• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kerry: Përkushtim i fuqishëm i SHBA-ve për Republikën e pavarur të Kosovës

December 2, 2015 by dgreca

-Mos u gaboni, theksoi Sekretari amerikan Kerry, ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje, e cila do ta kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës/

Nga Behlul Jashari/  PRISHTINË, 2 Dhjetor 2015/ Në emër të Presidentit Obama, ju sjell përshëndetjet e tij dhe përkushtimin e fuqishëm dhe të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e pavarur të Kosovës, tha sot në Prishtinë Serkretari amerikan i Shtetit John Kerry në konferencën për shtyp ku foli edhe kryeministri kosovar Isa Mustafa, pas takimit.

“Po i shoh gjithë këto shenja, flamuj. E pash edhe posterin, i cili dukej aq fuqishëm, aq impresiv. Dhe, po ashtu, Gardën e Nderit kur erdha, dhe me të vërtetë është shenjë e miqësisë dhe respektit, dashurisë për vendin tonë. Prandaj, jam shumë mirënjohës për gjithë këto gjeste. Dëshiroj t’iu falënderoj edhe në emër të të gjithë atyre në Shtetet e Bashkuara të cilët e kanë për zemër Kosovën, dhe për të gjithë atë udhëtim të përbashkët që e kanë bërë, një udhëtim të rëndësishëm në të cilin kemi respekt dhe dashuri të ndërsjellë”, theksoi Sekretari amerikan Kerry.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu në Prishtinë, dhe ju kërkoj ndjesë paraprakisht të gjithëve për këtë vizitë të shkurtër, pasi që Kosova meriton një vizitë më të gjatë nga Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, dhe do ta ketë një të tillë. Ju premtoj se do të kthehem kur të kem pak më shumë kohë.Por, mendova se është e rëndësishme, meqenëse jam duke shkuar në Beograd, dhe do të takohem me kryeministrin e Serbisë, i cili është pjesë e dialogut, dhe dëshirova që të flas me të dy palët e dialogut.

Mendova se është me të vërtetë e rëndësishme që të vija këtu, të sigurohem që Kosova e kupton se ne kemi respekt dhe jemi të përkushtuar për këtë proces. Për këtë arsye, në emër të Presidentit Obama, ju sjell përshëndetjet e tij dhe përkushtimin e fuqishëm dhe të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e pavarur të Kosovës”, tha Sekretari Kerry.

Siç e tha edhe kryeministri, vijoi ai, sapo e përfunduam një takim shumë produktiv, gjatë kësaj kohe që e patëm, së bashku me zëvendëskryeministrin Thaçi dhe me zëvendëskryeministrin Stojanoviç, folëm për një varg çështjesh, çështje ekonomike, të sigurisë, të tranzicionit, të demokracisë, të sfidave në Kuvend, si dhe folëm edhe për mundësitë.

“E dimë se ka një popullatë të re këtu, nën moshën 30 vjeç. Ndoshta 60 për qind e popullatës është nën moshën 30 vjeç, dhe njerëzve ju duhen vende pune dhe kanë nevojë për vende pune. Dhe unë jam këtu që të them që edhe kryeministri dhe zëvendëskryeministrat janë në rrugë të duhur për t’i dhënë ato mundësi.

Nevojitet pakëz durim, punë, dhe natyrisht këto duhet të ndodhin. Por fakti qëndron se ka mundësi të shumta për kosovarët, për njerëzit e këtij rajoni, dhe ka shumë mënyra që kombet tona t’i përmbushim ato mundësi, nëse punojmë bashkërisht”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Siç e përmendëm pasdite sot, vijoi ai, Kosova me të vërtetë ka arritur përparim të fuqishëm në rrugën e integrimeve të plota euroatlantike.

“Dhe nënshkrimi i kohëve të fundit i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, paraqet një hap të rëndësishëm në këtë drejtim. Këto të arritura janë rezultate të drejtpërdrejta të gatishmërisë së Kosovës për të bërë progres në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me Serbinë.

Dhe jemi të vetëdijshëm që Marrëveshjet që Kosova ka nënshkruar, nuk janë të lehta, kanë qenë vendime të vështira politike. E kuptojmë këtë. Por aftësia për të marrë vendime të zorshme, që janë të nevojshme për të mirën e vendit, quhet lidership”, u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit.

Dhe, vijoi Kerry, unë jam këtu sot, për t’iu përcjell respektin e Presidentit Obama dhe të popullit amerikan për lidershipin që po i bënë të gjitha këto zgjidhje.

“Shtetet e Bashkuara janë shumë të kënaqura që udhëheqësit e Kosovës e kanë treguar gatishmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre, për t’i bërë gjërat, të ndryshojnë gjërat, gjatë dialogut me Serbinë. Ne i mbështesim këto përpjekje”, tha ai.

Mos u gaboni, theksoi Sekretari amerikan Kerry, ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje, e cila do ta kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës.

“Kemi investuar tepër shumë, ne vetë, së bashku, në të ardhmen e Kosovës, për ta vënë në rrezik.

Për këtë arsye jam shumë i lumtur që kemi një numër të të rinjve këtu, që janë një shembull i shkëlqyer i investimit tonë të përbashkët për të ardhmen tuaj.

14 nga më shumë se 1000 gra dhe burra që kanë marrë pjesë në programe të ndryshme të shkëmbimit, mes Kosovës dhe SHBA-së, janë këtu sot. Dhe do ta kem rastin që t’i përshëndes, pasi të përfundoj këtë fjalim”, tha ai.

Por, vijoi Kerry, në mesin e këtyre të diplomuarve, siç janë për shembull Sali Shoshi, i cili ka marrë pjesë në njërën prej programeve për udhëheqësi, tash është i përkushtuar për ruajtjen e trashëgimisë së pasur multietnike kulturore të Kosovës. Kjo është puna e tij. Këtë e ka zgjedhur ai vetë. Dhe Saliu është duke udhëhequr përpjekjet për restaurimin e Kalasë së Prizrenit, projekt i cili është i financuar nga Ambasada Amerikane dhe Qeveria e Kosovës.

Një anëtare tjetër është Nora Latifi, e cila pasi ka marrë pjesë në programin tonë të Fulbright-it, tash punon tek Instituti GAP, njëra prej organizatave më me ndikim që promovon zhvillimin ekonomik të këtij vendi.

Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të jenë më të lumtura, se sa kur shohin aq shumë gra dhe burra, sikurse Saliu dhe Nora, që përvojën e tyre në vendin tonë, e përdorin për ndërtimin e një Kosove më të fuqishme dhe më me prosperitet”, tha Kerry.

Dhe, vijoi Sekretari amerikan i Shtetit, për ta siguruar Kosovën me prosperitet dhe më të sigurt, nevojitet punë e madhe, punë e mundimshme.

“Kosovarët kanë arritur shumë në vitet e fundit, por nevojitet edhe më shumë përkushtim nga ana e të gjithë qytetarëve për sundimin e ligjit, për lirinë e shprehjes, dhe të drejtën për protesta paqësore, të cilat janë të drejta fondamentale për çdo demokraci. Por dhuna është e papranueshme. Kuvendi i Kosovës duhet të jetë vendi ku ka debat domethënës për politikat publike, ku njerëzit mund të dëgjojnë njëri-tjetrin në paqe, pa marrë parasysh sa e kundërshton idenë, ose ke një ide tjetër vetë”, theksoi Kerry

Liria e shprehjes, vijoi ai, do të thotë se njerëzit kanë të drejta ta thonë atë që e mendojnë, edhe nëse nuk ju pëlqen juve. Por kjo pastaj sjell ide tjera, përpjekje të reja për të ndihmuar që të gjendet një mes i përbashkët. Dhe gjetja e këtij mesi të përbashkët është shumë i rëndësishëm.

“Për shembull, senatori McCain dhe unë vijmë nga dy parti të ndryshme. Të dy kemi qenë kandidatë për president nga dy parti të ndryshme, me dy prapavija të ndryshme. Por kemi gjetur rrugën e përbashkët për të punuar bashkë, që ta hedhim prapa luftën e Vietnamit, në mënyrë që të kemi marrëdhënie të plota diplomatike me këtë vend me të cilin kemi qenë në luftë. Prandaj, ne e kuptojmë për çfarë jeni duke u munduar, që ta lini luftën prapa dhe të shkoni drejt së ardhmes”, u shpreh më tej Sekretari Amerikan i Shtetit.

Por, vijoi ai, më lejoni të qartësoj: debati duhet të bëhet në demokraci, në veçanti në Kuvend, që duhet të jetë tempull i demokracisë, vend i respektit.  Nuk është vend ku duhet të hidhet gaz lotsjellës, apo edhe të bëhen kërcënime.

“Të gjitha partitë duhet të dënojnë përdorimin e dhunës në jetën publike, dhe t’i përkushtohen angazhimit në mënyrë paqësore dhe konstruktive, për t’i zgjidhur dallimet e tyre për interesin e vendit.

Prandaj, një e ardhme demokratike për Kosovën kërkon që çdo qytetar të trajtohet në mënyrë të drejtë, pa marrë parasysh qëndrimet e tij apo të saj, sa i përket çështjeve të ndryshme, apo edhe pozitës së tyre në jetë, pa marrë parasysh etninë, gjininë, apo orientimin seksual”, tha Kerry.

Kjo, vijoi ai, po ashtu kërkon që Kosova të përmbush zotimin për themelimin e Gjykatës Speciale, në mënyrë që të zgjidhen të gjitha ato pohimet e viteve të konfliktit, njëherë e përgjithmonë, dhe që kombet vetë të pajtohen.

“Kërkon, po ashtu, që udhëheqësit kosovarë ta kundërshtojnë korrupsionin dhe të insistojnë që të gjitha rastet korruptive të hetohen dhe kushdo që gjendet fajtor duke abuzuar me besimin e publikut, të dal para drejtësisë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Shtetet e Bashkuara, theksoi ai, do t’i qëndrojnë Kosovës përkrah në të gjitha këto përpjekje, dhe që nga koha e pavarësisë së Kosovës, jam krenar që mund të them se kombi im ka investuar pothuajse një miliard dollarë në ndihma të ndryshme për Kosovën, në qeverisje, demokraci, paqe, zhvillimin ekonomik, në sundimin e ligjit, apo ndihma humanitare apo ndihma të tjera.

“Kemi punuar ngushtë me Kosovën për adresimin e çështjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe të terrorizmit, dhe të luftëtarëve që kthehen nga Siria, nga fronti DAESH. Dëshiroj që të them se Kosova ka vënë një shembull të fuqishëm në rajon, duke arrestuar disa njerëz të profilit të lartë, dhe duke miratuar ligje të fuqishme, dhe siç ia përmenda edhe vetë kryeministrit më herët, pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Presidentit Obama në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Kosova po jep një shembull të fuqishëm me arrestime të profilit të lartë dhe me legjislacion edhe më të fuqishëm”, tha Kerry.

Por, vijoi ai, natyrisht, më duhet që ta them se nevojitet që të punohet edhe më shumë, nga të gjithë ne. 

“Sapo u ktheva nga një takim në Bruksel me NATO-n, ku folëm gjerë e gjatë për mënyrat se si duhet të mundohemi edhe më shumë, të punojmë edhe më shumë, për shkatërrimin e ISIS-it. Jemi të përkushtuar për ta realizuar këtë gjë”, theksoi Kerry.

Më vjen mirë, vijoi ai, që e kemi ritheksuar rëndësinë e një dere të hapur për në NATO, me ftesën për pranimin e Malit të Zi, fqinjit tuaj.

“Duhet që të punojmë bashkë për të luftuar premtimet false të ISIS-it, dhe premtimeve false për lavdi që ekstremistët përdorin për të joshur të rinjtë, në një jetë e cila nuk çon askund. Është një rrugë qorre”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Ai theksoi se, me Kosovën e drejtuar kah Evropa, me një infrastrukturë më të mirë dhe me një sistem më të fuqishëm të drejtësisë, atëherë Kosova do të tërheq më shumë investime të huaja. 

“Njerëzit që i kanë paratë dëshirojnë të dinë se ku po i dërgojnë ato para, dhe dëshirojnë që të kenë besim në sistemin e drejtësisë, besim në kontrata, dhe se çfarëdo ndryshime në to, do të zgjidhen në mënyrë të drejtë, dhe nëse investojnë para, atëherë do të kenë rastin më të mirë për të bërë para, duke krijuar vende të punës, duke ndarë prosperitetin e tyre me ata që i fitojnë ato vende pune.

Pra, partneriteti i ri me kompaninë amerikane, e cila quhet ‘Contour Global’, për zëvendësimin e Termocentralit ‘Kosova A’, me një termocentral më të pastër “Kosova C”, është një shembull i rëndësishëm se çfarë mund të bëjmë bashkë”, tha Kerry.

Folëm, vijoi ai, edhe për shembuj të tjerë, si gjëra që mund t’i bëjmë për të inkurajuar rritjen e bizneseve të vogla dhe zhvillimin e tyre.

“Shtetet e Bashkuara gjithmonë janë në favor të zgjidhjeve të reja për energji të ripërtëritshme  dhe të ripërdorueshme. Për këtë, kemi qenë në Paris duke negociuar. Dhe unë do të kthehem sërish në Paris për të vazhduar negociatat në ditët në vijim, sepse kjo është një prej prioriteteve dhe objektivave më të rëndësishme strategjike që i kemi në botë tash.

Duke i përmbushur nevojat e menjëhershme të Kosovës për energji elektrike, ne besojmë se ‘Kosova C’, me bashkëpunimin tonë, do të prodhoj shumë më pak ndotje, dhe 30 për qind më pak emetim të gazit që aktualisht prodhon ‘Kosova A’. Kështu që Kosova do të jap kontributin e saj në luftën globale të të gjitha kombeve që janë të përkushtuara për t’u marrë me çështjen e ndryshimeve klimatike”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Por, përveç kësaj, vijoi Kerry, vijnë edhe punët e reja, të cilat janë të teknologjisë së lartë. Të gjithë ata që kanë shkuar për t’u edukuar jashtë, këta të rinjtë do të tërhiqen që të kthehen dhe të ndihmojnë në rritjen dhe forcimin e Kosovës në një vend stabil, demokratik dhe multietnik.

“Kjo është pikërisht e ardhmja që e meritoni, dhe e di që është e ardhmja për të cilën Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të punojnë me juve, që ta përmbushni. Prandaj, më lejoni që t’iu them në fund, se nga Prishtina do të shkoj në takimin ministror të OSBE-së në Beograd, dhe e mirëpres një ditë kur Kosova do të jetë po ashtu aty, si anëtare e plotë dhe e barabartë”, theksoi Kerry.

Duke iu drejtuar kryeministrit të Kosovës, Mustafa, Sekretari amerikan i Shtetit, Kerry, u shpreh:

“Edhe njëherë ju faleminderit shumë juve dhe zëvendëskryeministrave për mikpritjen tepër bujare dhe të ngrohtë.

Më e rëndësishme se sa ardhja ime këtu, është partneriteti që e kemi për të ecur përpara.

Jemi shumë krenarë për gjithë atë që e kemi arritur, dhe shpresojmë se do të vazhdojmë të punojmë së bashku me ju që të kemi tregime edhe më të mira në të ardhmen, në ditët dhe vitet në vijim. Faleminderit shumë”.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA PAS TAKIMIT ME SEKRETARIN AMERIKAN, JOHN KERRY:

Sot patëm nderin e veçantë ta takojmë sekretarin shtetëror  të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. John Kerry. E njoftova sekretarin Kerry për situatën aktuale politike në vend dhe për prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. E falënderova, po ashtu, sekretarin Kerry, Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan për përkrahjen dhe ndihmën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe po ia japin Kosovës.

Kjo ndihmë ka qenë shumë e madhe në të gjitha fazat. Ka qenë shumë e rëndësishme në shlyerjen e borxhit të jashtëm të Kosovës që e kishte trashëguar Kosova që më parë, në fazën emergjente të ndërtimit të pasluftës, në programet dhe projektet që Agjencioni Amerikan për Zhvillim Ndërkombëtar-USAID i ka zhvilluar në Kosovë, në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe të qeverisjes së mirë, në sektorin e edukimit, mbështetjen Policisë së Kosovës, në prezencën e trupave të KFOR-it, në përkrahjen e institucioneve të sundimit të ligjit, në trajtimin dhe asistencën substanciale të FSK-së, si dhe për kujdesin që populli dhe Qeveria Amerikane treguan për qytetarët tanë, të cilët gjatë luftës u strehuan dhe u përkujdesën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I nderuari sekretar Kerry. Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës e vlerësojnë lartë përkrahjen e SHBA-ve për lirinë dhe pavarësinë tonë. Të gjithë ne jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe për ndërtimin e vlerave demokratike, duke marrë shembull vendin tuaj.

Ne ndjejmë mirënjohje, por edhe përgjegjësi të thellë për gjithë atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë dhe po bëjnë për Kosovën.

Po punojmë me prioritet për zhvillimin ekonomik të vendit, për stabilitet politik, për politika të fqinjësisë së mirë me vendet në regjion, dhe për integrime euroatlantike.

Po vazhdojmë dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe për të integruar popullatën serbe në jetën politike dhe në jetën ekonomike të vendit.

Krahas kësaj, po punojmë edhe për integrimin e të gjitha komuniteteve tjera. Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve, është vend multietnik, dhe këtë ne e konsiderojmë si pasuri dhe si vlerë të vendit tonë.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim ne presim edhe liberalizimin e vizave si hap tjetër nga Bashkimi Evropian.

Edhe përkundër veprimeve të dhunshme të opozitës për të kundërshtuar themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi, Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të vazhdoj dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kurse marrëveshjet mbeten që të argumentohen nga organet e pavarura, siç është Gjykata Kushtetuese dhe komisionet profesionale.

Qeveria, po ashtu, është e gatshme të dialogojë me opozitën për të gjitha çështjet, mirëpo nuk e pranon dhunën si instrument të politikës.

Kosova e mirëpret ftesën e NATO-s për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, dhe konsiderojmë se ky është një hap i paqes dhe i sigurisë në regjion.

Jemi të vendosur të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha institucionet qeveritare, në agjencionet e pavarura, dhe ndërmarrjet publike. Do të mbështesim shtyllën e drejtësisë që të jetë më efikase në këtë luftë dhe do të punojmë të adaptojmë prokurimin publik për të evituar korrupsionin dhe të kalojmë në prokurim elektronik, që nga viti i ardhshëm.

Qeveria e Republikës së Kosovës tani po punon në projektin e ndërtimit të “Kosovës se Re” me kompaninë amerikane “Contour Global”, me të cilën po krijohen kushte që të kemi energji të mjaftueshme. Po krijojmë kushte të mira, po ashtu, për tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe sidomos jemi të interesuar që këto investime t’i tërheqim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe po ashtu të kemi bashkëpunim në nivelin e arsimit të lartë, për çfarë ju falënderoj për përkrahjen e deritanishme, sidomos përmes Fondacionit “Fulbright”.

Kosova ka arritur të jetë kandidate për asistencë në MCC dhe për herë të parë ka arritur që të përmbush këto kritere që janë vënë, e që janë kritere mjaft të forta dhe domethënëse. Andaj shpresojmë se do të gjejmë përkrahjen e fondeve të cilat do të ndihmojnë një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe do të ndihmojnë po ashtu në forcimin e shtetit ligjor.

Ne vlerësojmë lartë rolin e SHBA-ve në luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizimit, dhe do të jemi aleat i juaji në këtë betejë shumë të rëndësishme, jo vetëm për regjionin, por për botën.

Kosova, po ashtu, është e përkushtuar të ndërtojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, marrëdhënie të paqes dhe marrëdhënie të stabilitetit në rajon.

Ne vlerësojmë lartë përkrahjen tuaj në ndërtimin e marrëdhënieve të ngushta me NATO-n, në anëtarësimin në organizata regjionale dhe ndërkombëtare, dhe në rritjen e numrit të vendeve të cilat e pranojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Unë dëshiroj t’ju falënderojë shumë për nderin që na keni bërë me ardhjen tuaj në vendin tonë dhe po ashtu, dëshiroj që të falënderoj edhe qytetarët dhe popullin amerikan për gjithë këtë përkrahje që na kanë dhënë.

Filed Under: Komente Tagged With: Kosove, Perkushtim i fuqishem, Sekretari Kerry, SHBA

Gjermania do të hapë tregun për punëtorët nga Ballkani

December 1, 2015 by dgreca

Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale të Gjermanisë, Anette Kramme, në një bisedë me “Deutsche Welle” përsëriti edhe një herë atë që zyrtarët e lartë gjermanë nuk kanë ngurruar ta bëjnë të qartë në më shumë se një rast: shqiptarët nuk kanë mundësi për azil politik. Por nga viti që vjen, Berlini do t’i hapë rrugë lëvizjes së ligjshme të fuqisë punëtore nga Ballkani drejt Gjermanisë. 2016-a, pohon Kramme, do të shënojë hapjen e tregut gjerman të punës për shtetasit e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Sipas propozimeve të tanishme, parashikohet që nga këto vende, të pranohen rreth 20.000 punëtorë në vit. Ligji i ri do të jetë i vlefshëm deri në 2020, kur do të bëhet rivlerësimi i tij. “Prej këtyre rregullave mund të përfitojë Gjermania, por edhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, thotë zyrtarja e ministrisë gjermane të Punës. E pyetur nga “Deutsche Welle”, se çfarë do të ndryshojë më konkretisht me ligjin e ri, Kramme jep këtë përgjigje: “Deri tani jemi në situatën ku emigrantët mund të vijnë në Gjermani vetëm nëse kanë ndonjë kualifikim të posaçëm. Ose kategorizohen si akademikë dhe mund të vijnë përmes Blu Card-it. Kjo është mundësia e parë. Mundësia tjetër është për personat me një profesion të caktuar, për të cilin rezulton se ka mangësi në Gjermani. Ne tani do ta hapim tërësisht tregun e punës për të ardhurit nga Ballkani, por me kushtin e parë absolut që të ketë një vend pune vakant”. Kushti tjetër është që për këtë të japë pëlqimin edhe Agjencia Federale e Punës, e cila të sigurojë, se për vendin në fjalë nuk ka ndonjë kandidat nga Gjermania apo nga shtetet e tjera të Bashkimit Evropian. Ndërkohë që kushtet e punës duhet të jenë të barabarta. Sa i përket problemit që kanë qytetarët e Kosovës me vizat, si i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon lirinë e lëvizjes pa viza në BE, Kramme thekson se në këtë rast, autoritetet gjermane do të mundësojnë lehtësimin e procedurës së dhënies së vizave, e cila do të jetë më e shpejtë dhe më e thjeshtë.

Filed Under: Komente Tagged With: Gjermania do të hapë tregun për, nga Ballkani, punëtorët

ÇLIRIMI I KOSOVËS

November 27, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Zyra për Informim e Universitetit Shtetëror të Tetovës  (USHT) njoftoi se fund javën e kaluar më 21 nëntor, në njërën prej hapësirava të këtij universiteti u promovua  versioni shqip i librit, “Çlirimi i Kosovës –Diplomacia këmbëngulëse dhe ndërhyrja e SHBA-ve”, e autorit amerikan David L. Phillips, përkthyer në gjuhën shqipe nga Mr.sc. Gjyla Çeliku.  Njoftohet se në promovimin e librit mori pjesë edhe Profesori Phillips, Drejtor i Programit për Paqë dhe të Drejta të Njeriut në universitetin e njohur amerikan Columbia të New York-ut si dhe një numër personalitetesh vendase të botës politike dhe akademike, përfshirë  profesorë dhe studentë të universitetit.Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti paraqiti autorin David Phillips , “si një mik, koleg dhe intelektual me përmasa globale”, librin e të cilit përkthyer në gjuhën shqipe e përurojmë tha ai, me krenari, “Në ambientet tona, tashmë të shëndërruara në arenë të avancimit të vlerave të mirëfillta shkencore, kulturore dhe kombëtare.”  Rektori i USHT, Prof. Ameti, duke folur për jetën dhe veprimtarinë e autorit David Phillips, tha se ndonëse ai është amerikan, ai njëkohsisht, “është një shqiptar që ia kalon cdo shqiptari”, pasi për më shumë se dy dekada të jetës së tij, David Phillips ia ka kushtuar çështjes shqiptare, i cili me shkrimet e tija ka sensibilizuar opinionin amerikan dhe atë botëror, mbi padrejtësitë historike dhe shoqërore si dhe për shtypjet e pa para politike dhe ideologjike kundër shqiptarëve.  Sipas njoftimit të zyrës së informimit të USHT, me këtë rast folën edhe personalitete të tjera të botës akdemike dhe politike, përfshirë recensentin e vëllimit, Prof. Dr. Fehari Ramadani i cili theksoi se libri, “Çlirimi i Kosovës -diplomacia  këmbëngulëse dhe intervenimi i SHBA-ve”, i  autorit David L Phillips, e përkthyer në  gjuhën shqipe me një mjeshtri të madhe nga Mr.sc. Gjyla Çeliku, përmban të dhëna mjaft interesante dhe sjell dëshmi të rëndësishme për vorbullën e luftërave që çuan në shpërbërjen përfundimtare të Jugosllavisë.”  Në këtë libër, vazhdoi ai, “ne gjejmë shumë informacione dhe tema me interes, të cilat vazhdojnë të mbeten aktuale edhe në ditët e sotme”.   Autori, sipas Prof. Dr. Fehari Ramadani, është treguar shumë i kujdesshëm në paraqitjen e ngjarjeve dhe të fakteve.  Për më tepër, shtoi ai, ky libër bazohet në përvojën personale të autorit, i cili ka punuar për çështjen shqiptare për më shumë se njëzet vjet”, u shpreh Prof. Dr. Fehari Ramadani.

Në këtë promovim, njofton Zyra e Informimit e USHT, ishte i pranishëm edhe ish ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, i cili duke folur për veprimtarinë e David Phillips, u shpreh se për kontributin e tij që ka dhënë gjatë gjithë jetës për çështjen shqiptare, David L. Phillips “meriton të jetë ambasador i popullit shqiptar në SHBA”.  Ai e cilësoi David L. Phillips, si një njeri i cili “nuk i le të zënë pluhur dosjet e çështjeve dhe të problemeve shqiptare”, theksoi ndër të tjera, ish ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë, z. Arben Çejku.

Ndërsa përkthyesja e këtij vëllimi në gjuhën shqipe, Mr.Sc., Gjyla Çeliku tha gjatë promovimit se libri, i autorit David Phillips, “Çlirimi i Kosovës – Diplomacia këmbëngulëse dhe intervenimi i SHBA-ve”,  pasqyron në hollësi rolin e diplomacisë amerikane karshi zhvillimeve dhe ngjarjeve në Kosovë.  Të gjitha këto të dhëna të përfshira në libër, nënvijoi ajo, “dëshmojnë se autori ka qenë një nga aktorët kryesorë që ka realizuar një agjendë intensive me autoritetet politike të kohës, si në rajon ashtu edhe në arenën  ndërkombëtare”, tha përkthyesja e këtij libri, Mr.Sc. Gjyla Çeliku.

Ndërkaq, David L.Phillips më dërgoi kumtesën që kishte mbajtur me rastin e promovimit të versionit shqip të librit të tij mbi Kosovën në USHT.  Në fjalën e tij, profesori Phillips u ka thënë të pranishmëve tha se librin, “Çlirimi i Kosovës”, ai ia kishte dedikuar ish-ambasadorit amerikan, të ndjerit Richard Holdbrooke. Sipas David Phillips, roli i ambasadorit Holbrooke ka qenë aq i madh dhe aq vendimtar sa që pa ndihmën e tij, tha Phillips, Kosova nuk do ta arrinte kurrë pavarësinë e saj. Andaj, tha ai, vdekja e Riçard Holbrooke ishte një humbje e madhe për të gjithë botën dhe se librin “Çlirimi i Kosovës” ia kishte dedikuar ish-Ambasadorit Holbrooke për kontributin e tij ndaj lirisë dhe pavarësisë që gëzon sot Kosova.  “Holbrooke ishte i dedikuar për të mbrojtur viktimat e konflikteve me dhunë”, shtoi Phillips.

Libri “Çlirimi i Kosovës” është mbi të gjitha një histori e diplomacisë, pohoi autori, në të cilin pasqyrohen aktet terroriste të regjimit brutal të Millosheviçit, ndërhyrja e NATO-s më 1999, pavarësia e Kosovës dhe roli që kanë luajtur për Çlirimin e Kosovës, dyzina zyrtarë amerikanë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikanë gjatë asaj periudhe.  Autori Phillips u tha të pranishmëve në Universitetin Shtetëror të Tetovës se përsa i përket atij, ai “Është shumë krenar që Shtetet e Bashkuara hynë në luftë kundër Serbisë për të mbrojtur Kosovarët. Ndërhyrja e NATO-s e udhëhequr  nga Shtetet e Bashkuara ishte një moment i madhërishëm si për Amerikën ashtu edhe për Kosovën”, nënvijoi ai.  Phillips foli në universitetin e Tetovës edhe për rolin obskurantist të Rusisë në lidhje me situatën në Kosovë atëherë, ashtu siç po luan edhe sot të njëjtin rol obskurantist në Siri në mbrojtje të regjimit kriminal të Bashar Al Assad-it. Phillips tha se, në fushën diplomatike dhe ushtarake, Kosova na ka dhënë mësime me rëndësi  se si fitohet paqa dhe foli mbi gjëndjen e tanishme dhe mbi sfidat me të cilat po përballet Kosova. Ai tha se, “Mungesat dhe dështimet e politikanëve të sotëm të Kosovës “Nuk duhet të përdoren nga disa qarqe kundër pavarësisë së Kosovës dhe as për të penguar Kosovën që të zëjë vendin që i takon në familjen e kombeve.”

“Megjithëse Kosova është një demokraci e re”, tha ai, “kjo nuk është arsye për të përdorur gazin lotësjellëssi protestë me qëllim që të pengohet mbledhja e Kuvendit të Kosovës. Në një demokraci, politikanët i zgjidhin ndryshimet midis tyre nepërmjet negociatave e dialogut dhe jo me dhunë”, u shpreh autori i librit, Çlirimi i Kosovës dhe njohës i mirë i problemeve të Kosovës. Gjatë fjalës së tij në Universitetin Shtetëror të Tetovës, David Phillips sikur fajësoi udhëheqsit e tanishëm të Kosovës, pozitë dhe opozitë, për problemet e atij vendi ndërsa u shpreh se “Kosova ka nevojë për udhëheqës të ri…të cilët janë të pastër, të pa korruptuar dhe të cilët i kushtohen shërbimit publik dhe atij kombëtar”.  Ai u shpreh se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm, por theksoi ndërkaq se marrveshja e prillit ishte një marrveshje e keqe për Kosovën prej të cilës ajo nuk përfitoi asgjë, madje as liberalizimin e vizave, tha David Phillips. Phillips tha se qëllimi i Millosheviqit ka qenë gjithmonë ndarja e Kosovës dhe ndarja e Kosovës në baza etnike mbetet gjithnjë objektivi i Serbisë. Prandaj, shtoi ai, është e rëndësishme që Kosova e tërë dhe e lirë të integrohet sa më pare në institucionet euro-atlantike dhe të bëhet anëtare Kombeve të Bashkuara.

Ai tha gjithashtu se është shqetsues fakti se shumë të rinjë e të reja po largohen nga Kosova dhe u shpreh se shfaqja e islamit radikal në radhë të shqiptarëve është tepër shqtesuese.  Llogaritet, shtoi ai, se 1200 shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe  Shqipëria i janë bashkuar Shtetit Islamik në Siri. Rinia shqiptare ndihet e dëshpëruar dhe e pa përspektivë, tha Phillips. Ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të bëjnë më shumë për të përforcuar partneritetin me Kosovën dhe njëkohsisht t’i dërgojnë një mesazh popullit të Kosovës se Shtetet e Bashkuara janë pranë tij. Afrimi i shqiptarëve me Perendimin është mënyra më e mirë për të kundërshtuar ekstremizmin e dhunshëm, tha David Phillips, gjatë promovimit të versionit shqip të librit të tij , “Çlirimi i Kosovës.

Më në fund, autori i librit “Çlirimi i Kosovës” tha në Tetovë se sfida e ardhëshme për shqiptarët është krijimi i asaj që ai quajti, “një fqinjësi (neighborhood) më të afërt të shqiptarëve anë e mbanë Ballkanit Perëndimor”, duke shtuar se nuk po fliste për “Shqipërinë e Madhe”, por për një serë aktivitetesh, përfshirë ato tregtare, arsimore dhe ambientale, të cilat do të përbënin një solidarizim interesash të përbashkëta, theksoi David Phillips.“Është krejtë normale”, shtoi ai, “që Shqiptarët të krijojnë një komunitet të vërtetë mbarëkombëtar në Ballkanin Perëndimor.”  Duke përmendur përsëri emrin e Richard Holbrooke si historian dhe diplomat, të cilit ia dedikoi librin, “Çlirimi i Kosovës”, David Phillips, u tha të pranishëmve në Universitetin Shtetëror të Tetovës se, rasti i Kosovës nuk është as hera e parë as e fundit që Shtetet e Bashkuara futen në luftë për të ndaluar gjenocidin kundër njerëzimit. Ai u shpreh se shpreson që diplomatët e ardhëshëm amerikanë të mësojnë nga përvoja e Kosovës, një përvojë, hollësitë e së cilës janë të dokumentuara në librin, “Çlirimi i Kosovës – Diplomacia këmbëngulëse dhe intervenimi i SHBA-ve” —  tashti edhe në shqip – dhe promovimi i së cilës u bë fund javën e kaluar në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Clirimi i Kosoves, David L Philips, Frank shkreli

Përtej shkatërrimit të Shtetit Islamik

November 27, 2015 by dgreca

Koment/

Nga ofensiva e plotë në terren, tek afrimi i fiseve sunite në Irak kundrejt një shpërblimi të majmë, përpjekja për të bllokuar burimet e tij të të ardhurave apo mbase edhe diplomacia, mënyrat për mposhtjen e ISIS-it diskutohen prej kohësh. Por propozimi i fundit, ai i hedhur prej ish-ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në OKB, John Bolton, ka shkaktuar jo pak polemika. Diplomati veteran merr përsipër të shikojë përtej shkatërrimit të Shtetit Islamik, duke u shqetësuar edhe për atë që vjen më pas. Ta mundim, por të mos i kthehemi më kufijve të vjetër mes Sirisë e Irakut, arsyeton ai; më mirë të ndërtojmë një shtet të ri sunit në zonën që mban sot ISIS-i në kontroll dhe ato rajone të cilat “kalifi” po përpiqet t`i pushtojë. Ideja e ish zëvendës sekretarit të shtetit në administratën e Xhorxh W. Bushit, edhe pse e pazbatueshme, ka nxjerrë në pah një prej pikave të dobëta të perëndimit: mungesën e vizionit lidhur me atë çfarë do të ndodhë pas shkatërrimit të ISIS-it. Ndërkombëtarët janë kaq të fokusuar tek lufta kundër grupit terrorist nuk e kanë shtruar ndonjëherë në diskutim që zhdukja e tij, nuk do t`i fshinte aspak konfliktet e vjetra – pasojë e marrëveshjes Sykes-Picot, pakti mes dy fuqive koloniale, Britanisë dhe Francës që solli në 1916-tën përvijimin artificial të kufijve irakiane. Mjaft ekspertë besojnë se realiteti aktual i Lindjes së Mesme kërkon ndërhyrje rrënjësore për zgjidhjen e problemeve të kalcifikuara në kohë, e megjithatë, një inciativë politike të përmasave të tilla, nuk e ka përsipër askush. “Ja e shkatërruam dhe ISIS-in , po pastaj ç’do bëjmë. Do ia kthejmë Sirinë e çliruar Damaskut, domethënë atij Assadit që nuk po heqim dot qafe, pyet Bolton, ndërsa tokat e Irakut do t’i dorëzohen regjimit filo-iranian në Bagdad. Ish ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara kujton se lindja e ISIS-it ka ndryshuar tashmë situatën me krijimin e premisave për një shtet të pavarur kurd në veri të Irakut, mobilizimin e sunitëve kundër regjimit të alavitit Assad në perëndim dhe një lëvizjeje shiite në lindje. Për këtë arsye, Bolton del me propozimin e krijimit të një shteti sunit, apo Sunnistan siç e quan ai, i cili gjeografikisht të jetë një variant i zgjeruar i Shtetit Islamik në terren e të mbulojë pjesë të mëdha territori të Sirisë dhe disa rajone perëndimore të Irakut.

 

Filed Under: Komente Tagged With: koment, Përtej shkatërrimit, të Shtetit Islamik

PRONAT-PYETJE PUBLIKE PER AVOKATIN E SHTETIT Z. AGIM HYSI

November 23, 2015 by dgreca

Apel nga Shoqata “Krahina Jonë” Dukat Tragjas Radhimë/
Në takimin e organizuar, me datën 20 Nëndor 2015 në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë, për kundërshtimet e pronarëve për projektligjin e Qeverisë “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, ne Kryesia e Shoqatës Krahina Jonë “Dukat Tragjas Rdhimë , dëgjuam nga z. Agim Hysi, në cilësinë e Avokatit të Shtetit mendime që në përmbajtje ishin të kundërta me të gjithë diskutimet e të gjithë shoqatave të pronarëve dhe me analizën e hollësishme të Avokatit të Popullit që argumentoi se ky lloj kompensimi nuk përputhet me frymën me qëllimin dhe përmbajtjen e Kushtetutës dhe as me vendimet e GJEDNJ.
Në relacionin shoqërues të projektligjit pranohet dështimi i Shtetit për kthimin e pronës konform kushtetutës dhe këtë e kanë pranuar zyrtarish Presidenti i Republikës, kryetari i maxhorancës dhe kryetari i opozitës. Prandaj është e nevojshme korigjimi urgjent i legjislacionit gjysmak që formalisht e njeh të drejtën e pronës por praktikisht e mohon kthimin real të pronës tek i zoti.
Meqenëse rregullat e takimit nuk na lejonin t’ju pyesnim dhe të diskutonim për pikpamjet tona të kundërta, ju drejtojmë publikisht ju z. Agim Hysi disa pyetje publike, lidhur me mendimet që ju shprehet në atë takim.
Dukatasit janë autoktonë në vendin e tyre. Fshati i Dukatit është fshat që historikisht ka jetuar mirë ne sajë të kullotave që ka në Karaburun. Historikisht ato kullota kane qenë pronë e familjeve autoktone të Dukatit, por ky projektligj i le me gisht në gojë. Siç e tha në diskutim edhe kryetari shoqatës, z.Axhem Ymeri, ne aty kemi dhe varret e të parëve tanë prej qindra vjetësh, por me projektligjin e qeverisë që ju argumentoni si zgjidhjen më të mirë, kullotat e Karaburunit konsiderohen pronë e shtetit dhe e pushtetit.
Z. Agim Hysi, ju pyesim publikisht dhe mirëpresim sqarimet tuaja në media për sa vijon:
Ne relacionin me 21 faqe të draftit qe shoqeron projektligjin qe Qeveria ka derguar ne Kuvend ku ju jeni autori ose bashkëautori ne faqen e fundit eshte shkruar. “ Projektligji është hartuar në konsultim me … ekspertët e Bankës Botërore… “ Vetë Drejtoresha e bankës Botërore në Tiranë znj.Tahseen Sayed, na ka deklaruar se Banka Botërore nuk ka dhenë asnjë konsulencë për këtë projektlig. Pak më poshtë relacioni thotë se:”Ne tryezat e zhvilluara dhe diskutimet me shoqatat e pronarëve nuk pati komente per dispoziata konkrete te projektligjit…” Ne deklarojmë se kjo eshte genjeshter e madhe sepse në të 3 takimet e organizuara ne Ministrine e Drejtesise jo vetëm me gojë por dhe me shkrim shoqata jonë dhe shoqatat e tjera janë shprehur me diskutime të ashpëra dhe kanë dorëzuar të argumentuara kundershtimet për projektligjin. Ju kërkojmë të na sqaroni pse është bërë ky dizinformim dhe cili e ka bërë ?
Duke marrë si shembull konkret kullotat tona në malin e Karaburunit , në arsyetimin tuaj si jurist dhe si Avokat i Shtetit, kjo pronë pas datës 20.04.1991 i përket Qeverisë dhe emërtimi “pronë shtetërore” duhet të konsiderohet i saktë?
Në legjislacionin në fuqi e drejta e pronësisë për të shpronësuarit është shprehur me Ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e ishpronarëve”, nr. 7698 datë 15.4.93 në nenin 1 thotë “Ky ligj u njeh ish-pronarëve a trashëgimtarëve të tyre të drejtën e pronësisë për pronat e shtetëzuara, të shpronësuara ose të konfiskuara sipas akteve ligjore, nënligjore e vendimeve të gjykatës të dala pas datës 29 nëntor 1944, ose të marra pa të drejtë nga shteti me çdo mënyrë tjetër si dhe përcakton mënyrat dhe masat për kthimin dhe kompensimin e tyre”. I njëjti qëndrim Kuvendi e ka përsëritur edhe në ligjet e pronave nr. 9235 të vitit 2004 e më pas. A jeni dakort me mendimin tonë se duke pranuar marrjen e pronës pa të drejtë, Kuvendi njeh se shteti ka shkelur të drejtën e pronës dhe e ka zhveshur pronarin nga prona e tij e ligjshme ? A jeni dakort me mendimin tonë se ky nen në të njëjtën kohë u njeh pronarëve a trashëgimtarëve të tyre të drejtën e pronësisë, ja ka hequr atë të drejtë shtetit që e dispononte me emërtimin arbitrar “pronë shtetërore”?
A jeni dakort se ju së bashku me drejtoreshën e AKKP po shkelni brutalisht nenet 4/3, 122/2, 41, 44, 181/2 të Kushtetutës në fuqi dhe praktikisht talleni me të drejtën e pronësisë, duke përligjur dhe justifikuar gabimet e bëra, në periudhën 1991-2015 ?
A jeni dakort me mendimin tonë se rruga 24 vjeçare me shqiptarët, pronarë në tokën e tyre ka qënë e gabuar dhe është shkelur brutalisht, për interesa të grupeve, që kërkojnë të përvetësojnë, duke e keqpërdorur emërtimin “pronë shtetërore”? A jeni dakort me mendimin tonë se respektimi i të drejtës së pronësisë nuk është i plotë dhe mbetet pa asnjë vlerë vetëm me njohjen pa u plotësuar me kthimin dhe se kjo e drejtë e patjetërsushme nuk parashkruhet ?
A jeni dakort se projektligji juaj, duke na nohuar pronën e grabitur nga diktatura, shkel kapitullin për “Liritë dhe të Drejtat e Njeriut” të Kushtetutës, se shkel plotësisht kërkesën e nenit 191 të dokumentit nr 11115 datë 20 Dhjetor 2006 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës si dhe të vendimit unifikues të GJEDNJ që kompensimin e parashikon vetëm për rastet kur kthimi fizik është i pamundur ?
A ka moral profesional dhe kombëtar ky projektligj që padrejtësinë e bërë nga regjimi i diktaturës komuniste me pronat, e përkeqëson edhe më shumë?
A mund të na sqaroni çfarë ju detyron të mbroni këtë linjë, që eshte nje shpronesim i dyte sipas stilit enverian ?
Në mbledhje ju e vlerësuat këtë projekt zgjidhjen më të mirë !. A i qëndroni vlerësimit se drafti që keni bërë ju dhe AKKP është në përpuhje me kushtetutën apo e anulloni atë ?
Ju e njihni mirë Vendimin Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr 24 dt 13 Mars 2002 , që është i detyrushëm për gjykatat dhe për administratën e pronave. Ai vendim në pikën 2 saktëson se subjektet e shpronësuar janë pronarë që nuk e kane humbur të drejten e pronesisë as në kohën e diktaturës dhe ligjërisht janë pronarë jo posedues. Kjo pritshmëri ligjore si dhe neni 41 dhe 181 i Kushtetutës Shqiptare, në këto 25 vjet është realizuar në mënyrë klienteliste, për disa po dhe për disa jo. Në mendimin tuaj si avokat i Shtetit në Gjykatën e Strasburgut, ne pronarët e keqtrajtuar në këto 25 vjet, a kemi pritshmërinë dhe të drejtën ligjore që mbi këtë bazë të ligjeve të brendëshme, të kërkojmë para GJEDNJ, që ajo gjykatë të vlerësojë dhe detyrimin e Shtetit Shqiptar që tu kthejë pronarëve fitimin e munguar nga mos shfrytezimi i prones, për aq kohe që atyre ju eshte mohuar e drejta e posedimit ?
A jeni dakort me pohimin tonë se kthimi i pronës tek i zoti do të jetë faktor për të ulur varfërinë e popullit dhe rinia të mos braktisi vendin dhe mos marri arratinë ?
A jeni dakort se duke penguar problemin e pronës, ju pengoni antarësimin në BE ?
A mendoni se zgjidhje më e mirë është projektligji juaj apo marrja në shqyrtim e projektligjit të shoqatës, që e zgjidh problemin pa faturë financiare dhe konform Kushtetutës.
A jeni dakort me pohimin tonë se Shteti nuk mund të veprojë me dy standarte, ndryshe në krahinat e veriut dhe ndryshe në zonat turistike ? A jeni dakort me pohimin tonë se kullotat e Dukatit aty kanë qenë mot e jetë, se ato mbartin vlera turistike dhe shteti komunist, nuk bëri asnjë investim që t’ju rrisi vlerën, se ato kanë po atë vlerë që kanë pasur,? Nëse përgjigja juaj është po, përse ju propozoni këtë ligj diabolik që ato prona ti përvetësojë oligarkia politike ? Përse e mban popullin në gjak dhe në hasmëri ?.
A jeni dakort me pohimin tonë se konfliktet e krijuara artificialisht në zonat turistike të bregdetit të jugut do të shuhen vetëm kur prona të shkojë tek i zoti ashtu siç është vepruar thuajse 100% në të gjithë zonat e veriut si Dibër,Tropojë, Pukë. Lezhë, Mat, Kukës, Malësi e Madhe, Krujë Tepelenë dhe pjesërisht në rrethe të tjera ?
A jeni dakort me pohimin tonë se kthimi i pronës tek i zoti ndërpret arbitraritetin dhe korrupsionin e lartë në ZRPP, AKKP, në gjykata etj dhe ndëpret shkatërrimin barbar të plantacioneve të ullinjve, agrumeve pemishteve që i japin vlera të veçanta zonave turistike bregdetit tonë ?
Projektligji juaj, nuk përcakton se do kompensojë pronarët për pronat e tjetersuara për vevoja publike ashtu siç përcakton Kushtetuta dhe vendimet e GJEDNJ. A jeni dakort me pohimin tonë se ju në projektligjin tuaj duke keqpërdorur termin kompensim dhe zvogëlime të vlerës së kompensimit jenë vënë në shërbim për të mbrojtur interesat klanore, se kështu ju favorizoni konfliktet dhe vetëgjyqësinë që ka nxitur grabitja dhe pushtimi i pronës private ?
A jeni në dijeni se Shoqata Kombëtare e Pajtimit të Gjakrave nga analiza e punës së saj në terren, ka raportuar se nga viti 1991 deri 2011 për probleme pronësie janë kryer 8000 krime dhe vrasje dhe kjo është pranuar në Kuvendin e Shqipërisë nga ishkryeministri Pandeli Majko, nga Kryeministri Edi Rama dhe deputetë të tjerë ?
A e analizuat diskutimin në atë takim fjalën e Shoqatës “Krahina Jonë“, fjalën e zotit Tanush Mulleti dhe të përfaqësuesve të shoqatave të tjera, të publikuara ne TV dhe në gazetat e datës 21 Nëndor 2015 ?
A jeni dakort me pohimin tonë se cilido që mbron dhe thellon padrejtësinë nuk është vetvetja, injoron profesionin dhe vihet në shërbim të interesave klanore dhe antikombëtare.
Pyetja e fundit, a keni bere rifreskim te dipllomes tuaj pas renies te sistemit komunist?
Presim të reflektoni dhe të përgjigjeni në gazetë këtyre pikave qoftë dhe me disa shkrime të veçanta, ashtu siç mendoni vetë. Në bazë të reagimit tuaj ne mendojmë që pjesën e pazgjidhur për këto probleme t’ja adresojmë Presidentit te GJEDNJ z. Guido Raimondi, institucioneve drejtuese të BE, të KiE, të KE dhe Ambasadorit Donald Lu si përfaqësues i politikës së SHBA dhe mbrojtës të parimeve të të drejtave themelore të njeriut. Shpresojmë në mirëkuptimin tuaj, me bindjen se nëse nuk dëshironi të mbani barrën e turpit, nuk do të justifikoheni me rrogën dhe vëndin e punës.
Në pritje të reagimit tuaj.
Kryesia e Shoqatës “Krahina Jonë” Dukat Tragjas Radhimë.

Filed Under: Komente Tagged With: PRONAT-PYETJE, PUBLIKE PER AVOKATIN E SHTETIT, Z. AGIM HYSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 387
  • 388
  • 389
  • 390
  • 391
  • …
  • 488
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT