• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA PËRKUJTOI 20 VJETORIN E RËNIES SË HEROIT AGIM SELMANAJ

May 1, 2019 by dgreca

20 VJET NGA RENIA E HEROIT AGIM SELMANAJ

Kryeministri Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, me rastin e 20-vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Agim Selmanaj-


Gllogjan, 1 maj 2019- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, bëne homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, me rastin e 20-vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Agim Selmanaj.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, para të pranishëmve të shumtë, deputetë, kryetarë komunash dhe përfaqësues tjerë të shoqërisë, tha se, ka nderin që sot t’i bashkohet homazheve aty ku pushon Agimi dhe dëshmorët e heronjtë e tjerë të Kosovës. 
“Bëhet fjalë për një familje, që ndër breza iu kushtuan lirisë. Këtu kemi babën, axhallarët, të cilët ishin të burgosur politikë, ishin në luftë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se, Agimi ishte që në ditët e para të luftës dhe në njësitet e para në Gllogjan.

Lavdi për Agimin, lavdi të gjithë të rënëve për liri!

Një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se, në këto ditë, anekënd Kosovës, janë duke përkujtuar dhe nderuar dhimbjen dhe sakrificën e të rënëve të Kosovës, që ranë në altarin e lirisë.
“Jemi sot këtu, në Gllogjanin e lirisë, në Gllogjanin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Gllogjanin e Luanit, Shkëlzenit e të dhjetëra dëshmorëve të tjerë, për të kujtuar një hero të Kosovës, një djalë të ri, Agim Selmanaj. Agimi nuk ishte më shumë se 20 vjeçar dhe në vend që të merrte mjetet e mësimnxënies, atij iu desh që të merrte në duar armët e lirisë. Sepse kjo ishte thirrja e atdheut. Në vend që të gëzonte jetën, ai u desh të jepte jetën për lirinë e Kosovës. Ky është çmimi i sakrificës sonë, ky është çmimi i shtetit tonë”, theksoi kryeparlamentari Veseli. 

Ai shtoi se të gjallëve sot, kjo sakrificë, si amanet i këtyre njerëzve, dëshmorëve e të rënëve si Agimi, nuk i lë që për asnjë hap, për asnjë milimetër të lëvizin prapa. 

 “Ta ruajmë këtë shtet të cilin e kemi sot dhe të punojmë edhe më shumë, duke e dashur atë, duke punuar ndershmërisht, duke punuar më shumë, që ta zhvillojmë, duke u dhënë mundësi bashkëmoshatarëve të Agimit, sot 20 vjeçarë, të kenë perspektivë edhe më të mirë në shtetin e vet, në tokën e vet. Të gjithë bashkëluftëtarët duhet të ndihen krenarë me veprën e tyre dhe të punojnë më shumë për vendin”, tha kryeparlamentari Veseli.  ​
Në emër të familjes së Heroit Agim Selmanaj, foli deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rasim Selmanaj, i cili falënderoi të gjithë për nderimin që po i bëjnë Heroit, por edhe gjithë familjes.

Filed Under: Kronike

KOSOVA KËRKON TË ZHDUKURIT E LUFTËS SË PARA 20 VITEVE

April 27, 2019 by dgreca

-Dita e të pagjeturve të Kosovës-27 Prilli, 20 vjet pas luftës ende mbi 1.600 të zhdukur/

 -Në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, në 27 Prill 1999, forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve/

-Në tubimin në Mejë morën pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip S. Kosnett/

 MEJË, 27 Prill 2019-Gazeta DIELLI/  Dita e të pagjeturve të Kosovës – 27 Prilli, me mesazhe për zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që ende figurojnë të zhdukur që nga lufta e përfunduar në qershorin e para 20 viteve, shënohet sot me tubimin përkujtimor në Kompleksin Memorial në Mejë, komuna e Gjakovës.

Në tubimin në Mejë morën pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip S. Kosnett.

PRESIDENTI THAÇI: FATI I TË PAGJETURVE DUHET TË ZBARDHET  URGJENTISHT

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, para familjarëve të të pagjeturve dhe të pranishmëve të tjerë ka thënë se kaluan njëzet vite dhe ende pasojat e luftës nga shteti i Serbisë janë të freskëta, për familjet e të pagjeturve dhe gjithë qytetarët e Kosovës dhe ndërgjegjen demokratike të botës.

 “Serbia kreu spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë. Vrau 13 mijë e pesëqind civilë, gra pleq dhe fëmijë. Kreu mbi 400 masakra anembanë Kosovës, duke përshirë edhe Mejën këtu, ku sot jemi. Vrau 1250 fëmijë. Aparati i shtetit të Serbisë dhunoi 20 mijë gra shqiptare. Dëboi mbi 800 mijë shqiptarë nga shtëpitë dhe pronat e veta”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka shtuar se, për fat të keq, ky gjenocid as nga drejtësia lokale e as  nga ajo ndërkombëtare nuk u ndëshkua.

 “Sikur po kalon në heshtje ndërkombëtare, me tendenca të baraspeshës. Pra, ndëshkimi i gjenocidit serb është zero. Qytetarët e Kosovës e duan të vërtetën dhe drejtësinë”, ka theksuar ai.

I pari i vendit ka thënë se fati i të pagjeturve duhet të zbardhet urgjentisht, i çdo etnie.

 “Kishim shpresuar se në dialogun e Brukselit kjo do të ishte pika e parë, midis dy shteteve tona. Por, Serbia ka kushtëzuar këtë proces”, tha presidenti Thaçi dhe shtoi se, “Kosova nuk do të pranojë proces të kushtëzuar, as në takimin e Berlinit e as gjetiu”.

Kreu i vendit e ka inkurajuar Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, për iniciativën që Parlamenti i Kosovës në një të ardhme të afërt të nxjerrë rezolutën për gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Presidenti Thaçi duke shprehur falënderimin e tij për prezencën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S. Kosnett, ka thënë se kjo prezencë këtij tubimi i jep kuptim të veçantë, rrit shpresat për drejtësi, nderon viktimat dhe lehtëson dhimbjet për familjet e të pagjeturve.

 “U jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës që na qëndruan afër në momentet më të rënda që kemi përjetuar”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i vendit ka shtuar se populli i Kosovës do të jetë përjetë mirënjohës dhe falënderues ndaj SHBA-së.

KRYEMINISTRI HARADINAJ: QEVERIA DO TA RREGULLOJË STATUSIN LIGJOR TË PERSONAVE TË ZHDUKUR DHE TË MARTIRËVE TË KOMBIT 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, 
theksoi se Ligji për Personat e Zhdukur është ligj i ri i cili është në diskutim publik i cili ka për qëllim rregullimin e statusit të personave të zhdukur dhe të martirëve të kombit. 

Kryeministri Haradinaj tha se në këtë ligj nuk ka mekanizëm që do t’i ndalohet pensioni familjeve të personave të zhdukur pas gjetjes së të zhdukurit siç ka ndodhur deri më tani.

Duke shpjeguar procedurat e Ligjit për Personat e Zhdukur, kryeministri Haradinaj theksoi se ligji në gjysmën e dytë të qershorit dërgohet në Parlament, duke vlerësuar se me këtë Kosova dhe populli i saj po i dalin zot dhe po i njohin të drejtën, pra statusin ligjor të personave të zhdukur dhe familjeve të martirëve.

 “Me Ligjin e ri ka rritje të mbështetjes shëndetësore, mbështetjes në arsim, e drejta e bursës, përparësi në sistemimin në konvikte, në shërbimet sociale, transport falas, lehtësira në Doganë dhe obligime tjera tatimore, lehtësira në pagesa të rrymës dhe shërbime tjera komunale, në shërbime shëndetësore në ato primare, sekondare dhe terciare”, tha kryeministri Haradinaj dhe shtoi se familjet do të kenë përkrahje të merituar, të dinjitetshme dhe të vazhdueshme institucionale.

Përmes këtij Ligji, kryeministri Haradinaj tha se ju garantohet drejtpërdrejt pjesëmarrje aktive në procesin e ardhjes së të vërtetës për më të dashurit e familjarëve. Poashtu rregullohet përkrahja e shoqatave që në të ardhmen mos të mbetet vetëm në vullnet të kryetarëve të qeverive.

Kryeministri Haradinaj duke shprehur përkushtimin e Qeverisë tha se pas rregullimit të statusit të kategorisë së viktimave të dhunës seksuale të luftës, tani po rregullohet edhe kategoria e personave të zhdukur, pra të pagjetur dhe martirëve dhe Qeveria e vendit do t’i kryej detyrat e saj dhe do t’i garantoj status ligjor personave, familjeve dhe të gjithë atyre që janë kategori e personave të pagjetur dhe të martirëve.

KRYEPARLAMENTARI VESELI: MEJA ËSHTË SHENJË E LIRISË SONË

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli  tha se në Mejë çdo vit flasim dhe ndajmë dhembjen si komb.

“Meja është shenjë e lirisë sonë. Monument i një populli që me asnjë çmim nuk pranoi nënshtrimin.
Ne çdo vit kujtojmë e ata që kryen këto krime ikin dhe mohojnë. Por, ne asnjëherë nuk do të ndalemi të kërkojmë drejtësi për 186 masakrat e kryera në Kosovë. Nuk duam hakmarrje, duam drejtësi”, tha kryeparlamentari Veseli.

Nga një fjalë në këtë tubim përkujtimor mbajtën edhe  ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini dhe përfaqësuesi i shoqatës “27 prilli 1999 – Mejë” Zeqë Tahiri.

FJALA E AMBASADORIT TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS NË KOSOVË, PHILIP KOSNETT, GJATË PËRKUJTIMIT TË PËRVJETORIT TË 20-TË TË MASAKRËS NË MEJË, 27 PRILL 2019

Mirëmëngjesi, z. President, z. Kryetar i Kuvendit, z. Kryeministër, zonja dhe zotërinj. Kam nderin që jam sot këtu, duke përfaqësuar popullin amerikan, për ti nderuar të gjithë ata që e humbën jetën këtu.

Realiteti i krimeve të kryera në Mejë është aq i tmerrshëm sa që e kam të vështirë ta di çka mund të them që mund të ketë rëndësi. I kujtoj fjalët e presidentit Abraham Linkoln në letrën që ia kishte dërguar një nëne që kishte humbur pesë djem: „E kuptoj sa të dobëta dhe të padobishme mund të jenë fjalët e mia, me të cilat do të përpiqesha t’ua tërhiqja vëmendjen nga pikëllimi prej një humbjeje aq dërrmuese“.

Megjithatë, më lejoni të reflektoj çka nënkupton sakrifica juaj për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ti shpreh disa mendime se si të gjithë përpiqemi ta ndërtojmë të ardhmen më të mirë duke u përballur sy më sy me të kaluarën.

Së pari, të mos lejojmë askënd të harrojë apo mohojë arsyen pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë dolën në mbrojtje të popullit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën pjesë në përdorimin e domosdoshëm dhe legjitim të forcës nga ana e NATO-s si mjeti i fundit për ti dhënë fund fushatës së spastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit, pas dështimit të përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike për zgjidhje paqësore.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vepruan në mbështetje të civilëve të pambrojtur. Vepruam në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit për rajonin. Këto qëllime i pasqyrojnë thellësisht vlerat amerikane. Ne besojmë se të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare, e meritojnë për të jetuar me dinjitet në liri dhe siguri.

E dimë se ka njerëz që do të mohonin realitetin e dokumentuar mirë të mizorive të kryera në Mejë dhe vendet tjera në Kosovë. Mohimi i këtyre ngjarjeve përdhos kujtimin e të vdekurve, ua rihap plagët të gjallëve dhe e kthen rajonin prapa në përpjekjet për të ndërtuar shtete demokratike në paqe me njëri-tjetrin. Pranimi i krimeve kundër njerëzimit të kryera këtu dhe në pjesë të tjera të këtij vendi është jetik për të siguruar që ato të mos përsëriten kurrë më.

E dyta, askush të mos dyshojë sa e thellë apo e qëndrueshme është miqësia mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.

Mbështetja e Amerikës ndaj qëllimit për paqe, drejtësi dhe mbarësi për Kosovën – dhe fqinjët e Kosovës – mbetet e qëndrueshme. Përkushtimi i Amerikës për të ardhmen e Kosovës paraqet një trashëgimi të thellë për ata që vdiqën që Kosova të jetë e lirë.

E kjo më sjell te pika e tretë: rëndësia për tu përballur me të kaluarën për ta trasuar rrugën kah e ardhmja më e mirë. Amerika është krenare me trashëgiminë e të arriturave të vendit tonë gjatë më shumë se dy shekujve të pavarësisë. Por, edhe historia jonë i ka kapitujt e saj të errët, përfshirë padrejtësitë ndaj amerikanëve indigjenë dhe shtypjen e afrikano-amerikanëve.

Përgjatë viteve, amerikanët janë përmirësuar në përpjekjet për të pranuar dhe mësuar nga e tërë historia jonë – e mirë dhe e keqe – duke e korrigjuar cilësinë e teksteve shkollore dhe muzeve tanë dhe duke u bërë më të hapur në diskursin tonë politik. Sepse siç ka thënë aktivistja për të drejtat civile, Ajda Uells, para më shumë se një shekulli: „Mënyra më e mirë për ti ndrequr të këqijat është duke ndriçuar të vërtetën mbi to“.

Trauma e të kaluarës së Kosovës prek çdo cep të këtij vendi – nga veriu në jug – dhe shtrihet përtej kufijve të saj. E kam parë të njëjtën dhimbje që e shoh sot këtu edhe në fytyrat e familjeve të personave të pagjetur dhe në ato të të mbijetuarve të dhunës gjatë luftës nga shumë rajone e komunitete.

Prandaj, për hir të gjeneratave që vijnë pas, e nxis popullin e Kosovës dhe fqinjët tuaj të pranoni dhe të diskutoni drejtpërdrejt për çastet e errëta të historisë suaj të përbashkët.

Për disa, kjo do të thotë pranim të realitetit të fushatës së spastrimit etnik të sponsorizuar nga regjimi i Milosheviqit, që rezultoi me vrasjen dhe zhdukjen e mijërave dhe për tu siguruar që përgjegjësit të japin llogari të plotë.

Për popullin e Kosovës, duhet të nënkuptojë që ju dhe demokracia juaj ti përmbahet një parimi më të lartë dhe të sigurojë llogaridhënie për të gjithë ata individë që kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës, përkundër realitetit të hidhur se shumë fajtorë tjetërkund i janë shmangur drejtësisë deri tash.

E për Kosovën dhe Serbinë duhet të nënkuptojë përkushtim të përtërirë për ti gjetur dhe kthyer trupat e të pagjeturve duke punuar në mirëbesim me bashkësinë ndërkombëtare për të bërë publike dhe për të vepruar në bazë të gjitha informatave në dispozicion.

Fjalët e fundit do t’ua drejtoj të mbijetuarve – juve që jeni mbledhur sot këtu dhe të gjithë të mbijetuarve të krimeve që i kujtojmë sot.

Zonja dhe zotërinj, përgjegjësia për ta çuar Kosovën përpara drejt të ardhmes më të mirë nuk mund të bjerë vetëm mbi udhëheqësit politikë. Barra për të bie edhe mbi ju, si qytetarë të lirë në demokraci dhe si të mbijetuar që e dini çka do të thotë të përjetosh dhunën për shkak të përkatësisë etnike, fetare apo për shkak të gjuhës.

Përderisa i kujtoni krimet kundër familjeve dhe komunitetit tuaj, me respektin më të thellë ju lus që po ashtu të ngrini zërin në emër të atyre nga komunitetet e tjera që i kanë humbur të dashurit.

Ju ftoj t’ua shtrini dorën atyre që e ndajnë dhimbjen dhe pikëllimin tuaj, pa marrë parasysh komunitetin, gjuhën, fenë e tyre. Ju nxis të takoheni me njëri-tjetrin dhe të gjeni gjuhë të përbashkët.

Sepse jeni ju, të mbijetuarit, që keni autoritetin moral për të folur për një Kosovë njëmend përfshirëse, ku të gjithë qytetarët ndjehen në shtëpi dhe të lirë për të jetuar, punuar dhe për tu lutur së bashku në paqe me fqinjët e tyre.

Jeni ju, të mbijetuarit, që keni forcën për ta ndërtuar vendin në përputhje me fjalët e vetë Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës: „Të zotuar për tu përballur me trashëgiminë e dhimbshme të të kaluarës së afërt në frymën e pajtimit dhe faljes. Të përkushtuar për të mbrojtur, promovuar dhe respektuar shumëllojshmërinë e popullit tonë”.

Duke punuar për këtë vizion, ju e vazhdoni punën që NATO-ja e ka filluar 20 vjet më parë.

Më lejoni ta përmbylli me fjalët e poetes amerikane, Maja Anxhellu: “Historia, pavarësisht dhimbjes dërrmuese, nuk mund të zhbëhet. Por, nëse përballet me guxim, nuk ka nevojë të përjetohet sërish”.

 NË MEJË, NË LËNDINËN E PIKËLLIMIT, PARA 20 VITEVE, FORCAT SERBE MASAKRUAN E ZHDUKËN 377 SHQIPTARË QË I RRËMBYEN NGA KOLONA E REFUGJATËVE

 Në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, para 20 viteve,  në 27 Prill 1999, forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve.

Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt të kolonës së civilëve nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica drejt Shqipërisë.

Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në vitet 1998-99 forcat serbe me motive gjenocidale kanë vrarë e masakruar mëse 12 mijë civilë shqiptarë, ndërsa menjëherë pas luftës Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.

Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë vendosur e rivenodur nga familjarët në rrethojat e Kuvendit e qeverisë kosovare dhe te Obelisku i të Pagjeturv i ngritur aty në sheshin kryesor të Prishtinës, ku sot bëhen edhe homazhe.

HOMAZHE NË PRISHTINË TE MONUMENTI I PERSONAVE TË PAGJETUR

Së bashku, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe zyrtarë të tjerë institucionalë, sot në mëngjes në Prishtinë kanë bërë homazhe te Monumenti i të Pagjeturve në nderim të tyre, me rastin e 27 Prillit, Ditës së të Pagjeturve.

Gjatë ditës kanë marrë pjesë në Tubimin Përkujtimor për shënimin e Ditës së të Pagjeturve të Kosovës, në Mejë të Gjakovës. Ky shënim përkujtimor është organizuar nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës, Shoqatën ’27 Prilli 1999 – Mejë’, Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe organizatat tjera vendore e ndërkombëtare

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari-Kosova- Dita e te pagjeturve

KUJTESA HISTORIKE E LUFTES NE KOSOVE

April 26, 2019 by dgreca

Veseli: Epopeja e Melenicës është dëshmi e sakrificave të Shalës për liri/*

Duke përkujtuar sakrificën e të rënëve për liri, nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot është mbajtur Akademi Përkujtimore në nderim të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rënë 20 vjet më parë në betejën e Melenicës, në Mitrovicë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve në teatrin kombëtar në Prishtinë, kryeparlamentari Veseli tha se rajoni i Shalës, Mitrovicës ka dhënë shumë që nga fillim vitet e shekullit 20 për lirinë dhe pavarësinë e shqiptarëve.
Ai tha se ishte pikërisht heroi i kombit Isa Boletini i cili më 1912 shkoi nga Mitrovica në Vlorë për formimin e shtetit shqiptar, ndërsa theksoi se u deshën edhe 86 vjet tjera sakrica e dëshmorë deri në shpalljen edhe të pavarësisë së Kosovës.
Kreu i Kuvendit tha se Epopeja e Melenicës është dëshmi e sakrificave të Shalës për liri.
“Gjatë gjithë historisë Shala e Bajgorës ka rrezatuar atdhedashuri. Burrat e saj gjithmonë kanë qenë aty ku është dhënë kushtrimi për liri e për komb. E tillë ishte kjo zonë edhe në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishin djemtë e vajzat më të mirë të Kosovës që ju përgjigjen thirrjes për çlirimin e atdheut”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai tha se për një muaj rresht djemtë e saj u qëndruan heroikisht sulmeve të makinerisë ushtarake serbe, në të cilat beteja ranë heroikisht Shemsi Ahmeti, Rrustem Hyseni, Ahmet e Xhemail Haxha, Asllan Cimili, Enver Musa, Shemsi Isrefi, Faruk Beqiri, Sokol Preteni, Esat Meholli, Qazim Cimili.
“Ata ranë, por ëndrra e tyre për liri u bë realitet. Liria e Kosovës është pavdekësia e tyre, sepse sa të jetë i lirë kjo tokë, do të jetojë edhe emri i tyre. Dhe kjo tokë përgjithmonë ka me qenë e lirë. Ka me qenë shtet i pavarur e sovran, përderisa t’ nxej dielli e t’ rrezon hana, siç do të thoshte Fishta. Nuk do të mund të na ndalë ashkush. Nuk ka sfidë që mund të na gjunjëzojë”, tha kryeparlamentari Veseli.

  • Per me shume foto shko ne fb Gazeta Dielli

Filed Under: Kronike

ASKUSH NUK DO TË MUND TA NDALOJË KOSOVËN

April 16, 2019 by dgreca

Nga Behlul JASHARI/

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj:Krenaria jonë nuk është e falur, por që vjen nga jetët e djemve dhe vajzave më të mirë të atdheut.

Ne do ta qojmë Kosovën ku i takon, në familjen e popujve dhe shteteve, pastaj një Kosovë popull e shtet i pavarur e i anëtarësuar në OKB dhe në NATO le të vendos si do të sillet ndaj vëllezërve tjerë të vet, ndaj vëllezërve e motrave të vet shqiptarë, ndaj Shqipërisë, ndaj vëllezërve të tjerë, e mendoj se do të sillet si i takon dhe kurrë nuk do ta koritë vetën, por askush nuk do të mund ta ndalojë Kosovën deri në vendin e merituar që i takon si e drejtë e shqiptarëve, një popull martir i Ballkanit/

PEJË, GLLOGJAN, 16 Prill 2019-Gazeta DIELLI/ Askush nuk do të mund ta ndalojë Kosovën deri në vendin e merituar që i takon si e drejtë e shqiptarëve, një popull martir i Ballkanit, tha sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai mori sot pjesë në tubimin përkujtimor për Dëshmorët e Kombit, Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj, Luan Nimanaj dhe invalidin e UÇK-së, Enver Haradinaj.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj në nderim të rënies së lavdishme të këtyre dëshmorëve, bëri homazhe te Shtatorja e Shkëlzen Haradinajt në Pejë, për të vazhduar me homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT HARADINAJ NË GLLOGJAN:

Ju falënderoj për prezencën në nderim të dëshmorëve, heronjtë të Kosovës.

Nuk ka qenë traditë të mbahen fjalime në homazhe, por nuk kemi organizuar akademi për heronjtë dhe në shenjë kujdesi për të gjithë ju që keni ardhur, ju drejtohem me pak fjalë.

Është një mënyrë modeste, pa e ngarkuar më shumë secilin prej jush, që të jemi bashkë me ata që i kanë bërë nder kombit, nder atdheut, me heronjtë, që të jemi bashkë në vendin ku ata pushojnë, njëkohësisht, me familjet e tyre dhe më lejoni që t’i drejtohem familjes së Hasimit, Fatmirit, Luanit, Enverit, bacës Smajl, Shkëlzenit dhe gjithë të tjerëve.

Sot jemi në përvjetor të rënies heroike të Shkëlzenit, të Hasimit, të Fatmirit, Luani i plagosur nuk i mbijetoi plagëve, pra, Luan Nimanaj, edhe pse bashkëluftëtarët u munduan ta bartnin deri në shërim.

Ndryshe thënë, kjo ditë e ’99-tës ka qenë ditë e vështirë. Ishte një përpjekje e madhe për të shpëtuar jetë, forcat serbe kishin kaluar një gjah, jo një gjah ndaj UÇK-së, por një gjah ndaj civilëve. Një pjesë e madhe e familjeve ishin strehuar në një zonë e quajtur “Lugu i Duboçakës”.

Ne nuk kishim pozicione lufte atje, nuk operonim në atë pjesë dhe kur erdhi lajmi se forcat serbe kanë mësy në drejtim të Duboçakës, ku ishin shumë civilë, familje të fshehura, nuk kemi mundur të mos vepronim. Në fakt, nuk i kam caktuar dikujt detyrë, por i kam pyetur a ka ndokush që mund të shkojë për t’i dalë përpara forcave serbe që të mos i lejojnë me mbërri te ato familje, tek ata civilë, fëmijë, gra, që ishin strehuar në atë zonë të Kosovës.

Shkëlzeni tha po shkoj unë dhe menjëherë pas tij, janë lajmëruar ata që i ka pasur më afër çdo herë gjatë jetës së tij në luftë, pra, Fatmiri, Hasimi, Luani dhe djem të tjerë.

Kësisoj, në përballje, për të mos i lejuar forcat serbe me arrit te civilët shqiptarë të pambrojtur, në pozicione lufte, që kanë qenë të papërgatitura paraprakisht, të pastudiuara, pa asnjë plan, por vetëm të mos lejohet që të shkojnë tek civilët, kanë rënë heroikisht njerëzit më të shquar të UÇK-së, të cilët nuk kanë rënë në betejat tjera frontale, sepse në ato beteja ne i kemi prirë luftës, e kemi ditur si bëhet lufta, ndërsa këtu nuk kemi pasur kohë as të përgatitet ndonjë plan, por vetëm jemi detyruar në urgjencë, për shkak të civilëve, të dalim përpara.

Dua të theksoj këtë element, sepse është shumë i rëndësishëm. Pra, Shkëlzen Haradinaj si luftëtar, i cili ka pasur plot plagë, kurrë nuk e ka lëshuar Kosovën, ndër të parët që është plagosur prej ushtarëve të UÇK-së.

Ai nuk do të ishte vrarë asnjëherë në luftë, edhe pse ka qenë trim, por arsyeja pse është vrarë, është se nuk kanë pasur kohë, janë detyruar të dalin në mbrojtje të civilëve.

Ky është një mesazh i kësaj beteje të ditës së sotme. Djemtë më të zot, luftëtarët më të zot, që kaluan mbi një vit lufte intensive nga 24 marsi, të mos flasim për periudhën përpara, 24 mars ‘98 dhe 24 mars ’99, asnjëherë pa u ndalë, pa e lëshuar vendbetejën dhe nuk janë vrarë këta djem, por janë vrarë, sepse nuk kanë pasur kohë, janë detyruar të dalin pa pozicion lufte, përballë forcave serbe, që të mos i lejojnë të arrijnë tek civilët shqiptarë.

Këtu janë dy porosi që dalin prej kësaj dhe që duhet t’i kuptojmë të gjithë ne.

E para është se UÇK-ja me kapacitete të limituara, por nuk e ka kursyer veten, nuk ka vepruar vetëm në bazë të planeve të luftës, por është detyruar të veprojë dhe të mbrojë civilë të pambrojtur. 
Do të ishte shumë më lehtë për Shkëlzenin, për Luanin, për Fatmirin, Hasimin e shumë të tjerë, vetëm të zgjedhin një betejë me forcat serbe, këta me zgjedh ku me u përballë me ata, dhe ju siguroj se ka pasur beteja deri atë ditë, por këta janë dalë fitues, e forcat serbe kanë humbur.
E vetmja arsye pse këta kanë rënë heroikisht është se janë detyruar pa planë lufte, pa asnjë përgatitje paraprake, pa asnjë mundësi reale të luftojnë, janë detyruar të dalin në vetëbetejë frontale dhe të luftojnë ballë për ballë, me luftua në afërsi, me harxhua  municionin që kanë pasur me vete dhe të përdorin edhe thika dhe kësisoj kanë rënë.

Kjo është një e vërtetë e historisë sonë të lavdishme të UÇK-së që i bënë shqiptarët vërtetë të ndihen krenarë. Nuk është e vetmja, fatmirësisht kemi plotë beteja, plotë ngjarje të një lavdie të tillë.

Porosia tjetër që duhet ta dimë si shqiptarë e si Kosovës, është se ata që mundohen të mohojnë krimet që janë bërë mbi shqiptarë,  edhe pse ne shqiptarët jemi popull i respektuar, por nuk duhet askush ta teprojë me ne. Ata që mendojnë se mund ta mohojnë dhe të ofendojnë dhimbjet, luftën, plagët, por edhe krenarinë tonë, sepse askush nuk ka të drejtë ta ofendojë krenarinë tonë, sepse nuk është krenari e falur, por që vjen nga jetët e djemve dhe vajzave më të mirë të atdheut, atëherë nuk i bëjnë mirë vetës, rajonit dhe më tutje.

Duke qenë kështu, unë dua të them për fund se jemi të vetëdijshëm se edhe në atë kohë ka qenë vështirë, edhe në atë kohë ka pasur keqkuptime, ka pasur agjenda të tjera, ose janë përzier agjendat ngapak. Unë e di se edhe në ditën e sotme plotë njerëz i përziejnë agjendat.

Vetëm një gjë dua t’ju them të gjithëve në këtë vend. Ne do ta qojmë Kosovën ku i takon, në familjen e popujve dhe shteteve, pastaj një Kosovë popull e shtet i pavarur e i anëtarësuar në OKB dhe në NATO le të vendos si do të sillet ndaj vëllezërve tjerë të vet, ndaj vëllezërve e motrave të vet shqiptarë, ndaj Shqipërisë, ndaj vëllezërve të tjerë, e mendoj se do të sillet si i takon dhe kurrë nuk do ta koritë vetën, por askush nuk do të mund ta ndalojë Kosovën deri në vendin e merituar që i takon si e drejtë e shqiptarëve, një popull martir i Ballkanit.

Njëkohësisht nuk janë të vërteta ato goditjet që i japin nën brez plot në Kosovë. Nuk është e vërtetë që Kosova e ka falur Çakorrin, jo Ramushi, po Kosova, as Çakorrin, as Kullën. Ju e dini, ne shpesh nuk i kemi deklaruar gjitha rrjedhat e punëve që i kemi kryer. Shumë kujt këtu ju ka rënë befasi edhe ushtria kur ka ardhur punë e kryer, dhe shumë kanë menduar se është fjalë, gënjeshtër, punë në letër. Por, sot kemi ushtri. Nuk është falë Çakorri as Kulla, gënjeshtër është dhe gjithë ata që gënjejnë e dinë se po gënjejnë dhe këtë e bëjnë për arsye të ulëta.

Nuk do të lejojmë të ndahet Kosova, as të preken kufijtë e Kosovës, e as toka e territori  i Kosovës. Kush shkon asaj rruge e ka gabim, qoftë vëlla i yni, qoftë tjetër.

Miqve u bëjmë thirrje, nuk keni aleatë më të fortë si shqiptarin në Ballkan, jemi properëndimor, euroatlantik, do t’i kryejmë punët e Kosovës.

Pushtetet shkojnë e vijnë. Unë i kam kaluar 12-13 vjet, jo në opozitë, jo pranë familjes, por i kam kaluar disa vjet edhe në burg. Kurrë nuk jam ligur dhe kurrë nuk kam bërë gabime në interes të atdheut, as unë e as familje ime.

Ata që po koriten shumë e kanë për vete, por do të vijë dita kur shumë prej tyre do të skuqen për ato që po i bëjnë e që janë të padrejta, në kohën kur po përballemi me Serbinë, me agjendat e Vuçiqit, me planet e tij për ta ndarë Kosovën, me planet e ndërkombëtarëve të tjerë për të na ulur kokën, goditjet që vijnë nën brez të vëllezërve dhe motrave tona nuk janë në rregull. 

Duhet ta korrigjojnë vetën ata që e dinë si kemi ardhur deri këtu, sa vështirë ka qenë dhe çka na pret përpara. Nuk e kanë korrigjuar vetën as atëherë të gjithë, por e kemi përballuar edhe atëherë, do ta përballojmë edhe sot, do të ecim përpara. 

Sot jam i nderuar me prezencën e të gjithë juve, por besoj se edhe unë dhe të gjithë ne kemi ardhur sot në nderim të atyre që janë nderi dhe lavdia e kombit tonë dhe në atë nder do të shërbejmë.

Lavdi të rënëve të sotëm, lavdi të gjithëve! /b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari-Kryemininistri Haradinaj

Lamtumirë Rifat Bejta rrëfyes i Lirisë!

April 4, 2019 by dgreca

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 157
  • 158
  • 159
  • 160
  • 161
  • …
  • 599
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT