• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPNIA E TUNELEVE DHE BUNKEREVE…

June 6, 2013 by dgreca

Ne Foto: Marrshon Shqipnia e 700.000 bunkereve… !

Nga Fritz RADOVANI/ Melbourne/

Shqipnia ishte “një shkemb graniti në brigjet e Adriatikut”…na ishte ngulitë në tru dhe as nuk na shkonte mendja se ndonjëherë do të xirrnim koken me pa driten e diellit apo me veshtrue se çka bahet pak ma këndej apo andej Adriatikut tonë. Rrethimi i vendit nga kapitalistët dhe revizionistët nuk na lejonte me shikue askend sepse të gjithë jetonim “si në rrethim”!..Me siguri shumica e rinisë nuk i kuptojnë këto shprehje, ndersa, pjesa që perjetoi atë periudhë historike porsa lundroi ose fluturoi mbi Adriatik, filloi “me harrue” se Populli Shqiptar ishte betue që “bar do hanë po idealet nuk i shkelë!”…

Ky vetizolim i Shqiptarëve erdhi në një kohë pa u kuptue fare, madje në kohë “paqe”, në vitin 1961… në roje të një pabesije të injektueme në gjak.

Të gjithë mendonin “kunder nesh e si me na zhdukë né”.

Aq e fortë ishte drita e Lirisë sa askush nuk mund ta shikonte drejtë me sy!

Një ditë… aty ku mendohej me u vue automatiku e ku…veç, kur një grupi të rijshë në Shkoder, iu mbushë mendja se duhej hjekë monumenti i Stalinit, e ishte 14 janar 1990.

Edhe njëherë filluen arrestimet… Rinia Shqiptare nuk mbahej ma nen fre…

Turmat u versulen drejtë ambasadave, anijeve, kufijëve, piramidave, gomoneve dhe sejcili pa kuptue ku ven kambën veç kerkonte me dalë nga tunelet e bunkeret ku ishte ngujue gati një gjysë shekulli, tue pritë me padurim “diten” mbas natës pafund të robnisë komuniste.

Ata që thonë se “unë kam pa me sy ku po eci…” vetem genjejnë! Sytë ndoshta i kishim në ballë por me pa me ta nuk shihte asnjeri, veç ai që do me rrejtë… Marrakotja na kishte molisë dhe verbue. Na dukej se të gjithë ishim në shullanin e diellit e rrezet e tij na binin saç mbi kokë e na pervlonin si në ditët e para, kur njeriu çveshet e del në ranen e ngrohtë të plazhit mbas një acari të një dimni me ngrica, borë, ortiqe e rrëshina akulli…

E si mund të mendojnë ndryshej një shkodranë që nuk mund të shkapercente as andej urës së Bunës pa leje “qarkullimi” të degës së punëve të mbrendshme, kur edhe ajo mund të jepej nga sigurimi vetem mbasi ata bindeshin se ti nuk do me ikë jashta Atdheut.

E durrsakët apo vlonjatët si mund të kujtohen se të gjithë ata bunkera të ngulun në ranë nuk kanë ma asnjë vlerë!? Butrinti dukej sikur asht mbushë me statuja edhe pse pat edhe nga ata që me qellim të keq aty – këtu edhe vune dorë… filluen edhe i vodhen me i shitë. Korça e Pogradeci filloi me marrë frymë nga miqtë e ardhun mbas sa dhjetra vjetësh që gati u ishte harrue edhe pamja e fëtyres, që ishte tiposë nga fotot bardhë e zi me stergjyshat e kalbun në Maliq… Jo larg Kukësit flitej se ka edhe andej Shqiptarë! Asht kot me vazhdue me folë se gati askush nuk e beson se Shqiptarët, rretherrotull me Trojet e veta ishin ngujue nder tunele, bunkera dhe strofulla ujqish, aq sa kishin humbë shpresen se ndonjëherë mund të dalin jashtë nga telat me ferra që i rrethonin strehen dhe mendjen që nuk i lejonte me andrrue Lirinë.

Kur pashë në Fushen e Çelës në Shkoder, një djalë me një Flamur Shqipnije në një shtizë të shkurtë, me një “vrimë” që i kishte pré yllin dhe po ecte drejtë e nga sheshi mu në qender të qytetit, ku njerzit mblidheshin ndër mitingje tue brohoritë deri pak ditë ma parë për partinë… ”parti Enver, jemi gati kurdoherë!”, pse me rrejtë? Nuk i besova syve! A thue edhe Shqiptarët e perdhosen yllin e kuq që u pat zhigatë mbi shtrojen e kuqe të Flamurit të Kastriotit?!

Mendova me vete por nuk i tregova askujt se shka kishe pa nga frika se do të më thonin “jé çmendë!”. Mu kujtue në çast Kryengritja e Spaçit…Qafë Barit…Vlashuku, që Nana ime ishte kenë me pa ndër tela të rrethuem vllaun, dajen, e mendja fluturonte sa andej këndej kur kambët ecnin mbi trotuarin e asaj pjace ku dikur, Luigj Gurakuqi, ecte tue mendue si mund të bahet aty afer një lulishtë ku mund të argëtohen fëmijët e shkodranëve?!…

U kujtova se kishe humbë!..

U ktheva me vrap në shtëpi dhe fillova me bisedue kot me pa çka po më thonë të tjerët se jam apo nuk jam në vete!?… Të gjithë çka takova rrugës mu dukën si vetja!…

Vetem kerkonim Lirinë! A kishte që kerkonin ma shumë? – Nuk besoj!

Edhe dyertë e shtëpijave nuk na epej me i mbyllë ma me çelsa…

Po hajnat a binin me fjetë me né?! – As këte nuk e besoj! Thohej se disa prej tyne vazhdojnë me vjedhë dhe mbas perëndimit të diellit mblidhen ndër disa bunkera e tunele dhe atje naten vonë ndajnë “qarin” e hajnisë së ditës… Kishte edhe nga ata që flenin ndër tunele me ruejtë mallin e vjedhun…e kishte edhe nga “ata”, që vazhdonin e vrojtonin me kujdes kush po i afrohet derës së blindueme të atyne labirinteve ku kushedi sa vetë me “një plumb kokës” kishin humbë jeten në lule të Rinisë…e kafka e Tij, ishte pak meter ma andej ku hajnat, vazhdonin me numrue stivat e dollarëve…të fitueme nga trafiku i gomoneve…

Vetem dera u dukej atyne tuneleve…po fundi i tyne ishte fare i panjohun!

Një Popull në kambë tue thirrë: “E duam Shqipninë si gjithë Europa!”…

E turmat që nata i zente në kerkim të Asaj rruge qindvjeçare, padashje humbnin drejtimin nder ata tunele e labirinte që në pritje të “Dritës së Diellit”, perfundonin dikund ka Lindja… gjoja tue pritë “Driten e ditës së ré” që do t’ agonte.

Të vjetrit tregonin se Gjergj Kastrioti e kishte vue në Flamurin e Tij me Shqipen me dy krena, se njena kokë veshtron nga Perëndimi, ndersa tjetra, veshtron nga Lindja…

Që në vitin 1925 një kasap nga Mati u mundue me i vue një litar kokës Shqipes nga Perëndimi…Në se Shqipja do të fluturonte andej “litari” kryente punen e vet…

Në 29 Nandor 1944 një kasap tjeter nga Gjinokastra, djal i një bulykbashit turk, mori një sopatë nga ata të fashizmit dhe ia këputi koken Shqipes nga Perëndimi…me dorë të vet e zhigati kuq dhe thirri: “Vdekje Fashizmit, Liria e Popullit”…e shumica i “besoj”!

Në vitin 1991 – 92 nuk u dukën se janë kasapë edhe pse ishin me bluza të bardha!

Ishin disa “mjekë” që i bane një operacion në zemer Shqipes, po gjatë operacionit u asht dashtë me i dhurue gjak…Kur Shqipja erdhi në vete nuk shihte fare nga Perëndimi!

Pyeti ku jam!? – Ata që ishin aty i thanë: “Jé me né, mos kij frikë!”…

Kur i pyeti të dyten herë po, ku jam?! – Ata u detyruen dhe i treguen të vertetën:

“Jé me né, né jemi vëllezër gjaku me turqit, jemi në “konferencen Islamike!… Mos u merzit, se jemi tue u mundue me u kthye atje ku ishim para 22 vjetësh…me yje e drapen, i thirri tjetri, mbas shpine…dhe me çekana…Po, po, me “yje e hana”, thrret ai hamshori…ja, 23 qershori!

Shqipja vazhdon n’ agoni…

I sollen një pasqyrë e porsa pau veten me një krye nga Lindja… e trupin e lamë me gjak:

“Kuq e zi”… nga “gëzimi”, i ra të fikët!..

Melbourne, 2013.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, marshon, Shqiperia e bunkereve dhe tyneleve

SHSHA i thotë Ilir Dedës se çështja shqiptare ende nuk është zgjidhur në Maqedoni

June 6, 2013 by dgreca

Nga Skënder Karaçica-Chikago/

Përkitazi me çështjet aktuale shqiptare në Ballkan,këso kohe sikur është bërë modë e ditës që nga qarqet e (analistëve)me tonet bulevardeske po dalin me ,,vlerësime,,të ngutshme dhe herë-herë jashtë kontestit politik,historik dhe shkencor të kohës,kështu e nis reagimin SHSHA-ja në Çikago që ka të bëjë me paratijen e tij publike të Ilir Dedës(Instituti për hulumtime politike-KIPRED).
Në vlerësimet hulumtuese politike që i kushtohen çështjes shqiptare në Maqedoni,Ilir Deda rreshqet mbi tezat e tij dhe mundohet të krijojë opinion kur thotë,,Shqiptarët do të themelojnë bashkësinë e komunave të tyre në Maqedoni,,.Nuk e dimë se a është në dijeni (analisti)i KIPERD-it në Prishtinë se populli shqiptar me 40 për qind të përberjes kombëtare nuk është pjesë shtetformues me Kushtetutën e këtij vendi si dhe statusi i komunave të pushtetit lokal sipas standardeve të Konventës Europiane.Sa për komentin tonë të SHSHA-së,fjala vjen,komuna e Strugës tash sa vjet ende nuk e ka të definuar statusin e vet (me ligjet e pashkruara)për pushtetin lokal,ndërkaq I.Deda duke mos e njohur mirë aktualitetin politik ndër vite të çështjes shqiptare në Maqedoni,del me kësofarë tezash që fund e krye janë,,modeli,,i regjimit serb në Beograd për pakicën serbe në Kosovë.
Tutje,ky asociacion politiko-kombëtar i SHSHA-së ia sheh për të madhe Ilir Dedës që bënë krahasime kuturu dhe që janë jashtë kontestit të kohës shqiptare.Si është e mundur,e pyesim I.D.që sipas tij kryeministri aktual(Nikolla Gruevski)nuk dëshiron që ta çojë vendin e tij në NATO,ndërsa shqiptarët dëshirojnë anëtarsimin në NATO(!).Kjo nuk i qendron kohës Ilir Deda,thotë SHSHA-ja në Çikago,
ndonëse populli shqiptar i ka problemet e veta të pazgjidhura kombëtare e sa për dëshirën për anëtarsim në NATO këtë po e thonë pajada disa nga udhëheqësit politik shqiptar sa për konsum të vagës politike!
Analisti Ilir Deda del para opinionit sa për të thënë diçka ashtu si e ka zakon ,,rrallë e për mall,,(!)dhe kur flet për marrëveshjen Beograd-Prishtinë,këtu ironia e tij kalon çdo kufi dhe shkon aq larg sa na kujton kohën kur regjimi serb i S.Millosheviqit tregonte,,rrezikun,,që u kanosej pakicës serbe me rastin e shpërnguljes (pa dhunë)nga Kosova.Paqartësitë e marrveshjes në Bruksel e kemi thënë publikisht Ilir Deda,do të jetë sherri të pragu i shtetit të Kosovës edhe për njëqind vjet.Mos u merakosni shumë se serbët nuk do të braktisin Kosovën Ilir Deda,kështu i thotë SHSHA-ja në Çikago.

Filed Under: Komente Tagged With: cehtja shqiptare en Maqedoni, e pazgjidhur, i thote Ilir Dedes, SHSHA, Skender Karacica

JO INKUIZICIONIT ISLAMIK NE KOSOVE!

June 6, 2013 by dgreca

Çështja e shamisë është vetëm maja e Icebergut islamik në Kosovë, e kurrkush nuk e di se sa i madh është Icebergu (shkëmbi lundrues i akullt), askush nuk e di se çfarë vëllimi fshihet nën ujë. Jo, jo, shumë mirë e dimë dhe kuptojmë se ku qëndron e vërteta e kësaj dhembshurie për nënat, motrat dhe gratë tona/

Shkruan: Fahri XHARRA/

Jo, inkuzicionit islamik në Kosovë.!/

“Nuk ekziston popull tjetër në Ballkan, as ai i Greqisë së re, që mund ta ndjekë historinë e fisit të vetëm ashtu me rend kronologjik, qysh prej kohëve më të lashta gjer në ditët tona, sikurse populli shqiptar”. (Shkenctari hungarez Lajosh Taloci (1834-1916) )

Shteti duhet të bëjë infrastrukturën ligjore dhe fillimisht lënda e fesë islame të futet si lëndë në fakultete (Amir Ahmeti.) fillimisht dhe çdo gjë fillon fillimisht, kurse përfundimisht nuk dihet. Nuk dihet së paku publikisht se planifikuesit e dine mirë se deri ku e kanë qëllimin. Andaj, kërkuesit në emër të kërcënimit nëse nuk plotësohet ”dëshira” e tyre, nuk do të votojnë ligjet, do të ikin nga koalicioni, etj.

Braktisja e koalicionit

Pra, e kuptuat që fjalën e kam për komisionin qeveritar për shami në shkolla. Ku je Kosovë? ” Burimet e gazetave kanë thënë se kryeministri i vendit, vendimin për krijimin e një komisioni të tillë e ka marrë pas disa kërcënimeve që ai ka marrë nga deputeti i PD-së, Amir Ahmeti, dhe nga disa deputetë të tjerë të PD-së, se do ta braktisin koalicionin dhe nuk do t’i votojnë shumë ligje në Kuvend”, Shumë bukur! E vetëm edhe ketë e kemi mangu, se të gjitha punët e tjera janë rehatu, i tërë populli i Kosovës punon, të gjithë jemi të arsimuar me shkolla të mesme dhe fakultete. Po s’kanë faj këta, kur vijnë turqit që donë edhe historinë të na ndërrojnë e pse jo edhe të na kthejnë me qindra vite mbrapa. Por një gjë e di se fëmijët e mi nuk do të shkojnë në shkollë nëse u imponohet lënda nga feja, këtë e di shumë mire se kjo nuk do të ndodhë kurrë”, shkruan një lexues në një portal. Kurse tjetri brengoset edhe më shumë: ” Urime Kosovë urime shqiptari, lindja e errësirës dhe e mesjetës në Kosovë, Kosova po shkon me hapa të sigurt drejt mesjetës dhe urrejtjes fetare e me këtë edhe një lufte fetare (qytetare) lamtumirë përgjithmonë Kosovë jo vetëm nga unë, po edhe nga më shumë se 40% të rinisë ……” Brengë e madhe popullore!

Kosova, shtet laik

Kirsch Jonathan në librin e tij “The Grand Inquisitors Manual: A History of Terror in the Name of God.( Historia e terrorit në emër të fesë) e përshkruan kohën më të errët, atë të inkuizicionit në Evropë. Një doracak për inkuizitorët e shpjegonte qëllimin e dënimeve inkuizicionale…sepse dënimi nuk është i lidhur me korrigjimin e atij që dënohet, por për të mirën publike, në mënyrë që të tjerët të tmerrohen dhe të ikin nga e keqja që mund t`u vijë. Pra? Çka thoshte inkuizicioni dhe se kujt i drejtohej? Besimtarëve të vet me mundësi absolute për frenimin e çdo gjëje përparimtare. Ata nuk donin që të lëvizin gjërat me kohën. Prapambeturi. Dhe, falë kësaj periudhe të errtë, Evropa ngeli prapa mbi 300 vjet. Po neve a po na kanoset një inkuizicion islamik i llojit të vendeve më të errëta? Po. Çështja e shamisë është vetëm maja e Icebergut islamik në Kosovë, e kurrkush nuk e di se sa i madh është Icebergu (shkëmbi lundrues i akullt), askush nuk e di se çfarë vëllimi fshihet nën ujë. Jo, jo, shumë mirë e dimë dhe kuptojmë se ku qëndron e vërteta e kësaj dhembshurie për nënat, motrat dhe gratë tona.  “MASHT-i respekton Kushtetutën dhe ligjet që janë në fuqi. Në këtë rast, sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 8, thuhet se Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare. Në bazë të kësaj, MAShT-i me udhëzimin administrativ për Kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta ka përcaktuar rregullat e institucioneve arsimore të Kosovës. Kurrikula e Kosovës e cila është në fazën e pilotimit nuk përcakton ndonjë lëndë më karakter fetar”. Përfundimisht jo. Jo me J të madhe. Boll mo!

Gjuha fyese e imamit

Ende pa hyrë në jetë ligjet islamike në shoqërinë tonë na dalin paralajmëruesit me kërcënimet e tyre me këshilla për moralin. Dhe maja e Icebergut duket shumë e vogël.
Ja një përgjigje dinjitoze për atë se çka po na ”këshillohet”.
“Të dashur miq, kurrë në jetën time nuk kam dëgjuar të fliten kaq shumë fjalë fyese denigruese, të fëlliqura për gratë, vajzat, sa sonte në një video, ku një imam nuk lë gjë pa thënë kundër grave shqiptare. Është e paprecedent që një udhëheqës fetar të fyejë gjithë gratë e një kombi, t’i shpallë ato të pamoralshme, të përdorë gjuhë denigruese, fyese dhe gjuhë të urrejtjes, të bëjë thirrje që ato të hidhen në rruge si leckë, sepse qenkan të pamoralshme sipas kutit të tij. Kjo gjuhë fyese dhe urrejtjeje është shkelje e Kushtetutës, është thirrje për dhunim të lirive njerëzore. Kërkoj nga Bashkësia Islame që të distancohet publikisht nga ky imam dhe të gjithë ata udhëheqës fetare që në vend të edukojnë po helmojnë të ardhmen e këtij vendi, të rinjtë. Kërkoj gjithashtu nga mediet që të mos u japin hapësirë këtyre njerëzve të sëmurë, por të raportojnë me kriticizëm veprimtarinë e tyre. Besoj që edhe institucionet do t’ia japin përgjigjen e merituar”. (Alma Lama). 
Kreu i këtij komisioni për shami dhe mësim fetar, Amir Ahmeti, ka thënë se kërkesën për një komision të tillë ia ka paraqitur kryeministrit pas kërkesave të shumta që ai ka marrë nga elektorati i tij dhe nga qytetarët për këtë ndalesë që u është bërë me Udhëzimin administrativ që ishte nxjerrë nga MASHT-i. Sa i madh qenka ai elektorat?
Ishte vetëm maja e Icebegut islamik në Kosovë.
E dimë ne që po mundohen të na fusin në vorbullën e vrimës së zezë.
“Perëndi e trimërisë ishte mëm’ e Shqipërisë”, thoshte Naimi dhe vazhdon: “Gjithë ç’jemi shqiptarë, jemi një fis e një farë, kemi të tërë një shpresë, një gjak, një gjuhë, një besë, besë kemi perëndinë. Dhe ligë vëllazërinë, jemi gjithë shqiptarë. S’jemi të çar’ e të ndarë. Jemi shtëpi e fëmijë, At’ e mëm’ e bir e bijë”.

Fahri Xharra  05.06.13

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fahri Xharra, Jo inkuzicionit islamik, ne Kosove

LIRIA ËSHTË NË ZMBRAPSJE

June 6, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Anë e mbanë botës, liria dhe demokracia janë në zmbrapsje, për të mos thënë në rrezik ekzistence.   Entuziazmi që pasoi ngjarjet e ashtuquajturës, “Pranverë Arabe” në Lindjen e Mesme, tashti është zëvendësuar me shqetësime serioze nga shumë ekspertë se lëvizjet islamiste kanë marrë peng aspiratat e popullit arab për liri dhe pothuajse njëkohësisht kanë zhdukur mundësitë dhe përspektivat për një zhvillim të vërtetë demokratik në atë rajon të botës.   Këjo vihet re më së miri në vendin më të madh arab, në Egjipt, por edhe në vende të tjera arabe, përfshirë Sirinë ku po zhvillohet një luftë e ashpër, tragjedia e së cilës po ndihet anë e mbanë rajonit dhe më gjërë.   Edhe në pjesë të tjera të botës, vala e anti-demokracisë dhe përpjekjet kundër lirisë janë në rritje e sipër.

Në Kinë, që është vendi me popullsinë më të madhe në botë, dhe që këtë javë shënon përvjetorin e masakrës në sheshin Tienenman të Pekinit 24 vjetë më parë, shtypjet kundër disidentëve dhe atyre që nuk pajtohen me regjimin komunist, janë shtuar dukëshëm vitet e fundit.   Me 4 qershor, që bie përvjetori i atij që autoritetet kineze e cilësojnë si “kryengritja kundër revolucionare” — sipas lajmeve — masat e sigurisë në Pekin ishin shumë të forta, në krahasim me vitet e kaluara. Me këtë rast, autoritetet kineze kanë ndaluar diskutimet, “online” në lidhje me ndërhyrjen ushtarake me 4 qershor 1989 në sheshin kryesor të Pekinit, ku thuhet se mund të jenë vrarë mijëra student nga ndërhyrja ushtarake.   Kështuqë, vërejtësit thonë se 24 vjet pas masakrës në sheshin Tiananman, mundësitë për reforma politike nën regjimin e Presidentit të ri kinez Xi Jinping, duken edhe më të këqia se në vitin 1989, pasi deri tani nuk ka asnjë shënjë se regjimi tij ka në mendë të ndërmarrë ndonjë reformë politike që do të kënaqëte mbështetsit e të drejtave të njeriut, lirisë së shtypit dhe demokracisë së vërtetë në Kinë.
Sipas organizatave që monitorojnë zbatimin e të drejtave të njeriut, edhe në Rusinë e Vladidmir Putinit është shënuar gjithashtu një rritje dramatike në përkeqsimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive në përgjithësi, në atë vend.   Sipas dy raporteve të reja nga organizatat e të drejtave të njeriut, Amnesty International dhe Human Rights Watch, gjëndja e të drejtave të njeriut nën regjimin e  Vladimir Putinit është më e keqja ç’prej kohës së ish-Bashkimit Sovjetik.

Shkeljet e të drejtave të njeriut nga teokracia iraniane janë të njohura mirë nga opinioni botëror dhe rasti i ditëve të fundit në Turqi, ku forcat e sigurimit dhe të policisë përdorën forcën, duke shpërndarë me dhunë protestuesit paqësorë në Parkun Gezi të Stambollit, habiti botën për nga masat e tepëruara të përdorura nga forcat e policisë dhe të sigurimit rë shtetit turk.  Parku është i njohur si vend për protesta, por i cili siç duket  po ndryshohet  me qëllim për këtë arsye, për të mos lejuar protesta në një hapësirë të tillë të qytetit.   Qeveria turke ka miratuar  një projekt-plan të madh  për ta këthyer parkun në një zonë ndërtimesh, gjë që ka habitur arkitektët vendas dhe është kritikuar ashpër nga publiku turk.   Me reagimin e saj ndaj protestave paqësore, qeveria e Kryeministrit Erdogan tregoi kundërshtimin e tij politik të dhunshëm ndaj pjesëmarrjes në proceset demokratike të bashkombasve të vet, me pikpamjet e të cilëve, ai nuk është dakort.

Përkeqësimi i lirisë dhe demokracisë anë e mbanë botës vitet e fundit është i lidhur ngushtë me shkeljen e lirisë së shtypit dhe të medias, pasi pa liri të shtypit nuk  ka as liri të tjera të njeriut, e si rrjedhim as demokraci.   Si shembull, nuk është e rastit që Turqia, sipas organizatës Freedom House, të ketë numërin më të madh të gazetarëve të arrestuar. Për më tepër, në vlerësimin e saj mbi gjëndjen e lirisë së shtypit në botë, këjo organizatë thotë se vetëm një person në gjashtë veta, jeton në një vend të botës që ka media të lirë.

Shpresat dhe entuziazmi i para 20-vjetëve, se rënja e komunzimit do të sillte një shpërthim lirie e demokracie anë e mbanë botës, janë venitur. Vërehet ajo që mund të quhet një ngadalësim i veprimtarive demokratike dhe lirive, ndërsa udhëdheqsit autoritarë anë e mbanë botës — megjithëse i bëjnë homazhe demokracisë me fjalë — në të vërtetë kanë mësuar nga njëri tjeri duke përfekcionuar mënyrat për të ruajtur pushtetin e tyre, ndërkohë që organizatat që meren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, regjistrojnë çdo vit rënje të lirive demokratike ose në minimum stagnim të këtyre lirive anë e mbanë botës.   Përfshirë fatkeqsisht edhe disa nga vendet ish-komuniste, që 20 vjetë më parë frymëzuan botën me përpjekjet e tyre për liri e demokraci, duke rrëxuar pushtetin komunist anë e mbanë Evropës Lindore.   Si rrjedhim, mendohej në atë kohë se me rënjen e Murit të Berlinit, diktatorët dhe regjimet autoritare anë e mbanë botës do të zhdukeshin gjithashtu me kohë.    Por këta diktatorë, nga Rusia, Kina, Turqia, Irani, në të vërtetë nga shumica  e vendeve në botë  — të vegjël e të mëdhej — duke parë “rrezikun” që u vinte nga liria dhe demokracia, u mobilizuan në luftë me kundështarët e tyre politikë, dhe njëkohsisht  kufizuan liritë e dhe zhvillimin e demokracisë.  Dëmin më të madh nga sjelljet jo demokratike të këtyre regjimeve e pësojnë, natyrisht, banorët e këtyre vendeve, por këto regjime dhe udhëheqës autoritarë, ashtu siç ndodhte  edhe në kohën e komunizimit, përpiqen të eksportojnë, deri diku me sukses, modelin e tyre të qeverisjes autoritare edhe në vende të tjera.

Por, si gjithmonë gjatë historisë, dëshira e popujve për të jetuar të lirë dhe për të vendosur vet fatin si dhe për të ruajtur dinjitetin njerëzor është një fuqi shtytëse e pa mposhtur që nuk shuhet kurrë.   Megjithë shtypjet dhe masakrat, pa marrë parasyshë nëse ato ndodhën në Turqi ditët e fundit ku një grua u pa duke u përplasur ball për ball me policinë, apo në Kinë më shumë së dy dekada më pare, ku një student doli para kolonës së tankseve, tregon se njerëzit, për të mos jetuar në robëri, janë të gatëshëm të përballen edhe me vdekjen, duke venë në dukje se dëshira e njeriut për liri e demokraci nuk do të vdesë kurrë.

Liria dhe demokracia, natyrisht janë jetike për banorët e çdo shteti, dhe për mirëvajtjen e çdo shoqërie normale, por zbatimi dhe respektimi i tyre nga të gjitha shtetet që janë angazhuar me nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për t’i mbrojtur ato, janë gjithashtu të rëndësishme edhe për zhvillimin normal të marrëdhënjeve ndërkombëtare, për paqën dhe sigurinë në botë, pasi historia është dëshmitare se vendet demokratike nuk futen në luftë me njëra tjetrën.  Është e natyrshme që zhvillimet demokratike  të pasqyrojnë kulturën dhe traditat e çdo vendi, por ama kanë të përbashkët zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirinë e shtypit dhe  ekzistencën enjë opozite të aftë dhe të qëndrueshme.

Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs ka thënë pas sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara më 11 shtator, 2001, se, “Për 60 vjet tani, ne kemi menduar se do të mund të vendosnim sigurinë, pa lirinë në Lindjen e Mesme.”   Më në fund, shtoi ajo, në Lindjen e Mesme, “nuk ka as siguri as liri.”   Duhet ta dimë, shtoi ish-kryediplomatja amerikane, se në çdo rajon dhe vend të botës, “liria dhe demokracia janë të vetmet garanci për një stabilitet të vërtetë dhe siguri të qendrueshme.”

Në këtë botë, do të ketë gjithmonë diktatorë dhe regjime autoritare të cilat do të kundërshtojnë lirinë, të vendosura të kufizojnë dhe  të shtypin të drejtat bazë të njeriut dhe liritë demokratike.  Prandaj, parimet e lirisë dhe të demokracisë, si dhe dhe të lirisë së shtypit kudo duhet të mbështeten nga të gjithë dhe me të gjitha mënyrat politike, ekonomike, morale dhe pse jo edhe ushtarake kur është e nevojshme, pasi abuzimi me të drejtat dhe liritë demokratike, të një kinezi, turku, rusi, iraniani, arabi, ose cilit do popull në botë, është një abuzim dhe shkelje e të drejtave themelore të secilit prej nesh, pa marrë parasyshë se ku jetojmë.

Vetëm në këtë mënyrë do të bëhet e mundur përhapja e lirisë dhe e demokracisë në çdo vend, si dhe vendosja e paqës dhe sigurisë në botë dhe të anullohet, ose të pakën të ngadalësohet, ritmi në rritje e sipër i forcës së zmbrapsjes së lirisë dhe demorkacisë në çdo kënd të këtij planeti.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, liria eshte ne zmbrapsje

Guximi si të shprehësh lirshëm!

June 6, 2013 by dgreca

Shkruan: Faik KRASNIQI/

-T’i thuash JO një grupi që të shtyp/

-Të shprehësh një opinion të ndryshëm nga ai i njeriut që do/

-T’i rezistosh politikës, korrupsionit./

-T’i rezistosh vështirësive që të rezervon jeta./

Si ta bësh një gjë të tillë??? Kjo është çështja!/

Përsa i përket pikës së parë, këmbëngulja për diçka që beson dhe që mund të jetë kundër grupit ku bën pjesë apo normave të tij, mendoj se arrihet me forcën e argumentit. Nëse ajo që thua bazohet në argumente të shëndosha dhe fakte të vërtetuara, atëherë do të jesh në gjendje të mbështesësh dhe të mbrosh pozitën tënde.

Duhet bërë kujdes të mos kalojmë në ekstrem, dmth të jemi kundër për hir të të qenit kundër, apo ndryshe nga të tjerët, por edhe si formë për t’u dalluar nga të tjerët. E njëjta gjë vlen dhe me personin që do. Për pjesën e parë të pikës së tretë jam dyshuese. Pse ju dashka individit t’i rezistojë politikës?! Për mua, përkundrazi çdo njeri duhet të marrë pjesë në të, duke qenë se qeverisja që nga niveli më i ulët lokal e deri tek pushteti i lartë vendor kombëtar ndikojnë drejtpërsëdrejti tek jeta e këtij individi. Për korrupsionin jam dakort!!! T’i rezistojë vështirësive që i sjell jeta.

Unë do thoja t’i pranojë vështirësitë që i sjell jeta, të gjejë burimin e tyre dhe mënyrën për t’i kapërcyer. Pra, njeriu duhet të mbijetojë ndaj vështirësive, jo t’u bëjë atyre rezistencë!!! Duke folur në përgjithësi:për të fituar besim tek vetja, në mënyrë që të jesh në gjendje të flasësh para turmave, apo edhe një a dy personave të panjohur, si edhe një eprori duke mbajtur një qëndrim të ndryshëm nga i tyre, njeriut i duhet që të edukohet që herët me këtë frymë. Pra, nëse jeni në një ambient miqsh, edhe një rri pa folur, pyeteni se çfarë mendon ai/ajo. Miqësia shton konfidencën se ajo që do thotë është muhabet kafeje mes miqsh dhe jo provim. Me fjalë të tjera, ushtrohuni duke u dhënë të tjerëve mundësi për të folur para grupit.

Kjo do të ishte më e organizuar në klasë, ku zysha/profi duhet t’i japin mundësi për të folur të gjithëve, shpesh edhe duke dhënë një detyrë për t’u përgatitur paraprakisht. Kjo do t’i japë mundësi atyre pa guxim të bëjnë prova dhe motivimi i notës do të mjaftojë për një performancë sa më të mirë, që të munden. Një metodë e përdorur në shkollat amerikane dhe që më thënë të drejtën më pëlqen shumë, është ndjekja e klasave të artit. Duke luajtur një rol, tipat e turpshëm kapërcejnë pragun e turpit dhe fillojnë të shprehen në publik.

 

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 470
  • 471
  • 472
  • 473
  • 474
  • …
  • 483
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT