Në ditën e 1 dhjetorit të vitit 1909, në Elbasanin e bukur të Shqipërisë së Mesme, u çel si lule Shkolla Normale, e para shkollë e mesme në gjuhën shqipe, e cila kishte për mision përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe.
Në fjalimin e tij drejtori i parë, Luigj Gurakuqi, çeljen e Normales e krahasonte me një diell të ri që po lindte në Elbasan, prej nga do të përhapte rrezet e dritës mbi gjithë Shqipërinë.
Kongresi i Elbasanit që vendosi hapjen e Normales
Çeljes së Normales së Elbasanit i paraprinë dhe kontribuan shumë aktivitete të intelektualëve e atdhetarëve, të klubeve e shoqatave shqiptare në Shqipëri dhe në emigracion. Puna e tyre u kurorëzua në Kongresin e Elbasanit (2-9 shtator 1909), në të cilin u morën disa vendime të rëndësishme për arsimin në trojet shqiptare. Ishin më se 15 vendime të ndryshme, por dy më kryesoret ishin: çelja e mësonjëtores (shkollës normale) në Elbasan, për përgatitjen e mësuesve, dhe formimi i shoqërisë qendrore ‘’Përparimi’, me seli në Korçë, e cila do të grumbullonte mjete dhe të kujdesej për mbajtjen e Normales e të shkollave tjera, dhe për botimin e teksteve mësimore për shkollat shqipe. Në këtë kuptim, Kongresi ishte ngjarja më e rëndësishme në historinë e arsimit dhe kulturës shqiptare.
Në Kongres morën pjesë 35 delegatë të 28 klubeve e shoqatave të ndryshme, kryesisht nga Shqipëria e Mesme dhe e Jugut, sepse nga veriu, nga Kosova e Shkodra, për shkak të kushteve e rrethanave të ndryshme, nuk kishte delegatë, por edhe këto i përfaqësonin delegatët nga viset tjera. Kryetar i Kongresit ishte zgjedhur Dervish Biçakxhiu, ndërsa organizatori kryesor i Kongresit ishte Lef Nosi. Në punimet e tij Kongresi u muar me të gjitha aspektet e arsimit në gjuhën shqipe, siç ishin hapja e shkollave në gjuhën shqipe; përdorimi i alfabetit latin siç ishte caktuar një vit më parë në Kongresin e Manastirit; sigurimi i mësuesve dhe i teksteve mësimore; futja e gjuhës shqipe si lëndë në shkollat e huaja dhe ato fetare që funksionin në Shqipëri (turke, greke); financimi dhe mbarëvajtja e shkollave. Për mbarëvajtjen e punës së Normales, Kongresi formoi një Këshill mbikëqyrës (pleqësi e shkollës) prej tetë (8) anëtarëve dhe drejtorit, i cili do të merrej me qeverisjen dhe do ishte përgjegjës për mbarëvajtjen dhe suksesin e Shkollës. Formoi edhe Komisionin për hartimin e Rregullores dhe planit mësimor për Shkollën Normale. Në Rregulloren dhe planin mësimor, që përmbante 5 pika kryesore, të shkoqitura në detaje, ishte paraparë se Shkolla Normale do të kishte 6 klasë, tri të parat do ishin përgatitore, ndërsa tri tjerat për aftësimin për mësues. Në pikën e pestë të Rregullores ishte caktuar që programi shkollor i Normales të kishte këto lëndë mësimore: Matematikë (aritmetikë, algjebër, gjeometri, trigonometri, astronomi, mekanikë dhe materje tjera matematikore); Shkenca natyrore (anatomi, fiziologji, zoologji, botanikë, gjeologji dhe mineralogji); Gjuhë shqipe (gramatikë, sintaksë, letërsi, retorikë, poezi); Gjuhë turke; Gjuhë frënge; Gjuhë angleze dhe Gjuhë greke (si dy lëndë fakultative); Filozofi; Psikologji; Logjikë; Pedagogji; Mësim feje (muhamedane, ortodokse dhe katolike); Gjeografi; Histori (botërore, të Turqisë dhe të Shqipërisë); Vizatim (me bukurshkrim); Muzikë (vokale dhe instrumentale): Gjimnastikë.
Çelja e Normales në Elbasan
Vendimi kryesor, dhe që ishte pika e parë e punës së Kongresit, ishte çelja e Shkollës Normale në Elbasan, për të përgatitur mësues shqiptarë për shkollat shqipe. Ishte kjo shkolla e parë e mesme kombëtare, shqipe, në trojet shqiptare.. Në fjalimin inaugurues dhe shumë emocionues, drejtori i parë i Normales, Luigj Gurakuqi, duke theksuar rëndësinë e kësaj Shkolle, ndër të tjera shprehej: ‘’Me këtë shkollë të madhe për mësonjës, që ishte dëshiri dhe shpresa e të parëvet tanë prej vjetësh, fillesën e të cilës na jemi mbledhun sot ta kremtojmë bashkërisht, kombi shqyptar po mbjell farën e ditunisë, po hedh themelin e mësimit, pse nga kjo shkollë do të dalin ata apostuj të nxehtë e të vullnetshëm që do të përhapin dritën ndër ato ma t’errtat vise, do të dalin ata burra njeridashës, të cilët si Orfeu e si Amfioni, me urtësiën e me ambëlsiënë e fjalëvet e të këshillave të veta, do të qytetërojnë e ofrojnë njerëzit e t’i bëjnë të duken e të ndihmohen si vëllau me vëllanë’’.
Normalja e Elbasanit e filloi punën me 40-50 nxënës, por deri në fund të vitit shkollor arriti me 140 – 150 nxënës, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare (gjyma e tyre ishin nga Kosova e Çamëria). Hasan Prishtina, me shpenzime të tij personale kishte dërguar në Normale 21 nxënës nga Kosova. Shumë nxënës të shkollave turke e greke, i braktisën ato shkolla dhe shkuan e vijuan mësimet në Normale. Sipas të dhënave nga libri i prof..dr. Hysni Myzyrit: Shkolla Normale e Elbasanit (2004), vetëm nga shkolla idadije (gjimnazi turk) i Elbasanit, dolën 25 nxënës dhe u regjistruan në Normale, ndër të cilët kishte edhe asi të vitit të fundit. Tetë nxënës kishin ardhur nga shkolla idadije e Janinës. Kishte madje edhe asi që kishin lënë shkollat e mesme të Stambollit, për të vijuar Normalen e Elbasanit. Numri i nxënësve sa vinte e shtohej. Në vitin e dytë kishte arritur deri 1000 nxënës.
Shkolla kishte internatin, në të cilin banonin dhe ushqeheshin gjysma e nxënësve; disa me pagesë, e disa (të varfër) pa pagesë. Në konvikt organizohej studimi i rregullt i obligueshëm. Në vitin 1923, u hap Ushtrimorja e Normales, në të cilën normalistët zhvillonin praktikën pedagogjike të përgatitjes për mësues.
Prej themelimit (1909) e deri në vitin 1946, kur në Tiranë u hap Instituti dyvjeçar për mësues, Normalja ishte institucioni i vetëm kombëtar për përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe.
Në periudhën 1941-1944, e më pastaj, qindra ish-normalistë të Elbasanit erdhën e punuen mësues në shkollat shqipe që u hapën në ‘’viset e lirueme’’: Kosovë, Maqedoni, Sanxhak, Mali Zi. Kontributi i tyre ishte i madh. .
Në Normalen e Elbasanit u përqendruan, punuan e kontribuan me zell e përkushtim intelektualët dhe kuadrot më të mira që pati Shqipëria e asaj kohe, siç ishin, në fillim: Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Pjetër Dodbiba, Simon Shuteriqi, Hasan Mezja, Hafiz Ibrahim Dalliu, Dhimitër Paparisto, Salih Ceka, Ahmet Gashi, Kristo Dako, Filip Leci, Kostaq Cipo, Kolë Prela, Mahir Domni, Luigj Filaj, Thanas Floqi, Vasil Qirjako, etj.etj. Ata jo vetëm që bartën barrën e punës mësimore, që jepnin mësim nga disa lëndë, por në bashkëpunim me intelektualë e pedagogë tjerë, punuan në hartimin e programeve dhe teksteve mësimore për të gjitha shkollat shqipe.
Një diplomat austriak, në vitin 1910, duke e vlerësuar rëndësinë e Normales së Elbasanit, kishte shkruar: ‘’Unë e konsideroj Institutin Pedagogjik të Elbasanit si bërthamën që mund të zhvillohet në një pemë shumë të madhe, nën hijen e së cilës populli shqiptar do të bëhet një popull i civilizuar’’.
Gazeta ‘’Dielli’’ e Bostonit (dt.15 tetor 1909), duke përshëndetur vendimin e Kongresit të Elbasanit për çeljen e Shkollës Normale, ndër të tjera shkruante: ’’Po një shkollë normale për mësonjës s’është mjaft për Shqipërinë, na duhet edhe një shkollë normale për mësonjëse (dhaskalica), se ajo sjell më shumë fryte për qytetrimin, duke pasur parasysh rolin që luan gruaja e arsimuar në përlindjen e një kombi’’, dhe në vazhdim përmend disa arsye bindëse në mbështetje të një shkolle normale për femrat.
Është vendi këtu të përmendim, se Kongresi kishte vendosur që drejtor i (parë) i Normales të ishte dijetari i shquar Qamil Bala, nga Gjilani, i cili asokohe ishte profesor dhe drejtor i gjimnazit në Jerusalem. Me kërkesën dhe insistimin këmbëngulës të Kongresit të Elbasanit, organet kompetente të Jerusalemit mezi e kishin lejuar Balën të shkonte në detyrën e zgjedhur, por kur arriti në Manastir, xhonturqit nuk e lejuan të shkonte në Elbasan, veçse e kthyen në Stamboll. Pasi u pa se Qamil Bala nuk do të mund të vinte për ta marrë detyrën e drejtorit të Normales, atëherë ai post iu besua Luigj Gurakuqit.
Shkollën Normale (Pedagogjike) të Elbasanit, prej vitit 1909 deri sa u mbyll në vitin 1910, e kanë udhëhequr 22 drejtorë, personalitete të njohura nga fusha e arsimit, shkencës e kulturës: Luigj Gurakuqi, Fazlli Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Salih Ceka, Ahmet Gashi, Ali Hashrova, Ibrahim Babamusta, Carlo Parri (italian), Luigji Camsolo (italian, gjatë kohës së okupacionit (1940-1943), Fot Papajani, Kolë Prela, Mahir Domni, Vasil Kamami, Margarita Pogaçe, Ligor Mile, Grigor Kallajxhiu, Merrushe Shishmani, Stiliana Papajani, Stefan Bebi, Dritan Pajenga, Dhurata Valera dhe Fatos Bajraktari.
Për habi, askund nuk gjejmë një listë të plotë emërore të të gjithë mësimdhënësve të Normales së Elbasanit, për tërë periudhën e funksionimit të saj. Emrat e tyre i gjejmë në shkrime të ndryshme parciale. Në Monografinë Shkolla Normale ‘’Luigj Gurakuqi’’ në vitet e demokracisë 1990-2009, përgatitur nga Genci Trandafili e Dhurata Valera, monografi kjo kushtuar asaj Shkolle të periudhës 1990-2009, gjejmë një listë emërore të 17 mësuesve të cilët kanë shërbyer mbi 25 vjet në Shkollën Normale të Elbasanit prej themelimit e deri më 2009. Ata ishin: Genc Trandafili (35 vjet), Miriam Myftiu (33), Laura Shuteriqi (32), Grigor Kallajxhiu (30), Xhevat Domni (30), Nos Ndria (30), Elida Xhomo (28), Sotir Paparisto (28), Shyqyri Demiri (28), Simon Shuteriqi (27), Vasil Toli (27), Vasil Kamami (27), Shyqyri Latifi (27), Lumni Kotherja (26), Shefqet Peni (26), Bukurosh Sejdini (26) dhe Aleksandër Xhuvani (25). Në të njëjtën Monografi, janë edhe dy lista emërore, të mësuesve dhe nxënësve të Normales së Elbasanit, të cilët janë nderuar me titullin ‘’Mësues i popullit’’ (30 veta), respektivisht me titullin ‘Mësues i merituar’’ (72 veta; këtu nuk do e ngarkojmë këtë shkrim duke shënuar edhe më se 100 emra të tyre).
***
Normalja e Elbasanit u rrit, u zhvillua, u përvijua nëpër kushte të veçanta të realitetit shqiptar dhe përjetoi fatet e kombit në periudha të ndryshme. Ajo disa herë u mbyll e rihap, për shkak të Luftës Ballkanike, Luftës së Parë Botërore dhe pushtimit italian e gjerman. Megjithatë, mbajti kontinuitetin e zhvillimit dhe avancimit. Periudhën më stabile e pat prej vitit 1921 deri më 1939. Për tërë periudhën e ekzistimit, i dha arsimit shqiptar 15000 mësues të përgatitur e kualifikuar, të kalitur dhe edukuar në frymën pedagogjike e patriotike, për të gjitha shkollat e viseve shqiptare. Normalistët e Elbasanit luftuan edhe me armë kundër fashizmit dhe 70 e sa prej tyre ranë dëshmorë.
Gradualisht, Normalja u rrit, u transformua e avancua në status më të lartë: në Institut i Lartë Pedagogjik (1971) dhe së fundi në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’ të Elbasanit (1991), që nuk mund të mohohet lidhja e këtij Universitet me Normalen, dhe të gjitha ato instanca ishin e janë në një kontinuitet të misionit: arsimimit dhe edukimit profesional, shkencor e patriotik.
Me Normalen e Elbasanit identifikohej edhe vetë qyteti i Elbasanit, ashtu që ishte e njëjtë si të thuhej: Normalja e Elbasanit, apo Elbasani i Normales. Elbasani ‘e lindi’ dhe e rriti Normalen, ndërsa Normalja e rinoi dhe e rriti Elbasanin. Normales i thurën këngë, vargjet e së cilës thoshin:
Përqark me kodra,
Kundrejt me male,
Anekënd prej valëve të Shkumbinit,
Të rrethon natyra
Shkolla Normale
Gurrë e paçmueshme e përparimit!
Disa herë pati tentime për transferimin e Normales nga Elbasani në Shkodër, apo gjetkë, bile edhe jashtë Shqipërisë, por populli dhe udhëheqësia e Elbasanit nuk lejuan.
Pas 111 vjet të punës, Normalja u mbyll (1910) me vendim të Ministrisë së Arsimit e Shkencës, u shndërrua në gjimnaz në të cilin do ta kryejnë praktikën pedagogjike studentët e Universitetit ’Aleksandër Xhuvani’.
Normales së Elbasanit iu dha titulli i merituar ‘’Nderi i Kombit’ (2014). Në shenj kujtimi, në 105-vjetorin e saj u lëshua në qarkullim pulla postare me foton dhe tekstin: Shkolla Normale e Elbasanit, ndërsa në 110-vjetorin (2019), u shtyp në bankënotën 100 lekësh, në njërën anë foto e ndërtesës së Normales dhe në anën tjetër fotoportreti i drejtorit të parë, Luigj Gurakuqi.
Normalja e Elbasanit, dhe Normalja e Prishtinës, e cila punoi sipas konceptit, frymës dhe traditës së Normales së Elbasanit, në koshiencën dhe kujtesën e popullit do të mbahen mend e kujtohen, si dy institucionet më të rëndësishme të arsimit dhe edukimit të shqiptarëve andej e këndej Drinit. Unë, si ish-normalist i Normales së Prishtinës, këto dy Normale i kam në zemër e në shpirt. Në shtator të vitit 2009, organizova një ekskurzion me 36 ish-normalistë të gjeneratës sime (të diplomuar në vitin 1961), të Normales së Prishtinës, e vizituam Normalen e Elbasanit, ku na pritën me shumë dashamirësi e respekt drejtoresha znj.Dhurata Valera dhe ‘Mësuesi i popullit’ Genci Trandafili, dhe në Muzeun e Shkollës na treguan eksponatet, dokumentet e fotografitë e shumta, që kishin mbledhur e sistemuar për kremtimin e 100-vjetorit të Normales. Ishte një vizitë e paharrueshme jona, për të cilën unë pata shkruar e botuar një shkrim-reportazh, që besoj se ka zënë një vend në Muzeun e Normales së Elbasani.
Adil FETAHU