• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Për ngritjen e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare”

April 27, 2023 by s p

*Gjeneral Piro AHMETAJ/

Paraprakisht falënderoj me mirënjohje median për publikimin gjerësisht të një pakete me vlerësime dhe rekomandime strategjike rreth  domosdoshmërisë kritike për të përditësuar dhe modernizuar Sistemin e peshimit të rreziqeve si dhe të Mbrojtjes dhe zhvillimit të Interesave Kombëtare! 

Në vijim, po insistoj fortë për një nga shtyllat me peshë thelbēsore në suksesin e reformate të Sistemit të Sigurisë Kombëtare. Më konkretisht rekomandoj: “ngritjen e një mekanizmi zyrtar për të integruar të gjitha hallkat e sistemit, të angjensive, kapaciteteve, rregullave të angazhimit si dhe kulturës së bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse në këtë fushë” ! Kjo pasi:

Në 30 vitet e fundit koncepti dhe strukturat/mekanizmat e Sistemt të Sigurisë Kombëtare janë projektuar, planizuar, drejtuar dhe menaxhuar në mënyrë të fragmentizuar, pra secili institucion apo Agjensi vete, sipas fushës së misionit,  përgjegjësive dhe detyrave respektive. 

Megjithë përpjekjet dhe përmirësimet, në shumicën e rasteve mbeten ende dublikime, struktura paralele si dhe veçanërisht  “kompeticion/konkurencë dhe qasje otomane” (midis Institucioneve dhe Agjensive shtetërore të sigurisë), jo për zbatimin e përgjegjësive por sidomos për të mbajtur kompetencat reciproke.

E thënë edhe më qartë, efiçenca e parashikimit dhe peshimit të kërcenimeve, vendimarrjeve, veçanërisht aftësitë operacionale në këtë fushë janë zhvilluar mbi koncept, model dhe tradit të ç’integruar.

Për një vend të vogël si vendi ynë, kjo përqasje (e çintegruar) përbën një barrë të rëndë por edhe me kosto shumë të lartë. Thënë këto, ka ardhur, (në mos i ka kaluar) koha për të ndërtuar një koncept, qasje, mekanizëm/strukturë si dhe masa shtetërore të integruara.

Përtejdhe përfshiRSh, rendi i sigurisë globale është tronditur nga riciklimi i frikshëm i luftrave tradicionale, si rasti i sulmit neonazist të Rusisë – Putiniste jo vetëm kundër sovranitetit të Ukrainës, por edhe si sfidë ndaj rendin të sigurisë globale, kohezionit, fuqisë ushtarake si dhe interesave gjeopolitike të Aleancës Transatlantike (NATO/USA/BE)!

Nga ana tjetër, prej më shumë se 20 vitet e fundit, bota po vijon të përballet me kërcënimet terroriste, rreziqet kibernetike, fatkeqësitë natyrore, pandemitë, emergjencat natyrore, krizat financiare, etj.

Për edhe më tepër, pasojat e shteteve/demokracive të dështuara, korrupsionit shtetëror, krimit të organizuar, tërmetet dhe Covid-19, sulmet kibernetike ndaj sistemeve dhe infrastrukturave diçitale, kanë shkundur jo vetëm arkitekturën dhe themelet/gravitetin e  sistemit të Sigurisë globale, Kontinentale, Rajonale por dhe Sistemin e Sigurisë Kombëtare !

Prej 14 vitesh, Republika e Shqipërise është pjesë e sistemit të mbrojtjes kolektive (artikulli 5 i NATO-s), jo vetēm me përfitime të jashtëzakonshme, por edhe kontribute më shumë se dhe detyrimet respektive.

Megjithë përpjekjet dhe arritjet, RSh mbetet larg nga modelet dhe efiçenca e ushtrimit të balancuar të pushteteve. Kjo pasi mungon një mekanizëm/institucion zyrtar për të peshuar rreziqet si dhe planizuae masa shteterore të integruara ndaj kërcënimeve te sigurisë së qytetarëve, shoqërisë, standarteve demokratike si dhe interesave kombetare.

Po ashtu, do doja të isha gabim por në fakt Strategjitë e Sigurisë Kombëtare (SSK -2004/2014) kanë mbetur si dokument në letër,  pak në mos aspak të zbatueshme në praktikë, ose edhe për më keq, vetëm si inventar në sirtaret e zyrave të qeveritarëve të radhës.

Prandaj, me përulësinë e një eksperti, me eksperiencë më shumë se modeste në fushën e reformave të sigurisë kombëtare, Rajonit, NATO-s, e përsëris se mbetet emergjencë kombëtare transformimi i Sistemit, me qëllim: “modernizimin e konceptit zyrtar, strukturave, paisjeve dhe kapaciteteve; aftësive operacionale edhe i kulturës së bashkëpunimit mes strukturave/agjensive përgjegjëse, në interes të sigurisë së jetës, shëndetit, pronës dhe mirëqenies së qytetarëve; zhvillimin e interesave kombëtaresi dheforcimin e besimit të Shqiptarëve në vlerat e shoqërive euro-atlantike dhe përmbushjen e detyrimeve të RSH në NATO”.

Thënë këtë, si prioritet Nr. 1 të kësaj reforme, mbetet aplikimi i një modeli të integruar osee fjalē të tjera: “Ngritjen e Agjencisësë Sigurisë Kombëtare(ASK). Në vijim po paraqes një “Concept Paper”: 

1. Fusha e Veprimit dhe Misioni: ASK do t’i sigurojë, Ekzekutivit/Kryeministrit dhe autoriteteve të larta shtetërore: “pamje në kohë reale dhe të integruar për peshën e kërcënimeve dhe vendimmarrjet respektive; do të luajë një rol thelbësor në formulimin e Strategjisë së Mbrojtjes dhe Zhvillimit të Interesave Kombëtare si dhe në përgatitjen e paketës ligjore, monitorimin e realizimit të objektivave sipas matricës së detyrimeve ndërInstitucionale në këtë fushë”.

ASK është projektuar të luajë një rol iniciues edhe për  formulimin e  strategjive sektoriale (SSK, RSM, SU, PAZH, etj), si dhe do të koordinojë dhe monitorojë realizimin e objektivave nga institucionet respektive.

Për me tepër, ASK do të shërbejë si strukturë qëndrore për të harmonizuar përgatitjen e (draft) vendimmarrjeve në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit të interesave kombëtare për 3 pushtetet (Kryeministër, Kuvend, President), si dhe për ato në kuadrin e mbrojtjes kolektive të Aleancës, etj.

Po ashtu, ASK do të shërbejë për përgatitjen e axhendës së mbledhjeve të Komitetit Ndërministror të Politikave të  S&MbK. Si e tillë do t’ju sigurojë në mënyrë periodike dhe rast pas rasti (para takimeve) të gjithë anëtarëve të KNPSK, një pamje të integruar dhe të njëjtë për çështjet e kërcënimeve dhe respekrivisht të vendimmarrjeve strategjike.

Edhe pse një strukturë e vogël, (që mundet të zgjerohet në varësi të vizionit të Kryeministrit), nëpërmjet qasjes së integruar, ASK do të shërbejë edhe si mekanizëm për të perditesuar dhe transformuar të gjithë arqitekturën dhe efiçencën e mekanizmave të sigurisë kombëtare.

Për sa i përket barrës financiare, ASK është po ashtu një qasje racionale dhe gjithësesi nuk do të ketë rritje të numrit personelit. Kjo pasi  ASK do të ngrihet si rezultat i reduktimeve (duke shmangur dublikimet)  të disa strukturave të analizave strategjike në MM, MB, MJ, SHISH dhe disa Agjensi të Inteligjencës, etj.

Për të përmirësuar rrënjësisht dimensionin aplikativ, e çmoj si një gjetje efiçente që ASK të jetë në vartësi të Kryeministrit, si dhe në përberje të ketë dy shtylla kryesore (a) vlerësime strategjike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe zhvillimit të interesave kombëtare, si dhe (b) koordinimin dhe monitorimin e përgjegjesive ndër-Institucionale në përmbushjen e objektivave të SSK, detyrimeve në NATO, BE, etj.

Duhet thënë se, përvec rëndësisë dhe rolit në nivelin mbarëkombëtar, ky projekt, do të ketë peshë dhe do të shërbejë si një nga shtyllat e besimit të bashkëpunimit strategjik midis RSH dhe SHBA dhe NATO-n.

Gjithësesi, si për të gjitha çeshtjet me rendësi kombëtare, edhe për ASK do duhet: “gjithëpërfshirje dhe konsultim shterues” me aktorët, faktorët dhe personalitete brenda vendit, aleatët strategjik USA, NATO. Ndërsa më tej do duhet të ngrihet një grup “ad-hoc” për të finalizuar konceptin  misionin, strukturën si dhe rregullar e angazhimit dhe vartësinë të kësaj Agjensie.

2. Lista e përgjegjësive/detyrave kryesore:

  1. Planizimi, zhvillimi dhe drejtimi i procesit të Rishikimit Strategjik të Sigurisë Kombëtare (SDR). Mbi gjetjet e saj Inicimi dhe koordinimi i procesit të formulimit të SSK 2024-2035.
  2. Monitorimi dhe raportim periodik për Kryeministrin mbi përmbushjen e objektivave të sigurisë (sipas matricës ndëristitucionale), skenarët e emergjencave civile si dhe përmbushjen e angazhimeve të RSH në kuadër të NATO-s, BE, UN etj.
  3. Përgatitja e axhendës së takimeve të Komitetit Ndërministror të Politikave të Sigurisë pranë Kryeministrit, si dhe ndihmesë sipas vullnetit të Presidentit për rastet e mbledhjeve të KSK.
  4. Rekomandimi i qëndrimeve për Kryeministrin mbi vendimmarrjet në fushën e sigurisë kombëtare dhe imteresave gjeopilitike, për në NATO, BE, UN, etj.
  5. Përfaqësimi në forume, konferenca, kolegje, qëndra studimi strategjike (kombëtare dhe ndërkombëtare) për çështje të sigurisë kombëtare, rajonale, NATO, BE dhe ato globale.

3. Struktura: Theksoj se struktura e ASK nuk do të jetë kurresesi një shtojcë personeli dhe as barrë shtesë financiare. Përkundrazi, krahas adoptimit të një qasje të integruar në menaxhimin e  përgjegjësive/detyrave shtetërore, ASK do të “kursejë personel dhe para” pasi ajo do të ngrihet mbi reduktimin/reformën e strukturave paralele të analizës, vlerësimit dhe monitorimit në institucionet dhe Agjensitë e sigurisë që merren me misione të ngjashme, siç mund të jenë Instituti/Qëndra e Sigurisë në MM, të Policisë, strukturat e mbledhjes dhe analizës së  informacioneve të hapura në MJ, MB, SHISH, Emergjencat Civile, si dhe Agjensi të tjera.

Po ashtu, ASK mund të zgjerohet rast pas rasti (në varësi të rrethanave) më të komanduar (&paguar) nga struktura të tjera të fushës së sigurisë për nevojat e kësaj Agjencie!

ASK mund të ngrihet në nivelin e një Sekretariati të përbërë me disa drejtori kryesore, si për Vlerësimet Strategjike dhe peshimin e kërcënimeve, Monitorimin e realizimit të objektivave; përfshi atë të Situatës Operacionale (ZOS) si dhe Sektori Mbështetjes me Shërbime.

Kjo Agjensi do duhet domosdoshmërisht të ketë  ekpertë me ekperiencë strategjike brenda vendit dhe strukturat ndërkombëtare,  Diplomaci, Inteligjenca, Ushtarakë të lartë në rezervë, Policia e Shtetit, etj.

Në shtesë, duhet ta nenvizojë se ngritja e ASK është në përputhje me hapësirat kushtetuese, si dhe përbën një përqasje aktive dhe të përgjegjshme të Institucioneve shtetërore në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së interesave kombëtare.  Po ashtu, duhet nënvizuar se, koncepti, përqasja dhe struktura e integruar (ASK) është një eksperiencë e aplikuar me sukses në SHBA, Slloveni, Kroaci, vendet Balltike, etj.

Nga ana tjetër, ngritja e ASK është një projekt dhe një ndërmarrje e vështirë, që lidhet me paketën ligjore, ndryshimet strukturore, veçanërisht me mentalitetin e “vartësisë”, traditën dhe problematikat e bashkëpunimit në ekzekutimin e përgjegjësive shtetërore.

Prandaj, pasi/nëse kjo “Projekt-Ide” do miratohej në parim, për zbatimin në praktikë do të duhet të ngrihet një grup i përbashkët ndërInstitucional I cili përveç modernizimit të konceprit të integruar do duhet të indetifikojë edhe një paketë ndryshimesh ligjore, strukturore, administrative dhe rregullat e angazhimit deri në ngritjen dhe funksionimin e ASK.

Së fundmi, e përsëris fortë se në reformat e sistemit të sigurisë, nuk kontribuon fare, as protagonizmi, as privatizimi politik dhe as rambo-delirantët, por dashuria dhe përulësia për Atdheun, vizioni, përkushtimi ndaj detyrës, përgjegjësia e lartë ndaj interesave kombëtare, besimi në vlerat demoratike si dhe ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO-n.

*Gjeneral ® Piro AHMETAJ

Senior Expert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut.

Anetar i Bordit te Izrael House Albania, Ish:

Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh,

Zv/ShShPFA & Përfaqësues në SHAPE/NATO

Filed Under: Komente

Kthimi tek fillimi…

April 22, 2023 by s p

Endrit Himaj/

Në fenë islame kemi dy festa kryesore: Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin, apo thënë më saktë Bajramin e Kurbanit. Që të dyja na vijnë pas realizimit të dy shtyllave të fesë islame: pas përfundimit të muajit të madhërishëm Ramazan vjen Fitër Bajrami; kurse Bajrami i Kurbanit vjen pas përfundimit të ceremonive të Haxhit.

Nese e shofim ne kontekstin etimologjik te fjales, fjala bajram në gjuhën arabe donë të thotë ‘ID. Një prej kuptimeve të kësaj fjalë është edhe “kthim tek fillimi”. Kjo ndodh kështu pasi besimtarët janë njerëz, ndërsa si njerëz janë të dobët, jo të përkryer, i tillë është krijuar njeriu; besimtarët i pranojnë gabimet e tyre. Zoti ynë, Allahu fuqiplotë, ka caktuar metoda të ndryshme se si ne të pastrohemi, se si ta largojmë barrën e gjunaheve, andaj dhe e ka caktuar Ramazanin si një mundësi pastrimi gjeneral të trupit dhe të shpirtit. Thote Profeti Muhamed (a.s): “kush e agjeron Ramazanin me besim e vensomeri I falen te gjitha mekatet nga e kalura”. Mu për këtë mundësi pastrimi, besimtarët i gëzohen sot Bajramit të Ramazanit. Po ku kthehen besimtarët? Ata kthehen të fillimi i tyre, te gjendja fillestare e tyre, pa gjunahe e pa ngarkesa shpirtërore, ndërkohë që janë të vendosur për të vazhduar vetem në punë të mira pas ketij muaji.

Unë kam shumë shpresë se, në këtë vend, të gjithë jemi fitues dhe krenarë me këtë Ramazan, të cilit akoma jemi duke ia dëgjuar shushurimën e këmbëve të tij, teksa po largohet prej nesh. Lamtumirë ramazani ynë, lamtumirë dhe faleminderit që na bëre të ndjehemi fitues, sidomos në këto kohë, kur fitoret moti kohë nuk i kemi ndjerë, e nuk i kemi parë.

Sot është dita e parë e muajit shevval, ditë kjo në të cilën e mbarë bota myslimane kremton përmbylljen e një muaji të tërë adhurimesh, lutjesh e veprash të mira. Sot është ditë festive, sepse besimtari që kaloi një muaj duke agjëruar, duke u falur dhe duke u lutur, përjeton njërin prej dy gëzimeve, me të cilat shpërblehet për këtë mund e sakrificë që ka bërë. Profeti Muhammed ﷺ na ka mësuar se: “…Agjëruesi i ka dy gëzime: gëzim në iftarin (festën) e tij dhe gëzim (tjetër) kur ta takojë Zotin e tij…” [1]

– Kjo ditë është dita në të cilën paraqitet agjërimi jone te Sunduesi i Plotfuqishëm, dhe ditë kur jepet shpërblimi i agjëruesve nga thesaret e të Gjithëmëshirshmit

– Kjo është ditë gëzimi, sepse ne e realizuam obligimin tonë, sepse ne e kemi ndërgjegjen e pastër para Zotit, sepse e ndiejmë në thellësinë e shpirtit se Allahu është i kënaqur me ne dhe me adhurimin tonë ndaj Tij.

– Kjo është ditë gëzimi për shkak të vullnetit të fuqishëm. Është ditë gëzimi e ngadhënjimit të dëgjueshmërisë mbi padëgjueshmërinë, të mirësisë kundër të keqes, dhe mireberesis kundër mëkatit.

– Kjo është ditë gëzimi, sepse ngadhënjen fisnikëria mbi koprracinë, falja mbi hakmarrjen, lidhja farefisnore mbi ndërprerjen e saj, dashuria mbi urrejtjen.

– Dita e Fitër Bajramit është një ditë e festimit, e gëzimit e paqes dhe mirëkuptimit, tolerancës dhe solidaritetit me njëri-tjetrin.

Por për besimtarin festa nuk është fundi por është fillimi. Ramazani nuk ka qenë synim në vete që të mbarojë tash kur kanë mbaruar ditët e tij. Ramazani është kurs trajnimi që besimtarin ta aftësojë për periudhën që vjen pas tij. As në Kur’anin Famëmadh, as në hadithet e Profetit Muhammed ﷺ, nuk mund të gjesh as dhe një citat të vetëm që na thotë se agjërimi është qëllim në vete. Agjërimi është vetëm mjet. All-llahu i Madhëruar ka thënë:“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijatte e beheni te devotshem.” [El-Bekare: 183]

Pra, agjërojmë për tu bërë të devotshëm. Së këndejmi, duhet kuptuar se agjërimi, namazi, leximi i Kur’anit, lutjet dhe veprat tjera të mira të bëra gjatë Ramazanit janë vetëm mjete për synime të larta dhe se ato për tu dëshmuar si të pranuara duhet të vazhdojnë të reflektojnë tek ne edhe pas Ramazanit.

Të nderuar vëllezër besimtarë,

Ramazani duhet të konsiderohet si miku më i miri i shtëpisë, i cili erdhi që të na e shërojë shpirtin me agjërim, të na e zgjojë shpirtin me syfir, të na e gëzojë atë me iftar, të na e këndell atë me namazin e teravive, të na e zbus atë me zaqatin, të na e hap atë me anë të bisedave vëllazërore, të na e pastrojë atë nga urrejtja si dhe të na e shëroj atë nga mendjemadhësia.

Ramazani na ka mësuar të jemi të butë e zemërgjerë, bujarë e krenarë, të devotshëm e durimtarë, të sinqertë e besnikë, t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit në vështirësi e lehtësi…

Muaji Ramazan është muaj bashkimi në mes njerëzve, pa marrë parasysh gjendjen sociale, kulturore, a ekonomike.

Pas muajit Ramazan, respektivisht Bajramit, duhet vazhduar me kryerjen e veprave të mira, ngase veprat e mira nuk pushojnë me përfundimin e Ramazanit dhe ardhjen e Bajramit, por ato përfundojnë me përfundimin e jetës.

Allahu xh.sh.thotë:

“Dhe adhuro Zotin tënd derisa të jesh i gjallë!”

U ndamë nga muaji Ramazan, mirëpo kjo nuk do të thotë se do të lirohemi edhe nga obligimet e fesë, e ta lëmë pas dore namazin dhe ibadetin, e t’i kthehemi mëkateve dhe gjërave të ndaluara, sikur Allahu të ishte prezent vetëm në Ramazan dhe jo edhe në muajt e tjerë. Duhet ta dimë se Zoti i Ramazanit është Zot edhe i muajve të tjerë.

Ta zëmë, e kemi gjetur Natën e Kadrit, jemi amnistuar nga denimi, na janë falur mëkatet, dhe tash jemi të lirë të bëjmë çfarë të duam?! Jo, ka një filozofi të thjeshtë por shumë edukative këtu. Që Ramazani të na jetë pranuar, duhet të vazhdoj rrugëtimin e tij me ne edhe në muajt tjerë. Për ta kuptuar më mirë do ta përmendi një urtësi që Imam Shafiu na e përcjell libri I tij: “Davudi u lut e tha: O Zoti im, të lus që të jesh me birin tim (Sulejmanin) ashtu siç ke qenë me mua! Tha All-llahu: O Davud, thuaji birit tënd që të jetë me Mua siç ke qenë ti, do të jam me të siç kam qenë me ty!”[3]

Kjo është ajo që synojmë: që Ramazani të jetë me ne, ne duhet të jemi edhe në muajt tjerë siç kemi qenë në Ramazan.

E sot gjindemi ne Bajram qe është ditë shpërblimi, është ditë bashkimi, është ditë gëzimi e kënaqësie, ditë sigurie e barazie, ditë kremtimi e ushqimi, ditë vizite të afërmve e farefisit, shokëve, dashamirëve, dhe ditë adhurimi, lutje e falënderimi drejtuar Allahut xh.sh.

Bajrami është koha kur duhet të tregojmë dashuri të veçantë ndaj prindërve, fëmijëve, farefisit, fqinjëve dhe miqve. Bajrami është koha kur duhet të mendojmë për të sëmurët tanë dhe ta lusim Allahun që t’i shërojë ata; të mendojmë për punëtorët dhe të lusim Allahun që t’ju ndihmojë atyre; të mendojmë për të rinjtë dhe jetimët, per deshmoret e atdheut tane, të mendojmë për të gjithë ata njerëz me zemra të mira që kontribuan per kete xhami, Allahu t’i ruaj prej çdo belaje dhe ngarkese. Bajrami është koha kur duhet të mendojmë për forcimin e lidhjeve tona vëllazërore. Islami dhe kombi ynë ka nevojë për bashkimin e zemrave tona, ashtu siç kanë nevojë zemrat tona të afrohen me njëra tjetrën.

Allahu është Falës, e do faljen, prandaj kërkojini falje që ta fitoni atë!

Eshte dite e duas dhe te mos harrojme të lutemi, siç na mëson Allahu xh.sh. në librin e Tij fisnik, kur thotë:

“Zoti ynë, më fal (gabimet) mua edhe prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët Ditën kur jepet llogaria!”[21]

Të nderuar besimtarë,

Uroj që parimet e larta të manifestuara fuqishëm gjatë muajit Ramazan, siç janë: mirëkuptimi, toleranca, ndihma e solidariteti për njërin-tjetrin dhe vullneti i mirë, të bëhen parime të përditshme në jetën e çdo besimtari. Zoti na pranoft ibadetet tona, na ruajt familjet tona dhe pacim veq bajrame cdoher ne zemrat tona.

Filed Under: Komente Tagged With: endrit himaj

E ndryshmja që na duhet…

April 19, 2023 by s p

Aleksandër Çipa/

Kësaj shoqërie, pasi i garantuan në shtresat masive të saj varfërinë, i nisën një proces intensiv të varfërimit dhe tharrjes së shpirtit. I hoqën padukshëm dhe, sidomos në gjeneratat e reja, ndjeshmërinë njeridashëse e njerirespektuese. I zhbëjnë dhe po i helmojnë përgjegjësinë për trashëgiminë dhe për trashëgueshmërinë. Po e lenë në të vetmin fat zgjedhës, atë të emigrimit dhe të zbrazëtisë. Sot po shembemi iluzivisht tek fataliteti se po na çimentohet mbretëria e indiferencës dhe e ftohtësisë nënshtruese.

Ky nuk është konstatim ankues. Kjo është pjesa thelbësore e tablosë në të cilën po zhytemi, duke qenë më shumë në pesimizëm dhe në trishtimin tonë social.

Por këtë fat imponues po e lenë në fuqi pakicat imponuese, ose më saktë të paktët e pushtetshëm.

Fushata më e domosdoshme dhe më e menjëhershme, në këtë vend dhe tek kjo shoqëri, duhet të jetë ajo e ringritjes së njerëzores. Nuk e kam fjalën për ngritjen simbolike të saj, por për shtatimin e brendshëm si ndjenjë dhe virtyt, gjerësisht shoqëror.

Na duhet ringritja e shpirtit në energjinë dhe fuqinë e vet njerëzidashëse.

Ndishta më shumë se kurrë duhet të ndodhë ndarja e gjeneratave në politikëbërje, në gjithë nivelet dhe hierarkitë qeverisëse.

Këtu, në këtë shoqëri, duhet ngritja e “së resë, si fuqi ndryshuese mbi të ndenjurën, apo të vjetrën penguese.

Ky vend, por realisht kjo shoqëri, ka rini dhe diturakë të saj. Por ata, ose janë në mërgim, ose janë seriozisht të penguar.

Në mendësinë tonë ekziston maksima: ” Plaku s’e lëshon oxhakun”.

Nuk është fjala për plakun real, është fjala për ciklin tonë të munguar antroposocial, atë të të riut që tejkalon At-n dhe shkon të ngrejë oxhakun e vet. Të ngrejë oxhakun, jo për t’u ndier plak zotëronjës, por vetëqeverisës që shton dhe shumon shtëpinë e vet në kohë të mëtejshme dhe të ardhme.

Ky cikël zakonor, e njëherësh familjar shqiptar, duhet transplatuar në përfaqësimin dhe aktivizimin e sotëm shoqëror.

Kjo Shqipëri e sotme, ka urinë e së ndryshmes ndryshuese dhe jo të së ndryshmes që rikthehet për ripërdorim, në një kohë tjetër.

Gjeneratat mes nesh duhen ndarë, jo si për luftë mes tyre, por si kontrast dijeje dhe kualifikimi në përputhje për një Shqipëri që do të jetojë në Europën e nesërme dhe jo në Ballkanin e sotëm.

Filed Under: Komente

Shkrimet e lashta

April 14, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Bota i detyrohet deshifrimit nga Champollion të shkrimeve të hershme egjiptiane, së bashku me punën e të gjithë studiuesve që pasuan. Pa ato përpjekje, dorëshkrimet e lashta do të mbeteshin të pa pakuptueshëm ose nuk do të ishin asgjë më shumë se artifakte që nga fillimi i qytetërimit – mbushur me faqe simbolesh, kuptimi i të cilëve do të mbetej i panjohur – do t’i kishin grabitur botës një thesar të madh.

Egjiptologjia êshtë nënprodukt i pushtimit Napoleonik. Kur korsikani i madh udhëhoqi ekspeditën e tij franceze në Egjipt në 1798, ai mori me vete një numër akademikësh dhe inxhinierësh për të eksploruar dhe hartuar terrenin, duke hapur rrugën për disa studiues të interesuar për Egjiptin për hir të një kuptimi më të mirë të historisë. Ishte ky grup studiuesish që i zbuloi për herë të parë botës moderne tempujt e mrekullueshëm të Luksorit dhe Karnakut; dhe përshkrimi i përpunuar i Egjiptit që ata përgatitën për Akademinë Franceze në 1809 ishte momenti i parë historik në studimin shkencor të këtij qytetërimi madhështor e të harruar.

Megjithatë, për shumë vite, ata nuk ishin në gjendje të lexonin mbishkrimet madhështore që mbijetonin në monumente. Tipike për temperamentin shkencor ishte përkushtimi me të cilin Champollion, një nga këta dijetarë, u aplikua për deshifrimin e hieroglifeve misterioze. Më në fund ai gjeti një obelisk me “gdhendje të shenjta” në gjuhë egjiptiane, por që mbante në bazë një mbishkrim greqisht që tregonte se shkrimi kishte të bënte me Ptolemeun dhe Kleopatrën. Duke marrë me mend se dy nga hieroglifët, të përsëritur shpesh me një kartushë mbretërore të bashkangjitur, ishin emrat e këtyre sundimtarëve, ai bëri paraprakisht (në 1822) njëmbëdhjetë shkronja egjiptiane; kjo ishte prova e parë e botës sot që Egjipti i lashtë kishte një alfabet. Pastaj ai e aplikoi këtë alfabet në një pllakë të madhe prej guri të zi që trupat e Napoleonit kishin gjetur pranë grykës së Rozetës së Nilit. Ky “Gur i Rozetës” përmbante një mbishkrim në tre gjuhë: e para në hieroglifë, e dyta në “demotike” (shkrimi popullor i egjiptianëve) dhe i treti në greqisht. Me njohuritë e tij të greqishtes dhe njëmbëdhjetë shkronjat e bëra nga obelisku, Champollion, pas më shumë se njëzet vjet pune, deshifroi të gjithë mbishkrimin, zbuloi të gjithë alfabetin egjiptian dhe hapi rrugën për rimëkëmbjen e një bote të humbur mahnitëse. Puna e Champollion ishte një nga majat në historinë e historisë. Aftësia për të përkthyer mbishkrime të panumërta të gjetura në muret e monumenteve, tempujve, varreve dhe dokumenteve antike ka dhënë njohuri befasuese në lidhje me qytetërimin e Egjiptianëve të Lashtë dhe më tej, deri në Sumer. Bota tani i hedhë sytë nga qielli për të gjetur shpjegim për gjithçka të lashtë në Tokë.

Foto: Tv Klan

Filed Under: Komente Tagged With: Astrit Lulushi

A pritet fundi?

April 10, 2023 by s p

Vector illustration of a realistic planet Earth with shadow effects. Cut out design element on white background.

Astrit Lulushi/

Kur Bota ishte afër fundit të Epokës së Akullit 12,800 vjet më parë, një kometë gjigante shpërtheu. Ajo kishte hyrë në sistemin diellor nga hapësira e thellë. Disa prej copave goditën Tokën duke shkaktuar një kataklizëm globale në shkallë të paparë që nga zhdukja e dinosaurëve. Të paktën tetë nga fragmentet goditën Amerikën e Veriut, ndërsa copa të tjera goditën Evropën veriore. Ata që shpëtuan migruan në jug. Fragmentet e kometës rreth 2 km gjërësi goditën Tokën me shpejtësi 90 km në orë, dhe gjeneruan sasi të mëdha nxehtësie që likuiduan në çast miliona kilometra pyje e tokë; destabilizuan koren e Planetit; dhe shkaktuan përmbytjen globale që mbahet mend në librat e shenjtë dhe në mite anembanë botës.

Një seri e dytë pasojash, po aq shkatërruese, që shkaktuan përmbytje të mëtejshme kataklizmike, ndodhën 11,600 vjet më parë, datë që Platoni jep për shkatërrimin dhe fundosjen e Atlantidës. Provat e zbuluara tregojnë se një qytetërim i përparuar u shkatërrua në kataklizmat globale midis 12,800 dhe 11,600 vjet më parë.

Por pati edhe të mbijetuar – të njohur në kulturat e mëvonshme me emra të tillë si ‘të urtët’, ‘të shkëlqyerit’’, ‘të ndriturit’ – Alpet quheshin ‘të ndritur’, pasi majat e tyre zbardheshin nga bora, apo shkëlqenin. Këta ‘të ndritur’ udhëtuan nëpër botë, duke bërë gjithçka në fuqinë e tyre për të mbajtur ndezur shkëndijën e qytetërimit. Të urtët u vendosën në vende kyçe – Gobekli Tepe në Turqi, Baalbek në Liban, Giza në Egjipt, Sumer, Evropën jugore – ku janë zbuluar piramida (Bosnje) — në Meksikë, Peru dhe përtej Paqësorit, ku një piramidë e madhe është zbuluar në Indonezi. Kudo që shkuan, ‘të shndritshmit’ sollën me vete kujtimin e një kohe kur njerëzimi kishte jetuar në harmoni me universin; dhe me përmbytjen, kishte paguar një çmim të lartë. Një kujtesë dhe paralajmërim për të ardhmen…

Por kometa që shkaktoi shkatërrime të tilla në vitin 12,800 dhe 11,600 mund të mos ketë mbaruar punë me Tokën.

Astronomët besojnë se një pjesë ‘e errët’ prej 30 kilometrash e kometës gjigante origjinale mbetet e fshehur mes mbeturinave në Galaktikë. Dhe, ndërsa vazhdon të endet, ajo përbën kërcënin për Tokën. Një mesazh astronomik i koduar në Gobekli Tepe, Sfinks dhe piramidat e Egjiptit, paralajmëron se ‘Kthimi i Madh’ do të ndodhë. Kur?, kjo nuk dihet. Ata që besojnë në Zot pohojne se kthimi i kometës përmbush profecinë e librave të shenjtë; ‘mendim i dëshiruar’, thonë të tjerët që besojnë në teorinë e evolucionit. Rrofshim gjatë për të parë.

Photo: Gettyimages.it

May be an image of map

See Insights and Ads

Boost post

All reactions:

11

Filed Under: Komente Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • …
  • 491
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT