• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REAGIM i SHOQATËS “BREGDETI “NDAJ PËRGJIGJES SE BANKËS BOTËRORE TË DATËS 21 MAJ 2013

May 29, 2013 by dgreca

Shoqata “Bregdeti” detyrohet të denoncojë përsëri rrugën e gabuar dhe qëndrimin e papërgjegjshëm të Bankës Botërore, të shprehur në përgjigjen e datës 21 maj 2013. Kjo përgjigje është nënshkruar nga znj. Kseniya Lovovsky, drejtuese aktuale e Bankës Botërore në Shqipëri për Shoqatëns “Pronësi me drejtësi” dhe “Bregdeti”, në emër të z. Philippe Le Houerou, zv. President i B.Botërore për Europën pas Apelit që i kemi drejtuar institucioneve ndërkombëtare me dt 31 mars 2013.

Kjo përgjigje thotë se B.Botërore nuk mundet të ndërhyjë për propozimin tonë legjislativ dhe pret që Shoqata të punojë në kuadrin e procesit legjislativ të struktuarave egzistuese, për të kontribuar në zhvillime legjislative të drejta. Përgjigja e znj. Lovovsky, që në anën formale është e rregullt, është një manovrim që synon të justifikojë ndërhyrjet dhe rekomandimet e gabuara ndaj Qeverisë Shqipare nga B. Botërore si këshilltare e saj. B.Botërore është në dijeni se në të gjithë administratën që trajton pronat korrupsioni është i kudo ndodhur. Nga 8 institucionet që duhet të kthejnë pronat tek i zoti, përfshi dhe Agjensinë e Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave, asnjë nuk e zgjidh problemin sepse i tillë është legjislacioni. Agjensia, prej vitesh nuk ka marrë vendime për kthimin fizik të pronës por është e angazhuar për kompensimet. Të pretendosh se problemi zgjidhet nëpërmjet kompensimit është vetëm mashtrim. Ndërkohë zëvendësimi i kthimit me kompensim është një barrë financiare për të gjithë shoqërinë. Kjo strategji i intereson vetëm një grushti politikanësh që dëshirojnë të bëhen pronarë të zonave turistike dhe këtë e ka rrekomanduar B.Botërore. Në takimet tona e kemi vënë në dijeni këtë institucion për qëndrimet absurde të institucioneve ndaj pronarëve duke e sqaruar se ka vendime të GJEDNJ që prej vitesh nuk zbatohen prej Zyrave të Përmbarimit por me këtë rast bëjmë të ditur për të gjithë që janë të interesuar se janë me mijëra raste që vendimet e formës së prerë të gjykatave të shkallës së parë të dytë ose të Gj. Lartë nuk ekzekutohen prej vitesh. Këto shtetas megjithse kanë fituar gjyqin, për shkak të mungesës së besimit apo informacionit të pamjaftushëm nuk kanë pasur mundësinë të drejtojnë ankesën e tyre në Gjykatën e Strsburgut si dhe të sensibilizojnë zyrat e KiE. Për intersat që përfaqëson Shoqata ‘Bregdeti’ mjafton të themi Prefekti i Qarkut Vlorë z. Eduart Veçani, nuk vepron siç përcakton ligji nr 9948/1998 “për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” dhe udhezimi nr 1 datë 13.01.2010 ‘Për verifikimin e titujve të pronësisë në tokat bujqësore të ish NB në zonat turistike”. Në këtë mënyrë ai shkel ligjin dhe nuk pyet për nenin 248 të Kodit Penal.Po ashtu në zonën turistike Vlorë Sarandë, INUK ose policia ndërtimore gjithmonë ka vepruar në mënyrë klienteliste siç është rasti i shembjeve në Jalë ku është e implikuar Banka Botërore. Për çdo të huaj mund të duket e pabesushme që B.Botërore i ka rekomanduar Qeverisë të miratojë legalizimet e ndërtimeve pa leje edhe për ndërtimet që janë bërë pas vitit 2006, kur ligji i miratuar sado i keq që ishte, në mënyrë taksative i ndalonte ato. (shih videot në faqen e shoqatës). Kjo është ndërhyrje negative. Shoqata “Bregdeti” solidarizohet me kundërshtimin përgjigjes së znj. Lovovsky, që shoqata “Pronësi me Drejtësi” e ka botuar datë 27.05.2013 në gazetën “Telegraf”. Këto tregojnë si administrohet prona dhe pse shkelet Kushtetuta, por pronarët guxojnë të mbrojnë të drejtat e tyre dhe nuk do të lejojë që B.Botërore të devijojë thelbin e kërkesës tonë dhe me rekomandimet e saj  për mos respektimin e detyrimeve kushtetuese të bëhet pengesë për zgjidhjen e drejte te problemeve per kthimin e pronave pronareve te ligjeshëm..

Në këtë nivel kaq katastrofik të mungesës të shtetit ligjor dhe të mohimit të garancive juridike, përgjigja që na kthen znj. Lovovsky, e ndryshon plotësisht kuptimin e Apelit tonë dhe na thotë ta zgjidhim problemin me forcat tona. Kjo është absurde. Përgjigja e Znj Lovovsky është në kundërshtim me intervistën me titull: “Zgjidhja e të drejtës së pronës duhet të jetë e drejtë për gjithë shqiptarët „ dhënë prej saj gazetës “Shqip” me 10 Shtator 2011, sepse zgjidhja për zonat turistike nuk mund të bëhet me standarde të dyfishta. Ndërsa në shumicën e rretheve dhe të sipërfaqes së Shqipërisë, çdo trung familjar, ka marrë pronën e tij të trashëguar, pavaresisht se jeton në fshat apo në qytet dhe kjo është zhvilluar normalisht, ndërsa në zonën turistike Vlorë Sarandë , B.Botërore rekomandon dhe ndërhyn që prona të mos kthehet tek i zoti por të përvetësohet nga klanet që u futën në politikë për t’u pasuruar. Të drejtat e njeriut janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me të drejtën e shtetasve për të gëzuar pronën e tyre të trashëguar e cila në zbatim të kushtetutës në fuqi, mund të preket vetëm për nevoja publike kundrejt kompensimit. Eshtë llogjike se përvetësimi i zonave turistike nga politikanët dhe miqtë e tyre nuk është interes publik. Kjo situatë e rëndë nuk do të ishte zhvilluar nëse ankimet tona do të ishin vlerësuar në raport me kushtetutën në fuqi dhe nëse projektet dhe financimet e haja, do të ishin të kontrolluara, që të shkonin në favor të zhvillimeve demokratike. Këto dhe shumë të tjera ne ja kemi shpjeguar jo vetëm me shkresa por edhe në tavolinë znj. Lovovsky dhe specialistëve të saj dhe bisedat janë të regjistruara. Veprimtaria e B.Botërore  prej vitesh ka shkelur këto detyrime morale dhe ligjore dhe tani po vazhdon të njëjtën lojë. Në këtë mënyrë veprimtaria e B.Botërore është faktori më i dëmshëm për popullatën autoktone të zonës turistike Vlorë-Sarandë. Kësaj popullate prej 22 vjetësh “në emër të ligjit” me mosveprimet dhe veprimet e gabuara të B.Botërore, nuk po ju kthehet prona e trashëguar dhe kështu ju mohohet identiteti, ju mohohet atdheu, ju shkelet dinjiteti dhe ju mohohet liria ekonomike. Të ardhurat që rrjedhin nga veprimtaria turistike në këtë vend të bekuar nga Perëndia, shkojnë në xhepat e politikanëve dhe të klaneve mbështetëse të tyre. Për shkak të anarkisë së titujve të pronësisë, shqiptarët prej 22 vjetësh po vriten me njëri tjetrin dhe qëndrimet e gabuara të B.Botërore janë nxitëse të vetgjyqësisë. Megjithse Shoqata e Pajtimit Mbarëkombëtar, ka raportuar mbi 6000 të vrarë si dhe konflikte pa fund, që krahasohen me bilanc lufte, ky fakt rëqethës, nuk ka tërhequr vëmendjen e institucione për ta analizuar dhe ndaluar.!.

Nëse prona e grabitur me ligjet e diktatures nuk kthehet me ligj në origjine, Shqipëria nuk mund të marri statusin e kërkuar në BE dhe nuk mund të ketë integrim. Këto janë thelbi dhe shqetësimi i shumë përgjigjeve që i janë kthyer për Rrapo Danushin dhe Niko Nesturin, nga institucionet ndërkombëtare përfshi përgjigjen e fundit prej zz. Jonathan Moore, Philip Gordon dhe Philip Reeker, që janë personalitete shumë të rëdësishme të politikës së SHBA, ndërsa përgjigja e znj. Lovovsky është krejt ndryshe.

Siç kemi bërë publike, Shoqata “Bregdeti” në bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare „Pronësi me Drejtësi”, të mbështetur fuqimisht nga patriotët shqiptarët në emigracion kanë hapur në internet faqen www.defendingproperty.com Në këtë faqe, kemi bërë publike një pjesë fare të vogël të aktivitetit të shoqatave tona në këto 22 vjet. Duke qënë të inkurajuar prej ambasadorit të SHBA, z. Aleksander Arvizu, me moton “vepro tani” ne vazhdojmë t’i ftojmë shtetasit që përdorin e-mail, të nënshkruajnë online peticionin drejtuar Kryeministrit që ai të zbatojë Kushtetutën. Në këtë faqe është bërë publik edhe projektligji të cilin znj. Ksenya Lovovsky e anashkalon në përgjigjen e saj. Ne jemi të bindur se me projektligjin që kemi përgatitur është i gatshëm instrumenti, me të cilin nëse do të ketë vullnet politik, shteti e zgjidh shumë shpejt dhe pa shpenzime financiare problemin e pronës, pa pasur nevojë ti drejtohet arkivave të Italisë për dokumenta të pronësisë. Ky projektligj, zbaton kërkesat e DASH, të Strasburgut dhe të Brukselit, mbyll një burim të korrupsionin pushtetar dhe një nga shkaqet që nxit vetgjyqësinë. Ne besojmë fuqimisht se ky projektligj ofron zgjidhjen më të mirë në lidhje me të drejtën e shkelur të pronësisë, duke pasur superioritet të dukshëm mbi strategjinë e Qeverisë Shqiptare që është
bazuar në rekomandimet e B.Botërore. Këtë strategji të gabuar e zbaton Agjensia dhe institucionet e tjera që duhet të veprojnë për kthimin e pronës, nuk mund ta zgjidhi problemin, pasi Agjensia prej vitesh ka bllokuar procesin e kthimit fizik të pronës tek i zoti dhe ALUIZNi, ka intensifikuar legalizimet.

Ne do të ftojmë të gjithë shqiptarët patriotë që të sensibilizojnë mediat dhe politikën ndërkombëtare për këtë veprimtari të B. Botërore që po shkatërron themelet e demokracisë dhe financiarisht e ka futur shtetin në një rrugë pa krye.

Ne kërkojmë që znj. Lovovsky t’i raportojë përsëri z. Philippe Le Houerou këtë përgjigje dhe situatën e nderë të krijuar në zonën turistike Vlorë-Sarandë, që ai të reflektojë në Apelin që i kemi adresuar me datën 31 Mars 2013. Ne dëshirojmë që znj. Lovovsky ta rivlerësojë përgjigjen e saj, në mënyrë që B.Botërore të bëhet pjesë aktive për të përdorur mjete diplomatike, ekonomike dhe mjete të tjera paqësore për të vlerësuar dhe përmirësuar projektligjin tonë dhe për të ndalur padrejtësinë, vetgjyqësinë në këtë popullatë të viktimizuar që po çkombëtarizohet dhe po pëson një genocid të padeklaruar.  Dëshirojmë të besojmë në reflektimin pozitiv të znj. Lovovsky dhe e ftojmë atë në një debat publik televiziv ku ajo të shprehi direkt mendimet e B.Botërore për të gjithë të interesuarit.

Për kryesinë e Shoqatës “Bregdeti”

Dr. Niko Nesturi

Filed Under: Komente Tagged With: akuzon drejtoreshen e Bankes Boterore, Kseniya Lovovsky, shoqata Bregdeti

Nue Oroshi, Deputet në Asamblenë Komunale të qytetit Kiel të Gjermanisë

May 29, 2013 by dgreca

Aty ku çmohen vlerat e një njeriu, e sidomos të një intelektuali të dëshmuar, edhe rezultatet nuk mungojnë, qoft në punë, politikë apo aktivitete tjera./

Nga Selman Etemi/
Në republikën e Schleswig-Holsteinit, e cila shtrihet në veri të Gjermanisë, e që jetojnë 2.8 milion banorë, pas përzgjedhjeve të fundit, reflektuan ndryshime me vlera pozitive. Kryeqyteti i kësaj Republike është po qyteti i Kielit, i cili ka 242.041 banorë, dhe hyn në mesin e 30 qyteteve më të mëdha të Gjermanisë. Në këtë Republikë, më 26 Maj, u mbajtën zgjedhjet lokale, e, që kanë mandat 5 vjeçar. Si çdo kund në Gjermani, edhe në këtë Republikë jetojnë e veprojnë shqiptarë, dhe ka rreth dy dekada që janë shumë aktiv edhe në jetën organizative në shumë lëmi, duke mbajtur gjallë kulturën, traditën shqiptare dhe gjithsesi pa harruar asnjëherë bashkëpunimin me institucionet gjermane. Kjo u arrit falë historianit, publicisitit e politikologut Nue Oroshi dhe shokëve të tij të shumtë shqiptarë, në mbarë Republikën e Schleswig Holsteinit e më gjër.
Por Z. Oroshi duke parë se vetëm format e veçanta organizative brënda komunitetit shqiptar, pa hyrë në jetën politike gjermane nuk janë të mjaftushme,- ai ka shtatë vite që është anëtar dhe veprimtar i CDU-s në Kiel të Gjermanisë, parti e cila gjithnjë e ka mbrojtur dhe vazhdon ta mbrojë çështjen shqiptare në përgjithësi. Falë punës së madhe dhe përkrahjes që i bëri edhe komuniteti shqiptar i Kielit të Gjermanisë, Nue Oroshi, në nëntor të vitit 2012 e fitoi garën brënda CDU-s që të jetë kandidat i saj për Deputet në Asamblenë Komunale të Kielit.
Gjatë një fushate e cila zgjati katër javë të tëra, Nue Oroshi u dallua me një fushatë të fortë në tri drejtime: takime informuese, vizita nëpër institucionet gjermane në zonën zgjedhore ku i vizitoi 14 institucionet kryesore, si dhe, vizita shtëpiake.

Pas gjithë kësaj, më 26 Maj CDU-ja e qytetit të Kielit doli Parti e dytë, por me një ngritje të përqindjes të cilën nuk e kishte më parë. CDU-ja në këto zgjedhje në Kiel mori 15 deputetë, ku për herë të parë në historinë e Shqiptarëve të Schleswig Holsteinit zgjidhet edhe një shqiptar, Nue Oroshi. Gjatë bisedës që bëmë me zotëri Oroshin, pas përfundimit të zgjedhjeve, ai i falënderoi të gjithë përkrahësit që u angazhuan gjatë fushatës zgjedhore, e sidomos shqiptarët të cilët nuk hezituan që masovikisht të dalin në zgjedhje, dhe për herë të parë të votojnë një kandidat të kombit të vet shqiptar. Shqiptarët në këtë Republikë ndihen të gëzuar për këtë fitore, ndërsa zoti Oroshi porositë të rinjët dhe të rejat të cilët jetojnë e veprojnë në Gjermani që të futen edhe më shumë nëpër Parti Politike gjermane, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Nue Oroshi përveç punës politike në Gjermani, ai ka dy dekada që është ngushtë i lidhur me mbrojtjen dhe afirmimin e çështjes shqiptare në përgjithësi, e, që për momentin është Nënkryetar i Shoqatës së Intelektualëve mbarëshqiptarë „Trojet e Arbrit“, e cila në mesin e saj përfshinë 120 intelektualë shqiptarë anë e kënd trojeve shqiptare, e cila ka 10 vite që me sukses udhëhiqet nga prof.dr. Muhamet Shatri, e cila Shoqatë ka mbajtur, deri më tani, 11 sesione shkencore, shtatë akademi, dhe si  rezultat i këtyre janë botuar 10 vepra enciklopedike të Historisë Shqiptare.
Z. Nue Oroshit i dëshirojmë punë të mbarë dhe rrugëtim të sigurt drejt sukseseve të reja, por dhe me një përkrahje nga afër sidomos të shqiptarëve të kësaj Republike të Gjermanisë veriore.

 

Filed Under: Komente, Kronike Tagged With: deputet, Keln Gjermani, ne Asamblene komunale, Nue Oroshi

“LULI I VOCERR” … NË TEATRIN “MIGJENI”…

May 27, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

A ka shkodranë që nuk e kujton “Lulin e vocerr” ?!

As vetë Migjenit nuk i ka shkue mendja sa ishte gjallë se me 22 prill 2013 “Luli i vocerr” ka me shkue në Teatrin që mban emnin e tij, Migjeni, në Shkoder, megjithse, atij nuk ka pasë si me i shkue mendja 75 vjet perpara, tek “ai” Luli i vocerr, per të cilin, atëherë shkruente:

“Askush s’e njef Lulin. As shokët e tij, që perpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mirë me thanë se e njofin, por ata lozin per hesap të vet e Luli i shikon per hesap të vet. Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe qeveritarët, ashtu dhe Luli. More Lul! Shumë heret ke fillue me shikue punen tande!

Dhe kur Luli e ka ftyren e dlirë dhe pa puça, një shok ia ledhaton faqet, gushen, e Luli i afrohet, ja merr doren, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t’ i falë diçka… Por vjollca nuk ka. Veç ne i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojen si me dashtë me e hanger…

Po, po, tollumbat e Lulit të vocerr kanë me e hanger edhe atë “shokun” perbrijë…”

Shumë njerëz mendonin se komunistët “hanë njenitjetrin” dhe kujtonin deri tashti vonë se kjo veti i perket atij sistemi! Migjeni e shpjegon kjartë se kjo ngjet nga “tollumbat” e tyne dhe jo, se komunistët hanë njerëz! E ka pa kush me sy Enver Hoxhen tue hanger “shokët” e tij!? As nuk kemi pa Ramiz Alinë me ndonjë kockë në gojë, kur thonte “edhe gjak do bëjmë”… As pasuesit e tyne nuk i kujtoj tue hanger ndonjë njeri… Per tollumba ase shkarpat e tyne nuk dij çka të tham! Nder shumë shtëpija shihen tollumbat ose shkarpat tek dera jashtë… E, simbas shkrimit që na ka lanë Migjeni, ata, tue qendrue mbas derës kanë mundësi edhe me të hanger! Migjeni, nuk asht kenë shkrimtar i “ndaluem” nga rregjimi komunist, edhe pse ka nxjerrë një sekret të atij sistemi. Tashti mund të thohet edhe arsyeja pse nuk u ndalue Migjeni nga sistemi komunist? Ma mirë se me thanë që komunistët “hanë njenitjetrin”, le të thonë, se kur u shkon kush tek shtëpija e tyne “tollumbat ose shkarpat e tyne të perlajnë”… Kjo që ngjet nder dyertë e tyne edhe justifikohet me thanjen se kjo asht një trashigimi nga “vëllezërit e gjakut turq”, që edhe ata i lanë shkarpat mbas dere, kjoftë edhe kur vijnë në shtëpinë tande! “Siguria” asht e mirë, prandej edhe “sigurimi” ishte kudo dhe në çdo lëvizje të tyne, e po mos t’ ishte “sigurimi”, nuk dihet cila shkarpë të han!

Çka nuk po mendojnë per Ty o Shkoder, këta koka gjarpijshë?

***

Sa shumë o Shkoder, po të takon me pa e me provue! 100 vjet shka ke groposë nder oborret e atyne shtëpijave të mbrojtuna vetem nga Zoti…

100 vjet shka nuk të ka rrezikue o Shkoder, vuejtjet, uria, fukaralleku, vorfnia, urrejtja, dashakeqja, shtypja, mizoria, burgosjet, vrasjet, torturat, burgjet, hetuesitë, kampet, plaçkitjet, smira, vjedhjet, shpifjet, dhuna, paditunia, shnderimi, perçamjet, tradhëtia, topat, mitralozat, pabesia e komshijve, brigadat e ndjekjes, brigadat e pushkatimit, agjentat e sigurimit të shtetit, “çlirimtarët” poshtnues, thirrjet “plumbin ballit”, ”Ik në Zallin e Kirit…atje është i pushkatuar!”…

Betohen…tash 72 vjet veç, betohen, se “do t’ a shkatrrojmë kulm e temel” Rozafen…

Ashtu si u betue Enveri me Titon në vitin 1941, ku në sofren e tradhëtisë ishin Mugoshat e Popoviqët…në krye të vendit, prap me 22 prill 2013, po shovenistët serb, Boris Tadiç, Milo Doukanoviç (trashiguesi i Krajl Nikollës së Malit të Zi), Ranko Krivokapiç, Svetozar Pudariç, Muhamed Budimliç,  me tollumbat e Lulit të vocerr, erdhën mysafirë në shtëpinë e Migjenit…

Vazhdojnë “amanetin” e të parëve të vet…”Amanetin” e 1467, 1479…

Sa gjaku asht ba n’ Atë Vend…

Vazhdojnë “amanetin”…

“Amanetin” e tradhëtarit…1913, 1925, 1941, 1944, 1967, 1985, 1989, 1991…1997…

Edhe tue ngordhë “tradhëtari la amanet”: “Gjak, vetem gjak e parimet mos i ndryshoni!”

“Shkodra duhet shkatrrue, Ajo pengon triumfin e “tradhëtarëve” të Ballkanit!”…

Kanë kalue plot 100 vjet dhe asnjë ndryshim në qeverisjen e anadollako sllave të 1913…

Shkon një palë e vjen një tjeter, të gjithë vetem me një qellim të paracaktuem që në 1469: “Me e shkatrrue dhe pergjakë kulm e temel Shkodren, ashtu si porositën sulltanët tash 100 vjet, por edhe tue vjedhë, tue mbushë xhepat dhe tue trashigue pushtetin..!”

22 prill 2013… Tek dera e Teatrit “Migjeni”, “Luli i vocerr” prap ka vue tollumbat…

E prap se prap, unë të shoh krenare Rozafë!

Melbourne, 2013.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, Luli i vocerr, ne Teatrin "Migjeni"

GËZUAR DITËLINDJEN, DESIGNERIT TË DIELLIT, DANNY BLLOSHMI!

May 27, 2013 by dgreca

Në Foto: Danny Blloshmi me të fejuarën, Kledia Myrtolli , që studion për mjeke/

Sotë është ditëlindja e Art-Dizajnerit të Gazetës DIELLI, Danny Blloshmi: GËZUAR DANNY, i  pac të gjitha ditët, javët, muajët, vitet, të gjithë Jetën tënde, të gëzuar si Dita e lumtur e Lindjes!

Danny është bashkuar me ekipin e Vatrës që në 100 vjetorin e Gazetës Dielli, qershor 2009, teksa përcolli mesazhet e brezit të vet, brezit të ri, për të cilin ka aq shumë nevojë VATRA. Më pas ai mori përsipër dizajnimin e Gazetës Dielli, edhe pse nuk e kishte ushtruar më parë, por me këmbëngulje e prefeksionoi dhe tani arrin që ta faqosë gazetën mirë dhe në një kohë të shkurtër. Dhe së bashku ne arritëm që ta faqosinim Diellin jo më me 16 Faqe sipas traditës së trashëguar, por me 24, 32, 36, 40 dhe numrat special përmbi 100 faqe! Faleminderit Danny!

Danny dha një kontribut të jashtzakonshëm edhe në 100 vjetorin e Vatrës. Përmes tij, nëpermjet acauntit në on line u mblodhën mijëra dollarë. Po ashtu, ai u lidh me zyrën e Senatorit të New Yorkut,  Schumar, përcolli tek  ai historinë e federatës Vatra në 100 vjetorin e themelimit; po ashtu përcolli edhe atmosferën festive të 100 vjetorit në gazetën Njujorkeze Daily Nwes, e cila i kushtoi shkrim të vecantë 100 vjetorit të Vatrës.

Danny ka qenë përherë aktiv në Vatër, ai ka kryer vullnetarisht detyrën e arkëtarit(deri në Kuvend), atë të menaxhimit të ndërtesës së Vatrës etj. Me krijimin e  Degës së re të Westchester Sotuh, Danny është zgjedhur arkëtar i dëgës.

Per aftesite profesionale et Danny-t ne fushen e financave flet pozicioni I tij ne kompanine me te famshme si Merryll Lynch, si Financial Advisor at Merrill Lynch.

Danny Blloshmin e lidhin me Vatrën dhe nacionalizmi shqiptar fije të shumta , babai i tij, Hysen Blloshmi ishte anëtar i Këshillit Drejtues të Vatrës deri në Kuvnendin e 27 prillit 2013, ai ështe një nga dhuruesit bujarë të Vatrës nga të ardhurit pas 1990-ës, Gjyshi i Dannyt, Xhevdet Blloshmi është shumë i njohur në diasporën shqiptare të Amerikës, luftoi me armë në dorë kundër sistemit komunist, ishte ndër ata që vullnetarisht shkoi në Shqipëri për të luftuar, ai ndërroi jetë në Amerikë pasi e solli familjen në vendin e lirisë.Një figurë tjetër e njohur nga Blloshmit ishte edhe sekretari i Faik Konicës, Haki Blloshmi, i cili iu bashkua Vatrës porsa erdhi me studime në Amerikë me 1923, ai mbaroi studimet në Harvard më 1927, por në vend që të ndiqte karrierën në SHBA, ne vitet e Luftes se II Boterore  ai shkoi për të luftuar në Shqipëri kundër pushtuesëve dhe u vra pabesisht nga Forcat e Brigadës së I të Mehmet Shehut në Dunicë me 7 Mars 1944.

Edhe njëherë Gëzuar Ditëlindjen, i dashur Danny! E kalofsh sa me bukur diten e bekuar!

DALIP GRECA

Editor i Diellit

Filed Under: Komente Tagged With: Danny Blloshmi, ditelindja, editori i Diellit, Gezuar/dalip Greca, sot

FLAMURI, “SHKËNDIJA” DHE “NERONËT” E MANASTIRIT

May 27, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Të nderuar lexues. Këtë vështrim po e filloj me një mendim të një gjermani që kishte jetuar në shekullin që lamë pas, i cili, pos të tjerash, kishte shtruar filozofinë si vijon: “HISTORIA  PËRSËRIT  VETVETEN, SË PARI DUKE U PARAQITUR SI TRAGJEDI, SË DYTI SI FARSË”! Nëse mua nuk më mashtron mbamendja, do t’i kthehem vakisë së 28 Nëntorit të motit 2012, kur njëqind vjet më parë, mendjendrituri  dhe atdhetari vlonjat, Ismail bej Qemali, diku në një lagje të kasabasë së Vlorës shpalli mëvetësinë e shtetit shqiptar. Se ajo ditë u karakterizua me eufori të pakontrolluar e diku-diku e ngjyrosur me “tallava”, të gjithë ne sot jemi të vetëdijshëm. Se, ishte një ditë e veçantë edhe këtë e dimë…, se ato hapësira u kuqërrisën me flamurin shqiptar, edhe këtë e kemi në dijeni, por ama, se atë ditë e “shndërruam në një tallagan të qëndisur”, sot e kësaj dite, së paku unë, nuk jam i ndërgjegjshëm. Në atë ditë gjithandej u valëvit flamuri kombëtar. Ishte kopjuar në qindra mijëra ekzemplarë. Atë e tundën edhe foshnjarakët dhe s’dimë kush tjetër. Vetëm dy miqtë e mi (bashkëmoshatarë) nuk donin ta valëvitnin flamurin!? Njëri është kumarxhi (njihet si tregtar flamujsh i provuar në vite si dhe me synimet e tij zhvatëse), ndërkaq tjetri njihet si ikona e ndërgjegjes kombëtare-tetovare. Që të dyve ua parashtrova të njëjtën pyetje se pse nuk po e valëvitin flamurin!

I pari, më dha këtë përgjigje: “Or qerrata, ç’më duhet mua ta valëvis kur me atë unë luaj kumar, e kopjoj dhe e shes si sapunin për djathë”!???

I dyti, sikur “hazërxhevapin” e kishte në xhepin e djathtë të xhupit, atë xhup që shumë kohë më parë ia kishte dhuruar një atdhetar nga një qytet shqiptar rreth shtetit amë…, më tha: “Eh, ti miku im, sa (nuk) më pëlqen kjo pyetja jote…, jo se nuk ma do xhani ta valëvis flamurin, por më ka “tradhtuar takati”, s’i bëj dot ballë përgjegjësisë morale…, nuk mund ta mbaj, ka peshë të madhe, aq sa rëndon pesha e dheut të vatanit”!

Në përgjigjen e ikonës nga Tetova nuk kishte indiferencë, nuk kishte profka, pendime, paragjykime, parafrazime politike a pseudopatriotike, përveç një dozë dyshimi sa u përket personazheve të tragjikomedisë shqiptare, të cilët frymojnë dhe veprojnë këtejpari hapësirave të fushëpollogut, e të tjera konceptime të qarta dhe të qëndrueshme. Përgjigjja e kumarxhiut ishte boshe, ai kishte mendjen te evenimentet e radhës që do të organizoheshin për këtë qëllim, ai ka mendjen te “tyxharllëku”!

Unë deri para ca kohësh nuk “doja t’i besoja” asaj parashtresës filozofike të gjermanit se “historia përsërit vetveten, së pari duke u paraqitur si tragjedi, së dyti si farsë” (ai vëllaçkoja im më tha: kush je ti që të mos besosh). A mos vallë disa ditë më parë nuk u përsërit ajo historia e klubit të futbollit “Shkëndija” nga Tetova…, a mos harruam kur para shumë vitesh ne, tifozët e saj, e ndëshkuam atë me largim nga Liga e parë…, a mos vallë këta të rinj, tifozë të “Shkëndijës”, nuk kanë dëgjuar shpjegimet e prindërve dhe të gjyshërve të tyre sa i përket “historisë tragjike” të klubit në fjalë! A mos vallë nuk e mësuan atë parathënien e parullës: “Të jesh tetovar, e të mos jesh me Shkëndijën, është njësoj sikur ta kundërshtosh a mënjanosh arsyen e shëndoshë…, të mos jesh me të, është njësoj sikur të tallesh me ngjyrat e saj (janë ngjyra që karakterizojnë simbolin tonë kombëtar)…, të mos dashurosh Shkëndijën, është njësoj sikur t’i bësh tifozllëk kundërshtarit të saj. Ne do t’i kuptojmë tifozët e Shkëndijës, aq sa ata nuk do ta ndotin fjalorin e gjuhës sonë të bukur (hiq mënjanë fjalorin denigrues të palës tjetër). Për këtë dhe arsye të tjera, ne nuk duhet të lejojmë që kjo histori e Shkëndijës, të na paraqitet si tragjedi…, si farsë mashtruese. Kjo e fundit dhëntë Zoti,  t’u takojë historive të të tjerëve. Neve, nuk na duhet, po qoftë të na e japin pa pare.

Dhe shih ti, lexuesi im i nderuari, disa ditë më parë, si “për inatin” tonë, historia përsëriti vetveten!??…, kur ca milingona apo thuaj edhe vandalistë maqedonas, demoluan Shtëpinë e Kongresit të Manastirit. Nëse Neroni dogji Romën, atëherë ç’u duhej “neronëve” maqedonas, që në vigjilje të festës së tyre të arsimit, ta nëpërkëmbin kështjellën e mbamendjes sonë morale, kulturore a edhe arsimore!? Ç’u duhej atyre kjo mendësi e mbrapshtë provinciale a katundareske…,  ç’u duhej të shfrynin hundët në themelet e tërësisë së shkronjave të gjuhës shqipe…, ç’u duhej të shfryjnë urrejtjen a dufin e tyre të akumuluar!??…, ç’u duhej ky gomarllëk dhe  kjo lehje zagarësh, a mos vallë menduan se janë zagarë të beut!?? Tekefundit, “neronizmi” është një karakteristikë thelbësore e popujve barbarë, të cilët jetojnë me të keqen dhe për hir të së keqes, me shovinizmin “shtetmadh” si dhe me politikën revanshiste. Nëse vandalët, huliganët dhe barbarët mendojnë se me shembjen e historisë së Kongresit të Manastirit të motit 1908 do ta ushqejnë historinë e tyre të sajuar, atëherë  fund e krye e kanë gabim…, mbase nuk bëhet histori me lecka, mbase  nuk mund të lexosh një histori të paqenë si me qenë ajo e gjallë. Në mungesë të argumenteve ndonjëherë edhe gënjeshtra a fjala e rreme bëhet fakt a provë. Dikur një njeri me mend kishte nxjerrë këtë proverb popullore: “NË MUNGESË TË ZOGJVE, EDHE B…., ËSHTË BILBIL”!

Të nderuar lexues, para se t’i jap fund këtij vështrimi, ku për referencë mora atë mendimin e gjermanit, do t’ju sjell këtu një tregim të shkurtër. Një ditë më parë një oftalmolog  i kishte sugjeruar mikeshës sime të mbante syze dielli. Meqenëse unë nuk mbaj syze, ajo mikesha ime m’u duk  karizmatike, e pashme dhe më serioze. Imazhi i saj lëre që më “gënjeu”, por edhe më tundoi që t’i dedikoj një kompliment të hollë. E ngazëlluar nga kjo “gjysmëlëvdatë” ma ktheu me një “faleminderit”. Iu drejtova duke i thënë: Pa më thuaj, si më sheh mua… Më tha se të shoh bardhë e zi! Eh, thashë me vete, sa budallaqe që është kjo mikeshë kur mëton të kapet pas degëve e jo pas trungut me syzet e errëta të metalurgut. Në fund të bisedës iu drejtova: Ti, mikeshë e nderuar, në do të ma shohësh “surratin”, në do të ma lexosh historinë time kombëtare ashtu ashiqare, do të duhet t’i heqësh syzet, sepse atëherë me tamam dhe pa hile do më perceptosh. Dhe ajo nuk i hoqi “gjyzlykët”. Sikur t’i hiqte syzet, atëherë do duhej që edhe kryepeshkopi i saj të hiqte litarin e kambanës së kishës së qytetit të Manastirit. Ortodoksët thonë se kambanat bien në kohë të caktuar dhe në raste të jashtëzakonshme. Këtë më së miri e dinë shqiptarët e Manastirit.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fadil Lushi, Flamuri, Neronet e Manastirit, Shkendija

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 477
  • 478
  • 479
  • 480
  • 481
  • …
  • 486
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT