• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Edhe shqiptarët duhet ta kenë Kërlezhën e tyre për të nxitur demokratizimin e shoqërisë serbe

March 18, 2023 by s p

Për Kosovën është favor i madh një Serbi demokratike, ku nesër Presidenti i saj, i cili ratësisht mund të quhet Nikolla Sandulloviq, do të hidhte pa hezituar spirancën e paqes për të shkarkuar më lehtë anijen e madhe të paragjykmeve e animoziteteve serbe ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Ballkan.

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Tani kur para pak ditësh në Kosovë, qëndroi lideri i Parisë Republikane të Serbisë, z. Nikolla Sandulloviq, i cili në Prekaz u përkul para viktimtave të terrorit serb dhe kërkoi falje për të gjtha mizoritë që Beogradi ka bërë mbi shqiptarët, m’u kujtua shkrimtari i famshëm kroat Mirosllav Kërlezha dhe sidomos eseja e tij me titull “Mbi të vetmit flamuj të kohës sonë”, kushtuar Kosta Novakoviqit (1886-1939), një publicist dhe politikan socialdemokrat, anëtar i dalluar i Partisë Socialdemokrate Serbe, e cila vepronte si opozitë në Mbretërinë Serbe. Novakoviqi kishte vuajtur disa vite burg për shkak se iu kishte kundërvënë planeve serbmëdha të zgjerimit të Serbisë në territoret e Shqipërisë e të Maqedonisë.Teksa ilustronte mizoritë serbe mbi shqiptarët, ndaj të cilave kundrvihej socialdemokrati Novakoviq, Kërlezha në esenë e tij, ndër të tjera, shkruante: “U ngrit ushtria dhe i vrau me topa dyqind qytetarë të vet, për t’i treguar rajës shqiptare ad oculos, çka do të thotë e Drejta e Shpatës. Për këto masakrime masive politike kolporterët brohorisnin publikisht në mes të qytetit: “Lufta e përgjakshme në jug”, “Dyqind të vdekur”, “Shumë me rëndësi”, “Botim i jashtëzakonshëm”, “Ballkan”, “Pravda”, “Vreme”, “Cicvaricev Dnevnik”, “Shumë me rëndësi”… Ndodhi që prapë menjëherë, në mënyrë të jashtëzakonisht të qartë, e ndejva çka do të thoshte të jeshë një nga dyqind Mustafa Abazët ose Adem Beqirët njëzet e pesë vjeçarë dhe çka do të thoshte të bjerësh i pushkatuar një ditë me diell, si qytetar lojal nga mitralozi i shtetit tend…”Ngjashëm si Kosta Novakoviqi, Dimitrije Tucoviqi e Svetozar Markoviqi dikur, edhe Nikolla Sandulloviqi sot, po mundohet t’i ndihmoj popullit të tij që të lirohet nga psikoza kolektive në të cilën e ka katandisur regjimi autokratik i Aleksandar Vuçiqit. Sandulloviqi po iu flet serbëve të tij me gjuhën e qartë të logjikës humane, duke ua bërë të qartë se shqiptarët nuk janë armiq të tyre.Kushdo që mundohet të futet në lëkurën e Sandulloviqit, e ka vështirë të përballojë temperaturën përvëluese që vjen nga kapaku i nxehtë i tenxheres populiste brenda së cilës vlon propaganda zyrtare serbe mbi “shqiptarët e këqinj”. Do të jetë vështirë edhe për ata serbë që mendojnë si Sandulloviqi, por që e kanë të pamundur të ngrenë kapakun e tenxheres dhe të shohin përtej, sepse Vuçiqi për çdo ditë shkarkon mijëra kamion me gurë paragjykues para syve të tyre, si municion për propagandën e tij trushpërlarëse.Shqiptarët dhe serbët duhet të jetojnë pranë njeri tjetrit, pa qenë nevoja të duhen me patjetër. Por ata duhet të respektohen, sepse për t’u dashur dy njerëz që kanë qenë viktimë e antagonizmave dhe paragjykimeve afatgjata, duhet të kalojë një kohë. Njësoj si brigjet e Savës që herë pas herë sjellin inerte të forta dhe copa trungjesh të kalbura, edhe në ndërgjegjet e njerëzve vijnë zërat e brendshëm në formë të thirrjeve të atyre që kërkojnë drejtësi. Nikolla Sandulloviqi ka kohë që është shndërruar në një zë të fuqishëm të ndërgjegjes kolektive serbe, sepse një popull mund të lirohet nga robëruesit e jashtëm, por liria e plotë e tij vjen vetëm atëherë kur çlirohet nga demonët e brendshëm.Fatkeqësisht, populli serb aktualisht vuan nga makthi i demonëve të vet, që ende ushqehen me iluzionin e të qenit “popull hyjnor”. Pafuqia për t’u liruar nga këta demonë, popullin serb e bën jo imun ndaj diktaturave që prodhojnë politikanë me ndërgjegje të munguar njerëzore. Pamjaftueshmëria e ndërgjegjes politike serbe ka qenë për një kohë të gjatë fushë manovrimi i aleancave kishtare-akademike-shtetërore kundër lirisë dhe pavarësisë së shqiptarëve.Shqiptarët duan që të bashkëjetojnë me serbët dhe të bashkëpunojnë me ta, si dy popuj normal që marrin dhe japin ato që njëri i ka e tjetri s’i ka. Serbët kanë sipërfaqe më të madhe të tokës së bukës, kurse shqiptarët e kanë më të gjatë vijën bregdetare. Pas njëqind vjetëve ndoshta hasmëritë e tanishme do të ruhen vetëm si lëndë arkivore për t’i mësuar shtigjet nga nuk duhet të kalohet, por mund të ndodhë që këto resurse që i kanë sot shqiptarët dhe serbët, nesë të jenë asete të përbashkëta zhvillimore, në një Europë të liruar nga paragjykimet mesjetare ndaj njëri tjetrit. Ngjashëm si francezët dhe gjermanët, apo si suedezët dhe norvegjezët e danezët, edhe shqiptarët e serbët nuk mund të jenë përjashtim i pajtimeve të mëdha historike.Por, a janë shqiptarët dhe serbët sot të gatshëm të pajtohen dhe të varrosin një herë e përgjithmonë sëpatat e hasmërive?Një përgjigje më të freskët ditëve të fundit na e ka dhënë politikani mendjehapur Nikolla Sanduloviq, i cili ftoi politikën serbe që të pranojë gabimet ndaj shqiptarëve, kurse shqiptarëve u kërkoi që të mos heqin dorë nga besimi se një ditë edhe në shoqërinë serbe do të triumfojë zëri i arsyes dhe mirëkuptimit fqinjësor.Nëse para 100 viteve një socialdemokrat si Kosta Novakoviqi vuante burg për shkak se kundërshtonte hapur politikaat koloniale serbe ndaj popujve të tjerë, sot duhet të del një Kërlezhë shqiptar dhe të mbështesë hapur e pa ekuivoke Nikolla Sandulloviqin për pikëpamjet e kristalta humane e vizionare të tij mbi marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Shoqëria serbe nuk mund të demokratizohet pa ndihmën edhe të intelektualëve, publicistëve, akademikve e profesorëve shqiptarë, ngjashëm siç ndikoi në vitet tetëdhjetë shtypi kroat e slloven me autorët e shumtë të tyre në diskursin publik të Kosovës, për t’i shikuar gjërat në një perspektivë më optimiste. Kjo edhe për faktin se demokratizimi i Serbisë, nënkupton çlirimin e ventillave për të nxjerrë jashtë energjitë negative që mbajnë të mbërthyer shoqërinë serbe nga demonët e shovenizmit. Demokratizimi i Serbisë nënkupton edhe çmontimin e të gjitha minave në rajon që ende i mbajnë në ankth marrëdhëniet mes njerëzve me etni, e religjone të ndryshme.Për Kosovën është favor i madh një Serbi demokratike, ku nesër Presidenti i saj, i cili ratësisht mund të quhet Nikolla Sandulloviq, do të hidhte pa hezituar spirancën e paqes në brigjet e mirëkuptimit shqiptaro-serb për të shkarkuar më lehtë anijen e madhe të paragjykimeve e animoziteteve serbe ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Ballkan. Prishtinë, 17 mars 2023(Autori është zv.Kryetar i Parisë Republikane të Kosovës)

Filed Under: Komente

Në ITSHKSH kujtohet gazetari dhe publicisti Qani Mehmedi në 70 vjetorin e lindjes së tij

March 17, 2023 by s p

Shkup, 16 mars 2023 – Me një pjesë nga simfonia IX e Bethovenit – “Oda e gëzimit” (Hymni i Evropës), interpretuar nga pianisti Shkëlzen Baftjari, të enjten në ITSHKSH filloi një akademi përkujtimore për nder të 70 vjetorit të lindjes së doajenit të gazetarisë shqiptare, Qani Mehmedit. Me këtë rast nga Prishtina, Tetova e Kërçova  kishin ardhur disa miq e kolegë të Qaniut, të cilët shkëputën fragmente kujtimesh për të, duke veçuar momente  më interesante që karakterizuan personalitetin njerëzor, intelektual e kombëtare të tij.
Për ta paraqitur më të plotë figurën e Qani Mehmedit, për të pranishmit u shfaq edhe  një dokumentar i përgatitur nga gazetari Bekim Adili, në të cilin u shpalos një fabulë gjithëpërfshirëse e rrugëtimit jetësor e profesional të këtij doajeni të gazetarisë dhe publicistës shqiptare. 

Ndërkaq, “Këngë vëllazërore për Ballkanin – zemrën e Europës”, ishte titulli i një poezie të shkrimtarit dhe diplomatit Jordan Plevnesh dedikuar miqësisë dhe dhembjes për humbjen e parakohshme të Qani Mehmedit, kurse me një dedikim të posaçëm për babain e saj u paraqit e bija e Qani Mehmedit, sopranoja dhe pedagogia, Besiana Mehmedi me këngën “Faleminderit baba”, një interpretim ky sa artistik po aq edhe shpirtëror, që krijoi një impakt emocional tek auditoriuimi.

Drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, pasi u shpreh i nderuar për shënimin e 70 vjetorit të lindjes së një prej korifejve të gazetarisë shqiptare, tha se ky është Qani Mehmedi, emri dhe vepra e të cilit janë të pashkëputur nga zhvillimi ynë i gjithmbarshëm, ku kontributi i tij në fushën e gazetarisë e publicistikës është i patejkalueshëm.
“Me emrin e Qani Mehmedit lidhet një shkollë e tërë gazetarie në Kosovë dhe gjetiu dhe kjo mjafton për ta nderuar figurën e tij dhe për ta radhitur atë në vazhdën e veprimtarëve dhe intelektualëve të shquar që kombit tonë i dhanë shtytje për më shumë dije, më shumë progres dhe më shumë dinjitet…Nëse ndjekim diagramin e formimit dhe zhvillimit të gazetarit dhe publicistit  Qani Mehmedit, do të vërejmë se ai ndoqi një trajektore mjaft dinamike me shumë sfida e  të papritura që sjell profesioni dhe vet jeta. Nga ajo çka kemi arritur të mësojmë telegrafikisht nga veprimtaria e tij, mund të konkludojmë se një komb që ka në gjiun e vet pena të shquara si Qani Mehmedi e kanë më lehtë të gjejnë rrugët e prosperitetit dhe zhvillimit të gjithanshëm shoqëror. Atëherë kur ishte vështirë të përhapej e vërteta për Kosovën dhe luftën saj të drejt për liri e pavarësi, ishte zëri i Qani Mehmedit që jehonte në eter dhe dërgonte në skajet më të largët të globit mesazhin se liria është afër. Ishte ky zë i kurajos dhe qëndresës edhe për luftëtarët tanë në frontet e betejave, për të cilët, përpos municionit dhe ushqimit, jetike ishte edhe fjala që përhapej në media. Ishte kjo fjala që buronte nga pena e guximshme që sot me krenari ia festojmë 70 vjetorin lindjes”, nënvizoi prof.dr. Skender Asani.

Për të nderuar figurën e Qani Mehmedit, në këtë akademi përkujtimore kishte ardhur edhe Faton Ahmeti, sekretar i përgjithshëm i BDI-së, i cili ndër të tjera tha se Qani Mehmedi jetoi dhe veproi në kohëra shumë të vështira, ku çështja shqiptare ishte halë ne sy per armikun, por dëshira për të informuar dhe mobiliziar shqiptarët i tejkalonte gjithmonë këto barriera. Veprimtaria e tij, tha Ahmeti,  identifikohet me mençurinë dhe fuqinë e të shkruarit për të informuar drejtë dhe në kohë për situatat delikate në të cilat ndodheshim ne si popull. Përgjatë veprimit të tij, çmimet dhe vlerësimet për punën e tij, gjithmonë kanë qenë simbolike karshi rëndësisë dhe peshës qe ai kishte, vuri në dukje Faton Ahmeti.

Duke folur në cilësinë e një prej miqve të afërt, ishte edhe studiuesi dhe shkrimtari Emin Azemi, i cili pasi shpalosi disa detaje nga opusi i madh publicistik e gazeresk i Qani Mehmedit tha se sot në këtë 70 vjetor të lindjes së Qani Mehmedit, secili prej nesh ruan diçka të shenjtë nga miqësia me të  dhe kjo ndoshta është pasuria më e madhe e një njeriu, sepse gjërat materiale shkojnë  vijnë, por ajo që mbetet e shtresuar në jetën e njeriut është pikërisht kujtimi për vlerat njerëzore të një miqësie të sinqertë, nënvizoi Azemi.   

“Ai sot, si një burrë 70 vjeçar, me një karrierë mbi 40 vjeçare në gazetari, dhe me një ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e brezave të shumtë gazetarësh e redaktorësh në shtypin tonë, sigurisht vazhdon të na frymëzojë pikërisht në një kohë kur transformimi teknologjik i medias ka krijuar një diskurs të ri publik. Rrathët e këtij frymëzimi shkojnë duke u zgjeruar, për aq sa është i gjerë edhe fushëveprimi i tij në mediat shqipe në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri gjetiu…. Gjithkund ku ai punoi, la gjurmë dhe sot gjithkush që provon të shkruaj historinë moderne të gazetarisë shqiptare, e ka të pamundur të shmang emrin e tij nga data baza e kujtesës sonë kulturore. 

Çdo traditë i ka shenjat e saja identifikuese, kurse çdo shenjë ka një emër. Qani Mehmedi me gjithë bagazhin e tij profesional, kombëtar e intelektual, na la trashëgim stilin, guximin dhe vizionaritetin në shkrimet e tij gazetareske publicistike. Ai me guximin e mjaftueshëm profesional iu rrek edhe trajtimit shkencor të problematikave politike e kombëtare dhe për rrjedhojë dëshmojnë edhe veprat e tij që na i la si një thesar i çmuar”, u shpreh Emin Azemi.   

Prof.dr. Qemal Murati, një mik i ngusht dhe bashkëvendas i Qani Mehmedit, pasi konstatoi se portreti jetësor i tij nuk është lehtë të bëhet a të skicohet, tha se  ai ishte njeri me shumë dimensione, me dije komplekse, intelektual e guximtar, që çante vetë në jetë e që u dilte zot edhe të tjerëve. Të gjithë ata që e kanë njohur këtë Njeri me vlera, mjeshtër të fjalës, shërbyes të së vërtetës, sigurisht kanë shumë fjalë kujtimi e nderimi për të, tha prof. Murati. 

“Biografia e tij është e pasur dhe bazohet kryesisht në dy shtylla. E para është Atdhedashuria dhe tjetra Publicistika. Por, shtylla eprore tek ky njeri krejt i veçantë ishte – Njeriu!  Ai ka dhënë një kontribut të çmuar në informimin e opinionit të gjerë publik për zhvillimet në Kosovë, Maqedoni, në trojet e tjera dhe në Diasporën shqiptare. Qani Mehmedi shquhej për mendim kritik, solidaritetin me kolegë dhe mbi të gjitha për përkushtimin e tij kombëtar dhe profesional. Qani Mehmedi ishte dëshmi e gjallë e historisë së Kosovës në afro dyzet vitet e fundit. Ai ka botuar studimin “Shtetformimi i Kosovës 1968-2008” (2011) dhe librin “Me gjurmëmëdhenjtë e Kosovës” (2015). Me shkrimet e tij publicistike ka mundur të botonte një duzinë veprash, por ai nuk u dha pas botimit të librave të vet. Më shumë përpiqej të ndihmonte të tjerët t’u botonte vepra dhe t’i promovonte ato. …Qani Mehmedi, njeri me informacion dhe erudicion të gjerë, cilësohet si njohës i mirë i skenës politike dhe i çështjeve ballkanike. Botoi  qindra kolumne, editoriale e intervista në gazetat e Prishtinës, Tiranës, Shkupit, Zagrebit dhe Sarajevës. Ai ishte një zë i fuqishëm dhe i pakompromis i gazetarisë shqiptare në interes të informimit të lirë publik dhe në mbrojtje të vlerave nacionale kundrejt pseudovlerave. …Me një natyrë krejt të veçantë, ai kishte miqësi të ngushtë me njerëz të mëdhenj që i çmonte dhe e çmonin. Siç e thoshte edhe vetë shprehimisht: “I kam dashur shumë profesorët e mi të mëdhenj: Rexhep Qosjen, Ali Hadrin, Gazmend Zajmin, Ejup Statovcin, Ukshin Hotin… Më vonë i kam bërë edhe miq. Dijetarë të mëdhenj dhe njerëz të mëdhenj”, nënvizoi prof.dr. Qemal Murati.

Një prej kolegëve e miqëve të pandashëm të Qani Mehmedit në Radio Televizionin Kosovës, ishte edhe gazetari Nuhi Bytyçi , i cili tha se Qani Mehmedi tërë jetën e tij ia kushtoi informimit objektiv, frymëzues mobilizues gjatët gjitha periudhave nëpër të cilat kaloi shoqëri shqiptare.

“Ai me guximin e tij prej intelektuali e gazetari profesionist, përherë ishte i pranishëm në mediat më të lexuara dhe më të shikuara shqiptare. Shkrimet dhe emisionet e tij dalloheshin për nga aktualiteti, përmbajtja dhe mesazhi shumë i qartë, parasëgjithash duke informuar drejtë dhe guximshëm. Në këtë mënyrë, ai, si thoshte shpesh edhe vet, qëndroi vertikalisht dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm në afirmimin e fjalës së lirë, por gjithherë në shërbim të afirmimit të çështjes kombëtare”, u shpreh Nuhi Bytyçi.

Për ndikimin  që ushtroi Qani Mehmedi në rrjedhat e gjithmbarshme të gazetarisë, foli gazetari Bekim Adili, i cili potencoi se falë peshës së fjalës së tij u qartësuan edhe shumë tema e dilema në shoqërinë shqiptare.

Për të nderuar figurën e Qani Mehmedit, në përvjetorin e 70 të lindjes së tij, drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani ,ndau një mirënjohje postomrtum për të , duke e vlerësuar  kështu simbolikisht kontributin e tij jetësor në gazetarinë dhe publicistikën shqiptare.

Filed Under: Komente

Sot, kujtojmë 148-vjetorin e lindjes së Faik Konicës (15 Mars 1875-15 Dhjetor 1942)

March 15, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Shkrimtar, kritik letrar, publicist, eseist, përkthyes, një nga personalitet më të shquara të kulturës, letërsisë, e jetës politike shqiptare, një intelektual i dimensioneve europiane.‪‎Faik Konica‬ lindi më 15 mars 1875 në Konicë, në një familje të vjetër koniciote. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, ndoqi Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës e më pas studimet e liceut perandorak francez të Stambollit. Pasi kreu shkollat e mesme në Francë, vazhdoi studimet në Dizhon për filologji romane dhe më pas u diplomua në universitetin e Harvardit të SH.B.A, ku mori gradën “Master of Arts”. Me 1897, në Bruksel botoi numrin e parë të revistës politike kulturore e letrare “Albania”. Pas vajtjes së tij në Boston, së bashku me Fan Nolin, themelojnë gazetën Dielli, një organ i rëndësishëm i Federatës Panshqiptare “Vatra”. Me 1912 në emër të Federatës Vatra, shkon në Londër për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Më 1921, Konica zgjidhet kryetar i Federatës Vatra dhe me rimarrjen e drejtimit të gazetës Dielli, ai shkruante në një rubrikë të tijën “Shtylla e Konitzës”.Më vitin 1926, Faik Konica emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara.Vdiq në Uashington më 15 Dhjetor 1942. Në vitin 1995, pas rënies së diktaturës komuniste, eshtrat e tij u sollën në Tiranë.Me veprën e tij letrare e me shkrimet kritike, Konica pasqyron një njohje të thellë të mendësisë shqiptare, e jetës politike shqiptare. Gjatë veprimtarisë së tij është përpjekur për një gjuhë letrare të përbashkët dhe ndihmoi në pasurimin e zhvillimit të stilit letrar dhe publicistik të shqipes së shkruar. Krijimtaria e tij ka mbetur në pjesën më të madhe e botuar në shkrime të shtypit të kohës dhe në dorëshkrime. Faik Konica mbetet një figurë qendrore dhe një pikë referimi në ecurinë e kulturës sonë moderne.

Filed Under: Komente

Muzika shqiptare në Sinagogën e Madhe të Timishoarës

March 12, 2023 by s p

(Kompozitorët shqiptarë krahas atyre botërorë)

Më 9 mars 2023, në qytetin e Timishoarës, kryeqyteti kulturor i Europës për vitin 2023, me mbështetjen e Komunitetit Hebre të Timishoarës dhe Federatës së Komuniteteve Hebraike në Rumani, Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) organizoi në Sinagogën e Madhe të qytetit një recital të jashtëzakonshëm muzikor. 

Timishoara është e njohur për bashkëjetesën e komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare. Përpos rumunëve, gjermanëve, hungarezëve, hebrenjve, serbëve, çekëve apo sllovakëve, në këtë qytet kanë jetuar dhe jetojnë akoma edhe shqiptarë. 

Koncerti i konceptuar nga ALAR-i synoi që të bënte të njohur vlerat e muzikës shqiptare, krahas atyre të popujve të tjerë. Fakti që këtë vit Timishoara është dhe Kryeqyteti Europian i Kulturës ishte një rast i mirë për të promovuar kulturën shqiptare në një kontekst europian. Muzika dhe kultura janë mjete të dialogut mes popujve dhe një mënyrë për promovimin e diversitetit kulturor dhe bashkëjetesës paqësore midis popujve.

Në Sinagogë u luajtën pjesë muzikore nga kompozitori i mirënjohur shqiptar, Thoma Gaqi, dhe u kënduan në gjuhën shqipe romanca të Tonin Harapit dhe Kristo Konos nga pedagogia e Universitetit të Bukureshtit, zonja Claudia Codreanu (mezzo-soprano), e shoqëruar në piano nga profesori universitar i pianos, Piro Gaqi, i cili ishte dhe drejtor artistik i këtij koncerti. Vargjet në gjuhën shqipe dhe muzika shqiptare u dëgjuan krahas pjesëve të tjera në gjuhën hebraike, rumune, franceze e gjermane të autorëve të njohur të muzikës botërore, si Charpentier, Händel, Mozart, Rossini, George Enescu, Mauris Ravel, Dan Mizrahi apo Tiberiu Brediceanu.  

Kuarteti i vilonçelit “Placello”, me famë ndërkombëtare, i përbërë nga instrumentistët Răzvan Suma, Ella Bokor, Mircea Marian dhe Soma David, interpretoi me mjeshtëri vepra të autorëve të sipërpërmendur. Por ajo që u vlerësua dhe befasoi publikun ishte fakti se “Placello” luajti për herë të parë  “Vallen simfonike nr 2” të kompozitorit Thoma Gaqi, përshtatur për violonçel , e cila u duartrokit gjatë nga publiku. Mezzo-sopranja Claudia Codreanu, profesore në Universitetin e Muzikës së Bukureshtit, e shoqëruar në piano nga pianisti Piro Gaqi, interpretoi romanca nga repertori universal i muzikës.  Mbrëmja u mbyll në një mënyrë festive, kur të gjashtë artistët interpretuan “Habanera” nga opera “Carmen” e kompozitorit francez Georges Bizet, në një aranzhim muzikor të kompozitorit të mirënjohur shqiptar, Thoma Gaqi.

Deputeti Bogdan-Alin Stoica, përfaqësuesi i pakicës shqiptare të Rumanisë, kryetari i ALAR-it, Dr. Radu-Cosmin Săvulescu, si dhe koordinatori i Qendrës Kulturore të ALAR-it, Dr. Luan Topçiu, ishin mikpritësit e aktivitetit në Timishoara. Me ftesë të deputetit Stoica, në recital ishin të pranishëm edhe deputetët Ovidiu-Victor Ganț (sekretar i Dhomës së Deputetëve, përfaqësues i pakicës gjermane në Rumani), deputetët Iulius-Marian Firczak dhe Ognean Crastici, Presidentja e  komunitetit të Hebrenjve në Timishoara, Luciana Friedmann,  zv/rektori i Universitetit Perëndimor të Timishoara-s, si dhe autoritete të qarkut. Ndër të pranishmit ishte edhe profesori i mirënjohur dhe muzikanti, Marin Cazacu, aktualisht drejtor i Filarmonisë “George Enescu” të Bukureshtit – institucioni më i rëndësishëm i muzikës klasike në Rumani.

Vendet e parashikuara për publikun artdashës ishin të pamjaftueshme për audiencën shumë të madhe, por bukuria e recitalit ishte shpërblimi më i madh për ata që e ndoqën koncertin më këmbë. Suksesi i koncertit i detyrohet interpretimit mjeshtëror të artistëve, organizimit të shkëlqyer të ALAR-it, por edhe muzikës shqiptare, vlerave të saj në një dialog me kulturën europiane. 

Zyra e shtypit ALAR

Bukuresht, 11 mars 2023

Filed Under: Komente

Dashuria nuk humbet

March 6, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Në moshën 40-vjeçare, Franz Kafka, i cili nuk u martua kurrë dhe nuk kishte fëmijë, po shëtiste nëpër një park të Berlinit kur takoi një vajzë të re që po qante sepse kishte humbur kukullën e saj të preferuar. Ajo dhe Kafka e kërkuan kukullën pa sukses.Kafka i tha që ta takonte atje të nesërmen dhe do të vazhonin kërkimet.Të nesërmen, kur ende nuk e gjetën kukullën, Kafka i dha vajzës një letër “të shkruar” nga kukulla ku thuhej: “Të lutem mos qaj. Unë jam në udhëtim për të parë botën. Do t’i shkruaj aventurat e mia.Kështu filloi një histori që vazhdoi deri në fund të jetës së Kafkës.Gjatë takimeve, Kafka lexoi letrat e kukullës të shkruara me kujdes me aventura dhe biseda që vajzës i dukeshin të adhurueshme.Më në fund, Kafka i solli asaj kukullën (ai bleu një). “Nuk duket aspak si kukulla ime”, tha vajza.Kafka i dha asaj një letër tjetër në të cilën kukulla shkruante: “Udhëtimet e mia më kanë ndryshuar”. vajza e përqafoi kukullën e re dhe gjithë gëzim shkoi në shtëpi.Një vit më vonë, Kafka vdiq.Shumë vite më vonë, vajza e rritur gjeti një letër të vogël brenda kukullës. Në letrën e të nënshkruar nga Kafka, thuhej: “Gjithçka që doni me siguri do të humbasë, por në fund dashuria do të kthehet në një formë tjetër”.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 87
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • …
  • 491
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT