Sheuqet Muka (1887-1967)
“Mësuesi i Popullit”
“Zani i Naltë”
Abstrakt
Sheuqet Muka ishte një patriot i flaktë dhe për të Atdheu ishte mbi të gjitha. Vija politike që predikonte ai ishte për një bashkim e vëllazërim, si një trup i vetëm, pse jemi shqiptarë, në radhë të parë, të një gjaku e të një gjuhe.
Ai nuk pati arsim fetar, nuk kreu detyra funksionale klerikale, nuk shërbeu në institucione e objekte kulti, nuk kishte petk fetar, megjithatë u formua si intelektual mysliman, si misionar i palodhur i Fesë islame.
Kontributi i tij në dobi të fesë islame në ato kushte e rrethana është i rrallë, i madh, i efektshëm, i gjithanshëm, sepse ai qe burim dije e edukimi, arsimi e kulture islame.
Në tërë veprimtarinë e tij në dobi të fesë, ai pati gjithmonë parasysh bashkëpunimin ndërfetar, edukimin për bashkëjetesë, për paqe, harmoni e miqësi mes besimtarëve të tre besimeve fetare. Në shkrimet, ligjëratat e bisedat me tematikë të ndryshme Sheuqet Muka gjithnjë kishte parasysh gërshetimin e anës fetare me atë atdhetare e anasjelltas.
Sheuqet Muka edukimin fillestar e mori në mejtep e më vonë tek intelektuali i shquar islam Haxhi Ibrahim Kaduku, te myderrizët e hoxhallarët me zë, si: H. Hafiz Sali Myftia, Muhamed Bekteshi etj, si dhe nga një studim intensiv individual i pandërprerë. Mësimi i gjuhës arabe dhe i shumë gjuhëve të tjera lindore e perëndimore, si poliglot, studimi i vëmendshëm dhe i kujdesshëm i Kur’anit, i haditheve profetike dhe i historisë islame, krijimi i një biblioteke të pasur e të rrallë, bashkëpunimi i vazhdueshëm me personalitetet fetare të të gjithë vendit, njohja e gjendjes dhe e nevojave të objekteve të kultit, të institucioneve fetare, kontaktet me besimtarët myslimanë, në përgjithësi dhe veçanërisht të rinisë, dëshira për emancipimin e besimtarëve e kanë angazhuar atë për t’u marrë paralelisht me detyrat zyrtare dhe me problemet fetare. Kontributi fetar i Sheuqet Mukës ka pasur një grafik në rritje, ka qenë gjithnjë më i dukshëm, më frytdhënës në përputhje me rritjen e tij intelektuale, me afirmimin e tij në mjedisin e opinionin qytetar shkodran.
Përkushtimi i tij për fenë në përgjithësi e për disa probleme të saj në veçanti ranë në sy të organeve drejtuese arsimore fetare, që krijuan idenë e formimit të perspektivës së këtij të riu aktiv e të papërtuar. Prania e tij si përfaqësues i Inspektorisë së Arsimit në provimet vjetore të Medresesë së Epërme në pazar të Shkodrës në vitin shkollor 1926-1927, konkluzionet e nxjerra dhe propozimet e bëra në raportin përkatës ndikuan që të emërohet mësues i jashtëm i Medresesë së Re në vitin 1927-1928.
Nxënësit e kësaj shkolle nuk gjenin fjalë për të lavdëruar mësuesin e tyre të ri. Ata thonin se krahas drejtuesve e profesorëve të përmendur fetarë, kishin pasur edhe mësues të kulturës së përgjithshme, po aq kompetentë e të paharruar si Sheuqet Mukën, Hasan Tahsinin e të tjerë. Ata tregonin për aftësitë e tyre shkencore, pedagogjike, didaktike e komunikuese, si edhe për interpretimin e drejtë të lëndës në përputhje me parimet e fesë islame. Me përgatitjen e përvojën që fitoi, Sheuqet Muka mori nismën dhe ia arriti qëllimit, duke bërë një punë të lavdërueshme për hartimin e teksteve mësimore për mësimin e besimit dhe përkthimin e “Jasinës”.
Në vitin 1923 ndodhën ngjarje të rëndësishme për besimtarët myslimanë shqiptarë: u zhvilluan Kongresi Mysliman, në të cilin ai qe pjesëmarrës aktiv si përfaqësues i prefekturës së Shkodrës. Në këtë kohë lindi nevoja e hartimit të teksteve të mësimit të besimit për nxënësit e shkollave fillore. Kësaj detyre të vështirë, por me vlera të mëdha edukative, iu përgjigj i pari Sheuqet Muka. Ai hartoi njërin pas tjetrit 3 libra të tillë (ilmihal) që në vitin 1923, të cilët u miratuan nga Këshilli i Naltë i Xhema’ati Islamijes dhe Ministria e Arsimit.
Duke u ndalur vetëm te libri i parë rezulton se autori e ka përgatitur atë me një aftësi të rrallë, me një kujdes të madh, me saktësi fetare, me kompetencë pedagogjike e metodike. Libri përbëhet nga 27 mësime të veçanta, të cilat përmbajnë paraqitjen e temës me hollësi në bazë çështjesh.
Në këtë kuadër, duke përgjithësuar përvojën e grumbulluar më vonë, në vitin 1927 botoi librin “Dijeni praktike besimtare” për shkollat fillore e mbarëshkollore, që është fillimi i botimeve të Këshillit të Naltë të Sheriatit me nr. 1. Ai është punuar në një formë të mirë paraqitëse, ka zhvillimin e temës hollësisht, e cila vazhdohet me përmbledhje, me tregues historik e praktik dhe në fund ka shpjegim fjalori. Meritat e Sheuqet Mukës për botimin e kësaj literature qenë të pakrahasueshme. Ai qe i pari që dha shembullin e mirë, që siguroi një seri librash fetarë të kësaj natyre, aq të domosdoshme për plotësimin e nevojave të fëmijëve, të rinisë e të besimtarëve. Vlera e këtyre shtohet edhe për faktin se ata ishin në gjuhë amtare, të kuptueshëm, të qartë e konkretë, me një stil të bukur e me një fjalor të zgjedhur.
Në krijimtarinë origjinale të autorit bëjnë pjesë edhe disa krijime në poezi, ilahi e kaside, që shprehin ndjesi të holla fetare, përkushtim e vlerësim të ngjarjeve historike nga Feja islame.
Është për të ardhur keq që ky kontribut me vlerë, ndër të parët përkthyes, shoqëruar me shpjegime, nuk është njohur nga studiues të ndryshëm nga Shqipëria dhe trevat shqiptare.
Lidhur ngushtë me krijimtarinë origjinale e përkthimet janë shkrimet e tij të shumta me karakter fetar. Sheuqet Muka zakonisht ka shkruar me pseudonime, për shkak të pozitës së tij zyrtare laike. Artikuj të shumtë publicistikë të firmosur me pseudonimet “Shkodrani”, “Arsyeja”, “Erzeni” etj, në revistat “Zani i Naltë” e “Kultura Islame” janë një tjetër kontribut i vlefshëm i Sheuqet Mukës për zgjidhjen e problemeve shqetësuese të Fesë islame për vendin e të gjitha trojet shqiptare.
Tematika e këtyre shkrimeve është e larmishme në përmbajtje e në formë, ajo përmbledh përkujtime personalitetesh, rrahje problemesh fetare, arsimore, kulturore, emancipuese, tolerancë ndërfetare, edukim atdhetar, diskutime, replika, propozime e kritika.
Këto botime origjinale e shkrime patën një efekt të madh pozitiv te lexuesit. Ata u vunë në dijeni me realizëm e objektivitet për gjendjen e mjaft problemeve shqetësuese për kohën, u edukuan me ndjenjat fetare e atdhetare, u bënë më të vetëdijshëm për përgjegjësinë e organeve drejtuese dhe për rolin e tyre në zgjidhjen e detyrave të mprehta në qarqet e në kryesinë e Komunitetit Mysliman, qenë pjesëmarrje aktive e autorit të tyre për zgjidhje të shpejta, të drejta, përparimtare e bashkëkohore, qenë ide për përmirësime, për reformime, për kthesa që diktonte zhvillimi fetar e kombëtar.
Në shumë shkrime ai ka trajtuar tema të rëndësishme e të mprehta të ditës e të perspektivës. Ato janë interesante, të hartuara me kulturë, të zhvilluara me synime të caktuara, të përshkuara nga dëshira për të zgjidhur probleme të vështira e të ndërlikuara. Të tilla janë shkrimet: “E vërteta s’vdes kurrë!”, “Reforma dhe shpirti i myslimanizmit”, “Të gjith kemi nji dert”, “Nji përgjigje që s’përgjegj”, “Ndrejt pështimit”.
Disa shkrime kanë pasur karakter historik islam, si: “Të dalunit e të përhapunit e Islamijetit”, “Detyra e ynë ndaj Sahabeve” etj. Këto kanë pasur elemente përkthimi, përshtatjeje e gjurmimi të literaturës botërore.
Në vargun e krijimtarisë së Sheuqet Mukës është për t’u shënuar angazhimi i tij si ligjërues në tubime me besimtarët dhe në ndihmë të hoxhallarëve për predikime, në të cilat ka mbajtur tema interesante fetare, që shquheshin për thellësinë e përmbajtjes, qartësinë e trajtimit, bukurinë e natyrshmërinë e paraqitjes së fakteve e të argumenteve, pasurinë e gjuhës e stilin elokuent prej oratori. Ligjërata të tilla kanë qenë “Shfaqja e Muhamedit (a.s.) në skenën njerëzore”, “Feja islame, fe e natyrshme” etj. Në arkivin familjar gjenden të dhëna të tjera interesante në dorëshkrime për krijimtarinë fetare. Ndër to një abetare arabisht me një metodikë moderne të mësuari, me qëllim që besimtarët e çdo moshe të aftësoheshin për të lexuar Kur’anin dhe studime të shumta, si “Shkronjat e Kur’anit”, “Rëndësia e mevludit”, etj.
Për problemin e arsimimit të fëmijëve myslimanë ai ka zhvilluar një veprimtari të gjerë edhe në drejtime të tjera. Ai ka ngulmuar që në hapjen e shkollave të para laike më 1913 e më tej, si edhe në vitet shkollore 1921-1922 e 1922-1923 e në vazhdim të hapeshin shkolla fillore atje ku mungonin, që fëmijët myslimanë të mos mbeteshin analfabetë, që në to të vendoseshin mësues myslimanë, që krahas mësimeve zyrtare ata mund të zhvillonin edhe mësimet e besimit për mungesë të kuadrit fetar.
Për arsimimin e të rinjve myslimanë ai ngriti probleme për përmirësimin e punës në Medresenë e Përgjithshme, për gjallërimin e konsolidimin e medreseve të qarqeve e për ngritjen e një medreseje të re, pas suprimimit të tyre në qytetin e Shkodrës, duke e argumentuar këtë me fakte bindëse e me përvojën e këtij qyteti fetar.
Sheuqet Muka nuk u kursye për të dhënë ndihmesën e vet edhe në drejtime të tjera: si aktivist i Myftinisë, si bashkëpunëtor i Këshillit të Naltë të Sheriatit, si këshilltar i Komunitetit Mysliman, si anëtar i kryesisë së Degës Kulturale të Komunitetit Mysliman, me kryetar personalitetin e shquar Mehdi Frashërin etj.
Në tërë veprimtarinë e tij në dobi të fesë, ai pati gjithmonë parasysh bashkëpunimin ndërfetar, edukimin për bashkëjetesë, për paqe, harmoni e miqësi mes besimtarëve të tre besimeve fetare. Në shkrimet, ligjëratat e bisedat me tematikë të ndryshme Sheuqet Muka gjithnjë kishte parasysh gërshetimin e anës fetare me atë atdhetare e anasjelltas.
Veprimtarinë fetare Sheuqet Muka nuk e ndërpreu edhe kur qe i burgosur, edhe në kampet e punës i dënuar nga diktatura komuniste. Me gjithë vështirësitë, pengesat e pasojat e rrezikshme, ai mbeti veprimtar i palodhur i edukimit të të burgosurve me mësimet fetare, u mësonte atyre pjesë kur’anore, u fliste për ngjarje të historisë islame, i nxiste t’i shtonin përpjekjet për edukimin shpirtëror, u forconte durimin e u ngjallte shpresën për jetën, për të ardhmen, për lirinë e demokracinë. E bashkëvuajtësit përfitonin nga formimi, përvoja, karakteri, besimi e shembulli i tij personal.
Për figurën, personalitetin e karakterin e Sheuqet Mukës janë dhënë vlerësime të shumta gjatë viteve të fundit nga studiues të ndryshëm. Përveç dekorimit me titullin e lartë “Mësues i Popullit” nga ana e presidentit të Republikës për kontributin e tij të shquar në lëmin e arsimit, janë vënë në dukje meritat e tij edhe në aspektin fetar.
Besimtarë të moshuar përcjellin se në Shkodër në vitet 1920 kishte “Dy bilbila, që mbanin predikime e biseda, që shkruanin libra e botonin në revista, ata ishin Hafiz Ali Korça e Sheuqet Muka”.
Vlerësime për rolin atdhetaro-fetar të Sheuqet Mukës ka dhënë edhe rapsodi Dede Shyti në veprën e tij “Rapsodi të përgjakuna” e “Kronikë rapsodike”. Ky autor shprehet kështu:
“Hallall’ kjoftë e Shqipnisë buka,
Xhemal Naipi e Sheuqet Muka,
Patriotë fetarë e atdhetarë,
Egër i shtypi diktatura”.
“Me Xhemal Naip, Sheuqet Mukë shkodran
E sa e sa tjer’nga Jugu e Tiranë,
Projekte andrrojshin, për Shqipnin’ nanë,
Se në çfarë kthetrash e kishin lanë”.
Ai ishte një patriot i flaktë dhe për të Atdheu ishte mbi të gjitha. Vija politike që predikonte ai ishte për një bashkim e vëllazërim, si një trup i vetëm, pse jemi shqiptarë, në radhë të parë, të një gjaku e të një gjuhe.
Ai shoqërohej me të burgosur me bindje të ndryshme politike, diskutonte me ta me zemër të hapur dhe vlerësonte kontributin dhe gatishmërinë për t’i shërbyer atdheut me alternativat e tij.
Ai nuk pati arsim fetar, nuk kreu detyra funksionale klerikale, nuk shërbeu në institucione e objekte kulti, nuk kishte petk fetar, megjithatë u formua si intelektual mysliman, si misionar i palodhur i fesë islame.
Kontributi i tij në dobi të fesë islame në ato kushte e rrethana është i rrallë, i madh, i efektshëm, i gjithanshëm, sepse ai qe burim dije e edukimi, arsimi e kulture islame.
Me këtë veprimtari e krijimtari të pakrahasueshme Sheuqet Muka e ka vendosur veten në radhën e parë të intelektualëve të shquar myslimanë, si shembull i bukur dhe model frymëzimi, që do të kujtohet gjithmonë nga brezat me nderim e vlerësim, me dashamirësi e mirënjohje të përhershme.[1]
[1]. Për më tepër shih artikullin e botuar nga Dok. Honoris Causa Faik Luli, gazeta “Drita Islame”, nr. 127, 1997: 3-4;