• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Hapat drejt dialogut dhe harmonisë ndërfetare”

December 15, 2023 by s p

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë/

Është zhvilluar në Shkodër Konferenca Ndërfetare “Hapat drejt dialogut dhe harmonisë ndërfetare”.

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm Kryetari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe njëkohësisht Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu, Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Mons. Angelo Massafra, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, përfaqësues nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, Ambasadori i Ambasadës Hollandeze në Shqipëri, SHTZ. Reinout Vos, Drejtori i Qendrës Rinore “ARKA”, z. Marjan Lukani, si dhe studiues e studentë nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” dhe institucionet arsimore të qytetit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Spahiu, e vlerësoi këtë konferencë si një demonstrim të vlerave të larta të qytetarisë, vëllazërisë dhe harmonisë që mbart qyteti i Shkodrës.

“Bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare në Shqipëri, e veçanërisht në Shkodër, e kanë dëshmuar jo vetëm dijetarët e feve por edhe studiues, historianë, e shkrimtarë vendas e të huaj”, tha ndër të tjera ai.

Më tej, Mons. Angelo Massafra, u shpreh se feja e vërtetë i bashkon njerëzit dhe është e hapur ndaj dialogut ndërsa ekstremizmi fetar mund të sjellë vetëm ndarje.

Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe përfaqësuesit e tjerë fetarë të pranishëm, të cilët përcollën mesazhe të ndryshme harmonie, dialogu dhe bashkëpunimi.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i KNFSH-së Prof. Kruja në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka vënë theksin mbi rëndësinë e edukimit dhe arsimit në promovimin e frymës së dialogut dhe trashëgimisë së bashkëjetesës ndërfetare, lënë nga të parët tanë.

Pas ceremonisë së hapjes, konferenca u zhvillua më tej në dy sesione diskutimi, sesione në të cilët, gazetarët, studiuesit, akademikët dhe studentët e shkollave me përkatësi të ndryshme fetare në vendin tonë, trajtuan aspekte të shumta të forcimit të dialogut dhe harmonisë ndërfetare në Shkodër e në mbarë vendin tonë.

Konferenca është zhvilluar nga Qendra Rinore “Arka” me mbështetjen e Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri. Gjatë aktivitetit janë shpërndarë gjithashtu dhe kopje të librit “Historia e Dialogut Ndërfetar” me autor Prof. Genti Kruja.

Filed Under: Komente

Presidenti i Universitetit Qiriazi Prof. Gjokë ULDEDAJ, priti në ambjentet e këtij Universiteti, Dr. Pashko R. Camaj, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA

December 14, 2023 by s p

Dr. Pashko R. Camaj, mban gradën Doktor i Shkencave në Shëndet Publik, në Columbia University dhe është një personalitet me vlera dhe kontribute të spikatura shkencore, intelektuale dhe kombëtare.

Dr. Pashko R. Camaj është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Titullin e Lartë: “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Në takim u theksua se “Vatra” me “Universitetin Qiriazi”, kanë të përbashkët kontribuesit: Motrat Qiriazi dhe rilindasin Kristo Dako, i cili në një kohë ka qenë kryetar i kësaj Federate dhe redaktor i “Diellit”, organit legjendar të “Vatrës”.

Gjithashtu u tha në vijim se, dy institucionet tona, “Vatra” dhe “Kolegji Universitar Qiriazi”, mund të bëjnë më shumë për vlerësimin e këtyre figurave emblematike të Rilindjes dhe të arsimit kombëtar shqiptar. Në takim ishin prezent edhe Prof. Gjok Vuksani dhe Dr. Gjovalin Gjeloshi.

Filed Under: Komente

“Shqipëria 2023, e gjunjëzuar nga katrahura e 4P-ve”

December 12, 2023 by s p

 

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Paraprakisht, për të evituar spekullimet me titullin, më duhet të qartësoj se:“4P-të janë respektivisht, Pluralizmi fasadë, fuqia e (mbi) Pushtetetit, tradita e Pandëshkushmërisë dhe Populizmi bollshevik”!     

Me konkretisht po paraqes një përmbledhje të rrëshqitjes së Shqipërisë/2023 (me 4P-të, më të deformuara cinikisht se 1991) por dhe të përballjes/betejës kryesisht të Drejtësisë/SPAK për të rikthyer besimin e Shqiptarëve në modelet, parimet dhe vlerat e demokracive perëndimore, më specifikisht në standartet e Euroatlantike mbi pluralizmin dhe balancat e pushteteve në fushën e sigurisë & mbrojtjes kombëtare.

Ndërsa për ta ilustruar, ri-sjell në vëmëndje që mbas shkrirjes së Traktatit të Varshavës në 1990, NATO “mbijetoi” dhe u konfirmua në tregun e sigurisë globale si Aleanca më e fuqishme e historisë së njerëzimit.   

Nëpërmjet politikës së zgjerimit, pra lançimit të Partneritetit për Paqe (PfP), NATO hapi dyert për vendet e bllokut komunist të Europës Lindore, përfshi edhe ndaj RPSSh, e cila në një dalldisje bolshevike deklaronte se: “nuk ishte as lindje as perëndim, por fanar ndricues dhe vetë udhëheqja e internacionalizmit botëror”. !!

Për rrjedhojë të politikës së “dyerve të hapura” në tre dekada, NATO është dyfishuar, pra nga 16 deri në 1990, sot ka 31 vende, ndërsa me Suedinë që pret “veton e Ankarasë”, numri shkon në 32.  Në proçesin drejt integrimit vendet aspirante (përfshi RSh) “u vetë-angazhuan” se do të ndërmernin një paketë reformash kombëtare si dhe do të “monitoroheshin” të para-përmbushnin një liste kriteresh kritike.     

Së dyti, ndërsa për konceptin e “mbrojtjes pëllëmbë për pëllëmbë”, udhëheqësit/sunduesit e mbi-pushtetshëm (por të rrjedhur) të Shqipërisë së rraskapitur deri në vitin 1991, deklaronin se: “po/kur ta lypte nevoja do të fitonin edhe kundër fuqisë ushtarake të Traktatit të Varshavës ose të NATO-s, por po t’ua mbante edhe kundër të dyja Aleancave së bashku”! Pluralizmi politik dhe balancat e pushteteve, ishin neni 55, pra terma që u kushtonte Shqiptarëve jetën, Spaçin, Qafën e Barit, kampet e interrnimeve, etj.  

Pas përmbysjes se komunizmit në 1991, Shqipëria, ishte vendi i 4 nga lindja komuniste që aplikoi dhe u pranua zyrtarisht në PfP në 1994 dhe si aspirant (MAP) në 1999, duke konfirmuar vendosmërinë politike të Tiranës zyrtare për thellimin e reformave jo vetëm në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, por edhe në  ato Politike, Ekonominë e tregut, paketën Ligjore dhe të sigurisë së Informacionit.   

Thënë këto, anëtarësimi i RSh në NATO (4 Prill 2009) nuk ishte as ftesë për në dasëm, as fushë me lule.  Politika e dyerve të hapura, (jo të shqyera si hani Stavros) vendosi  “5 parime të panegociushme” të anëtarësimit: (1) pluralizmi partiak; (2) vullneti zyrtar për t’ju bashkuar Aleancës; (3) Balanca e pushteteve; (4) kontrolli civil demokratik mbi FA si dhe (5) reforma të gjithëanshme të Sistemit të Sigurisë Kombëtare (konceptit, strukturave, infrastrukturave, paisjeve, personelit & rregullave të angazhimit të FA).   

Kështu përsërisim se pluralizmi partiak (përfshi rotacionin politik) mbetet jetik për  demokracinë funksionale, nuk ishte fjala kurrësesi për modele qesharake të “bashkimeve profesionale” të Ramiz Alis në 1991. Fatëkeqësisht nuk është as për këtë realitetin-fasad mbas 32 vitesh (2023), ku udhëheqësit e gjithëpushteshëm dhe të pavdekshëm të mbi 60 Partive Politike (që bejnë edhe sikur kanë dhe formume, Kongrese, Kuvende, etj); As për “skuthin e proçedurave, pra mavro-Kryetarin e PD-zyrtare”, që për 11 vjet e ka poshtëruar të djathtën nga humbja diskretituese 2017, në atë turpëruese në Prill 2021, por (si Ali Komiku Bagdadit), marrëzisht: “ri–kthehet të kalerojë mbi një grusht egocentrikësh të sëmurë, në betejēn për rotacionit politik që nën udhëheqjen e Tij Supreme do të realizohet ndoshta në dekadën tjetër …” ! As turpi as marrja, s’kanë të sosur, por as mëshira dhe as neveria nuk do të mjaftonte.  

Nënvizoj edhe njëherë se përveç Pluralizmit Politik një ndër standartet thelbësore të reformave të sigurisë ishte/mbetet harmonizimi demokratik i balancave mes 3 pushteteve (Kuvendit, Qeverisë & Presidentit) si dhe decentralizimi i përgjegjësive të zbatimit në 3 hallkat e zinxhirit të zbatimit/komandimit në FA (C2).    

Së treti, në proçesin drejt antarësimit të plotë (1994 – Tetor 2023) RSh i përmbushi detyrimet dhe standartet e NATO-s, duke i mirë materializuar ato në Kushtetutë (kapitulli-15); në një paketë moderne ligjore, si ligjin: “mbi Pushtetet në FA“; SSK 2004, Strategjinë Ushtarake 2007, PAZH 2008 – 2020 si dhe në 100-ndra Vendimet e KM të [shpallura në fletoren zyrtare]; Strategjinë Sektoriale dhe direktivat vjetore të MM”. Për këto, etj, nga autoritetet e NATO-s në 2012 e konfirmuan zyrtarisht RSh: “ndër 5 vendet model për reformat, përmbushjen e standarteve dhe kontributeve në NATO” ! 

Gjithësesi, duhet të mbajmë me mirënjohje në konsideratë që reformat si dhe përmbushja e standarteve (përfshi balancën e pushteteve) të NATO-s, janë realizuar me mbështetjen dhe nën monitorimin e Zyrës Amerikane të Bashkëpunimit (ODC) si dhe Ekipin Këshillimor të NATO-s (NAT) në Tiranë.  

Së katërti, në kornizën ligjore të sipërpërmendur, ndarja e pushteteve,  autoritetet e drejtimit politik, kontrolli civil demokratik dhe përgjegjësitë e zbatimit ose komandimit përcaktohen si vijon:   

  1. Pushteti i kontrollit civil demokratik në FA janë atribut kushtetues i Kuvendit, ndërsa Pushteti i harminizimit të balancave në zinxhirin e komandimin strategjik është i Presidentit të Republikës   Ai/Ajo dhe KPFA (pushtet që gjithësesi në kohë paqe ushtrohet nëpërmjet Qeverisë/MM).   
  2. Përgjegjësitë e drejtimit politik (përcaktimi objektivave strategjike) si dhe përmbushja e tyre/objektivave në fushën e mbrojtjes  kombëtare i janë atashuar Qeverisë, e cila e ushtron,  nëpërmjet institicionit të Ministrit të Mbrojtjes [Ai/Ajo përfaqësues i Qeverisë].     

