• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Floriani dhe modeli i suksesit

August 30, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Florian Markun e priti Edi Rama dhe kësisoj nuk ia vlen te adhurojmë më. Nga ana tjetër një trajneri kombëtar i ka mbetur qejfi, madje e quan boksier Instagrami, jo boksier kombëtar. Në Lushnje e shpalli Qytetar Nderi Taulanti, ndaj harram e pastë. Janë dsa nga vulgaritetet tona nga ku e kemi të pa mundur t’i shpëtojmë politizimit. Madje diku lexon se iks politikan po përfiton nga fama e Luiza Gegës apo Florian Markut. Eshtë fare e thjeshtë, e njëjta gjë do të ndodhte po të ishte kryeministër edhe dikush tjetër nga e djathta, apo nga tërësia pa identitet politik e karvanit të mini partive shqiptare. Mos e trasmetoni mërinë karshi Ramës, Berishës a Ilir Metës tek një sportistë a djalë emigrant, i cili ka arritur aty ku është përmes punës së tij. Sot shqiptarë të suksesshëm gjen në mbarë botën. Deri në rrangje të larta. Ju kujtohet kur një vajzë nga familje emigrantësh shqiptarë zgjidhej në majin e 2019, eurodeputete në Suedi. Emri i saj është Arba Kokalari, ne të gjithë u krenuam. Ashtu siç ka misionarë të tjerë që bëjnë kaq shumë për shiptarët emigrantë, komunitetin etj., madje edhe për vendin amë, si Marko Kepi në Amerikë që mblodhi fonde e ndërtoi shtëpi për të dëmtuarit e tërmetit 26 nëntorit 2019. Për të mos u futur më thellë edhe tek ata fëmijë emigrantësh që marrin medalje me flamuj të Greqisë, Italisë apo ndonjë shteti tjetër. Nuk kanë tradhtuar vendin, shtetin amë, përkundrazi e kanë nderuar atë. Se i kanë thënë botës që shqiptarët nuk janë shpellarë por mëtues të vlerave njerëzore. Çdo kryeministër shqiptar si majtas dhe djathtas do vepronte po njësoj siç veproi Rama. Merrni rastin e Florianit, një djalë familje emigrantësh nga Lushnja. Sot në Londër, aty ku kinematë a produksioni i kinematografisë kanë në qendër mafian shqiptare me shtëpitë e barit. Turpi jonë kombëtar. Bash aty ai shpallet kampion. Le t’i referohemi emrit të tij të ringut se sa shtëpive të barit. Eshtë në vazhdën e vlerave me të mira shqiptare, një përpjekje heronjsh që kanë lënë tokën e tyre dhe i janë adresuar botës së madhe. Kurse atij trajneri kombëtar që nuk e quan dot boksier a sportist kombëtar një të tillë që nuk kalon nga duart e tia, është mangësi formimi për ‘të, jo për sportistin. Në përgjithësi është në kulturën tonë show politik. Sigurisht Rama nul bën përjashtim. Por kjo nuk ka domethënien se Floriani është Rama a Erion Veliaj. Ftesës nga vendi amë nuk bën krim t’i përgjigjesh. Kjo jo për hatër të hirearkisë politike, por për ata qytetarë që të ndjekin fizikisht e shpirtërisht kudo. Ai është sportisti që ka ngritur një profil fituesi. Këtë shikoni. Bota njeh plot modele. Madje ka shtete të lodhura nga politika dhe lufta civile, nga ekonomia e dobët dhe ikja e përjetshme. Por ka mes tyre edhe simbole që kanë ofruar gjithçka sipërore nga vetvetja për të përmisuar emrin e qytetit dhe vendit të origjinës. Përshembull sot Filipinet i njohin më shumë nga titujt e Meni Pakajos se nga krimet e Ferdinand Markos. Meni Pakojo i kthente fitimet në shtëpi për të pastrehët. Ferdinand Marko internonte, burgoste, vriste. Ne na duhen modelet e mira pavarsisht se sa përfiton politika. 

Filed Under: Komente

VERIU I DARDANISË DHE SHKAQET E KRIZËS

August 27, 2022 by s p

Me qëllim që të analizojmë me kujdes situatën e sigurisë në veri të Dardanisë, ndër të tjera duhet të analizojmë disa nga faktorët kryesorë demografikë, gjeografikë, politikë, diplomatikë dhe ushtarakë të cilët ndikojnë në këtë krizë por dhe në zgjidhjen e kësaj krize.

Në muajin shtator të vitit 2021, vendosjes së reciprocitetit për vendosjen e targave të përkohshme për serbët të cilët futen në Kosovë, Serbia iu përgjigj me provokime, bllokime rrugësh, sulme me armë kundër forcave të policisë së Kosovës, etj duke urdhëruar strukturat e saj paralele të cilat organizohen, financohen dhe drejtohen nga shërbimet serbe të sigurisë në bashkëpunim me agjensitë ruse të inteligjencës.

Në këtë rajon të Kosovës, sulmet e strukturave paralele serbe të ekzekutuara ditët e fundit me përfshirjen edhe të agjentëve rusë të grupit ‘Wagner’, kanë qëlluar drejtëpërsërdrejti kundër forcave të policisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit, kanë bllokuar rrugët në vendkalimet kufitare zyrtare në Jarinje dhe Bërnjak, kanë ekzekutuar gjashtë sulme me armë gjatë muajit prill të vitit 2021, etj duke treguar qartazi se pas këtyre incidenteve qëndron Beogradi dhe Rusia, të cilët kërkojnë të vështirësojnë sa më shumë situatën në këtë rajon tashmë që vazhdon pushtimi ushtarak Rus në Ukrainë.

Në datën 7 gusht 2022, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm serb Gjenerali Milan Mojsiloviç së bashku me drejtuesit kryesorë të komandave të tjera ushtarake vizituan njësitë e xhandarmarisë dhe të njësive të armatosura serbe në zonën kufitare tokësore me Dardaninë, konkretisht bazat ushtarake “Tabalije” dhe “Rudnica” dhe aftësitë e tyre operacionale për të reaguar sa më shpejtë në rast nevoje. Në këtë këndëvështrim, gjykoj se në këtë krizë ka rëndësi studimi i faktorit demografik në këtë rajon.

1. Faktori ushtarak.

Në Serbi ndodhet baza rajonale e Sputnikut në Beograd, në ministrinë serbe të mbrojtjes ndodhet zyra e përfaqësisë së MM ruse, ndërkohë në Nish rreth 160 km ndodhet ‘Qëndra Humanitare’ e Rusisë, e cila vepron në mënyrë të fshehtë në të cilën punojnë shumë agjentë të shërbimeve sekrete të sigurisë FSB, GRU dhe SVR, misioni të cilëve është grumbullimi i informacioneve për vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor (shiko hartat në kufi me Serbinë, Dardania veri-lindore dhe harta tjetër Dardania veri-perëndimore).

Por agresiviteti i shfaqur gjatë ditëve të fundit nga Serbia, nuk është asgjë tjetër më shumë sesa vazhdimi i një plani të qartë 20 vjeçar, ku vetëm në kufirin me Kosovën janë ndërtuar dhe dislokuar 48 baza operative ushtarake, nga të cilat 28 janë të ushtrisë dhe 20 të xhandarmarisë. Këto baza kanë filluar të ndërtohen që nga muaji gusht 2001, nën asistencën informative të Rusisë dhe të shërbimeve të saj të sigurisë FSB, SVR dhe GRU. Bashkëpunimi i Rusisë me Serbinë shfaqet edhe tek grupi i miqësisë Serbi-Rusi, ku nga 250 anëtarë të Parlamentit serb 151 prej tyre janë pjesë e këtij grupi.

Serbia për momentin i ka pozicionuar forcat e saj përgjatë kufirit me Republikën e Dardanisë. Forca kryesore e cila patrullon kufirin janë efektivët e Brigadës së Xhandarmarisë. Brigada e xhandarmarisë serbe përbëhet nga 4 batalione.

Batalioni katërt psh përbëhet nga shumë pjestarë të forcave speciale ‘Kobra’, njësi anti-terroriste dhe një forcë elitë policore.

Këto janë forcat të cilat ruajnë dhe patrullojnë kufirin me Dardaninë.

Patrullimet e tyre realizohen 24 orë në ditë dhe realizohen nga efektivë prej katër personash të armatosur: Dy persona të pajisur me automatik AK-47 model i përmirësuar serb, i treti me automatik/mitraloz prodhin serb model M-84 kalibër 7.62 x 54 mm dhe personi i katërt me sniper ‘Crna Strela’ prodhim serb kalibër 12.7 mm ose M-76 7.92 x 57 mm.

2. Faktori demografik.

Në pjesën veriore të Kosovës jetojnë shumë pak serbë. Ata në vazhdimësi e kanë refuzuar regjistrimin për të vetmen arsye se dalin më pak se 30.000 qytetarë. Në qytetin e Mitrovicës ndodhet një universitet i cili frekuentohet nga studentë nga Serbia, për të vetmen arsye se diplomat merren me lehtësi. Qyteti më i afërt në Serbi nga Mitrovica është qyteti i Kraljevas rreth 150 km i cili është qytet në “zhdukje” për shkak të largimit të madh të popullsisë serbe jashtë vendit.

Në pjesën e Gjilanit, Novobrdos, Kamenicës, Vitisë, Lipjanit, Prishtinës dhe Shterpcës jetojnë më tepër se 100.000 qytetarë serbë, por Serbia nuk shqetësohet shumë për ta. Në fakt, muajt e fundit Serbia i ka shtuar forcat e saj në kufirin e Kosovës në pjesën e Gjilanit, Vitisë, Kamenicës dhe Podujevës. Ky në fakt është një mashtrim dhe tërheqje vëmendje, sepse objektivi i tyre përfundimtar është marrja e kontrollit në veriun e Kosovës.

Shpesh herë vendime të tilla janë mbështetur nga deklaratat e Ministrit të Jashtëm Rus Sergei Lavrov dhe zëdhënesës së tij Maria Zakarova, të cilët kanë deklaruar se: “Atje ku ka popullsi serbe nuk duhet të ketë prezencë shqiptarësh”, pra haptazi pasi dështuan në marrjen e pushtetit gjatë zgjedhjeve në Malin e Zi, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kroaci, serbët vazhdojnë të insistojnë për mundësinë e zgjerimit të territoreve nëpërmjet shkëmbimit të tyre, krijimit të Asociacioni i komunave me shumicë serbe (Zajednica), zgjerimit të influencës sërbe në rajonin e Ballkanit me zgjerimin e nismave ekonomike.

3. Faktori gjeostrategjik i Kopaonikut, parë nga aspekti i luftës elektronike, sinjaleve dhe telekomunikacionit.

Duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të bjeshkëve të Kopaonikut (pasuritë nëntokësore, pikat strategjike të telekomunikacionit, lartësinë e Ravna Goras, etj), kërkesave të vazhdueshme të Serbisë dhe dakortësimit të tyre me ‘miqtë’ e tyre shqiptarë për ndryshimin e kufirit, qasjen e ndryshme ndaj serbëve që jetojnë në pjesën veriore dhe shtetasve të cilët jetojnë në brendësi të Republikës së Dardanisë, në prapavijë qëllimi strategjik i Serbisë është ndryshimi i vijës kufitare.

Siç e dimë edhe nga historia e kaluar, kur Serbia nuk ka interes strategjik nuk bën lëshime. Por në mënyrë të heshtur në prapavijë nëpërmjet “metodave serbe„ nën drejtimin e lidershipit të tyre “perëndimor“ do të vazhdojnë të tentojnë të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur. Psh në vitin 2007, Serbia dërgoi për vizitë zyrtare në SHBA shefin e tyre të shtabit të ushtrisë serbe Gjeneralin Ponosh, i cili gjatë takimeve me autoritetet e sigurisë amerikane kërkoi që ta mbështesnin që maja e Kopaonikut t‘i takonte Serbisë.

Në vijim duhet bërë një analizë për rëndësinë që kjo majë sa i përket Luftës Elektronike, Sinjaleve dhe Telekomunikacionit, të cilat në gjykimin tim më shumë se Serbisë mund t‘i shërbejnë Federatës Ruse.

Në këtë majë (si në fotot e publikuara) është vendosur një radar me rreze të mesme operacionale rreth 400 km. Ky radar u shkatërrua nga aviacioni amerikan në vitin 1999. Por në atë kohë u shkatërrua vetëm kupola e radarit, sepse nëpërmjet një ashensori ai ndodhej thellë në tokë. Para disa vitesh Serbia kërkoi që të kontrollonte hapësirën ajrore të Kosovës, për kontrollin e qarkullimit të aviacionit civil, kërkesë e cila u refuzua nga NATO, duke mos lejuar aktivizimin i këtij radari.

Serbët nuk hoqën dorë nga kjo ide, sepse në atë kohë vetëm nga kontrolli i hapësirës ajrore të Kosovës ata fitonin një sasi prej 13 milionë euro në vit dhe në të njëjtën kohë serbët planizuan të ndërtonin në bjeshkën Besna Kobila në afërsi të Vranjës një bazë tjetër radarësh për qëllim ushtarake dhe inteligjente.

Si përfundim, marrja e kontrollit të majës së Ravna Goras, do t’i mundësonte serbëve dhe rusëve vendosjen dhe instalimin e radarëve të fuqishëm të luftës elektronike (EW) dhe pajisjeve të tjera moderne ruse të zbulimit elektronik (ELINT) të afta që të kontrollinin sinjalet telefonike por jo vetëm në katër vende të NATO-s Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe deri në Greqi.

4. Liqeni i Gazivodës ( Ujmanit).

Liqeni i Gazivodës është liqeni më i madh në Kosovë. Ai ka një sipërfaqe prej 11.9 km2 nga të cilat 9.2 km2 i përkasin Republikës së Dardanisë dhe vetëm 2.7 km2 Serbisë. Ky liqen furnizon me ujë të pishëm qytetet: Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq por në të ardhmen edhe qyteti i Prishtinës të mund të furnizohet nga ky liqen. Termocentralet Kosova A dhe Kosova B furnizohen me ujë po ashtu nga ky liqen artificial. (shiko hartën lartë).

Ekzistenca e këtij liqeni është shumë i rëndësishëm për mbijetesën e banorëve të këtyre qyteteve, për zhvillimin industrial dhe bujqësor të Dardanisë. Pa shfrytëzimin me ujë nga ky liqen, termocentralet mbyllen dhe Kosova mbetet pa energji elektrike.

5. Faktori ekonomik.

Në shtesë sa më lartë, në këtë rajon ekzistojnë pasuritë të jashtëzakonshme të pasurive minerale, të cilat gjenden në pjesën veriore të Dardanisë dhe janë vlerësuar në mbi 200 miliardë Euro. Në këtë rajon gjenden me shumicë mineralet qymyrguri, plumb, zink, argjend, ar dhe shumë minerale të tjera. Këto pasuri përrallore padyshim që i lënë pa gjumë mercenarët serbë dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarfolës.

Dritan Demiraj, Ph.D.

Filed Under: Komente

Nëna Tereze, patentuese e një sistemi të veçantë të çështjeve të mprehta shpirtërore

August 26, 2022 by s p

Ne si Institut iu kemi rrekur ta trajtojmë këtë figurë në një plan pak a shumë më mikroskopik, duke nxjerrë nga thesari i saj shpirtëror e njerëzor margaritarët më të çmuar , me të cilët ajo stolisi veten dhe  më shumë të tjerët. Ajo mbi të gjitha stolisi nocionin njeri në skëterrën e lakmive të pakufishme

Nga Prof. dr. Skender ASANI

Të merresh me jetën dhe veprën e Nënës Tereze, nuk është një punë thjeshtë rutinore, por është më tepër ballafaqim me të panjohurat që dalin gjatë depërtimit në botën e saj komplekse e shumëdimensionale. Sepse Nënë Tereza nuk ishte vetëm një bëmirëse, siç perceptohet gabimisht në një pjesë të opinionit publik, por ajo parasegjithash ishte patentuese e një sistemi të veçant të sjelljes dhe qasjes ndaj çështjeve të mprehta shpirtërore që askush tjetër nuk i trajtonte dhe nuk i njihte më mirë se ajo.

Kjo është edhe arsyeja kryesore pse ne si Institut iu kemi rrekur ta trajtojmë këtë figurë në një plan pak a shumë më mikroskopik, duke nxjerrë nga thesari i saj shpirtëror e njerëzor margaritarët më të çmuar , me të cilët ajo stolisi veten dhe  më shumë të tjerët. Ajo mbi të gjitha stolisi nocionin njeri në skëterrën e lakmive të pakufishme dhe vetëm ata që do të mund ta deshifrojnë këtë filozofi jetësore të Nënës Tereze, do ta kuptojnë se më e fuqishme se lakmia megjithatë është dashuria dhe ngrohtësia njerëzore.

Nënë Tereza fali dashuri dhe ngrohtësi edhe në skutat më të ftofta të vetmisë së njerëzve, të cilët pasi u braktiksën nga rrethi i tyre ku jetonin u pranuan nga Nëna Tereze, me të gjitha sëmundjet, brengat dhe vështirësstë që i ka jeta.

Duke ngelë në mbamendjen tonë si një stoli që me kalimin e kohës shkëlqimi vjen duke iu shtuar, Nëna Tereze tash më është bërë një aset i vlerave të pakrahashueshme universale, me të cilat ne si Institut dhe Departamenti për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze , po identifiukohemi më tepër në fushat e hulumtimit shkencor dhe studimit empirik të veprës së saj në disa rrafshe interdisiplinare.

Ne si Institut, jo rastësisht i kemi profilizuar studimet dhe hulimtimet mbi jetën dhe veprën e Nënës Tereze, duke themeluar një departament të veçant, i cili nga viti në vit po lëshon rënjë në një truall ku mendojmë të forcojmë edhe më tej mirëkuptimin midis njerëzve, pa marrë parasysh racën, fenë apo etninë e tyre. Si produkt i këtij profilizimi, ne sivjet filluam të botojmë edhe revistën e parë letrare me karakter shkencor e kulturor DRITA E GONXHËS, e cila përpos që është një tribunë e hapur e mendimit dikursiv mbi shumdimensionalitetin e empirisë jetësore të Nënës Tereze, ajo ofron edhe një mundësi ideale për të krijuar ura interaktiviteti në mes të autorëve e qendrave të ndryshme hulumtuese që si emërues të përbashkët kanë fuqinë e ndikimit dhe reflektimit të kësaj gruaje me përmasa planetare.

Sivjet kur po e organizojmë edicionin e dytë të manifestimit tradicional kulturor-shkencor “DRITA E GONXHËS”, që përkon me 112 vjetorin e vdekje dhe 25 vjetorin e lindje së Nënës Tereze, kemi arritur të aktivizojmë një game të gjerë resursesh intelektuale e institucionale brenda dhe jashtë vendit tonë, sepse konsiderojmë se nuk mjafton të kesh në duar një kauzë të madhe humane e civilizuese siç është Nëna Tereze, por  duhet edhe strategji konkrete për ta shndërruar këtë kauzë në në dioptri më të zgjeruar.  

Nëse të tjerët në botë kanë xhiruar dhe botuar  me qindra filma dhe vepra kushtuar jetës dhe veprës së Nënës Tereze, ne mund të shkojmë përtej kësaj, duke thurrur fabula të pathëna nga fëmijëria dhe rinia e Gonxhe Bojaxhiut, nga Shkupi i saj që arriti të regjistrohet në kartotekën e madhe të botës në saje të gjithë asaj që kishte  bartur me vete në bvotë kjo grua me shpirt të madh.  

Ky zatën mbetet edhe synimi ynë kryesor si hulumtues dhe si studiues, pasi që pritjet e të tjerëve nga ne tejkalojnë caqet e një kurreshtjeje sipërafaqësore, detyrim ky moral e institucional që kërkon mbështetje të gjithanshme.   

Shkup, 26 gusht 2022

Filed Under: Komente

“Fjalimet që përgjakën Ballkanin”

August 25, 2022 by s p

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Shkup/

Ne, shqiptarët, duhet të kujtojmë. Është detyrim kujtesa për dramat kolektive që na kanë ndodhur. Për pjesën më të madhe të historisë së kombit tonë varemi nga dokumentet që kanë prodhuar të tjerët për ne. Edhe në shek. XX, kur krijuam institucionet tona shkencore e kulturore, na mungonte liria e fjalës. Disa të vërteta, si p.sh. Masakrën e Tivarit, duhej t’i bisedonim me zë të ulët dhe me njerëz të besuar. Po kështu, indoktrinimi ideologjik shpeshherë e bënte të pamundur pranimin e së vërtetës dhe të fakteve. Tani jemi në kushte më të mira, sepse studiuesit që punojnë në disiplina të ndryshme kanë lirinë dhe mundësitë që t’i përdorin teoritë e metodologjitë bashkëkohore për t’iu qasur të kaluarës dhe për të dhënë ndihmesë në kultivimin e kujtesës kolektive.

Libri “Fjalimet që përgjakën Ballkanin”, i autorit Gëzim Mekuli, gazetar i mirënjohur dhe studiues i shkencave të komunikimit, na çon mbrapa disa dekada për të na kujtuar se luftërat në ish-Jugosllavi më së pari nisën me përndezjen e fjalëve. Sikurse shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore nuk mund të shihet i shkëputur prej fjalimeve të Hitlerit nëpër tavernat dhe sheshet e Gjermanisë, po ashtu edhe fillimi i shkatërrimit të Jugosllavisë mund të gjurmohet te fjalimet luftënxitëse të Sllobodan Millosheviqit. Fuqia mistike e fjalës, e cila mund të ngrejë në këmbë një popull të tërë, ka tërhequr interesimin e Mekulit për të studiuar, nga këndvështrimi i retorikës dhe i shkencave të komunikimit, disa fjalime që Millosheviqi ka mbajtur në fillim dhe në fund të karrierës së tij politike. Sigurisht që vetëm fjala në vetvete nuk mjafton, sepse, siç e vëren Mekuli, që fjala të prekë “telat” e shpirtit të një populli, ajo duhet të thuhet në çastin e duhur e në mënyrën e duhur dhe gjithashtu të përhapet sa më gjerë përmes mediave. Që fjala të bëjë ndryshimin, kërkohet publiku retorik dhe situata e duhur retorike (f. 29-30). Duke cituar nga studiues të ndryshëm, që kanë hulumtuar marrëdhënien e retorikës me kontekstin politik dhe shoqëror, autori ka ndërtuar një aparat konceptual me të cilin i analizon fjalimet e Millosheviqit. Në qendër të këtij aparati ndodhen togfjalëshat që përsëriten më shpesh dhe që në mendjet e dëgjuesve ndërtojnë një botë fantastike, ku përleshen forcat e së mirës (zotit) me forcat e së keqes (djallit). Nëse politikani ia del të ndërtojë një botë imagjinare, që i mbivendoset botës reale dhe që besohet nga pasuesit e tij, atëherë ai i zotëron shpirtrat e këtyre dhe mund t’i tërheqë pas projektit të vet politik. Sigurisht që përndezja emocionale nuk zgjat përgjithmonë, sepse vjen një çast dhe realiteti bëhet kaq i shpërputhshëm me imagjinatën, saqë pasuesit ose, së paku një pjesë e tyre, kthjellohen dhe “ftohen”. Kjo duhet qartë në dy prej fjalimeve që Millosheviqi i ka mbajtur gjatë viteve të fundit në pushtet dhe që Mekuli i ka veçuar për t’i analizuar.

Studimi i Mekulit përqendrohet në tri fjalime të Millosheviqit. I pari dhe më i rëndësishmi syresh është fjalimi në Gazimestan më 28 qershor 1989, i dyti është fjalimi në 10 qershor 1999, i mbajtur në Beograd pas përfundimit të luftës midis Jugosllavisë dhe NATO-s, dhe i treti është fjalimi në Beograd në vitin 2000, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Fjalimi në Gazimestan është cilësuar si programatik, sepse mbahej me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Fushë-Kosovës, ndoshta miti më i rëndësishëm i nacionalizmit serb, dhe paralajmëronte projektin e Millosheviqit për t’ia nënshtruar Jugosllavinë interesave serbe. Mbi një milionë serbë morën pjesë në tubimin e Gazimestanit, përfshirë klerikë dhe pelegrinë ortodoksë që nderonin reliktet e princit Llazar që u vra në Betejën e Fushë-Kosovës dhe që u shpall martir i Kishës Serbe. Tubimi u transmetua drejtpërdrejt nga RTV Beograd. Siç vëren Mekuli në analizën e retorikës së fjalimit të Millosheviqit, ky i fundit shfrytëzoi simbolikën diakronike për t’i thënë publikut serb se Kosova është zemra e Serbisë dhe se gjoja ishte e shkëputur nga trupi i Serbisë, prandaj ringritja e Serbisë po ndodhte pikërisht në atë çast në Fushë-Kosovë, ku ishte flijuar edhe princi Llazar. Nëse beteja para 600 vjetëve u humb për shkak se midis princave serbë mungonte uniteti, tani Serbia ishte unike dhe kërkonte të drejtat e saj “të mohuara” në Jugosllavinë socialiste. Serbët, jo vetëm në Kosovë, por kudo në Jugosllavi, do të kërkonin që “gjymtyrët” e ndara t’i bashkoheshin trupit të Serbisë. Me këtë fjalim, të ngopur me imazhe fetare, Millosheviqi i ftoi serbët që ta ndiqnin në një “luftë të shenjtë” dhe shumë prej tyre i shkuan pas atij, duke e kujtuar për mishërim të Car Llazarit (f. 74).

Pothuaj dhjetë vjet më pas, Millosheviqi mbajti një fjalim në Beograd, për të shënuar përfundimin e luftës së Jugosllavisë me NATO-n. Fjalimi i Millosheviqit nuk u ndoq nga më shumë se 50.000 pjesëmarrës në shesh, shumë më pak se turma e mbledhur në Gazimestan, por është domethënës fakti se ai nuk u botua në shumë prej gazetave të kohës dhe disa media televizive e transmetuan të përmbledhur. Për sa i përket situatës retorike, bashkimi i serbëve në një Serbi të Madhe nuk kishte ndodhur. Një pjesë e mirë e serbëve ishin përzënë nga Kroacia, Bosnjë-Hercegovina ishte shtet i pavarur dhe serbët atje kishin arritur të njiheshin si një njësi përbërëse e federatës. Në Mal të Zi ishte formuar një tendencë e qartë politike për daljen nga partneriteti me Serbinë dhe në Kosovë po hynin trupat e NATO-s. Epilogu i luftërave që serbët ndezën në Jugosllavi shënohej nga ndërtesat e shkatërruara në mes të Beogradit. Mekuli shkruan se “e gjithë bota e Millosheviqit, sistemi i ngritur prej tij, u shpërbë me lehtësi të pabesueshme, krejt ndryshe nga pretendimet e tij të dikurshme. Pra, situata retorike kishte një problem të ngutshëm dhe ky duhej të zgjidhej përmes gjuhës (komunikimit)” (f. 104). Dukej sikur Millosheviqin po e ndiqte pas fati i princit Llazar, që në Kosovë e humbi “mbretërinë tokësore”, prandaj në fjalimin e tij ai i mëshonte idesë se ia kishte dalë ta ruante sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën. Tema qendrore e fjalimit është se populli serb duhet ta ndjejë veten fitimtar, sepse tregoi se mund t’i qëndronte me vetëmohim “agresionit” të NATO-s. Në Gazimestan, Millosheviqi kishte thënë se serbët në Betejën e Fushë-Kosovës e kishin mbrojtur Perëndimin ndaj islamit, duke aluduar se këtë rol ata kryenin sërish. Dhjetë vjet më pas ai thotë se lufta e serbëve kundër NATO-s po jep ndihmesë në krijimin e një bote multipolare. Pra, Perëndimi tani nuk përfaqëson më vlerat për të cilat serbët janë flijuar. Nga aleat i serbëve kundër fundamentalizmit islamik, Perëndimi është shndërruar në vetë “djallin” (f. 124-125). Millosheviqi i paraqet serbët si viktimë dhe askund në fjalimin e tij nuk përmenden viktimat shqiptare të makinerinë ushtarake serbe, të udhëhequr prej tij. Përkundrazi, siç e vëren Mekuli, Millosheviqi përpiqet që imazhi i ushtrisë serbe të shkëlqejë (“Ushtria jonë është e pathyeshme dhe më e mira në botë”; “Populli ishte ushtri dhe ushtria ishte popull”).

Fjalimi i tretë që Mekuli merr në analizë u mbajt menjëherë pasi Millosheviqi kishte pësuar humbje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000. Ai nuk e pranoi rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve dhe u përpoq që të mbante pushtetin, por qeveria e tij u rrëzua disa ditë më pas, si rezultat i protestave popullore. Tema e fjalimit para një publiku prej jo më shumë se 30,000 vetave është se si Serbia po sulmohet nga Perëndimi dhe nga “tradhtarët” e opozitës. Millosheviqi i përshkruan shtetit dhe kombit serb një funksion “kundërimperialist” dhe paralajmëron se nëse serbët nuk rezistojnë, ekziston rreziku i pavarësimit të Kosovës dhe i largimit të Malit të Zi nga federata. Madje, edhe vetë Serbia mund të shpërbëhet me shkëputjen e Sanxhakut dhe të Vojvodinës: “Territori që do t’i lihej ta mbante emrin Serbi, do të pushtohej nga forcat ndërkombëtare, SHBA apo ndonjë shtet tjetër. Ata do ta trajtonin tokën tonë si terren të tyre të stërvitjeve ushtarake, si rezervat të tyre privat, për t’u kontrolluar në përputhje me interesat e fuqisë pushtuese” (f. 135). Me këtë retorikë të mbjelljes së frikës se identiteti i kombit serb do të shuhej si pasojë e kolonizimit të Serbisë, Millosheviqi përpiqet ta bindë publikun se ardhja në pushtet e opozitës serbe do të sjellë dhunë dhe luftë. Sërish serbët paraqiten si viktima të padrejtësive historike dhe se vetëm uniteti kombëtar mund t’i shpëtojë. Mekuli veçon faktin se Millosheviqi, në fjalimin e tij, përdor edhe kritikën ndaj kulturës konsumeriste perëndimore, të cilën ia shton edhe kritikës “kundërimperialiste” (f. 146). Të dyja kritikat gërshetohen në fjalim në mënyrë që Perëndimi së bashku me opozitën të portretizohen si “demonët” që duan të rrënojnë “popullin qiellor” serb. Mekuli vë në dukje se e fjalimi i tretë është më i gjatë se të parët, sepse Millosheviqit i duhet të përdorë më shumë retorikë në mënyrë që ta kthejë publikun, tashmë mosbesues, në anën e tij. Mirëpo, Millosheviqi nuk ishte më në gjendje ta kontrollonte shpërndarjen e mesazhit në publikun serb, për të cilin mediat më të besueshme ishin ato opozitare, të cilat po e nxisnin popullin për t’i dhënë fund sundimit të Millosheviqit. Ai perceptohej si një diktator, edhe pse një dekadë më parë shumica e serbëve e kishin brohoritur si shpëtimtarin e tyre.

Analiza e Mekulit është e pasur dhe e shkruar me një gjuhë të rrjedhshme. Referencat shkencore janë të përqendruara sidomos në dy kapitujt e parë, por kjo nuk do të thotë se leximi i tyre është i vështirë. Përkundrazi, përmendja e autorëve dhe e teorive të retorikës, që nga Aristoteli e deri në ditët tona, ndjek një linjë logjike dhe të qartë. Libri i Gëzim Mekulit “Fjalimet që përgjakën Ballkanin” është një lexim i nevojshëm për studentët dhe studiuesit e shkencave të komunikimit, të historisë dhe të një publiku të interesuar për marrëdhëniet midis retorikës, ideologjive dhe pushtetit në Ballkan.

Recension për librin “Fjalimet që përgjakën Ballkanin: Analizë retorike e fjalimeve të Millosheviqit”, të autorit Gëzim Mekuli (Prishtinë: Alphabet J&H, 2022).

Filed Under: Komente

Në ditën e përkujtimit të viktimave… (Vijimi dhe fundi)

August 24, 2022 by s p

Pëllumb Kulla

HAZNEDARI, PORTRET ME VETËM NJËRËN NGA BOJRAT (3)

Shkrimtari amerikan Xhek London ka një roman, me titull “Ujku i Deteve”, ku ka vënë në qendër një personazh që mban vërtet emrin e ujkut. Është kapiten i një vapori dhe quhet Ullf Larsen.

Ky njeri është i mbrujtur me një filosofi materialiste të egër. Ai thotë se njeriu nuk i zgjon asnjë ndjenjë frenuese dhe nuk ia hollon delikatesën. Asnjë paragjykim nuk e bën atë të ndjeshëm përpara qënies njerëzore. Ai mund të rrahë, të torturojë, apo ta vrasë njeriun njësoj sikurse vret një lepur, ther një dele dhe një pulë, apo i çan barkun një peshku.

“Ju nuk më thoni asgjë dhe nuk më qortoni kur i bëj këto gjëra,” thotë ai. “Sapo vras një njeri, ju menjëherë ulurini. Sa të padrejtë! Të gjithë si vlera jemi të barabartë në faunën natyrore dhe i forti është mbi të gjithë!”

Thonë, se sa kohë ishte i pa angazhuar me lëvizjen komuniste, Nevzat Haznedari lexonte shumë. Nuk kam të dhëna nëse zotëronte ndonjë gjuhë të huaj dhe nëse e ka lexuar këtë libër të fryrë me teoritë niçeane të Mbinjeriut dhe që ende nuk është i përkthyer në gjuhën tonë, por libra të tillë me mësime të llojit, që përhapnin kulturën e torturës pa skrupull, duket që ka lexuar mjaft.

Pastaj I ka lënë këto lexime dhe na shkroi e na la librin e tij.

Gjeneralit Nevzat Haznedari, për vite dhe vite me radhë drejtor i Degës së Hetuesisë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, i jepet autorësia e manualit të llojeve të torturës që ushtroheshin në qendër dhe në rrethe për të arritur pranimet e fajeve të sajuara nga Sigurimi i Shtetit, mbi të cilat ishin bazuar kapjet dhe arrestimet e njerëzve.

Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, në pavionin e gjenocidit komunist, në një tabelë numërohen afro njëzet lloje torturash fizike, që përdoreshin në burgjet e diktaturës enveriane. Ishin kryesisht të importuara nga praktikat hetimore hitleriane dhe staliniane. Zbatimi në Shqipëri solli një pasurim të shumëllojshmërisë së tyre. Tabela në pavionin e gjenocidit rreshton:

• Jeleku i torturës.

• Dëmtimi i organeve gjenitale.

• Kamxhiku dhe druri.

• Lënia pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe mbajtja në këmbë për ditë të tëra.

• Përdorimi i korrentit elektrik, deri në humbjen e ndjenjave.

• Varje në qafë të zinxhirëve me peshë të rëndë.

• Varje prej krahësh, lidhur mbrapa, në lartësi që këmbët prekin tokë me maja gishtash.

• Mbushja e gojës me kripë.

• Dërgimi gjoja për pushkatim, zbrazje armësh dhe hipja në trekëmbësh për varje.

• Futje me kokë poshtë në një fuçi me ujë.

• Djegje e mishrave me cigare, ose me hekur të skuqur.

• Hedhja e alkoholit në duar, apo në flokë dhe ndezja e tij.• Thyerje kockash dhe shkulje e mishit me darë.

• Dhënie gjelle të kripur dhe më pas lënia pa ujë.

• Futja në ujë të ftohtë e të dënuarit dhe lënia lagur e tij, në dimër.

• Pakësim gradual i ushqimit, për të shkaktuar vdekjen pas një kohe të caktuar.

• Përdorimi i lëndëve kimike për ngacmim, apo dëmtim të sistemit nervor.

• Lidhja me pranga duar e këmbë, për një kohë të pacaktuar.

• Përdorimi i zgjojeve të bletëve ndaj të burgosurve të zhveshur.

Të burgosur që kanë kaluar nëpër ferrin e Haznedarit, ankohen se në tabelë janë harruar dhe plot lloje të tjera torturash, disa nga të cilat janë më të tmerrshme se ato të publikuarat. Të tilla ata quajnë: lidhjet në shtylla betoni në vende të ekspozuara në diell deri në vdekje; përdhunimi i femrave të familjes në sytë e të ndaluarit; ndërsimi i qenve të kufirit dhe kafshimet që u bënin ata, atyre që ishin zënë duke u arratisur; fryrja e zorrëve me pompë nëpërmjet anusit; torturat dentale me thyerje dhe heqje dhëmbësh e dhëmballash pa mpirje; shtrëngimi për të ecur zbathur përmbi prushin e ndezur dhe plot e plot të tjera tortura, hartuar me fantazinë e një njeriu të egërsuar me llojin e vet.

Shumëkush mund të mendojë, se këto vepra të shëmtuara çnjerëzore i bënin shërbëtorët xhelatë në bodrume të errëta, larg syve të shefave që i kishin urdhëruar. Jo! Stalini këto i kish shfaqjet më të preferuara dhe i shikonte ose të filmuara, ose atypëraty, duke u ulur në një kolltuk përtej xhamesh nga ai nuk dukej. Kurse Haznedari, Hekuran Isaj dhe Feçor Shehu e shumë të tjerë, nuk e kishin problem dukeshin, apo nuk dukeshin: ata uleshin qetësisht pa ia bërë syri tërrr, në një anë të dhomës së torturave, pinin duhan dhe kënaqeshin në një shfaqje shumëngjyrëshe, me gjak, fekale, me klithma dhe ulurima.

Para syve të tyre përpeliteshin nën duart e zellshme të torturuesve të etur për karriera në këtë fushë, akademikë, fshatarë, ushtarakë, komandantë të njësive partizane dhe deri anëtarë të Byrosë Politike.

Vetvetiu të shkon mendja se Haznedarët si Stalini e kënaqnin urinë e tyre spektatoriale vetëm me të soditur. Aspak! Dy sigurimsa të devotshëm, rënë vite më vonë në grackën e zakonshme të shokëve të vet, tregojnë përpara hetuesit, veç e veç, por ama në një renditje të hollësishme dhe me një ngjashmëri tregimesh që të rrënqethin, se si e qysh kishte qenë fundi dhe vdekja e stërmundimshme e Komandantit të Flotës Ushatarako-Detare të Republikës, Teme Sejkos, në një shtëpi të veçuar të Maminasit.

Emrat e dëshmitarëve nga radhët e Sigurimit enverian janë Qemal Xhaferri dhe Islam Gjondeda. Ata treguan:

Katër vetë, ndarë dy e nga dy, mbanin dy anët e një litari prej kërpi lakun e të cilit e kishin kaluar rreth qafës të Teme Sejkos dhe e tërhiqnin nga të dy anët njëkohësisht për ta mbytur admiralin, këtë shokun e tyre, të maleve partizane!… Fatziu admiral fryhej në fytyrë sytë i dilnin avash avash nga orbitat dhe kështu vazhdoi deri sa ai dha shpirt i mbytur. Po këta që e mbytën, ashtu si qenë së bashku e shoqëruan trupin pa jetë të admiralit dhe e varrosën në një skaj të Linzës në kodrat e Tiranës, në një gropë që Xhaferri dhe Gjondeda, që të dy, thonë që nuk e dinin se kush e pat hapur. Dhe të katër mbytësit ndenjën të pranishëm deri sa i mbyturi me litar u mbulua me dhè.

Me siguri duhet të ketë lindur kureshtja se cilët ishin vallë këta njerëz në të dy anët e litarit prej kërpi.

Të njohur janë. Më i panjohuri prej tyre mbante gradën e gjeneralit.Këta quheshin Nevzat Haznedari, Mihallaq Ziçishti dhe Rexhep Kolli. Dëshmitarët flasin për praninë e Kadri Azbiut, por nuk thonë nëse e tërhoqi apo jo, litarin, Azbiu.

Pas këtyre dëshmive është vështirë të kuptohen, çfarë prisnin dhe përse qahen Kullat e Zëmblakut?! (Fund)

Filed Under: Komente Tagged With: pellumb Kulla

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 93
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • …
  • 479
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT