• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sheuqet Muka, intelektual i shquar islam

December 22, 2023 by s p

Sheuqet Muka (1887-1967)  

 “Mësuesi i Popullit”

sheuqet muka

“Zani i Naltë”

Abstrakt

Sheuqet Muka ishte një patriot i flaktë dhe për të Atdheu ishte mbi të gjitha. Vija politike që predikonte ai ishte për një bashkim e vëllazërim, si një trup i vetëm, pse jemi shqiptarë, në radhë të parë, të një gjaku e të një gjuhe.

Ai nuk pati arsim fetar, nuk kreu detyra funksionale klerikale, nuk shërbeu në institucione e objekte kulti, nuk kishte petk fetar, megjithatë u formua si intelektual mysliman, si misionar i palodhur i Fesë islame.

Kontributi i tij në dobi të fesë islame në ato kushte e rrethana është i rrallë, i madh, i efektshëm, i gjithanshëm, sepse ai qe burim dije e edukimi, arsimi e kulture islame.

Në tërë veprimtarinë e tij në dobi të fesë, ai pati gjithmonë parasysh bashkëpunimin ndërfetar, edukimin për bashkëjetesë, për paqe, harmoni e miqësi mes besimtarëve të tre besimeve fetare. Në shkrimet, ligjëratat e bisedat me tematikë të ndryshme Sheuqet Muka gjithnjë kishte parasysh gërshetimin e anës fetare me atë atdhetare e anasjelltas. 

Sheuqet Muka edukimin fillestar e mori në mejtep e më vonë tek intelektuali i shquar islam Haxhi Ibrahim Kaduku, te myderrizët e hoxhallarët me zë, si: H. Hafiz Sali Myftia, Muhamed Bekteshi etj, si dhe nga një studim intensiv individual i pandërprerë. Mësimi i gjuhës arabe dhe i shumë gjuhëve të tjera lindore e perëndimore, si poliglot, studimi i vëmendshëm dhe i kujdesshëm i Kur’anit, i haditheve profetike dhe i historisë islame, krijimi i një biblioteke të pasur e të rrallë, bashkëpunimi i vazhdueshëm me personalitetet fetare të të gjithë vendit, njohja e gjendjes dhe e nevojave të objekteve të kultit, të institucioneve fetare, kontaktet me besimtarët myslimanë, në përgjithësi dhe veçanërisht të rinisë, dëshira për emancipimin e besimtarëve e kanë angazhuar atë për t’u marrë paralelisht me detyrat zyrtare dhe me problemet fetare. Kontributi fetar i Sheuqet Mukës ka pasur një grafik në rritje, ka qenë gjithnjë më i dukshëm, më frytdhënës në përputhje me rritjen e tij intelektuale, me afirmimin e tij në mjedisin e opinionin qytetar shkodran.

Përkushtimi i tij për fenë në përgjithësi e për disa probleme të saj në veçanti ranë në sy të organeve drejtuese arsimore fetare, që krijuan idenë e formimit të perspektivës së këtij të riu aktiv e të papërtuar. Prania e tij si përfaqësues i Inspektorisë së Arsimit në provimet vjetore të Medresesë së Epërme në pazar të Shkodrës në vitin shkollor 1926-1927, konkluzionet e nxjerra dhe propozimet e bëra në raportin përkatës ndikuan që të emërohet mësues i jashtëm i Medresesë së Re në vitin 1927-1928.

Nxënësit e kësaj shkolle nuk gjenin fjalë për të lavdëruar mësuesin e tyre të ri. Ata thonin se krahas drejtuesve e profesorëve të përmendur fetarë, kishin pasur edhe mësues të kulturës së përgjithshme, po aq kompetentë e të paharruar si Sheuqet Mukën, Hasan Tahsinin e të tjerë. Ata tregonin për aftësitë e tyre shkencore, pedagogjike, didaktike e komunikuese, si edhe për interpretimin e drejtë të lëndës në përputhje me parimet e fesë islame. Me përgatitjen e përvojën që fitoi, Sheuqet Muka mori nismën dhe ia arriti qëllimit, duke bërë një punë të lavdërueshme për hartimin e teksteve mësimore për mësimin e besimit dhe përkthimin e “Jasinës”.

Në vitin 1923 ndodhën ngjarje të rëndësishme për besimtarët myslimanë shqiptarë: u zhvilluan Kongresi Mysliman, në të cilin ai qe pjesëmarrës aktiv si përfaqësues i prefekturës së Shkodrës. Në këtë kohë lindi nevoja e hartimit të teksteve të mësimit të besimit për nxënësit e shkollave fillore. Kësaj detyre të vështirë, por me vlera të mëdha edukative, iu përgjigj i pari Sheuqet Muka. Ai hartoi njërin pas tjetrit 3 libra të tillë (ilmihal) që në vitin 1923, të cilët u miratuan nga Këshilli i Naltë i Xhema’ati Islamijes dhe Ministria e Arsimit.

Duke u ndalur vetëm te libri i parë rezulton se autori e ka përgatitur atë me një aftësi të rrallë, me një kujdes të madh, me saktësi fetare, me kompetencë pedagogjike e metodike. Libri përbëhet nga 27 mësime të veçanta, të cilat përmbajnë paraqitjen e temës me hollësi në bazë çështjesh.

Në këtë kuadër, duke përgjithësuar përvojën e grumbulluar më vonë, në vitin 1927 botoi librin “Dijeni praktike besimtare” për shkollat fillore e mbarëshkollore, që është fillimi i botimeve të Këshillit të Naltë të Sheriatit me nr. 1. Ai është punuar në një formë të mirë paraqitëse, ka zhvillimin e temës hollësisht, e cila vazhdohet me përmbledhje, me tregues historik e praktik dhe në fund ka shpjegim fjalori. Meritat e Sheuqet Mukës për botimin e kësaj literature qenë të pakrahasueshme. Ai qe i pari që dha shembullin e mirë, që siguroi një seri librash fetarë të kësaj natyre, aq të domosdoshme për plotësimin e nevojave të fëmijëve, të rinisë e të besimtarëve. Vlera e këtyre shtohet edhe për faktin se ata ishin në gjuhë amtare, të kuptueshëm, të qartë e konkretë, me një stil të bukur e me një fjalor të zgjedhur.

Në krijimtarinë origjinale të autorit bëjnë pjesë edhe disa krijime në poezi, ilahi e kaside, që shprehin ndjesi të holla fetare, përkushtim e vlerësim të ngjarjeve historike nga Feja islame.

Është për të ardhur keq që ky kontribut me vlerë, ndër të parët përkthyes, shoqëruar me shpjegime, nuk është njohur nga studiues të ndryshëm nga Shqipëria dhe trevat shqiptare.

Lidhur ngushtë me krijimtarinë origjinale e përkthimet janë shkrimet e tij të shumta me karakter fetar. Sheuqet Muka zakonisht ka shkruar me pseudonime, për shkak të pozitës së tij zyrtare laike. Artikuj të shumtë publicistikë të firmosur me pseudonimet “Shkodrani”, “Arsyeja”, “Erzeni” etj, në revistat “Zani i Naltë” e “Kultura Islame” janë një tjetër kontribut i vlefshëm i Sheuqet Mukës për zgjidhjen e problemeve shqetësuese të Fesë islame për vendin e të gjitha trojet shqiptare.

Tematika e këtyre shkrimeve është e larmishme në përmbajtje e në formë, ajo përmbledh përkujtime personalitetesh, rrahje problemesh fetare, arsimore, kulturore, emancipuese, tolerancë ndërfetare, edukim atdhetar, diskutime, replika, propozime e kritika.

Këto botime origjinale e shkrime patën një efekt të madh pozitiv te lexuesit. Ata u vunë në dijeni me realizëm e objektivitet për gjendjen e mjaft problemeve shqetësuese për kohën, u edukuan me ndjenjat fetare e atdhetare, u bënë më të vetëdijshëm për përgjegjësinë e organeve drejtuese dhe për rolin e tyre në zgjidhjen e detyrave të mprehta në qarqet e në kryesinë e Komunitetit Mysliman, qenë pjesëmarrje aktive e autorit të tyre për zgjidhje të shpejta, të drejta, përparimtare e bashkëkohore, qenë ide për përmirësime, për reformime, për kthesa që diktonte zhvillimi fetar e kombëtar.

Në shumë shkrime ai ka trajtuar tema të rëndësishme e të mprehta të ditës e të perspektivës. Ato janë interesante, të hartuara me kulturë, të zhvilluara me synime të caktuara, të përshkuara nga dëshira për të zgjidhur probleme të vështira e të ndërlikuara. Të tilla janë shkrimet: “E vërteta s’vdes kurrë!”, “Reforma dhe shpirti i myslimanizmit”, “Të gjith kemi nji dert”, “Nji përgjigje që s’përgjegj”, “Ndrejt pështimit”.

Disa shkrime kanë pasur karakter historik islam, si: “Të dalunit e të përhapunit e Islamijetit”, “Detyra e ynë ndaj Sahabeve” etj. Këto kanë pasur elemente përkthimi, përshtatjeje e gjurmimi të literaturës botërore.

Në vargun e krijimtarisë së Sheuqet Mukës është për t’u shënuar angazhimi i tij si ligjërues në tubime me besimtarët dhe në ndihmë të hoxhallarëve për predikime, në të cilat ka mbajtur tema interesante fetare, që shquheshin për thellësinë e përmbajtjes, qartësinë e trajtimit, bukurinë e natyrshmërinë e paraqitjes së fakteve e të argumenteve, pasurinë e gjuhës e stilin elokuent prej oratori. Ligjërata të tilla kanë qenë “Shfaqja e Muhamedit (a.s.) në skenën njerëzore”, “Feja islame, fe e natyrshme” etj. Në arkivin familjar gjenden të dhëna të tjera interesante në dorëshkrime për krijimtarinë fetare. Ndër to një abetare arabisht me një metodikë moderne të mësuari, me qëllim që besimtarët e çdo moshe të aftësoheshin për të lexuar Kur’anin dhe studime të shumta, si “Shkronjat e Kur’anit”, “Rëndësia e mevludit”, etj.

Për problemin e arsimimit të fëmijëve myslimanë ai ka zhvilluar një veprimtari të gjerë edhe në drejtime të tjera. Ai ka ngulmuar që në hapjen e shkollave të para laike më 1913 e më tej, si edhe në vitet shkollore 1921-1922 e 1922-1923 e në vazhdim të hapeshin shkolla fillore atje ku mungonin, që fëmijët myslimanë të mos mbeteshin analfabetë, që në to të vendoseshin mësues myslimanë, që krahas mësimeve zyrtare ata mund të zhvillonin edhe mësimet e besimit për mungesë të kuadrit fetar.

Për arsimimin e të rinjve myslimanë ai ngriti probleme për përmirësimin e punës në Medresenë e Përgjithshme, për gjallërimin e konsolidimin e medreseve të qarqeve e për ngritjen e një medreseje të re, pas suprimimit të tyre në qytetin e Shkodrës, duke e argumentuar këtë me fakte bindëse e me përvojën e këtij qyteti fetar.

Sheuqet Muka nuk u kursye për të dhënë ndihmesën e vet edhe në drejtime të tjera: si aktivist i Myftinisë, si bashkëpunëtor i Këshillit të Naltë të Sheriatit, si këshilltar i Komunitetit Mysliman, si anëtar i kryesisë së Degës Kulturale të Komunitetit Mysliman, me kryetar personalitetin e shquar Mehdi Frashërin etj.

Në tërë veprimtarinë e tij në dobi të fesë, ai pati gjithmonë parasysh bashkëpunimin ndërfetar, edukimin për bashkëjetesë, për paqe, harmoni e miqësi mes besimtarëve të tre besimeve fetare. Në shkrimet, ligjëratat e bisedat me tematikë të ndryshme Sheuqet Muka gjithnjë kishte parasysh gërshetimin e anës fetare me atë atdhetare e anasjelltas.

Veprimtarinë fetare Sheuqet Muka nuk e ndërpreu edhe kur qe i burgosur, edhe në kampet e punës i dënuar nga diktatura komuniste. Me gjithë vështirësitë, pengesat e pasojat e rrezikshme, ai mbeti veprimtar i palodhur i edukimit të të burgosurve me mësimet fetare, u mësonte atyre pjesë kur’anore, u fliste për ngjarje të historisë islame, i nxiste t’i shtonin përpjekjet për edukimin shpirtëror, u forconte durimin e u ngjallte shpresën për jetën, për të ardhmen, për lirinë e demokracinë. E bashkëvuajtësit përfitonin nga formimi, përvoja, karakteri, besimi e shembulli i tij personal.

Për figurën, personalitetin e karakterin e Sheuqet Mukës janë dhënë vlerësime të shumta gjatë viteve të fundit nga studiues të ndryshëm. Përveç dekorimit me titullin e lartë “Mësues i Popullit” nga ana e presidentit të Republikës për kontributin e tij të shquar në lëmin e arsimit, janë vënë në dukje meritat e tij edhe në aspektin fetar.

Besimtarë të moshuar përcjellin se në Shkodër në vitet 1920 kishte “Dy bilbila, që mbanin predikime e biseda, që shkruanin libra e botonin në revista, ata ishin Hafiz Ali Korça e Sheuqet Muka”.

Vlerësime për rolin atdhetaro-fetar të Sheuqet Mukës ka dhënë edhe rapsodi Dede Shyti në veprën e tij “Rapsodi të përgjakuna” e “Kronikë rapsodike”. Ky autor shprehet kështu:

“Hallall’ kjoftë e Shqipnisë buka,

Xhemal Naipi e Sheuqet Muka,

Patriotë fetarë e atdhetarë,

Egër i shtypi diktatura”.

“Me Xhemal Naip, Sheuqet Mukë shkodran

E sa e sa tjer’nga Jugu e Tiranë,

Projekte andrrojshin, për Shqipnin’ nanë,

Se në çfarë kthetrash e kishin lanë”.

Ai ishte një patriot i flaktë dhe për të Atdheu ishte mbi të gjitha. Vija politike që predikonte ai ishte për një bashkim e vëllazërim, si një trup i vetëm, pse jemi shqiptarë, në radhë të parë, të një gjaku e të një gjuhe.

Ai shoqërohej me të burgosur me bindje të ndryshme politike, diskutonte me ta me zemër të hapur dhe vlerësonte kontributin dhe gatishmërinë për t’i shërbyer atdheut me alternativat e tij.

Ai nuk pati arsim fetar, nuk kreu detyra funksionale klerikale, nuk shërbeu në institucione e objekte kulti, nuk kishte petk fetar, megjithatë u formua si intelektual mysliman, si misionar i palodhur i fesë islame.

Kontributi i tij në dobi të fesë islame në ato kushte e rrethana është i rrallë, i madh, i efektshëm, i gjithanshëm, sepse ai qe burim dije e edukimi, arsimi e kulture islame.

Me këtë veprimtari e krijimtari të pakrahasueshme Sheuqet Muka e ka vendosur veten në radhën e parë të intelektualëve të shquar myslimanë, si shembull i bukur dhe model frymëzimi, që do të kujtohet gjithmonë nga brezat me nderim e vlerësim, me dashamirësi e mirënjohje të përhershme.[1]

[1]. Për më tepër shih artikullin e botuar nga Dok. Honoris Causa Faik Luli, gazeta “Drita Islame”, nr. 127, 1997: 3-4;


Filed Under: Komente

Presidenti Rugova nëpër vite: I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon

December 22, 2023 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë – Behlul Jashari/

PRISHTINË, Dhjetor 2023/ Pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme dhe objektivi kryesor. Kështu deklaronte para 18 viteve Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të Lidhjes Demoratike të Kosovës, partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi. Tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.

“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova, në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

“Unë e vlerësoj si vit të suksesshëm për qeverinë dhe institucionet tona për punën që është bërë, ndërsa në një moment me rëndësi është edhe hapja e bisedimeve për të ardhmen për pavarësinë e Kosovës që është rezultat i punës që e ka bërë qeveria, institucionet dhe populli i Kosovës”, tha Presidenti Rugova, ndërsa përsëriti insistimin e tij për njohjen direkte të pavarësisë së Kosovës, e cila theksoi se do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

Sa i përket çështjes së decentralizimit, të shtruar nga gazetarët, Presidenti Rugova tha se procesi i bisedimeve ka filluar tash, ndërsa ka pika të ndryshme.

“Decentralizimi siç e kemi thënë është çështje e Kosovës, pra mund t’i dëgjojmë edhe palët tjera. Mund të bisedohet si pako shtesë e pavarësisë, unë kështu e quaj, se pavarësia është e padiskutueshme, prandaj ne siç e dini kemi filluar një fazë të privatizimit me pilot projektet që ka qenë hap mjaft i guximshëm dhe më vonë do të shikojmë një reformë të përgjithshme të pushtetit lokal që më lehtë do ta bënim me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Presidenti Rugova.

Presidenti historik i Kosovës shtoi se gjithmonë mbesin punët që nuk mund të kryhen. “Ne i përmendëm vetëm ato punë që i kemi kryer dhe që janë mjaft të rëndësishme, ndërsa objektivat dhe programin për vitin e ardhshëm e paraqet qeveria dhe institucionet e Kosovës. Punë që ka mbetura e madhe pa u kryer është çështja e njohjes së pavarësisë”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket formimit të ministrive të reja, Presidenti Rugova tha se së shpejti do të vendoset për këtë.

Ndërkohë, në 25 dhjetor 2005, me një shkresë dërguar shefit të UNMIK-ut e autoriteteve më të larta të Kosovës katërmbëdhjetë përfaqësues të jetës publike të Mitrovicës, përmes nënshkrimeve të tyre, kërkonin që, me qëllim të inkurajimit të integrimit të qytetit të Mitrovicës dhe të injektimit për zhvillim ekonomik, dy ministritë e Kosovës në formim – Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të vendosen në qytetin e Mitrovicës, më të madhin verior të Kosovës…

Lidhja Demoratike e Kosovës në 23 Dhjetor 2023 shënon 34 vjetorin, e themeluar në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë.

Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër të Serbisë në Kosovë.

Ishte koha kur po para 34 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.

Në demonstratat gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Që në atë kohë, Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallnin idenë për shtetin e Kosovës, ndërsa theksonin se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”.

Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me pjesëmarrje 87,01% e votim pro 99,87%, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, në të cilat Rugovau zgjodh president i parë i Republikës së shpallur, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Presidenti Rugova në 6 Tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Si rezultat i lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dhe i bisedimeve për statusin, Kosova pavarësinë e njohur ndërkombëtarisht deri tani nga 117 shtete të botës e ka shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është themeluar LDK, e të shndërruar edhe në seli të institucioneve të Republikës së shpallur me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990.

“Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në Dhjetor 2002.

Shtëpia ku u themelua LDK – Muzeu tani ka emrin “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.

Filed Under: Komente

Gjeopolitikë/Kush janë Houthit e Jemenit dhe pse po sulmojnë anijet në Detin e Kuq?

December 21, 2023 by s p

Analizë nga Rafael Floqi/

Rebelët Houthi të Jemenit të mbështetur nga Irani po shtojnë sulmet e tyre ndaj anijeve në Detin e Kuq, të cilat ata thonë se janë hakmarrje ndaj Izraelit për fushatën e tij ushtarake në Gaza. Sulmet kanë detyruar disa nga kompanitë më të mëdha të transportit dhe naftës në botë të pezullojnë tranzitin përmes një prej rrugëve më të rëndësishme të tregtisë detare në botë, gjë që mund të shkaktojë një tronditje në ekonominë globale. Houthi-t besohet se janë armatosur dhe trajnuar nga Irani dhe ka frikë se sulmet e tyre mund ta përshkallëzojnë luftën e Izraelit kundër Hamasit në një konflikt më të gjerë rajonal. Ja çfarë dimë për Houthi-t dhe pse ata po përfshihen në luftë.

Kush janë Houthis?

Lëvizja Houthi, e njohur gjithashtu si Ansarallah (Përkrahësit e Zotit), është njëra anë e luftës civile në Jemen që ka shpërthyer për gati një dekadë. Ajo u shfaq në vitet 1990, kur udhëheqësi i saj, Hussein al-Houthi, nisi “Rininë Besimtare”, një lëvizje ringjalljeje fetare për një nënsekt shekullor të Islamit Shiit të quajtur Zaidizëm.

Zaidët sunduan Jemenin për shekuj, por u margjinalizuan nën regjimin sunit që erdhi në pushtet pas luftës civile të vitit 1962. Lëvizja e Al-Houthi u themelua për të përfaqësuar Zaidët dhe për t’i rezistuar sunizmit radikal, veçanërisht ideve vehabiste nga Arabia Saudite. Ndjekësit e tij më të afërt u bënë të njohur si Houthis.

Si e fituan pushtetin?

Ali Abdullah Saleh, presidenti i parë i Jemenit pas bashkimit të Jemenit të Veriut dhe Jugut në vitin 1990, fillimisht mbështeti Rininë Besimtare. Por ndërsa popullariteti i lëvizjes u rrit dhe retorika anti-qeveritare u mpreh, ajo u bë një kërcënim për Saleh. Gjërat arritën në krye në vitin 2003, kur Saleh mbështeti pushtimin e Shteteve të Bashkuara të Irakut, të cilin shumë jemenas e kundërshtuan.

Për al-Houthi, përçarja ishte një mundësi. Duke kapur zemërimin publik, ai organizoi demonstrata masive. Pas muajsh trazirash, Saleh lëshoi një urdhër për arrestimin e tij. Al-Houthi u vra në shtator 2004 nga forcat jemenase, por lëvizja e tij vazhdoi. Krahu ushtarak Houthi u rrit ndërsa më shumë luftëtarë iu bashkuan kauzës. Të inkurajuar nga protestat e hershme të Pranverës Arabe në vitin 2011, ata morën kontrollin e provincës veriore të Saada dhe bënë thirrje për fundin e regjimit të Saleh.

Luftëtarët e saporekrutuar që iu bashkuan një force Houthi synuan të dërgoheshin për të luftuar në mbështetje të palestinezëve në Gaza, marshojnë në Sanaa, Jemen, 2 dhjetor 2023.

A e kontrollojnë Huthi Jemenin?

Saleh ra dakord në vitin 2011 t’ia dorëzonte pushtetin zëvendëspresidentit të tij Abd-Rabbu Mansour Hadi, por kjo qeveri nuk ishte më popullore. Huthi goditën përsëri në vitin 2014, duke marrë nën kontroll disa pjesë të Sanaa, kryeqyteti i Jemenit, përpara se përfundimisht të sulmonin pallatin presidencial në fillim të vitit të ardhshëm.

Hadi u arratis në Arabinë Saudite, e cila filloi një luftë kundër Houthis me kërkesën e tij në mars 2015. Ajo që pritej të ishte një fushatë e shpejtë zgjati vite: Një armëpushim u nënshkrua më në fund në 2022. Ai skadoi pas gjashtë muajsh, por palët ndërluftuese nuk kanë t u kthye në konflikt të shkallës së plotë.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se lufta në Jemen është kthyer në krizën më të keqe humanitare në botë. Gati një çerek milion njerëz janë vrarë gjatë konfliktit, sipas statistikave të OKB-së. Që nga armëpushimi, Houthi-t kanë konsoliduar kontrollin e tyre mbi pjesën më të madhe të Jemenit verior. Ata gjithashtu kanë kërkuar një marrëveshje me sauditët që do ta çonte luftën në një fund të përhershëm dhe do të çimentonte rolin e tyre si sundimtarë të vendit.

Kush janë aleatët e tyre?

Houthi-t mbështeten nga Irani, i cili filloi të rrisë ndihmën e tij për grupin në vitin 2014 ndërsa lufta civile u përshkallëzua dhe ndërsa rivaliteti i tij me Arabinë Saudite u intensifikua. Sipas një raporti të vitit 2021 nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Irani i ka ofruar grupit armë dhe teknologji, ndër të tjera, për mina detare, raketa balistike dhe lundruese, si dhe mjete ajrore pa pilot (UAV, ose drone).

Huthi janë pjesë e të ashtuquajturit “Boshti i Rezistencës” i Iranit – një aleancë e milicive rajonale anti-izraelite dhe anti-perëndimore të udhëhequra nga Irani, të mbështetur nga Republika Islamike. Së bashku me Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në Liban, Houthis janë një nga tre milicitë e shquara të mbështetura nga Irani që kanë nisur sulme ndaj Izraelit në javët e fundit.

Sa të fuqishëm janë Houthis?

Zyrtarët amerikanë kanë ndjekur përmirësime të përsëritura në rrezen, saktësinë dhe shkatërrimin e raketave të prodhuara në vend të Houthis. Fillimisht, armët Houthi të prodhuara në vend u grumbulluan kryesisht me komponentë iranianë të kontrabanduar në Jemen në copa, tha më parë për CNN një zyrtar i njohur me inteligjencën amerikane. Por ata kanë bërë modifikime progresive që kanë shtuar përmirësime të mëdha të përgjithshme, tha zyrtari. Në një zhvillim të ri, Houthi-t kanë përdorur raketa balistike me rreze të mesme veprimi kundër Izraelit, duke gjuajtur një breshëri predhash në rajonin jugor të Izraelit të Eilat në fillim të dhjetorit, të cilin Izraeli tha se i kishte interceptuar ato.

Ndërsa Houthi mund duke mos qenë në gjendje të paraqesin një kërcënim serioz për Izraelin, teknologjia e tyre mund të bëjë kërdi në Detin e Kuq. Ata kanë përdorur drone dhe raketa kundër anijeve për të shënjestruar anijet tregtare – disa prej të cilave nuk besohet se janë të lidhura me Izraelin – duke bërë që USS Carney, një anije luftarake në Detin e Kuq, t’i përgjigjet thirrjeve për fatkeqësi. Luftëtarët Houthi morën kontrollin e anijes së ngarkesave Galaxy Leader në Detin e Kuq, 20 nëntor 2023.

Pse Houthi-t sulmojnë anijet në Detin e Kuq?

Ndërsa, përmes një kombinimi të gjeografisë dhe teknologjisë, Houthi-ve mund t’u mungojnë aftësitë e Hamasit dhe Hezbollahut, sulmet e tyre në anijet tregtare në Detin e Kuq mund t’i shkaktojnë një lloj dhimbjeje të ndryshme Izraelit dhe aleatëve të tij. Ekonomisë globale i janë shërbyer një seri kujtimesh të dhimbshme për rëndësinë e kësaj pjese të ngushtë deti, e cila shkon nga ngushtica e Bab-el-Mandeb në brigjet e Jemenit deri në Kanalin e Suezit në Egjiptin verior – dhe përmes së cilës 12% e flukset e tregtisë globale, duke përfshirë 30% të trafikut global të kontejnerëve.

Në vitin 2021, një anije e quajtur Ever Given u rrëzua në kanalin e Suezit, duke bllokuar arterien jetike tregtare për gati një javë – duke mbajtur deri në 10 miliardë dollarë ngarkesë çdo ditë – dhe duke shkaktuar ndërprerje në zinxhirët e furnizimit global që zgjatën shumë më gjatë.

Ekziston frika se sulmet me dron dhe raketa Houthi kundër anijeve tregtare, të cilat kanë ndodhur pothuajse çdo ditë që nga 9 dhjetori, mund të shkaktojnë një tronditje edhe më të madhe në ekonominë botërore.

Katër nga pesë firmat kryesore të transportit në botë – Maersk, Hapag-Lloyd, CMA CGM Group dhe Evergreen – kanë njoftuar se do të ndalojnë transportin përmes Detit të Kuq mes frikës nga sulmet Houthi. Gjigandi i naftës BP tha të hënën se do të bënte të njëjtën gjë – një veprim që shkaktoi rritje të çmimeve të naftës dhe gazit.

Sulmet mund t’i detyrojnë anijet të marrin një rrugë shumë më të gjatë rreth Afrikës dhe të shkaktojnë rritje të kostove të sigurimit. Kompanitë mund të kalojnë koston e rritur të lëvizjes së mallrave të tyre tek konsumatorët, duke rritur sërish çmimet në një kohë kur qeveritë në mbarë botën kanë luftuar për të zbutur inflacionin pas pandemisë. Houthi-t thonë se ata do të tërhiqen vetëm kur Izraeli të lejojë hyrjen e ushqimit dhe ilaçeve në Gaza; sulmet e tij mund të synojnë të shkaktojnë dhimbje ekonomike mbi aleatët e Izraelit me shpresën se ata do t’i bëjnë presion atij që të ndërpresë bombardimet e tij ndaj enklavës.

Kampionimi i kauzës palestineze mund të jetë gjithashtu një përpjekje për të fituar legjitimitet në vend dhe në rajon, ndërsa ata kërkojnë të kontrollojnë Jemenin verior. Kjo gjithashtu mund t’u japë atyre një dorë të epërme kundër kundërshtarëve të tyre arabë, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilët ata i akuzojnë si lakej të SHBA-së dhe Izraelit.

Si ka reaguar bota?

Sulmet mund të synojnë të tërheqin më shumë vende në konflikt. Izraeli ka paralajmëruar se është i gatshëm të veprojë kundër Houthis nëse komuniteti ndërkombëtar nuk e bën këtë. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Tzachi Hanegbi tha këtë muaj se duhet të ketë një “marrëveshje globale” për të adresuar kërcënimin “sepse është një çështje globale”, duke iu referuar sulmeve Houthi si një “rrethim detar”.

Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan tha se të paktën 12 anije tregtare dhe tregtare në Detin e Kuq ishin shënjestruar gjatë muajit të fundit, duke shtuar se sulmet ishin në një shkallë të paparë në “dy breza”. Zyrtari tha se sulmet kishin prekur të paktën 44 vende me lidhje me ato anije, por ndikimi ndërkombëtar ka të ngjarë të jetë më i madh për shkak të pasojave të gjera të tregtisë globale.

SHBA njoftoi të hënën një task forcë të re shumëkombëshe detare që përbëhet nga Mbretëria e Bashkuar, Bahreini, Kanadaja, Franca, Norvegjia dhe të tjerë, për të “përballuar sfidën e paraqitur nga ky aktor joshtetëror” që “kërcënon rrjedhën e lirë të tregtisë, rrezikon të pafajshmit” marinarët dhe shkel ligjin ndërkombëtar.”

Mohammed al-Bukhaiti, një zëdhënës i Houthi, i tha Al Jazeera të hënën se grupi do të përballet me çdo koalicion të udhëhequr nga SHBA në Detin e Kuq. Ashtu si administrata e Bidenit po fillon t’i nënshtrohet presionit që ajo të shtyjë Izraelin të mbyllë fushatën e tij në Gaza, SHBA-të mund ta gjejnë veten duke u tërhequr më thellë në Lindjen e Mesme nga rebelët Houthi, por efektivë, të cilët e kanë bërë veten e tyre. e pamundur të injorohen.

Filed Under: Komente

Vatra Hartford, CT, vendos për hapjen e një shkolle shqipe për fëmijët shqiptarë

December 18, 2023 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, dega Hartford, CT, në mbledhjen e kryesisë mbajtur më 16 dhjetor 2023 vendosi veç të tjerash për hapjen e një shkolle shqipe për fëmijët shqiptarë në Hartford. Me pjesëmarrjen e të deleguarit të kryesisë së Vatrës arkëtarit z.Besim Malota, kryesia e Vatrës në Hartford vendosi mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor më 14 prill 2024 dhe ftoi të gjithë shqiptarët e Amerikës që të bashkohen më 17 shkurt për të festuar pavarësinë e Kosovës e cila do të organizohet ekskluzivisht nga Vatra Hartford. Producenti televiziv vatrani Nazim Salihu ofroi për vatranët hapësirën e tij televizive për promovimin e aktiviteteve në ndihmë të komunitetit shqiptar në Hartford dhe aktiviteteve që lartësojnë kombin shqiptar në mërgatën e Amerikës.

Filed Under: Komente

VASIL ANDONI – VEPRIMTAR I DALLUAR I ARSIMIT DHE PEDAGOGJISË SHQIPTARE

December 16, 2023 by s p

Prof.Dr. Roland Gjini*/

Më lejoni që, fillimisht, të përshëndes përzemërsisht autorët e kësaj monografie, për këtë vepër të vyer e të munguar për ne që merremi me fushën e arsimit e më gjerë. Vasil Andoni, personalitet i shquar i Elbasanit, mes të tjerave, është dalluar edhe për kontributin e tij në fushën e arsimit dhe pedagogjisë shqiptare. I arsimuar për 8 vjet në kolegjin enjohur, “Robert Kolegj” të Stambollit, (1918-1926) ku vazhdoi 6 vjet studime të arsimit të mesëm dhe 2 vjet të arsimit të lartë për pedagogji e psikologji, ai do të bëhet një ndër specialistët e parë shqiptarë të këtyre fushave. Përgatitja e tij shkencore do të thellohet më tej në vitet 1926-1928, ku studioi për shkencat pedagogjike në Francë.

I përgatitur me përvojë perëndimore, cilësitë e tij si specialist i pedagogjisë e psikologjisë do t’i shpalosë në atdhe pas vitit 1928, fillimisht në Normalen e Elbasanit. U caktua mësues i kësaj shkolle për lëndët psikologji e pedagogji. Që në fillim u dallua në iniciativën e tij për të reformuar procesin mësimor të kësaj shkolle, më e njohura në trojet shqiptare. Kështu, ai këmbëngulte që mësimi të mos përqendrohej vetëm te librat, literatura, mjetet mësimore dhe kabineti, por edhe në jetën e përditshme, në mjedisin, shkollën, familjen e gjithçka që rrethon nxënësin. Sipas tij, qëllimi kryesor i Normales duhet të ishte: përgatitja e mësuesve me një kulturë të plotë shkencore e pedagogjike, si nga ana teorike, ashtu edhe praktike, më tej ai gjykonte se reformimi i Normales duhej të shoqërohej më pas me reformimin në tërësi të arsimit kombëtar. Në aftësimin praktik të normalistëve si mësues të ardhshëm, ai vlerësonte rolin e shkollës ushtrimore si laborator i gjallë i përgatitjes së mësuesve.

Për përgatitjen nga ana teorike të studentëve, Andoni vinte theksin në hartimin e teksteve mësimore sipas kritereve të njohura shkencore e didaktike, si dhe në pajisjen e shkollës me bibliotekë. Një rol të rëndësishëm, sipas tij, do të kishin edhe informacionet dhe studimet bashkëkohore në fushën e shkencave dhe të pedagogjisë. Prandaj ai është ndër iniciatorët, e më pas, ndër anëtarët kryesorë të bordit botues të revistës “Normalisti” nga numri i saj i parë, pra nga viti 1929 e në vijim. Me të drejtë autorët e kësaj monografie theksojnë se revista “Normalisti” qe krijesa e zemrës së Vasil Andonit, qe pasardhëse e shpirtit të tij atdhetar e arsimdashës, qe ajka e kulturës së tij të gjanë”. Nga pena e Vasil Andonit, kjo revistë publikoi disa artikuj të karakterit psikologjik, pedagogjik e didaktik, që trajtonin aspekte teorike e praktike të arsimimit jo vetëm për mësuesit e nxënësit e Normales, por për tërë masën e mësuesve dhe të nxënësve në mbarë arsimin kombëtar shqiptar.

Duke qenë për disa vite konviktor gjatë kohës që studionte jashtë vendit, ai jo vetëm krijoi një përvojë të mirë për jetën konviktore, por dhe ishte në gjendje të nuhaste se për çfarë kishin nevojë konviktorët. Kjo e bëri atë që të mos ishte thjesht një drejtues konvikti (zv. Drejtor i Internatit) në Normale, por t’u qëndronte përherë pranë studentëve konviktorë e të përkujdesej për hallet e nevojat e tyre. Motoja e tij në këtë drejtim ishte që t’i bëjmë nxënësit që ndonëse jetojnë në konvikt, ta ndjejnë veten si në shtëpinë e familjen e tyre. Që studentët konviktorë të ishin të orientuar e të organizuar në kërkesat e tyre, ai i nxiti ata që të krijojnë një organizatë të vetën, dhe kështu në vitin 1929 u ngrit në Normale “Shoqata studentore”.

Kontributin e tij për arsimin kombëtar e vazhdoi me cilësi e suksese dhe në vitet 1935-39 në liceun e Korcës, madje dhe në vitin 1942, kur u vendos në Prishtinë e bëri atje përpjekje të mëdha për hapjen e një shkolle Normale, që do të përgatiste mësues për Kosovën. Angazhimi i tij si veprimtar antifashist, pas vitit 1939, dhe si veprimtar politik pas vitit 1942, nuk e pengoi e as e largoi atë nga veprimtaria pedagogjike për shtrirjen e forcimin e arsimit tonë kombëtar.

Janë të gjitha këto kontribute që e rreshtojnë Vasil Andonin përkrah burrave të shquar e të mençur të Elbasanit, që vunë themelet, që ngritën e forcuan shkollën tonë kombëtare. Angazhimi i tij në politikë, duke drejtuar organizatën e “Ballit “Kombëtar” gjatë viteve të Luftës Antifashiste shpjegohet vetëm me pikëpamjet dhe qëndrimin e tij nacionalist, dhe nuk mund të zbehin shumë përmasat e tij si intelektual dhe punëtor i shquar i arsimit dhe pedagogjisë shqiptare.

*Disa mendime rreth monografisë “Vasil Andoni” të autorëve Rudof  Deliana dhe Rudina Deliana

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 488
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT