• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shpirti i Turmës dhe i Askushmërisë

May 30, 2013 by dgreca

NGA SAIMIR LOLJA/ TORONTO/

Shpirti i Turmës bashkëjeton me njeriun dhe është tipar i historisë njerëzore, sepse njeriu në mënyrë të natyrshme është qenie shoqërore që kërkon përherë të shoqërizohet. Porse njohuria për të, përkujdesja ndaj këtij shpirti dhe mbi të gjitha shfrytëzimi i tij për qëllime të caktuara përbën anën tjetër të medaljes. Çeshtja madhore është se sa i theksuar është shpirti i turmës në shoqëri, sepse njeriu i brymosur me një mendësi të tillë ka në themel të mendjes së tij çiftin Sundimtari dhe Turma. Kjo është çeshtje madhore sepse mendimet dhe ndjenjat janë shfaqje të shpirtit të njeriut dhe janë pikërisht ato që përcaktojnë sjelljen e tij shoqërore, domethënë kufirin ndarës çfar quhet e mirë dhe çfar quhet e keqe. Sjellja dhe puna e njeriut janë dy gjëra të ndryshme por që njëkohësisht plotësojnë e bashkëshoqërojnë njëra tjetrën, ngase në fund të fundit ato bashkëshoqërojnë njeriun. Sjellja shoqërore është ajo që përcakton ngjarjet shoqërore, sepse njeriu bën atë që dëshiron të bëjë.

Njeriu në turmë ka një shpirt të ndrydhur, të pa lirë e të pa larmishëm dhe duke qenë në gjendje të tillë ai kundërvepron duke i lindur dëshira në skutat e shpirtit të tij për ta parë veten në krye të turmës. Shpirti i tij  ngashëron, kredhet përqark, i friksuar mban sytë e veshët hapur te të tjerët, frigon e idhtohet nga e mira e tjetrit, i sheh të tjerët detyrimisht të barabartë me vetveten, sheh në të tjerët aspak ndryshim nga vetvetja ose në rastin më të mirë ndryshime të parëndësishme. Ai ndjehet njësh me “të barabartët e tij” dhe vetpërfytyrohet si përfaqësues i tyre. Ky shpirt i ngujuar në mënyrë natyrale kërkon hapje, liri dhe vet-dallueshmëri. Prandaj ai e anon ndërgjegjen e tij drejt njëshit, drejt unit, drejt vetkuptimit me ndjenja të forta që ky vetnjësh kështu nuk ka vlerë dhe si rrjedhim i mbin dëshira që të duket mbi të tjerët ose, e thënë sipas mendjes së tij, mbi “të barabartët e tij”. Zgjidhja më e lehtë për të është mburrja ose bërja e tjetrit me turp. Ai gjithmonë është në kërkim të rastit për t’u mburrur ose bërë tjetrin me turp, sepse ai ndjehet keq dhe i turpëruar kur nuk mburret apo kur nuk e turpëron tjetrin. Me ligësi, ai gjithmonë është në kërkim të thashethemit për tjetrin, sepse edhe vetë ai është një thashethem. Kështu, njeriu në turmë harxhon pa ndërprerje vëmendje dhe energji e tij për emocione të panevojshme dhe hamendje të papëlqyeshme, për ngacmime nervore të nxituara, për ëndërrime me sy hapur dhe thashetheme të pashtershme.

Njeriu në turmë e ka të pamundur të pranojë se jo çdo gjë është apo i përket çdonjerit dhe jo çdo njeri është për çdo gjë. Një mendësi e tillë nuk arrin të pranojë se veç punës së tij egziston e duhet të egzistojë edhe puna e të tjerëve dhe nuk vozit në mënyrë të atillë që puna e tij të plotësojë punën e të tjerëve ose puna e tij të plotësohet prej të tjerëve. Për një shpirt të tillë i mirë është, domethëne duhet të egzistojë, vetëm guri i tij dhe jo muri i përbashkët. Ai vetëgjykon se është i pazëvëndësueshëm dhe ka edhe raste që ai përpiqet ta prishë murin e përbashkët, sepse ka një shpirt të pabesë me aromë kalbëzimi. Një shpirt i tillë nuk përcjell respekt për të tjerët e midis të tjerëve, biles për të nuk egziston dhe nuk duhet të egzistojë edhe mendimi ndryshe, aq më tepër të kuptojë se kur respektohet mendimi ndryshe edhe bashkimi është më i fortë. E thënë më gjërë, një shpirt i tillë nuk pranon ndryshimin dhe ndryshueshmërinë, domethënë harmoninë, dhe si rrjedhim nuk pranon përparimin, madje e urren atë.

Njeriu në turmë kthehet pa e kuptuar në një narcist. Si i tillë ai kërkon me këmbëngulje në turmë vetëm pasqyrime të vetvetes; të tjerët janë njësoj për të, duhet të jenë kështu ose përndryshe të shndërrohen në të tillë. Pëlqyeshmëria për vetveten duke parë dhe prekur vetveten nga të gjitha anët e në tërë turmën është e pakufijshme. Ndërsa narcistit të lashtësisë i duhej të qëndronte tërë ditën mbi një pellg të vogël me ujë të patrazuar për të parë vetëm vetveten e pasqyruar me qëllim që t’i avullonte kënaqësinë e pëlqyeshmërisë së vetvetes, për narcistin e turmës pasqyra e vetvetes shtrihet në të katër anët e pafundme për sa kohë që egziston turma e tij. Si e tillë kjo pasqyrë e nderë bëhet njëkohësisht mjaft e brishtë, lehtësisht e thyeshme dhe e thërmueshme nga çasti në çast për shkak të madhësisë e shtrirjes së saj. Një kënaqësi e tillë e dhënë nga një pasqyrë e pafundme nuk mund të lëshohet apo të harrohet. Për ta ruajtur këtë gjendje, mjetet e vetme të narcistit të turmes janë: vigjilenca, cmira, urrejtja dhe dhuna ndaj çdo drithërime të sipërfaqes së pasqyrës ujore, ndaj çdo tingulli sadopak të ndryshëm të dëgjuar, ndaj çdo njëshi tjetër në turmë dhe ndaj çdo ndryshimi që shfaq ky njësh. Në mënyrë të veçantë, narcisti i turmës hidhërohet thellë dhe mbushet me dëshpërim e urrejtje kur vëren ndonjë të mirë që i shkon apo i ndodh tjetrit. Për të, njëshat e tjerë në turmë nuk e meritojnë dhe nuk duhet t’iu ndodhin të mira. Ay i përqesh të tjerët kur shprehen e shfaqen ndryshe, i pengon ato të ndryshojnë dhe të përparojnë. Për të, vetëm sundimtari i turmës, idhulli i tij, vetvetja e tij e dëshiruar, meriton të mira, prarim, vezullim e lartësi.

Një shpirt i tillë i jep vlerë vetëm të qënit mundues për të tjerët, i jep vlerë vetes vetëm duke ia ulur vlerën të tjerëve, i jep vlerë vetes duke përdhosur vlerat qytetare, kulturore dhe kombëtare të shoqërisë që i përket. Një shpirt i tillë njeh vetëm lirinë e tij të egërt e të pakufishme. Ay është shpirtërisht pjesmarrës në krimin apo tradhëtinë që sundimtari (Mbinjëshi) i tij kryen. Ai nuk arsyeton për këtë dhe nuk e arsyeton mbinjëshin e tij, sepse ay vetë është sundimtari i ëndërruar pa qenë sundimtar. Ai dallon vetëm të drejta për veten e tij; për të egziston vetëm liria e tij dhe jo e të tjerëve. Biles, kur mbaron ai duhet të mbarojnë edhe të tjerët. Një shpirt i tillë është i pangopur, i pakënaqur, i paqetë dhe rrjedhimisht mizor për të mbajtur gjallë pangopshmërinë e tij. Ai vetmendon se është i pagabueshëm, i pacënueshëm, me të drejta absolute e liri të pakufijshme. Ai nuk mban dhe nuk ndjen përgjegjësi për veten dhe të tjerët; një shpirt i tillë është, bie fjala, një Ali Pashë Tepelenë. Një shpirt i tillë synon që çdo gjë me vlerë të jetë brenda derës së tij, ai dëshiron dhe përpiqet të ndërtojë vetëm ishullin e tij, kullën e tij me frëngji. Atij nuk i intereson ambjenti përreth dhe madje ai e sheh me armiqësi këtë ambjent, sepse atij nuk i interesojnë gjërat e përbashkëta. Një shpirti të tillë i pëlqen të ndërtojë ishullin e tij të thepisur; ai ngazëllehet kur prish urat lidhëse dhe pret telat ndërlidhëse për të ndërtuar garth përrreth vetes së tij. Atij nuk i pëlqen bashkëjetesa paqësore, sepse ai nuk respekton tjetrin dhe pjesën e tjetrit, ai është një fqinj i keq, ai urren dhe i erren sytë për çdo ndryshim të vënë re tek “të barabartët e tij”. Dhe njëkohësisht, ai vrojton se ç’bëjnë të tjerët për të bërë të njëjtën gjë, për të mos ngelur mbrapa emocionalisht.

Njeriu i turmës nuk rri dot pa e parë dhe dëgjuar papushim e kudo figurën e mbinjëshit të tij. Figura e stampuar e mbinjëshit të tij mishëron pasqyrimin e vetetes për njëshin e vocërr dhe si e tillë tek kjo figurë ai gjen kënaqësinë dhe dehjen më të madhe për veten e vet; kjo është ëmbëlsia për shpirtin e tij të idhtuar. Karrikja dhe bëmat e sipërnjëshit i krijojnë njëshit të vocërr një rrymë të atillë jehonash saqë pa atë rrymë as makina njësh nuk punon e as njëshi nuk ndjen vetveten. Njeriu në turmë kthehet në vogëlinë e fëmijërisë e tij kur ëndërronte të ishte i madh, mbinjësh i frikshëm, dhe papërgjegjshmëria fëminore i jepte shijen e kënaqësisë pakufi. Prandaj, besimi i tij shkon andej nga fryn era, andej nga burojnë valët e tingujt që e mbajnë të vogël atë, andej nga shfryn sundimtari i turmës, andej nga është kahu i fuqisë së turmës. Turma kërkon njerëz të vegjël, grimca rëre, që të prodhojë furtunë. Si një vocërrak, ai gjykon vetëm duke thërritur për ndihmë paragjykimet e paharrueshme të vogëlisë. Duke përfytyruar, ai e kthen veten mbrapa në kohë dhe emocionalisht mburret me këtë. Kështu, me dashje e pa dashje, ai e shuan zgjuarsinë e tij, bëhet i paaftë të dallojë dhe kuptojë të vërtetën, e ul veten aq poshtë sa të mos njohë rrotën dhe të mos dijë sa bëjnë 1+1-1; dhe shpejt e shpesh bën keq dhe gabime. Njeriu në turmë e ka të pamundur të kujtojë apo vrojtojë vetveten, e si rrjedhim ai e ka të pamundur të kujtojë apo t’i lidhë veprimet e ndodhitë e shkuara. Kujtesa e njeriut në turmë është e çastit, tepër e shkurtër. Ai kujton vetëm çfar dëshiron në çast të kujtojë ose çfar i shkon për shtat shpresave dhe frikave të tij.

Njeriu në turmë arsyeton mbi bazën e vetarësyes së shtypur të njëshit. Domethënë, ai kërkon njësha për mendjen e tij të ngathët, sepse ai e ka frikë njëshin, mundimtarin e mundshëm të tij, dhe mendon se edhe ai njësh e ka frikë atë për të njëjtën arësye. Ay është një sundimtar i gurosur, sepse vetëm kështu mund të jetë njësh, dhe si i tillë nuk pranon të dallohen njësha të tjerë në turmë. Kur ia dënojnë të këqijat, ai kërkon vetëm njësha, sepse me dashje ose padashje nuk e kupton se pse i sulen. Një shpirti të tillë nuk i intereson bashkëpunimi dhe harmonia, atij i intereson vetëm mbinjëshi që ta sundojë në shpirt. Pavarësisht sa larg është, ai gjithmonë vigjëlon që mbinjëshi, sundimtari i tij me të cilin i mburret vetvetes, të mos cënohet, të mos iki, të jetë i përjetshëm e i paprekshëm, i gurosur, i lartë deri në qiell, sepse vetëm kështu ai mund të ngrejë sytë lart. Urrejtja e bën atë gjithmonë gati të bashkohet me shpirtra të tjerë të tillë për t’iu sulur mizorisht “të barabartëve të tij”, për t’i plaçkitur e përdhosur ato, për t’i tradhëtuar ato, sa herë i del rasti apo dëgjon se mbinjëshi iu kërkon një gjë të tillë. Lëvizja barazitiste (komuniste, e thënë jo shqip) në Shqipëri mori përmasa epidemike gjatë Luftës II Botërorë, sepse njerëzia u josh nëpërmjet thënies “Ngrihuni t’iu biem atyre që janë ndryshe dhe t’iua marrim atë çfar kanë”.

Njeriu në turmë nuk ka forcë shpirtërore dhe gjithnjë bëhet akoma edhe më i pa aftë të pyesë apo të gjykojë vetveten, të shkëputet prej kthetrave të brendshme, të shmangë varësinë nga të tjerët, të mos përjashtojë vetveten, të përdorë ndonjë dritëz kuptimi prej vetvetes, të ketë kureshtje kush është, nga vjen e ku shkon dhe pse. Njeriu në turmë është një askush. Ai mendon sipas modës së turmës, sipas propagandës zyrtare shtetërore apo botërore, dhe përqesh çdo gjë që është ndryshe nga ajo modë. Njeriu në turmë i ngjan një cifle hekuri të cilën vetëm fusha magnetike e mbinjëshit e mban drejt, të ngritur lart. Pa këtë fushë magnetike jetike, ai bie përdhe e shkon me pluhurin. Prandaj njeriu në turmë guroset pas mbinjëshit dhe shndërrohet në fanatik, domethënë ai e ka të pamundur të ndryshojë mendjen dhe përmbajtjen. Një njeri me shpirt të tillë është qenie emocionale, nervore, një tifoz, një spiun, një madhni që përgjërohet për naltmadhninë e tij. Ay qëndron në turmë për shkak të urrejtjes që ka ndaj të tjerëve, ndaj atyre që njeh apo ndaj fqinjit. Mbinjëshi është shpirti i tij, emocioni dhe kënaqësia e tij, sepse prej hyjniut mbinjësh dhe urrejtjes që ai mbjell egziston turma ku mund të bëjë pjesë. Urrejtja dhe pickimi i emocioneve që i shërbejnë kësaj urrejtje janë ato që e mbajnë turmën bashkë, sepse tek mbinjëshi ai gjen urrejtjen e dëshiruar dhe pickimin e nevojshëm të emocioneve. Pa këtë pickim emocionesh njeriu i turmës nuk do ta ndjente vetveten, nuk do ndjehej mirë, dhe do idhtohej duke u rropatur deri sa të gjente një turmë ku helmi i mbinjëshit t’i ëmbëltonte emocionet. Turma e tij është bota e tij, e kuptimtë për të egzistuar, në brigjet e së cilës përplasen botë (turma) të tjera, të huaja dhe armiqësore.

Njerëzit në turmë janë të egër e të dhunshëm. Shpirti i tyre dhunon dhe kërkon të dhunohet. Me fjalë të tjera shpirti i tyre është i skllavëruar. Skllavërimi i është bërë karakter, zakon, kërkesë, dëshirë dhe mënyrë të jetuari. Njeriu në turmë shndërrohet në një skllav me dashje; ai nuk rron dot pa vuajtur. Ai nuk ka nevojë më për zinxhirë që ta mbajnë të tillë, ashtu si fizikisht. Sa më shumë koha kalon, aq më shumë ai e adhuron skllavërinë e tij dhe aq më shumë krenohet me të. Meqenëse ky shpirt nuk pranon e respekton ndryshim tek “të barabartët” e mendjes së tij dhe ndërkohë kërkon të dhunohet, atëhere këtë dhunim e skllavërim e kërkon, e gjen si zgjidhje, dhe e pret vetëm nga sundimtari i pashpirt i turmës. Domethënë, e kërkon këtë nga idhuli i tij, nga i dëshiruari i shpirtit të tij. Meqenëse ky shpirt i egër është i pasjellshëm ndaj “të barabartëve të tij”, meqenëse ky shpirt nuk pranon të renë dhe ndryshimin e harmonishëm tek “të barabartët e tij”, ai ka vetëm një shtysë mendimi: skllavërimin, dhe vetëm një gjuhë veprimi: dhunën. Egërsia i shkakton dhimbje therëse në shpirt kur sheh harmoni në rrethin e “të barabartëve të tij”. Vetëm dhuna e më të fortit, e më mizorit, e më të egrit, e më të poshtrit, e atij që ka të drejtë të dhunojë e përdhosë të tjerët, e sundimtarit të turmës, mund t’ia fashitë dhimbjen e instikteve të egra të tij. Vetëm kjo dhunë madhore, vetëm ky sundimtar turme me të vetmen të drejtë fjale e veprimi, mund t’ia shtypë egërsinë, shkaktaren e dhimbjes, t’ia qetësojë shpirtin e tij dhe t’ia dehë emocionet. Ky shpirt nuk e kupton dhe nuk e kërkon mëvetësinë, ndryshimin në lidhje me të tjerët. Më e shumta që dëshiron ky shpirt është të bëhët një vasal mizor. Edhe kur e shtyjnë në liri të përkufizuar për të gjithë, ai nuk mund të shkëputet nga e kaluara e skllavërimit dhe dhunimit mbi të. Liria për të është dhuna, rasti për të shfryrë egërsinë e emocioneve të tij. Ai po me dhunë kërkon të kthehet në skllavërinë e shkuar, me të njëjtat kushte e mundësisht me të njëjtin sundimtar mizor për turmën. Shpirti i tij qan papushim për egërsinë e sundimtarit të shkuar. Shpirti i tij i idhnuar psherëtin për mungesën e munduesit të tij të egër, humbjen e të cilit e ndjen shumë herë më të madhe se humbjen e vetvetes apo “të barabartëve të tij”. Ai dëshiron gjithmonë që munduesi të ringjallet dhe shpreson në këtë.

Njeriu në turmë shndërrohet në një makinë dhe si e tillë ai nuk e njeh dhe nuk mundet ta njohë vetveten. Ashtu si makina, ai bëhet i papërgjegjshëm për veprimet e tija dhe as dëshiron e as kërkon të dijë apo të kuptojë. Kështu ai shndërrohet në një njeri mekanik me të cilin çdo gjë ndodh. Duke qenë se skllavërimi shoqëror mbështetet mbi frikën, sundimtari i turmës ia ushqen papushim asaj frikën dhe mospëlqyeshmërinë për çdo gjë ndryshe, të re apo të panjohur. Makinat janë të verbëra dhe të pavetëdijshme; ato s’mund të jenë ndryshe dhe veprimet e tyre duhet t’i përgjigjen natyrës së tyre. Njeriu në turmë, njeriu mekanik, i plotëson këto veti të makinës. Si i tillë, ai nuk është njeri i lirë. Që të çlirohet atij i nevojitet së pari të fitojë lirinë e brendshme, të vetëdijshme, të ndërgjegjes dhe mëvetësisë së tij shpirtërore. Përndryshe ai ngec i skllavëruar shpirtërisht sepse ai, para së gjithash, as nuk e njeh dhe as nuk e kupton vetveten e tij. Prandaj njeriu në turmë e humb dhe nuk e kujton vetveten, sepse ai edhe jeton e vepron duke qenë në gjumë të thellë ndonëse me sytë hapur edhe nuk bën përpjekjet e duhura për t’u zgjuar.

Askushmëria është një ndjenjë e skajshme shoqërore që në situatë paniku e fut njeriun në ankth dërrmues dhe e zvetnon. Nën ndrydhjen e skajshme të shpirtit të tij, nën hutimin dhe kotësinë që pëson shpirti i tij, nën zhvleftësimin e historisë në mendjen e tij, i dalldisur nga paarsyeshmëria, fillon të ndriçojë në shpirtin e tij të tymosur një flakë pishe e zbehtë në degëzën e askushmërisë. Askushmëria bëhet për të frymëmarrje, liri dhe shkak veprimi. Ai bëhet kështu një makinë që nuk ka fillim e qëllim rruge, një makinë pa busull, që përpiqet të ngahet dhe po qe e nevojshme mund të marrë një kthesë e të ecë për aq sa i kërkojnë shërbim. Duke harruar me dashje ose pa dashje, ai humb vetveten dhe fshin nga mendja vlerat dhe historinë në origjinën e tij, rrënjët. Ai nuk e dallon më tjetrin. Ndërkohë ai kërkon të mbushet me vlera të reja, por nuk arrin të kuptojë se ato janë të pathemelta tek ai, janë si gjethet të cilat zverdhen dhe nuk dihet se ku i flak era.

Ashtu si natyra nga ku ka lindur, shoqëria njerëzore përmban në vetvete ndryshueshmëri. Domethënë, njerëzit ndryshojnë nga pamja, mendimi, gjatësia, vendlindja, dëshirat, kënaqësitë, aftësitë, dituritë dhe biles brenda një grupi shoqëror (kombi) ka ndryshime në të folurat vendore e në veshje. Përtej kombit, ndryshimet shtohen në tiparet e jashtme, ngjyra e lëkurës, gjuha, etj. Grupet shoqërore (kombet) dhe nëngrupet shoqërore (brenda një kombi) kanë edhe gjëra të ngjashme dhe të përbashkëta, por nuk kanë gjëra të barabarta. Nëse respektohet natyra, duke përfshirë edhe shoqërinë e larmishme njerëzore, atëhere jeta është e paqshme. Në të kundërt, përpjekjet për të krijuar fantazma barazie përbëjnë dhe prodhojnë krime njerëzore dhe natyrore. Në rastin e Shqipërisë zyrtare, për gjysëm shekulli u edukua dhunshëm me qëllim dhe me absolutizëm fantazma e barazitizmit shoqëror dhe ndërkombëtar, aq sa u kërkuan “vëllezër” edhe në xhunglat e Amazonës e tundrat e Azisë. Njerëzit u bashkëmblodhën dhunshëm mendërisht dhe fizikisht. U punua për të krijuar të ashtëquajturin “njeriu i ri”, domethënë askushin e dëshiruar të barabartë e të edukuar me shpirtin e turmës.

Për askushin e mirë është askushmëria dhe e keqe është çdo gjë tjetër e arsyeshme, jo-paemër dhe me formë e përmbajtje të qartë. Askushi nuk di as çfar, pse e kë të emërojë dhe as pse është emëruar; ai pret urdhër nga mbinjëshi për të zbatuar një ligj që është urdhëri vetë. Ai nuk di pse është në një detyrë zyrtare dhe çfar do të thotë ai emërim, çfar pritet e duhet të bëjë, çfar të thotë e çfar të kërkojë. Ai është një vjedhës pune, vendi pune dhe vote. Ai nuk e di ç’është e çfar përfaqson kombi e flamuri kombëtar ose çfar duhet të bëjë për festën kombëtare, çfar flamuri duhet të mbajë, çfar të bëjë që ai flamur të mos jetë thjesht një copë lecke me ngjyra, etj. Ay shndërrohet në spiun, tradhëtar, vjedhës i vetvetes dhe brejtës apo shkatërrues i të tijëve. Askushmëria shpesh e vozit askushin në veprime tradhëtie, sepse për të qenë një njësh dikushi, një sundimtar i përmalluar, ai i hyn rrugës së krimit dhe bashkëpunimit me armiqtë. Ai vetëm keq sheh, uron apo dëshiron, sepse ai vetë është keq dhe të keqen ka si pikë krahasimi. Ai flet për gjëra të parësyeshme e të pakuptueshme dhe biles ai nuk dallon ngjyrimet.

Të menduarit turmor dhe askushmëria të para veçan dhe të veçuara për njeriun e veçuar nuk përbëjnë rrezik për shoqërinë. Por meqenëse shpirti i askushmërisë lind prej shpirtit të turmës dhe ndërthuret mjaft me të, atëhere kur shpirti i turmës dhe i askushëmrisë bëhen tipare shoqërore të përhapura dhe të njëkohshme, atëhëre ai grup shoqëror është në rrezikun e madh të mashtrimit dhe vetshkatërrimit. Rreziku bëhet akoma më i madh dhe pësimi prej tij më i shpejtë kur armiqtë e këtij grupi shoqëror ia njohin atij këtë shpirt dhe përkujdesen t’ia forcojnë pikërisht këto dy tipare shoqërore. Në këtë rast, pasoja është e paqartë për çastin por e qartë pas një periudhe të gjatë kohe. Si rrjedhim, ai grup shoqëror vetshkatërrohet, humbet vlera njerzore, shpirtërore, kulturore dhe materiale, ose në rastin më të mirë vazhdon të përtiqet në kufinjtë e mbijetesës duke ngelur i prapambetur, i vetpenguar në përparim dhe i paqetësuar. Ngulmi i këtyre dy mendësive i mban njeriut ndezur ëndërrën e barazitizmit dhe si rrjedhim ai cënon dhunshëm gjërat që s’i përkasin ose që janë të ndryshme nga ëndërrimi i tij.

Veç shpirtligëve, njerëzit që janë në detyra zyrtare dhe i përmbajnë në vetvete të dy këto mendësi bëhen shumë dëmtues për shoqërinë gjatë marrjes së vendimeve. Biles, ato zhyten në krime dhe tradhëti nga të cilat nuk dalin dot dhe njëkohësisht kujdestarët e tyre nuk i lenë të dalin por i zhytin akoma më shumë. Njerëz të tillë bëhen kukulla qeverisëse dhe nga veprimet apo goja e tyre mund të dëgjohen gjërat më të paarësyeshme. Me njerëz të tillë në pozita shtetërore, veprimtaria armiqsore e huaj, sidomos ajo e fshehta, ka fushë të lirë veprimi dhe pasoja të dhimshme për vendin. Historia shqiptare vazhdon ta japë këtë mësim. Ato njerëz që thonë se nuk ka armik, ose e thonë këtë nga mungesa e zgjuarsisë së tyre, ose e thonë këtë nga vetvetja për shkaqe emocionale dhe qëllime të ngushta vetjake apo përfitimi, ose iu është thënë nga armiqtë ta thonë këtë gjë (duke e ditur ose duke mos e kuptuar këtë); ose shtyhen ta thonë këtë jo nga një shkak i  përmendur më sipër. Shteti i Shqipërisë zyrtare u shpartallua në fillim të vitit 1997 pikërisht prej humbjes së armikut (askushmërisë) dhe veprimit të frymëzuar nga mendësia e turmës.

Të dyja këto mendësi ushqejnë njëra-tjetrën dhe përcaktojnë sjelljen shoqërore të njeriut, e cila do të thotë para së gjithash si sillet njeriu ndaj shoqërisë dhe çfar ka bërë për të. Egzistenca dhe nxitja e tyre nga ato që i duan të keqen shqiptarëve i rrisin mjaft pasojat negative mbi shoqërinë shqiptare, qetësimin, bashkimin dhe përparimin e saj. Ndikimi negativ në shoqëri i të dyja mendësive zvoglohet nëpërmjet ndriçimit të shpirtit me vlera dhe mendjes me ide, shkollimit matematik dhe shkencor, edukimit të njeriut si e pse të përdorë arësyen, edukimit kombëtar dhe atij bashkësor. Të gjitha këto kanë qëllim përparimin dhe përkufizimin e mirësjelljes shoqërore ndaj vetvetes, të tjerëve dhe ambjentit në rrugën drejt një shoqërie të udhërrëfyer prej arësyes dhe urtësisë, domethënë drejt një shoqërie që i përket e vërteta dhe që e sheh atë nëpërmjet arësyes. Pra çeshtja shtrohet: të dihen të metat e mendësisë shoqërore dhe të kundërveprohet butësisht për largimin e tyre, apo të mos dihen por t’i dijnë armiqtë dhe të veprohet egërsisht për thellimin e tyre. Meqenëse përmirësimi paraprak fillon tek vetë njeriu, fillimi i largimit të këtyre dy mendësive në çdo rast është shumë i thjeshtë: njeriu nevojitet të mos mendojë e të mos flasë me NE. Kështu ai do të fillojë të zgjohet, të kujtojë vetveten, të shkuarën e rrjedhimisht të ardhmen, dhe do të fillojë të egzistojë sepse do të fillojë të mendojë.

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: koment, Saimir Lolja, shpirti i turmes

Gazeta “The Daily Caller” zbardh të vertetat e fotografisë të Ramës me Obamën

May 30, 2013 by dgreca

Nga BEQIR SINA, New York/

Kjo foto që kreu i socialistëve Rama e publikoi në hapjen e fushatës elektorale mund te kete kushtuar 80 mije dollare.Lajmi publikohet nga gazeta amerikane “The daily callers” në faqen e saj online. Sipas gazetës fotografia mendohet se është bërë në një darkë për mbledhje fondesh në 8 tetor 2012 në San Francisko.

http://dailycaller.com/2013/05/29/albanian-socialist-leader-showing-off-fundraiser-photo-with-obama/

NEW YORK : Një foto e veçantë është shfaqur më 24 Maj 2013, në   Tiranë gjatë prezantimit të kandidatëve të PS-së në qarkun e Tiranës,   foto e cila ka kaluar interesin e saj deri këtu në SHBA, nga ku e ka dhe   origjinën e saj. Në atë foto shfaqet kreu i socialistëve të Shqipërisë,    Edi Rama i cili është takuar me presidentin amerikan Barack Obama, një   foto kjo që sipas Edi Ramës është realizuar në tetor të vitit 2012 nga   fotografi i Shtëpisë së Bardhë, Pete Souza(çka nuk është aspak e vërtet mbasi   fotoja nuk është zyrtare).

Fakti që Edi Rama nuk ishte në takim me Obamën   në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, por ishte në San   Francisko, gjatë një darkë në fushatën më të madhe të mbledhjes së   parave, në zgjedhjet presidenciale 2012, kur Obama u shpall sërish   president i SHBA-ve për një mandat të dytë, ka ngjallur shumë dyshime për   mënyrën sesi po e përdor fotografinë me Presidentin Obama kreu i socialistëve   Edi Rama. Duke e bërë këtë fotografi si pjesë e fushatës së tij..

Paraqitja e kësaj fotografie  pas gati tetë muajsh, në një prezantimin   e kandidatëve për Tiranën dhe hapjen zyrtarisht të fushatës së PS-së, ku për   herë të parë u bë publike dhe fotoja e takimit të tetorit 2012, ka zbuluar   shumë të feshta që qëndrojnë pas asaj fotografie, private.

Gazeta Amerikane “The Daliy Caller”shkruan se : Takimi ishte realizuar   nga stafi i ngushtë i Obamës kur ai ishte në San Francisko në një nga   mitingjet e radhës presidenciale për mandatin e dytë, dhe një shqiptaro –   amerikan ka sponsoriziar këtë takim që mendohet të ketë kushtuar jo pak por 80   mijë dollarë.

Shkrimin   e saj gazeta Amerikane e ka titulluar :”Presidenti Obama takohet me   politikanin shqiptar Socialiste në San Francisko.”

Ndërsa   më tej ajo shkruan se :”Rama një muaj para zgjedhjeve të përgjithëshme ne   Shqipëri, ka postuar një fotografi të vetes me Obamën në Facebook faqen e tij   më 24 Maj. Foto tani   është sfond kryesor për Facebook faqen e Ramës,” shkruan gazeta Amerikane “The   Daliy Caller”.
Gazeta   ka pikasur në këtë fotografi një zyrtare të fushatës Obama 2012, e cila është   Julianna Smut, zëvendëse menaxhere për fushatën 2012 së Obamës Partisë   Demokratike, e cila shfaqet në sfondin e fushatës më të madhe, në   fotografinë e Obamës me Ramën e vendosur tashëmë në Facebook.

Gjithmonë,   sipas gazetës Amerikane “The Daliy Caller” :”Fotografia besohet të ketë qenë   marrë në një ngjarje për mbledhjen e fondeve San Franciskos në natën e 8 tetor   2012, ku si ka njoftuar shtabi elektoral i Obamës atëhere ka kushtuar 80   dollar për çdo person..
Rama   besohet të ketë marrë pjesë në këtë mbrëmje tipike Amerikane për mbledhje   fondesh si e ftuara e një banori shqiptar të New Jersey quajtur Bilal Shehu, i   cili vetë kontribuoi me 70.000dollar për fitoren Obamas – shih” Fondi   Obama 2012 më 28 shtator, 2012″. Shehu   është i listuar si bashkë-pronar i një kompanie të vogël limuzinë në   Hawthorne, New Jersey, e cila nuk mund të arrihet menjëherë për koment,.   Shehu,   i cili ka qenë i fotografuar disa herë me Ramën, sipas Facebook-ut të Edi   Ramës dhe në faqen e tij, kurrë nuk i kishte dhuruar këto para për një   fushatë politike amerikane, më parë sipas të dhënave FEC – as kur Aida   gruaja e tij, që kanë kontribuar 10.000 për për Fushatën e Fondit:    “Obama Victory 2012.”
Më   9 tetor 2012, menjëherë pas takimit të tij të përfolur “miqësorë” me   Obamën, Rama në rrjetin social tweeted në gjuhën shqipe, shkruajti me mburrje   ” Nje  TAKIM I paharrueshem me mua dhe Presidentin Obama!   Fat   ! Ndërsa miqt shqiptarë të Ramës shkruanin poshtë kësaj diçiture   ;”Një nder per ne shqiptaret nga Ky Mik i Madh në Shtëpinë e Bardhë   “.
Në   rrejtin social Tweeter të Edi Ramës, ai vetë e ka përkthyer në anglisht,   këtë sentencë që do të thotë, ““At the end, an unforgettable meeting with President Obama! Fate and honor   that Albanians have such a great friend in the White   House.””
Gazeta   Amerikane “The Daliy Caller” shkruan se :”  Shtetet e Bashkuara   “përdorën influencën e tyre për të mbajtur peshën e tyre në Shqipëri” kjo   ndodhi sidomos muajin e kaluar në një përpjekje për t’i dhënë fund një   bllokimi – rrethues të opozitës rikonstituimit të komisionit   zgjedhor të vendit përpara zgjedhjeve të   qershorit.
“Telefonuesi i Përditëshëm – The Daliy   Caller”  është një gazetë me lajme, opinione,   kolumna dhe analiza . Ajo ka një website me bazë në   Washington, DC, Shtetet e   Bashkuara, me një fokus mbi raportimin origjinale, në thellësihetimet, komentet   politike dhe lajme nga   Washingtoni.. Themeluar nga një politikan liberal konservatoreTucker Carlson Pundit dhe Neil Patel,   një ish-këshilltar i ish-Zëvendëspresidentin Dik   Çeni, filloi te dalë në   publik më 11 janar, 2010. Në fund të vitit 2012, sipas sondazheve u tha se faqja e saj kishte katërfishuar pikëpamjen e sa me një audiencë   të përgjithshme dhe ishte   bërë organ mediatik fitimprurës.

Filed Under: Komente Tagged With: Edi rama me Obamen, Gazeta amerikane, per fotografine, The Daily Caller, zbradh te verteten

SOLIDARËSIA SERBO-MAQEDONASE KUNDËR SHQIPTARËVE

May 29, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli*/

Në fund të kësaj jave në Ohër të Maqedonisë po mbahet mbledhja 16-të e nivelit të lartë e kryetarëve të Shteteve të Procesit të Bashkpunimit të Evropës Jug-lindore (SEECP). Konferenca me titull, “Solidarësi në Akcion” thuhet se do të trajtojë zgjidhje të përbashkëta rajonale, por me rëndësi globale. Misjon i madh ky që ka marrë përsipër këjo konferencë për rajonin, por pa pjesmarrjen e një pjese të rajonit të rëndësishme të rajonit, pa pjesëmarrjen e Shqiptarëve.

Presidenti maqedon Ivanov, si organizues i radhës i këtij takimi, ka refuzuar të ftojë në këtë takim Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me justifikimin se  po të bënte një gjë të tillë, disa shtete të rajonit nuk do të merrnin pjesë në takimin e organizuar nga ai.  Reagimet ndaj përjashtimit të përfaqësimit të shtetit të Kosovës, në personin e Presidentes Jahjaga, ishin të shpejta nga Tirana zyrtare dhe nga diaspora në Amerikë.

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA/NAAC) reagoi ashpër ndaj vendimit të Shkupit për të mos ftuar Prishtinën zyrtare në mbledhjen e nivelit të lartë në Ohër.  KKSHA dënoi ashpër vendimin e presidentit Ivanov si dhe prapaskenat e presioneve të qeverive së Serbisë dhe të Bosnjës për të mos ftuar Kosovën në këtë takim rajonal, dhe njëkohësisht dënon fuqishëm edhe autoritetet maqedonase që u përkulën para këtij presioni.  KKSHA, me të drejtë nënvijon faktin se ky qendrim i Serbisë është në kundërshtim të plotë dhe njëherazi shkelë  edhe marrëveshjen e fundit midis Beogradit dhe Prishtinës, ku Serbia angazhohet se nuk do të bllokojë procesin e integrimit evropian  të Kosovës.  KKSHA, organizata lobiste shqiptaro-amerikane me qëndër në Uashington — e cila promovon të drejtat dhe interesat shqiptare si dhe paqën dhe zhvillimin ekonomik në Ballkan — kritikon udhëheqsin maqedon, Ivanov duke thënë se “ai humbi një rast të volitshëm për të treguar vendosmërinë e tij si udhëheqës, dhe për të venë në dukje frymën e bashkpunimit rajonal si dhe angazhimin e tij ndaj vlerave europiane.”  Organizata shqiptaro-amerikane, në reagimin e saj, thekson se nëqoftse SEECP, si organizatë do të ketë ndonjë rëndësi ose efekt të dukshëm për zhvillimet pozitive në rajon, ajo duhet të zbatojë parimin se “kur një vend përjashtohet nga pjesmarrja në konferencat e saj, atëherë të gjitha vendet janë të përjashtuara.”

KKSHA mirëpriti gjithashtu edhe vendimin e Shqipërisë për të mos marrë pjesë në mbledhjen e nivelit të lartë në Ohër, pa pjesëmarrjen e përfqsuesve zyrtarë të Kosovës.

Në një deklaratë në portalin e Presidencës shqiptare thuhet se Presidenti i Republikës së Shqipërisë nuk do të marrë pjesë në takimin e Ohrit të organizatës SEECP.   Ndër të tjera udhëheqsi shqiptar thotë se orgnaizata SEECP, “duhet të mbetet forumi qendror dhe një nismë unike, bazuar në vullnetin e vetë vendeve të rajonit. Ai duhet të jetë institucioni gjithëpërfshirës, ku të gjithë vendet e rajonit të jenë të pranishme dhe të unifikojnë qëndrimet e tyre për problemet e përbashkëta në procesin e zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane. Jo izolimi dhe përjashtimi, por bashkëpunimi dhe integrimi janë kushtet për suksesin e plotë të misionit të tij”, thotë presidenti Nishani në sqarimin e tij për mos marrë pjesë në mbledhjen rajonale të Ohrit, pa pjesmarrjen e Kosovës.  Presidenti Nishani, pasi shpreh keqardhjen për “thyerjen e atmosferës së mirëbesimit dhe të respektit reciprok”, njofton se ai nuk do të shkojë në Ohër duke theksuar, “zhgënjimin (e tij) lidhur me kushtëzimin destruktiv që i bëhet pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të vendeve të rajonit në Samitin e Ohrit”, përfundon udhëheqsi shqiptar,  duke shpjeguar arsyen e refuzimit për të marrë pjesë në takimin e SEECP-it në Ohër.

Edhe Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Z. Jozefina Topalli njoftoi mos pjesmarrjen e saj në takimin e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të procesit të Bashkpunimit në Evropën Juglindore, në kuadër të takimeve të SEECP-it, “në shënjë proteste dhe pakënaqësie për shkak të mosftesës së Prishtinës në takimin e nivelit të lartë të bashkpunimit rajonal.”

Duke refuzuar pjesëmarrjen e Kosovës në mbledhjen e Ohrit, këjo konferencë e organizuar nga maqedonët, do të ishte më mirë të kishte titullin, “Solidarësia serbo-maqedonase kundër Shqiptarëve”, në vend të titullit, “Solidarësia në Veprim” (“Solidarity in Action”).  Fjala është Solidarësia kundër kujt?  Hipokrizia e mosftesës së Prishtinës nga ana e Shkupit, nën presionet e Serbisë dhe të Bosnje Hercegovinës, qendron në faktin se SEECP u themelua në vitin 1966, me qëllim për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënjesh së fqinjësisë së mirë, të stabilitetit dhe paqës në rajon. Shkupi e ka dijtur mirë se pa pjesmarrjen e Prishtinës, as Tirana nuk kishte si të merrte pjesë.  Por maqedonëve u ka interesuar më shumë pjesëmarrja e Serbisë se sa prania e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare në Ohër.   Ka kaluar koha kur Shqipëria dhe Shqiptarët injoroheshin. Mund të mbahen konferenca, madje edhe të nivelit të lartë, si kjo në Ohër, por ato janë humbje kohe sepse pa  pjesëmarrjen e shqiptarëve nuk as paqë as stabilitet rajonal, dhe as përmërsim të fqinjësisë së mirë midis popujve të Ballkanit.   Duan e s’duan fqinjët e Shqiptarëve, është mirë dhe në interesin e të gjithëve që tanimë të të njohin realitetin në Ballkan. Shqiptarët kanë qenë dhe janë aty, që sipas At Gjergj Fishtës, aty ku, “Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore….ky popull ashtë bash ai popull i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë.   I vjetër sa fosilet, sa stalaktikat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuash prej vetë rranjëve të vjetra, ai ashtë sot zot autokton i pakundërshtueshëm i tokave të veta.” (At Gjergj Fishta në Konferencën e Paqës, 1919).

Mos të tradhëtohen organizuesit e mbledhjes së Ohrit dhe përkrahsit e tyre në Beograd se pa pa pjesëmarrjen e Shqiptarëve,  nuk do të realizohen objektivat bazë të organizatës SEECP-it, për marrëdhënje të mira fqinjësore dhe transformim të rajonit të Ballkanit në një zonë paqeje dhe stabiliteti – që është një dëshirë e madhe e Shqiptaëve.

*Frank Shkreli, ish-Drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, kunder shqiptareve, serbo-maqedonas, solidaritet

Historia shqiptare ngjanë si një film, ku sekuencat kryesore janë prerë…

May 29, 2013 by dgreca

Libri Dr. Lavdosh Ahmetajt: “Shqipëria  – Konferenca e Paqes në Paris dhe delegacionet shqiptare – (1918 – 1921)”, një libër me shumë dritare, nga mund të shohësh historinë e vërtetë në këndvështrime të ndryshme, por që shpesh piqen në një pikë…

Shkruan: Zyba Hysen Hysa/

Historia e Shqipërisë këto 100 vitet e fundit ngjanë me një film, ku sekuencat më të rëndësishme janë prerë, personazhet kryesorë janë vrarë, ose detyruar të emigrojnë dhe kaq… filmi vazhdon pa këto personazhe, sikur të mos kishin ekzistuar fare dhe si kërpudhat pas shiut dalin në skenë personazhe të padëgjuar dhe historia, herë nuk kuptohet, herë del me dy histori, ku në një anë ka patriotë e në anën tjetër ka tradhtarë… Nuk e di, mbase gaboj, por nuk i vura vulën, një mendim… thjesht një mendim që më lindi pasi studiove librin e Dr. Lavdosh Ahmetajt “Shqipëria” – Konferenca e Paqes në Paris dhe Delegacionet Shqiptare – (1918 – 1921)

Unë pata fatin të kem në dorë një libër me shumë dritare, ku munda të shoh historinë e vërtetë në këndvështrime të ndryshme, por që shpesh takoheshin në një pikë, gjatë viteve 1019 – 1921, periudhë nga më të rëndat dhe më të trazuara që ka pasur vendi ynë. Autori, përmes hulumtimeve të ndryshme, bëri që të futesha në rrjedhën e librit me dëshirë për të mësuar gjëra që na ishin mohuar, apo na ishin paraqitur nga historia të cunguara, e pse doja të përpija librin, nuk rendja dot, ai të mbërthente dhe herë pas here, qëndroje në meditim dhe kurrsesi nuk mbeteshe pa marrë në shpirt dhembjet e plagëve të Atdheut, plagë që nuk janë mbyllur ende…

Të lexosh këtë libër, është sikur të rikthehesh gjallërisht në atë periudhë historike dhe ajo që më ka ndodhur mua (besoj kujtdo që e lexon do t’i ndodhë), kërkon të kapesh pas fakteve të vërteta, t’i lidhësh ato me fijet e dukshme dhe të padukshme të kohës e të dalësh në përfundime sa tragjike për atë kohë, po aq aktuale për periudhën në të cilën kalon vendi ynë, apo gjithë kombi ynë shqiptar, saqë shpesh mendon: “Ato ngjarje kanë ndodhur dikur, apo po ndodhin sot?”

Ajo që bie në sy në këtë libër, ishte se në një kohë që patriotët shqiptarë, vazhdues të platformës së Ismail Qemalit, bënin përpjekje të jashtëzakonshme për të bashkuar trojet Etnike Shqiptare, shtetet e Mëdha Evropiane bënin plane për ta zhdukur nga harta edhe atë Shqipëri të vogël, që u la nga gllabërimi i 1913, pra shtrohej problem i ngutshëm; nëse do të mbijetonte Shqipëria e viteve 1913, apo do të ribëhej copëtimi i saj mes shteteve tjera si Italia, Greqia, Serbia, Mali i Zi?? Dhe, duke qenë kjo një shqetësim i jashtëzakonshëm, një shqetësim, ku shkaktar ishin fuqitë e mëdha të Evropës, herë – herë edhe të Amerikës, kjo mendoj, ishte e qëllimshme, që patriot shqiptarë të hiqnin dorë nga Shqipëria natyrale, pra nga bashkimi i trojeve etnike, mbi bazën e etnisë, jo të fesë, se rrezikohej heqja fare nga harta e Botës.

Shpesh ndaloja dhe konsultohesha me faktet dhe doja të nxirrja një përfundim, se pse na ndodhte një gjë e tillë? Ku kishim gabuar ne shqiptarët? Pse Evropa nuk na përfillte e vazhdon të mos na përfillë? Dhe si përfundim: Si do jetë fati i kombit tonë?

Në veprimet e hershme dhe të tashme, shtetet e Mëdha të Evropës, sillen me shqiptarët, ashtu si u soll Enver Hoxha (dorë patën përsëri shtetet e Evropës) pas Marrëveshjes së Mukjes me intelektualët dhe patriotët shqiptarë. Dhe dihet që arsyeja kryesore ishte të linin popullin pa kokë, ta sundonin popullin lehtë. Po kështu vepron Evropa me Shqipërinë dhe shqiptarët, për ta lënë Evropën pa kokë, që ta sundojë më mirë, se shqiptarët që ata i shajnë aq shumë, si “të pa aftë për qeverisje”, por historikisht shumë shqiptarë kanë qeverisur mrekullisht edhe nëpër qeveri të shteteve të përparuara të botës, na quajnë “të pazhvilluar”, ku shqiptarët janë dalluar në të gjitha fushat më të përparuara të shoqërisë njerëzore, na quajnë deri “me bisht”, në një kohë që shqiptarët janë përshtatur mrekullisht edhe në shtetet më të zhvilluara të botës e japin ndihmesën e tyre në përparimin e atyre vendeve (“me bisht” janë akoma diplomatët evropianë që ndërtojnë politikat e tyre, mbi bazën e veprimeve primitive të Serbisë, pushtojnë me grumbuj dheu të vendosura në veri të Kosovës), na shajnë që “s’’kemi histori”, ku historia jonë është më e lavdishme se historitë e tyre, se lufta dhe përpjekja jonë shekullore nuk ka qenë pushtuese si e tyre, por vetëmbrojtëse dhe shpesh mbrojtëse edhe për shtete tjera… pra e them me plot gojën, që veprimet antishqiptare, janë njëkohësisht antieuropiane, antinjerëzore dhe kundër qetësisë dhe paqes në Ballkan, Evropë e më gjerë.

Shtetet e mëdha të Evropës nuk lozin vetëm me ne, ato vetëm “kompozojnë melodinë” dhe në këtë valle të rrezikshme përfshihen shumë shtete, gjoja që ajo i mbron, apo u jep ndonjë kafshatë nga Shqipëria (se di që shqiptarët janë të matur, por vetë Evropa i con në katastrofa e gjakderdhje), por në këtë mënyrë ajo i mban nën diktat dhe i shfrytëzon më mirë, pra jep një dhe merr pesë, por në krye të kësaj valleje, jemi ne, shqiptarët që na qëllojnë pa mëshirë, nuk na kanë dhënë mundësi të ngremë kokën dhe të kërcejmë vallen tonë, vallen e zhvillimit shqiptar.

Ekzistenca e mendimeve dhe ideve të ndryshme për probleme të ndryshme të zhvillimit shoqëror ka pasur, ka dhe do të ketë, se vetëm përmes kësaj përplasje të mendimeve dhe ideve, vetë koha nxjerr më të mirën e mundshme për t’u realizuar, por të fabrikosh mendime dhe ide nga më të shumtat dhe të shumëllojshme për një çështje që kërkon zgjidhje jo duke shpalosur ide, por duke bashkëpunuar për ta realizuar idenë madhore që ka udhëhequr e po udhëheq edhe sot Bashkimi i Trojeve Etnike Shqiptare. Kur një komb nuk është bashkuar, nuk ka si zhvillohet, kur një komb nuk është i bashkuar, nuk ka pse dalin 100 ide që kundërshtojnë njëra – tjetrën, gjoja se përshtaten me kushtet historike që kalon vendi ynë.

Evropa dhe mbarë bota, akoma udhëhiqet me mendësitë e para 100 vjetëve për çështjen shqiptare dhe kjo për arsye se ne shqiptarët nuk bëjmë propagandë me të huajt, por grindemi me njëri – tjetrin dhe kjo ka sjellë si pasojë mosmarrëveshje deri në vëllavrasje. Në librin e Ilir ikonomit “Pavarësia –  Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit”, me të drejtë thuhet se në atë kohë ishte më e lehtë të merresh vesh me të huajt, sesa shqiptarët me njëri – tjetrin(Kjo sepse të huajt paguanin para marramendëse për këtë përçarje). E njëjta gjë ndodh edhe sot. Ku ishim, ku jemi dhe ku do të shkojmë kështu? Ky hendek midis shqiptarësh e ka origjinën të hershme, por për fatin tonë të keq, ai vazhdon të thellohet me dorën tonë, por me projektin e të huajve, aq shumë, saqë edhe kur kemi interesa te njëjta, bëhemi kundërshtarë. Edhe sikur të jemi në grindje me njëri  – tjetrin e të hyje një shqiptarë për t’i ndarë, apo pajtuar, kurrsesi nuk pranojnë, po erdhi një i huaj, nuk ka nevojë që të diskutohet gjatë, por një fjalë thonë dhe “mbaron” konflikti mes nesh, por përherë mbaron duke fituar i huaji. Në librin Adem Demacit “Libër për Vetmohimin” autori e ironizon këtë sjellje mes shqiptarësh duke na dhënë disa burra që rriheshin me njëri – tjetrin dhe shkojnë komshinjtë për t’i ndarë “Mosni bre bura! Ndaluni vëllezër!” por asnjë nuk i dëgjonte, veç vazhdonin grindjen. Më pas vjen një kalimtar dhe kur i shikon gjithë gjak thirri në serbisht: “Stani!” dhe u tundi gishtin, por që të mos e njihnin që ishte shqiptar ikte, por gishtin e tundte me kërcënim… dhe ata ndaluan në çast.

E thashë këtë më shumë për të bindur veten, por edhe lexuesin, se ne, shqiptarët me atë drejtësinë dhe bujarinë tonë që e kemi në gjak, kalojmë shpesh herë në naivë, nuk i kuptojmë qëllimet e tjerëve, nuk kuptojmë dhelpërinë e diplomacisë së shteteve të mëdha, që flasin me gjuhën e mashtrimit dhe, kur e shikojnë që të bënë për vete, të joshin me para dhe po u shite, nuk e ke më veten në dorë, je bërë vegël e para dhënësit e kështu, të huajt e kanë fituar betejën, pa qenë prezent, se ne, shqiptarët luftojmë me njëri – tjetrin.

Autori i shkoqit ngjarjet deri në transparente dhe portretet e figurave të asaj kohe, dalin si në dritë të diellit. Nuk dua të them se Esadi ishte tradhtar, apo patriot, se po t’i vësh në peshorë, si qeveria e Esad Pashës dhe ajo e Durrësit, me Turhan Pashën, apo të Qeverisë së Përkohshme të Sulejman Delvinës, këto ishin qeveri që financoheshin nga të huajt; njëra nga Serbia, Franca dhe Greqia, ndërsa tjetra nga Italia dhe dihet, këto qeveri do të mbështetnin pikëpamjet e pronarëve të tyre. “Kështu në gazetën “Albania”, më 27 shkurt 1919, nr. 46, faqe 1, Gramenua tërhiqte vëmendjen lidhur me qëndrimin që kishte ndaj Turhan Pashës. “Telegrafi na lajmëroji që edhe Turhan Pasha u prit në Këshillin e Lartë të Paqes që të tregojë se cilat janë kërkimet mbi të drejtat e Shqipërisë. Shqiptarët mund të gëzohen për këtë punë, por neve aspak nuk gëzohemi, se këta njerëz janë vegla huaja dhe nuk mund të flasin siç e do interesi i Shqipërisë, po qysh t’i urdhërojnë të zotët e tyre, në të cilët u shtinë”. (faqe195)

Pak rëndësi ka se cila ishte “pro” Shqipërisë, për një Shqipëri të “pavarur”, ndaj se si e kanë emrin këto qeveri nuk pritet ta them unë, historia e ka treguar tashmë dhe autori nuk ka lënë hije fare për këtë problem,  por unë dua të ndalem pak në delegacionin e Partisë Politike të shqiptarëve të Amerikës, delegat i së cilës ishte caktuar Ismail Qemali, por do dëshiroja që kjo figurë madhore e popullit shqiptar, si ndër kryesoret që mbështeste bashkimin e trojeve etnike shqiptare, qëllim që kishte dhe ky delegacion në Konferencën e Paqes në Paris, të ishte trajtuar më gjerë, pavarësisht se ai nuk arriti të merrte pjesë, se u helmua. Unë nuk i bëj kritikë librit të Dr. Lavosh Ahmetajt, se qëllimin e tematikës së tij ai ia ka arritur, por në përfundim të këtij studimi, vetvetiu lind pyetja: Si nuk u shqetësua një historian shqiptar për të hedhur dritë në vdekjen tragjike të njeriu më të madh që ka pasur kombi ynë shqiptar, pas Skënderbeut? Unë nuk marr përsipër të bëj rolin e hetuesit, apo të historianes, megjithëse po të më krijohej mundësia financiare, nuk do lija skutë të botës pa gërmuar dhe pa gjetur shkakun e helmimit të babait të kombit tonë, Ismail Qemalit, por me kaq sa kam lexuar në histori, në librin e Ilir Ikonomit dhe tashme në librin e Dr. Lavdosh Ahmetajt, aludoj se vrasja e Ismail Qemalit (helmimi) ka qenë kushti kryesor që Esad Toptani të merrte pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, si i vetmi personalitet shqiptar me aftësi të rralla diplomatike dhe që ishte i përlyer me shtetet në të cilën pretendonin territoret shqiptare. Unë mendoj se libri i Dr. Lavdosh Ahmetajt, pa i thënë këto fjalë që thashë e ka vërtetuar katërçipërisht mosmarrëveshjen e shqiptarëve, se nuk kishte pse në Konferencën e Paqes në Paris të shkonin disa delegacione për të përfaqësuar Shqipërinë, ky qëndrim i shqiptarëve, ishte zgjidhja e Konferencës, megjithëse Konferenca u tregua “bujare” që ruajti kufijtë e 1913 – ës.

“Në një letër që Ismail Qemali i kishte dërguar Mihal Gramenos në ShBA, i tërhiqte vëmendjen se çasti që po kalonte Shqipëria ishte shumë kritik, prandaj duhej veprim energjik dhe i shpejtë. Kauza kombëtare do të pësonte dëme të mëdha, nëse shqiptarët nuk do të kryenin detyrat e tyre si shërbyes të Atdheut…. Ismail Qemali nga Madriti, në fillim të tetorit 1918, tërhiqte vëmendjen se “Detyra jonë imperative (urdhëronjëse) është sot t’i vihemi punës pa mëri dhe pa përtim për të nënë themelitë e të drejtave tona politike dhe për t’i vulosur me vulën e Konferencës së Paqes” … nga Shqipëria të zgjidheshin gjashtë delegatë që të bashkoheshin me delegatët e Amerikës, “të nënë në Paris për t’i propozuar Konferencës kërkesat dhe të drejtat e Shqipërisë”. Ai ishte i mendimit që këta delegatë të kishin në krye një kryetar dhe tre sekretarë dhe të gjendeshin në kohë në Konferencën e Paqes dhe të ishin të “prikosur me dituri për çështjen kombëtare për të bërë propagandë” (faqe 141)

Ku do ishim ne sot po të mos ishte vrarë Ismail Qemali dhe po të ishte realizuar platforma e tij politike për çështjen kombëtare, se ai ka qenë personalitet që mbronte me ndershmëri këtë çështje, ai kurrë nuk mund të bënte tregti me fatet e kombit, siç bënte Esad Toptani, apo “Toptanët” që na kanë sunduar më pas.

Po të meditojmë fare pak, na shkon në mendje kundërshtia e Esad Toptanit, që pa u shpallur Pavarësia dhe kultura e Ismail Qemalit, një kulturë politike që duhet ta kenë zili dhe sot politikanët tanë, e fton atë në përbërje të qeverisë së tij, duke e emëruar Ministër të Punëve të Brendshme.

Asnjë marrëveshje, asnjë ide, asnjë mendim, nuk e justifikon të qenit marrëveshje, ide, mendim, nëse bie në kundërshtim me interesat tona kombëtare. Kush hyn në bisedime me shtetet tjera dhe nuk mbron idenë e parealizuar të Bashkimit tonë Kombëtar, ai është i përfshirë kokë e këmbë në llumin e tradhtisë së interesave të popullit shqiptar. Historia e Shqipërisë ka treguar që krahas patriotëve, janë “shquar” më shumë patriotët e pushtuesve, apo dhe të armiqve tanë shekullorë dhe kështu, patriotët e vërtetë nuk qëndronin nëpër poste qeveritare e s’kishin si të qëndronin, por nga dora kriminale e bashkëpunëtorëve të armiqve të Shqipërisë ata ekzekutoheshin.

Duke e menduar kështu, ne, shqiptarët, kurrë nuk duhet të presim zgjidhjen e çështjes shqiptare nga shtetet e mëdha të Evropës me dëshirën e tyre,  por as me forcën tonë, se ato janë bërë të mëdha nga shfrytëzimi i shteteve të vogla, nga copëtimi dhe nga ngatërresat që u bëjnë këtyre shteteve, duke përfituar pasuri marramendëse, ashtu siç kanë vepruar edhe me politikanët dhe patriotët tanë duke u mashtruar se “Do ndihmojmë në bashkimin kombëtar”, po duam këtë apo atë shpërblim, gjë që autori Dr. Lavdosh Ahmetaj e ka pasqyruar mrekullisht në këtë libër të çmuar do të thosha, se është shkollë për politikanët dhe patriotët shqiptarë në ditët e sotme. Kështu Anglia për të mbështetur qeverinë e paligjshme të Esat Toptanit, në një kohë që Esadin e cilësojnë si një figurë të padëshirueshme, më vonë ajo e pranoi. Ja si do ta paraqiste autori: “… Esad Pasha i dërgoi një letër Willsonit dhe Bellfurit, ku i përshkruante shërbimet e tij gjatë luftës dhe me anë të së cilës kërkonte të drejtën e tij si një udhëheqës i popullit shqiptar dhe njëherësh që të kryesonte një delegacion në Paris. Përpara se t’i përgjigjej letrës së Esadit, diplomatët amerikanë morën një informacion të hollësishëm dhe shumë të fshehtë nga Londra. Witehall (qeveria britanike) e përshkruante Esadin si një figurë shumë të padëshirueshëm” (faqe 224)

Politika e jashtme amerikane, e pse në disa momente të rëndësishme të vendit tonë kanë qenë vendimtare, ajo asgjë nuk bën pa u konsultuar me shtetet e Mëdha të Evropës.

Dihet, që si amerikanët, apo shtetet e mëdha, çdo vlerësim për politikanët dhe patriotët shqiptarë e bënin se sa janë ata të përfshirë në “tollovinë” e tyre, por jo si faktor shqiptar, Esadin e shihnin të pa përpunueshëm, sepse ai aleancat i kishte me francezët dhe serbët, po kështu edhe me Grekët e për arsyet e tij karrieriste, ai mendonte që Pogradecin t’ia jepte Serbisë dhe Korçën Greqisë, gjë që ishte në përputhje me francezët, kështu mbyllej rrethi dhe Anglia nuk kishte asnjë interes dhe ç’ishte më e rëndësishmja, asaj i prishej “vija melodike”, se nuk do kishte më mundësi të dirigjonte Evropën. “Konflikt i cili do të conte në dobësimin e luftës kundër lëvizjes turke… sepse ajo kërkonte që nëpërmjet ushtrisë helene të cilën donte ta kishte sa më të fortë dhe sa më të përqendruar. Kjo kishte bërë të mundur që në momentin e fundit, Anglia e kundërshtoi pushtimin e Korçës nga trupat greke. Esad Pasha ishte edhe kundër interesave shqiptare, edhe interesave angleze e për pasojë, edhe amerikane. Po çfarë ndodhi më vonë? Pse u pranua delegacioni i qeverisë së Esad Pashës?

Këtu lindin pikëpyetjet e historisë e pikëpyetja më e madhe, është vdekja e Ismail Qemalit, me anë të së cilës mendonin se do varrosej aspirata e shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar. Në faqen 231 thuhet: “Po ashtu edhe Filipsi, i cili jepte deklaratë delegacionit amerikan, vinte në dukje se vetëm duke e penguar Esad Toptanin që të mos merrej me çështjen shqiptare, mundej që të arrihej bashkimi i Shqipërisë… Ambasada amerikane në Londër përgjigjej se Esadi ishte person “i cili kthen nga fryn era”… ndërsa ambasada amerikane në Paris përgjigjej se qeveria franceze e shikonte Esad Toptanin si të pa rëndësishëm… ai nuk kishte mbështetje në Shqipëri, por ishte ai që kishte mundësuar tërheqjen e trupave serbe nëpër Shqipëri nga Korfuzi.”

Mendoj, se po të ndjekësh hap pas hapi Esad Pashën në marrëdhëniet e tij me Ismail Qemalin, po të zbulosh lëvizjet e tij diplomatike, (gjë që autori i pasqyron mrekullisht) ku një fakt parësor është dhe pranimi në Koherencën e Paqes në Paris, në mos 100%, por pa gisht nuk është në vdekjen e Ismail Qemalit. E vrau ai, apo i paguari i tij (ai ka vrarë shumë tjerë) kjo pak rëndësi ka, rëndësi ka të dihet dhe të zbulohen deri në detaje rrethanat e këtij krimi me pasoja të rënda për kombin tonë e këto rrethana shpalosen në dritë të diellit nga autori Dr. Lavdosh Ahmetaj në këtë libër me vlera të vlefshme për historinë e vërtetë të Shqipërisë.

I uroj suksese autorit dhe shpresoj që të ndjekë fijet që ka kapur në këtë libër e të mbledhë për së mbari fakte të vërteta historike, me to dhe me shumë vepra tjera të autorëve tjerë seriozë, të thuret HISTORIA E SHQIPËRISË. Të mos e lëmë shkrimin e kësaj historie në duart e botës, por të përveshim mëngët për ta thënë ashtu me të mirat dhe të këqijat që i kemi bërë vetes, jo për të fajësuar njëri – tjetrin, se asnjë nuk mund të fajësohet për gabimet e të parëve, por duke njohur gabimet, duhet të jemi të kujdesshëm në hapat që hedhim, sidomos në politikë, se një gabim politik, nuk përmirësohet lehtë, se ai është si një helm me efekt të ngadalshëm…

Vlorë, më 25. 05. 2013

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente, Kulture Tagged With: historia shqiptare, Lavdosh Ahmetaj, Zyba Hysen hysa

Letra, shqiptarët e Maqedonisë mbështesin PDIU në zgjedhje

May 29, 2013 by dgreca

Kryetari i Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni, Idriz Sinani, letër për kreun e PDIU dhe mbështetësit e saj /

Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni ka deklaruar se në zgjedhjet e 23 Qershorit që do të mbahen në Shqipëri mbështet fuqishëm Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, pasi sipas tyre kjo parti mbron të drejtat e njeriut, të drejtën e pronës dhe punon për unitetin dhe paqen e popujve në rajon.

“Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut si një organizatë joqeveritare mbron të drejtat e njeriut në botë pavarësisht nga kombësia, feja dhe bindjet politike. Prandaj ne, besojmë se përfaqësimi i denjë në Kuvendin e Shqipërisë i PDIU-së do përshpejtojë rikthimin e shqiptarëve në Greqi të përzënë me dhunë gjatë viteve 1944/1945 dhe marrjen e pronave të cilat shteti grek i ka sekuestruar pa të drejtë duke shkelur rëndë të drejtat e njeriut. Pas kaq vitesh ende popullsia shqiptare e cila është përzënë me dhunë nga trojet e tyre në Greqi i shkelen të drejtat si minoritet i njohur në bazë të Marrëveshjes së Lozanës dhe Konventave Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut”.-thuhet në deklaratën e IGFM-së.

Në përfundim të kësaj deklarate Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni i ka uruar suksese dhe fitore kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizit si dhe të gjithë kandidatëve për deputetë të kësaj force politike. “IGFM i uron fitore dhe suksese z.Shpëtim Idrizit, PDIU-së dhe kandidatëve për deputet të kësaj partie duke besuar se votuesi shqiptar do ti besoj votën e tij PDIU për qëllimet e mira dhe misionin paqësor që ka kjo parti në programin e saj.”-thekson IGFM.

 

Filed Under: Komente Tagged With: mbeshtesin PDIU, Shqiptaret e Maqedonise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 476
  • 477
  • 478
  • 479
  • 480
  • …
  • 486
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT