
Arben Iliazi flet për gazetën “Dielli” mbi romanin “Flower of the Abyss” (Lulja e humnerës), të sapobotuar në Amazon.
Intervistoi: Sokol Paja
Botimi i romanit me titull “Flower of the Abyss: A Tale of a Surreal Crime” në platformën ndërkombëtare Amazon, në versionin e përkthyer në anglisht nga Kujtim Hajdari, shënon një hap të rëndësishëm për prezantimin e krijimtarisë së shkrimtarit Arben Iliazi përpara një publiku më të gjerë ndërkombëtar, pasi mesazhi i romanit fiton një dimension të ri universal.
“Flower of the Abyss” (Lulja e humnerës) është një roman narrativ me natyrë të theksuar dramatike, simbolike dhe filozofike. Për t’iu përshtatur preferencave të ndryshme të publikut ndërkombëtar, Amazon e ka sjellë librin në disa formate si Paperback (versioni fizik me kopertinë të butë, që ju vjen me postë në shtëpi) dhe Kindle (Versioni digjital (e-book) të cilin mund ta shkarkoni dhe ta lexoni menjëherë në telefon, tablet ose pajisjen tuaj Kindle).
Dielli: Arben, qasja e lexuesve dhe prezantimi i librit theksojnë strukturën e tij dinamike. Edhe pse trajton tema të rënda si krimi shoqëror apo urrejtja racore etnike, stili i rrjedhshëm dhe i ndërthurur me elemente sureale e bën atë tejet të kapshëm për lexuesit e huaj. Si keni arritur deri tek ky univers semantik?
-Duke iu dorëzuar imagjinatës, duke bërë kalimin nga një logjikë abstrakte, në një logjikë narrative, pa të cilin logjika e parë nuk do të kish të drejtë qytetarie në imagjinarin njerëzor. Vetë subjekti që trajtoj është autentikisht i tillë, edhe pse i shtrirë në një kuadrat me strukturë narrative antropomorfe. Nuk kam dashur të përshkruaj thjesht një ngjarje jetëshkurtër, auroriale, me personazhe të vendosura në koordinata të caktuar hapësinore e kohore, por një modus simbolicus, ku shenjat apo imazhet thonë diçka që shkon përtej kuptimit të tyre të mirëfilltë e të drejtpërdrejtë.
Dielli: Jeni shprehur se qëllimi kryesor i subjektit të këtij rrëfimi është destruktimi i urrejtjes njerëzore. Vepra përcjell një mesazh mbi sakrificën dhe lirinë, duke bërë thirrje për pajtim shpirtëror dhe arsye qytetëruese. Mos është kjo një semiotikë pragmatisht e orientuar?
-Ka një pragmatikë kontekstuale, por jo të orientuar. Kuadrati semiotik shfaqet në një nivel të thellë në veprimet e mohimit dhe pohimit. Vepra është një ekzaltim paradoksal, metatermik, ku në qendër është, siç thatë juve, destruktimi i apoteozës së urrejtjes, që është kulmi i hyjnizimit ose glorifikimit maksimal të ndjenjës së mospranimit, mbi bazë të “arsyes së kulluar”, apo imperativit kategorik dhe imperativit hipotetik. Pra mbi bazën e një shtrëngese që i vihet lirisë. Romani i vendos personazhet përballë zjarreve të ideologjive të ndryshme (qofshin ato sekulare, ateiste, raciste apo anti-klerikale) që kërcënojnë t’i përfshijnë të gjithë. Libri pasqyron konfliktet rajonale dhe etnike, duke treguar se si urrejtja mund të shkatërrojë shoqërinë në një botë noumenale.
Dielli: Në qendër të fabulës është një heroinë, vetëvrasja dhe sakrifica e së cilës merr një kuptim sublim. Ajo flijon jetën e saj jo thjesht për një kauzë të ngushtë, por për të mbrojtur lirinë e tjetrit dhe të drejtën e zgjedhjes fetare. Mos vallë kjo “sakrificë gjenerative” nuk përkon me realitetin e sotëm? A ekzistojnë sot subjekte që mund ta kryejnë akte të tilla sublime?
-Në punën e tij krijuese shkrimtari krijon idealitete transhedentale. Jam përpjekur të modeloj një heroinë antonomazike, që mendoj se përputhet me një realitet sociologjik dhe psikologjik të caktuar. Përmes kësaj sakrifice vepra bën thirrje për një pajtim të thellë shpirtëror dhe për gjetjen e “arsyes së qytetërimit”, duke lënë pas ndasitë politike e fetare.
Nga pikëpamja filozofike ky rrëfim i drejtohet ekzistencës së mundshme, domethënë lirisë, të strukur në një subjektivizëm të kulluar. Udhëheqës të rremë shpirtërorë, me veshje politike apo fetare, nuk pranojnë ta shohin qënien njerëzore sikurse ajo është, si një liri të mundshme që kërkon të ndriçojë ekzistencën, me një qasje të vlefshme ekzistenciale me natyrë objektive. Ekzistenca nuk i takon botës së lirisë. Për të arritur në njohjen e kësaj ekzistence jam përpjekur të ndriçoj mundësinë dhe, nëpërmjet kësaj të nxis, të zmadhoj, të thërras lirinë, duke e aktualizuar në mënyrë autentike.
Dielli: Romani e orienton lexuesin e huaj drejt një narrative ku krimi, lufta dhe urrejtja trajtohen përmes elementeve absurde dhe surrealiste. Ju përdorni satirën si një ndër mjetet kryesore letrare. Si keni arritur të ndërthurni satirën me ironinë dhe groteskun? Mos vallë iu ka ndihmuar përvoja si dramaturg?
-Satira është një mjet i mprehtë për të zhveshur dhe për të nxjerrë në pah absurditetin e ideologjive ekstreme (qofshin ato sekulare, ateiste, raciste apo antiklerikale). Përmes situatave satirike, jam përpjekur të tregoj se këto rryma politike dhe shoqërore shpesh humbasin arsyen njerëzore dhe kthehen në dogma qesharake, por të rrezikshme. Satira shënjestron mënyrën se si turmat e njerëzve ndjekin verbërisht propagandën e urrejtjes, ironizon gatishmërinë e masave për të ngritur mure artificiale fetare e etnike. Këto sjellje i kam trajtuar si një “krim surreal” dhe absurd të shoqërisë moderne.
Për të bërë më të prekshëm mesazhin, satira në libër shpesh kalon në grotesk. Situatat tragjike të konfliktit dhe luftës sillen në një formë ku e shëmtuara dhe absurdja e sjelljes njerëzore ekzagjerohen qëllimisht. Kjo bëhet për të shkaktuar te lexuesi një reagim refuzues ndaj dhunës dhe urrejtjes. Kam përdor ironinë therëse për të treguar se si politika shpesh ushqehet nga dasitë dhe se si “arsyeja e qytetërimit” harrohet për interesa të ngushta pushteti.
Kjo qasje satirike nuk shërben thjesht për të argëtuar, por funksionon si një thikë kirurgjikale që pret dhe analizon sëmundjet e shoqërisë, duke ndihmuar në çmontimin e mekanizmave që prodhojnë urrejtje.
Dielli:Ju e përshkruani satirën si një “thikë kirurgjikale” që analizon sëmundjet e shoqërisë. Cilat janë, sipas jush, mekanizmat më të rrezikshëm që e shndërrojnë njeriun nga një qenie që nuk arsyeton, në një individ që ndjek verbërisht propagandën dhe urrejtjen?
-Monteskjë tek “Fryma e ligjeve” thotë : Të shumta janë gjërat që qeverisin njerëzinë: klima, feja, ligjet, sentencat e qeverisë, shembulli i së kaluarës, zakonet, mënyrat e të sjellurit: si rezultat i tyre formohet një frymë e përgjithshme. Të nxjerrësh bëmat njerëzore jashtë kontekstit, do të thotë t’i shkëputësh nga vendi ku janë dhe ku janë përftuar. Prej këtij lajthimi burojnë sëmundjet e shoqërisë, kur njeriu bie në mëkatin e krenisë dhe shndërrohet në një qënie që nuk arsyeton, që kërkon të drejta të posaçme, e gjykon historinë sipas atij kallëpi që e quan arsye dhe është i shtrënguar të hyjë në një kuturisje ksenofobike, duke shkatërruar gjithë vlerat e epërme, si hynore ashtu edhe njerëzore, duke i dhënë vetes, madje, edhe një fuqi të rreme demiurgjike.
Dielli: Në tekstin tuaj kaloni nga satira sociale te një reflektim më i thellë ontologjik mbi ekzistencën, ndërgjegjen, qenien dhe kohën. Si lidhet eksplorimi i ndërgjegjes njerëzore me përpjekjen tuaj për të kuptuar dhe për të kundërshtuar intolerancën?
-Ndërgjegja njerëzore është si humusi që ushqen mendimin. Në rrëfimin tim, ish-komunisti i konvertuar në prift, si një relike e obskurantizmit, është i zhytur në një gjendje ankthi dhe hutimi, të sunduar nga autoriteti i sentencave kombëtare, porse të përthara e të pajeta. Ai përpiqet të zhdukë historinë, duke pandehur se po dëbon bestytninë e lajthimin, i bindur se po i emancipon shpirtrat, por nuk bën gjë tjetër veçse i çrrënjos ato. Duke luftuar për “superioritetin e racës”, ai humbet çdo përmbajtje, sepse përpjekjet e tij janë të gënjeshtërta dhe produkt i blasfemisë militante dhe egoiste. Vetëm një urdhër hyjnor do të ishte në gjendje ta shpëtonte nga poshtërsia e tij dhe ta shkëpuste nga kalbësia e rendit trupor, të damkosur nga epshi. Nëpërmjet kësaj antropologjie pesimiste, që shtrihet nga përdëllesa deri tek epshi, jam përpjekur të kundërshtoj dimensionin e intolerancës, nëpërmjet një ngjarjeje fiksion, ku nuk ka asgjë idilike, por shpaloset skena e një tragjedie bashkëkohore.
Dielli: Në një botë ku vazhdojnë të ekzistojnë ndarje fetare, etnike dhe ideologjike, ju flisni për nevojën që “perspektivat e tolerancës të fitojnë koherencën”. A mund të bëhet letërsia — dhe veçanërisht satira — një mënyrë për ta rikthyer njeriun te arsyeja, dialogu dhe kuptimi i përbashkët i ekzistencës?
-Letërsia është një flamur humanist, që shndërrohet gjithmonë në një grishje për mirëkuptim universal, për dialog mes kulturave të ndryshme, rregullave të bashkëjetesës dhe shkatërrimit të partikularizmave. Konfliktet e mëdha janë konflikte besimesh e kulturash që glorifikojnë egoizmin e shenjtë, tkurrjen brenda unit kolektiv dhe agresivitetin ksenofobik. Duke pasur një besim të patundur te përparimi i arsyes, duke mos e ndarë dot atë nga historia, letërsia (dhe satira si zhanër i saj) ka dëshmuar njësinë e gjinisë njerëzore dhe mënjanimin e partikularizmave, nëpërmjet zëvëndësimit të traditës me lirinë shpirtërore, nëpërmjet fuqisë çrrënjosëse të fjalës.
Dielli: Tema e “destruktimit të urrejtjes”, konflikteve etnike dhe ideologjike nuk shihet më vetëm si një problem rajonal apo ballkanik, por si një mesazh universal human. A është ky një rast që lexuesi ndërkombëtar ta receptojë veprën si një thirrje globale për paqe, tolerancë fetare dhe arsye qytetëruese?
-Në kuptimin ontologjik subjekti i këtij rrëfimi ta krijon mundësinë e receptimit të këtij mesazhi, me qëllim që perspektivat e tolerancës të fitojnë koherencën, që bota të mos mbetet e zbrazët për nga kuptimi. Ky objekt reflektimi apo introspeksioni duhet të ngulet te vetë rrënja e vullnetit njerëzor, te vetë origjina që quhet ekzistencë. Nëse bëjmë një analizë refleksive të afektivitetit transhedental, ende do të shohim të shfaqen në botë çarje të pakapërcyeshme, për shembull, midis botës pa shpirt dhe botës së gjallë, midis botës së gjallë dhe botës shpirtërore. Qënia dhe koha ndodhen të stivosura mbi njëra-tjetrën, ndaj një shkrimtar duhet të jetë i vëmendshëm në këtë drejtim. Dhe kjo fillon me eksplorimin e ndërgjegjes.