• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…

February 6, 2023 by s p

Nga Visar Zhiti

“U themelua dega më e re e Vatrës në Çhicago, në 4 shkurt…” – boton lajmin e entuziazmuar “Gazeta Dielli – Faqja Zyrtare” dhe urojmë sinqerisht që ky entuziazëm të kalojë nga ai grusht i parë “aktivistësh të saj”, tek anëtarët e parë dhe të mbërrijë në sa më shumë shqiptarë në metropolin botëror të Çikagos.

Çdo familje shqiptare në SHBA është një “vatër”, do të thosha, çdo shtëpi është një “ambasadë” dhe urimi i parë është, ashtu siç e ka dhe Kushtetuta Amerikane, që qofshin të lumtur! Të mirë integruar, të marrin sa më shumë nga idealet e larta të Amerikēs, të lirisë dhe të demokracisë, të Kulturës së Shtetit më të fuqishëm në botën e sotme dhe të dinë të investojnë dhe në dheun amë nga ato të gjitha për një begatim të mëtejshëm.

Ndërkohë u duhet dhe bashkëpunimi i ndërsjelltë, dashuria, përbashkim sa më të gjerë, në vijim njohje të kulturës amtare, mbështetje dhe përhapje të saj aty ku janë, veçanërisht ruajtjen e gjuhës së lashtë dhe të bukur shqipe, një nga gjuhët më të rendësihme në botë, sipas shkencëtarëve linguistikë, mësimin e saj në brezat e rinj.

Themeltarët e ndritshëm dhe të paarritshëm të Vatrës së dikurshme shqiptare në SHBA, i shumëdituri Faik Konica dhe Imzot Fan Noli, idealistë të mëdhenj, shkrimtarë të mëdhenj, veprimtarë të mëdhenj, apo dhe kryetarë të tjerë të hershëm të bashkësisë panshqiptare, që lanë gjurmë të pashlyeshme në më shumë se një shekull, siç qe midis tyre dhe Profesor Arshi Pipa, filozofi dhe poeti, që u arratis nga burgjet e diktaturës së atdheut, Kanunorja e përbashkët që lanë trashëgim ata, arritjet patriotike dhe kulturore, qofshin përherë pishtarët udhërrëfyes dhe program në rrugëtimin e shqiptarëve në Atdheun e Ri, për një rimëkëmbje shpirtërore të tyre në çdo “vatër”, ndërkohë dhe urë e idealit Kombëtar me realitetet e shtetit të madh amerikan.

Në metropolin e Çikagos tashmë dihet që ka dhe traditë shqiptaro-amerikane, sado të pakta, për ne janë të çmuara dhe shumë, mjafton të kujtojmë të famshmit e kinemasë dhe të teatrit amerikan, vëllezërit korçarë Belushi, po në Çikago kanë jetuar dhe patriotët e shquar, vlonjati Isuf Luzaj dhe çami Bilal Xhaferri, të dy shkrimtarë të shquar, po kështu kemi bamirësin dhe investitorin e albanalogjisë, përmetarin idealist Idai Edy Bregu, etj, jetët dhe veprat e tyre duhen të jenë shembuj frymëzimi për të bërë më të mirën dhe më shumë.

Në Çikago ka biznese të suksesshme shqiptarësh, por ka dhe intelektualë të shquar, profesionistë, pedagogë, studiues, inxhinierë, ekonomistë, juristë, mjekë, politikanë, këshilltarë, gazetarë, këngëtarë, dhe të famës botërore, artistë, botues, etj, sintetizues të të gjithave: shkrimtarë. Dhe të mos harrojmë që ka dhe lexues pasionantë, grupe dhe shoqata, të fuqishme janë dhe ato të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, e Jugut për ne, ato të Kosovës, të Malit të Zi, janë institucionet e fesë, një xhami e shqiptarëve, kisha ortodokse e shqiptarëve, komuniteti katolik shqiptar dhe lega e tyre “Gjon Buzuku”, më tej ngjitur është dhe Teqeja e shqiptarëve, ku të gjithë nderojnë dhe kujtimin e Baba Rexhepit ashtu si dhe Motrat Qiriazi, që erdhën në atdhe dhe hapën shkolla shqipe, por diktatura komuniste i përndoqi dhe i burgosi dhe i vrau, po është shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, revista e tyre “Pena”, ndërkaq gazeta “Dielli”, e themeltarëve të saj të ndritur, tashmë është bërë gazeta më e vjetër e të gjitha diasporave në SHBA, mbi një shekullore, pastaj iu shtua shqiptarëve dhe gazeta “Illyria”, duke arritur te revista elitare kulturore “Peizazhe të Fjalës”, institucione krahas instituteve, akademi, jepet mësim shqip në shkolla, ka degë të letërsisë shqipe në universitete, krahas radiove lokale shqip është “Zëri i Amerikës”, institucioni më i fuqishëm në botë i komunikimit, ku është dhe seksioni shqip, etj, dhe më e rëndësishmja, është rritur një brez i ri shqiptaro-amerikan, studentë të shkëlqyer, që janë futur në jetë në fusha të ndryshme, të shkencave dhe arteve, madje edhe të ushtrisë duke i shërbyer me devotshmëri e besim Atdheu të ri, SHBA në çdo pikë të globit, etj.

Një areal i bukur, i fuqishëm, duhet njohur dhe dashur dhe frymëzuar. Në fakt duhet të frymëzohen prej tyre të gjithë, prej talentit dhe sinqeritetit rinor, prej dijeve, larg politikave përçarëse, asaj egërsie aq ballkanike, fodullëkut tradicional, prapashpinërive dhe korrupsionit shtetëror në vendin që lanë, nga ku tentakulat e këqia të së kaluarës janë përpjekur të mbarten dhe përkëtej oqeanit. Në Amerikën e madhe kanë ardhur shumë të përndjekur, ish të burgosur politikë, por po aq shumë nga ata që përndiqnin dhe fusnin nëpër burgje dhe kjo duhet parë dhe si ndërgjegjësim, vijnë pas një diaspore të përgjegjeshme politike, e emancipuar dhe patriotike, vepruese, me të persekutuar në atdhe, ku palët tani të dënojnë së bashku të kaluarën, me drejtësi, me mirëkutim, por dhe si paqe, për të ndërtuar një të tashme normale brenda vetes, për një të ardhme shpirtërore më të mire, një vatër përbashkuese.

Dhe të mos keqpërdoret, të mos i shërbejë një përçarjeje të re apo politikave të mbrapshta në Shqipëri. Duhet përballje me kujtesë dhe kujdes, me ide dhe punë dhe vizion, jo me mirazhe, pa u hutuar nga themelimet kafeneve apo restoranteve, që të mos shndërrohen thjesht në biznese të përfitimeve vetanake, në pirje dhe ngrënie, madje dhe të njëri-tjetrit siç dhe ka ndodhur, duke u kthyer në konflikte dhe gjyqe, ku harxhohen dollarë, shpesh e të tjerëve, e anëtarësisë. Por të duam të ngremë veten së bashku. Themelime pranë busteve të idealistëve, heronjve, pranë librave dhe hartave, me projekte dhe këshilla drejtues e kryetarë që janë shquar duke i dhënë komunitetit, me idealistë dhe profesionistë…

Pra themelimet të nisin me një bibliotekë të re a muze a shkollë.

Shqiptarët shquhen dhe për mirë. Në botë dua të them. Si popull dhe si individë. Kanë një histori të lavdishme:

1- Kanë mbrojtur në shekuj identitetin dhe kulturën e tyre pa dëmtuar popujt e tjerë. Madje u bënë dhe mur mbrojtës i Europës dhe kulturës Perëndimore.

2- Shqipëria, kur populli hebre përndiqej nga bisha naziste-fashiste, u bë atdheu i tyre i dytë, shqiptarët i futën nëpër familje për t’i mbrojtur. Vepruan dhe institucioni i lashtë Besës dhe i mikpritjes.

3- Dhe kur Italia fashiste kapitulloi, mijëra ushtarë të saj endeshin rrugëve të uritur, prapë shqiptarët bënë të pabesueshmen, u dhanë bukë dhe strehë dhe ndodhi porosia biblike: armiqtë t’i kthejmë në vëllezër.

Dhe të mos lejohet, të mosveprohet që vëllezërit të kthehen në armiq.

4- Shqipëria është vendi emblematik i harmonisë fetare.

Ja, pra disa nga virtytet kolektive që ia tregojmë botës, ia japim njerëzimit, që, edhe kur je një popull i vogël, prapë je i madh nga vlerat.

Kumunitetet shqiptare, edhe ato arbëreshe, tashmë janë konsoliduar në SHBA, janë integruar pa humbur, sepse është Amerika që të pranon dhe t’i jep mundësitë të gjitha të shpalosesh se cili je, se ç’arrtitje ke, nderon lidershpin moral dhe kulturor të popujve, është vendi ku njihen dhe nderohen lart edhe Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cilësuar dhe si “Mbrojtësi i paepur i qytetërimit Perëndimor”, edhe ikona e dashurisë së botës, Shenjtorja Nënë Tereza jonë. Që të dy kanë shtatore në SHBA.

Çdo “Vatër” shqiptare ta mbajë ndezur këtë zjarr, zjarrin e atdhedashurisë, si për vendin-amë, Shqipërizën tonë, siç i thoshte Naimi ynë, dhe për Atdheun e ri e të madh SHBA, për forcimin e miqësisë mes dy popujve tanë, bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Tashmë dhe Shqipërinë e kemi në Aleancën me të fuqishme në glob, në NATO, ajo s’është vetëm ushtarake, por dhe ekonomike e kulturore. I quajmë aleat Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ato kanë qenë dhe janë shpëtimtari jetik i Kombit tonë, na kanë mbrojtur duke e ndalur copëzimin e mêtejshëm të trojeve tona dhe çliruan Kosovën tonë. Dy shtete shqiptare në Ballkan. Një diasporë e pêrbashkët në SHBA. Edhe në metropolin botëror të Çikagos.

Thënë përmbledhshëm, për ta mbyllur, mbas urimeve duhet punë, në fakt duhej dhe para urimeve, mbas entuziazmit duhet përkushtimi, në fakt duhej dhe para tij, dhe patjetër veprat, të mëdha, të vogla, ato të idealit të përbashkët, që na duhen…

Filed Under: Komente

TURP per Kryetarin e Bashkise dhe Keshillin Bashkiak te Tiranes!

February 6, 2023 by s p

Flamur Gashi/

Vazhdon nxitja e urrejtjes patologjike ndaj KOSOVES dhe perfaqesuesve te saj me dinjitoz, nga ana e neokomunisteve dhe pinjolleve ideologjik te Milladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshes ne Tirane.

I ndryshohet emri gjysmes se rruges “Dr.Ibrahim Rugova” dhe i vendoset emri “Deshmoret e 4 shkurti”, me qellimin djallezor per te rikthyer ne skenen e debatit politik nje debat qe e nxiten qe ne krye te heres komunistet jugosllav, per ti futur ne sherr shqiptaret ne mes vete dhe ne menyre te veçante per te nxitur urrejtje per Kosoven dhe te gjithe shqiptaret qe nuk ishin dhe nuk jane perkrahes te komunizmit pro jugosllav dhe pro rus!

Kryetari aktual i Bashkise se Tiranes, pasi per 8 vite nuk lejoi vendosjen ne Tirane te shtatores se presidentit historik te Dardanise dr.Ibrahim Rugova, te derdhur ne bronz e mbante te mbyllur ne nje fonderi ku derdhen ne bronz veprat e artit ne periferi te Tiranes, e kohet e fundit ne Durres ne studion e autorit te vepres. Tani me ndihmen e anetareve te Keshillit Bashkiak i ndryshon emrin edhe rruges qe mbante emrin “Dr.Ibrahim Rugova”!!!.

Kjo eshte fytyra e vertete e Erion Veliajt dhe mbeshtetesve te tij, ne nxitjen e urrejtjes dhe perçarjes brenda kombit tone!

TURPI ka EMER!

Filed Under: Komente

Emri im nuk është Marjuana!

February 4, 2023 by s p

Marjana Bulku

Nju Jork/

Emigrantet mund të konsiderohen si një barometër tranzicionesh dhe krizash rajonale e që pavarësisht kësaj transportojnë ngado me vete kulturën e vendit nga vijnë që me edukim e kultivim , festa e promocion e mbajnë gjallë sa munden .

Edukimi në vendet pritëse shndrrohet në një mundësi më shumë në pafundësinë e sfidave ku ruajtja e indentitetit çmohet dhe vlerësohet pasi pa asnjë dyshim kultura mbetet aseti i patundshëm dhe një pasuri shpirtërore e pazëvëndësueshme.

Po çfarë po ndodh me këtë trashëgimni prej gjuhe e normash, kodesh nderi e bese , mikpritje e vyrtytesh që ishin amanet brezash në botën globale që vrapon?!

Sa vlejnë këto të fundit kur shtetet amë përfshihen në amoralitet e korrupsion , shthurje e skandale qeveritare a thua se ky është misioni i tyre që t’ua nxijnë jetën dhe emrin qytetarëve të vet!

Po mbushen pothuaj 11 -vjet që edhe unë iu turra Amerikës si shumë të tjerë dhe si çdokush që kthen kokën pas, zikzakeve të emigrimit gjen aty dilemat ekzistenciale të qënies .

Qysh në ditët e para kur vendosëm të jemi rezident këtu u desh të përballemi me mjaft vështirësi ku sidomos ato natyrore të tmerrojnë edhe ti mendosh e le më pastaj ti përjetosh.

Është e frikshme të ndjekësh se si reagon një popullsi kaq e madhe kur ndeshet me ciklone të ftohti, përmbytje, tërmete, pandemi… mjafton të kujtosh marketet e boshatisur dhe lakminë e pangopshme të popullatës për ushqim dhe nevoja të tjera po kaq utilitare.

Krizat sistematike globale duket se i kanë shnderruar popullatat në robêr të fatkeqsive ku autor është jo vetëm natyra por edhe qeveritë përkatëse.

Emigrimet masive janë një tjetër fatkeqsi po aq sa ato natyrore sepse vendet amë po zbrazen nga vullnete , projekte energji e ndërkohë qeverisjet e padrejta majmen kur popujt tkurren , robërohen , nënshtrohen .

-Mos ikni!

-Thoja gjithmonë kur kthehesha në atdhe, atje ku tokat e begata dergjeshin djerr nga dembelizmi, pavullneti, paimagjinata,etj etj .

Ishte një thirrje e sinqertë që buronte nga shpirti që patriotizmin dhe atdhedashurinë e ndjen edhe më fort kur është larg vendit amë.

Kinezët që nuk lejnë kanaçe e pëllëmbë dheu pa mbjellë me barishte e gjeth më bënin të kuptoj se një krizë e fortē po vjen , do vijë , është në proçes ardhjeje…

Filipinasit aq fort të lidhur me njëri-tjetrin ndajnë edhe kafshatën e fundit mes tyre.

Haitianët të egër nê fytyrë e të pangopur me të drejtën e me gjithçka dhe që aq pak dijnë të jenë të drejtë me veten dhe me të tjerët.

Ukraninasit dhe vargu i gjatë i paradokseve që prodhon lufta e superfuqive që forcën e mat me të dobtin duke ia venitur çdo lloj mundësie deri në mohim ekzistencën atyre nga etja e vet e pa fre për fuqi.

Lutje sirianësh, zvarritje meksikanësh … kjo tablo metropolitane që flet pak e nënkupton shumê.

Por kjo është vetëm paksa nga ajo tërësi kulturash që emigrantët mbartin sepse kultura deri diku është aset i qëndrueshëm i asaj çka ata marrin me vete ndërsa problematikat e jetës së tyre janë një tjetër mbivendosje që e bëjnë shumëdimensionale problematikën që mbëshjell jetët njerëzore në kontinentin e ri ku turren të rinisin një jetë të re me plagë të vjetra.

Kultura bëhet kêshtu identiteti pêrmes të cilës përshfaqet individi në mjedisin fluid amerikan.

Kur përmendet Shqipëria shumëkujt i vjen në mendje besa, mikpritja, trimëria , dikujt tjetër diktatori Hoxha,demokracia e brishtë , pastaj mafia, droga dhe gjëra si këto metastaza të së keqes.

Kohët e fundit sapo përmend se je shqiptar hapen biseda të pakëndëshme për drogë e marjuanë edhe pse stendave të metropolit më të madh të botës ndriçon një shqiptare brilante si Ermonela Jaho por mesa duket muzika është luksi i fundit që i nevojitet shpirtit njerëzor fatkeqsisht.

Êshtë e pamundur të kuptosh apo paragjykosh universin njerëzor brenda konglomeratit që prodhon droga brenda dhe jasht qënies që i nënshtrohet këtij fenomeni që vret jetën pak e nga pak , duke i vrarë vullnetin për punë dhe duke i injektuar pangopshmërinë për pasurimin e rrufeshëm. Por është një gjë që dihet me siguri ;fatkeqsia se ky fenomen stigmatizon edhe individin e ndershëm , të shkolluar dhe kultivuar përmes dijes dhe punës së ndershme ndaj dhe irritimi i kësaj shtrese që besoj është mazhoritare në arenën shqiptare duhet të jetë edhe kurimi i dramës së shekullit të ri ku puna e ndershme zhvleftësohet, shkollimi nënvleftësohet dhe paraja e ndotur ndot një shoqêri të të tërë , këtë fajtore të pafaj.

Kaq shumë lakohet droga, mafia, korrupsioni kur përmenden shqiptarët sa pothuaj është harruar Besa, bujaria, mikpritja , tipare këto qé i dallonin shqiptarët një dekadë më parë dhe që ishin burim legjitim i krenarisë tonë etnike.

Irritohuni qytetarë sa herë që ua përçudnojnë nderin , krenarinë , truallin dhe pasurinë, atë shpirtrore dhe materiale .

Irritohuni sa herë që ju stigmatizojnë për turpe që ideohen dhe fabrikohen zyrave, skutave, errësirave duke hedhur hije faji mbi gjithkënd .

Irritohuni kur jua mbysin fjalën dhe lirinë .

Irritohuni kur ju thonë se nuk jetohet me punë të ndershme.

Irritohuni sa herë që kultivohet droga në vend të besës, vyrtyteve, dijes.

Irritohuni sa herë që ua nxijnë jetën dhe emrin.

Irritohem kur më thirrin Marjuana.

Emri in nuk është Marjuanë.

-Më duhet ta përsëris shpesh kur me shaka ose jo thirrem ndoshta sepse lajmet për shqiptaret lidhen kaq shumë me drogë e marjuanë , vrasje e korrupsion.

Edhe pse janë shkruar aq shumë histori shqiptare ku e mira prevalon mbi të keqen lajmi i ditës êshtë kronika e ikjes , e dhunës , ajo e nënshtrimit të së drejtës , kaosit politik, korrupsionit qeveritar, eleminimit të pluralizmit, mohimit të lirive esenciale.

Vargu i pafund i ikjeve êshtë varg zhgënjimesh dhe dështimesh politikanêsh që luajnë pimpong me ëndrrat e pashpresa të shqiptarëve.

E megjithëse ikin stigma nuk ju ndahet , i ndjek dhe i përndjek si mallkim i stërlashtë .

Nuk e shaj dot Amerikën , atdheun e bijve që atdheu i vet i la pa atdhe , as nuk e lavdëroj dot sepse e dua por ndjej se sa e pafuqishme është ajo për të zgjidhur hallet e globit që mbart brenda territoreve të veta duke i bërë qytetarë të saj me të drejta e liri që përtej oqeanesh , nëpër kontinentet e vjetër ku rigjenerojnë sërish ëndrrat e vjetra e dhunohen qytetarë e ku e drejta e të drejtëve as që mendohet të jetëzohet ende edhe pse prej shekujsh ëndërrohet.

Filed Under: Komente Tagged With: Marjana Bulku

Platoni dhe ndikimi i filozofise lindore

January 31, 2023 by s p

Dr. Dorian Sevo/

“Platoni ashtu si të urtët e hindusë dhe Buda mësonte rilindjen, rimishërimin, të përtërirë gjithmonë nga shpirti i pavdkeshëm. Frymëzimi i urtisë do të vinte nga një kujtim i turbullt i asaj që shpirti e dinte më përpara. Është hamendësuar shpesh se Platoni ia detyron filozofisë indiane ose budiste teorinë e tij të metampsikozës.”(Edmund Jacoby 2006).

Një përqasje tjetër midis filozofisë lindore dhe asaj greke përsa i përket mitetve do i përmëndim më poshtë. Dihet që në lindjen e largët një ndër figurat më në zë, përveç Konfucit, është edhe Buda.

Ajo që na bën më shumë përshtypje në mendimin budist është se në të gjejmë mendime shumë të ngjashme me mendimtarët grekë të antikitetit. Në mendimin budist flitet për zjarrin, tokën, ujin e ajrin, si përbërës kryesor të botës, dhe rrjedhimisht të vetë njeriut, ku tek njeriu, bën pjesë edhe vetëdija, ndjenja dhe gjithëpërfshirja.

Zjarri, toka, uji dhe ajri në mendimin budist quhen “dharmas” të cilët rregullojnë jo vetëm botën fizike por edhe atë psikike. Në dallim me filozofët antikë, tek Buda, elementët nuk shiheshin si të ndarë, sepse ata nuk mund të jetonin pa njëri tjetrin.

Një ndër shembujt që jep Buda për ta ilustruar këtë gjë, është shembulli i ndërgjegjes njerëzore, e cila, për të, është e pa konceptueshme që të jetë pa trupin, pra e ndarë prej tij. Gjithashtu trupi nuk mund të jetojë pa tokën dhe pa ujin.

Pra, shohim që në mendimin budist, elementët janë të lidhur ngushtë me njëri tjetrin, sepse ata nuk mund të jenë të plotë po të jenë të ndarë.

Asnjë nga këta elementë nuk ëshët i përkryer, sepse përkryerja dhe plotëria janë pronë e Atmanit [shpirtit të botës].

Ajo çka është më interesante në këtë filozofi është ideja e saj e pambarimshmërishë.

Vdekja në budizëm trajtohet në një mënyrë shumë të veçantë.

Buda mendon se vdekja e njeriut nuk është një fund por një gjëndje ndërmjetëse në një varg të pandërprer rilindjesh.

Diçka shumë e ngjashme me këtë ide gjëndet edhe tek libri “Fedoni” i Platonit.

Në këtë vepër metafizike të Platonit tregohet se si shpirtrat e këqij futen tek disa kafshë të ulëta; ky fenomen njihet si [metampsikoza].

Mendohet se Platoni ka mësuar dhe ka përvetësuar prej budizmit, përshëmbull, ideja që përmëndëm më lartë, e [metampsikozës], e kalimit të shpirtrave nga një trup në një tjetër është shumë e ngjashme me atë budiste.

Gjithashtu jeta e jetuar në mënyrë të virtytshme dhe të drejtë, ëshë pjesë e të dy filozofive, si asaj platoniane dhe asaj budiste.

Ideja e vetëmjaftueshmërisë është gjithashtu një ngjashmëri midis këtyre dy filozofive; si, të qënit të përmbajtur, të mos lejuarit të vetes të joshesh nga pasionet të cilat mund të të kthejnë në një skllav të tyre. Të gjitha këto ide të kujtojnë mbretin filozof të Platonit. Buda shprehej, se nëse ne heqim dorë nga kjo botë, në kuptimin që, të mos e dëshirojmë aq shumë, aq sa jeta jonë të bëhet e pa ekuilibruar dhe më pas të na shqetësoj, sa të shndërrohet në një makth të vërtetë, njëlloj si ideja për vdekjen, duhet që të heqim dorë nga kjo botë, pra nga dëshirat tona të pafundme për gjërat e kësaj bote, dhe do të shohim që frika e vdekjes nuk do të jetë më. “Kjo gjëndje e “të mos duash më të zoterosh dhe të jetosh” është për Budën nirvana (fjalë për fjalë: shuarja), synimi më i lartë i të urtit.”(Edmund, Jacoby 2006).

Filozofia budiste na mëson se “Njerëzit, për arsye të pasioneve të tyre të çrregullta, ndihmojnë për këtë dhe vuajnë nga kjo. Buda mëson se urtësia qëndron te çlirimi nga këto pasione dhe nga shtrëngesat e jetës.”(Edmund, Jacoby 2006).

Ngjashmëritë e tjera midis filozofisë së lindjes, dhe asaj perëndimore, më saktë të greqisë së lashtë, ne i vëmë re edhe tek mitologjitë e tyre.

Për shëmbull; gjykimi i të vdekurve ashtu siç e paraqesin egjiptianët e paraqesin më vonë edhe grekët. Egjiptianët e lashtë kishin idenë e një bote ku zhvendoseshin më pas shpirtrat dhe aty gjykoheshin prej një zoti suprem, të njëjtën gjë e huazuan edhe grekët, por në rastin e grekërve, ky zot suprem, i cili gjykonte të vdekurit, quhej Had, dhe kishte një pamje krejt tjetër prej atyre të egjiptianëve.

Pra shohim që shumë më vonë se egjiptianët, grekët krijuan traditën sipas së cilës, të vdekurit duhej të jepnin llogari për veprimet e tyre.

Vumë re, se grekët kanë marrë mjaftë nga mendimi filozofik lindor, madje ata e pohonin edhe vetë që kanë qënë nxënësit më të mirë të lindorëve.

Në kohën e latinëve të antikitetit, ekzistone një shprehje që e pohonte hapur përthithjen e kulturës prej lindorëve “ex orient lux” që dotë thotë se “drita vjen nga orienti” pra nga lindja, në kuptimin që qytetërimi evropian vërtet është i lindur në Greqi por nuk duhet mohuar fakti se ky qytetërim grek në antikitet është ushqyer mjaftueshëm nga kultura orientale.

Lidhur me krijimin e botës, shumë kush prej nesh do shtronte pyetjen mijëra vjeçare. Sie e krijoi Zoti botën, prej materies që ekzistonte më parë apo nga hiçi? Pyetje kjo e shtruar gjërësisht që nga antikiteti e deri në të gjithë mesjetën. Për ti dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje etërit e kishës duhet t’i drejtoheshin filozofisë greke që kjo t’i ndihmonte për t’ua shpjeguar. Një filozof me ndikim mjaft të madh në këtë drejtim ka qënë edhe Platoni me idenë e tij të Demiurgut.

Demiurgu apo Zoti i Platonit paraqitet si një artizan i madh i botës i cili vë rregull në kaosin ekzistues. Por ne do të shohim që si tek Bibla ashtu edhe tek Mitet e lashta greke dhe tek filozofia e Platonit ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme lidhur me krijimin e botës. Tek Zanafilla 1: 1-5 që është një ndër librat e parë të pentateukut në Bibël, shkruar prej Moisiut, jepet se si u krijua bota; shkrim ky që daton 1500 vjet para lindjes së Krishtit. Aty shprehimisht thuhet: Tek Zanafilla 1: 1-5 “Në fillim Perëndia krijoi qiejtë dhe tokën. Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujrave. Pastaj Perëndia tha: “U bëftë drita”! Dhe drita u bë. Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira. Dhe Perëndia e quajti dritën “ditë” dhe errësirën “natë”, kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë.”(Bibla. Zanafilla. ABS 2000).

Filed Under: Komente Tagged With: dorian sevo

Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime

January 27, 2023 by s p

Organizuar nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në Prishtinë u mbajt Forumi Ekonomik Kosovë – Kroaci, forumi i parë ekonomik i organizuar për këtë vit në Prishtinë.

Jemi dy vende të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, politikisht, historikisht, por edhe gjeografikisht. Ka ardhur koha që të forcojmë po ashtu edhe lidhjet tona ekonomike, tha Kryeministri  i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të forumit.

Kryeministri Kurti tha se bazuar në trendet e shkëmbimeve tona tregtare gjatë viteve të fundit, jemi në rrugën e duhur për të forcuar edhe më tej edhe lidhjet tona ekonomike.

Kosova paraqet një mundësi të shkëlqyeshme për Investime të Huaja Direkte apo për “Business Process Outsorcing and nearshoring” për të gjithë ju, si një destinacion serioz dhe i qëndrueshëm, tha ai.

Kryeministri theksoi se kemi qëndrueshmëri në aspektin fiskal, se Qeveria jonë ndjek një politikë fiskale që shikon përpara dhe se barra e përgjithshme tatimore është ndër më konkurrueset në Evropë.

Në vitin 2022 investimet e huaja direkte në vendin tonë janë rritur për 44%, ndërsa eksportet janë rritur për 23%, e të hyrat tatimore janë rritur për 22%, tha më tej ai.

Ai bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës po zgjeron në mënyrë të qëndrueshme infrastrukturën dhe se po planifikojmë më shumë se 80 projekte publike mjedisore dhe infrastrukturore, me vlerë prej më shumë se 3 miliardë euro.

Kosova është një vend i ri dhe dinamik, plot gjallëri, me popullsi të re, e cila është mbase më e reja në Evropë, ku diku 2/3 janë më pak se sa 35 vjeç, ndërkaq mosha mesatare është 31 vjeç. Të rinjtë tanë kanë  shkathtësi si në teknologji, po ashtu edhe në profesione të tjera, teksa flasin rrjedhshëm gjuhën angleze, dhe shumë prej tyre edhe atë gjermane e kroate, tha Kryeministri Kurti.

Ai shprehu mirënjohje për rolin aktiv të Kroacisë në mbështetje të Kosovës, në plotësimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar, duke përfshirë edhe anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare.

Kroacinë e shohim si një prej aleatëve e partnerëve më të besueshëm, dhe shpresojmë, një prej miqve tanë të cilët do të jenë të tillë edhe në fushën e ekonomisë, për një ekonomi më të fortë edhe në Kosovë edhe në Kroaci, për një të ardhme që sjell përfitime reciproke për qytetarët e dy vendeve tona, tha Kryeministri Kurti në përmbyllje.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • 92
  • …
  • 488
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT