
Prof. dr. Roland Gjini
Universiteti “A. Xhuvani”, Elbasan/
Përvoja akademike dhe universitare ka treguar se shkencëtar i kompletuar është ai që dijet dhe hulumtimet e tij jo vetëm i publikon në shtyp, por edhe i transmeton te brezat e rinj nëpërmjet mësimdhënies. Një shëmbull të tillë përfaqëson prof. Arqile Bërxholi, i cili dalloi jo vetëm si një studiues, por edhe si një pedagog i zoti. Prandaj ne, ndër potencialet e rëndësishme që zotëronte e manifestonte prof. Arqile Bërxholi theksojmë qartë aftësitë e tij si mësues e pedagog i gjeografisë. Këto aftësi u krijuan te Ai jo vetëm nga fakti i talentit e pasionit të tij, por edhe sepse ai pati mundësinë të krijojë një përvojë pedagogjike të vyer duke shërbyer, fillimisht si mësues në të gjitha hallkat e arsimit parauniversitar, pra në shkollat 8-vjecare e të mesme, dhe, më pas edhe në disa universitete të vendit.
Karrierën e tij pedagogjike e filloi si mësues në shkollat, në atë kohë 8-vjecare, të Gjirokastrës, që në fillim të viteve ’60-të, më pas, pas mbarimit të studimeve të larta ushtroi edhe detyrën e drejtuesit të shkollës, po në Gjirokastër. Përvoja e tij si mësimdhënës do të arrijë në një nivel të ri në fund të viteve ’60-të, kur ai emërohet pedagog i gjeografisë në Universitetin e Tiranës. Përgjatë aktivitetit të tij si pedagog i gjeografisë së Shqipërisë, e më pas si gjeograf apo drejtues i Qendrës së Studimeve Gjeografike, ai nuk la pas dore kontributin shkencor e pedagogjik për arsimin parauniversitar. Kështu, në vitet ’80-‘90-të mori pjesë aktive në grupet e punës ngritur nga Ministria e Arsimit për përmirësimin e kurrikulave të gjeografisë në shkollë, botoi tekste mësimore e atlase për klasat e shkollave 8-vjeçare e të mesme si dhe tekste me material ndihmës për nxënësit dhe mësuesit e gjeografisë.
Në Universitetin e Elbasanit ai erdhi si pedagog me kohë të plotë në një moment sa të rëndësishëm aq edhe të vështirë për departamentin e histori – gjeografisë, sidomos për këto dy arsye:
Së pari, sapo ishtë larguar për jashtë vendit specialistja e Gjeografisë rajonale të botës dhe departamenti kishte shqetësim të madh se cili pedagog do ta zhvillonte këtë lëndë,
Dhe, së dyti, kët vit përfundonte cikli trevjecar, bachelor, sipas Marrëveshjes së Bolonjës, dhe se duheshin përgatitur kurrikalat e reja për ciklin e dytë, Master, apo Diplome e Nivelit të Dytë. Me t’u emëruar në Universitetin e Elbasanit, Prof. Arqilea ishte më aktivi në grupin e punës për përgatitjen e këtyre kurrikulave. Falë përvojës së tij, të krijuar që në vitet ’80- në Universitetin e Tiranës, gjatë përgatitjes së planeve e programeve të shkollës pasuniversitare, ai kontribuoi si për kurrikulën e Master Profesional në Mësuesi ashtu edhe për hartimin e planeve e programeve për Master i Shkencave në Studime gjeografike.
Kontribut i drejtpërdrejtë i punës së tij janë programet e lëndëve të Masterit Shkencor si: Gjeografi e sektorit terciar ne Shqipëri, Lëvizjet e popullsisë dhe burimet njerëzore, Monumentet natyrore në Shqipëri, Zhvillimet demografike, sociale dhe ekonomike të Shqipërisë, Migrimi dhe zhvillimet social-ekonomike, Seminar në gjeografinë regjionale të Shqipërisë, etj. Megjithëse i specializuar dhe i orientuar për gjeografinë e Shqipërisë dhe demografinë, profesor Arqilea pranoi të marrë përsipër lëndën e Gjeografisë rajonale të botës. Menjëherë iu vu punës, përmirësoi programin, si në strukturë ashtu ashtu edhe në përmbatje. Sapo filloi mësimi pajisi studentët me materialian bazë mësimor, Brenda një viti, leksionet e përgatitura i përpunoi dhe botoi si tekst universitar: Gjeografia rajonale e botës 1,dhe më pas përgatiti dhe botoi edhe tekstin Gjeografia rajonale e botës 2. Këto fakte treguan se prof. Bërxholi, krahas formimit të tij si specialist i gjeografisë së Shqipërisë, kishte thelluar dijet dhe formimin e tij si një njohës e studiues i zellshëm i gjeografisë në tërësi. Nisur nga nevojat e departamentit ai zhvilloi me cilësi dhe nivel shkencor edhe lëndën Gjeografi e trojeve shqiptare.
Ndërsa lënda të cilën ai e mori me shume dëshirë e pasion për ta zhvilluar ishte Demografia, fushë ku ai kishte përqëndruar studimet e tij vitet e fundit. Për të dyja këto lëndë ai përgatiti jo vetëm materilet bazë teorike për studentët por edhe tekstet përkatëse universitare. Leksionet e zhvilluara në auditor nga Prof. Bërxholi ishin sa me nivel shkencor, aq edhe interesante në aspektin didaktik e komunikativ. Ishte kjo arsyeja, që këto leksione, ndiqeshin me dëshirë nga studentët dhe auditori gjendej përherë i mbushur plot. Një përvojë të mirë solli në organizimin dhe zhvillimin e laboratoreve, në disiplinat e gjeografisë rajonale të botës, sidomos në punën me hartat dhe ndërthurjen natyrshëm të aspekteve fizike me ato ekonomike e sociale. Megjithëse normën mësimore vjetore si professor e plotësonte dhe e tejkalonte vetëm me seancat e leksioneve, nisur nga meraku i tij për zhvillimin cilësor të laboratorëve, ai i mbulonte vetë orët e tyre.
Ishte pjesëmarrës mjaft aktiv në mbledhjet e departamentit. Me diskutimet dhe sugjerimet e tij ndihmoi dukshëm në vendimmarrjet departamentit, në mënyrë që ato të ishin sa më efikase e objektive, gjallëroi jetën shkencore me anë të informacioneve të reja nga fusha e gjeografisë, jepte mendime të vyera për përmirësimin e planeve dhe programeve të degëve që mbulonte departamenti në të tria ciklet e studimit, këshillonte e ndihmonte pedagogët e tjerë në përmirësimin e leksioneve. Falë autoritetit të tij shkencor dhe dashamirësisë që përcillte, kolegët e dëgjonin me respekt dhe vlerësonin ndihmën dhe konsulencën e tij.
Profesor Arqile Bërxholi solli në department një përvojë të re në zhvillimin e ekspeditave mësimore në terren me studentët. Para zhvillimit të ekspeditave hartonte një program të detajuar jo thjesht me itenerarin por edhe me përmbajtjen e asaj që do të informoheshin studentët. Falë njohurive e pasionit të tij për gjeografinë e Shipërisë, e në vecanti për Jugun, si pedagog i ekspeditës, rrallë herë e gjeje pa ligjëruar e informuar, qoftë në autobuz gjatë udhëtimit, qoftë në ndalesat e planifikuara, aq shumë fliste profesori sa që shpesh merrte edhe nga koha e planifikuar për pedagogun e historisë. Kudo që udhëtonte, ai bënte fotografi të zonës përkatëse,madje në këtë drejtim ai nxiti edhe studentët të bëjnë të njëjtën gjë. Pas përfundimit ne ekspeditës, në fakultet, organizonte ekspozita me fotografitë e bëra. Jo vetëm kaq. Ai ndër vite kishte ruajtur me kujdes foto të mëparshme dhe në këto ekspozita me anë të fotografive bëhej dallimi i peisazheve të veçanta nga koha në kohë, ku evidentoheshin ndryshimet e bëra jo vetëm nga arsye natyrore, por sidomos nga dora e njerut. Tek ndryshimet e peisazhit natyror nga dora e njeriut, së bashku me studentët ai arrinte edhe të konstatonte se këto ndryshime ishin bërë në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme, të studiuara apo të pastudiuara.
Në mënyrë të vecantë prof. Arqilea kujdesej për pedagogët e rinj. Po në vitin 2008, kur ai erdhi si pedagog në departamentin e histori-gjeografisë në Elbasan, u rekrutuan si pedagogë definitivë edhe dy të rinj, po në fushën e gjeografisë. Të ardhur rishtas në këtë detyrë, ata patën kurdoherë pranë profesorin e tyre të universitetit, me këshillat e ndihmën e tij. Në mënyrë të veçantë profesori udhëhoqi në aspektin shkencor e didaktik asistentin e tij, madje me një qëllim strategjik, për ta përgatitur si pasardhësin e tij në kohët e mëpastajme. E ftonte asistentin e tij në leksionet që zhvillonte, merrte pjesë edhe vet në seancat e seminareve dhe laboratorëve të asistentit.
Në vitin 2014 shëndeti i profesorit rëndohet, dhe kërkon nga departamneti që të mos i planifikohet ngarkesa e plotë për vitin mësimor 2014-2015, pasi do të dilte në pension. Megjithatë, pranoi, që për këtë vit, të vijë si pedagog i ftuar, me kohë të pjësëshme. Merakun tonë për cilësine e lëndëve që mbulonte si lektor na e hoqi, duke dhënë sigurinë se asistenti i tij, i përgatitur për 6 vite rresht, tashmë është plotësisht i zoti t’i mbulojë këto lëndë edhe si lektor, edhe për një arsye tjetër, tashmë ai edhe është doktoruar. Dhe në fakt kështu rezultoi.
Rëndimi i mëtejshëm i shëndetit të tij, nga viti 2015, bëri që prof. Arqilea ta ketë të pamundur ardhjen në universitetin tonë qoftë edhe si pedagog i ftuar. Por, 7 vitet e punës së tij në Elbasan, kishin bërë që departamenti jo vetëm të rrisë cilësinë e tij në nivelin shkencor e pedagogjik të lëndëve të gjeografisë, por edhe që në këtë uniuversitet të lihet pas një emër i nderuar. Mbi të gjitha ai la pas respektin dhe mirënjohjen jo vetëm të departamentit të histori – gjeografisë, por edhe të studentëve që ai u dha mësim, të Universitetit të Elbasanit në tërësi.