KOSOVA ME BASHKIMIN EVROPIAN NËSHKRUAN MSA-në/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Tetor 2015/ Një datë tjetër historike për Kosovën do jetë nesër, 27 tetor 2015, kur në Strasburg nënshkruan me Bashkimin Evropian Marrëveshjen për Stabilizim-Asociimin.
Marrëveshjen, nga Bashkimi Evropian do ta nënshkruajnë Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ndërsa nga Kosova, në emër të qeverisë Kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.
Qeveria kosovare vlerëson se MSA është një prej marrëveshjeve tepër të rëndësishme që po arrihet në këtë periudhë dhe një sukses i madh i Republikës së Kosovës.
“Me MSA, ne po arrijmë që të krijojmë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian për herë të parë. Me marrëveshje po përkufizohet edhe territori i Republikës së Kosovës në të cilin zbatohen rregullat e Bashkimit Evropian. Dhe, ne zhvillojmë negociata me Bashkimin Evropian në procesin e anëtarësimit tonë në BE, që në një formë e përkufizon edhe njohjen, edhe rolin që Bashkimi Evropian do ta ketë ndaj Kosovës në veçanti”, është shprehur kryeministri Mustafa.
Ministri i Intergimit, Çollaku ka theksuar edhe përfitimet ekonomike nga MSA, që nënkuptojnë liberalizimin e tregut me Bashkimin Evropian në tërësi, përpos disa produkteve specifike të përfshira në marrëveshje, rritjen e investimeve direkte në Kosovë.
Ai, Marrëveshjen Stabilizim Asocim e ka vlerësuar “të rëndësisë historike dhe jetike për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian”.
Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kanë nisur para dy vitesh, në 28 tetor të vitit 2013.
Më 22 tetor 2015 Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Miratimi i MSA-së në Këshillin e BE-së shënon përfundimin e procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe hap rrugë për nënshkrimin e MSA-së në 27 tetor në Strazburg”, theksonte me këtë rat Ministria e Integrimit Evropian të Kosovës.
Në 24 tetor, nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u miratua nga qeveria kosovare.
Marrëveshja ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë sikur marrëveshjet e të gjitha vendeve të rajonit dhe përfshinë të gjitha elementet e një bashkëpunimi të plotë politik, ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. MSA, marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle.
Kosova, me pavarësinë e shpallur para 7 viteve, në 17 shkurtin historik 2008, është njohur deri tash nga mëse 110 shtete anëtare të OKB-së. Kosovën, nga shtetet fqinje, vetëm Serbia nuk e ka njohur ende, ndërkohë që nën kryesimin e BE-së e mbështetur nga SHBA, Prishtina e Beogardi kanë zhvilluar në Bruksel 29 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror dhe kanë arritur disa marrëveshje të rëndësishme në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Mustafa: MSA-ja hap rrugën e Kosovës për anëtarësim në BE
-Procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim është fillimi i një rruge të gjatë, që do të bëhet për t’iu ofruar Bashkimit Evropian/
PRISHTINË, 26 Tetor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë, në të cilin është prezantuar Raporti Vjetor i donatorëve për vitin 2014 si dhe prioritetet e ardhshme të qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve tha se Republika e Kosovës, ka bërë progres të jashtëzakonshëm viteve të fundit në çdo sferë të shoqërisë dhe se ky progres u realizua falë bashkëpunimit dhe ndihmës së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë.
“Kam kënaqësi të veçantë që sot të marrë pjesë në hapjen e takimit të Forumit të Nivelit të Lartë për koordinimin e donacioneve. Veçmas jam i lumtur që këtë po e bëjmë një ditë para se të shkoj në Strasburg, së bashku me ministrin e Integrimeve Evropiane, për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që është një Marrëveshje tepër e rëndësishme për ne, sepse hap dyert tona që ne të kemi marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, dhe të kemi një cilësi krejt tjetër të bashkëpunimit ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ai shprehu përkushtimin e qeverisë së Kosovës për të vazhduar me reformat e gjithmbarshme për të mirën e qytetarëve dhe për një perspektivë të qartë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Mustafa, po ashtu tha se procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim është fillimi i një rruge të gjatë, që do të bëhet për t’iu ofruar Bashkimit Evropian. “Një rrugë për të cilën ne nuk kemi alternativë tjetër, sepse kjo alternativë është përkrahur dhe përqafuar nga qytetarët tanë dhe nga gjithë miqtë tanë ”, theksoi kryeministri Mustafa./b.j/
Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në Forumin e Nivelit të Lartë
Kam kënaqësi të veçantë që sot të marrë pjesë në hapjen e takimit të Forumit të Nivelit të Lartë për koordinimin e donacioneve.
Veçmas jam i lumtur që këtë po e bëjmë një ditë para se të shkoj në Strasburg, së bashku me ministrin e Integrimeve Evropiane, për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që është një marrëveshje tepër e rëndësishme për ne, sepse hap dyert tona që ne të kemi marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, dhe të kemi një cilësi krejt tjetër të bashkëpunimit ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian.
Ne kemi bërë një progres të jashtëzakonshëm viteve të fundit dhe ky progres është arritur falë partneritetit dhe bashkëpunimit që kemi pasur me ju së bashku.
Dëshiroj të nënvizoj përkushtimin tonë për të vazhduar me reformat e gjithmbarshme për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe për një perspektivë të qartë të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Jemi të vetëdijshëm që procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, është një fillim i një rruge të gjatë, që do ta bëjmë për t’iu ofruar Bashkimit Evropian, në një rrugë për të cilën ne nuk kemi alternativë tjetër, sepse kjo alternativë është përkrahur dhe përqafuar nga qytetarët tanë dhe nga gjithë miqtë tanë.
Qeveria e Republikës së Kosovë ka miratuar Programin e saj qeverisës dhe ne kemi vendosur zhvillimin ekonomik në epiqendër të punës tonë. Çdo resurs në dispozicion, e kemi vendosur në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, përmes zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë dhe integrimeve euroatlantike.
Reformat e para të cilat ne i kemi bërë, kanë dhënë rezultatet e para. Kemi përmbyll një fazë të rëndësishme të reformave fiskale, të cilat kanë hyrë në fuqi nga shtatori i këtij viti; kemi arritur marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar e cila krijon kushte që të kemi investime kapitale më të mëdha dhe llogarisim se investimet kapitale do t’i shtojmë për 400 milionë euro në vitet e ardhshme; kemi aprovuar dhe kemi filluar implementimin e Ligjit për Faljen e Borxheve Publike, deri më 31 dhjetor të vitit 2008, dhe këtë ligj tani po e zbatojmë; po e bëjmë ndryshimin e ligjit për Prokurimin Publik dhe Ligjit mbi Financat Publike, dhe jemi të gatshëm që nga data 1 janar i vitit të ardhshëm të fillojmë me prokurimin elektronik; kemi zbatuar pagesën e përvojës në punë, dhe përmes kësaj kemi arrit që të ardhurat reale personale t’i rrisim mesatarisht 6 për qind, mirëpo ka diferencë në këto të ardhura, varësisht nga përvoja e punës, kështu që edhe me këtë kemi bërë përmirësimin e standardit të individëve që punojnë në shërbimin civil, në arsim, në shëndetësi dhe në fusha të tjera; kemi siguruar mjetet për rritjen e ndihmave sociale për rreth 25 për qind, dhe kemi përfshirë një numër të madh të familjeve që janë në gjendje të pavolitshme sociale, dhe po ashtu kemi siguruar mjetet për vitin e ardhshëm që të bëjmë rritjen e pensioneve për kontributdhënësit, dhe kjo rritje e përgjithshme është rreth 30 për qind në krahasim me mjetet që kemi pasur deri më tani, mirëpo natyrisht do të shfrytëzohet për të gjitha shtyllat e kontributdhënësve, për individët, për familjet, dhe për pensionet invalidore.
Prandaj, mbetet që më vonë komisionet tona, së bashku me pensionistët, të përcaktojnë rangimin e njerëzve për shfrytëzimin e këtyre mjeteve në bazë të këtyre shtyllave.
Më e rëndësishmja është se të dhënat tregojnë se ekonomia ka filluar të marrë rrugën e duhur. Kemi një rritje ekonomike e cila është solide dhe të cilën dëshirojmë që ta rrisim edhe më tutje në vitet në vijim. Dhe unë mendoj se përmes politikave fiskale dhe masave tjera ne do t’i arrijmë synimet tona sa i përket rritjes ekonomike e cila mundëson që të përballojë fluksin e të papunëve që çdo vit hynë në tregun tonë të punës.
Jemi në fazën përfundimtare për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, e cila do të shërbej si udhërrëfyese për zhvillimin ekonomik në të ardhmen, përmes së cilës ne do t’i përcaktojmë prioritetet e prioriteteve në zhvillimin ekonomik.
Dëshiroj t’ju falënderojë gjithë juve që kemi ofruar një përkrahje të madhe në përcaktimin dhe definimin e kësaj strategjie të cilën e kemi në vijim.
Ne jemi të interesuar që t’i ndërmarrim të gjitha masat e reformave të nevojshme për të tërhequr më shumë investitorë të jashtëm. Po punojmë në Ligjin për Investime Strategjike, mirëpo edhe këtë Ligj do ta bashkërendisim me ju në mënyrë që ai t’i plotësojë të gjitha standardet që parashihet nga BE dhe nga vendet tjera, me të cilat dëshirojmë të kemi marrëdhënie ekonomike dhe të kemi tërheqje të investimeve.
Jemi të interesuar që të hapim vende të reja të punës, të kemi shërbime më cilësore publike, të kemi kujdes më të mirë shëndetësor, të kemi arsim cilësor, e po ashtu të kemi mundësi që të rinjve tanë t’u sigurojmë perspektivë në Kosovë.
Falënderoj ministritë tonë që drejtpërdrejtë kanë punuar në këtë fushë, Ministrinë e Integrimeve Evropiane për punën e madhe dhe Ministrinë e Financave, dhe shpreh gatishmërinë tonë që si Qeveri të përkrahim gjithë këto nisma dhe këtë punë që po bëhet. Kemi angazhuar çdo resurs për këtë qëllim. Tani po hartojmë Buxhetin për vitin 2016. Fondet e BE-së janë duke mbështetur sektorët kyç të zhvillimit tonë, siç është energjia, bujqësia, rritja e konkurrencës. Për herë të parë, BE-ja do t’i ofrojë Kosovës mbështetje direkte buxhetore në vlerë prej 25 milionë euro. Në këtë kuadër, Këshilli Kombëtar për Investime po bënë përgatitje të Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore për financimin në Institucionet Financiare Ndërkombëtare.
Po punojmë edhe në realizimin e projekteve tona në kuadër të iniciativës së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila ka të bëjë me sigurinë e infrastrukturës e cila na bie në nivel të njëjtë me vendet e BE-së në të ardhmen. Të gjitha reformat që ne po i bëjmë, nuk janë të lehta. Por, as progresi që e kemi arritur gjatë kësaj periudhe nuk ka qenë i lehtë. E kemi bërë bashkë me ju dhe jemi të bindur se do t’ia dalim t’i realizojmë edhe gjitha synimet tona.
Jemi të interesuar për paqe në rajon, jemi të interesuar për partneritet të qëndrueshëm në skenën ndërkombëtare dhe për partneritet të plotë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, sepse ne vlerësojmë kontributin që këto vende kanë dhënë në zhvillimin demokratik të Kosovës, deri më tash.
Jemi të vendosur të vëmë themelet e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, të krijimit të një infrastrukture të domosdoshme moderne, të mbështesim sa më shumë dhe me të gjitha masat zhvillimin e sektorit privat, të mbështesim sistemin e pavarur gjyqësor, në mënyrë që ky sistem të sigurojë kushte stabile për funksionimin e ekonomisë dhe kushte të barabarta për të gjitha bizneset dhe qytetarët.
Në fund, shpreh mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përkrahjen e juaj të vazhdueshme dhe dëshiroj që sukseset e ardhme të jenë suksese tona të përbashkëta.
Shqipëri, një ligj për më shumë siguri publike
Ligji për sigurinë publike në Shqipëri: kamera për çdo pallat, shkolla dhe mjetet e transportit publik/
Shqipëria do të ketë së shpejti një ligj të sigurisë publike, i cili do të garantojë më shumë siguri për jetën, pronën dhe qytetarët. Një ligj i hartuar nga Ministria e Brendshme dhe që i është shpërndarë organeve të tjera për të dhënë mendime, së shpejti pritet t’i kalojë komisioneve parlamentare për shqyrtim. Nxjerrja e këtij ligji do të detyrojë të gjithë bizneset, të cilat kanë të ardhura më shumë se 10 milionë lekë në vit, autobusët, taksitë, lokalet që kanë hapësirë për më shumë se 50 klientë, kopshte fëmijësh, park lodrash e shumë mjedise të tjera, të jenë të gjitha të pajisura me kamera sigurie. Bizneset, të cilat janë grabitur njëherë më parë dhe që sipas analizave policore mund të jenë objekt sulmi i grabitësve, do të detyrohen edhe ato të kenë masa shtesë të sigurisë. Subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e lojërave të fatit, subjektet që administrojnë mjedise të hapura apo të mbyllura për fëmijë, shkolla apo kopshte private, si edhe çdo veprimtari e transportit publik që konsiderohet nga policia si burim rreziku i shtuar, do të jetë i detyruar me ligj që t’i përgjigjet dispozitave në fuqi, sapo ky ligj të hyjë në fuqi. Jashtë këtij ligji nuk do jenë as banesat dhe sidomos ato që kanë depozita uji apo banorë të pallatit persona me precedentë kriminalë.
Në nenin 8 të këtij ligji thuhet se, “Administratorët e ndërtesave të banimit, marrin masa shtesë sigurie, duke bashkëpunuar me Policinë e Shtetit, nisur nga vlerësimi i rrezikut që konstatohet në urbanistikën e pallatit, parkimet, depozitat e ujit, personat me precedentë kriminalë banorë apo qiramarrës”. Të gjitha filmimet e ruajtura nga kamerat e sigurisë me ligj janë të detyruara t’i jepen policisë sa herë që ajo do t’i kërkojë, por në përputhje edhe me ligjin për të dhënat personale. Policia do t’i japë të gjithëve gjashtë muaj kohë për të marrë masat e sigurisë pas daljes së këtij ligji, dhe në mos respektim të tij do të vendosë gjobat përkatëse të parashikuara edhe ato në një nen të veçantë. Vërtetimet e sigurisë do të jepen nga policitë vendorë, të cilat duke bërë analizën e riskut për një objekt u lind e drejta të kërkojnë edhe masat shtesë, si ato të policisë private, por edhe lidhje direkt të sinjalit të kamerave për ruajtjen e objektit me sallat e komandimit të policisë.
Kosova po lëviz përpara
PRISHTINË, 25 Tetor 2015/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan: Sot isha i nderuar me pjesëmarrjen inauguruese të segmentit të parë të Autostradës “Arbën Xhaferi”.
Infrastruktura rrugore është shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik përmes së cilës rritet cilësia e sistemit të transportit, mundësohet qarkullimi i njerëzve, mallrave dhe kapitalit. Rrjedhimisht, investimet në infrastrukturën rrugore siç janë Rruga e kombit që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe autostrada “Arbën Xhaferi”, ndikojnë në zhvillimin ekonomik, standardin e jetës dhe konkurrencën ekonomike.
Sot u lëshua në qarkullim një segment autostrade, ndërsa pas pak ditësh, hapim zyrtarisht rrugëtimin historik të perspektivës evropiane për Kosovën duke nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe mëpastaj, liberalizimin e vizave. Këto janë argumente se Kosova po lëviz përpara, duke dëshmuar se është faktor stabiliteti në rajon, partner kredibil i bashkësisë ndërkombëtare dhe partner i besueshëm në marrjen e detyrimeve ndërkombëtare.
MSA-ja e rikonfirmon fuqishëm përcaktimin e qytetarëve të Kosovës dhe qasjen tonë integruese për komunitetet, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike e politike, kështu bashkërisht ta kemi vendin tonë të merituar brenda familjes evropiane.
Të gjithë atyre që do ta shfrytëzojnë këtë autostradë, ju dëshiroj rrugëtim të mbarë, të sigurt dhe me fat. Po ashtu, përgëzoj autoritetet qeveritare për investimin e tyre dhe punëkryesit e këtij segmenti të Autostradës.
Kjo Autostradë, mban me plot meritë emrin e Arbën Xhaferit, mendimtarit dhe politikanit që besonte në fuqinë e komunikimit të lirë, në rrugët që lidhin popujt dhe që thyejnë paragjykimet, që sjellin zhvillim për shtetet dhe popujt e këtij rajoni./b.j/
AUTONOMIA E SANXHAKUT
Për herë të parë që nga luftërat jugosllave BMW aktualizohet çështja e autonomisë së Sanxhakut/
Këshilli Kombëtar Boshnjak në gusht të këtij viti, ka miratuar vendimin i cili ditët 25, 26 dhe 27 tetor shpallë ditët e vetëvendosjes, për të nderuar referendumin për autonominë e Sanxhakut, i cili është mbajtur nga 25 deri më 27 tetor 1991.
Referendumi për autonominë e Sanxhakut ishte veprim i rëndësishëm, i cili, në vitet e para të operimit, është implementuar nga Këshilli Kombëtar Musliman i Sanxhakut
Këshilli Kombëtar Boshnjak ka caktuar për të dielën, 25 tetor Mbledhjen me rastin e shënimit të ditës kur janë shpallur ditë me rëndësi të veçantë për boshnjakët – 25, 26 dhe 27 tetor – Ditët e vetëvendosjes. Këshilli Kombëtar Boshnjak në muajin gusht të këtij viti, ka miratuar një vendim që ditët 25 deri në 27 shpallen për ditët e vetëvendosjes për nderë të Referendum për autonominë e Sanxhakut, i cili u organizua, u mbajt nga 25 deri më 27 tetor 1991thuhet në deklaratën e KKB, transmetojnë mediat në Sanxhak.
Referendumi për autonominë e Sanxhakut ishte një nga veprimet më të rëndësishme të cilin , në vitet e para të punës, është implementuar nga Këshilli Kombëtar Boshnjak i Sanxhakut. Nga gjithsejtë 264,156 votuesve, në referendum morën pjesë 187,473, ose 70.19 për qind e elektoratit, nga të cilat 183,302 votues (ose 98.90 për qind të votave) votuan në favor të autonomisë politike dhe territoriale të Sanxhakut me lidhje të drejtë me një nga republikat e ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) , transmetojnë mediat.
Kuvendi i Këshillit Kombëtar Musliman i Sanxhakut, më 11 janar 1992, miratoi krijimin e një statusi të veçantë të Sanxhakut, si një zgjidhje optimale për popullin boshnjak në këtë trevë. Në bazë të marrëveshjeve të tilla, në përputhje me rekomandimet e Konferencës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Këshilli Kombëtarë Boshnjak i Sanxhakut (BNVS), pak më vonë, më 6 qershor, 1993, miratoi në Novi Pazar, Memorandumin për themelimin e statusit special për Sanxhak.
Siç është paralajmëruar nga KKB, pjesa punuese e seancës do të mbahet në Zyrën Qendrore të Këshillit, duke filluar në orën 10, ndërsa pjesë ceremoniale e seancës do të mbahet në hotelin “Vërbak” duke filluar nga ora 11:15, shkruajnë mediat në Sanxhak.
- « Previous Page
- 1
- …
- 386
- 387
- 388
- 389
- 390
- …
- 482
- Next Page »