Aleksandër Çipa/
Kësaj shoqërie, pasi i garantuan në shtresat masive të saj varfërinë, i nisën një proces intensiv të varfërimit dhe tharrjes së shpirtit. I hoqën padukshëm dhe, sidomos në gjeneratat e reja, ndjeshmërinë njeridashëse e njerirespektuese. I zhbëjnë dhe po i helmojnë përgjegjësinë për trashëgiminë dhe për trashëgueshmërinë. Po e lenë në të vetmin fat zgjedhës, atë të emigrimit dhe të zbrazëtisë. Sot po shembemi iluzivisht tek fataliteti se po na çimentohet mbretëria e indiferencës dhe e ftohtësisë nënshtruese.
Ky nuk është konstatim ankues. Kjo është pjesa thelbësore e tablosë në të cilën po zhytemi, duke qenë më shumë në pesimizëm dhe në trishtimin tonë social.
Por këtë fat imponues po e lenë në fuqi pakicat imponuese, ose më saktë të paktët e pushtetshëm.
Fushata më e domosdoshme dhe më e menjëhershme, në këtë vend dhe tek kjo shoqëri, duhet të jetë ajo e ringritjes së njerëzores. Nuk e kam fjalën për ngritjen simbolike të saj, por për shtatimin e brendshëm si ndjenjë dhe virtyt, gjerësisht shoqëror.
Na duhet ringritja e shpirtit në energjinë dhe fuqinë e vet njerëzidashëse.
Ndishta më shumë se kurrë duhet të ndodhë ndarja e gjeneratave në politikëbërje, në gjithë nivelet dhe hierarkitë qeverisëse.
Këtu, në këtë shoqëri, duhet ngritja e “së resë, si fuqi ndryshuese mbi të ndenjurën, apo të vjetrën penguese.
Ky vend, por realisht kjo shoqëri, ka rini dhe diturakë të saj. Por ata, ose janë në mërgim, ose janë seriozisht të penguar.
Në mendësinë tonë ekziston maksima: ” Plaku s’e lëshon oxhakun”.
Nuk është fjala për plakun real, është fjala për ciklin tonë të munguar antroposocial, atë të të riut që tejkalon At-n dhe shkon të ngrejë oxhakun e vet. Të ngrejë oxhakun, jo për t’u ndier plak zotëronjës, por vetëqeverisës që shton dhe shumon shtëpinë e vet në kohë të mëtejshme dhe të ardhme.
Ky cikël zakonor, e njëherësh familjar shqiptar, duhet transplatuar në përfaqësimin dhe aktivizimin e sotëm shoqëror.
Kjo Shqipëri e sotme, ka urinë e së ndryshmes ndryshuese dhe jo të së ndryshmes që rikthehet për ripërdorim, në një kohë tjetër.
Gjeneratat mes nesh duhen ndarë, jo si për luftë mes tyre, por si kontrast dijeje dhe kualifikimi në përputhje për një Shqipëri që do të jetojë në Europën e nesërme dhe jo në Ballkanin e sotëm.