• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kombi ynë, i humbur në kohë

June 4, 2013 by dgreca

*Para 600 vitesh u zhvillua beteja në Fushën e Mëllenjave,dhe deri  me sot ende nuk iu kemi përgjigjur se kush e fitoi dhe kush e humbi. Si është e mundur që në në të njejtë luftë vdiqën edhe Cari  i Serbisë e edhe Sultani i Turqisë , që të dy ushtritë u mundën dhe në të njejtën kohë që të dyjat dolën fitimtare?/

* Sipas kësaj që thot Lubonja ,atëherë duhet gjuajtur në mbeturina edhe Vaçe Zelen, Abdurrahim Buzën, Odhise Paskalin,Eqrem Çabejn, Fitnete Rexhën ,Mentor Xhemajlin, Aleks Budën . Jo ,Jo keq e keni Fatos Lubonja./

Shkruan Fahri XHARRA/

Sa më shumë po kalon koha ; sa ma shumë po i  afrohemi një errësimi të madh kombëtar aq më shumë po e shoh  se pse i gjithë ky mohim i vetëvetës .  Mos groponi se nuk duhet, mos i preni thonjt natën se nuk duhet , mos i  numroni yjet natën se nuk duhet ; kështu na thoshin.Dhe ne, ashtu pa menduar fare se pse ishin këto këshilla ,bënim atë që na thonin dhe i përkuleshim mosdijës , e përqafonim errësirën dhe dritën nuk na e donte syri.

Na janë mëshefur gjërat me shekuj ,e edhe vazhdojnë të na mëshihen. Prap rreth rrethit  dhe në rrethin pa dalje , dhe prap në frigën nga shpejtësia  e informimit ,mësimit dhe vetëdijësimit. Terr!

Buajt shkrryhen e bretkocat ngordhin : “Shkuarja ime në Siri ka qenë e bazuar në aspektin fetar, edhe e kam parë se në Siri është filluar lufta mes sunitëve dhe shiitëve cilët (luftë) e kanë filluar shiitët me alevit”.“Duke e parë, ndihmesën që i ka ardhur sektit alevit, nga sektet e tyre që janë shiitët, atëherë unë kam vendosur, i frymëzuar nga Kurani dhe Syneti i Pejgamberit S.A.S., të marr rrugën për t’i dalë në ndihmë atij vendi, ku Allahu dhe vetë Pejgamberi S.A.S., e kanë obliguar çdo mysliman që të marrë pjesë në luftë kundër një zullumqari dhe në luftën kundër qafirëve. Kur them qafirit, po flas për gjendjen aktuale në Siri”, nisi rrëfimin për Radion Evropa e Lirë, një shqiptar i Kosovës, që luftoi si vullnetar në Ushtrinë për Çlirimin e Sirisë, për tetë muaj.( Lufta në Siri dhe shqiptarët e Kosovës ). Sa jemi të informuar se çka dhe pse po ndodhë kjo në Siri?

Kjo është luftë buajsh e cila neve nuk na përket. Të rrijmë sa më largë këtyre shkrryerjeve ,se jemi shumë të vegjël t`iu  ndihmojmë apo t`iu ç`ndihmojmë . Pse dhe për kë? Dromca  që e bëjnë të perditshmën tonë.

Pjesëmarrja në luftë : “Thënë të drejtën, ashtu si nuk kam dashur te deklarohem për pjesëmarrjen në luftë, gjithashtu nuk kam dashur as te aplikoj për statusin e veteranit të luftës, sepse, sic thash, atë pune nuk e kam bërë per interesa te dynjasë, por thjesht për hatër te Allahut si permbushje të një obligimi ndaj popullit tim. ….une kam aplikuar që të më njihet statusi i veteranit te UÇK-së. Eshte dëshmi për kontribut dhe asgjë tjeter”, ka theksuar Krasniqi per Indeksonline.”  Pse tani “Statusi i veteranit”  , kur përditë e më tepër ballafaqohemi me papunësi në rritje , me ulje të standardit jetësor  dhe me … me …?

” Gazetat  raportojnë sot se kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës me disa bashkëpunëtorë kanë aplikuar për statusin e veteranit të luftës së UÇK-së. Myftiu i Kosovës Naim Tërnava dhe disa bashkëpunëtorë të tij kanë aplikuar për statusin e veteranit të UÇK-së, megjthëse siç shkruan “Koha ditore”, nuk kanë bërë as “bam” në luftë! Por myftiu Tërnava, si kontribut në luftë ka përmendur disa mijëra marka e ndihma ushqimore dhe sanitare për refugjatët shqiptarë në zona të ndryshme të luftës. Sipas myftiut, kjo është e mjaftueshme për të marrë statusin e veteranit të luftës.”
Standardi i jetës po bie përditë e më shumë dhe ne kemi kohë të kërkojmë: “Por sikur Tërnava për veteran ka aplikuar edhe kryeimami Sabri Bajgora, si dhe komplet Kryesia.”

“Unë e thashë, se është dasht që Shtabi i Pergjithshem i UÇK-së t’i ketë listat e sakta për ushtaret. Por, meqenëse ajo nuk e ka kryer punën e vetë si duhet, atëherë le t’i jepen meritat ashtu siç i takojne secilit për ta marr titullin veteran, edhepse ky numër i fryer krijon mëdyshje te medha. Le t’ua arkivojmë secilit meritat që i kanë për atë perudhë shumë të rëndesishme të historisë sonë. Nuk ka të drejtë askush që në emër të meritave të luftës të krijoj  përfitime politike, fetare e materiale në interes te vetin (per vete) apo qe te shkaktoi urrejte nderpartiake, nderfetare e aq me pak besimin fetar ta ngris mbi kombin.
(Dibran Idriz Gashi)

Pse Rexhep Boja i kishte  këshilluar kolegët e tij hoxhallarë që të mos bëjnë një gjë të tillë.?

Lufta dhe shkenca ”Vendi i pestë i botës  ku kishte observator ( Observatori megalit ilir-pellazg i para 4 000 vjete),prej nga vërehej qielli dhe lëvizja e yjeve dhe e Diellit ,edhe sot e kësaj dite banohet nga shqiptarët dhe është në bjeshkët e Kumanovës . Quhet Kokino. Kush e thot që Kokino ishte Ilire?  Sllavët e Maqedonisë  jo,por kjo është e vërtetë. Kemi pra të bëjmë me të parët tanë që kishin njohuri astrologjike , mjeksore ,anije ndërtimtarije; i kishin qytetet e tyre ,i kishin mbretëritë e tyre , i  farkonin monedhat  dhe shpatat e tyre (F.Xharra,  Observatori Megalit  Pellazgo -Ilir  afër Kumanovës ) .

Pse tani Kokino , kur përditë e më tepër ballafaqohemi me papunësi , me ulje të standardit jetësor  dhe me … me …? Por  ne duhet të dijmë se kush ishim dhe si të tillë ta rrisim krenarinë tonë kombëtare e të mos biejmë pre  e mashtrimeve ,vetëmohimeve dhe autozhbërjes.

Lubonja: Vepra e Kadaresë në shërbim të Enverit “E kam konsideruar si një vepër në shërbim të ideologjisë nacional komuniste të Enver Hoxhës. Domethënë ku në një anë glorifikohet e kaluara shqiptare, në një frymë nacionaliste dhe kam parasysh korpus veprash të tëra, dhe nga ana tjetër është edhe pasqyrë e ideologjisë komuniste në kuptimin e të ardhshmes po të kesh parasysh shumë vepra si “Ëndrra industriale”, apo romane si “Dimri i madh” etj, etj. Kjo është një ideologji e pushtetit dhe unë kam mendimin që një analizë serioze e veprës së Kadaresë të sjell tek fakti që vepra e tij ka ndjekur hap pas hapi propagandën, këtë ideologji dhe propagandën e kësaj ideologjie në rrjedhën e kohës me disa përjashtime ndoshta”- tha Lubonja.”

KADAREJA! E kemi nga ata margaritarët që bota na e ka lakmi .“ Shqipëria me Kadarenë, e ka jetën përpara” – Laurence Cosse (Le Quotidien de Paris,17.03.1982) Shkruanin në Europë . E ende shkruajnë. Po ju?

Sipas kësaj që thot Lubonja ,atëherë duhet gjuajtur në mbeturina edhe Vaçe Zelen, Abdurrahim Buzën, Odhise Paskalin,Eqrem Çabejn, Fitnete Rexhën ,Mentor Xhemajlin, Aleks Budën . Jo ,Jo keq e keni Fatos Lubonja.

E mëshehta e Luftës së Kosovës (1389) Milorad Dobriç (Милорад Дерић

Тајна Косовског боја )” Para 600 vitesh u zhvillua beteja në Fushën e Mëllenjave,dhe deri  me sot ende nuk iu kemi përgjigjur se kush e fitoi dhe kush e humbi. Si është e mundur që në në të njejtë luftë vdiqën edhe Cari  i Serbisë e edhe Sultani i Turqisë , që të dy ushtritë u mundën dhe në të njejtën kohë që të dyjat dolën fitimtare?

Shkruesin e këtij shkrimi(Milorad Dobriçin, pra) e kanë penguar shumë mëdyshje që të jepë përgjegje . Përgjegja të imponohet vetvetiu:-kjo s`ka mundur të ndodhë në një luftë të vetme? Duhet të kenë qenë dy luftëra- dy beteja , me dy fate të ndryshme lufteje.Kur dhe si? Dihet që ndeshja kishte filluar në orët e herëshme të mëngjesit me 28 Qershor 1389, dhe lufta kishte mbaruar në orët e pasditës të të njejtës ditë, dhe në atë mëngjes u mbyt sulltan Murati . E qau dysh jatagani i kalorësit serb  ”prej ushkurëve e deri në fyt”. Si mundi që ai kalon nëpër rojet tuke ,dhe askush të mos ia vëren atë ”armë të mëshefur”?Të mëshifet ka mundur vetëm ndonjë brisk i vogël. Por ”shkyerja e trupit deri në fyt” me brisk të vogël nuk bëhet. Si arrijti kalorësi vrasës tek Sulltani?Vrasja e një Sulltani , nga kalorësi që hyri  në  çadrën e Sulltanit për t`iu nënshtruar duke ia puthur dorën është pak e pabesueshme.”

Sidoqoft vetë serbët e vejnë në dyshim mundësinë e ”heroizmit serb”.

E na e shenjtërojmë atë vend të një ngjarjeje ,at vend të një konspiracioni që do të zbullohet herë do kur do.

Frankofonia ( me F të madhe)  e përshkruan botën e përbashkët frankofone,dmth vendet e ndryshme ku frengjishtja është gjuhë ëmtare apo gjuhë e dytë. Fjala është për shprehje gjeografike dhe një rigrupimi gjeopolitik;, kurse Gjermanishtje standarde apo Hoch Deutsch (Gjermanishtja e lartë) e grumbullon dhe e njëson të folmen e mbi  250 dialekteve gjermane ,të Gjermanisë ,Austrisë dhe Zvicrës. Bukur shumë. Një gjë më çuditë se si një popull aq  i madh me një përparim aq të madh ekonomik ,po ka nga (kohë) të mirret edhe me unifikimin e gjuhës.

Po tek ne ”Abetarje gjithëshqiptare” qenka kundër Kushtetutës së Kosovës.

02.06.13

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fahri Xharra, i humbur ne kohe, Ismail Kadare, Kombi yne, Rexhep Boja

PO Ç’KA ELVIS ROSHI ME MONUMENTIN E DY GISHTAVE TË FITORES NË KAVAJË

June 3, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Kavaja është simbol i demokracisë në Shqipëri, e njohur si bastion antikomunist. Gjithmonë e deklaruar djathtas me votën e sovranit. Në zgjedhjet lokale të fundit në bashki fitoi përfaqësuesi i PS, Elvis Roshi, i cili u bë i njohur si personazh i kronikës rozë nga një dramë sentimentale të përdorur asaj kohe politikisht.

Sot shtypi i Tiranës e kishte futur prapë në kronikë Elvis Roshin, jo në atë të gossipeve rozë, por në gossipet e fushatës ku kryebashkiaku i Kavajës pretendoka që, në rast fitoreje të PS, ndër prioritetet e tij të jetë heqja nga qendra e qytetit të monumentit simbol të dy gishtave kushtuar lëvizjes së parë demokratike në Shqipëri, që mori pikënisje në Kavajë. Kjo lëvizje do t’i paraprinte lëvizjes së studentëve ende pa dalë në skenë Berisha apo Rama. Revolta e parë antikomuniste në Shqipëri daton pikërisht më 25 mars 1990, kur në stadiumin e Kavajës, gjatë ndeshjes Besa-Partizani, gjithë stadiumi u ngrit në këmbë me parrullat „poshtë diktatura“, „liri-demokraci“ dhe qyteti pati reprezalje nga regjimi. Elvis Roshit si qytetari nr. një i qytetit i bie të kujdeset për këtë monument dhe jo ashtu si ka ndërmend të veprojë.

Gazeta Panorama pas deklarimeve të liderit socialist Edi Rama, në një vizitë elektorale në Kavajë, se ky bust do t’i sillet Kryeministrit në Tiranë, sjell konfirmimin e vetë kryebashkiakut të qytetit Elvis Roshi, i cili paska thënë tekstualisht se “Monumentin e dy gishtave do ta heq me helikopter, e pastaj do t’ia çoj kryeministrit Berisha dhe do t’ia lë para derës së Partisë Demokratike”. Vulgaritet.

Po përse, kjo do të jetë rruga e reformave, që të çrrënjosin simbolet antikomuniste? Kur PS do t’i duhet që rrugën e reformave ta nisë duke u pastruar tërësisht nga simbolet komuniste! Po me çfarë simboli do ta këmbejë Elvis Roshi monumentin e dy gishtave? Me kazmën e çekanin apo me grushtin e diktaturës së proletariatit!

Simboli i dy gishtave është një simbol paqësor, simbol i fitores. I përdorur nga Berisha që më 1992, kur u rrëzua sistemi diktatorial, si gjest i huazuar dhe i shfrytëzuar gjatë përmbysjeve të regjimeve totalitariste asaj kohe.

Përse nuk e përdor Rama simbolin e dy gishtave, çfarë të keqe ka ky simbol? Simboli „Victory“. « The V sign is the symbol of unconquerable will! » «Simboli V i dy gishtave është simbol i vullnetit të pamposhtur! » Thënie e njohur e Uinston Çurçillit (Winston Churchill) gjatë luftës të Dytë Botërore. Gishtat e fitores i ka përdorur ai dhe Dwight Eisenhower. Edhe Nixon, dhe do të vazhdojnë t’i përdorin. Kush është fans i Beatlesave, duhet ta ketë parasysh një foto të John Lennon me Yoko Onon me gishtat e fitores si protestë kundër Luftës në Vietnam. „V“e fitores e ka përdorur po ashtu Lech Walesa, edhe Presidenti George Bush senior.

Dy gishtat e fitores janë ngritur lart edhe gjatë Pranverës Arabe në Libi nga ata që rrëzuan Gadafin. E do të vazhdojnë e ta përdorin në vijimësi, si simbol i paqes, pa pyetur aspak për „idetë gjeniale“ të Elvis Roshit, apo shefit të tij. Është një simbol që nuk konsumohet. Që ka mbijetuar. Është një simbol entuziast, edhe populist.

Pra ta fokusosh fushatën tek heqja e simbolit të dy gishtave, simbolit të fitores të së mirës kundër të keqes, të demokracisë mbi tiraninë, është mjerim i madh. Nonsens i mirëfilltë politik.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, Elvis roshi, Kavaje, monumenti i dy gishtave

TURQIA NË TYM

June 3, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Për disa ditë rrjesht tani, protestuesit në Sheshin Taksim të Stambollës kanë zhvilluar protesta anti-qeveritare, të cilat filluan si një demonstratë kundër një plani urban ndërtimi në tokën e një parku, por të cilat, eventualisht, morën përmasa kundër qeverisë  dhe poltikave të Kryeministrit turk  Recep Tayyip Erdogan Erdogan.   Demonstratat nga protestuesit, të cilët Kryeministri turk  Erdogan i cilësoi si ”elementë ekstremistë”, janë ndër më të mëdhatë që kanë ndodhur në Turqi për një periudhë të gjatë.   Policia, ndërkaqë, ka ndërmarrë masa të forta kundër protestuesve disa prej të cilëve kanë marrë guximin, të përballen me forcat e mëdha policore, duke marshuar drejtë zyrave të Kryeminstrisë.   Policia ka përdorur gaz lotësjellës,  dhe Ministria e Mbrendshme e Turqisë ka thënë se mbi 1700 veta janë arrestuar, ndërkohë, që sipas saj, shumë prej tyre janë liruar tanimë.   Deri tani, mediat ndërkombëtare njoftojnë se ka pasur shumë të plagosur nga dhuna policore ndaj  protestuesve.

Por mënyra se si u soll qeveria Erdogan me protetsuesit paqësorë, duket se zemëroi shumë qytetarë turq, të cilët iu bashkuan protestave, pasi  u shprehën për  median se ata besojnë në një shoqëri shekullore, jo në dogma fetare, ndërsa akuzojnë qeverinë me baza islamiste të Kryeministrit Erdogan, se pas dhjetë vjetësh në pushtet, aid he qeveria e tij po bëhen gjithnjë më autoritarë.

Reagimet nga organizata ndërkombëtare të drejtave të njeriut mbi përdorimin e tepruar të forcës me dhunë  nga autoritetet turke , ishin të shpejta dhe denoncuese, ndërsa aleatët perëndimorë të Turqisë, përfshirë edhe Uashingtonin, i bën thirrje qeverisë turke që të tregohet e matur dhe të mbrojë të drejtën dhe lirinë e të shprehurit.   Duke iu përgjigjur   pyetjejes së një  gazetari fund javën që kaloi, në lidhje me autoritarizmin në rritje e sipër të Kryeministrit Erdogan dhe nëse protestat anti-qeveritare nëTurqi, mund të jenë shënjë e një përkeqësimi të gjëndjes në rajon — zëdhënsja e Departmentit Amerikan të  Shtetit (DASH), Xhen Psaki, u përgjigj duke thënë se, “Ne jemi të shqetësuar në lidhje me numërin e njerëzve që u plagosën kur policia shpërndau protestuesit në Parkin Gezi të Stambollës”.  “Ne besojmë”, tha zëdhënsja e DASH, “se stabiliteti, sigurimi dhe begatia afatgjatë e Turqisë garantohen më së miri duke mbrojtur liritë bazë të fjalës së lirë, të të drejtës për tu mbledhur dhe për të protestuar, që siç duket,  ishin këto të drejta që po ushtronin protestuesit.   Mbrojtja dhe zbatimi i këtyre lirive është  jetësor për çdo demokraci të shëndoshë”, komentoi ajo duke dhënë reagimin zyrtar amerikan. Ndërkaq ,Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri that ë hënën  se Shtetet e Bashkuara janë duke e ndjekur për së afërmi situatën  në Turqi dhe se janë të shqetsuara nga lajmet që thonë se është përdorur forcë e tepruar nga policia kundër protestuesve.   Ai shtoi duke thënë gjithashtu se Uashingtoni është tepër i shqetësuar nga numëri i madh i personave të plagosur, gjatë protestave.   Kryediplomati amerikan u tha gazetarve sot në Departmentin Amerikan të Shtetit se, “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht lirinë e plotë të të shprehurit, përfshirë të drejtën e njerëve për të bërë protesta paqësore, sepse këjo është themelore e demokracisë.   Zoti Kerry nenvijoi se komentet e tija nuk kanë për qëllim ndërhyrjen në punët e mbrendshme të Turqisë, por janë një shprehje e sinqertë  e rëndësisë që Shtetet e Bashkuara u kushtojnë vlerave të demokracisë në të gjitha vendet.”   Ai gjithashtu u bëri thirrje, “të gjitha palëve që të mënjanojnë provokimet dhe dhunën.”

Zëdhënsja e DASH u tha gazetarëve se natyrisht ne kemi parë raportet e organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International, mbi ato që po ndodhin në Turqi.   Organizata Amnesty International në një deklaratë në portalin e saj mbi protestat në Turqi, citon Drejtorin e Amnesty International për Europën, Xhon Dalhuisen, i cili e cilësoi ndërhyrjen e policisë atje si një, “përdorim të shëmtuar i forcës së tepëruar policore në Stambollë”,  dhe nënvijon se, “përdorimi i forcës së tepëruar  me dhunë në Turqi është rutinë, diçka e zakonshme, normale — por përgjigja e egër ndaj protestave krejtësisht paqësore në sheshin Taksim, është me të vërtetë një përgjigje e turpëshme.”    Ndërhyrja e egër e policies turke, thotë organizata Amnesty International, “ka ndezë dhe pezmatuar gjëndjen nepër rrugët e Stambollit, ku kanë mbetur të plagosur me dyzina njerëz.”Amnesty International shton se, “Autoritetet turke duhet të marrin masa urgjente për të parandaluar vdekje dhe plagosje të tjera,  dhe njëkohësisht u bën thirrje atyre të lejojnë protestuesit që të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore për të protestuar , dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë publikut”, ndërkohë që janë plagosur lartë nga 1000 protestues dhe ka pasur të pakën dy të vdekur,  sipas  orgnaizatës së të drejtave të njeriut, Amnesty International.

Drejtori i Amnesty Interational për Europën, Xhon Dalhuisen shtoi se, “Është e qartë se përdorimi i forcës nga ana e policisë turke ndaj dhunës që  në vetvete ishte tepër e vogël nga ana e protestuesve — nuk u nxit nga dhuna e demonstruesve, por nga dëshira (e autoriteteve) për të ndaluar dhe për të diskurajuar çdo lloj proteste.”

Amnesty International thotë gjithashtu se megjith keqësimin e krizës, autoritetet turke nuk po tregojnë asnjë shënjë se ata do të ndryshojnë drejtimin politik  ose nëse do të marrin masat e nevojshme për të siguruar sigurinë e demonstruesve dhe të  publikut në përgjithësi.   Si rrjedhim, Amnesty International u bën thirrje urgjente aktivistëve të saj anë e mbanë botës që të marrin masa në lidhje me gjëndjen e krijuar në Turqi dhe njëkohsisht  i bën thirrje Kryeministrit turk, Erdogan, “që menjëherë t’i japë fund dhunës policore, arrestimeve të dhunëshme dhe arrestimeve pa afat”  të protestuesve, dhe u bëhet thirrje autoriteteve që të ndërmarrin një “hetim të pavarur dhe efektiv në lidhje me dhunën”, dhe të mbajë përgjegjës ata që kanë kryer  dhunë dhe abuzime ndaj protestuesve paqësorë.   Mediat ndërkombëtare njoftojnë nga Stambolla dhe Ankaraja se protestat anti-qeveritare kanë filluar të përhapen anë e mbanë vendit, si një shënjë e moskënaqësisë së protestuesve ndaj asaj që ata konsiderojnë si një politikë autoritare e qeverisë së Kryeminstrit Erdogan,  politikë këjo që, sipas tyre,  kërcënon liritë individuale të qytetarëve, ndërsa  përpiqet  t’i imponojë shoqërisë turke një agjendë politike konservatore me bazë në dogma fetare.   Sipas lajmeve dhe imazheve në televizion, pjesëmarrësit në këto protesta janë kryesisht në moshë të re dhe thuhet se vijnë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë turke, por Kryeminsitri turk i cilëson ata si një pakicë “plaçkitësish” dhe “ekstremistësh”, të cilët po përpiqen t’i imponojnë shumicës vullnetin e tyre dhe njëherazi ngarkon me faj partitë kryesore të opozitës se janë ato që po manipulojnë protestat për qëllime të veta partiake, si dhe akuzoi grupe të pa emër, “të mbrendshme dhe të jashtme”, të cilat sipas tij, duan të dëmtojnë Turqinë.Por siç duket,  Presidenti i Turqisë Abdulah Gul, nuk i shikon këto protesta me të njëjtin këndveshtirm politik si kryeministri Erdogan.   Ai u tregua më i kuptueshëm ndaj kërkesave të protestuesve duke thënë se zhvillimi i protestave paqësore është një e drejtë demokratike dhe shtoi se “demokracia nuk do të thotë vetëm mbajtja e zgjedhjeve”, por sipas presidentit Gul demokracia, “duhet të lejojë edhe shprehjen e lirë dhe të natyrshme të pikëpamjeve të ndryshme, në situata të ndryshme dhe me kundërshtime dhe mendime opozitare të lloj llojshme”.

Reagimi i ashpër ndaj protestave paqësore në Turqi nga qeveria e Kreministrit Erdogan ka shkaktuar shqetësime jo vetëm në radhët zyrtare amerikane, siç vihet në dukje nga komenti i zëdhënses se DASH, por edhe në median amerikane, e cila ka raportuar gjërë e gjatë mbi protestat dhe dhunën e policisë ndaj protestuesve turq në Stambollë.  Gazeta Nju Jork Tajms në një editorial të saj thotë se “Z. Erdogan shpesh ka folur në lidhje me angazhimin e tij për të zhvilluar Turqinë si një vend model demokratik dhe si një fuqi politike dhe ekonomike rajonale……por mos toleranca e tij në rritje e sipër karshi atyre që kundërshtojnë politikat e tija, përpjekjet e tij për të frikësuar median si dhe planet e tija për të ndryshuar kushtetutën, me qëllim për t’i dhënë kompetenca më të mëdha presidencës, detyrë për të cilën ka në plan të kandidojë më 2014, me objektivin për të zgjatur periudhën e pushtetit të tij — janë tepër shqetsuese”,  komenton Nju Jork Tajms dhe përfundon duke thënë se “Megjithëse Z. Erdogan ka fituar në tri zgjedhje…. revolucionet e pranverës arabe kanë treguar se sa shpejtë mund të ndryshojnë fatet politike…..Në këtë moment të rrezikshëm, Z. Erdogan dhe partia e tij duhet të tregojnë angazhimin e tyre serioz në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të drejtës për tu mbledhur dhe për të protestuar, si dhe të deklarojnë zotimin e tyre për të plotësuar nevojat e popullit turk”, përfundon editoriali i gazetës amerikane Nju Jork Tajms, në lidhje me protestat dhe dhunën e përdorur kundër demonstruesve nga policia turke.

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, Turqia ne Tym

Jo Jugosllavia e tretë, Nikolla Gruevski!

June 2, 2013 by dgreca

Populli shqiptar në Maqedoni nuk është rentierë në trojet e veta etnike,prandaj klasa politike shqiptare duhen të ndërrojnë kursin dhe mos të sillen karshi(me ligjet e pashkruara)për gjoja se ata janë pjesë e shtetformimit/

 Nga Skënder Karaçica/

Kah është nisur Maqedonia me kursin politik tashmë të njohur të qeverisë së Nikolla Gruevskit.Është nisur po në atë udhë që ishte dikur në kohën e Jugosllavisë për të cilën ka shumë nostalgji kryeministri dhe qarqet politike maqedonase,që në kohën kur spektri i gjerë politik dhe demokratik europianë në Bruksel po bëjnë krejt të mundurën për të stabilizuar kahet e jetës në Ballkanin Përendimor,kështu e nis reagimin e vet SHSHA-ja në Çikago.
Nismat e reja të politikës nostalgjike në Maqedoni për bashkëpunim të ngusht me Serbinë dhe mbledhja e së hënës në mes të dyja qeverive Ivica Daçiç-Nikolla Gruevski në Beograd,tregon më së miri se deri ku ka shkuar kursi politik me disa skenarë të vjetër të boshtit pansllavist në Ballkan,krejt kjo kundër çështjes shqiptare dhe të kaheve të reja të shtetndërtimit të Kosovës,thonë shqiptaro-amerikanët në Çikago.Tërë vijat politike dhe të strategjisë tash e një shekull në qarqet antishqiptare në Beograd dhe Shkup,kanë qenë sa më shumë për të vënë në kandar ballansimin e çështjes shqiptare në Ballkan dhe për të krijuar problemin kujdestar ,,Populli shqiptar faktor destabilzimi në rajon dhe më gjerë,,për të shkuar edhe me tej për të hutuar rrugën e diplomacisë ndërkombëtare karshi problemit të pazgjidhur shqiptar e të ndarë në pesë shtete.
Dihet se në politikën aktuale në Serbi kanë ardhur garnitura (e gatuar mirë)në kuzhinën nacionaliste dhe antishqiptare të kryekriminelit Sllobodan Millosheviç që me disa tone gjoja,,demokratike,,dhe të njëfarë,,kursi të ri në Serbi,,(!)të udhëhequr nga Nikoliqi,Daçiçi dhe Vuçiçi nuk janë gjë tjetër pos skenarët e vjetër në duart e ultranacionalistëve të shkollës së njohur serbe me ,,babain e kombit,,Dobrica Qosiç!Dhe në këtë rrugë e kanë marrë me vete edhe kryeministrin e Maqdonisë Nikolla Gruevski,i cili tash sa kohë po trumbeton për të hyrë në NATO dhe në BE si ,,komb maqedonas,,me disa konteste historike të kundërshtimit nga ana e Bullgarisë dhe Greqisë,thuhet me tej në reagimin e SHSHA-së.
Takimi i së hënës në mes të dyja qeverive aktuale Serbi-Maqedoni në Beograd,hap dilemën se kah është nisur dhe ku do të ndalet kryeministri Nikolla Gruevski,që tashmë është veshur me kostumin nacionalist të ,,vëllazërve serb,,në Serbi dhe ka harruar se në Maqedoni jetojnë 40 për qind të përberjes kombëtare të popullit shqiptar në trojet e veta etnike.Në udhën e tij kah Beogradi Nikolla Gruevski do shkoj pa shqiptarët dhe kundër interesave të tyre kur dihet fakti se qeveria aktuale nacionaliste serbe është më tërë qenien dhe mekanizmat tjerë shtetëtrorë dhe diplomatik kundër popullit shqiptar dhe të kaheve të reja demokratike të shtetit të ri të Kosovës.Për tërë kolovajzën politike në Maqedoni,subjekti politik shqiptar në kualicion(BDI)duhen të mbajnë qendrim konstant dhe mos të lejojnë të bien pre e provokimeve të bllokut pansllavist të dirigjuara nga dora e Rusisë për të vënë në orët e katrahurave të njihura gjatë hsitorisë Ballkanin e trazuar.Nuk e kemi të njohur marrëveshjen për kualicion në mes Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit,ajo a është e shkruar me dispozitat ligjore apo është e thënë me gojë,,a me pranoni të bashkëqeverisim,,(?!).Përkitazi me këtë duhet të deklarohet subjekti në kualicion Ali Ahmeti dhe të kërkojë qendrimin apo largimin nga ky kualicion,kur me platformën e ,,bashkëpunimit,,në mes të dyja qeverive në këtë nivel të (dofarë)nismave të reja në rajon,nuk tregojnë ditë të mira për stabilizimin e kësaj pjese të rajonit me viktimizimin e çështjes shqiptare.
Ka ardhur koha të themi shtruar,thuhet në këtë reagim të SHSHA-së,se çështja shqiptare në Maqedoni nuk zgjidhur dhe ka mbetur pezull në margjinat e kohës me ligjet e Kushtetutës që vetëm popullin maqedonas e konsideron shtetformues,ndërsa të tjerët si pakicë hiq përshkrimin(kombëtar)të popullit shqiptar që për kah përberja e saj kombëtar tashti përbën 40 përqind të saj.Anashkalimi i mëtejmë i popullit shqiptar shihet edhe përmes buxhetit të këtij vendi.Dihet se Maqedonia ka një buxhet vjetor prej 2 miliardë e 700 milionë euro dhe për investimet në pjesën shqiptare tash sa vjet janë planifikuar 20 përqind e tij që i bjen dukund 200 milionë euro,që këto programe të investimeve kanë mbetur vetëm në letër.Problem në vete këso kohe paraqet edhe çështja e pushetit lokal që nuk dihet sa po zbatohet Konventa Europiane për pushtetin lokal kur dihet se tërë makanizmat e tij janë të bartura në zyrat e qeverisë së Maqedonisë.Prandaj,sot e këtu,vlen të thuhet se për shqiptarët është bërë moto e jetës politike,,Fol çfarë thotë shteti,,!
Në gjithë rrugëtimin e kolovajzës politike në Maqedoni,kujtojmë se subjekti politik në kualicion(BDI)të mendojë të hapë çëshjtjen e të drejtës për avansimin e popullit shqiptar vërtetë si pjesë shtetformues përmes propozimit të ndrshimeve kushtetuese dhe të krijimit të vijat të reja të federalizimit si një nga format më të mira dhe të qendrueshme për të mbajtur gjallë këtë vend,që sipas SHSHA-së në Çikago,ka mbetur në konturat e jetës së brishtë dhe larg standardeve të njohura europiane dhe amerikane për të gjetur vendin në familjen e bashkuar euopiane të BE-së dhe në NATO.Kjo më së miri po e tregon se ka po shkon Maqdonia,në mëngjes me dorën kah Brukseli,ndërkaq në orët e vona sy e vesh me Serbinë dhe Moskën.Dëshriojmë që subjekti politik në kualicion(BDI)mos të bjen në bisht të kolovajzës politike të Nikolla Gruevskit,ndonëse udhën që ka marrë për Beograd le të shkojë pa shqiptarët,thuhet zëshëm nga SHSHA-ja në Çikago.

Filed Under: Komente Tagged With: jo Jugosllavia e trete, Nikolla Gruevski, Skender Karacica

Europa e Lire: Lufta në Siri dhe shqiptarët e Kosovës

June 2, 2013 by dgreca

Deshmia: “ Shkuarja ime në Siri ka qenë e bazuar në aspektin fetar, edhe e kam parë se në Siri është filluar lufta mes sunitëve dhe shiitëve cilët (luftë) e kanë filluar shiitët me alevit”./

 Nga Fatmir Aliu/

“Duke e parë, ndihmesën që i ka ardhur sektit alevit, nga sektet e tyre që janë shiitët, atëherë unë kam vendosur, i frymëzuar nga Kurani dhe Syneti i Pejgamberit S.A.S., të marr rrugën për t’i dalë në ndihmë atij vendi, ku Allahu dhe vetë Pejgamberi S.A.S., e kanë obliguar çdo mysliman që të marrë pjesë në luftë kundër një zullumqari dhe në luftën kundër qafirëve. Kur them qafirit, po flas për gjendjen aktuale në Siri”, nisi rrëfimin për Radion Evropa e Lirë, një shqiptar i Kosovës, që luftoi si vullnetar në Ushtrinë për Çlirimin e Sirisë, për tetë muaj.
Ai thotë të jetë konsultuar për atë që po ndodhte në Siri, ndërsa skenat tronditëse që kishte parë kundër civilëve, e kanë detyrat të marrë rrugën drejt këtij vendi, duke kaluar përmes tri shteteve tjera.
“Unë mendoj se Zoti është i mëshirshëm dhe e kam parë me sytë e mi, se jam nisur nga kjo rrugë, dhe Zoti m’i ka hapur rrugët, sepse kam mbërritur në një vend, ku s’e kam ditur as gjuhën. Ka pasur gjuhë tjetër, këndej kufirit, e gjuhë tjetër andej kufirit”, tregon ai.
Vullnetari nga Kosova thotë të ketë parë shumë kombe duke luftuar në krah me kryengritësit sirianë.
Edhe pse nuk tregon se në cilën zonë luftoi në Siri, thotë se gjatë betejave kishte takuar edhe shqiptarë të tjerë. Dhe, rrëfen ngjarjen për takimin e tij me një tjetër shqiptar…
“Ka qenë shumë prekëse, sepse ai nuk e dinte se unë jam shqiptar. Ai fliste gjuhën angleze shumë rrjedhshëm. Edhe unë derisa e dëgjova duke folur, ku tregonte për vendin e tij, tregonte për një luftë që kishte bërë në Kosovë! Shumë trim! Edhe papritmas po e thërras unë në gjuhën shqipe dhe po i them ‘Hej, o burrë a shqiptar je a?’ E ai filloi të qante”, rrëfen për Radion Evropa e Lirë, në kushte anonimiteti një ish-luftëtar mysliman shqiptar i Kosovës.
“Ka plot të huaj. Plot ka. Kur them ka plot, nga Kosova nuk mund të ceki, sepse nuk e di. Por, nacionalitete të shumta kam parë. Nuk është më e mbyllur, kanë ardhur njerëz nga Gjermania – unë them me nënshtetësi gjermane, por mund të jetë edhe me prejardhje shqiptare – nga Holanda, nga Amerika, nga Britani, nga Turqia, nga Bosnja, Maqedonia, nga të gjitha vendet Arabia Saudite, Katari. Por, mund të themi se ka numër të madh”, shpjegon ai.
Prej fillimit të luftës në Siri, vetëm një shqiptar i Kosovës është raportuar të ketë vdekur në luftimet atje.
Bashkësia Islame e Kosovës, luftën në Siri e sheh si një luftë çlirimtare, e cila ka marrë përmasa globale dhe që po kalon përmes një krize humanitare.
Ahmet Sadriu, që është përgjegjës për media dhe publikime i këtij institucioni, argumenton për Radion Evropa e Lirë, se lufta në Siri nuk ka të bëjë asgjë me luftë fetare.
“Aty është duke u bërë një luftë për ndryshimin e regjimit. Është një regjim totalitar që sundon qe 40 vjet a më shumë. Krejt kjo ka një karakter të asaj [lufte] çlirimtare, e jo fetare. Absolutisht, nuk kemi të bëjmë me luftë fetare, sepse Siria faktikisht është një vend islam, vend mysliman. Ata nuk kanë nevojë të luftojmë për çështje fetare, kur vetë janë myslimanë”, thotë Sadriu për Radion Evropa e Lirë.
Ai krahason luftën atje, me luftën që Kosova e ka bërë, për t’u çliruar prej regjimit serb. E, për ata që shkojnë, apo duan të shkojnë për të luftuar në Siri, bazuar në bindjet fetare, ai thotë të mos ketë dëshirë të përfshihet në një kontekst të tillë.
“Nuk do të isha përzier në bindjet e askujt, sepse ne e kemi shumë të freskët luftën tonë që e kemi zhvilluar këtu në Kosovë, e që na kanë ardhur nga kënde të ndryshme të botës. Është çështje ideali i lirisë. Liria! Dhe, ka ardhur ai, e iu ka bashkangjitur ushtrisë sonë [UÇK-së], vetëm e vetëm, që të na mundësojë, e ndoshta edhe ne ta gëzojmë një liri siç e gëzojnë të tjerët. Këtu automatikisht po të them edhe në rastin konkret, se kemi të bëjmë me ideale, të cilat njerëzit në mënyrën e vet i konceptojnë dhe vendosin se si ata të veprojnë”, theksoi Sadriu.
Hoxhë Fatos Rexhepi, që ka jetuar në Siri, para shpërthimit të luftës atje, kurse tani është një nga drejtuesit e Lëvizjes Islamike “Bashkohu”, shpjegon për Radion Evropa e Lirë, se si regjimi aktual sirian sundon për 40 vjet me, siç thotë, “hekur, me vuajtje, dënime”.
“Kam parë ngjarje, dhe kam qenë përjetues i të gjitha atyre trazirave, luftërave, shpërthimeve që ishin në Damask – ato të mëdhatë. Edhe në qytet janë vrarë njerëz, kur snajperistët nga pikat e larta vrisnin njerëzit, vetëm për të shkaktuar kaos”, tregon Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.
Hoxhë Rexhepi thotë se u gëzohet lajmeve kur dëgjon se ka shqiptarë që kanë shkuar për të luftuar në Siri.
“Më ka gëzuar, sepse shqiptari, që është mysliman po ia kthen atij vendi me të mirë, sepse ka shumë argumente që është vend i shenjtë”, thotë Rexhepi për të shtuar se ndihet krenar me ata që kanë zgjedhur këtë rrugë.
Ndryshe nga ai, mendon kryeimami i Pejës, Enes Goga, të cilit i dhimbsen shqiptarët që shkojnë për shkak të lidhjes fetare të luftojnë në Siri.
“Unë mendoj se ata djem kanë shkuar me motiv të mirë. Neve na dhimbsen, sepse unë kur e pashë në media, se një djalë i ri nga Gostivari ka humbur jetën, edhe pse absolutisht nuk e di se kush është ai, mirëpo na dhimbsen. Tek e fundit, ka qenë zgjedhje e tyre e lirë. Dhe, unë mendoj se nuk duhet ta bëjmë këtë çështje”, tha kryeimami Goga për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, informacione të sakta për numrin e shqiptarëve që janë të angazhuar në Siri nuk ka, të paktën jo zyrtarisht, sikundër që s’ka as për numrin e atyre që mund të jenë vrarë, përveç disa raportimeve në mediat vendore.

Filed Under: Komente Tagged With: Europa e Lire, Lufta ne Siri, Shqiptaret e Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 474
  • 475
  • 476
  • 477
  • 478
  • …
  • 486
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT