
Besnik Fishta/
Filatelia ka qenë gjithmonë një mjet i rëndësishëm për promovimin e historisë, kulturës dhe identitetit të popujve. Nëpërmjet pullave postare, shtetet prezantojnë para publikut vlera që i konsiderojnë pjesë të trashëgimisë së tyre kombëtare. Ndër temat që kanë zënë një vend të veçantë në filatelinë shqiptare vitet e fundit është edhe xhubleta, një nga simbolet më të lashta dhe më përfaqësuese të kulturës tradicionale shqiptare. Xhubleta është veshja tradicionale e grave të Malësisë së Madhe, e njohur për formën e saj karakteristike në trajtë kambane, për teknikën e veçantë të punimit dhe për ornamentikën e pasur simbolike. Ajo konsiderohet jo vetëm një veshje popullore, por edhe një dëshmi e lashtësisë së kulturës shqiptare, e transmetuar brez pas brezi nga gratë malësore. Çdo element i saj, që nga punimi i leshit deri te zbukurimet dekorative, bart njohuri, mjeshtëri dhe tradita që kanë mbijetuar për shekuj.
Vlerat e jashtëzakonshme kulturore të xhubletës u njohën edhe në nivel ndërkombëtar kur UNESCO e përfshiu “Xhubletën, aftësitë, mjeshtërinë dhe format e përdorimit të saj” në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale që ka nevojë për mbrojtje urgjente. Ky vlerësim ndërkombëtar erdhi si njohje e rëndësisë së saj historike, artistike dhe etnografike, por edhe si një thirrje për ruajtjen e dijebërjes tradicionale që rrezikon të humbasë me kalimin e kohës. Rëndësia e xhubletës ka gjetur pasqyrim edhe në filateli. Përveç paraqitjeve të mëhershme në seri kushtuar veshjeve popullore shqiptare, vitet e fundit ajo është shndërruar në subjekt të veçantë të emisioneve postare. Kjo tregon se xhubleta nuk shihet më thjesht si pjesë e një koleksioni kostumesh tradicionale, por si një simbol më vete i trashëgimisë kulturore shqiptare.
Një interes të veçantë paraqet fakti se xhubleta është trajtuar filatelikisht nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Në këtë mënyrë, ajo është bërë një nga temat e rralla të filatelise që ka arritur të përfaqësohet në emisione postare të disa administratave postare të ndryshme. Kjo prani dëshmon rëndësinë që i kushtohet vlerave të saj kulturore dhe rolin që ajo vazhdon të luajë në identitetin e komuniteteve që e ruajnë si pjesë të traditës së tyre. Emisioni filatelik i Kosovës kushtuar xhubletës pasoi menjëherë vendimin e UNESCO-s të vitit 2022, sepse një tematikë e tillë ishte veçanërisht e përshtatshme për të afirmuar identitetin e saj shqiptar përmes një simboli të fuqishëm kulturor. Kjo qasje është në përputhje me prirjen e përgjithshme të filatelisë kosovare, e cila në masë të madhe është karakterizuar nga promovimi dhe afirmimi i elementeve të identitetit kombëtar shqiptar.
Në emisionin filatelik të Malit të Zi, xhubleta paraqitet në kuadër të serisë “Kostume Tradicionale”. Edhe pse nuk identifikohet drejtpërdrejt si veshje tradicionale shqiptare, në pullë theksohet se viti 2023 është shpallur “Viti i Xhubletës”. Ky element dëshmon jehonën dhe vëmendjen që kjo veshje ka fituar edhe në këtë hapësirë të rajonit dhe është krejt i natyrshëm, duke pasur parasysh praninë historike dhe kulturore të trevave shqiptare brenda territorit të Malit të Zi.
Një moment i rëndësishëm për filatelinë shqiptare ishte edhe prezantimi i emisionit më të ri kushtuar xhubletës. Më 3 tetor 2026, në ambientet e Muzeut Historik të Shkodrës, u zhvillua një veprimtari promovuese kushtuar kësaj pulle të re postare. Organizimi i këtij aktiviteti në një qytet që lidhet ngushtë me historinë dhe traditën e xhubletës, si dhe prania e artizaneve, artistëve dhe filatelistëve, i dha emisionit një dimension të veçantë kulturor. Veprimtaria shërbeu jo vetëm për prezantimin e pullës dhe materialeve filatelike shoqëruese, por edhe për të rikthyer vëmendjen te rëndësia e ruajtjes dhe promovimit të kësaj trashëgimie unike.
Ky emision pritet të ngjallë interes si te koleksionistët e filatelisë, ashtu edhe te studiuesit, etnografët dhe publiku i gjerë i interesuar për kulturën shqiptare, pasi pulla postare mbetet një formë e veçantë dokumentimi historik dhe kulturor, ndërsa trajtimi i xhubletës në filateli kontribuon në njohjen dhe promovimin e saj brenda dhe jashtë vendit. Perhere xhubleta do te përfaqësoje shumë më tepër sesa një veshje tradicionale, sepse ajo është një simbol i identitetit kulturor shqiptar, një dëshmi e mjeshtërisë artizanale dhe një pasuri e njohur ndërkombëtarisht. Prania e saj në filateli do te deshmoje se pulla postare vazhdon të mbetet një ambasadore e rëndësishme e trashëgimisë kulturore. Përmes këtyre emisioneve, xhubleta do te vazhdoje udhëtimin e saj nga malësitë ku lindi drejt koleksioneve, muzeve dhe publikut të gjerë, duke ruajtur dhe përcjellë vlerat e saj te brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Foto: pamfleti.net