• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Vitet e mbijetesës”

December 6, 2023 by s p

Prof.as.dr. Pajazit Hajzeri/

Në këtë monografi, e disata me rradhë që shkruan në këtë frymë autori, Asllan Istrefi, tashmë i ndjerë, në mënyrë koncize, të saktë dhe të drejtpërdrejtë, shkruan për vitet e mbijetesës së një ushtari i cili edhe pas shumë plagëve e shumë vuajtjeve arriti të mbijetoj dhe falë Zotit sot e kemi në mesin tone, z. Sherif Rama.

Rast shumë i mirë që të shkruhet për jetën dhe veprimtarinë e një ish luftëtari të lirisë, derisa ai është vet i gjallë, dhe të gjitha informacionet merren nga dora e parë, nga vetë personazhi kryesor i kësaj monografie.

Nën dy, të dhënat që ipen nga personazhi i monografisë, janë të dhëna të përjetuara edhe nga vet autori i librit, kështu që kur harmonizohen të dhënat nga shumë faktorë të ndryshëm, krahasohen dhe bien përfundime të njëjta, gjithmonë publikimi i tyre do të jetë më bindës edhe për të tjerët, por mbi të gjitha për analet e historisë.

Monografia fillon me një parathënie të shkurtër por shumë përmbajtësore nga vet autori i librit i cili siç dinte vet ta fillonte, përmblidhte dhe ta përfundonte me një teknikë, të të shkruarit të veçantë që vetëm ai e kishte. Më pas, autori shkruan në vend të hyrjes, një (dialog) aq bukur të thurur që vetëm ai i cili ka pasë mundësi të ndajë orë të tëra muhabet (biseda), me autorin e ndjerë i kupton, dhe sikur e ndëgjon duke dialoguar profesorin me mendimet e tia brilante që kishte. Në vazhdim autori nuk rreshtë duke e përmendur vijën gjenealogjike të familjes Rama nga Vidishiqi, përmend edhe toponime dhe mikrotoponime të vendit dhe të rajonit duke na shtyrë larg në lashtësi.

Në vazhdën e titujve autori shkruan historinë e personazhit, duke e trajtuar atë nga aspekti gjenealogjik që nga stërgjyshi Sherifi, babagjyshi, babai dhe Sherifi i ri, që trashëgonte emrin e stërgjyshit plak, i cili jetoi afër një shekull, dhe tashmë po bën shekullin që ka vdekur, por emri i tij jeton dhe trashëgohet denjësisht nga stërnipi, personazhi i kësaj monografie. Një kapitull të veçantë autori ia kushton themelimit të Njësitit të Parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zabërgjë të Shalës së Bajgorës, dhe rrugëtimit të themeluesit të kësaj njësie, z. Nexhat Dedia i kthyer nga mërgimi në Kosovë në luftë. Duke e parë zhvillimin e vendeve përendimore, Komandant Nexhat Dedia, ishte i gatshëm të flijonte gjithçka, që edhe vendi i tij të gëzonte lirinë, aq shumë të pritur e të përvuajtur.

Autori i kushton një rendësi Epopesë së Mazhiqit të datës, 11 – 12 korrik 1998, mes ushtarëve të UÇK-ës dhe njësive ushtarake serbo-jugosllave, betejë e ashpër por pa lëvizur nga pozicionet e veta, ushtarët e lirisë dhe duke ju bërë ballë një artilerie shumë të madhe e të sofistikuar për kohën nga ushtria armike.

Autori jep në detaje pozicionet e vendosjes së UÇK-ës, flet për shtrirjen gjeografike, pozicionin gjeostrategjik të Kodrës së Kutllofcit, dhe për artilerinë e rëndë që posedonte armiku. Beteja kishte zgjatur pothuajse dy ditë të plota, ku për pasojë kishin mbetur pesë ushtarë serbë të vrarë, njëri ndër ta snajperist dhe shumë të plagosur, duke iu referuar mediave serbe të asaj kohe. Ndërsa nga radhët e UÇK-ës, mbetën të plagosur katër ushtarë. Beteja e Mazhiqit ishte sulmi i parë dhe disfata e parë e drejtpërdrejtë e forcave serbe në rajonin e Shalës së Bajgorës. Me këtë rast armikut iu deshtën afër dy muaj që të konsolodohej dhe të vendoste në rrethim të hekurt këtë rajon nga disa drejtime, nga Trepça, Kutllofci dhe nga ana e Podujevës në drejtim të Kaçanollit.

Edhe në luftimet e zhvilluara në Qafë të Kaçanollit, kishte si pasojë humbje nga të dy palët, të vrarë dhe të plagosur, edhe pse ushtria serbe ishte shumë më shumë i armatosur, po ashtu edhe në numër të ushtarëve. Lufta vetflijuese dhe morali i lartë për liri i ushtarëve të UÇK-ës, e bënte armikun të mendonte mirë, para se të fillonte të lëvizte përpara. Por strategjia e ushtris serbe ishte granatimi i parreshtur i terrenit, para se të lëvizte për pak metra. Autori një ish ushtar i UÇK-ës edhe njohës bukur i mirë i artit luftarak, e trajton me shumë kujdes dhe jep shumë të dhëna të sakta nga terreni dhe nga njerëzit që ishin drejtpërdrejt të lidhur me ngjarjen edhe Betejën e Qafës së Kaçanollit.

Me këtë rast autori po në detaje, sjellë të dhëna edhe nga luftimet që u zhvilluan në vijën e frontit nga Suma, Rashani, Mazhiqi dhe Trepçali, si dhe numrin e të vrarëve dhe të plagosurve nga të dy palët. Të dhënat nga palën serbe gjithmonë u referoheshin mjeteve serbe të informimit të asaj kohe.

Autori, në detaje paraqet të dhënat e ushtarëve të vrarë dhe të plagosur në mënyrë tabelare, e cila ipet e detajuar për periudha kohore të caktuara. Në tabelën e parë, sipas numrit rëndor nr. 5, e gjejmë edhe emrin e ushtarit të plagosur më datë 15 shtator 1998, Sherif Lutfi Rama, personazhit kryesor të kësaj monografie.

Po ashtu në mënyrë tabelare ipen të dhënat, edhe të fshatrave të përfshira në ofensivën e parë të shtatorit 1998, numrin e familjeve, numrin e shtëpive të djegura dhe numrin e shkollave të shkatrruara. Gjithashtu jepen të dhëna edhe për shkatrrimin e ekonomive familjare dhe objekteve socio – ekonomike të shkatrruara. Me të njëjtin format ipen të dhëna të civilëve e ushtarëve të plagosur a të vrarë në sektorët tjerë të luftimeve në harkun kohor, 17.8.1998 – 17.9.1998.

Më tutje autori kur flet për themelimin e Njësitit të Parë të UÇK-ës në Zabërgjë, trajton me shumë maturi dhe elegancë çdo element të themelimit të këti njësiti të UÇK-ës dhe jehonën që mori ky njësit për zgjërimin e rradhëve të tij, me ushtarë vullnetar të Zonës Operative të Shalës së Bajgorës.

Njëherit vë në pah bashkëpunimin e strukturave politike të asaj kohe që shërbenin në Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe angazhimin e tyre për ta bërë më të lehtë organizimin e UÇK-ës në këtë rajon. Autori përmend me emra persona të ndryshëm që u interesuan për themelimin e këtij njësiti, dhe vazhduan me kontributet e tyre, të parreshtura për të themeluar njësite në fshatra tjera.

Autori shpjegon edhe rrjedhshmërinë e një dite të ushtarëve të rinj, se si rridhte, që nga zgjimi në mëngjesin e hershëm, ushqimi, ushtrimet fizike dhe taktike ushtarake, personat përgjegjës në detyrat e ndara tashmë, e shumë informata që po besoj se do të publikohen për herë të parë në këtë format. Autori shpjegon rrjedhën e ngjarjeve në vazhdim, furnizimin me armatime nga Shqipëria, vendosjen e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-ës, Brigada 141 “Mehë Uka”, Zona Operative e Shalës në fshatin Bare. Po atë ditë, më 30 qershor 1998, ishte caktuar struktura ushtarake, zona e përgjegjësisë dhe kuadrot komanduese të saj, nga komandanti e deri te drejtuesit e nënreparteve. Gjithashtu autori nuk lë pa përmendur edhe vendosjen e pikave të vrojtimit, gjegjsishtë pikave të zjarrit, në rastet më të shpejta dhe më të nevojshme. Autori tregon edhe shtrirjen gjeografike që do ta ketë Brigada 141 “Mehë Uka”, fshatrat dhe hapsirat territoriale që gravitonin në të.

Ky rajon është njëri ndër rajonet e brezit verior kufitar me Serbinë, dhe organizimi e mbulimi i një hapësire aq të madhe territoriale, vë në pah organizimin, moralin e lartë dhe trimërinë e ushtarëve, edhe pse me pak armatime dhe municione. Me këtë rast shpjegohen edhe pikat komanduese, sektorët e ndarë dhe përgjegjësit e çdonjërit sektor veç e veç.

Në vazhdim autori ndalet tek Beteja e Mazhiqit, e zhvillur mes UÇK-ës dhe ushtrisë, policisë, grupeve mercenare dhe grupeve paramilitare nga ana e Serbisë. Këtë ngjarje autori e spjegon me shumë kujdes çdo detaj, pa harruar as edhe një element të vetëm. Zhvillimin e luftimeve, epilogun e tyre dhe fjalët e ushtarëve dhe personazhit të kësaj monografie, Sherif Ramës, i cili ishte drejtpërdrejt i kyçur në këto luftime, derisa plagoset rendë po këtu, më 15 shtator 1998. Autori spjegon edhe për vizitën që ua bëri vet ushtarëve të plagosur, duke përshkruar në detaje plagët dhe vendet ku ishte plagosur Sherifi. Ai numëron një nga një plagët, dhe përpiqet edhe pse me shumë dhimshuri ta përshkruaj këtë rast si heroik padyshim, por edhe moralin e lartë që kishte në atë gjendje vet Sherifi, dhe të tjerët ushtarë të plagosur.

Ta lexosh këtë, është sa rrënqethëse e trishtuese, aq falënderuese ndaj krijuesit (Zotit), si ia shëroi gjithë këto plagë dhe i dha jetë të vazhdojë ende Sherifi, dhe shumë të tjerë me histori të ngjashme.

Në imtësi autori shkruan narracionin e dr. Faik Bllatës, nga momenti i takimit të tij me Sherifin në Mazhiq, dhënien e ndihmës së parë dhe kujdesin e pakursyer për gjithë të plagosurit, deri në ndarjen e tyre kur, të plagosurit nisen drejt Zones Operative të Drenicës, atje ku ishte spitali ushtarak i UÇK-ës në Gradicë. Autori i monografisë, prof. Asllan Istrefi, ishte edhe vet ushtar i UÇK-ës, dhe një pjesë shumë të madhe të informatave të dhëna në këtë monografi, janë përjetime dhe ballafaqime të tia me situatën në terren. Njëri ndër burimet parësore për pjesën më të mirë të kësaj monografie, kushtuar Sherif Ramës, janë të dhëna nga vet autori.

Vlenë të theksohet se ofensiva e dytë në rajonin e Shalës së Bajgorës nga forcat serbe, me muaj të tërë i bënë ballë ushtarët e UÇK-ës, sulmeve të pandërprera të makinerisë ushtarake serbe. Në rajonin e Shalës bie rezistenca nga ana e UÇK-së pas një periudhe të gjatë kohore, dhe një numri të madh betejash të zhvilluara. Kjo edhe si pasojë e asaj, se rajoni ishte mbipopulluar nga banorë të larguar nga vatrat e tyre, jo vetëm të këtij rajoni, por edhe nga rrethina e Podujevës, Vushtrris dhe Drenicës. Pas pushimit të luftimeve dhe stacionimit të ushtrisë serbe në pika të caktuara nëpër rajonin e Shalës së Bajgorës, autori spjegon rrugëtimin e tij në detaje për të takuar refugjatët e strehuar në male, nga ku kishte verifikuar, regjistruar dhe takuar dhjetëra e mijëra familje. Me këtë rast ai njofton për vendndodhjen, numrin e tendave dhe numrin e banorëve të larguar nga vatrat e tyre.

Një gjë më bëri përshtypje, por me siguri nuk kishte arritur ta vizitonte autori i librit, melin e Kozmaticës në Vllahi, i cili po ashtu ka strehuar një numër të madh banorësh nga Vllahia, Melenica, Maxhera, Zjaça, Rahova, Reka, Trepça, Tuneli i Parë, Koshtova e Vllahisë, Zhazha, Boletini, Trepçali, Llazagji e fshatra të tjera.

Ai tregon për hallet dhe vështirësitë që kishin këta banorë të strehuar nëpër male, brengën e tij për rezervat e pakta të ushqimit, gjithandej dhe urdhërin e dhënë që të vizitohet çdo shtëpi e djegur, të shikohet mos ka rezerva ushqimore që kanë shpëtuar, që të grumbullohen dhe t’u dilet në ndihmë popullatës civile. Njëherit autori tregon edhe për takimin me disa komandantë dhe ushtarë të shpërndarë nëpër male rreth popullatës civile, por ajo çka të bie në sy, është takimi me komandant Nexhat Dedia, i cili ende kishte grupin më të madh të ushtarëve përreth vetes. Autori në këtë monografi, është edhe përsonazh i shumë ngjarjeve, të cilat i ka përjetuar edhe vet. Andaj shumë rrëfime, kujtime, emra vendesh, malesh, familjesh, toponime dhe mikrotoponime që po përmenden këtu, janë të atakuara vet me autorin.

Gjatë vizitës që autori i kësaj monografie ua bëri popullatës civile nëpër strehimoret e ngritura në male gjithandej, flet edhe për mikpritjen që u bëhej atyre (është fjala për ushtarët e UÇK-ës) nga këta banorë. Me këtë rast, autori në mënyrë tabelare paraqet të dhënat e refugjatëve gjithandej, ku i kishte vizituar, emrin e vendit, numrin e familjeve dhe vendin prej nga vinin, numrin e banorëve që ishin në atë vend, e shumë informacione të tjera. Më tutje, deri sa flet për Sherifin, nuk lë pa përmendur dhe pa i kushtuar një hapësirë të veçantë babait, nënës dhe familjarëve të tij. Si përherë edhe tani, autori dinte t’i thurte vargje lavdie gjatë përshkrimit të përsonalitetit të çdo njërit që përmendet në këtë monografi.

Autori flet edhe për vendlindjen e Sherifit, fëmijërinë, shkollimin, peripecitë gjatë rinisë, shpirtin e tij bujar, që gjithmonë e lidhte nga zakonet, tradita, rajoni, fshati dhe familja. Më tej, autori jep të dhëna për shtrirjen gjeografike, për zhvillimin demografik të fshatit Vidishiq, sipas burimeve dhe regjistrave të kohës, duke u thirrur në burime dhe autorë të ndryshëm, çka veçse e begaton këtë monografi. Një hapësirë të caktuar ia kushton këtij fshati gjatë luftës së fundit 1998 – 1999.

Jo rastësisht, qysh në fillim e përmenda personazhin kryesor të kësaj monografie, Sherif Ramën, pasiqë kam pasur fatin e mirë dhe shumë prej këtyre materialeve dhe personaliteteve, që janë vendosur në këtë monografi, i kemi diskutuar bashërisht me autorin, sa ishte në jetë, tashmë të ndjerë, prof. Asllan Istrefi.

Në këtë monografi autori bënë përpjekje që t’u ofrojë lexuesëve njohuri mbi sakrificën sublime që dhanë shumë e shumë të rinj e të reja, që të bëhet shteti i Kosovës, e njëri ndër ta ishte edhe vet Sherif Rama. Në mënyrë koncize është bërë trajtimi i temave dhe ngjarjeve, tanimë historike nga brezat stërgjyshor e deri tek lufta e fundit 1998 – 1999, e në ditët tona, në aspektin e kujtesës dhe traditës që e kemi ruajtur ndër breza me rradhë. Në këtë punim autori ka nxjerrë në pah shumë të dhëna dhe elemente që për herë të parë do të shohin dritën e botimit, anise një pjesë e mirë e tyre tashmë veç i kemi në kujtesën tonë.

Ky libër i ofrohet lexuesit edhe me fotografi të shumta, që e pasuron dhe argumenton e njëkohësisht e bënë atë edhe më atraktiv, ku shumë kush prej jush mund ta gjeni veten pjesë të objektivit të fotoaporatit në ato fotografi.

Ky libër monografik do të jetë pasuri e çmuar për çdo bibliotekë, çofshin publike (shtetërore) apo individuale. Do të jetë një kujtesë e mirë për të gjithë ata të cilët i përjetuan ato ditë aq të vështira të luftës, por edhe aq të lavdishme, për brezat e rinj që të njihen me sakrificën dhe gjenocidin e shkaktuar nga Serbia në vitin 1999.

Mos ta lë pa e përmendur dhe falënderuar për kontributin në pregatitjen e këti libri pas vdekjes së autorit prof. Asllan Istrefi, mikut të tij të ngushtë dhe timin, z. Fadil Begolli, i cili parreshtur, për muaj të tërë, eci shtigjeve dhe vargjeve të autorit, ku edhe arriti ta finalizojë në tërësi këtë monografi.

Recension i Monografisë “Vitet e Mbijetesës” kushtuar Veteranit të Ushtrisë

Çlirimtare të Kosovës, Sherif L. Ramës, me autor Asllan Istrefi

Datë: 25/08/2023

Prof. Ass. Dr. Pajazit Hajzeri

Montreal, Canada

Filed Under: Komente

Platforma diplomatike e çështjes çame

December 5, 2023 by s p

Shaban Murati/

Çeshtja çame është një çeshtje e pazgjidhur e çeshtjes së pazgjidhur shqiptare. Ajo është një çeshtje e pazgjidhur dhe e hapur në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Përgjegjësia për moszgjidhjen e saj të deritanishme ndahet midis shtetit, që e shkaktoi, dhe shtetit, që kishte detyrën kombëtare të kërkimit të zgjidhjes. Zgjidhja e saj kërkon tani kushtin “sine qua non” të hartimit shtetëror të një platforme diplomatike për çeshtjen çame. Diplomacisë dhe shtetit shqiptar u ka munguar kjo platformë për shkak të dobësive të drejtuesve të tyre, të cilët janë pajtuar me asimetrinë e marrëdhënieve midis dy vendeve. Çdo qeveri e Shqipërisë duhet të ketë në programin e saj qeveritar detyrimin kushtetues të zgjidhjes së çeshtjes çame.

Platforma diplomatike kërkon që çeshtja çame të bëhet pjesë e pandarë dhe e vazhdueshme e të gjitha tratativave diplomatike midis dy shteteve. Ka dy faktorë kryesorë, që determinojnë këtë kompozim të ri të marrëdhënieve diplomatike dypalëshe për trajtimin e çeshtjes çame.

Faktori i parë është e drejta sovrane e çdo diplomacie dhe çdo shteti që të ngrejë çeshtjet, që i konsideron të hapura, dhe që duhen trajtuar në marrëdhëniet dypalëshe. Kjo e drejtë nuk varet nga pikëpamja e palës tjetër, që bunkerizohet në absurditetin se nuk ekziston çeshtja çame.

Faktori i dytë është faktori perëndimor. Komisioni Europian, pra qeveria e BE, ka pranuar në 29 shtator 2016 nëpërmjet qendrimit të shprehur në emër të Komisionit në parlamentin europian nga një anëtar i tij, Komisioneri i Lartë i BE për Zgjerimin, Johannes Hahn, se çeshtja çame ekziston dhe se ajo është çeshtje për t’u zgjidhur në bisedimet midis Greqisë dhe Shqipërisë. Ka qenë një zhvillim epokal historik, politik dhe diplomatik ky qendrim i Komisionit Europian, i cili për fat të keq nuk gjeti aplikim nga diplomacia dhe qeveria shqiptare.

Arkiva e dobësisë sonë diplomatike dhe shtetërore nuk don të thotë që çeshtja çame nuk duhet shtruar tani në tavolinën e tratativave zyrtare dypalëshe. Ka ardhur koha që çeshtja çame duhet të kalojë nga konferencat e shtypit në bisedimet zyrtare dypalëshe. Rrethanat aktuale diplomatike janë të përshtatëshme.

Së pari, kemi Traktatin e Miqësisë dhe të Sigurisë të vitit 1996, të cilit i skadon në fund të dhjetorit të vitit 2022 afati i shtyrjes pesëvjeçare, që iu bë në vitin 2017, pas mbarimit të afatit të tij kontratual 20 vjeçar. Greqia ka kërkuar shtyrje të re pesëvjeçare 2023- 2028, kërkesë të cilën Shqipëria nuk ka arsye ta pranojë pa pranuar Athina hapjen zyrtare të çeshtjes çame.

Së dyti, është në diskutim e sipër marrëveshja e premtuar Greqisë nga qeveria shqiptare për të paraqitur sëbashku të ashtuquajturën çeshtje të detit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Çeshtja çame duhet të bëhet pjesë e kushteve shqiptare për arritjen e një marrëveshje të tillë, për të cilën Greqia është e interesuar aq shumë.

Së treti, kemi çeshtjen artificiale të minoritetit grek, që gëzon të gjitha të drejtat, dhe me të cilën Athina terrorizon prej 30 vitesh diplomacinë dhe shtetin shqiptar në të gjitha nivelet dhe llojet e bisedimeve dypalëshe. Ka ardhur koha që diplomacia dhe shteti shqiptar në bisedimet zyrtare temën e kërkesave greke për minoritetin ta ndërvarin me hapjen e çeshtjes çame.

Platforma diplomatike e çeshtjes çame duhet te ketë një bosht qendror, që është statusi i komunitetit çam të deportuar kolektivisht me dhunë nga tokat dhe pronat e veta në Greqi. Çeshtja çame nuk është çeshtje e pronave, sepse pronat janë një derivat i statusit të çeshtjes çame. Çeshtja çame është çeshtje politike e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, sepse lindi si çeshtje politike dhe në këtë gjenezë qendron pikënisja e zgjidhjes së saj. Çeshtja çame si çeshtje politike kërkon tërheqien e shtetit grek nga akuzat antiligjore kolektive ndaj një popullsie të tërë. Kërkon që shteti grek të kërkojë falje për deportimin me dhunë të një popullsie të tërë. Kërkon dëmshpërblimin e të gjithë viktimave të terrorit shtetëroro-zervist dhe të dëmeve të shkaktuara në njerzit, në pronat dhe shtëpiat e popullsisë çame atje. Kërkon rikthimin në trojet e veta, ku kanë jetuar prej dhjetra shekujsh kjo popullsi autoktone e deportuar. Kjo është baza politike e zgjidhjes së çeshtjes çame dhe që përbën themelin e trajtimit diplomatik të saj si pjesë përbërëse e dosjes së marrëdhënieve dypalëshe.

Në platformën dipkomatike të çeshtjes çame qeveria e Shqipërisë duhet të përfshijë disa kërkesa, të cilat i kam rreshtuar edhe në librin tim “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”:

1- Çeshtja çame të përfshihet në çdo lloj amendimi apo shtyrje të re të Traktatit të Miqësisë së viti 1996 midis dy shteteve, dhe të përfshihet nominalisht në “Deklaratën e e re të Partneritetit Strategjik”, që i është propozuar Shqipërisë nga qeveria greke.

2-Qeveria shqiptare t’i kërkojë qeverisë greke të abrogojë çdo lloj legjislacioni apo aktesh administrative, që mbështesin akuzat e rreme të fajit kolektiv dhe t’i kërkojë falje popullsisë çame për deportimin e saj me forcë.

3-Qeveria shqiptare t’i kërkojë qeverisë greke kthimin e popullsisë çame në trojet dhe në shtëpiat e veta.

4-Qeveria shqiptare të kërkojë nga Greqia që komunitetit çam të dëbuar kolektivisht t’i njihet statusi i pakicës kombëtare në Greqi, të cilin e kanë pranuar qeveritë greke para luftës së dytë botërore.

Dinjiteti kombëtar dhe ndërkombëtar i Shqipërisë sugjerojnë që qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë një moratorium për të ngrirë të gjitha marrëveshjet dypalëshe, që janë në diskutim e sipër me Greqinë (dhe të cilat çuditërisht janë të gjitha në favor të Greqisë), derisa Athina të heqë ligjin absurd të luftës me Shqipërinë dhe të pranojë tratativat për zgjidhjen e çeshtjes çame. Për Shqipërinë si anëtare e NATO-s koha dhe zhvillimet e sotme kanë zbehur në minumet e veta vlerën dhe efektin diplomatik të kërcënimit për një veto greke ndaj anëtarësimit në BE.

Platforma diplomatike kërkon ndërkombëtarizimin diplomatik të çeshtjes çame. Është absurde që Shqipëria anëtare e OKB nga viti 1955 dhe anëtare e NATO-s nga viti 2009 dhe anëtare e shumë oganizatave të tjera ndërkombëtare nuk ka ngritur kurrë çeshtjen çame dhe të drejtat e popullsisë çame për t’u kthyer në trojet dhe në pronat e veta në Greqi. Ndërkombëtarizimi i çeshtjes çame kërkon nga diplomacia dhe nga qeveria shqiptare sensibilizimin diplomatik dhe informativ ndërkombëtar. Kërkon sigurimin e një përkrahje nga diplomacitë, nga shtetet dhe nga faktori perëndimor dhe ballkanik për zgjidhjen e saj. Komisioni Europian dhe komisioneri Hahn i dhanë diplomacisë dhe qeverisë shqiptare një rast dhe një kartë të artë diplomatike për ndërkombëtarizimin e çeshtjes çame. Nuk ditën dhe nuk deshën ta shfrytëzojnë. Por ajo kartë diplomatike europiane në favor të çeshtjes çame është në fuqi sot e kësaj dite.

Ndërkombëtarizimi i çeshtjes çame është një faktor i rëndësishëm i strategjisë së realizimit të së drejtës së saj. Ndaj diplomacia dhe qeveria shqiptare duhet të hartojnë dhe të zbatojnë sa më parë një platformë diplomatike të zgjidhjes së çeshtjes çame, pa të cilën nuk mund të ketë normalizim real të marrëdhënieve midis dy shteteve.

(Nga libri “Antitabu per filozofine filotabu shqiptare”, Tirane, 2023)

Foto: konica.al

Filed Under: Komente

Pse burrat bëhen të dhunshëm?

December 4, 2023 by s p

Valentina Telhaj

Psikologe Këshillimi

Marrë shkas nga një sërë rastesh të cilat kanë tronditur opinionin publik për ngjarjet tragjike ku bashkëshortët vrasin gruan, nënën e fëmijëve, madje në prezencën e tyre…

Kur flasim për dhunën nuk ka asnjë arsye apo justifikim, pavarësisht nga gjinia, mosha, kultura apo rrethanat.

Dhuna është një shkelje e drejtave të njeriut dhe duhet frenuar në çdo rrethanë.

Faktorë të ndryshëm që çojnë me këto sjellje e vepra makabre, përfshirë kulturën e individit, edukimin, traumat, kontekstin social, e shumë të tjera që mund të ndikojnë në sjellje të tilla kriminale. Është e rëndësishme të promovohet sa më shumë respekti dhe barazia në marrëdhëniet ndërmjet gjinisë.

Po cilat janë disa nga arsyet që burrat dhunojnë gratë dhe vajzat?

Shumë studime të ndryshme kanë identifikuar një sërë faktorësh të mundshëm që mund të kontribuojnë në sjelljen e dhunshme të burrave që mund të jenë;

> Stresi dhe presioni: Nivele të larta të stresit dhe presionit psikologjik mund të shkaktojë sjellje agresive.

> Traumat dhe përvoja të vështira në fëmijëri: Historia e traumave ose përvojave negative në fëmijëri mund të ndikojë në frenimin e zhvillimit të shëndetshëm emocional dhe sjelljen e mëvonshme.

> Faktorët psikologjikë: Në disa raste, problemet e shëndetit mendor, mund të çojnë në sjelljen kriminale.

> Faktorët ekonomik: Faktorët socialë si varfëria, papunësia, mungesa e aftësive për të menaxhuar konflikte dhe marrëdhëniet e trazuara mund të rrisin rrezikun e përfshirjes në vepra të dhunshme.

> Kultura dhe konteksti social: Faktorët kulturorë, mentaliteti ose normat sociale që promovojnë dhunën, mund të ndikojnë në sjelljet agresive të burrave.

> Përdorimi i substancave narkotike ose alkoolit, përdorimi i drogave dhe alkoolit mund të përkeqësojë sjelljen dhe të shtojë rrezikun e përfshirjes në vepra të dhunshme.

> Modeli i sjelljes së prindërve: Nëse një person ka pasuar modele të sjelljes së dhunshme në familjen e tyre, mund të ketë tendencë të përsërisin/ imitojnë këtë sjellje.

> Mungesa e aftësive për menaxhimin e emocioneve: Burrat që kanë vështirësi në menaxhimin e emocioneve të tyre mund të reagojnë me dhunë në situata konfliktuale.

> Normat shoqërore: Në disa raste, normat shoqërore që përkrahin idenë e forcës fizike si zgjidhje mund të ndikojnë në sjelljen e dhunshme.

Vlen të theksohet se këto faktorë nuk justifikojnë dhunën, thjesht po përpiqemi sipas hulumtimeve ta analizojmë që të mund të ndihmojnë në kuptimin e ndikimeve potenciale të këtyre reagimeve.

APA (American psychological Association)sugjeron disa këshilla që mund të jenë preventive dhe rehabilitues për të trajtuar sfidat e sjelljes së dhunshme në të gjitha format e saj.

Trajtimi i rasteve të sjelljes së dhunshme përfshin një qasje holistike dhe multidisiplinore.

Disa hapa të rëndësishëm mund të jenë:

1) Intervenimi i menjëhershëm: Në rast të rrezikut për vetëdijen e personit të dhunuar ose të tjerët, është e rëndësishme të ketë një intervenim të menjëhershëm për të siguruar sigurinë e të gjithë palëve të përfshira.

2) Këshillimi dhe mbështetja psikologjike: Individët që kanë shfaqur sjellje të dhunshme mund të përfitojnë nga këshillimi dhe mbështetja psikologjike për të adresuar shkaqet themelore dhe për të zhvilluar aftësi të reja menaxhuese të konflikteve.

3) Programe trajnimi për menaxhimin e emocioneve: Trajnimi për menaxhimin e emocioneve mund të ndihmojë në zhvillimin e aftësive për të menaxhuar tensionet dhe stresin pa përdorur dhunë.

4) Programet edukative: Ndryshimi i normave shoqërore dhe kulturore që përkrahin dhunën kërkon një përkushtim të gjerë nga shoqëria. Programet edukative mund të ndikojnë në ndryshimin e këtyre normave dhe të promovojnë respektin dhe barazinë gjinore.

5) Sanksionet ligjore kur është e nevojshme: Është e rëndësishme të ketë sanksione ligjore për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e te mbijetuarave të dhunës ose në rastet tragjike kur ndërrojnë jetë si pasojë e dhunës apo keqtrajtimit.

Trajtimi duhet të jetë i personalizuar në bazë të rrethanave dhe nevojave të individit. Kombinimi i këtyre hapa mund të ndihmojë në rekuperimin dhe të kemi një përgjigje efektive ndaj sjelljes së dhunshme.

Të punojmë me parandalimin që të mos vajtojmë pasojat tragjike!

Filed Under: Komente

“Ikona madhështore e popullit shqiptar, Isa Boletini”

December 2, 2023 by s p

Nga Mimoza Dajçi

Fotot nga Armend Murati/

Nënshkruesi i Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemali i tha: “I madhi Isa, luftërat tuaja ishin bazë e përpjekjeve të mia për Pavarësinë e Shqipërisë”.

Sapo festuam 111 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ku pranë figurës së Plakut të Urtë të Vlorës Heroike Ismail Qemli kemi edhe portretin Heroit të Kombit Isa Boletini, i cili ishte një ndër besnikët e Ismail Qemalit. Isa Boletini në ditën e Pavarësisë hyri triumfator në qyetin e Vlorës bashkë me 400 trimat e tij të armatosur kosovarë.

Më shumë se forca e tyre vlente gjesti dhe mbi të gjitha fjala e përhapur se Ismail Qemalin e mbronte Isa Boletini dhe luftëtarët e tij. Kaq mjaftoi që edhe ata shqiptarë gjakprishur që ishin kundër Pavarësisë, të mos guxonin të sulmonin Plakun e Vlorës. Isa Boletini nuk dorëzohej e nuk përulej para askujt, prandaj që në moshën 54 vjeçare fitoi të drejtën të quhej “Bacë” titull që nuk fitohej lehtë ato kohë.

Më 15 Janar të vitit 1864 erdhi në jetë Heroi i Kombit tonë Isa Boletini, po në këtë muaj më 23 Janar 1916 plumbat e armikut i morrën edhe jetën. Lindi në fshatin Boletin të Shalës së Bajgorës. Isa është një nga luftëtarët e paepur të periudhës së Pavarësisë, legjendë e çdo momenti historik për shqiptarët. Prindërit e tij ishin patriotët e njohur të Kosovës martire Ajshe dhe Adem Boletini.

Historia e jetës dhe veprës së Isa Boletinit është historia e një patrioti legjendar që me sakrificat e tij hodhi një gur të madh në themelet e shtetit të pavarur shqiptar. Ishte pikërisht qëndrimi patriotik i tij dhe mijëra burrave të tjerë që mundësuan mbijetesën e popullit shqiptar. Isa Boletini ky bir i thjeshtë e i dashur i popullit të Mitrovicës heroike, i pasur, por i varfër deri në vdekje, pasi gjithë pasurinë e vuri në shërbim të vatanit e luftës për paqe e liri. Pa dashur të përfitoj tituj e ofiqe nga veziri i Turqisë kthehet pranë Kullës, familjes e njerëzve të tij për të vazhduar amanetin e të parëve të tij, të atit Ademit e vëllait të madh Ahmetit, të cilët u vranë që tokat shqiptare të jenë të lira e të pauzurpuara`nga turqit, shkjau dhe pushtuesit e tjerë.

Vrasja e vëllait të madh Ahmetit në vitin 1894 e tronditi shumë Isën. Atë kohë ishte tepër i ri, vëllanë e madh Ahmetin e donte dhe e dëgjonte shumë. Pas vdekjes së të atit, Ademit në vitin 1875, Ahmetin e kishte në këmbë të Tij, e fjala e tij përbënte ligj për të. Por sigurisht edhe Ahmeti e donte dhe e çmonte shumë vëllanë e tij më të vogël Isën, e mbante afër në Odën e burrave e nëpër beteja kundër armikut. Edhe Ahmeti njihej si patriot i madh, i zgjuar, strateg në luftë kundër turqve e serbo malazezëve që përpiqeshin me çdo kusht të zaptonin tokat shqiptare, prandaj edhe armiku e kishte vënë në shënjestër për t’a vrarë. Hajrie dhe Tafil Boletini që jetuan në Tiranë ishin fëmijët e Ahmetit.

Isa i doli ballë familjes së vëllait të vrarë, megjithëse tepër i ri në moshë, fëmijët e vegjël të Ahmetit pa dallim i njohu si bijtë e tij, i edukoi nën frymën e patriotizmit dhe atdhedashurisë në Kullën e Boletinëve, në Mitrovicë. Tafili pasi kreu studimet e larta në Turqi u thye në atdhe. Isa nuk e ndante për asnjë çast Tafilin nga vetja, e kishte krahun e djathtë të tij. Edhe në rrugëtimin e madh historik për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 e kishte pranë. Por edhe në fundin tragjik të vrasjes së tij, djemve Halilit dhe Zaidit, që ishte student në Vjenë, nipave (djemtë e Ahmetit – Haliti dhe Jonuzi) Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi, në urën e Ribnicës në Podgoricë, më 24 janar 1916, Tafili ishte pranë Tij. Rasti solli të ishte gjallë e dëshmimtar okular i asaj tradhëtie fronko – malazeze – serbe që tronditi botën.

Tafil Boletini ishte daja i babait tim, deri në ditën kur humbi jetën aksidentalisht në Tiranë, vinte shpesh në familjen tonë. Jetonte tek e bija Shemsija e familja e saj, na la pas dhimbje të madhe. I pëlqente dhe e tërhiqte biseda me tim atë, si dy intelektualë të mirëfilltë e si prindi me të birin flisnin qetë, shtruar për hallet e jetës, familjes duke përmendur edhe ngjarje, data, kujtonin gjysh Ademin, guximin e Nënë Ajshes, Ahmetin, Isën e plot trima të asaj familje e luftëtarëve të tjerë që shkrinë çdo gjë për Kosovën e popullin shqiptar. Isha fëmijë, por shpesh qëndroja pranë tyre e dëgjoja me vëmendje, se si ishte ndërtuar historia e familjes tonë. E kisha xhan Dajë Tafilin, vëreja që edhe ai më donte shumë. E dija ditën kur vinte tek ne e me padurim prisja të dëgjoja prej tij ngjarje dhe histori të rralla.

Prof. Rabije Rrahmani që jeton në Angli, mbesë e Isa Boletinit, vajza e Shehides, bijës së Isa Boletinit thotë mes të tjerave se, Isa qëndronte me vite larg familjes, larg kullës nëpër luftime e fëmijët e tij ndjenin shumë mall për të. Në një rast kur ai u kthye në kullë, vajza e tij Ajetja, thërriti motrat e saj: “Motra, shikoni kush ka ardhë, shikoni kush ka ardhë”. Por armiku nuk la që Isa Boletini të gëzonte me praninë e tij familjen, vatanin dhe lirinë e tokave shqiptare. I morrën jetën në moshën më të mirë, kur familja e kombi kishin shumë mall e nevojë për Atë.

Në lidhje me vrasjen e Isa Boletinit flet edhe mbesa e Isa Boletinit Ariana Hoxha, e bija e Bahries, vajzës së Shehides që jeton në Gjakovë. Më pat tregu nëna Shehide – Ana siç e quanim ne (vajza e Isës, gjyshja Arianës) se nëna Ajshe ka qenë gjallë dhe ka hap derën për ngushëllime se ju pat ardhë lajmi, se u vra Isa me djemtë e trimat e tij. Isa ka pas me ardhë në Mitrovicë se ka pas me martu njërin prej djemve të tij.

Dhe të nesërmen në mëngjes në qendër të Mitrovicës, aty ku ka pas Isa kullën, ishin grumbulluar disa gra serbe të veshura me të zeza duke kënduar e vallëzuar që është vra Isa me djem. Nëna Ajshe në atë kohë ngrihet dhe gjuan në ajër me koburen që e mbante gjithmonë në brez dhe ato nga frika largohen të shpartalluara. Nevrikoset nana Ajshe tregon Ariana dhe u thotë nuseve dhe bijave: “Qysh dje dhe sot dera për të pame ka me qëndru e hapun. Keni me u çu e më bë gati për darsëm dhe tre ditë darsma ka me zgjat. Me i tregu serbisë që kemi ende djem me u martu e kur mos mu faru Boletint”. Urdhëri i Ajshes ishte i prerë. Dhe të nesermen është bërë darsëm e madhe saqë militiku është dridh në kalldrëm prej tupanave e i kish hap dyert që krejt Mitrovica e krushqit me ardhë e me hangër në darsëm.

Ariana flet edhe për anën humane të Isa Boletinit në ndihmë të popullit të tij të varfër.

Isa, bashkë me djem dhe me bashkëluftëtarët mbërrijnë në Gjakovë dhe vendosen në një Han – Bujtinë dhe i thotë Zotit hanit. Na i lidh kuajt dhe qitju të ushqehen e të pushojnë se duhet të nisemi herët në mëngjes për Shqipëri. Edhe të gjithëve q’ka ke na shtro të hamë darkë se jemi të lodhur.

I zoti i Hanit i thotë, Isa Beg e kemi Gjakovën me rrethin duke vdek nga uria, nuk kemi qe disa muaj as grurë e as misër.

Nuk di qysh po mbijeton ky popull !?

Kam veq pak kaqamak se diqka tjeter nuk kemi .

Isa nervozohet më të zotin e hanit. Pse nuk jeni ardh në Mitrovicë me tregu gjendjen që gjindeni!? Për kon po luftoj, për kon po kontriboj për popullin tim e për vendin tim. Mirë qiti qato q’ka ka so problem.

Thërret dy djem e disa bashkëluftëtarë dhe ju jep detyrë që net pushojnë edhe herët mëngjes keni me shku në Mitrovicë me marrë qeset me napolona edhe ku ka hangare e depo ushqimi nëpër Kosovë me ble. Mos boni pazare, po bleni gjdo gjë që nevojitet, grun misër vaj, kripë, sheqer, pasul dhe ngarkoni kerret me kuaj edhe vini në Gjakovë e ja shpërndani popullit. E mos të ndëgjoj më që populli im i Gjakovës të mbetet pa bylmet.

Kështu që misionin djemtë e kryn me sukses edhe amaneti Isës o shku në vend, thotë Ariana.

Ndërsa Prof. Fetah Bahriti i cili në studimin e fundit të tij “Rrëfimi i padëgjuar për Isa Boletinin në Vlorë” flet për rolin e Isa Boletinit në ditën shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Bashkë më Ismail Qemalin, shkruan ai, e me patriotë të tjerë shqiptarë, dallohet edhe figura e shquar dhe legjendare e Isa Boletinit. Pjesë nga libri i Prof. Fetah Bahritit. – Në ditën kur është shpallur pavarësia e Shqipërisë unë i kam pasur 18 vjet. Atë ditë dhe atë ngjarje e mbaj mend si sot. Po më duket se po e shoh me sy edhe tani… Ismail Qemali me shokë e shpallën pavarësinë, e shpallën Shqipërinë shtet. E shihni këtë bulevard këndej?… Këtu ka qenë përrua, andej përtej kanë qenë arat. Ja aty!… Aty kishte gardhiqe me hunj të thjeshtë me të cilat ishin të ndara arat e parcelat…Këtu ishin tubuar shumë njerëz me nga gjysmë opinge, me nga një gjysmë kësule, me këmisha të gjata e të shqyera, lloj-lloj njerëzish, lloj-lloj veshjesh! Këndej u shpall shteti i shqiptarëve, e këta këndej, kundërshtonin! Çfarë Shqipërie more! Kjo është Turqi! Kjo është Greqi!… Nuk duam shtet çfarë e doni ju! Nuk dihej se çka po ndodhte dhe nuk kuptohej se ku e si do të dukej fundi i gjithë kësaj.

Po më duket se po e shoh Isain! Mbërrijti, i lumi, nja dy-tri orë pasi që u shpall shteti! Zbriti nga kali. Ja këtu, mu këtu… S`e kam pasur as pesë metra larg. Me të ishte edhe një kolonë kalorësish kosovarë. Secili më i pashëm se tjetri! Secili më kreshnik se tjetri! Se cili më i zoti se tjetri! Isai vetë – dy metra mashkull! Ismail Qemali me shokë e pritën si është më së miri. Të gjithë e përqafuan Isain, edhe kosovarët e tjerë që ishin me të.

Ata që ishin grumbulluar këndej e që kundërshtonin nuk i ndalnin brohoritjet dhe kundërshtimet. E kam dëgjuar me veshtë mi Isa Boletinin kur e pyeti Ismail Qemalin: ‘Po çka janë këta? Çka po donë këta, more?…’. Ismail Qemali dhe tre-katër delegatë të tjerë që ndodheshin më afër tij i folën Isait me zë të ulët, gjë që unë nuk munda të dëgjoja se çka i thanë. Por e kam dëgjuar Isain kur me pak fjalë u është drejtuar kosovarëve që e shoqëronin: ‘Burra! Rahatoni këta këndej, veç mos i dëmtoni’. Kjo ‘mos i dëmtoni’ më vonë u pa se kishte domethënien ‘mos i vritni’. Kosovarët filluan zbatimin e urdhrit.

Sa çel e mbyll sytë kosovarët i shkulën të gjithë hunjtë dhe me ta filluan t`i rrahin të gjithë ata që ndodheshin afër e që kundërshtonin themelimin e shtetit të shqiptarëve. E tërë turma kundërshtare u shpërnda rrufeshëm dhe shteti ynë vazhdoi të jetojë e të funksionojë.

Dijeni se Isa Boletini me kosovarët e tij atë ditë e shpëtoi Shqipërinë dhe shtetin tonë.

E ju, paçi faqen e bardhë dhe paçi fat! Edhe sot ne këtu ymydin e kemi te Kosova dhe te kosovarët – përfundoi rrëfimin e tij plaku i Vlorës”.

Mbi figurën historike të Isa Boletinit edhe Klan Kosova ka rikthyer pjesë nga libri i Prof. Fetah Bahritit. Në një rrëfim të nipit të Isa Boletinit – Armend Murati, i biri i Remzi Muratit, nana e të cilit ishte Shehidja e bija e Isa Boletinit, e që Remziu ishte i vetmi nip nga familja Boletini që solli eshtrat e Isës, në kohë tepër të vështira para luftës në Kosovë, sëbashku me Muhamet Shukriun. Sot djali i tij Armendi, i cili ka në duar origjinalin e gazetës “Përparimi” botuar në vitin 1916 në New York, është shkruar rreth mbritjes së Isa Boletinit në Vlorë më 28 nëntor 1912. Bazuar edhe tek ky dokument, është fakt thotë ai që, Isa Boletini siguroi mosdështimin e krijimit të shtetit shqiptar më 28 nëntor. Po kush tjetër përveç Isa Boletinit me ushtarët e tij do të siguronte shtetësinë e Shqipërisë edhe pse ishte i sëmurë rëndë me malarje. Xhonturqit e kundërshtuan ngritjen e Flamurit, pra sipas fakteve të njohura ishte Isa Boletini, i cili mposhti kundërshtarët dhe siguroi Vlorën në kohën pas shpalljes së pavarësisë. Ngase u krijua një vakuum politik vijon Armendi, por Isa bëri që ngritja e Flamurit të mos dështoj. Ky thotë Armendi është ndoshta një nga kontributet kryesore të Isa Boletinit. Në fakt, policia e parë shtetërore e Shqipërisë ishte pikërisht e përbërë nga ushtarët e Isa Boletinit.

Një guxim madhor e historik e shtyu trimin e Kosovës martire që të ndërrmerte udhëtimin kalorsiak drejt firmosjes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë. Pavarësisht rreziqeve të rrugës, dimrit të egër e armikut të pabesë, shoqëruar nga djemtë e nipat e tij dhe me mbi 400 luftëtarët e lirisë, që nuk e lanë vetëm, por sëbashku u nisën drejt Vlorës heroike të Isamil Qemalit. Dhe ashtu me nderim të thellë e dashamirësi u prit Isa Boletini nga Plaku i urtë i popullit të Vlorës, ku u ul në gjunj me respekt para Flamurit të Kuq me Shkabën Dy Krenare.

Bacë Isa si një figurë embelemë historike me kapacitete botërore është bërë i njohur përveç të tjerave edhe për ngjarjen në Londër. 1913, kohën kur Delegacioni Shqiptar do të takonte Ministrin e Jashtëm të Mbretërisë Eduard Grejin. Në hyrje roja i kërkoi me xhentilesë të dorëzonte revolverin. Isa u bind e i’a dha pa fjalë. Pasi përfunduan bisedimet Ministri Anglez Greji i tha me shaka: “Nesër gazetat do të shkruajnë se, atë që nuk e bëri dot ushtria e pamat osmane e bëra unë. Isa Boletini u çarmatos vetëm në Londër”. Por përgjigja e Isa Boletinit ishte e menjëhershme: “Jo besa Lord, as në Londër jo”. Dhe nxorri një tjetër revolver që e mbante fshehur në brezin e mesit.

Shumë ngjarje, sakrifica e mundime do të kapërcente Isa me trimat e tij në kohë e periudha të ndryshme. Stoik e Vital del portreti i tij fisnik para çdo kujt qofshin edhe njerëz të pushtetshëm botëror të kohës. Kam parë disa video të hedhura dhe artikuj sporadikë kundrejt Heroit Isa Boletini, por këta individë më shumë e lartësojnē Figurën e Tij, që si uragan i fuqishëm buron çdo ditë nga shpirti i shqiptarëve, e nuk e ndal dot më askush. Mos të harrojmë Ballistin që ngriti Flamurin “Autochthonous” në mes të stadiumit të Beogradit, me portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Këngëtaren e njohur Fifi, e cila gjatë performancës së saj në “Dancing with the stars” nxori nga xhamadani i saj i bukur Flamurin “Autochthonous”. Edhe Federata Botërore e Tenisit uroi Ditën e Pavarësisë po me këtë Flamur.

Shkrimtarja angleze Edith Durham në vitin 1912 ka thënë: “Isa Boletini ishte një udhëheqës i mirë, i zgjuar, dhe humanist i madh, i cili donte vetëm lirinë dhe bashkimin e tokave shqiptare”. Ndërsa në prill të vitin 1913 shkrimtari dhe dipllomati Aubrey Herbert e quajti Isa Boletinin Robin Hudi shqiptar, ku në atë Konferencë Isa Boletini deklaroi…”Nëse Europa nuk do të zgjidhë drejt çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë kurrë qetësi dhe për këtë faji do të bie mbi ju, e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë deri sa të çlirohemi”.

Me interesimin e patrotit dhe veprimtarit të njohur në New York Esad Rizai u dekorua me Proklamatë Nderi nga ish Presidenti i Bashkisë në Bornx Heroi i Popullit Isa Boletini. Për figurën e Tij kanë shkruar shkrimtarë të huaj si dhe gazetarja amerikane Bertha Spencer. Shtypi amerikan i kohës ka shkruar artikullin me titull: “Isa Boletini, heroi që duhet të njihni”. Për Legjendën Isa Boletini kujtime dhe shënime nga më të famshmet ka lenë edhe diplomati anglez Aubrey Herbert.

Filed Under: Komente

NORMALJA E ELBASANIT – IKONA E ARSIMIT SHQIPTAR

November 29, 2023 by s p

Në ditën e 1 dhjetorit të vitit 1909, në Elbasanin e bukur të Shqipërisë së Mesme, u çel si lule Shkolla Normale, e para  shkollë e mesme në  gjuhën shqipe,  e cila kishte për mision përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe.

Në fjalimin e tij drejtori i parë, Luigj Gurakuqi, çeljen e Normales e krahasonte me një diell të ri që po lindte në Elbasan, prej nga do të përhapte rrezet e dritës mbi gjithë Shqipërinë.

Kongresi i Elbasanit që vendosi hapjen e Normales

Çeljes së Normales së Elbasanit i paraprinë dhe kontribuan shumë aktivitete të intelektualëve e atdhetarëve,  të  klubeve e shoqatave  shqiptare në Shqipëri dhe në emigracion. Puna e tyre u kurorëzua në Kongresin e Elbasanit (2-9 shtator 1909), në të cilin u morën disa vendime të rëndësishme për arsimin në trojet shqiptare. Ishin më se 15 vendime të ndryshme, por dy më kryesoret ishin: çelja e mësonjëtores (shkollës normale) në Elbasan, për përgatitjen e mësuesve, dhe formimi i shoqërisë qendrore ‘’Përparimi’, me seli në Korçë, e cila do të grumbullonte mjete dhe të kujdesej për mbajtjen e Normales e të shkollave tjera, dhe për botimin e teksteve mësimore për shkollat shqipe.  Në këtë kuptim, Kongresi ishte  ngjarja më e rëndësishme në historinë e arsimit dhe kulturës shqiptare. 

Në Kongres morën pjesë 35 delegatë të 28 klubeve e shoqatave të ndryshme, kryesisht nga Shqipëria e Mesme dhe e Jugut, sepse nga veriu, nga Kosova e Shkodra, për shkak të kushteve e rrethanave të ndryshme, nuk kishte delegatë, por edhe këto i përfaqësonin delegatët nga viset tjera. Kryetar i Kongresit ishte zgjedhur Dervish Biçakxhiu, ndërsa organizatori kryesor i Kongresit ishte Lef Nosi.  Në punimet e tij Kongresi u muar me të gjitha aspektet e arsimit në gjuhën shqipe, siç ishin hapja e shkollave në gjuhën shqipe; përdorimi i alfabetit latin siç ishte caktuar një vit më parë në Kongresin e Manastirit;  sigurimi i mësuesve dhe i teksteve mësimore; futja e gjuhës shqipe si lëndë në shkollat e huaja dhe ato fetare që funksionin në Shqipëri (turke, greke); financimi dhe mbarëvajtja e shkollave. Për mbarëvajtjen e punës së Normales, Kongresi formoi një Këshill  mbikëqyrës (pleqësi e shkollës) prej tetë (8) anëtarëve dhe drejtorit, i cili do të merrej me qeverisjen dhe do ishte përgjegjës për mbarëvajtjen dhe suksesin e Shkollës. Formoi edhe Komisionin për hartimin e Rregullores dhe planit mësimor për Shkollën Normale. Në Rregulloren dhe planin mësimor, që përmbante 5 pika kryesore, të shkoqitura në detaje, ishte paraparë se Shkolla Normale do të kishte 6 klasë, tri të parat do ishin përgatitore, ndërsa tri tjerat  për aftësimin për mësues. Në pikën e pestë të Rregullores ishte caktuar që programi shkollor i Normales të kishte këto lëndë mësimore: Matematikë (aritmetikë, algjebër, gjeometri, trigonometri, astronomi, mekanikë dhe materje tjera matematikore); Shkenca natyrore (anatomi, fiziologji, zoologji, botanikë, gjeologji dhe mineralogji); Gjuhë shqipe (gramatikë, sintaksë, letërsi, retorikë, poezi); Gjuhë turke; Gjuhë frënge; Gjuhë angleze dhe Gjuhë greke (si dy lëndë fakultative); Filozofi; Psikologji; Logjikë; Pedagogji; Mësim feje (muhamedane, ortodokse dhe katolike); Gjeografi; Histori (botërore, të Turqisë dhe të Shqipërisë); Vizatim (me bukurshkrim); Muzikë (vokale dhe instrumentale): Gjimnastikë.

Çelja e  Normales në Elbasan

Vendimi kryesor, dhe që ishte pika e parë e punës së Kongresit, ishte çelja e Shkollës Normale në Elbasan, për të përgatitur mësues shqiptarë për shkollat shqipe. Ishte kjo shkolla e parë e mesme kombëtare, shqipe, në trojet shqiptare.. Në fjalimin inaugurues dhe shumë emocionues, drejtori i parë i Normales, Luigj Gurakuqi, duke theksuar rëndësinë e kësaj Shkolle, ndër të tjera shprehej: ‘’Me këtë shkollë të madhe për mësonjës, që ishte dëshiri dhe shpresa e të parëvet tanë prej vjetësh, fillesën e të cilës na jemi mbledhun sot ta kremtojmë bashkërisht, kombi shqyptar po mbjell farën e ditunisë, po hedh themelin e mësimit, pse nga kjo shkollë do të dalin ata apostuj të nxehtë e të vullnetshëm që do të përhapin dritën ndër ato ma t’errtat vise, do të dalin ata burra njeridashës, të cilët si Orfeu e si Amfioni, me urtësiën e me ambëlsiënë e fjalëvet e të këshillave të veta, do të qytetërojnë e ofrojnë njerëzit e t’i bëjnë të duken e të ndihmohen si vëllau me vëllanë’’.

Normalja e Elbasanit e filloi punën me 40-50 nxënës, por deri në fund të vitit shkollor arriti me 140 – 150 nxënës, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare (gjyma e tyre ishin nga Kosova e  Çamëria).  Hasan Prishtina, me shpenzime të tij  personale kishte dërguar në Normale 21 nxënës nga Kosova. Shumë nxënës të shkollave turke e greke, i braktisën ato shkolla dhe shkuan e vijuan mësimet në Normale. Sipas të dhënave nga libri i prof..dr. Hysni Myzyrit: Shkolla Normale e Elbasanit (2004), vetëm nga shkolla idadije (gjimnazi turk) i Elbasanit, dolën 25 nxënës dhe u regjistruan në Normale, ndër të cilët kishte edhe asi të vitit të fundit. Tetë nxënës kishin ardhur nga shkolla idadije e Janinës. Kishte madje edhe asi që kishin lënë shkollat e mesme të Stambollit, për të vijuar Normalen e Elbasanit.  Numri i nxënësve sa vinte e shtohej. Në vitin e dytë kishte arritur deri 1000 nxënës.

Shkolla kishte internatin, në të cilin banonin dhe ushqeheshin gjysma e nxënësve; disa me pagesë, e disa (të varfër) pa pagesë. Në konvikt organizohej studimi i rregullt i obligueshëm. Në vitin 1923, u hap Ushtrimorja e Normales, në të cilën normalistët zhvillonin praktikën pedagogjike të përgatitjes për mësues. 

Prej themelimit (1909) e deri në vitin 1946, kur në Tiranë u hap Instituti dyvjeçar për mësues, Normalja ishte institucioni i vetëm kombëtar për përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe.

Në periudhën 1941-1944, e më pastaj, qindra ish-normalistë të Elbasanit erdhën e punuen mësues në shkollat shqipe që u hapën në ‘’viset e lirueme’’: Kosovë,  Maqedoni, Sanxhak, Mali Zi. Kontributi i tyre ishte i madh. .  

Në Normalen e Elbasanit u përqendruan, punuan e kontribuan me zell e përkushtim intelektualët dhe kuadrot më të mira që pati Shqipëria e asaj kohe, siç ishin, në fillim: Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Pjetër Dodbiba, Simon Shuteriqi, Hasan Mezja, Hafiz Ibrahim Dalliu, Dhimitër Paparisto, Salih Ceka, Ahmet Gashi, Kristo Dako, Filip Leci, Kostaq  Cipo,  Kolë Prela, Mahir Domni, Luigj Filaj, Thanas Floqi, Vasil Qirjako, etj.etj. Ata jo vetëm që bartën barrën e punës mësimore, që jepnin mësim nga disa lëndë,  por në bashkëpunim me intelektualë e pedagogë tjerë, punuan në hartimin e programeve dhe teksteve mësimore për të gjitha shkollat shqipe.

Një diplomat austriak, në vitin 1910, duke e vlerësuar rëndësinë e Normales së Elbasanit, kishte shkruar: ‘’Unë e konsideroj Institutin Pedagogjik të Elbasanit si bërthamën që mund të zhvillohet në një pemë shumë të  madhe, nën hijen e së cilës populli shqiptar do të bëhet një popull i civilizuar’’. 

Gazeta ‘’Dielli’’ e Bostonit (dt.15 tetor 1909), duke përshëndetur vendimin e  Kongresit të Elbasanit për çeljen e Shkollës Normale, ndër të tjera shkruante: ’’Po një shkollë normale për mësonjës s’është mjaft për Shqipërinë, na duhet edhe një shkollë normale për mësonjëse (dhaskalica), se ajo sjell më shumë fryte për qytetrimin, duke pasur parasysh rolin që luan gruaja e arsimuar në përlindjen e një kombi’’, dhe në vazhdim përmend disa arsye bindëse në  mbështetje të një shkolle normale për femrat. 

Është vendi këtu të përmendim, se Kongresi kishte vendosur që drejtor i (parë)  i Normales të ishte dijetari i shquar Qamil Bala, nga Gjilani, i cili asokohe ishte profesor dhe drejtor i gjimnazit në Jerusalem. Me kërkesën dhe insistimin këmbëngulës të Kongresit të Elbasanit, organet kompetente  të Jerusalemit mezi e kishin lejuar Balën të shkonte në detyrën e zgjedhur, por kur arriti në Manastir, xhonturqit nuk e lejuan të shkonte në Elbasan, veçse e kthyen në Stamboll. Pasi u pa se Qamil Bala nuk do të mund të vinte për ta marrë detyrën e drejtorit të Normales, atëherë ai post iu besua Luigj Gurakuqit. 

Shkollën Normale (Pedagogjike) të Elbasanit, prej vitit 1909 deri sa u mbyll në vitin 1910, e kanë udhëhequr 22  drejtorë, personalitete të njohura nga fusha e arsimit, shkencës e kulturës: Luigj Gurakuqi, Fazlli Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Salih Ceka, Ahmet Gashi, Ali Hashrova, Ibrahim Babamusta, Carlo Parri (italian), Luigji Camsolo (italian, gjatë kohës së okupacionit (1940-1943), Fot Papajani, Kolë Prela, Mahir Domni, Vasil Kamami, Margarita Pogaçe, Ligor Mile, Grigor Kallajxhiu, Merrushe Shishmani, Stiliana Papajani, Stefan Bebi, Dritan Pajenga, Dhurata Valera dhe Fatos Bajraktari.

Për habi, askund nuk gjejmë një listë të plotë emërore të të gjithë mësimdhënësve të Normales së Elbasanit, për tërë periudhën e funksionimit të saj. Emrat e tyre i gjejmë në shkrime të ndryshme parciale. Në Monografinë Shkolla Normale ‘’Luigj Gurakuqi’’ në vitet e demokracisë 1990-2009, përgatitur nga Genci Trandafili e Dhurata Valera, monografi kjo kushtuar asaj Shkolle të periudhës 1990-2009, gjejmë një listë emërore të 17 mësuesve të cilët kanë shërbyer mbi 25 vjet në Shkollën Normale të Elbasanit prej themelimit e deri më 2009. Ata ishin: Genc Trandafili (35 vjet), Miriam Myftiu (33), Laura Shuteriqi (32), Grigor Kallajxhiu (30), Xhevat Domni (30), Nos Ndria (30), Elida Xhomo (28), Sotir Paparisto (28), Shyqyri Demiri (28), Simon Shuteriqi (27), Vasil Toli (27), Vasil Kamami (27), Shyqyri Latifi (27), Lumni Kotherja (26), Shefqet Peni (26), Bukurosh Sejdini (26) dhe Aleksandër Xhuvani (25). Në të njëjtën Monografi, janë edhe dy lista emërore, të mësuesve dhe nxënësve të Normales së Elbasanit, të cilët janë nderuar me titullin ‘’Mësues i popullit’’ (30 veta), respektivisht me titullin ‘Mësues i merituar’’ (72 veta; këtu nuk do e ngarkojmë këtë shkrim duke shënuar edhe më se 100 emra të tyre). 

***

Normalja e Elbasanit u rrit, u zhvillua, u përvijua nëpër kushte të veçanta të realitetit shqiptar dhe përjetoi fatet e kombit në periudha të ndryshme. Ajo disa herë u mbyll e rihap, për shkak të Luftës Ballkanike, Luftës së Parë Botërore dhe pushtimit italian e gjerman.  Megjithatë, mbajti kontinuitetin e zhvillimit dhe avancimit. Periudhën më stabile e pat prej vitit 1921 deri më 1939.  Për tërë periudhën e ekzistimit, i dha arsimit shqiptar 15000 mësues të përgatitur e kualifikuar, të kalitur dhe edukuar në frymën pedagogjike e patriotike, për të gjitha shkollat e viseve shqiptare. Normalistët e Elbasanit luftuan edhe me armë kundër fashizmit dhe 70 e sa  prej tyre ranë dëshmorë.

Gradualisht, Normalja u rrit, u transformua  e avancua në status më të lartë: në Institut i Lartë Pedagogjik (1971)  dhe së fundi në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’ të Elbasanit (1991), që nuk mund të mohohet lidhja e këtij Universitet me Normalen, dhe të gjitha ato instanca ishin e janë në një kontinuitet të misionit: arsimimit dhe edukimit profesional, shkencor e patriotik.

Me Normalen e Elbasanit  identifikohej  edhe vetë qyteti i Elbasanit, ashtu që ishte e njëjtë  si të thuhej: Normalja e Elbasanit, apo Elbasani i Normales.  Elbasani  ‘e lindi’ dhe e rriti  Normalen, ndërsa Normalja e rinoi dhe e rriti Elbasanin. Normales i thurën këngë, vargjet e së cilës thoshin:

Përqark me kodra,

Kundrejt me male,

Anekënd prej valëve të Shkumbinit,

Të rrethon natyra

Shkolla Normale

Gurrë e paçmueshme e përparimit!

 Disa herë pati tentime për transferimin e Normales nga Elbasani në Shkodër, apo gjetkë,  bile edhe jashtë Shqipërisë, por populli dhe udhëheqësia e Elbasanit nuk lejuan. 

Pas 111 vjet të punës, Normalja u mbyll (1910) me vendim të Ministrisë së Arsimit e Shkencës, u shndërrua në gjimnaz në të cilin do ta kryejnë praktikën pedagogjike studentët e Universitetit ’Aleksandër Xhuvani’.

Normales së Elbasanit iu dha titulli i merituar ‘’Nderi i Kombit’ (2014). Në shenj kujtimi, në 105-vjetorin e saj u lëshua në qarkullim pulla postare me foton dhe tekstin: Shkolla Normale e Elbasanit, ndërsa në 110-vjetorin (2019), u shtyp në bankënotën 100 lekësh, në njërën anë  foto e ndërtesës së Normales dhe në anën tjetër fotoportreti i drejtorit të  parë, Luigj Gurakuqi. 

Normalja e Elbasanit, dhe Normalja e Prishtinës, e cila punoi  sipas konceptit, frymës dhe traditës së Normales së Elbasanit,  në koshiencën dhe kujtesën e popullit do të mbahen mend e kujtohen, si dy institucionet më të rëndësishme të arsimit dhe edukimit të shqiptarëve andej e këndej Drinit.  Unë, si ish-normalist i Normales së Prishtinës, këto dy Normale i kam në zemër e në shpirt. Në shtator të vitit 2009, organizova një ekskurzion me 36 ish-normalistë të gjeneratës sime (të diplomuar në vitin 1961), të Normales së Prishtinës, e vizituam Normalen e Elbasanit, ku na pritën me shumë dashamirësi e respekt drejtoresha znj.Dhurata Valera dhe ‘Mësuesi i popullit’ Genci Trandafili, dhe në Muzeun e Shkollës na treguan eksponatet, dokumentet e fotografitë e shumta, që kishin mbledhur e sistemuar për kremtimin e 100-vjetorit të Normales. Ishte një vizitë e paharrueshme jona, për të cilën unë pata shkruar e botuar një shkrim-reportazh, që besoj se ka zënë një vend në Muzeun e Normales së Elbasani.                             

Adil FETAHU

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • …
  • 488
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT