

AWUSA
Foto: Erta Hajdari/
Në Manhattan, gratë e komunitetit shqiptar u bashkuan edhe këtë vit për një mbrëmje të veçantë në kuadër të Tetorit Rozë, një aktivitet që Albanian Women in USA organizon çdo vit me të njëjtin qëllim: ndërgjegjësimin, mbështetjen dhe forcimin e grave në komunitetin tonë.
Në qendër të këtij takimi ishin historitë reale të grave që kanë përballuar kancerin e gjirit, historitë e frikës, dhimbjes, pasigurisë, por mbi të gjitha të guximit dhe forcës për të vazhduar përpara.
Të ftuara ishin psikologia dhe terapistja Silvana Loka, e ardhur nga Chicago, si dhe poetja, shkrimtarja dhe kryeredaktorja e revistës Asaj, Arjana Fetahu Gabo nga New Jerseys! Përmes fjalëve dhe përvojave të tyre, ato sollën një mesazh të rëndësishëm: në një betejë të tillë, gruaja ka nevojë për mbështetje, mirëkuptim dhe mbi të gjitha, të mos ndihet vetëm.
Sepse pas diagnozës nuk është vetëm një paciente. Është një grua, një nënë, një bashkëshorte, një shoqe, një grua që jeton dhe ndërton jetën e saj në emigrim dhe që përballet me një nga sfidat më të vështira të jetës.
Tetori Rozë nuk duhet të jetë vetëm një muaj ndërgjegjësimi. Është një kujtesë për të gjithë ne se sa e rëndësishme është të flasim, të dëgjojmë, të kontrollohemi dhe të jemi pranë njëra-tjetrës.
Për Albanian Women in USA, ky aktivitet është më shumë se një event. Është pjesë e përgjegjësisë që komuniteti ynë ka ndaj grave të tij: të krijojë hapësira ku gratë mund të flasin, të ndajnë historitë e tyre dhe të gjejnë forcë tek njëra-tjetra.
Sepse asnjë grua nuk duhet ta përballojë e vetme një betejë të tillë.
Kur një grua flet, një tjetër gjen kurajën të mos heshtë. Kur një grua mbështetet, një tjetër kupton se nuk është vetëm.
Ky është mesazhi i Tetorit Rozë dhe një nga arsyet pse AWUSA vazhdon, vit pas viti, ta mbajë gjallë këtë nismë me gratë e komunitetit shqiptar.