Kështu konkretisht, MM ushtron/mban përgjegjësi për drejtimin politik në përmbushjen e objektivave strategjike të përcaktuara në SSK, Strategjinë Ushtarake dhe Direktivave Sektoriale të Qeverisë, per reformën e mbrojtjes; anëtarësimin në NATO, përfshi programet e demontimit të armatimit, municioneve dhe infrastrukturave të tepërta, jo vetëm si kërkesë/detyrë e NATO-s, por në radhe të parë për ta nxjerr vendin nga harta e rreziqeve potenciale që ato ekspozojnë.   

  1. Detyrat/përgjegjësitë e Ekzekutimit ushtrohen nga hallkat ushtarake [si dhe strukturave civile mbështetëse] në tre nivelet e Komandimit [Strategjik, Operacional dhe Taktik].  Mbështetur në referencat ligjore dhe standartet e NATO-s, hallkat ushtarake janë përgjegjëse për planifikimin dhe komandimin, ose zbatimin (me terma civil) e përshkallëzuar e masave, që kanë për qëllim realizimin/permbushjen e objektivave strategjike, operacionale dhe taktike, në përputhje me SSK, Strategjinë Ushtarake, Strategjitë Sektoriale, Direktivat Vjetore si dhe urdhrat ekzekutive të MM.   

Por  përtej ndarjes dhe balancës së pushteteve, përgjegjësitë ekzekutive/komandimit, përfshi detajet edhe në rastet me pasajoja tragjike, kurrësesi nuk duhet  të paragjykohen as komentohen politikisht. Ashtu si nacionalizmi ekstrem, edhe politizimi në këto raste, është “mburoja e sekserëve dhe maskarenjeve”!  

Po ashtu, korrniza ligjore e p.sh Institucionit të Ministrit të Mbrojtjes apo çdo funksionari tjetër civil/ushtarak/civil të lartë, nuk e konsideron dorëheqjen si përgjegjësinë morale. Por në kontekstin e standarteve të NATO-s, mund të thuhet që përtej perceptimit “populist” si vullnet/akt personal në rastet e ngarjeve me pasoja të rënda dhe impakte kombëtare: “dorëheqja është përgjegjësi e lartë shtetërore” dhe e mbështetur në kodet fisnike të demokracive perëndimore.    

Së pesti, për ta bërë sa më të thjesht, po përpiqem ta sjell/vendos këtë  opinion në kontekstin e përpjekjeve (në fakt sfidën e vështirë të drejtësisë/SPAK), për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit në këtë katrahurë të Pluralizmit fasadë; fuqisë së (mbi) Pushtetit, traditës së Pandëshkueshmërisë dhe Populizmit primitiv, në ushtrimin e përgjegjësive të zbatimit, në procesin e reformës së sigurisë kombëtare si dhe në rastet e mijra VKM-ve në 30 vjet, (përfshi privatizimin e infrastrukturave ushtarake, demontimin e municioneve, etj). 

Kështu përshembull, krahas domosdoshmërisë, përpjekjeve, dështimeve dhe arritjeve, përgjatë 30 viteve ka patur pikëkpyetje dhe një hezitim populisto-bolshevik për reformat, veçanërisht për nxjerrjen dhe më tej privatizimin e mijra infrastrukturave ushtarake nga “Plani Përhapjes ose lista e burimeve të mbrojtjes” si dhe për shkatërrimin e municioneve të tepërta: “nëse ato janë pasuri apo rrezik kombëtar i trashëguar” ?!  

Mbështetur në ekperiencën e vendeve të NATO-s dhe si ndër dëshmimtarët teknik, mendoj të kundertën, pra që reforma e mbrojtjes (reduktimi nga 115 mijë forcë aktive që trashëguam në më pak se 10 mijë aktualisht); ulja nga 25 % në 2 % të GDP-së për mbrojtjen, reduktimi radikal i infrastrukturave [përfshi qindra mijë tunelet, bunkerët, në fakt gjakun dhe djersën e popullit-ushtar që po e “ha deti”]; shkatërrimi i mijra ton municione të tepërta, etj, jo që nuk ishin pasuri, por “barrrë shumë e rëndë për Shqiptarët si dhe rrezik potencial për sigurinë dhe interesat kombëtare”.  

Thënë këto, mbetem i vetëdishëm që ky është një debat, që rrezikon të baltososesh nga histeria e kamikazëve të politikës që “pa marrë frymë fare mendojnë krejt ndryshe”. Por sigurisht është edhe një mjerim i madh që sot e kësaj dite, reformën e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare ende e paragjykojnë për tradhëti të lartë, ndërsa protagonistët politik, uutoritetet shtetërore si dhe Ne/teknikët armiq të Kombit. Gjithësesi, fali o zot se s’dinë çfar bëjnë, ndoshta do të mjaftonte për këtë ushtri komikësh.   

Në përmbledhje, në kapacitetin e ekspertit por dhe të kontribuesit teknik në reformën e Sigurisë dhe mbrojtjes Kombëtare, mund të konfirmoj me përgjegjësi se Shqipëria ka (në letër) një koncept, përqasje dhe standarte të mbështetur në eksperiencat dhe modelet më të mira të vendeve perëndimore të NATO-s. Pra me Pushtete dhe Përgjegjësi të mirë-balancuara në Kushtetutë dhe në paketë ligjore moderne.  

Thënë këtë nuk mund të mos e përmend një përpjekje delekuente në 2014 për t’i ç’balancuar pushtetetet, duke i hequr kompetencat e Presidentit të Republikës deri në kufirin e mos-ushtrimit të përgjegjësisë Kushtetuese të Komandantit të Përgjithshëm të FA, e cila fatmirësisht në 2015 u rrëzua me argumente Euroatlantike dhe kurajo shtetërore nga Gjykata Kushtetuese e RSh.   

Ndërsa fatëkëqësisht në planin praktik, ka një katrahurë të frikshme, në Pluralizmin fasade si dhe ushtrimin e pushteteve, përgjegjësive dhe detyrave, që buron nga modeli bollshevik i të gjithë-Pushtetshmëve  si dhe zevëndësimi i modelit të “pa-ndëshkushmerisë ligjore” me gjyqet popullore ose theshethemnaja ballkanike.  

Në kushtet e Pluralizmint – Proçedurë/fasad si dhe (ç) ballancës së pushteteve, ku Autoritetet e larta merren deri me detajet e vogla, ndërsa hallkat e ulta merren me politikat dhe strategjitë e mëdha, e gjej një mision të vështirë, të mos them të pamundur që SPAK (siç thoshte misionari i mirënjohur Z. Vranitzk-i në vitin më të errët (1997) të historisë 111 vjeçare të RSh), të ndajë: “kush është ëngjëlli dhe kush djalli…” ?!  

Në shtesë, do të lutesha shumë të jem i gabuar, mbi të gjitha Shqipërisë dhe specifikisht drejtësisë/SPAK-ut i uroj suksese në përpjekjet serioze për të ndëshkuar pa asnjë mëshirë këdo të  korruptuar (qoftë politikan, pushtetar, zyrtar apo sekserët rreth tyre) që në 30 vjet, jo vetëm kanë vjedhur si kusar votat dhe pronat e qytetarëve si dhe pasuritë publike por edhe kanë vrarë shpresën në të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë (si USA dhe gjithë Europa), vlera për të cilat Shqiptarët u ngritën, luftuan dhe fituan në 1991.    

* Senior Ekspert i SK, Rajonin & NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:

Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA dhe

Përfaqësues i RSh në SHAPE/NATO. 

Filed Under: Komente

Te Qendra “Shën Nënë Tereza” te kisha “Zoja e Shkodres” më 17 dhjetor 2023 promovohet romani i Age Gjokaj – Ivezaj

December 11, 2023 by s p

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë, në bashkëpunim me Federatën “Vatra”, Shoqatën “Malësia” dhe Fondin Humanitar “Trieshi” bëjnë promovimin e romanit të Age Gjokaj – Ivezaj: “Kush na mallkoi?!”

Promovimi do të bëhet te Kisha Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” në adresë:

361 W Hartsdale ave Hartsdale NY

Qendra “Shën Nënë Tereza” të dielën, më 17 dhjetor 2023, në ora 2pm.

Për vlerat letrare artistike dhe estetike të romanit “Kush na mallkoi?!” të Age Gjokaj-Ivezajt do të flasin: redaktori i romanit prof. Bexhet Asani, shkrimtari Fran Camaj, studiuesja Arjeta Ferlushkaj dhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikane z. Mëhill Velaj.

Në këtë takim ku do të jepen mendime analitike mbi romanin “Kush na mallkoi?!” ftohen të marrin pjesë të gjithë dashamirësit e fjalës artistike, media, shoqata të ndryshme, miq e familjarë të autores së romanit Age Gjokaj-Ivezaj.

Familja Ivezaj, duke respektuar traditën e malësorëve do të shtrojë koktej për nder të pjesëmarrësve në promovim.

Për të pranishmit autorja do të shpërndajë romanin e saj “Kush na mallkoi?!” me dedikim.

Ju mirëpresim.

Filed Under: Komente

Pozita shoqërore politike e shqiptarëve dhe organizimi i tyre kundër Perandorisë Osmane gjatë reformave të Tanzimatit 1826-1856

December 8, 2023 by s p

Dr. Sc. Qazim Namani, Arkeologji/Trashëgimi Kulturore

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, IKMM, Prishtinë

C:\Users\Pc\Desktop\Vushtrri foto prezentimit\Untitled qazimi.png

PJESA II:

C:\Users\Pc\Desktop\Gjuha serbe.png

Faksimile nga libri i Oto Dubislavit, ku përshkruhet formimi i gjuhës serbe si gjuhë e re në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX

Sistemi politik në Evropë pas përfundimit të Revolucionit francez, do të mbështetej në parimet e ekuilibrit të forcës. Pra sistemi në Evropë do të funksiononte në bazë të aleancave, për të ruajtur qëndrueshmërinë e sistemit politik të fuqive kryesore evropiane.

Sistemi i aleancave që do të bëhej ishte ai i propozuar nga Ëilliam Pitt i Riu kryeministri anglez, sipas propozimit të tij Britania e Madhe, Prusia, Austria dhe Rusia do të garantonin rregullimin e ri territorial në Evropë me anën e një aleance të përhershme, të drejtuar kundër fuqizimit Francez. Nga krijimi i këtij ekuilibri të forcës në Evropë gjatë shekullit XVIII-XIX, kishin filluar të lindnin shtetet, që për interesat e tyre kombëtare, tentonin pa zgjedhur mjetet që të arrinin në përcaktimin e rolit të tyre, në nivele ndërkombëtare.

Në Vjenë me krijimin e Aleancës së Shenjtë 1814, që do të dominonte nga oborret lindore nga Prusia, Austria dhe Rusia qëllimi kryesor ishte që të ndalte që në rrënjët e tyre çdo lëvizje, prandaj Meterniku austriaku i cili projektin e carit të njohur si Aleanca e Shenjtë, i interpretonte si domosdoshmëri e fesë, si një detyrim të palëve nënshkruese për të ruajtur status-quon në Evropë. Pra Aleanca e Shenjtë, kishte mbledhur  bashkë monarkët konservator në luftë, kundër çdo revolucioni në Evropë, dhe i detyroi ata të vepronin bashkërisht për të luftuar çdo lëvizje . Për udhëheqësin austriak Meternik, problemi kryesor ishte jo si të frenohej Rusia, por si të uleshin ambiciet e saj, ndërsa Casterlagh anglez ishte i gatshëm të ndërhynte ndaj Rusisë, vetëm kur të rrezikohej ekuilibri i përgjithshëm që ishte krijuar në Evropë. Për të ulur zellin e Aleksadrit të Rusisë Meterniku, kishte zbatuar një strategji të dyfishtë, duke promovuar Austrinë si pararojë të luftës kundër nacionalizmit, shpeshherë ai vepronte me fushata, përdorte strategji për të frenuar fushatat e carit rus, duke thirrur takime dhe konsultime për të ruajtur gjoja ekuilibrin në Evropë dhe Ballkan, këto skema i bënte vetëm për blerje kohe dhe ngadalësime të projekteve ruse në Ballkan.

Rusia në shekullin XIX, u shndërrua në një fuqi me potenciale dhe ndikim të padiskutueshëm në teatrin politik evropian. Në këtë kohë pa Rusinë nuk mund të merrej asnjë vendim i rëndësishëm në kontinentin evropian e më gjerë.

Siç shihet, nga këto aleanca dhe marrëveshje të shteteve të fuqishme evropiane, ju krijuan mundësitë që P. Osmane të ndërmerr fushata ushtarake, për shuarjen e pashallëqeve shqiptare, ndërsa shtetet evropiane në anën tjetër, përkrahnin lëvizjet e popullatës së krishterë drejt pavarësisë së tyre nga P. Osmane dhe krijimin e shteteve kombëtare. Shqiptarët në këto rrethana mbetën pa asnjë aleat të vetëm në Evropë.

Gjermanët filluan të interesohen për krijimin e një shteti të pavarur grekë, duke u bazuar në gjurmët e qytetërimit nga kultura helene. 

Sllavët zhvillonin propagandë se duhet të zgjerojnë kufijtë e tyre që nga malet e Karpateve, në drejtim të Shkupit, Kosovës, e deri ne jug qytetin e Shkodrës. 

Rusia interesohej për krijimin e shteteve sllave, dhe zgjerimin e kufijve të një shteti të mundshëm bullgar, thellë ne territoret shqiptare. Në shumë aktivitete të këtyre klubeve pan sllaviste, filluan të krijohen mite dhe programe për trojet shqiptare. 

Lëvizja politike e kulturore polake, e themeluar në Paris, në vitet tridhjeta të shekullit XIX, ishte nën udhëheqjen e pan sllavisti çek Frantishek A. Zach (1807-1892). Ilia Grashaninit, projektin e Nacertanjes, ia besoi pan sllavistit çek Frantishek A. Zach prej Moravisë, që në atë kohë Moravia ishte pjesë e Perandorisë Austriake. Zach përfaqësonte organizatën e emigrantëve polakë, të themeluar prej princit Adam Czartorysky.

Në këtë kohë lindi edhe miti për betejën e Kosovës, dolën në publikë edhe projekte ruse për një frymë të përbashkët ideologjike e fetare që filluan me Dobrovskin, Kopitarin e Shafarikun për një letersi sllave. Në mesin e këtyre ideologëve të pansllavizmit u debatua mjaft për mësimin e gjuhës polake apo ruse në letërsi e shkolla. Projektet e Homajkovit e Danillevskit, ju paraprinë projekteve të më vonshme për krijimin e shteteve ortodokse si: Megalo Idea greke, Naceranja serbe dhe Otocenstvo Bullgare. 

Rusia në tokat shqiptare kishte angazhuar misionar politik, që punonin në terren, për bullgareizimin e popullatës. Lumi Morava filloi të quhet “Morava Bullgare”, ndërsa degëzimi i këtij lumi që kalonte nëpër Serbinë e sotme qendrore mbi Krushec, filloi të quhet “Morava Serbe”. Misionarët rusë që vepruan në “Malin Koritnik”, mes Prizrenit e Lumes arritën që të bullgarizojnë gjysmën e fshatrave të kësaj treve. Kjo rrymë e bulgarizimit u shtri edhe rreth “Lumit Moravë” dhe deri në rrethinën e Rahavecit.

Shqiptarët kishin hyrë në shekullin e XIX, të përçare dhe të ndarë në pashallëqe të mëdha. Në aspektin religjioz shqiptarët ishin të ndarë në të krishterë, mysliman dhe ortodoks. Shqiptarët me përkatësi fetare myslimane, ishte më e privilegjuar në taksa nga pushteti, ndërsa të krishterët ishin të ngarkuar, me shumë taksa që ua vështirësonin jetën. Popullata shqiptare e përkatësisë fetare myslimane, nuk gëzonte të drejta e etnokulturës dhe rrezikohej të asimilohej.  Nga këto rrethana shtetet e fuqishme evropiane dhe Rusia në anën tjetër, filluan ti marrin në mbrojtje të krishterët e Gadishullit Ilirik, duke i përfshirë edhe shqiptarët e krishterë, të cilët po ashtu asimiloheshin në sllav e grekë. Kjo situatë e krijuar, i shtyri disa nga shqiptarët e krishterë ortodoks, që të mbështetën në programet e shteteve të fuqishme të kohës, sepse nuk kishin përkrahjen e tyre. Kjo ndikoj në asimilimin e popullatës së krishterë shqiptare, pasi që P. Osmane për qëllimet e veta, shqiptarëve, si komunitet më i madh etnik e kulturor, nuk ju njihte të drejtat nacionale, por për ti sunduar më lehtë, komunitetet etnike kulturore i kishte ndarë në komunitete fetare. Pas marrjes në mbrojtje nga Rusia dhe shtetet evropiane të popullatës së krishterë në Gadishullin Ilirik, shqiptarët e besimit islam gjatë shekullit XIX mbeti komuniteti më i diskriminuar brenda kufijve të P. Osmane.

Popullata shqiptare ishte varfëruar, dhe shkatërruar prej luftërave të shumta, dhe obligimeve të mëdha, për të përballuar taksat, me të cilat e ngarkonin sistemi feudal i kohës. Administrata osmane kishte përkrahje të madhe nga feudalët vendas të korruptuar, të cilët i bashkonin interesat e tyre të ngushta me pushtetarët Osman.

P. Osmane në fillim të shekullit XIX, nga fuqitë e mëdha ishte shtyrë për të filluar me reforma të brendshëm në të gjitha fushat e jetës. Shtetet perëndimore kërkonin nga P. Osmane, të fillojnë me reforma administrative, reforma në armatë, me qëllim që të bëhet një organizim më liberal në çdo pikëpamje. Me reformat për centralizim të pushtetit, osmanët e kishin për qëllim, që të ju merrej pushteti lokal popujve të robëruar nga P. Osmane.

Ndër të parët që i kundërshtuan reformat në P. Osmane ishin Mustafa Pashë Bushatliu dhe kapiteni i Bosnjës Hysejn Grazhdovici, të cilët më shumë ishin mbështetur nga ndihmat e Rusisë, që i kërkonin përmes Milosh Obrenovicit.

Në vitin 1826, P. Osmane, bëri reforma në ushtri me zhdukjen e sistemit ushtarak të jeniçerëve mbeti pa forca ushtarake te rregullta. Këto reforma në ushtri i kundërshtuan pashallarët konservator shqiptar, boshnjak dhe tjerë të gadishullit tonë. Mustafa Pasha Bushatliu kërkonte ti forcoi lidhjet me feudalët e Bosnjës. Për qëndrimin e tij ai e fitoi mbështetjen nga Rusia. Mustafa Pasha kërkoi të forcoi lidhjet me Millosh Obrenoviqin në Serbi. 

Gjatë shekullit XIX, shtetet evropiane, e kishin vështirë ti kontrollonin apo edhe ti shkëpusin lidhjet e liderëve shqiptar, që i kishin krijuar me shtetet e lindjes, me Rusinë dhe popujt fqinjë aleat të saj.

Kryengritjen e armatosur kundër Perandorisë Osmane, e filloi  Mustafa Pasha i Shkodrës dhe më pas kapiteni boshnjak Husein Gradaščević. Të dyja këto kryengritje u zhvilluan si lëvizje të madhe ushtarako-politike, me qëllim që me forcë të detyrojnë P. Osmane të ndërpresin reformat dhe të respektojnë traditat dhe institucionet e vjetra te sheriatit.

Reformat hasën në rezistencë të jeniçerëve dhe përfaqësuesve të klerit islam. Rrymat kundër reformave kishin përkrahje nga Rusia cariste, e cila i ndihmonte kryengritësit për ta mbajtur gjendjen, dhe sistemin e mëparshëm në P. Osmane. Reformat shfaqeshin edhe si mburojë ndaj prirjeve separatiste dhe grabitqare sllavo-ortodokse.

Një nga problemet kryesore, me të cilat duhej të përballeshin autoritetet qendrore turke, pas vitit 1826 ishte çështja e marrëdhënieve me feudalët e mëdhenj, që përfaqësonin mbajtësit e pushtetit politik dhe ekonomik, në pjesët e brendshme të perandorisë. Problemi u intensifikua edhe më shumë kur P. Osmane ra në konflikt me pashallëqet e Rumelisë, duke dashur të shfuqizojë sistemin e vjetër teokratik-ushtarak, dhe të vendosë një regjim më modern e liberal. 

Ky konflikt  me këto pashallëqe e shkatërronte unitetin e Perandorisë Osmane, duke e dobësuar edhe më shumë fuqinë e saj. P. Osmane, duke ju mohuar të drejtat elementare shqiptarëve në trojet e tyre, dhe në anën tjetër duke i joshur shqiptarët për pozita të larta në udhëheqje jashtë trojeve etnike, shqiptarëve ju krijonte pamundësi për tu organizuar për një kryengritje gjithë popullore për ta formuar shtetin shqiptar në trojet etnike, por për fat të keq kryengritja shqiptare, nuk e arriti atë nivel të organizimit. Sa më të përçare, dhe në konflikte mes pashallëqeve që i mbante shqiptarët P. Osmane, duke i përdorur si ushtar besnik në luftëra me armiqtë e saj, P. Osmane e vazhdonte sundimin në trojet shqiptare, ndërsa në marrëveshje me Rusinë, pas humbjeve të betejave në luftime, për të arritur paqe, bënte kompromise të dhimbshme me toka shqiptare. 

Kjo situatë shqiptarët, jo rrallë do ti sjellë para situatave absurde, sepse mbrojtja e interesave të tyre nënkuptonte kundërshtimin e frymës së reformave.

Në kuadër te këtyre reformave, shqiptarët u gjendën në një pozitë jo të mire organizative. Në aspektin e strukturës shoqërore shqiptarët kishin një laramani.

Kur filloi lufta Ruso-Turke në vitin 1828, Rusia përmes knjaz Milloshit kërkoi që Mustafa Pasha të mos kyçet në këtë luftë, me premtim se në rast fitoreje do ta bënte zotërues të gjitha trevave shqiptare. Mustafa Pasha, duke mos dashur ti ndërpres raportet me Sulltan Mahmudin e II, trupat e tij i dërgoi me vonesë në frontin ruso-osman, duke u arsyetuar para Sulltanit se trupat e tij nuk kanë përgatitje të duhura të hyjnë në luftë gjatë stinës së dimrit, dhe se do të kyçet në pranverë.

Kyçja e Mustafa Pashës, me vonesë në luftë ia mundësoi ushtrisë ruse, që të depërtoi në territorin e Bullgarisë së sotme. Kjo gjendje i detyroi P. Osmane dhe Rusinë. që të lidhin marrëveshje për paqe. Në konferencën e paqes, rusët fare nuk e përmendin autonominë për shqiptarët. Mustafa Pasha i revoltuar me 20.000 ushtarë, ju kundërvu ushtrisë ruse në rrethinën e Arnaut Kaleshit me 04. tetor 1829. Mustafa Pasha pësoi humbje të mëdha, dhe i ndërpreu raportet me Rusinë. 

Mustafa Pashë Shkodra, kërkonte aleat ndër feudalët tjerë të fuqishëm, për ti penguar reformat në Stamboll, kështu që kryengritësit shqiptar të veriut, nën udhëheqjen e tij, përveç interesit të tyre, kryengritësit ishin edhe për përkrahjen e kundërshtarëve të reformave në Stamboll, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë politike dhe dobësimin e sulltan Mahmudit II. Kundër ushtrisë së Mustafa Pashës, në trojet shqiptare vazhdon luftën Mehmed Reshid Pasha, i cili së pari i fillojë luftimet kundër ortodoksëve shqiptar të jugut, e pastaj edhe kundër Mustafa Pashë Bushatliut.

Kryengritja ishin zhvilluar në kohën kur P. Osmane i kishte filluar ndryshimet në udhëheqje, me ndihmën dhe propozimin e shteteve të fuqishme evropiane, andaj luftën që e zhvillonte Mustafa Pasha, kundër Reshid Mehmed Pashës. Evropianët këtë kryengritje e shihnin si rivalitet të brendshëm të këtyre dy vezirëve të fuqishëm. Kjo ishte njëra ndër arsyet që perëndimorët e përkrahnin Mehmed Reshid Pashën, i cili mbështeti reformat, dhe përkrahej edhe nga vet sulltani.

Kryengritja shqiptare gjatë viteve 1826-1832, edhe pse u zgjerua dhe ishte më ë madhja kryengritje kundër P. Osmane në rajon, u shua pa dhënë ndonjë rezultat për të fituar liritë, dhe të drejtat qytetare të popullatës shqiptare në rajon.

Kjo lëvizje në sy të popujve evropian nuk shihej si lëvizje kombëtare, por më shumë si lëvizje klanore e fetare, që ishte rebeluar kundër reformave dhe rendit të ri në P. Osmane.

Pas shpalljes së reformave në ushtri, edhe pse P. Osmane e kishin përfshirë trazira, në Stamboll, dhe në tërë territorin e saj ishte krijuar anarki, mendoj se Mustafa Pasha, me potencialin ushtarak që kishte, dhe përgatitjen e tij, nuk është dashur që marshojë në drejtim të Stambollit, për ta humbur moralin e ushtrisë së tij, që me humbje të mëdha të shpartallohet nga armata ruse.

Mustafa Pasha nuk është dashur, që ti besojë aq shumë princit MIllosh Obrenoviqit dhe Rusisë, por është dashur që me ushtarët e tij, të mos del jashtë trojeve shqiptare, të heq dorë nga rrethimi i Sofjes, dhe të niset për ta marrë Stambollin, por kryengritjes ti jep karakter kombëtar, dh të bëjë më shumë për forcimin e unitetit me pashallarët tjerë shqiptar.

Të gjendur në këto rrethana, popullata shqiptare ishte përherë në kryengritje, por që kryengritja e tyre nuk mori karakter gjithë popullorë dhe kombëtar.

Pashallarët shqiptar, të pa koordinuar mes veti dhe të pa disiplinuar, nuk arritën të organizojnë lëvizje gjithëkombëtare për tu liruar nga P. Osmane. 

P. Osmane, gjatë reformave që ndërmori, fisnikët dhe agallarët e dëgjueshëm, shqiptar në tokat shqiptare i shndërroi në nëpunës të thjeshtë administrativ, ndërsa ata që kundërshtuan i likuidoi dhe i dërgojë në viset e Azisë së Vogël.

Shqiptarët nuk kishin krijuar diplomaci të jashtme politike, dhe aleat në shtetet evropiane për të filluar me kryengritje të armatosur, por ishin krijuar aleanca me liderët shqiptar në shtetet e lindjes, andaj aleanca me Mehmet Ali Pashën në Egjipt dhe djalin e tij Ibrahim Pashën, shqiptar nga Siria, kishin planifikuar me Mustafa Pashë Bushatliun e Shkodrës, për ta marrë në duar Stambollin, ky  ishte një plan i dëmshëm, bazuar në shkallën e përgatitjes, nivelit të ndërgjeshmërisë kombëtare, aftësisë së arsyetimit para faktorit të brendshëm dhe ndërkombëtar, dëshmisë së aftësisë ushtarake e politike, si dhe aftësisë së udhëheqjes për të kontrolluar porte të rëndësishme gjeostrategjike për të cilat luftonin fuqitë e mëdha botërore.

Pra siç shihet në rrethanat e fillimit të reformave në P. Osmane, për të luftuar kundër ushtrisë së rregullt osmane, feudalët shqiptar, nuk ishin sa duhet të përgatitur me ushqime e pajisje ushtarake, nuk kishin krijuar unitet mes veti, e mbi të gjitha ju mungonte strategjia e veprimit dhe përkrahja e shteteve evropiane. Kryengritjet shqiptare gjatë kësaj periudhe,  u mbështetën dhe shpresuan në ndihmat që do të ju vinin nga Rusia, por kjo ju kushtoi shumë, në çdo kryengritje që e zhvilluan në gjysmën e parë dhe të dytë të shekullit XIX.

Në këto rrethana pashallarët shqiptar, nuk patën mundësi të zhvillojnë ndonjë projekt të gjerë kombëtar, për tu ngritur në një lëvizje mbarëkombëtare, për të formuar shtetin e pavarur shqiptar, ashtu si vepruan popujt tjerë të gadishullit.

Mustafa Pasha i Shkodrës, edhe pse kishte parashtruar kërkesa te sulltani, që të respektohet gjuha, tradita dhe veshja kombëtare shqiptare, këto kërkesa nuk i kishin bërë pashallarët tjerë.

Disa pashallarë shqiptar, për të ruajtur interesat e tyre, shpesh herë  i shërbyen sulltanit, për ndonjë privilegje, post apo për qeverisje gjysmë autonome, në rajoni e tyre ku sundonin .

Kryengritjet shqiptare u zhvilluan në kohë dhe vende të ndryshme, andaj duke u ngritur herë në një skaj të trevave shqiptare, e herë në skajin tjetër, P. Osmane këto kryengritje i shuante me shqiptar, duke i shtyrë që të vriten mes veti, dhe në këtë mënyrë arrinte që ti shuante pa ju krijuar mundësinë që kryengritjet të marrin karakter gjithë popullorë.

Gjatë kryengritjeve shqiptare, rol të madh luajti edhe përkatësia e ndryshme fetare, dhe nuk u krijua mundësia e bashkimit të përgjithshëm, midis popullatën së krishterë shqiptare dhe asaj myslimane. Siç u pa pak vite më vonë këto kryengritje nën ndikimin e bektashinjve shpesh herë kryengritja deri në fillimin e rilindjes kombëtare, mori karakter kundër të krishterëve.

P. Osmane i kishte shfrytëzuar shqiptaret në luftërat që i zhvillonte prej Azisë së Vogël, Afrikën veriore e deri në Evropë, kundër Austrisë dhe shteteve tjera evropiane, kurse në anën tjetër kundër kryengritjeve shqiptare i shfrytëzonte ushtarakët e vet më të shquar me origjinë nga vendet e lindjes dhe me origjinë shqiptare, greke e sllave nga trevat e Rumelisë, Afrikës e Azisë.

Kryengritjet shqiptare shpesh herë i udhëhiqnin feudal, ajan dhe lider fetar, andaj kjo udhëheqje nuk ishte në gjendje që kryengritjes ti jepej ideologjia kombëtare, për ti bashkuar shqiptarët pa dallim feje e rajoni në trojet etnike, kundër P. Osmane.

Mustafa Pashë Bushatliu, para se të fillojë kryengritjen i paraqiti kërkesat e tij, që duhej ti zbatonte P. Osmane. Mes kërkesave tjera ai kishte kërkuar, të drejta të barabarta me popullatën boshnjake në P. Osmane kishte kërkuar të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në administratën e brendshme të vendit, njohjen e pavarësisë kulturore dhe etnike të fiseve shqiptare. 

Dhe si kërkesë tejet e rëndësishme për ne shqiptarët Mustafa Pasha kishte kërkuar lejimin dhe njohjen e kostumeve kombëtare shqiptare. Kjo nën kupton se shqiptarët ishin komuniteti më i shtypur brenda P. Osmane dhe nuk gëzonin as të drejta minimale për ruajtjen e identitetit të tyre kulturorë. 

Popullata shqiptare, duke qenë e shtypur dhe e ndarë në fise, rajone dhe religjion, në masë të madhe i përkrahën kërkesat e parashtruara para Portës së lartë në Stamboll. Kësaj kryengritje ju bashkua një numër i vogël i popullatës shqiptare me besim fetar të krishterë. Edhe pse numri i të krishterëve shqiptar ishte i pakët, kjo mund të konsiderohet si një përpjekje e organizimit kombëtar, duke e pasur parasysh se dhe ushtarët e Mustafa Pashë Bushatliut, në kokë e mbanin plisin e bardhë si simbol kombëtar.

Në vijim po japim tre kërkesat e Mustafa Pashës, të publikuara nga studiuesi serbë T. A. Vukanovic.

C:\Users\Pc\Desktop\Faqe te librave\1 veshje.pngShih: Faksimilet nga shkrimi i, T. A. Vukanovic, lidhur me katër kërkesat që kryengritësit shqiptar i kërkonin portës së lartë

Këto kërkesa ishin:

  1. Tretman të barabartë me popullatën boshnjake në Perandorinë Osmane
  2. Administrata e brendshme në trevat shqiptare të zhvillohet në gjuhën shqipe
  3. Si simbole kombëtar të pranohen kostumet popullore shqiptare
  4. Që P. Osmane të njeh pavarësinë e fiseve shqiptare

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • …
  • 488
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri
  • “Fjalimet që përgjakën Ballkanin”
  • Kur drejtësia hyn në oborrin e mbretit, parlamenti del roje te dera!
  • Ngërçi Presidencial në Kosovë zbulon një dobësi të Kushtetutës
  • Mid’hat Abdyl Frashëri, 25 mars 1880 – 3 tetor 1949
  • ABIDIN DINO, ARTISTI MË I MADH TURK ME ORIGJINË SHQIPTARE I SHEKULLIT XX
  • Lufta e Vraninës (1862) – qëndresa heroike e Oso Kukës dhe mbrojtja e kufijve shqiptarë
  • “Brenga” e Tonin Mirakajt, sipas Pashko R. Camajt
  • Lavdi heronjve të Kosovës Luan Haradinaj, Shkëlzen Haradinaj dhe Enver Haradinaj
  • 24 Marsi 1999 – Ndërhyrja që ndryshoi historinë e Kosovës dhe ridimensionoi rendin ndërkombëtar
  • Ndërhyrja e NATO-s si vijimësi historike e aspiratës shtetndërtuese shqiptare
  • GJENET & AMBIENTI…
  • The Unsaid and the Spoken, Scholar Marta Verginella discusses speaking as the antidote to shame
  • KUR HISTORIA TROKITI NË DERË
  • ALBANIAN TEEN DANCING CLASSES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT