
Shkëlqesia Juaj, e nderuara znj. Presidente,
Në emër të Kolegjit Pan-Shqiptar të Kirurgëve dhe në emrin tim personal, ju përcjell urimet më të përzemërta me rastin e zgjedhjes suaj si Presidente e Republikës së Kosovës. Në këtë moment të rëndësishëm për vendin tonë, zgjedhja juaj na gëzon dhe na jep besim se përvoja, urtësia dhe përkushtimi juaj do t’i shërbejnë unitetit dhe përparimit të Kosovës. Kontributi juaj shumëvjeçar në jetën akademike dhe institucionale, përfshirë udhëheqjen e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, dëshmon vlerësimin tuaj për dijen dhe përgjegjësinë ndaj shoqërisë.
Si kirurgë, edukatorë dhe studiues shqiptarë, të shpërndarë anë e mbanë botës, ndajmë bindjen se kujdesi shëndetësor cilësor, arsimi dhe kërkimi shkencor janë ndër themelet e një shoqërie të shëndetshme dhe të qëndrueshme. Përkushtimi ynë është që përvoja dhe ekspertiza profesionale të vihen në shërbim të qytetarëve, dhe me këtë frymë, ju shprehim gatishmërinë tonë për bashkëpunim të plotë e të vazhdueshëm me ju dhe me institucionet e Republikës së Kosovës. Do të ishte kënaqësi të ndanim ekspertizën dhe lidhjet tona profesionale ndërkombëtare në mbështetje të nismave për edukimin mjekësor, trajnimin e avancuar, kërkimin shkencor dhe forcimin e sistemit shëndetësor.
Ju urojmë nga zemra shëndet, forcë dhe mbarësi në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të lartë.
Urojmë që mandati juaj të sjellë më shumë bashkim, besim dhe mundësi për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Me respekt të thellë dhe urimet më të përzemërta,
Rifat Latifi
Kryetar, Kolegji Pan-Shqiptar i Kirurgëve
Kryetar Themelues, Kolegji i Kirurgëve të Kosovës
Ish-Ministër i Shëndetësisë i Kosovës