• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lamtumirë Joy Watkins, Amerikane shpirt flori !

December 20, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Sot familja Watkins është në ditë zie për humbjen e nënës, bashkëshortes, gjyshes shembullore, Joy Watkins.  Po aq ditë të trishtë e ka dhe familja Zylo, vjehrra e vajzës së madhe Valbonës dhe krushka jonë.  Ajo vdiq në Gettysburg në Pennsylvania në moshën 73 vjeçare nga kthetrat e djallit Covd 19-të shpikur nga djajtë.  E pa sëmurur kurrë ra në koma një muaj në intubim në spital dhe nuk i mbijetoi dot edhe pse nen kujdesin intensiv mjekësor.  

Joy Watkins ishte një zonjë e urtë amerikane, që me edukatën e saj të lartë, dhe si një besimtare e devotshme diti të rrëmbejë zemrat tona shqiptare me respektin dhe dashurinë që tregonte në radhë të parë për vajzën tonë Valbonën, familjen dhe gjithë shoqërinë.  Ajo punoi gjithë jetën në qendër mjekësore derisa doli në pension e respektuar nga kolegët dhe miqësia e saj.  Në mirësinë e shpirtit, rregullin e organizimit të përsosur në çdo aspekt mësova shumë.  

Ajo çdo vit mblidhte 6 nipër dhe tri mbesat në shtëpi për 3 javë së bashku me bashkëshortin e saj të mrekullueshëm Ronaldin, për t’i bashkuar me njeri tjetrin si gjak dhe për të qenë tërë jetën të lidhur si Watkins.  Çfarë kujtimesh të paharruara kanë nipërit dhe mbesat për të!  Sa herë fillonin ditën e parë të shkollës nipërit dhe mbesat, ata vinin së bashku dhe i uronin për këtë ditë të shenjtë.  Me të drejtë bashkëshorti i saj Ronaldi na shkruajti, kur shkëmbenin mesazhe për të ditur rreth shëndetit të saj dhe ndërmjet tyre shkruante: “Kushdo që e ka takuar Joy-n ka qenë i bekuar”.  Dhe vërtetë ne e ndjejme në shpirt dhe zemër bekimin e saj.  

Kjo pandemi plagosi rëndë shumë familje në botë, për rrjedhojë dhe familje amerikane dhe shqipare si në rastin në fjalë.  Unë me Qemalin kemi kujtime të shkëlqyera me Joy-n, kujtimin e fundit e kishim në këtë shtator, kur ajo erdhi tek familja e djalit të saj Todd për të uruar fëmijët për shkollë dhe për t’u kujdesur për ditë me radhë për to.  Ne e ftuam në shtepinë tonë dhe darkuam së bashku si gjyshër me Dean dhe Emmën.  Ishin biseda shumë familjare dhe të ngrohta ashtu siç dinte t’i krijonte ajo.  Ditën tjetër po në shtator shkuam në New Jersey për të mbledhur mollë me dy mbesat.  Krishtlindjet e fundit vjet në dhjetor i festoi tek Klodiana dhe Kurt në Long Island, çfare lidhjesh të aferta që kishim!  

Familja e tyre fliste me admirim për Shqipërinë, pasi ata e vizituan për 10 ditë kur martuan djalin e tyre Todd-in me vajzën tonë Valbona.  Edhe pse janë shumë tradicional ata e pranuan me kënaqësi të vinin si familje dhe miqësia e tyre 15 veta të bënin dasmën në Tiranë, atje ku u lind dhe u rrit Valbona.  Ata në ditën e dasmës bënë foto dhe para Ministrise së Mbrojtjes dhe Unniversitetit, Korpësit qndror në Tirane si shenjë mirënjohjeje për Qemalin që kishte mbaruar aty inxhinierinë mekanike.  Të dy prindërit e Todd-it ishin shumë të lidhur me Valbonën, pasi e çmonin besnikërinë e saj, sidomos kur Valbona priti Todd-in për 7 vjet i cili ishte me shërbim në Gjermani dhe Irak.  Ata nuk ishin fejuar akoma.  Ata të dy u dashuruan në Universitet në Pennsylvania, por detyra e fushës së mjekësisë në ushtri e çoi me punë jashtë Amerikës.  Joy kishte ardhur dhe pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” së bashku me djalin e saj Bryan, drejtor shkolle, Gettysburg për të parë mesimin nga afer shqip të mbesave të tyre për të cilat ndiheshin krenar që po mësonin gjuhën e nënës së tyre.   

Ata kishin marrë pjesë në disa aktivitete tonat familjare dhe shqiptare dhe për këtë ndiheshin krenar për lidhjet tona miqësore aq të afërta dhe të respektueshme.

Joy ashtu sic ka dhe emrin që përkthehet (gezim) i mblidhte së bashku tri familjet e fëmijëve në ditë festash dhe e fundit ishte ftesa dhe plani që kishte bërë për këtë vit në Ditën e Falënderimeve, por nuk mundi dot nga sëmundja makabre që e rrëmbeu.  

Ikja e saj na tronditi pamasë dhe la në pikëllim bashkëshortin e saj fisnik Ronald, tri djemtë e mrekullueshëm dhe 9 nipër e mbesa që i donte aq shumë

Paç paqe në Parajsë dhe Dritë të paste shpirti e ëmbla Joy!

Lamtumirë mikja jonë e shtrenjtë shpirt flori!

20 dhjetor, 2020

Staten Island, New York   

Filed Under: Komunitet Tagged With: Joy Watkins, Keze Kozeta Zylo, nderroi jete

U NDA NGA KJO JETË DR. RAMADAN XHEMA

December 15, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Javën që kaloi, vdekja mizore shkëputi prej gjirit tonë edhe një tjetër patriot, luftëtar lirie, një tjetër besnik dhe aktivist të palodhur të mbarë çeshtjes kombëtare – një aktivist të dalluar, sidomos në përpjekjet për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës – luftëtarit të palodhur në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve autoktonë në trojet e veta në ish-Jugosllavi dhe një anëtar shumë i respektuar i komunitetit shqiptaro-amerikan, Dr. Ramadan Xhema.  I ndjeri ndërroi jetë me 8 dhjetor, 2020 në Kosovë, ku ishte këthyer për të kaluar vitet e fundit të jetës së tij.  

I akuzuar dikur si “Aktivist i Shqipërisë së Madhe” nga autoritetet komuniste të ish-Jugosllavisë, jeta e Dr. Xhemës ishte plot vuajtje, por edhe e pasur me një qendresë të fortë dhe i palodhëshëm në përpjekjet dhe qendresën e tij të vazhdueshme përball dhunës së përdorur kundër tij dhe shokëve të tij — të të njëjtit mendim e qëllim — nga policia serbo/jugosllave e kohës.   

Dr. Ramadan Xhema ka lindur më 17 dhjetor të vitit 1936 në Tupallë, komuna e Medvegjës, njëri prej 9 fëmijve të Abaz Jusuf Vranocit.  I riu Ramadan, shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Prishtinë, ndërsa më vonë u transferua në Shkollën Normale të Gjakovës, për të vazhduar më vonë Fakultetin e Mjekësisë. Fillimisht punoi si mësues në Prishtinë dhe pastaj vazhdoi studimet në mjekësi në qytetin Rijeka të Kroacisë.  Sipas biografisë së tij, Ramadan Xhema dallohet, që heret, për veprimtarinë e tij patriotike, duke renë, më në fund, në prangat e policisë ish-jugosllave.  Si shumë intelektualë të kohës së tij në Kosovë, ashtu edhe Ramadan Xhema dallohej për kundërshtimin e tij anti-jugosllav si dhe ndaj politikës së shpërnguljes me forcë të shqiptarëve nga trojet shqiptare për në Turqi – në bazë të marrveshjeve ndërshtetërore midis ish-Jugosllavisë dhe Turqisë, me objektivin anti-shqiptar, të dy palëve, për të zbrazur trojet shqiptare dardane nga popullësia shqiptare autoktone.  Arrestohet dhe burgoset, i akuzuar si “Aktivist i Shqipërisë së Madhe”, ndërkohë që më vonë lirohet nga autoritetet ish-jugosllave, si i pafajshëm. 

Në këtë ndërkohë, ai largohet nga Kosova duke u arratisur nga ish-Jugosllavia në vitin 1980 dhe vendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku, tanimë, vëllai i tij më i ri në moshë, Xhim Xhema, biznismeni lobisti dhe aktivisti më i njohur i çështjes kombëtare në Amerikë, e që njihej si i tillë, jo vetëm në komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe në sallat dhe koridoret e niveleve të pushteteve më të larta shtetërore dhe qeveritare të Shteteve të Bashkuara në Washington.  Ishte koha e bërjes së historisë nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe i ndjeri, Dr. Ramadan Xhema, përkrah vëllait të tij Xhim Xhema — pjesë e pa ndarë e komunitetit shqiptaro-amerikan — për 30-vjet nuk pushuan së punuari, së bashku dhe me të tjerë, për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë që gëzon sot Kosova, si shtet i pavarur dhe sovran.

Ndërroi jetë Dr. Ramadan Xhema, i cili së bashku me vëllain e tij Xhim Xhema loboi për Kosovën dhe për kauzat mbarë-shqiptare në SHBA, sidomos në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Dardanisë

Ardhja e Dr. Ramadan Xhemës në Shtetet e Bashkuara në vitin 1980, shënoi fillimin e aktivitetit të tij në mbështetje të drejtave të shqiptarëve në Kosovë së bashku me vëllain e tij Xhimin, i cili tanimë – në bashkpunim me shumë aktivistë të tjerë shqiptaro-amerikan — ishte në kulmin e veprimtarisë së tij patriotike me qëllim të ndërkombëtarizimit të çeshtjes së Kosovës dhe të çeshtjes së të drejtave të shqiptarëve, në përgjithësi.

Në një mesazh të Shoqatës Medvegja në Zvicër, me rastin e kalimit në amshim të Dr. Ramadan Xhemës, thuhet se, “Kontributi i dy vëllezërve Xhema në Amerikë është e do të mbetet Hyjnore për çdo Shqiptar në botë, pa të cilët dihet që Kosova sot nuk do të ishte Shtet i Pavarur, por as Shqipëria në Nato dhe Shqiptarët nuk do e kishim këtë pozitë në Gadishullin tonë Ilirikë, andaj Vepra e tyre do të mbetet e gravuar në Piedestalë e do të valon përherë në Alltarin e Lirisë, në Iliri!”, shprehen zyrtarët e kësaj shoqate, zotërinjt Zenullah Namani dhe Fadil Selmani në mesazhin e tyre nga Zvicra, me rastin e vdekjes së bashkvendasit të tyre.

Ndërsa Hydajet Hyseni shkruan duke iu referuar të ndjerit Dr. Ramadan Xhemës, si, “Shqiptaro – amerikani që mbi gjithçka kishte çështjen shqiptare, dinjitetin dhe interesin e popullit dhe kombit të vet.  Lobist midis lobistëve, tok më vëllain Xhim-in dhe me shumë miq e shokë, me mision ndërkombëtarizimin dhe afirmimin e çështjes shqiptare dhe luftës së imponuar shumë shekullore çlirimtare shqiptare. Bir i kombit shqiptar dhe mik mirënjohës i Amerikës mirëpritëse, demokratike e Wilsoniane, të cilit i shkonte aq bukur ajo thirrja largpamëse e Fan Nolit: ‘mbahu Nëno mos kij frikë se ke djemtë në Amerikë…’. Mik i Amerikës mike, gjithmonë me Shqipërinë Nënë…”, kujton Z. Hyseni, Dr. Ramadan Xhemën, në kalimin e tij në amshim, javën që kaloi.

Ky, pra, ishte Dr. Ramadan Xhema! Përherë shembëll atdhetarizmi dhe burrënie për të gjithë, si edhe pasqyrë aktivizmi të shëndosh, në mbrojtje të interesave dhe të drejtave të shqiptarëve kudo!  

Pikëspari, ngushëllimet më të përzemërta mikut dhe bashkpuntorit prej dekadash, Xhim Xhema, këtu në Shtetet e Bashkuara si dhe familjes së gjërë Xhema anë e mbanë trojeve tona për humbjen e rëndë të vëllait të tyre, Ramadan Xhemës — por të vetdijshëm se vëllezërit Xhema në Shtetet e Bashkuara, në saje të gjakut të tyre farefisnuer dhe punës së tyre të vazhdueshme në interes të Kombit shqiptar, kanë fuqizuar rrënjët dhe kanë përtërirë frymën e shqiptarizmit dhe të atdhedashurisë, jo vetëm këtu në Amerikë, por edhe më gjërë.

Frank Shkreli

                                            Dr. Ramadan Xhema

Aktivisti i çeshtjes kombëtare në Amerikë, Xhim Xhema, i-sh Senatori Robert Dole, ish-kongresisti arbëresh Xho Dioguardi dhe Dr. Ramadan Xhema, 1980-at në Washington

Top of Form

Filed Under: Komunitet Tagged With: Dr.Ramadan Xhema, Frank shkreli

Në tre Vjetorin e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. New York

December 14, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Ndonëse për një shoqatë shqiptare në Amerikë mund të mos jenë shumë si vite, por për nga larmishmëria e aktiviteteve të saj shumë të rëndësishme që ka organizuar duket sikur të jetë prej 10 vjetësh.   Këtë e them me konfidencë dhe krenari ngase kam marre pjesë dhe e kam parë nga afër punën që ka bërë kjo shoqatë qysh në fillimet e saj.  Ajo ka rrugëtimin e suksesit çka e çmoj dhe e vlerësoj për punën e dobishme në komunitet dhe më gjerë.  

Në pikun e Luftës pandemike me të cilën po përballet bota, Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skenderbej” me kryetarin e saj z.Mark Qehaja, n/kryetar z.Imer Lacaj, sekretare znj.Alketa Ktona Veshi dhe anëtarët e kryesisë si: Arta Xhaferri, Faton Zogiani, Nikollë Nilaj dhe Glen Nutaj kanë qenë në ballë të punëve për ta ngritur dhe më lart emrin e kësaj shoqate.  

Në këto 3 vjet kam ndjerë se sa me përgjegjësi punon kryetari, n/kryetari, sekretarja dhe kryesia për ta mbajtur lart emrin e madh të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Heroit Kombëtar, emër që kanë pagëzuar shoqatën e tyre.

Programin e aktivitetit në Online e drejtoi sekretarja e shoqatës znj.Alketa Veshi për të cilën më duhet të them se ka qenë shume aktive dhe me kontribut serioz për këto tri vjet të krijimit të shoqatës.  Ajo tha se tri vite para, ekzaktësisht ne të njëjtën datë si sot, u bëmë bashkë një grup miqsh me dëshirën për të qenë krah njeri tjetrit, për t’u gjendur pranë ne raste gëzimesh dhe nevoje.  Ne jemi krenarë për çfarë kemi arritur në keto tri vite jete të shoqatës “Skënderbej” Inc.  Sot nuk jemi më një grup i vogël miqsh, por nje shoqatë e konsoliduar, sot ne parashikojmë të ardhmen si nje zë i fuqishëm i Diasporës!  Jeta prej mergimtari që secili prej nesh ka zgjedhur,  këtu në shtetin më modern, në kryeqëndren e botës, larg Mëmëdheut tonë të dashur, ta bën më të ndjeshme domosdoshmërinë e të pasurit afër të miqve të vërtetë, të miqve që festojnë nën të njejtin Flamur. 

Nën tingujt e Himnit të Flamurit në ekran u shfaq kolazhi me foto nga aktivitetet e shoqatës ndër vite.

Nga fjala e kryetarit të shoqatës z.Mark Qehaja

U bënë tre vjet që nga krijimi i Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej”, kjo ka qenë kohë e mjaftueshme për  të shpalosur gjithë veprimtarinë tonë, për të konsoliduar më tej strukturën organizuese e drejtuese, nxjerrjen në pah të vlerave, përpunimin e objektivave  për një zhvillim normal të aktivitetit tonë në përputhje të plotë me statusin e miratuar.

Mirënjohja jonë sot shkon për ata që e bënë të mundur themelimin e kësaj shoqate e në veçanti për z Bashkim Shehu, z.Qemal Zylo, Imer Laçaj, Anton Deda, Clirim Musta, Kujtim Nutaj dhe Mark Qehaja, avokatin e njohur z.James Mandel që përgatiti dokumentacionin e gjithashtu Departamentin e Shtetit të New York-ut që e njohu ligjërisht.

Po t’i hedhim një vështrim në harkun kohor të tri viteve kemi shumë arsye për të qenë entuziastë. Festimi i 550-të vjetorit të lindjes së Heroit tonë kombëtar ka qenë një aktivitet i mire organizuar, historik për shoqatën tonë. Krenare që shoqata jonë mban emrin Skënderbej dhe për vlerat kombëtare që promovon këtu në Amerikën e demokracisë e të zhvillimit botëror.

Festimi i Pavaresise së Amerikës, Atdheut tonë të dytë, pjesëmarrja dhe organizimi i aktiviteteve për këtë këtë rast, janë dhe mbeten obligimi yne i vazhdushëm i vlerave të qytetarisë dhe respektit për shtetin e madh amerikan ku jetojmë e kontribojmë.

Shoqata jonë është perfaqësuar denjësisht e ftuar në një nga seancat e Kongresin Amerikan për krimet në Kosovë.  Zëri ynë është dëgjuar në çdo tubim që është mbajtur për çështjen e Kosovës, për dënimin e krimeve të Serbisë në Kosovë.

Me shumë interes është pritur simpoziumi shkencore i organizuar për gjeniun e Kombit tone At Gjergj Fishta. Organizimi i këti aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, Qendrën kulturore “NënëTereza” me komunitetin Shqiptaro Amerikan dhe përfaqësues të medieve.  Kishte një pjesëmarrje të gjerë të studiuesve të At Gjergj Fishtës,  shkencëtarë e personaliteteve elitare nga Shqipëria  dhe atyre nga Amerika e Diaspora, të shoqatave e organizatave shoqërore. 

Sot dua të falënderoj të gjithë anëtarët e shoqatës për këtë organizim të jashtëzakonshëm. Mirënjohje për kryetarin e nderit z.Bashkim Shehu, i cili në cilësinë e kryetarit të Shoqatës organizoi këtë veprimtari të madhe e të veçantë, pjesëmarrësit nga Shqipëria, poetin Agim Doci “Mjeshtër i Madh”, Dr.Rovena Vata, Z.Paulin Zefi, studiues dhe drejtor i Muzeut të Lezhës pinjollët e Familjes Fishta si Simon Ndoka e Besnik Paci. 

Mirënjohje për Dom Pjetër Popaj, Kryetarin e Këshillit të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, z.Nikollë Grishaj, z.Marjan Cubi drejtues i qendrës kulturore “Nënë Tereza”, z.Fran Shala e 

z.Gjergj Domgjoni, pasardhës i familjes Fishta, z.Frank Shkreli ish drejtor i divizionit për Europën e Azinë në Zërin e Amerikës, Z.Mhill Velaj  kryetar i shoqatës së shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë, z.Nosh Camaj, z, Nikollë Nilaj studiues, Lekë Celaj  z.Blerim Gjocaj, ish luftëtar i UCK-së, zotin Imer Lacaj dhe zotin Lek Preci.

Nderuan  aktivitetin  Z,Mark Gjonaj Këshilltar në Bashkinë e New Jork-ut, z. David Tubiolo ligjvënës në Westchester County, Z. Marko  Kepi, President i organizatës “Rrënjët” i cli i dorëzoi mirënjohje z.Perparim Likollari aktivist i njohur i shoqatës  shoqatës sonë, Dr. Pashko Camaj nga Federata “Pan Shqiptare Vatra”,shoqata “Devolli” me kryetar z. Odise Salillari, z.Haki Collaku dhe z.Agim Kola, përfaqësues nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, Filadelfia dhe z,Ibrahim Kolari ish Kryetare i Shoqatës “Dibra” etj, të cilëve u përcjellim falënderim të veçantë.

Artistët e mirënjohur Tomë Gjergji, Shaban Lajçi  dhe Xhevat Kukaj për interpretimin e vargjeve të Fishtës, lahutari Martin Smajlaj.  Pjesëmarrja e artistit Gëzim Nika Mjeshtër i Madh, Valbona Peraj, Zamira Laçaj, grupi i valleve “Rozafati” Mjeshtër i madh dhe këngëtarëve të tjerë i dhanë hijeshinë e bukurinë aktivitetit.

Dua të veçoj punën e jashtëzakonshme dhe kontributin e veçantë të z.Kozeta Zylo moderatore e simpoziumit, shkrimtare, poete, bashkëthemeluese e TV “Alba Life” dhe shkollave Shqipe në New York, Ambasador i Kombit, të z.Qemal Zylo themelues i TV dhe shkollave shqipe si dhe procudent, Anëtar Nderi i Shoqates sonë, z.Dalip Greca editori i Gazetës “Dielli” etj.

Shqiperia ka qenë dhe mbetet malli dhe dashuria jonë e përhereshme.

Solidariteti njerëzor e human u pa qartë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 Nëntorit 2019.  Kontributi ynë modest në ndihmë të popullsisë së dëmtuar rëndë në zonën e Thumanës, në fshatin Bubq dhe prezenca jonë në mbështetje të banorëve të dëmtuar është shprehje e qartë e vlerave njerëzore e humane që karakterizon shoqatën tonë.

Organizimi për kremtimin e ngjarjeve dhe datave historike, njerëzve të shquar që kanë kontribuar për Kombin, Festimi i Shpalljes së Pavarësisë, ditës së Flamurit etj kanë qenë dhe mbeten në të ardhmen angazhimi ynë konstant.  Ne e kemi shtrirë aktivitetin tonë në Shqipëri dhe në Kosovë.

Vizita dhe vlerësimi i lartë i autoriteteve të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosoves ka qenë nder dhe inkurajim për Shoqaten tonë. Ndjekja e aktivitetit dhe prezenca e Drejtorit të Kabinetit të Ministrit te Mrbojtjes, z.Jashar Ramadani të këshilltarit për sigurinë kolonel Feriz Trezhnjev, të veteranëve të Luftës së UCK-së, z.Nikë Marashi etj janë tregus i qartë i këtij vlerësimi.

E pa harrueshme do mbetet vizita në Prekaz, në shtëpinë e Jasharajve dhe biseda me djalin e heroit legjendar Adem Jashari z.Lulzim Jashari.

Në varrezat ku prehen pjestarët e familjes Jashari shoqata jonë nderoi kujtimin e heroit legjendar Adem Jashari e të familjes së tij që flijuan jetën për Liri.

Shoqata jonë vazhdimisht ka qenë në mbështetje të luftes së Kosovës kunder pushtuesve serb.  Thirrja nga gjykata e Hagës të drejtuesve të UÇK-së ishte djallëzore e i pa drejtë dhe se nuk e zbehin aspak rolin dhe luftën çlirimtare të Kosovës, ndërkohë që në bankën e të akuzuarve duhej të ishin drejtuesit e organizatarët e genocidit serb.

Ne aktivitetet tona të përditshme me përparësi kemi parë bashkëpunimin me Federatën Pan Shqiptare “Vatra” duke e cilësuar këtë si Vatra e madhe e shqiptarëve dhe e drejtuesve mendje ndritur ndër vite. Takimi dhe pritja e bërë pjesëtareve të shoqatës nga anëtarët e Vatrës dhe drejtuesi i saj z.Elmi Berisha është në traditën e mirënjohur të saj dhe në respektin që ushqejnë për shoqatën tonë.

Këto ishin shkurtimisht disa nga veprimtaritë kryesore të shoqatës sonë në këtë tre vjetor më hollësisht e në mënyrë të detajuar i kemi analizuar herë pas here në takimet tona periodike. Grupi i punës do hartojë drejtimet kryesore për vitin 2021 mbi bazën edhe të diskutimeve që do bëhen rreth keti materiali.

Ju uroj të gjithë anëtarëve miqve bashkëpunëorevë gëzuar festat e fund vitit,s hëndet e lumturi në familjet tuaja. Ndoshta kjo situatë nuk do na lejojë të organizohemi së bashku, por me shpresën së shpejti do u kthehemi gëzimeve tona të përbashkëta familjare dhe shoqërore.

Përshëndetje nga të ftuarit dhe pjesëmarrësit

Znj.Alketa Ktona Veshi ftoi pranë ekranit z.David Tubiolo anëtar i Bordit të ligjvënësve  të County Westchester.  Z.David Tubiolo nuk e ka për herë të parë që merr pjesë në këto organizime jo vetëm të shoqatës “Skenderbej”, por është i mirëpritur dhe në shumë organizime të tjera të komunitetit.  Z.Tubiolo ka qenë një nga suportuesit kryesor të shoqatës.  Ai përshëndeti dhe falënderoi anëtarët e shoqatës si qytetarë amerikanë dhe shqiptarë.  Me shumë respekt foli për lidhjet e tij me shqiptarët dhe shpreson që një ditë Shqipërinë dhe Kosovën ta shikojë të bashkuar.  

Pas Z.Tubiolo fjalën e mori z.Imer Lacaj n/kryetar i shoqatës dhe financier i saj.  Ai me profesionalizëm dhe kulturë mbajti raportin mbi gjendjen financiare të shoqatës, punë që e ka kryer me përkushtim maksimal dhe atdhetar. 

Zonja Alketa Ktona Veshi mbajti kumtesën me evidentime të sakta si: “Anëtaresimet e reja, evidentimi i të dhënave të tyre, dhe mendime për të ardhmen”. Znj.Ktona midis te tjerash tha se: “pavarësisht se ky ka qëne nje vit me aktivitete tepër të limituara për shkak të pandemisë  COVId 19, anëtarët e shoqatës kanë bërë punë sensibilizuese me bashkatdhetarët.  Gjatë vitit 2020 shoqatës i janë bashkur 13 anëtare, me nje potencial të dukshëm intelektual dhe plot prej tyre të rinj me perspektivë.   

Programin e punës për vitin 2021 e paraqiti Z. Mark Qehaja.

Interesante ishte se në këtë takim përshëndetën me fjalë miradie nga Tirana z.Nikolle Qehaja i cili i uroi shoqatës punë të mbarë dhe tha se më ngazëllehet shpirti për sukseset tuaja.  Ju duhet të vazhdoni të punoni për ta mbajtur gjallë shqiptarizmën dhe në Amerikë. Humanisti dhe Aktivisti i Diasporës në Londër z.Skënder Perpepa tha se shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” është një bërthamë fantastike.   

Përshëndetën dhe shumë anëtarë të shoqatës të cilët ndanë mendime dhe opinione të ndryshme duke respektuar njeri-tjetrin në diskutime.  Ata ishin z.Bashkim Shehu kryetar nderi i shoqatës i cili vlerësoi lart punën e kryetarit si dhe të gjithë anëtareve të shoqates për një përkushtim plot me vlera të aktiviteteve të tyre.  Diskutuan znj.Adelina Laçaj, zotërinjtë Blerim Gjocaj luftëtar i UÇK-së, z.Qamil Osmani, Mirlind Bedeni etj, të cilët përshëndetën punimet dhe uruan për vazhdimësi të mëtejshme të shoqatës.

Në këtë kohë pandemike jo pa prekur kanë qenë dhe anëtarët e shoqatës si Nikolle Nilaj dhe Biank Sadikaj të cilët sollën përvojën e tyre.  Ata folën për kujdesin rigoroz që duhet të ketë gjithësecili duke vahzduar rregullat që ka caktuar mjekësia, ndërkohë inkurajuan që të mos frikësohemi se padyshim që do ta mundim këtë armik të padukshëm.  Z.Agim Hasanaj një mësues me përvojë të gjatë në Atdhe shprehu dëshirën për të bashkëpunuar me Shkollën Shqipe “Alba Life” dhe dëshiron të jap kontributin e tij.

Pjesëmarrësit I kanë mbështetur dy artistë të mirënjohur të komunitetit dhe të Kombit të cilët gjithmonë marrin pjesë dhe intepretojnë duke sjellë me pathos patriotik figura të ndritura të Kombit.  Z.Tom Gjergji solli poemën krijuar prej tij kushtuar Burrit të ndritur të Kombit At Gjergj Fishtës.  Ai tha se as 1.000.000 fjalë nuk mjaftojnë për ta përshkruar këtë burrë të rrallë.  Në Mirditë me Gjyshi Pacin bënë histori.  Kombi e ka në krye të tij.  Artisti Shaban Lajci intepretoi poezinë me ndjesinë dhe dhimbjen e emigrantit që nuk shkon dot atje se u mplak, ndërkohë dha mesazhin po shko ti i riu atje dhe më sill një grusht dhe nga toka që digjem mall.  Amanet bre burra kur të vdes më çoni në Atdhe të prehem i qetë. 

Në pikun e pandemisë me shumë vlerë ishte diskutimi i Dr.Merita Shehut

Dr.Merita Shehu tha se ka qenë mjeke kardiologe në Shqipëri dhe për disa kohë punoi dhe pranë spitalit ushtarak Tiranë.  Ajo pohoi se në fillim të përhapjes së Covid 19-të ajo ndjente frikë dhe rrahje të forta zemre kur shkonte pranë të sëmurëve të infektuar, por kur mendoja misionin tim si mjeke i harroja dhe fokusohesha si t’i shpëtoja nga kjo epidemi dhe të dilnin sa më parë nga kthetrat e sëmundjes.  Ne duhet të jemi sa më shumë të izoluar larg kontakteve për të mos u infektuar nga ata që e mbartin, të ndjekim rregullat e higjienës, pastërtinë dhe të marrim ushqime të shëndetshme dhe ajer të pastër.  Ajo foli me profesionalizem dhe dituri per vaksinimin e popullsisë dhe pohoi se vaksinimi do ta ndihmojë popullsinë.  Në këtë temë ajo solli dhe rezervat e një pakice të FDA-s si dhe dy anëtarë të shërbimit mjekësor në Angli që nuk jua pranoi trupi vaksinimin, por ata ndodhen jashtë rrezikut në saje të monitorimit të mjekëve.  Ne nuk duhet t’i humbim shpresat dhe për njerëzit që janë në intubim pasi në Amerike 30-50 % e tyre shpëtojnë nga infektimi.  Dr.Shehu këshilloi të gjithë pjesëmarrësit se vaksinimi është rruga më e mirë dhe unë bashkë me burrin tim do ta marrim patjetër.  Këshillat e Dr.Shehut u mirëpritën si një specialiste e mirëfilltë jo vetëm në Shqipëri, por dhe si mjeke në vijë të pare në frontin e luftës kundër Coronavirusit në Westchester ne Amerikë.

Shumë gjeneroze ishte dhurata e bërë nga Steve Laçaj, nje ndër nxënësit e parë dhe të shkëlqyer të Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe që ëshë integruar plot kulturë në botën amerikane.  Ai dhuroi nga 500 dollar për Shkollën Shqipe “Alba Life” dhe Shoqatën shqiptaro Amerikane “Skënderbej”. 

Aktiviteti u filmua direkt nga gazetari Valon Gërbeshi dhe Bujar Sadikaj në zyrën e shoqatës dhe do të transmetohet nga TV “Alba Life” dhe Radio Televizioni i Kosovës.

Ishte një aktivitet për të festuar tre vjetorin e shoqatës “Skënderbej” dhe që sfidon Covidin në këtë kohë të pandemisë botërore.

13 Dhjetor, 2020, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: 3 vjetori, Keze Kozeta Zylo, Shoqata Skenderbej

SHKOI”LUMI”…LAMTUMIRE KOLEG!

December 11, 2020 by dgreca

Lamtumirë Xhevdet Bacova themelues i TV “Arb” në Amerikë dhe Tirana Studio Production!

 Nga Keze Kozeta Zylo/*

Me 10 dhjetor u nda nga jeta Xhevdet Bacova në moshën 62 vjeçare, themelues dhe producent i TV “Arb” si dhe i “Tirana Studio Production”.

Njoftimin e ka dhënë i vëllai i tij Arian Bacova në llogarinë e tij në F/B.  

Mbasi e morëm Arianin për ngushëllim të dy me Qemalin ai na tha se vëllai i tij kishte vdekur me Covid për vetëm 4 ditë infektuar nga kjo epidemi botërore.  Kjo epidemi po bëhet shumë e frikshme dhe disa vende në Amerikë janë bëre si vrima të zeza duke gëlltitur jetë njerëzish…

Me shumë dhimbje dhe të shokuar e morëm këtë lajm të hidhur për kolegun tonë të respektuar dhe të njohur në Diasporë në Amerike.  

Xhevdeti ose siç njihej ndryshe “Lumi” në botën artistike ka dhënë një kontribut të vyer në Komunitetitn Shqiptaro-Amerikan.  Ai me kamerën në dorë ka shkuar dhe ka filmuar ku kanë qenë aktivitete të ndryshme si në festat e Flamurit, të mësuesit, në dasma dhe gëzime të ndryshme duke fiksuar me kamerën dhe aparatin në dorë momente të rëndësishme te kulturës shqiptare në Amerikë.  Ai ka bashkëpunuar ngushtë dhe me TV “Alba Life”.  Sa herë e kemi thirurr kur kemi organizuar aktivitete sidomos kur nuk kemi pasur mundësi t’i mbulonim vetë për Shkollen Shqipe, pasi jemi marrë me organizimin ka qenë i gatshëm të vijë me vëllain e tij, një sportist profesionist dhe i talentuar Arian Bacova si dhe me nipin e tij Bacova që e donte aq shumë.

Kolegët e tij, aktivistë të ndryshëm të organizatave shprehin ngushëllimet e tyre si dhe mirënjohjen e pakufishme që ka dhënë në media.

I ndjeri Xhevdet Bacova ka punuar pranë TVSh-së në Tiranë dhe prej andej ka sjellë përvojen e tij duke ushtruar këtë profesion në Amerikë pasi hapi Studion “Tirana” dhe TV “Arb”. 

Familja humbi njeriun e saj më të dashur, Diaspora Shqiptaro Amerikane humbi një anëtar të saj dhe bota e Medies një koleg të vyer.

Lamtumirë Xhevdet Bacova, kolegu ynë!

Ngushëllime bashkëshortes suaj, fëmijëve dhe gjithë familjes Bacova!

Dritë ju pastë shpirti në Parajsë!* me shume foto gjeni ne Facebook:Gazeta Dielli

Filed Under: Komunitet Tagged With: Lumi, nderroi jete, Xhevdet Bacova

Bijtë e Shqipes e ngritën Flamurin edhe ne Pandemi…

December 2, 2020 by dgreca

Shqiptarët në Filadelfia e ngritën flamurin Kuq e Zi në sheshin e Bashkisë/

NGA SADIK ELSHANI/*

Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia i kushton një rëndësi të madhe festmit të 28 Nëntorit, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që ka hyrë në kujtesën e kombit tonë si, Dita e Flamurit. Kjo ditë shënohet me organizimin e veprimtarive të ndryshme: Mbrëmjen e Madhe të Flamurit (darkë solemne e koncert), vizita nëpër familjet e bashkatdhetarëve, pjesëmarrjen në Paradën e Ditës së Falenderimeve, ngritjen e flamurit në bashkinë e Filadelfias, etj. Por, këtë vit për shkak të pandemisë Covid-19 shumë nga këto veprimtari nuk mund të organizoheshin. U organizua vetëm ceremonia e ngritjes së flamurit Kuq e Zi në sheshin e bashkisë së Filadelfas. Që nga festimi i 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 2012, shoqata “Bijtë e Shqipes” në bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Filadelfias organizon ngritjen e flamurit tonë në Bashkinë e Filadelfias me një ceremoni solemne. Kjo veprimtari nuk është thjeshtë një akt ku ngritet flamuri në mënyrë mekanike, por është shndërruar në një festë të bukur e madhështore ku mblidhen shqiptarët të veshur me rrobat më të bukura, shoqëruar me simbole kombëtare, këndojnë e vallëzojnë, shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, shpalosin vlerat tona kombëtare para qytetit të Filadelfias.  Edhe këtë vit, në datën 27 nëntor u organizua ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin e bashkisë, por për shkak të pandemisë që u cek më lart, këtë vit kjo ceremoni ishte e modifikuar: numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar, duheshin mbajtur maskat; muzika shqiptare jehonte në shesh, por nuk mund të vallëzonim si herave të tjera. Megjithatë, pjesëmarrja ishte e lakmueshme dhe bashkatdhetarët ishin të lumtur të takonin, të uronin njëri – tjetrin, ndiheshin të lumtur, shprehninë kënaqësinë e krenarinë që Shqipëria dhe shqiptarët po nderohen në qytetin e lindjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, edhe përkundër këtyre rrethanave shqiptarët u mblodhën të bashkuar, ashtu siç na thërret Himni ynë Kombëtar: “Rreth flamurit të përbashkuar….” Për rregullimin e skenës, tribunës festive, si zakonisht, u angazhua zoti Haki Çollaku. Skena ishte zbukuruar me flamurin Kuq e Zi dhe atë amerikan. Gati të gjithë të pranishmit mbanin në duar flamujt Kuq e Zi dhe ata amerikanë. Kalamajt, shumica të veshur me veshjet tona kombëtare, gëzoheshin në mënyrën e tyre femijërore. Po ashtu, edhe koha ishte shumë e mirë, pjesërisht me diell dhe e ngrohtë.

Në emër të kryebashkiakut (Mayor-it) të Filadelfias, Jim Kenney, në këtë ceremoni merrnin pjesë Përfaqësuesja e Qytetit të Filadelfias (City Representative), zonja Sheila Hess dhe menagjeri i Veprimtarive dhe Projekteve Speciale po në të njejtin department, z. Robert Nonemacker. Që në çastet e para të takimit tonë, zonjat Hess shprehu befasinë e saj të këndshme, që edhe përkundër rrethanave, kufizimeve, numri i pjesëmarrësve ishte i lakmueshëm. Ceremoninë e hapi zoti Sadik Elshani, i cili u uroi të pranismëve 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe bëri disa njoftime lidhur me programin dhe specifikat e kësaj veprimtarie: mbajtjen e maskave dhe distancën sociale. Pastaj fjalën e mori z. Bujar Gjoka, kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Nga zyra përkatëse e Bashkisë na kishin njoftuar se këtë vit nuk do të ketë program e as fjalime, prandaj edhe z. Gjoka nuk u zgjat në fjalën e tij, por pasi i uroi bashkatdhetarët për Festën tonë Kombëtare dhe i falenderoi ata për pjesëmarrjen në këtë veprimtari të rëndësishme, ai i tha edhe disa fjalë për 28 Nëntorin dhe vendin që zë kjo datë në historinë tonë kombëtare..Pastaj u luajtën himnet kombëtare të ShBA-ve dhe Shqipërisë. Gjatë këndimit të Himnit tonë Kombëtar në shtyllë ngritej flamuri Kuq e Zi, flamuri i shqiptarëve. Për të ngritur flamurin këtë vit u nderua z. Haki Çollaku, veprimtar i dalluar e i palodhur i shoqatës dhe i bashkësisë shqiptaro – amerikane të Filadelfias. Sipas programit e procedurave të qytetit të Filadelfias për veprimtaritë publike nën rrethanat e pandemisë, zonja Hess nuk mbajti fjalim sikurse herave të tjera, por ajo vetëm i dorëzoi zotit Gjoka Proklamatën me të cilën kryebashkiaku i Filadelfias e nderonte Shqipërinë në përvjetorin e saj të pavarësisë dhe e shpallte ditën e premte, 27 Nentor, 2020 që të jetë dita e nderimit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë në Filadelfia. Ndër të tjera në tekstin e Proklamatës lartësohej historia e Shqipërisë, miqësia shqiptaro – amerikane dhe vlerësohej puna e ndihmesa e shqiptarëvë në zhvillimin e përparimin e Filadelfias, duke sjellur kulturën e tyre, vlerat e larta kombëtare e njerëzore.

Pas këtyre fjalimeve të rastit përsëri edhe për disa çaste jehoi kënga dhe vallja shqiptare. Por, nuk u mbyll me kaq kjo veprimtari: Zoti Enver Parllaku i ftoi të gjithë të pranishmit që të shkonin për të pirë një kafe në restorantin që ai drejton. Është traditë të thuhet për një kafe, por z. Parllaku shtroi një drekë të pasur me të gjitha të mirat, pije e ushqim të mjaftueshëm (bollshëm) e të shijshëm. Edhe këtu bashkatdhetarët kaluan ça çaste të këndshme, biseda të përzemërta nën tingujt e muzikës shqiptare. Enveri është një bashkatdhetar bujar që i respekton traditat shqiptare të mikpritjes. Ai në restorantin e tij disa herë ka organizuar veprimtari fondembledhëse për të grumbulluar fonde monetare për godinën e re të shoqatës sonë dhe për t’i ndihmuar bashkëkombësit tanë në Shqipëri pas goditjes së tërmetit të vitit të kaluar. E falenderojmë Enverin për bujarinë, mikpritjen dhe atdhedashurinë e tij.

Kështu edhe këtë vit, në rrethana të modifikuara e të kufizuara, me plot sukses u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit në Bashkinë e Filadelfias. Zemra të mbushet me kënaqësi kur e sheh duke valuar flamurin tonë në qytetin ku u shpallë pavaresia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk mund ta mbyllim këtë shkrim pa i shprehur falenderimet dhe mirënjohjen tonë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetit të Pennsylvanias dhe qytetit të Filadelfias që na kanë pranuar si qytetar të lirë e të barabartë, ku jetojmë, punojmë, studiojmë, rrisim familjet tona dhe me krenari e ngrehim flamurin tonë Kuq e Zi. Të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në botë u urojmë me gjithë zemër: Gezuar 28 Nëntorin! Ndërsa Shqipërisë sonë të dashur i urojmë mbarësi e përjetësi.

*Më shumë fotografi gjeni në Facebook: Gazeta Dielli

Filadelfia, 27 nentor, 2020

Filed Under: Komunitet Tagged With: bijte e shqipes, Flamuri 28 nentor, Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 136
  • 137
  • 138
  • 139
  • 140
  • …
  • 395
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT