20 VJET NGA RENIA E HEROIT AGIM SELMANAJ
Kryeministri Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, me rastin e 20-vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Agim Selmanaj-
Gllogjan, 1 maj 2019- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj
dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, bëne homazhe në Kompleksin Memorial
“Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, me rastin e 20-vjetorit të rënies së Heroit
të Kosovës, Agim Selmanaj.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, para të pranishëmve të shumtë, deputetë,
kryetarë komunash dhe përfaqësues tjerë të shoqërisë, tha se, ka nderin që sot
t’i bashkohet homazheve aty ku pushon Agimi dhe dëshmorët e heronjtë e tjerë të
Kosovës.
“Bëhet fjalë për një familje, që ndër breza iu kushtuan lirisë. Këtu kemi
babën, axhallarët, të cilët ishin të burgosur politikë, ishin në luftë”,
tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se, Agimi ishte që në ditët e para të
luftës dhe në njësitet e para në Gllogjan.
Lavdi për Agimin, lavdi të gjithë të rënëve për liri!
Një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i
cili tha se, në këto ditë, anekënd Kosovës, janë duke përkujtuar dhe nderuar
dhimbjen dhe sakrificën e të rënëve të Kosovës, që ranë në altarin e lirisë.
“Jemi sot këtu, në Gllogjanin e lirisë, në Gllogjanin e Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, në Gllogjanin e Luanit, Shkëlzenit e të dhjetëra dëshmorëve të tjerë,
për të kujtuar një hero të Kosovës, një djalë të ri, Agim Selmanaj. Agimi nuk
ishte më shumë se 20 vjeçar dhe në vend që të merrte mjetet e mësimnxënies,
atij iu desh që të merrte në duar armët e lirisë. Sepse kjo ishte thirrja e
atdheut. Në vend që të gëzonte jetën, ai u desh të jepte jetën për lirinë e
Kosovës. Ky është çmimi i sakrificës sonë, ky është çmimi i shtetit tonë”,
theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai shtoi se të gjallëve sot, kjo sakrificë, si amanet i këtyre njerëzve, dëshmorëve e të rënëve si Agimi, nuk i lë që për asnjë hap, për asnjë milimetër të lëvizin prapa.
“Ta ruajmë këtë shtet të cilin e kemi sot dhe
të punojmë edhe më shumë, duke e dashur atë, duke punuar ndershmërisht, duke
punuar më shumë, që ta zhvillojmë, duke u dhënë mundësi bashkëmoshatarëve të
Agimit, sot 20 vjeçarë, të kenë perspektivë edhe më të mirë në shtetin e vet,
në tokën e vet. Të gjithë bashkëluftëtarët duhet të ndihen krenarë me veprën e
tyre dhe të punojnë më shumë për vendin”, tha kryeparlamentari Veseli.
Në emër të familjes së Heroit Agim Selmanaj, foli deputeti i Kuvendit të
Kosovës, Rasim Selmanaj, i cili falënderoi të gjithë për nderimin që po i bëjnë
Heroit, por edhe gjithë familjes.