit e vëllezërve Duka nga i gjithë vendi do të marrën pjesë në seancat dëgjimore, në vijim për të kërkuar lirimin e tyre.
Kurse, për dënimin për terrorizëm në SHBA, të tre vëllezërve shqiptarë Duka, Dritan, Shain dhe Eljvir Duka nga Dibra e Madhe në SHBA, shkruan shtypi amerikan se ata kan deklaruar se: “Avokati, i tyre nuk i lejoi të dëshmonin”
Këtë dekleratë, e ka bërë simbas shtypit amerikan duket se e ka bëre një nga tre vëllezërit shqiptarë të dënuar me burgim të përjetshëm për komplot vrasjeje të ushtarëve amerikanë në ish-bazën e Fort Diksit, i cili thuhet të ketë thënë para gjykatës, të mërkurën ( 6 janar 2016) se nuk u lejua të dëshmonte në gjyqin për terrorizëm në vitin 2008.
Dritan “Toni” Duka, shkruan shtypi amerikan deklaroi të mërkurën para gjykatës federale në Camden se avokati i tij mendoi se ai do të trajtohej si ekstremist mysliman, ndaj nuk e përgatiti për të dëshmuar.
“Nuk duhet të ketë rëndësi ajo çka besoj unë. Rëndësi duhet të ketë nëse unë jam apo jo i përfshirë në atë për çka më akuzon qeveria”, ka deklaruar Duka.
Ai po dëshmon në një seancë pas dënimit teksa edhe dy vëllezërit e tij deklarojnë se iu mohua e drejta për të dëshmuar. Avokati i tyre në procesin e 2008-s, Majkëll Huf, i mohoi këto pretendime.
Vëllezërit Dritan, Eljvir dhe Shain Duka e kanë humbur apelin.
Ndërkohë, dhjetëra mbështetës të mërkurën më 6 janar 2016 – ishin mbledhur jashtë gjykatës së Kamdenit, në shtetin e Nju Xhersit duke kërkuar lirimin e tyre.
Kosovë-opozita: Nesër në ora 14:00, protestë në Prishtinë
-Herën e kaluar, në 28 nëntor, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës/
PRISHTINË, 8 Janar 2016/ “Nesër në ora 14:00, do të mblidhemi tek Biblioteka Kombëtare, për të nisur kështu protestën për shtet me sovranitet dhe kundër Qeverisë antikushtetuese”, deklaruan sot Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Para protestës së nesërme në Prishtinë, opozita e bashkuar kosovare mbajti sot konferencë shtypi në Sheshin Skenderbeu, afër ndërtesës së qeverisë së Kosovës.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të bashkohen në protestën e nesërme. “I ftoj të gjithë qytetarët që në ora 14:00 të vijnë tek Biblioteka Kombëtare, e të marshojmë bashkë deri në Sheshin Skenderbeu. Të protestojmë për anulimin e marrëveshjeve të dëmshme dhe të kërkojmë llogaridhënie nga ata që e shkelën Kushtetutën”, tha Haradinaj.
Visar Ymeri, Kryetar i Vetëvendosje-s, tha se nesër është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për Republikën e Kosovës. “9 janari është dita e protestës gjithëpopullore, dita e protestës së qytetarëve kundër marrëveshjeve të dëmshme dhe të rrezikshme që i ka nënshkruar qeveria e Kosovës, dhe kundër këtyre shkelësve të Kushtetutës. Nesër, qytetarët do të bëhen bashkë për ta kërkuar sovranitetin e vendit. Republika e Kosovës nuk mund të udhëhiqet nga njerëz që me vendimet e veta tentuan ta përmbysin rendin kushtetues të vendit”, theksoi Ymeri.
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se nesër në shesh do të protestojmë masivisht, për të mos lejuar që shkelësit e Kushtetutës të vazhdojnë të qeverisin me vendin. “Është momenti kur zëri qytetar duhet të jetë i bashkuar dhe i fuqishëm, ashtu që të mos lejojë një precedent të keq në Kosovë që shkelësit e Kushtetutës të vazhdojnë të qeverisin. Nëse ata refuzojnë të japin llogari, atëherë edhe ne si qytetarë duhet të refuzojmë të na qeverisin shkelësit e Kushtetutës”, u shpreh Limaj.
Herën e kaluar, në 28 nëntor, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës. Manifestimi ishte ftuar nga opozita në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe kundër marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi./b.j/
Kosovë-Policia, plan operativ para protestës së opozitës
-Policia e Kosovës paralajmëron se do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike/
PRISHTINË, 8 Janar 2016/ Policia e Kosovës deklaroi sot se, “lidhur me protestën e paparalajmëruar në bazë të ligjit mbi tubimet publike, të organizuar nga tre partitë opozitare, e cila pritet të mbahet nesër, me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar planin operativ”.
“Qëllimi strategjik i këtij plani operativ është: Siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit; Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës; Ndërmarrja e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë jostabilitet; Parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonte qetësinë publike etj.”, thekson deklarata e dërguar.
Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës paralajmëron se do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike.
“Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët do të kujdesen për rend dhe siguri publike”, theksohet më tej.
Policia e Kosovës siguron opinionin e gjerë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit, garantimin e rendit dhe qetësisë publike, lëvizjen e lirë dhe mbarëvajtjen e qetë dhe pa incidente të protesteës së nesërme të opozitës./b.j/
*Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Prishtina sot, nje dite para protestes se opozites ne 9 janar 2016
- « Previous Page
- 1
- …
- 368
- 369
- 370
- 371
- 372
- …
- 479
- Next Page »