
Prof. Lush Culaj/
Me kërkesat e vazhdueshme parlamentare, si dhe këmbënguljen e Qeverisë problemi çam u bë objekt ridis-kutimi në sesionin e 50 të Këshillit të Lidhjes së Kombeve, që u mbajt nga 4 deri më 9 qershor 1928. Mehdi Frashëri, përfaqësues i Shqipërisë, me këtë rast mbajti fjalim në të cilin shprehu qartë qëndrimet e Qeverisë duke dëshmuar se ajo kishte dhënë prova të shumta, prova të sakrificave maksimale, por, fatkeqësisht, Qeveria greke nuk i kishte pranuar propozimet shqiptare.
Si në mbledhjen e 5 qershorit, ashtu edhe në vijimin e saj më 9 qershor, pati polemika të ashpra ndërmjet përfaqësuesit shqiptar, Mehdi Frashëri, dhe përfaqësuesit grek, Politis, lidhur me çështjen çame. I ndodhur në pozitë të vështirë, në mungesë të fakteve, përfaqësuesi grek përsëriste shpesh shabllone, duke thënë: “Pala shqiptare s’ka të drejtë të përzihet në çështjet e brendshme të një vendi tjetër, se çamët ishin shtetas grekë dhe se pretendimi i shtetit shqiptar për t’u hequr si mbrojtës i tyre përbënte një shkelje të sovranitetit grek”.
Me gjithë buxhetin e limituar dhe kërkesat jashtëzakonisht të mëdha, Parlamenti shqiptar përkujdesej për trajtimin e duhur në suaza të mundësive buxhetore edhe për atdhetarët që i kishin kryer shërbime atdheut dhe familjet e tyre pas vdekjes.
Se në raste të caktuara Parlamenti trajtonte edhe kërkesa individuale të personave të caktuar që u shkileshin të drejtat njerëzore dëshmon edhe diskutimi i kërkesës të Ragip Çakiçit dhe Mustafë Goricës nga Selaniku. Në mbledhjen e datës 30.5.1927 njoftohet se të lartëpërmendurit e kishin pasurinë e tyre në Greqi dhe se autoritetet greke po donin t’ua konfiskonin. U theksua se kjo është shkelje e marrëveshjes, sepse në mes dy shteteve ka marrëveshje sipas të cilës nënshtetasit shqiptarë në Greqi dhe nënshtetasit grekë në Shqipëri ta kenë të drejtën mbi pronësinë e tyre. Me atë rast kërkohet nga Qeveria që të marrë masat e duhura te Qeveria greke për moskon-fiskimin e tokave të shqiptarëve.
Në diskutimin e tij edhe deputeti Eshref Frashëri kërkoi që Qeveria të marrë masat e duhura për këtë çështje, kurse deputeti Vuçiterni, krahas këtij problemi me shqiptarët në Greqi ngriti një paralelizëm edhe me shqiptarët në Jugosllavi. Duke theksuar se ishte dëshmitar i marrëveshjeve, si me Greqinë, ashtu me Jugosllavinë, deputeti Vuçiterni theksoi se në ato marrëveshje ekzistonte një nen, ku theksohej se nënshtetasit duhet të gëzonin të drejtat e kombit më favorizues. Ai i bëri apel qeverisë që të bëjë protestat e duhuara ndaj Greqisë dhe Jugosllavisë ashtu që të respektohen marrëveshjet.
Edhe në mbledhjen e datës 31.10.1927 deputeti Eshref Frashëri kërkon nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e re që t’i përmbahen planit dhe programit qeveritar duke theksuar: “Programi i Qeverisë të re në politikën e jashtme përmban edhe dy pika të cilat janë pasuria e shqiptarëve në Greqi dhe çështja e minoriteteve. Ai konstatoi se zgjidhja e këtyre dy çështjeve do të ishte nder për Qeverinë shqiptare, si dhe do të marrë urimet e atyre të mjerëve që po vuajnë. Greqia ka dhënë vazhdimisht premtime për zgjedhjen e këtyre dy çështjeve, por këto premtime nuk janë realizuar.” Ai apeloi që, nëse Greqia nuk i mban premtimet e dhëna, atëherë Qeveria shqiptare çështjen ta ngrejë në Lidhjen e Kombeve. Natyrisht se ky deputet, krahas çështjes së shqiptarëve që po vuanin në Greqi, e ngre edhe çështjen e shqiptarëve që po vuanin në Jugosllavi dhe kërkon edhe në këtë rast që, nëse nuk realizohen premtimet në rrugë qeveritare, atëherë ankesat të parashtroheshin në Lidhjen e Kombeve.
Ministri i Jashtëm shqiptar, Iljaz Vrioni, theksoi para parlamentarëve se, kur ishte në Lidhjen e Kombeve, e kishte takuar ministrin e Jashtëm të Greqisë Mihalokopulo dhe ia kishte paraqitur shqetësimet e lartpërmendura dhe se Qeveria e kishte kryer punën e vet. Deputeti Sali Vuçiterni, duke e përgëzuar kabinetin e ri qeveritar dhe duke besuar në atdhetarinë e tyre dhe përpjekjet për mbrojtjen e minoriteteve kërkoi që qeveria ta ketë prioritet mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të ngelur jashtë Shqipërisë. Ai nuk u pajtua me ministrin Vrioni se e ka kryer punën Qeveria vetëm me ngritjen e kësaj çështjeje në momente të caktuara.
Prapë e mori fjalën deputeti Eshref Frashëri, i cili nuk u pajtua me ministrin Vrioni që deklaroi se “ne e kryem detyrën tonë”, kurse në përgjigjen dhënë deputetit Sali Vuçiterni thotë se teoritikisht e kemi kryer detyrën tonë d.m.th. që janë berë protestat.
Deputeti Frashëri këmbëngul se detyra nuk është kryer duke aluduar se detyra kryhet kur të shihen rezultate konkrete në përmirësimin e të drejtave të minoriteteve. Ministri Vrioni, duke u arsyetuar me faktin se kanë bërë përpjekje, i përgjigjet deputetit Frashëri se një ministër nuk mund t’i nxjerrë zorrët jashtë dhe e fton deputetin Frashëri si një patriot, siç e quan ai, të shkojë në ministri që t’i japë shpjegimet shtesë lidhur me këtë çështje. Deputeti Frashëri u shpreh se, pasi qenka fshehtësi që nuk mund ta thotë ministri, atëherë nuk duhet ta thotë as jashtë parlamentit. Duke e arsyetuar punën e Ministrisë të Jashtme, Vrioni thekson se, me gjithë vështirësitë, Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë më kryelartë se sot në politikën e jashtme.
Në polemikën që vazhdoi, deputeti Frashëri theksoi se ai është i vetëdishëm se po punohet (por lë të nënkuptohet se nuk ka rezultate të dukshme), por mendon se pasi nuk po shihen të paktën nga ata (parlamentarët) rezultate konkrete të protestohet edhe në Lidhjen e Kombeve. Përfundimisht ministri Vrioni lë të nënkuptohet se për këtë problematikë ka edhe gjëra që nuk mund të thuhen në parlament dhe e fton sërish se, nëse dëshiron të informohet personalisht në detaje deputeti Frashëri të shkojë në Ministrinë e Jashtme.
Edhe në mbledhjen e datës 21. 11. 1927. deputeti Eshref Frashëri e ngriti çështjen e pasurive të shqiptarëve që ndodheshin në Greqi, duke pohuar se ministri i Jashtëm shqiptar ka deklaruar në parlament se është dakorduar me ministrin e Jashtëm grek Mihajlokopulos dhe se kjo çështje do të rregullohet.
Meqenëse deputeti Frashëri ndodhej në atë periudhë në Greqi dhe e kishte parë nga afër se Greqia nuk po i mbante premtimet, ky apeloi përsëri se çështja t’i drejtohej Lidhjes të Kombeve. Duke u deklaruar se ai dhe Shqipëria dëshirojnë fqinjësi të mirë dhe miqësi me Greqinë, theksoi se miqësia nuk bazohet vetëm në fjalë të bukura e në premtime, por në vepra konkrete.
Duke këmbëngulur se çështja duhet të dërgohet për zgjidhje në Lidhjen e Kombeve deputeti Frashëri thoshte se do të zgjidhët në favorin e kërkesave shqiptare, sepse, siç thotë ai, Shqipëria po i respekton të gjitha të drejtat e minoriteteve.