-Kryetari Veseli priti ambasadoren e re të Kroacisë, Marija Kapitanoviç/
PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ambasadoren e re të Kroacisë në Prishtinë, Marija Kapitanoviç, me të cilën bisedoi për zhvillimet në vend e rajon, bashkëpunimin midis dy shteteve dhe mundësinë e zgjerimit të mëtejmë të tij.
Kreu i Kuvendit të Kosovës vlerësoi lart marrëdhëniet politike e diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Kroacisë, por konsideroi, gjithashtu, se ka ende hapësira për rritjen e këtij bashkëpunimi, të cilat duhet të shfrytëzohen në të ardhmen.
Lidhur me marrëdhëniet midis dy parlamenteve, ishte dakordim i përbashkët se ekziston një bashkëpunim tashmë i konsoliduar, i cili është shprehur edhe nëpërmjet takimeve të ndryshme të komisioneve simotra, por u konstatua gjithashtu, se gjithëherë gjenden mundësi të reja për kultivimin dhe begatimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve.
Kryetari i Kuvendit, Veseli, e vlerësoi si shumë të rëndësishme përvojën kroate në rrugën e integrimeve evropiane, e cila, siç tha ai, mund të shfrytëzohet nga Kosova në këtë proces. Kreu i Kuvendit kërkoi nga ambasadorja kroate që Zagrebi zyrtar të vazhdojë të jetë, sikur deri më tani, një zë përkrahës i Kosovës në institucioneve ndërkombëtare, në të cilat aspiron të anëtarësohet.
Krahas fushës politike, kryetari Veseli e konsideroi mjaft të rëndësishme për Kosovën zgjerimin e bashkëpunimin në rrafshin ekonomik, duke parë te Kroacia një model të suksesshëm zhvillimi e bashkëpunimi.
Ambasadorja kroate, Kapitanoviq, nga ana e saj, shprehu gatishmërinë e shtetit që ajo përfaqëson, për t’i ofruar Kosovës përvojën në rrugën e integrimit dhe veçanërisht në përshtatjen e legjislacionit vendor me atë evropian. Ajo garantoi mbështetjen e Kroacisë për Kosovën në të gjithë mekanizmat relevantë ndërkombëtarë, duke i dhënë një shtytje të fuqishme iniciativave të cilat e forcojnë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës./b.j/
2016-a, Viti i Adem Demaçit
– Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në takim me drejtuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë: Nëse ka njeri të gjallë mbi këtë tokë, të cilit shqiptarët e Kosovës i kanë borxh për lirinë e tyre, ai është vetëm një: Adem Demaçi/
-Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Hydajet Hyseni, nga ana e tij, falënderoi për pritjen dhe përkrahjen e parezervë në kremtimin e ditëlindjes së Adem Demaçit/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një takim me drejtuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës (SHBPK), përkatësisht Këshillin nismëtar për shënimin e 80-vjetorit të lindjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.
Kryetari Veseli dhe drejtuesit e Shoqatës diskutuan lidhur me programin për shënimin e 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit dhe njëkohësisht organizimit të aktiviteteve të tjera që do të zhvillohen gjatë tërë vitit 2016, i cili do të cilësohet si “Viti i Adem Demaçit”.
Të gjitha këto aktivitete, do të organizohen me mbështetjen e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Gjatë takimit, kreu i Kuvendit tha se ndihet jashtëzakonisht i nderuar që institucioni që ai drejton, por edhe institucionet tjera të vendit, kanë mundësinë të bëjnë, siç vlerësoi ai, një gjë shumë të vogël për njeriun e madh, simbolin e kombit, njeriun e rezistencës, të vullnetit e të shpirtit të kombit tonë për liri dhe demokraci, Adem Demaçi.
Veseli garantoi se institucionet e Kosovës do të bëjnë të gjithë atë që është në përgjegjësinë e tyre, për të nderuar figurën e Adem Demaçit.
“Nëse ka njeri të gjallë mbi këtë tokë të cilit shqiptarët e Kosovës i kanë borxh për lirinë e tyre, ai është vetëm një: Adem Demaçi. Do t’i japim mbështetje çdo iniciative e cila është në shërbim të këtij emri. Sheshet në tërë Republikën e Kosovës do të marrin emrin e tij. Institucionet e Republikës së Kosovës do të kenë çmim kombëtar me emrin e Adem Demaçit, siç ekziston ai me emrin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, theksoi kryeparlamentari Veseli, ndërsa shtoi se në kuadër të shënimit këtij përvjetori do të botohen edhe libra dhe do të përgatitet një dokumentar për figurën e Demaçit.
Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Hydajet Hyseni, nga ana e tij, falënderoi kryetarin Veseli për pritjen dhe përkrahjen e parezervë në kremtimin e ditëlindjes së Adem Demaçit. Hyseni tha se Këshilli nismëtar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, mbështetur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Instituti Albanalogjik i Kosovës dhe ai i Historisë, si dhe segmente të tjera të shoqërisë, do të përpiqet ta rrumbullakësojë këtë shënim të këtij përvjetori, të cilësuar si viti i Adem Demaçi. Ky këshill, shtoi Hyseni, është në fazën e parë të funksionalizimit të tij, ndërsa në të ardhmen do të zgjerohet e kompletohet më tej.
Kosovë-Jahjaga në komuna për sfidat e zhvillimit
-Presidentja e Republikës së Kosovës vizitoi sot katër komuna, dy prej të cilave të banuara me shumicë nga komuniteti serb/
PRISHTINË, 25 Janar 2016-B.Jashari/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot katër komuna, dy prej të cilave të banuara me shumicë nga komuniteti serb, Kllokotin e Ranillugun.
Ajo vazhdoi kështu vizitat që po zhvillon gjatë janarit nëpër komunat e Kosovës, në kuadër të nismës së përbashkët me odat ekonomike e me qëllim të diskutimit të sfidave të zhvillimit ekonomik, përkrahjes së bizneseve dhe krijimit të lehtësirave për to, me theks të veçantë në tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë.
Presidentja Jahjaga fillimisht vizitoi komunën e Kllokotit, ku u prit nga kryetari Sreçko Spasiç, pastaj komunën e Gjilanit, ku bisedoi me kryetarin Lutfi Haziri, komunën e Kamenicës, ku u prit nga kryetari Begzad Sinani, si dhe komunën e Ranillugut, ku u prit nga kryetari Gadimit Mikiç.
Kryetarët e komunave e njoftuan Presidenten Jahjaga me zhvillimet në fushën e ekonomisë në komunat e tyre, me theks të veçantë me përpjekjet që bëjnë pushtetet komunale në përkrahje të bizneseve.
Ata, gjithashtu, shtruan një varg problemesh që dalin në këtë drejtim, qoftë për shkak të problemeve që ndërlidhen me nivelin qendror të pushtetit, qoftë për shkak të problemeve të tjera.
Në takime morën pjesë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, dhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi.
Ata paraqitën problemet kryesore me të cilat përballen bizneset, qoftë ato vendore, qoftë biznese të huaja që kanë interes për investim në Kosovë, si dhe paraqitën opsionet për mënyrat se si pushteti lokal, por edhe ai qendror, mund t’i ndihmojnë bizneset dhe me këtë të sigurojnë rritje të shkallës së zhvillimit ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.
Presidentja Atifete Jahjaga përfundon mandatin në 6 prill 2016, ndërsa sipas Kushtetutës “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. Zgjedhja e Presidentit të Republikës bëhet nga Kuvendi i Kosovës, me votim të fshehtë.
Vlorë, homazhe për 97-vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit
U përkujtua dje 97-vjetori i vdekjes së Ismail Qemalit, burrit të urtë vlonjat që më 28 nëntor 1912, bashkë me patriotë të tjerë shpallën pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës. Në kuadër të kësaj dite të shënuar për mbarë vendin e në veçanti për qytetin e Vlorës, kryebashkiaku Dritan Leli zhvilloi homazhet e rastit tek varri i Ismail Qemalit. Pas homazheve, kryebashkiaku Leli zhvilloi një vizitë në ambientet e muzeut “Pavarësia”, ku u prit nga drejtori i këtij institucioni, Istref Dobi, i cili përveçse e njohu kryebashkiakun me situatën aktuale të infrastrukturës së muzeut, bëri prezent edhe një herë rëndësinë e figurës së Ismail Qemalit në rrjedhën historike të kombit tonë. Leli ritheksoi kontributin e paçmuar të kësaj figure historike që shenjoi me heroizmin e tij formësimin e shtetit të parë shqiptar. Më 28 Nëntor të vitit 1912 Shqipëria shpalli pavarësinë dhe Ismail Qemali ishte kryeministri i parë i Shqipërisë. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali. Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë.
Stuhi e fuqishme dëbore godet Shtetet e Bashkuara
Një stuhi e fuqishme dimërore ka mbuluar me borë pjesën më të madhe të zones lindore të Shteteve të Bashkuara, duke i izoluar banorët brenda shtëpive, duke bllokuar shoferët në rrugë dhe duke krijuar kushte që meteorologët i kanë konsideruar me rrezik për jetën.
Trashësia e bores ka arritur mbi 30 centimetra në shumë pjesë të rajonit, përfshirë Uashingtonin. Metereologët thonë se gjendja do të keqësohet edhe më shumë, ndoshta me dyfishin e reshjeve të dëborës, kombinuar me erë të fortë që do ta rëndojë edhe më shumë situatën.
“Kombinimi i borës, erërave të forta dhe kushteve me rrezik për jetën, pritet tp vazhdojnë deri të shtunën në mbrëmje”, tha Shërbimi Kombëtar i Motit, në një paralajmërim për stuhinë.
Të paktën nëntë persona kanë vdekur deri tani në gjithë vendin si rezultat i stuhisë që po zhvendoset ngadalë dhe që ka prekur një rajon nga Georgia në New England.
Në 10 shtete është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Në Kentucky, autoritetet kanë hapur qendra emergjence përgjatë autostradës, ku makinat kanë ngecur për 10 orë.
Uashingtoni, që është në qendër të stuhisë është mbuluar nga 25 centimetra borë, dhe bora pritet të vazhdojë deri të dielën.
Kjo stuhi mund të jetë një nga 10 më të fuqishmet që është regjistruar ndonjëherë në qytet.
Shkollat u mbyllën të premten jo vetëm në Uashington dhe në Virginia dhe Maryland. Edhe zyrat federale u mbyllën dje në mesditë. Autoritetet madje mbyllën edhe sistemin e transportit publik, një masë e jashtëzakonshme.
Në shkallë vendi, të paktën 6,300 fluturime u anulluan dhe mijëra të tjera patën vonesa.
- « Previous Page
- 1
- …
- 303
- 304
- 305
- 306
- 307
- …
- 596
- Next Page »