
Virgjil Kule/
Po përshkruaj hap pas hapi rrugën që ndoqën përkrenarja dhe shpatat e Gjergj Kastriotit derisa përfunduan në Vjenë, në Muzeun e Historisë së Artit (Kunsthistorisches Museum).
110 vite pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, pikërisht në vitin 1578, dokumentohet një letër e Dukës së Urbinos Francesco Maria II della Rovere, i cili shkruan se armët e Skënderbeut ndodhen në gjëndje të mirë dhe ruhen në koleksionin e tij të armëve që ndodhej në pallatin rezidencial të Urbinos dhe më pas në atë të Pesaros. Ai shkruan gjithashtu se këto armë ka vendosur t’i dërgojë në Austri te Arkiduka Ferdinandi II i Tirolit, edhe ky një koleksionist fanatik i armatimeve që kishin përdorur figurat legjendare të fisnikërisë europiane. Në këtë vështrim fakti që ai blen përkrenaren dhe shpatat e Skënderbeut ridëshmon se heroi yne kombetar bënte pjesë në plejadën e prijësave më të shquar të kohës. Historinë e mëpastajme, deri në Muzeun e Vjenës, do ta vazhdojmë më poshtë, por më parë do ndalemi te zanafilla e enigmës.
Si i ranë në dorë të Dukës së Urbinos armët e Skënderbeut? Cfarë ndodhi në harkun kohor të 100 e ca viteve pas vdekjes së heroit? Pikërisht mbi këtë periudhë ka mbretëruar errësirë e plotë te cilen sot, per here te pare, do ta ndricojme perfundimisht.
Kthehemi pas, në ditët kur Andronika Kastrioti dhe i biri Gjoni erdhën në Italinë e Jugut. Krahas pasurisë së tundshme, ata sollën me vete edhe reliket luftarake të Kastriotit. Andronika u vendos në Napoli e më pas në Valencia, kurse Gjoni u emërua Dukë i San Pietro in Galatina dhe Kont i Soletos. Gjoni pati 5 fëmijë ndër të cilët Ferdinand Kastriotin. Ferdinandi, tashmë Duka II i San Pietro in Galatina dhe Konti II i Soletos u martua me Andreana Acquaviva d’Aragona di Nardo me të cilën pati një vajzë që quhej Erina. E njohur si e vetmja fëmijë legjitime nga mbreti Carlo V i Siqelisë dhe Napolit, Erina trashëgoi pjesën më ta madhe të pasurive dhe titujve të të atit, të cilat, kur u martua, ia transferoi si pajë të shoqit, princit të Bisignano-s Pietro Antonio Sanseverino. Sigurisht në pajën e saj të madhe ndodheshin edhe reliket e stërgjyshit të saj të lavdishëm, në saje të të cilit pasardhësit kishin siguruar privilegjet në mbretërinë e Napolit.
Cifti pati një vajzë, princeshën Vittoria Sanseverino dhe një djalë, princin Niccolo Bernardino Sanseverino, i cili trashëgoi titujt dhe pasuritë e të atit, Ferdinandit, stërnipit të Skënderbeut. (Në pikturën bashkëngjitur ku paraqitet Erina Kastrioti dhe Pietro Antonio me djalin e tyre Nicolo, bie në sy emblema e Kastriotëve dhe ajo e Bisignano-s). Jemi diku në fillim të gjysmës së dytë të shekullit të XVI dhe, në linjë brezash, transferta e trashëgimisë materiale të Skënderbeut del se ka përfunduar në gjirin e familjes së famshme Sanseverino dhe më konkretisht te familja e princit të Bisignanos, Niccolo Bernardino Sanseverino, i biri i Erina Kastrioti Skenderbeut.
Tani enigma po zbërthehet përfundimisht. Fijet do na cojnë drejt e në Dukatin e Urbinos.
Niccolo Bernardino Sanseverino u martua në vitin 1565 me Isabella Feltria della Rovere, princeshë e Urbinos, e bija e Guidobaldo II della Rovere dhe motra e Dukës së Urbinos, Francesco Maria II della Rovere, koleksionistit të armëve. Automatikisht ajo u bë edhe princeshë e Bisingnanos. Mbretëria e Bisignanos në këtë kohë kishte hasur në vështirësi të mëdha financiare. Burrë e grua nuk shkonin mirë me njeri tjetrin. Niccolo e kalonte javet në gjuetira e orgjira të ndryshme teksa Isabelles i mungonte luksi dhe atmosfera e rafinuar e Urbinos. Pjesën më të madhe të kohës jetonin larg njeri tjetrit. Isabella filloi udhëtimet jashtë Bisignano-s dhe për një kohë të gjatë jetoi me të motrën, Clelia, në Romë pa të shoqin. Vajti disa herë në Pesaro e Urbino si dhe ndërmori pelegrinazhe në Asisi dhe në Bazilikën Santa Casa…
Është pikërisht në këtë periudhë, vitet 1570, që armët dhe përkrenarja e Skënderbeut të jenë dërguar te familja della Rovere e Urbinos, e cila ishte me nam për koleksionet e pasura të armëve. Dmth, motra e Dukës së Urbinos, Isabella, do t’ja ketë cuar vëllait të saj për ruajtje ose edhe t’ia ketë shitur për të finacuar udhëtimet dhe pelegrinazhet saj e, sidomos, kurat për shërimin e një sëmundjeje të rëndë nga një plagë e infektuar në hundë, e cila, deri në fund të jetës i shkaktonte vazhdimisht spazma me dhimbje të forta.
Duka i Urbinos, Francesco Maria II Della Rovere, i ekspozoi reliket e Skënderbeut në arsenalin e tij të pasur.
15 tetor 1578. Lexojmë tani letrën e Dukës së Urbinos në të cilën thuhet se reliket e Gjergj Kastriotit ka ndërmend t’i dërgojë në Austri. Dërgesa do të bëhet dy vite më pas në adresë të Arkidukës Ferdinand II i Tirolit, i cili ia shtoi armët e Skëndërbeut koleksionit të tij madhështor që gjëndej në kështjellën Ambras në Insbruk. Arkiduka i Tirolit ishte vëllai i perandorit Maximilian II Habsburg. Është për t’u shënuar se dukët e Urbinos mbanin lidhje të ngushta me Habsburgët e Austrisë. Ata kanë kontribuar financiarisht dhe me trupa elitare në fushatat anti-ottomane të perandorëve Habsburgë. Gjithashtu mes Dukatit të Urbinos dhe familjes Habsburg ka pasur shkëmbime të ndërsjellta të veprave të artit dhe relikeve luftarake me të cilat pasuronin arsenalet e tyre muzeale.
Kështu reliket e Gjergj Kastriotit nga Italia përfunduan në Austrinë e Habsburgëve, konkretisht në Insbruk të krahinës Tirol. Muzeu i kështjellës Ambras ngritur mbi një kodër në jug të Insbrukut konsiderohet si i pari muze në botë. Pikërisht atje, në më të parin muze në botë, u vendosën me meritë të plotë edhe reliket e Skënderbeut tonë të Madh.
Më tej historia pak a shume njihet. Pas vdekjes së Arkidukës Ferdinand II, koleksioni i armëve i kaloi në pronësi familjes perandorake të Habsburgëve, e cila e vendosi atë fillimisht në kështjellën Belvedere (1806) e më pas në Muzeun e Historisë së Artit në Vjene (1888) ku ndodhet edhe sot.